Pak ditë nga hapja, një grup fëmijësh dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan së bashku detajet e fundit para hapjes së Kopshtit të ri Zoologjik.
Në pritje edhe të kafshëve të tjera, që do të popullojnë këtë hapësirë të transformuar, Parku Zoologjik do të jetë hapë dyert për vizitorët e vegjël më 1 qershor.
“Jam shumë i lumtur që inxhinierët dhe supervizorët e vegjël po na japin notën 10 për Kopshtin Zoologjik, të cilin do ta hapim në 1 Qershor për të gjithë fëmijët e Tiranës. Tirana do ketë shumë aktivitete këtë muaj, disa janë për të rritur, siç janë këto ndeshjet e futbollit, e disa nga festat e mëdha. Por, besoj, aktiviteti më i bukur është hapja e Kopshtit Zoologjik për 1 qershor, që është edhe festa e fëmijëve”, tha Veliaj.
Kopshti Zoologjik është rikonceptuar tërësisht, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve. Veliaj nënvizoi se mjediset e reja do të shërbejnë edhe për orët e mësimit në natyrë.
“Më parë, gjithë këtë hapësirë fëmijët e kanë parë si diçka të shëmtuar, të pistë dhe shumë të ngushtë për kafshët, kurse sot po e shohin krejt të transformuar. Kopshti Zoologjik nuk do të jetë vetëm një mjedis për të parë kafshët, që kësaj here nuk janë më në kafaze të ngushta, por në hapësira shumë më të mëdha, por do jetë edhe një hapësirë për të mësuar. Pra, kemi edhe disa hapësira ku secila prej mësueseve mund ta rezervojë dhe mund ta bëjë klasën në Kopshtin Zoologjik”, tha ai.
Kryebashkiaku shtoi se dy projektet e radhës do të jenë transformimi i Kopshtit Botanik dhe kompleksit të pishinave te Diga e Liqenit.
“Pasi të mbarojmë te Kopshti Zoologjik, duam të vazhdojmë te Kopshti Botanik dhe të sigurohemi që, më në fund, të gjitha hapësirat publike të Tiranës të jenë transformuar. Ndërkohë, sapo kemi marrë në dorëzim edhe pishinat te Diga, edhe aty do të kthejmë kurset e notit, sidomos për fëmijët që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime, ose vijnë nga familje në nevojë. Për ta do të jetë bashkia ajo që u ofron një hapësirë për të mësuar not, edhe për pushimet e verës”, theksoi Veliaj.
Brenda hapësirës së Kopshtit Zoologjik janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë eksperiencën për fëmijët dhe prindërit sa më të pasur./ atsh / KultPlus.com