Hrair Sarkissian, Atdhe Mulla e Korab Krasniqi me Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës

Edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë, FOTOIST, i cili mbahet në Prishtinë, sjell në fokus debatet rreth çështjes së të pagjeturve nëpërmjet tre ekspozitave fotografike. Këto ekspozita paraqesin punët e Hrair Sarkissian, artist i njohur ndërkombëtar, Atdhe Mulla, fotograf i shquar kosovar, dhe Korab Krasniqi, hulumtues ne forumZFD programin ne Kosovë, dhe u kushtohen Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve të Detyruara, duke shërbyer si një thirrje për empati, ndërgjegjësim dhe përkujtim.

Ekspozita hapet më 30 gusht 2024, në ora 17:00, në katin e pestë të Hotel Grand.

“Trilogji Vizuale për të Pagjeturit e Luftës” organizohet në bashkëpunim ndërmjet FOTOIST, forumZFD programi në Kosovë, Barabar, Integra dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur./ KultPlus.com

Ekspozita e Bebëzat e Mallit hedh dritë mbi “fëmijërinë e vjedhur”

Uranik Emini

Të “rrëmbesh” fëmijërinë e dikujt është një krim kundër vetë thelbit të njerëzimit, një tragjedi e pashpjegueshme që lë plagë jo vetëm në trupin e dikujt, por në shpirtin kolektiv të një kombi. Zhurmat, tragjeditë dhe krimet e tmerrshme të luftës së viteve 1998-99 kumbojnë ende nëpër tokat e Kosovës, derisa ekspozita “Bebëzat e Mallit” shfaqet si një kujtim prekës i fëmijërisë së vjedhur, jetëve të zhdukura me forcë dhe gjurmëve të pashlyeshme të mbetura në shpirtrat e familjarëve të kapluar në mërzi të përjetshme, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë e fuqishme, që vjen nga kërkimet dhe fotografitë e Korab Krasniqit, shërben si një testament për qëndrueshmërinë dhe kujtesën kolektive të një populli që refuzon të heqë dorë nga e kaluara e tij.

E ndarë në 12 pjesë që shfaqin secila një të kaluar dhe dhimbje, vizitorët e pranishëm në objektin e Rilindjes, rrëmbehen në “dhimbjen” që mbushë tërë këtë vend.  Objektivi i Krasniqit shfaq jo vetëm fytyrat e këtyre fëmijëve por edhe historitë e patreguara që fshihen pas syve të tyre.

Në një tokë ku shumë janë ende të humbur e të pa gjetur, “Bebëzat e Mallit” vepron si një urë lidhëse mes të tashmes dhe të shkuarës, mes të gjallëve dhe të zhdukurve, duke dëshmuar se një fotografi e vetme ka fuqinë të ringjallë njëqind kujtime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e filloi fjalimin e tij në këtë ekspozitë me vargje të poetit të ndjerë Xhevdet Bajraj, për thellësinë e humbjes, mallit e mungesës.

“Në qorrsokakun e përgjakshëm
Ku e vranë foshnjën e sapolindur
Dhe babanë e saj
U desh të kalojnë 20 vjet
Për t’ia gjetur mbetjet mortore e për t’ia dhënë nënës së vet

Ajo sapo i mori eshtrat në dorë,
I afroi tek gjiri i saj.
Më paska pritur a?
Se nuk qenka rritur fare tha
E buzëqeshi
Mu para se të hapej toka
E ta përpinte.”

Ngjarje të këtilla, sipas Kurtit, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë.

“Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre”, njoftoi i pari i ekzekutivitetit.

“Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj, e kemi obligim për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë, që kurrë të mos i harrojmë”, theksoi Kryeministri.

Autori i ekspozitës, Korab Krasniqi, tha se 24 vjet pas luftës plagët për fëmijët e vrarë dhe të pagjetur mbesin ende të hapura gjersa fëmijët e mbijetuar vazhdojnë të jetojnë mes pasojave të luftës.

Ai tha se me këtë projekt është bërë përpjekje të dokumentohet kompleksiteti i përvojave të fëmijëve në luftë duke ua kthyer atyre të drejtën e fjalës, me qenë se për fëmijët flasin më shumë të rriturit.

“Përmes shkrirjes delikate kuratoriale, ekspozita ofron hapësirën ku dhimbja i delegohet publikës dhe përpiqet të nderojë kujtesën për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur në luftë, për të mësuar nga historitë e tyre dhe për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin shkatërrues të luftës tek anëtarët më të cenueshëm dhe të pafajshëm të shoqërisë tonë”, tha Krasniqi.

Ministrja Haxhiu, nga ana e saj, tha se tragjedia e vrasjes së fëmijëve gjatë luftës në Kosovë përveç plagë e shpirtit kombëtar është shenjë dalluese që regjimi i Serbisë ka bërë gjatë shekullit të kaluar, veçanërisht vitet e fundit.

Ajo tutje shtoi se për fëmijët e vrarë dhe të masakruar ende nuk është dënuar askush dhe Serbia vazhdon t’i mohojë krimet e kryera ndërsa kriminelët po vazhdojnë të strehohen në Serbi.

Për familjet e të zhdukurve këto fotografi janë një rrugë shpëtimi – një mënyrë për t’u mbajtur pas të shkuarës, për të kujtuar buzëqeshjet, të qeshurat dhe ëndrrat e fëmijëve që nuk patën kurrë mundësinë të rriteshin.

E mbijetuara e masakrës gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht deputete e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, tha për KultPlus se institucionalisht nuk është punuar mjaftueshëm sa i përket çështjes së të pagjeturve dhe fëmijëve të vrarë në luftë.

“Mendoj që si institucione jo, nuk është bërë mjaftueshëm. Për shkak që dokumentimi është proces i gjatë dhe duhet të jetë shumë i detajueshëm. Është bërë diçka, një pjesë, po jo mjaftueshëm dhe shpresoj tash që me themelimin e Institutit për Hetimin e Krimeve gjatë luftës në Kosovë që kjo do të intensifikohet dhe do ta kemi institucionalisht një databazë të të dhënave rreth tregimeve dhe përjetimeve, sidomos të shqiptarëve gjatë luftës”, thotë ajo.

Bogujevci, megjithatë, thotë se në aspektin e ekspozitimit dhe dokumentimit në formë të këtij lloji, sikurse ekspozita, është punuar dhe po punohet në vazhdimësi.

“Mendoj që gjithherë e kemi pasë një komunitet të pavarur të artistëve në vendin tonë. Dhe në vazhdimësi kemi punuar në këtë drejtim, qoftë edhe përmes filmit, domethanë janë punuar tregime të luftës, kemi ekspozita, e përjetime të tjera”, tha ajo për KultPlus.

Ajo tregon se edhe ata si familje kanë treguar historinë e tyre përmes artit.

“Ne si familje përmes artit kemi tregu historinë tonë. E kemi pasë ekspozitën këtu në Kosovë, në Tiranë e në Beograd, ku e tregon historinë tonë dhe në njëfarë mënyre kemi dashtë që përmes kësaj na me tregu edhe në historinë e familjarëve të tjerë dhe natyrisht domethënë që duhet të të vazhdojë tutje. E mira është që tani janë ndërmarrë disa hapa përbrenda institucioneve tona që të institucionalizohet domethanë edhe kjo pjesë”, shprehet ajo.

Në vazhdim, Bogujevci përmend edhe proceset që janë duke i bërë me Ministrinë e Kulturës, që përfshijnë në aspektin e trashëgimisë kulturore, duke marrë shembull zonjën Ferdonije Qerkezi e cila e ka shndërru shtëpinë e vet në një muze domethënë për ta ruajt pjesën e historisë së familjes së saj.

“Domethënë duhet t’i kemi hapësira të tilla, nëse institucionalizohen edhe mbeten pjesë muzeale, po natyrisht kemi nevojë edhe për krijime të reja në këtë drejtim, por s’domethënë që dy gjana nuk mund me me vazhdu paralelisht me ndodhë, ku siç e thashë i kemi pjesën e artistëve të pavarur në vendin tonë në mënyrë të jashtëzakonshëm, ku paralelisht funksionojnë me pjesën e institucionit dhe domethënë kjo e bën dokumentimin siç duhet”, përfundon ajo.

Ekspozita “Bebëzat e Mallit” zë fill në hulumtimin e jashtëzakonshëm emipirik, të botuar nga forumZFD si libër me titullin “Fëmijëri të Rrëmbyera”. Hulumtimi ndërtohet nga intervista dhe fotografi të dymbëdhjetë familjeve, dhjetë prej të cilave kanë humbur një apo më shumë fëmijë gjatë luftës së vitit 1999, ose menjëherë pas, në rrethana që ndërlidhen me luftën.

Dy nga rrëfimet janë të dy fëmijëve që e kanë humbur njërin prind në luftë, ndërsa nga dymbëdhjetë rrëfimet, dy prej tyre janë të familjeve të komunitetit serb dhe dy të atij rom. Disa nga këta individë akoma të pagjetur.

Një fjalë rasti mbajti edhe kuratorja e ekspozitës, Vesa Sahatçiu. Ajo tha se është e rëndësishme të krijohen hapësira të kujtesës kolektive që rrëfimet sikurse të ekspozitës “Bebëzat e mallit” të kenë zë.

“Janë këto rrëfime qe formësojnë të kaluar tonë dhe dukshmëria tyre garanton që  të mos ta harrojmë të kaluarën tonë”- tha ajo.

Kjo ekspozitë e fuqishme na tregon që të mos harrojmë se çdo fotografi përfaqëson një jetë që dikur ka qenë—një jetë e mbushur me ëndrra, shpresa dhe pafajësinë e pastër të fëmijërisë. /KultPlus.com

‘Fëmijëri të rrëmbyera’ – vuajtjet e vazhdueshme të shoqëruara me vullnetin për të mos u dorëzuar kurrë

Uranik Emini

“Se nuk dua tjetër, vetëm ta marr vesh të vërtetën. Kjo do të ishte drejtësia më e madhe për mua. Vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër! Spse ai fëmijë nuk ka ditur asgjë, nuk i ka bërë keq askujt, as ai, as unë, e as burri”.

23 vjet pas luftës, në mungesë të përgjigjeve, familjarëve u mbetet barra e pyetjeve dhe pikëllimit edhe në varret e të pagjeturve. Besimi i palëkundur se një ditë do të mësojnë për fatin e djalit, të prindit, vajzës, i mban ata të ngushëlluar. E pikërisht, familjet e të zhdukurve kanë nevojë për përgjigje; ndalimi i kërkimit nuk është një opsion dhe nevojat e tyre rëndohen me kalimin e kohës, shkruan KultPlus.

Më 30 gusht në ambientet e Kino ARMATËS, është promovuar edhe libri “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”. “Fëmijëri të rrëmbyera” është libër i rrëfyer nga 10 prindër e familjarë të fëmijëve të vrarë apo të zhdukur në luftë, dhe nga 2 fëmijë të rritur pa prindër si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.

Ngjarja u hap me shfaqjen e intervenimit audio-muzikor dedikuar të pagjeturve nga lufta të titulluar ‘The Vanished’ (prodhuar nga forumZFD programi në Kosovë) – me regji të Lum Çitaku, kompozim dhe performim nga Liburn Jupolli, me përcjellje të Arta Jashari në Soprano dhe Edita Pozhegu në recital të poezisë ‘The Vanished’ nga Hans Magnus Enzenberger.

Drejtor ekzekutiv i Qendrës Burimore të Personave të Zhdukur, Bajram Qerkini, përgëzoi gjithë ekipin për punën e madhe që kanë bërë në këtë libër.

“Asnjë pasuri, asnjë dashuri, asnjë sen në këtë botë nuk ka që e gëzon prindin më shumë se fëmija. Nuk ka kush që mundet t’ia jep hakun njerëzor, edukativ, këtij libri, kur shkruhen për më shumë se 1600 persona të pagjetur. Unë i thërras të gjithë njerëzit që të lëshohen një minutë dhe ta shohin se si është t’ia marrin fëmijun nënës prej prehërit, e për ta zbuluar këtë gjë, ju ftoj ta lexoni librin. Ky libër nuk do të vdesë kurrë”, ka thënë Qerkini.

Libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera’ është realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.

Ndërkaq, Nehari Sharri, si Drejtor i forumZFD programi në Kosovë, uroi mirëseardhje për të gjithë të pjesëmarrësit në këtë promovim dhe falënderoi gjithë familjarët që ndihmuan në realizimin e këtij libri.

“1024 fëmijë janë vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndërsa 109 prej tyre janë rrëmbyer ose janë të zhdukur. Për gjithë këtë numër, janë mbajtur vetëm tri gjykime për krime ndaj fëmijeve, përtej vrasjeve. Përkundër numrit të madh, fëmijët karakterizohen si viktima pasive dhe rrallë herë kanë qenë të inkuadruar në procese që lidhen me të kaluarën. Në këtë libër përfshihen 12 rrëfime, ku jemi munduar që të kontriboujmë në diskutime kolektive për përfshirjen e këtyre rrëfimeve”, thotë ai.

Ndërkaq, në një panel të përbërë nga hulumtuesja në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtësisë restorative, aktiviste dhe feministe, Nora Ahmetaj, bashkë me Dr. Mimoza Shahini, specialiste e psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, dhe ligjëruese ne kolegjin AAB dhe Universitetin e Prishtinës; dhe Korab Krasniqi, forumZFD programi ne Kosovë, diskutuan nën moderimin e Dr. Linda Gusia, Sociologe dhe Profesoreshe ne Universitetin e Prishtinës, se sa e nevojshme është dokumentimi i këtyre vuajtjeve të vazhdueshme, duke thirrur në kërkim të drejtësisë, gjë e cila mungon që 23 vite.

Dhimbja nuk ndalet kurrë dhe shpresa i jep rrugë dëshpërimit kur ne jemi në errësirë, duke mos ditur vendndodhjen e të dashurve tanë. Megjithatë, familjet e prekura nuk dorëzohen pa marrë parasysh sa ju kushton dhe kjo dëshmohet më së miri në librin “Fëmijëri të rrëmbyera”. /KultPlus.com

“The future we want”, projekti rajonal në Strugë që po fokuson të rinjtë dhe sfidat e tyre në shoqëri

Era Berisha

Pjesëmarrësit në projektin rajonal “E ardhmja që duam” në të cilin ‘forumZFD’ punon me organizata vendore dhe të rinj në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë, nëpërmjet aktiviteteve të përbashkëta, identifikojnë rreziqet dhe pasojat e mundshme nga ndarjet gjeografike, sociale dhe kulturore midis komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Ballkanin Perëndimor, me ç’rast ata mësojnë se si të njohin dhe kapërcejnë stereoptipet dhe paragjykimet, duke marrë kështu një pasqyrë të qartë mbi komunikim jo të dhunshëm, aktivizimin e paqes si dhe nxitjen e identitetit qytetar, shkruan KultPlus.

Për këtë vit, përgatitja dhe planifikimi i projektit ka filluar në fillim të vitit 2022. Vetë kampi veror po zhvillohet nga data 11 – 17 qershor. Zbatimi i koncepteve të veprimeve lokale paqësore që zhvillohen do të bëhet një kohë gjatë verës dhe vjeshtës.

Përgjegjësja për këtë projekt që po mbahet në Strugë, Ann Kathrin Ebinger, në një prononcim për KultPlus ka bërë të ditur se këtë vit po organizohet kampi veror në Strugë (Maqedonia e Veriut), me trajnerë vendas të cilët kanë përvojë dhe aplikojnë metoda të ndryshme si: “Teatri i të Shtypurve”, “Kafeneja Botërore”, “Hartat e Konflikteve” dhe shumë të tjera. Po ashtu, ata do të aplikojnë edhe mjete të ndryshme aktivizimi si: video, fotografi dhe ‘podcast-ing’, e njëkohësisht do të vijnë me një koncept për të trajtuar sfidat e përbashkëta brenda komunave të tyre për të organizuar veprime pasuese të paqes pas kampit.

Ideja e këtij projekti është zhvilluar për herë të parë në vitin 2018 për shkak të sfidës që shumë të rinj në Ballkan e përjetojnë në shoqëri të fragmentuara dhe në komunitete të ndara etnikisht dhe të cilët janë të ekspozuar ndaj narrativeve historike nacionaliste dhe të njëanshme.

“Ideja e projektit ishte të bashkonte të rinjtë nga komuna të ndryshme (jashtë kryeqyteteve) për të ofruar mundësi për shkëmbime ndërkufitare dhe ndërkulturore, miqësi dhe për të mbështetur rolin e tyre si aktivistë të paqes për t’u bërë aktivë në komunitetet e tyre. Ky është viti i katërt i projektit dhe gjatë viteve janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, ku janë përfshirë të rinj të të gjitha moshave, të shumë etnive dhe me prejardhje të ndryshme sociale. Nëpërmjet aktiviteteve rajonale dhe kombëtare, u zhvilluan dhe u zbatuan një sërë veprimesh të njerëzve vendas në vendet pjesëmarrëse”, thotë Ebinger.

Sipas saj, menaxherët e projektit të zyrave të “forumZFD” në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Maqedoninë e Veriut së bashku me organizatat e tyre partnere lokale në fushën e ‘Aktivizmit për Paqe Rinore’ po punojnë së bashku për të zhvilluar një projekt nga i cili do të përfitonin të rinjtë në komunën e tyre që tashmë janë aktivë për organizatat e tyre lokale ose të cilët dëshirojnë të bëhen aktivë në të ardhmen.

“Së bashku me trajnerë dhe mentorë me përvojë lokale, ne zhvillojmë një program dhe një sërë aktivitetesh që mund të zbatohen në nivel rajonal, kombëtar dhe lokal brenda çdo komuniteti”, shpalos Ebinger.

Ndërkaq, për sa i përket lokacionit të përzgjedhur ajo për KultPlus tregon se Struga është ideale për një kamp veror.

“Struga është një qytet multietnik me mikpritje të madhe të njerëzve. Afërsia me liqenin që mund të shijohet në pushimet ndërmjet sesioneve si dhe bukuria e qytetit, janë ato që na shtynë të zgjedhim këtë vend”, thotë ajo.

Tutje ajo tregon se ata po përpiqen që të organizojnë aktivitete në vendet e programit. Meqenëse ajo e konsideron tepër sfiduese organizimin e aktiviteteve në Kosovë dhe Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të çështjeve të vizave, ata kanë zgjedhur Strugën pasi edhe partneri i tyre lokal nga Maqedonia e Veriut është nga aty.

“Ne e shohim domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit të të rinjve nga Ballkani Perëndimor për të mësuar rreth stereotipeve, thyerjen e barrierave dhe mbështetjen e tyre për t’u aktivizuar në komunitetet e tyre. Është e rëndësishme të krijohet një hapësirë ​​e sigurt ku mund të fillojë dhe rritet bashkëpunimi mes të rinjve në fushën e aktivizimit dhe ndërtimit të paqes. Nëpërmjet këtyre aktiviteteve ne mund të ndërtojmë besim midis grupeve të ndryshme, duke kuptuar një pranim.”

Krejt në fund, Ebinger thotë se ajo po shpreson që projekti do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

“Shpresojmë që të vazhdojmë me projektin edhe në vitet e ardhshme. Pjesëmarrësit nga projektet e viteve të mëparshme tani kanë filluar të bëhen vetë lehtësues dhe ne mund të kontribuojmë nga njohuritë e tyre në projektet dhe aktivitetet tona”, përfundon ajo.

Më poshtë gjeni disa citate nga pjesëmarrësit e këtij projekti:

Sandro (20), Srebrenicë, Bosnje dhe Hercegovinë:

Vendosa të shkoj në kamp vetëm për të takuar një kulturë të re, njerëz dhe për të udhëtuar, çdo gjë që ndodh dhe vjen me të është perfekte, madje edhe gjërat e këqija, sepse ne mund të mësojmë prej tyre.

Ne jemi të gjithë të ndryshëm, ngjashmëritë ekzistojnë vetëm për të mbajtur dallimet së bashku. Ne duhet t’i gjejmë këto ngjashmëri, qoftë edhe sipërfaqësore, për të rënë dakord për diçka dhe për të kapërcyer konfliktet.

Kryesisht duke ndarë përvojën time me miqtë duke i ftuar ata të pranojnë një ftesë për ngjarje të tilla, nëse u jepet mundësia, mund të jetë një gjë e vogël kur e shikojmë në këtë mënyrë, por duhet vetëm një shkëndijë për të ndezur një zjarr të madh. Po ashtu unë po shpall një ekspozitë artistike të fotografive të mia me tekst që mund të nxisë reflektimin mbi ndryshimet që nevojiten, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor.

Jeton (17), Gjakovë, Kosovë:

Fillimisht ky kamp javor ishte shumë i dobishëm për ne si të rinj nga Bosnja, Kosova, Maqedonia. Dua të theksoj edhe trajnerët që kanë dhënë shembuj të tejkalimit të stereotipeve dhe paragjykimeve tek ne si të rinj në Ballkanin Perëndimor. Si të rinj të Ballkanit ne kemi mundësinë të bashkëpunojmë në projekte dhe programe të ndryshme në të ardhmen, si rrjedhojë ky bashkëpunim do të ketë një fuqi ndikuese në përmirësimin e aftësive të të rinjve në trajnimin dhe zhvillimin personal dhe ndërpersonal. Të rinjtë këta që janë në rrjetëzimin e grupeve shoqërore, pa dallim etnie, feje apo kombësie.

Nadica (17), Strugë, Maqedonia e Veriut:

Unë gjithmonë i bashkohem aktiviteteve multikulturore aktiviste që mund të ndihmojnë në përmirësimin e barazisë, kështu që kur dëgjova për këtë kamp nga OJQ-ja jonë lokale AKVA, aplikova menjëherë pa hezitim dhe nuk jam penduar fare.

Mësimi kryesor është rëndësia e ndërtimit të paqes dhe krijimit të një mjedisi të shëndetshëm për njerëzit e botës.

Për sa kohë që jam gjallë, idetë e mia janë të punoj drejt barazisë dhe një shoqërie më të mirë për të gjithë. Unë patjetër do të përdor gjithçka që kam mësuar këto dy ditët e fundit dhe do ta zbatoj në mjedisin e shkollës dhe klubit tonë. Hap pas hapi, pa lënë askënd pas.

Rreth ‘forumZFD’

‘forumZFD’ është pjesë e konsorciumit të organizatave gjermane nën ombrellën e ‘Shërbimit të Paqes Civile’ dhe është aktive në transformimin e konflikteve në njëmbëdhjetë vende në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore.

Konsulentët lokalë dhe ndërkombëtarë të paqes së bashku me organizatat partnere punojnë drejt vizionit të ndërtimit të paqes përmes sinergjive të qytetarëve, institucioneve dhe shoqërive aktive, të përgjegjshme, duke i trajtuar konfliktet në mënyrë konstruktive dhe pa përdorimin e dhunës.

Në Ballkanin Perëndimor, organizata ka zyra në Sarajevë (Bosnje dhe Hercegovinë); Beograd (Serbi); Prishtinë (Kosovë) dhe Shkup (Maqedoni e Veriut). / KultPlus.com