Pesë luanë ikin nga ekspozita në kopshtin zoologjik të Sidneit

Pesë luanë kanë shkaktuar një emergjencë të shkurtër në një kopsht zoologjik australian pasi u arratisën nga rrethimi i tyre, përcjell KultPlus.

Një i rritur dhe katër këlyshë – u panë jashtë ekspozitës së tyre në kopshtin zoologjik Taronga të Sidneit rreth orës 6:30 me kohën lokale të mërkurën.

Kopshti zoologjik u mbyll për pak kohë, derisa luanët u siguruan që janë rikthyer. Gjithashtu, u njoftua se nuk ka asnjë të lënduar, por gjithashtu as edhe shpjegim për arratisjen e tyre.

Por drejtori ekzekutiv i kopshtit zoologjik Simon Duffy e quajti atë një “incident të rëndësishëm” që do të hetohej tutje.

Ai tha për mediat lokale se luanët kishin hyrë në një zonë të vogël “ngjitur” me ekspozitën e tyre – rreth 100 metra nga ku të ftuarit po qëndronin në kopshtin zoologjik gjatë natës. Kopshti zoologjik kryesor ishte i mbyllur në atë kohë.

“Luanët në asnjë moment nuk dolën nga ajo zonë [në afërsi] ose nuk dolën nga kopshti zoologjik Taronga,” tha ai.

Duffy shtoi se zona e vogël mbrohej nga një gardh prej gjashtë metrash që përdoret zakonisht për të mbajtur njerëzit në një distancë të sigurt dhe i gjithë kopshti zoologjik ishte i rrethuar nga një gardh rrethues.

Stafi u përgjigj shpejt për të zhvendosur të gjithë njerëzit në vend në vende të sigurta, sipas drejtorit.

“Ekspozita e luanit do të qëndrojë e mbyllur deri në inspektime të mëtejshme për t’u siguruar që është “100% e sigurt”, shtoi Duffy.

Arratisjet e kafshëve në kopshtet zoologjike Australiane janë të rralla.

Në vitin 2009, një luaneshë iku nga mbyllja e saj në kopshtin zoologjik Mogo, në jug të Sidneit, dhe u qëllua për vdekje për shkak të rrezikut që përbënte për publikun. /KultPlus.com

Kafshët që do mund të shihni në kopshtin zoologjik të Tiranës

Kopshti zoologjik i Tiranës hapi dyert këtë të shtunë për vizitorët.

Kryeministri Edi Rama postoi në rrjetet sociale foto të kafshëve që fëmijët dhe të rriturit mund të shohin në Tirana Zoo Park, si tigri, luani, drerët, dhelpra, kuajt apo lloje të ndryshme shpendësh.

“Tirana Zoo Park, që hap dyert sot, i rilindur si një nga hapësirat më moderne në rajon, për të njohur nga afër botën e kafshëve, por edhe si një hapësirë e re rekreative për të vegjël e të rritur”, shkruan kryeministri.

Fëmijët u njohën me mjediset e transformuara, kafshët e kopshtit, dhe klasat informative, ku mund të mësojnë gjëra të reja për natyrën. Në hapjen e Kopshtit Zoologjik, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj thanë se ky park i është kthyer qytetarëve, jo vetëm si një hapësirë argëtimi, por edhe si një mjedis edukativ.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se falë investimeve për transformimin e Parkut të Liqenit dhe të Kopshtit Zoologjik, edhe pronës së komunitetit përreth i është rritur vlera. Veliaj shtoi se komunitetit i janë shtuar edhe 80-90 vende të reja parkimi me parkingun nëntokësor të kopshtit. Nga ana tjetër, Veliaj falenderoi kryeministrin Rama për mbështetjen në realizimin projekteve.

Kryeministri Rama u shpreh se Kopshti Zoologjik është rilindur tërësisht, në një hapësirë të pakrahasueshme me çfarë ishte më parë. Ai tha se kjo është arritur falë një pune të madhe të një zinxhiri njerëzish që, pas shumë pengesash, ia dolën të transformonin sot Zoo Park Tirana.

Kopshti Zoologjik i Tiranës iu nënshtrua transformimit të plotë të tij. Nga një hapësirë e harruar, Bashkia e Tiranës e rikonceptoi atë, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty. Kopshti ofron hapësira për shërbime dhe mjedise të nevojshme për vizitorët, ambiente rekreative ku mbizotërojnë hapësirat e gjelbra, si dhe këndet e lojërave për fëmijë, por nuk mungojnë as mjediset edukative për studentët dhe nxënësit që studiojnë veçanërisht botën e kafshëve. / KultPlus.com

Veliaj: Kopshti Zoologjik hapet më 1 qershor, vijojmë transformimin me Kopshtin Botanik dhe pishinat 

Pak ditë nga hapja, një grup fëmijësh dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektuan së bashku detajet e fundit para hapjes së Kopshtit të ri Zoologjik.

Në pritje edhe të kafshëve të tjera, që do të popullojnë këtë hapësirë të transformuar, Parku Zoologjik do të jetë hapë dyert për vizitorët e vegjël më 1 qershor.

“Jam shumë i lumtur që inxhinierët dhe supervizorët e vegjël po na japin notën 10 për Kopshtin Zoologjik, të cilin do ta hapim në 1 Qershor për të gjithë fëmijët e Tiranës. Tirana do ketë shumë aktivitete këtë muaj, disa janë për të rritur, siç janë këto ndeshjet e futbollit, e disa nga festat e mëdha. Por, besoj, aktiviteti më i bukur është hapja e Kopshtit Zoologjik për 1 qershor, që është edhe festa e fëmijëve”, tha Veliaj.

Kopshti Zoologjik është rikonceptuar tërësisht, duke iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve. Veliaj nënvizoi se mjediset e reja do të shërbejnë edhe për orët e mësimit në natyrë.

“Më parë, gjithë këtë hapësirë fëmijët e kanë parë si diçka të shëmtuar, të pistë dhe shumë të ngushtë për kafshët, kurse sot po e shohin krejt të transformuar. Kopshti Zoologjik nuk do të jetë vetëm një mjedis për të parë kafshët, që kësaj here nuk janë më në kafaze të ngushta, por në hapësira shumë më të mëdha, por do jetë edhe një hapësirë për të mësuar. Pra, kemi edhe disa hapësira ku secila prej mësueseve mund ta rezervojë dhe mund ta bëjë klasën në Kopshtin Zoologjik”, tha ai.

Kryebashkiaku shtoi se dy projektet e radhës do të jenë transformimi i Kopshtit Botanik dhe kompleksit të pishinave te Diga e Liqenit.

“Pasi të mbarojmë te Kopshti Zoologjik, duam të vazhdojmë te Kopshti Botanik dhe të sigurohemi që, më në fund, të gjitha hapësirat publike të Tiranës të jenë transformuar. Ndërkohë, sapo kemi marrë në dorëzim edhe pishinat te Diga, edhe aty do të kthejmë kurset e notit, sidomos për fëmijët që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime, ose vijnë nga familje në nevojë. Për ta do të jetë bashkia ajo që u ofron një hapësirë për të mësuar not, edhe për pushimet e verës”, theksoi Veliaj.

Brenda hapësirës së Kopshtit Zoologjik janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë eksperiencën për fëmijët dhe prindërit sa më të pasur./ atsh / KultPlus.com

Jetesa e tmerrshme e kafshëve të egra në një kopsht zoologjik, luanët vdesin urie

Pamje të tmerrshme të jetesës së shtazëve janë parë në një kopsht zoologjik në Afrikë.

Kopshti zoologjik privat në Ouagadougou të Afrikës Perëndimore, është një vendbanim jashtëzakonisht mizor për shtazët që mbahen aty. Një organizatë e njohur që merret me kafshët e egra, ka inspektuar këtë kopsht dhe ka gjetur dhjetëra kafshë që jetojnë në mënyrë tejet të vështirë.

Ajo ka evidentuar kafshë që vuajnë nga uria, luanë të dobësuar e në prag të vdekjes, duke thënë se këto specie nuk janë ushqyer siç duhet.

Katër luanë, dy hipopotamë, dy derra, dhjetëra majmunë, një hienë, strucë, breshka dhe drera, janë parë të uritur për vdekje ndërsa gjendja e tyre shëndetësore raportohet se është e tmerrshme, shkruan Dailymail, transmeton KultPlus.

Në kafazin e derrave OJQ-ja njofton se kishin hasur në kafaz totalisht të mbyllur dhe kishin filluar të kalben për vdekje.

Shifrat e siguruara nga kjo OJQ tregojnë se në gjashtë vitet e fundit, në këtë kopsht zoologjik kanë ngordhur dhjetëra elefantë, luanë, tigra, gjirafa, buallica, zebra e të tjera.

Mbrojtësit e kafshëve kanë krijuar një fond për t’u ndalur në ndihmë këtyre shtazëve që po vdesin urie, ndërsa thonë se 47 shtazët e mbetura, do mundohen t’i mbajnë gjallë.

Ouagadougou, zonë në Afrikën Perëndimore është duke u përballur me krizë të madhe humanitare. / KultPlus.com