Turizëm dimëror në Korab-Koritnik, Gjana për ATSH-në: Pistat natyrore të skive rrisin numrin e vizitorëve

Dëbora që ka mbuluar parkun natyror Korab-Koritnik është ftesë e parezistueshme për të apasionuarit pas natyrës e ngjitjeve në mal.

Korabi, maja më e lartë në vend me 2764 m dhe gjithë parku natyror rreth tij janë të bukur në çdo stinë, me peizazhe madhështore ku syri të sheh që nga majat shkëmbore, lugina, përrenj të fuqishëm, deri te pllaja ku dëbora nuk shkrin deri në korrik dhe kreshta që kapin qiellin e shumë detaje piktoreske baritore.

Dimri ofron mundësi të tjera në Korab-Koritnik. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana foli sot për ATSH-në për këto mundësi të turizmit dimëror, ku kryefjala është skijimi.

“Ditët e fundit grupe turistësh vendas, por edhe të huaj të shoqëruar nga guidat lokale kanë vizituar parkun Korab-Koritnik, për të kaluar momente të paharrueshme në dëborën që ka mbuluar këtë park”, u shpreh Gjana.

Sipas tij, i gjithë parku ofron pista natyrore skijimi, ku të gjithë të apasionuarit mund të kalojnë kohën dhe të argëtohen me këtë sport dimëror.

“Zona gjithashtu të ofron edhe mundësi të tjera të ecjes në natyrë, ku bardhësia e borës i ka dhënë zonës këto ditë të ftohta janari pamje mahnitëse”, shtoi ai.

Ky park vitin e kaluar ka shënuar rritje të vizitorëve.

“Nga janari, deri në dhjetor të 2024 parku u vizitua 42 105 turistë, nga të cilët 23 332 vendas dhe 18 773 të huaj”, tha Gjana.

Sipas tij, ndër vendet më të preferuara vijojnë të mbeten Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu Brekijë-Tërshenë-Shkalla e Keqe.

Jo vetëm mali i Korabit, por i gjithë vargmali e bëjnë parkun një nga më të bukurit në Shqipëri me pamje mahnitëse ku vijat e peizazhit ngjiten dhe zbresin duke vizatuar konturet e një pamjeje të rrallë./atsh/ KultPlus.com

56 mijë turistë vizituan parkun natyror Korab-Koritnik në vitin 2023

Parku natyror Korab-Koritnik gjithnjë e më shumë po vizitohet nga turistët vendas e të huaj.

I cilësuar si një nga zonat më të bukura që ka rajoni i Kukësit dhe veriu i Shqipërisë, ky park shtrihet në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit dhe në të mund të gjesh gjithë bukurinë natyrore dhe peizazhet e mrekullueshme.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në dhjetor të 2023 parku u vizitua 56 501 turistë, nga të cilët 24 526 vendas dhe 36 825 të huaj”.

“Viti 2023 ka shënuar një rritje të vizitorëve në këtë park në të gjitha stinët e vitit. Më të preferuarit vijojnë të mbeten Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe”.

Gjana u shpreh se “një punë e mirë është bërë gjatë viteve të fundit edhe për shenjimin e  shtigjeve për orientimin e turistëve të shumtë që vizitojnë këtë park”.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com

Parku natyror Korab-Koritnik, rreth 40 mijë turistë në janar-shtator

Turistët vendas e të huaj edhe gjatë këtij viti kanë preferuar të ngjiten në parkun natyror Korab-Koritnik.

Ky park, i shtrirë në një lartësi mbi 1300 metra mbi nivelin e detit vijon të vizitohet në çdo stinë të vitit.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana, tha sot për ATSH-në se “nga muaji janar deri në shtator ky park është vizituar nga 39 735 turistë, nga të cilët 18810 vendas dhe 20925 të huaj”.

Sipas tij, destinacionet më të preferuara janë Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu “Brekijë-Tërshenë-Shkalla e keqe”.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal kvizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve të mbuluara me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë./atsh/KultPlus.com

Bjeshka e Hinoskës, ndër destinacionet turistike më tërheqëse në Korab

Bjeshka e Hinoskës, e pozicionuar rrëzë malit të Velivarit me lartësi 2369m është një nga destinacionet turistike më tërheqëse dhe të aksesueshme në Parkun Natyror “Korab – Koritnik”.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura solli pamje nga kjo bjeshkë në këtë stinë, duke përcjellë dhe informacion mbi shtigjet e shënjuara.

Shtegu turistik që kalon në fshatin Melan, në fshatin Ilnicë dhe në bjeshkën e Hinoskës ofron një larmi të peizazhive natyrore nga ku mund të shijohen edhe pamjet mahnitëse të luginës së Drinit të Zi, të maleve të Lurës dhe vargmalit të Korabit në njërën anë, dhe të luginës së Radikës dhe maleve të parkut të Mavrovës në anën tjetër.

Biodiversiteti i larmishëm, burimet ujore, kullotat alpine dhe qetësia shpirtërore që të përcjell ky vend e bën atë një nga destinacionet më të preferuara gjatë stinës së verës dhe jo vetëm./ atsh / KultPlus.com