Projekti ‘Vertical Garden’ po merr jetë në Prishtinë, një gërshetim unik mes natyrës dhe artit

Era Berisha

Projekte të reja të cilat për fokus kanë mbështjelljen e natyrës dhe artit në një rezultat të vetëm, për të kapërcyer sfidën e madhe të ‘luftës’ me ndotjen e ajrit në zonat urbane, tashmë po i shtohen Prishtinës. ‘Vertical Garden’ është projekti i radhës, një projekt ky mjaft vetëdijesues për rëndësinë e ambienteve të pastërta e të shëndetshme, shkruan KultPlus.

Duke pasur parasysh mungesën e madhe të gjelbërimit që ka mbetur nën hijen e betoneve, mureve dhe ndërtesave të shumta të cilat po ndikojnë fuqishëm në cilësinë e ajrit, ky projekt do të finalizojë nevojën esenciale për sa më shumë lule, drunj, bimë dhe pemë.

Vendin ku do të vendosen ‘Kopshtet Vertikale’, të cilat do të mbështjellin shtyllat e urës në hyrje të Prishtinës sot e vizitoi drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha bashkë me OJQ Q’art dhe ‘Te Pema’ me qëllim që të shohin mundësitë e integrimit të Gjelbërimit Vertikal me artin.

Në një ambient mes pluhurit, veturave, zhurmës së madhe, ecja dhe vëzhgimi në këtë rreth duket e pa mundur, por disa qytetarë u mblodhën për të parë se çfarë ndryshimi po ndodh në këtë pjesë, ku vërehet një mungesë e madhe e ngjyrave por të cilat tani do të ringjallen e do të mbizotërojnë në mesin e ngjyrës hiri dhe zbehjes së atmosferës.

Ndërsa, se si erdhi ideja për këtë projekt që synon një pamje ndryshe dhe të domosdoshme në hyrjen e qytetit, na tregoi edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha.

“Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me ‘TE Pema’, ka ideuar projektin ‘Vertical Garden’, duke pasur parasysh që qyteti jonë ka nevojë për sa më shumë gjelbërim. Pra, në hyrje te Prishtinës nga Fushë Kosova, mendohet që për një periudhë 2 vjeçare, muret të shndërrohen në mure jo me ngjyrë të hirtë por me mure të gjelbërta. Ne e dimë se vitin e kaluar është organizuar edicioni i 4-të i Meeting of Styles, festival ky i cili ka për qëllim që hapësirat e ndryshme ti shndërrojë në hapësira të parkut, pra flasim për muralet si ato në rrugën B dhe tek hekurudha”, tregon Berisha.

Sipas tij, qytetit i nevojitet më së shumti një pamje e tillë, përkundër pamjes vizive e cila shihet çdo ditë nga qytetarët dhe po i ngarkon ata me betonimin që ka ndodhur tash e 20-të vite. Kurse, inspirimi ka ardhur nga kopshti vertikal në Mexico City – ‘Via Verde’, që është formuar për herë të parë.

Tutje ai pohoi se buxheti fillimisht përfshin 60 mijë euro për projektin e Vertical Garden, kurse pjesa e artit në hapësirën publike financohet nga Drejtoria e Kulturës me vlerë rreth 10 mijë euro.

“Po ashtu edhe të gjitha bimët do të jenë të gjalla dhe të cilat e thithin dioksidin e karbonit në sasi të madhe, më një jetëgjatësi në të katër stinët”, potencon Berisha.

Pritshmëritë e tij janë në një nivel mjaftueshëm të lartë duke pasur parasysh reagimet nga qytetarët me mikpritjen e jashtëzakonshme, kur edhe është prezantuar projekti.

Projekti përfshin gjithsej 90 ditë punë duke filluar nga sot, ku ndërtimet e moduleve janë duke u formuar në disa magazina pasi që është një pjesë shumë e frekuentuar e hyrjes në Prishtinë dhe është vendosur që për një kohë në maksimum 2 ose 3 ditë, të bllokohet hapësira që të zbatohet ky projekt. Ndërsa për rëndësinë e projektit dhe bashkëpunimet, foli edhe Dion Deva, Kryeshefi Ekzekutiv (CEO) dhe themeluesi në ‘TE Pema’, duke e konsideruar këtë projekt si një nevojë e veçantë për qytetarët.

“Ky bashkëpunim i dytë erdhi pas një bashkëpunimi të mëparshëm për ’eko ulëset’ në hapësirën e shesheve të kryeqytetit. Jemi profesionalizuar si ekip në ndërtimin e gjelbërimit urban dhe në automatizimin e proceseve, prandaj Komuna e Prishtinës ka vërejtur aftësinë tonë për realizimin e një projekti të tillë dhe në bisedë e sipër kemi vendosur që pjesa më e mirë është rrethi në hyrje të Prishtinës”, tregon Deva.

Sipas tij, sot pas takimit me OJQ Q’art, është menduar që e gjithë kjo hapësirë të jetë jo vetëm një kombinim i ‘Street Art’ ose vetëm i ‘Vertical Garden’, por një integrim i përbashkët për sa më shumë atraktivitet në hyrjen e Prishtinës. / KultPlus.com