Skenari i Korab Lecaj, fitues në kategorinë e debutantëve nga QKK

Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur skenarin e Korab Lecaj si fitues në kategorinë e debutantëve, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Lecaj, i cili njoftoi se edhe protagonistë të tjerë janë bashkuar me të.

“Skenari im për film të metrazhit të gjatë, “Shtëpia e
babës” është shpallur fitues në Qendren Kinematografike të Kosovès, në kategorinë e debutantëve” shkroi Lecaj në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Ekipit të këtij projekti tashmë i janë bashkangjitur Enis Limani, Valon Bujupi si producent i filmit dhe Latif Hasoi si drejtor i fotografisë. /KultPlus.com

Korab Lecaj fiton çmimin “Arritje e jashtëzakonshme në regji” në New York

Edicioni i 9-të i “International Filmmaker Festival of New York” shënoj një sukses të radhës për kinematografinë shqiptare. Regjisori i filmit “Klithma” është shpërblyer me çmimin special “Outstanding Achievement in Directing” apo “Arritje e jashtëzakonshme në regji”, shkruan KultPlus.

Regjisori i filmit, Korab Lecaj padyshim që ndjehet i lumtur për këtë të arritur në skenën ndërkombëtare të filmit.

“Çmimi special për arritje të jashtëzakonshme në regji, ka domethënie të veçantë sepse është hera e parë që shpërblehem me një çmim për regjinë që kam bërë në filmin “Klithma”, ka thënë Lecaj për KultPlus.

Për filmin i cili ka temë pasojat psikologjike të dy burrave shqiptarë të dhunuar seksualisht nga paramilitarët serb gjatë luftës në Kosovë, Lecaj vlerëson se kishte ndikim të madh te opinioni ndërkombëtar.

“Kjo temë e pati tronditur vitin e kaluar publikun në Norvegji, ku edhe patëm fituar çmimin “Best Short Film”, në West Nordic International Film Festival. Poashtu edhe publikun Indian, boshnjak e tash edhe publikun amerikan”, thotë regjisori Lecaj.

Përderisa filmi pritet të shfaqet nëpër festivale të ndryshme botërore, Korab Lecaj këtë e sheh edhe si mundësi që të njihet realiteti historik i Kosovës.

“Sa më shumë që shfaqet filmi, aq më shumë bota do ta kuptojë të vërtetën që ka ndodh në luftën e Kosovës”, thekson regjisori.

Ky film është shpërblyer edhe në festivalet: Best Short Film – West Nordic International Film Festival (Norvegji), Best Editing – 7th Indian Cine Film Festival (Indi), Best Screenplay – Festivali i filmit “Hyjnesha në Fron” (Kosovë) dhe Best Cinematography – Asociacioni i Kinematografëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. / Medina Pasoma/ KultPlus.com

Filmi “Klithma” i Korab Lecajt, fiton çmimin kryesor në Norvegji

Filmi “Klithma” i Korab Lecajt, fiton çmimin kryesor në Norvegji “Klithma” është shpërblyer me çmimin “Best Short Film” në West Nordic International Film Festival në Alesund të Norvegjisë, shkruan KultPlus.com

Filmi “Klithma” në regji të Korab Lecaj ka fituar çmimin kryesor “BEST SHORT FILM” ne edicionin e 7-të të West Nordic International Film Festival i cili mbahet tradicionalisht në Alesund të Norvegjisë.

Filmi “Klithma” është përzgjedhur si më i miri nga juria ndërkombëtare e përbërë nga: -Stefan Uhrik, skenarist/dramaturg nga Çekia -Pal Kristian Lindseth, kritik i filmit/gazetar i radios nga Norvegjia -Anne Kjersti Bjorn, regjisore nga Norvegjia Për regjisorin Korab Lecaj, ky çmim ka një domethënie të madhe.

“Për vet faktin se filmi ynë ka qenë në garë me 30 filma nga e githë bota dhe është përzgjedhur si më i miri nga një juri ndërkombëtare, emra të njohur në kinematografisë evropine, kjo e bën edhe me të rëndësishëm çmimin kryesor për filmin “Klithma””. Lecaj thotë se mbi të gjitha rëndësi të madhe ka shfaqja e temës së filmit përpara publikut norvegjez, i cili flet për dhunimin seksual të meshkujve shqiptar gjatē luftës së fundit nga paramilitarët serb. “Kam pasur rast te bisedoj me publikun norvegjez, pas shfaqjes se filmit.

Ata janê trondit nga tema, nga rrëfimi. Madje thonin se është hera e parë që dëgjojnë se në Kosovē përveç grave, serbët kanë dhunuar edhe meshkuj”, ka deklaruar regjisori Lecaj. Edhe për aktorin që luan rolin kryesor në film, njëherësh ko-skenaristin e filmit, Hazir Haziri, ky çmim i jep një dimension tjetër sukseseve të filmit “Klithma”. “Të fitosh çmimin kryesor ne një garë me filma të shpërblyer nëpër festivale të ndryshme, kjo do të thotë se filmi ynë është në nivelin e filmave që vijnë nga vende me kinematografi të zhvikuar”, ka thënë aktori Haziri.

E anëtarja e jurisë, regjisorja norvegjeze Anne Kjersti Bjorn ka deklaruar se: “Kam qenë me fat të jam anëtare e jurisë një festival ku ka fituar një film shumë i rëndësishëm nga Kosova “Klithma” ku na jep një mesazh tronditës se në luftëra nuk vetëm gra të dhunuara. Përdhunimi është një armë efektive pasi që ua vjedh viktimave krenarinë dhe njerëzimin e tyre”, ka deklaruar anëtarja e jurisë Anne Kjersti Bjorn.

“Klithma” ka qenë në garë me 30 filma nga SHBA-tê, Norvegjia, Franca, Gjermania, Zelanda e Re, Kanada, Italia, Turqia, Austria, Irani, Gjermania, Izraeli, Kolumbia, Suedia, Spanja, Rumania etj. Festivali West Nordic International Film Festival është mbajtur nga 24-26 tetor në kinemanë Lovenvold në Alesund të Norvegjisë.

‘Klithma’ nis xhirimet (FOTO)

‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt, ka nis sot xhirimet, shkruan KultPlus.

Ky film i metrazhit të shkurtër do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për nisjen e xhirimeve nëpërmjet rrjetit social Facebook, ka njoftuar vetë regjisori Lecaj.

“Dita e pare e xhirimeve te filmit “Klithma”, prodhim i shtepise filmike “Land Film”, me producent Besar Zahitin, i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosoves. Ekipit te filmit tim, ju them, ju dua. Na shkoft mbare deri ne fund!
#day1 #Klithma #shooting”, ka shkruar Lecaj.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Hazir Haziri, Arjola Demiri, Arbnesha Grabovci-Nixha, Alban Zogaj, Kaltrina Zeneli dhe Rajmona Ahmetaj. Filmi pritet të përfundoj në nëntor të këtij viti./ KultPlus.com

Përmes ‘Klithma’ vjen rrëfimi i dhunimit të meshkujve gjatë luftës në Kosovë

Sarandë Selimi

‘Klithma’ me skenar të Korab Lecaj e Hazir Hazirit e regji të Korab Lecajt është ndër projektet që është mbështetur së fundmi nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kësisoj ky film i metrazhit të shkurtër tashmë ka dhënë sinjalet e para për nisjen e xhirimeve që do të bëhen gjatë muajit tetor.

‘Klithma’ do të trajtoj temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të pasluftës, e cila nuk është trajtuar deri më sot në një film. Përmes ‘Klithmës’ vjen dhunimi seksual i meshkujve shqiptarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një rrëfim për KultPlus, regjisori i ‘Klithma’, Korab Lecaj, shpalosi detaje interesante për këtë projekt që rezulton i pari me këtë temë shumë të ndjeshme. Lecaj, foli për rrëfimin e filmit, aktorët, xhirimet, premierën e poashtu foli edhe për të veçantën e ekipit të filmit.

“Për përrallën e filmit mund të them shumë shkurt. Filmi “Klithma”, trajton temën më të ndjeshme të shoqërisë kosovare të paluftës, që është, dhunimi seksual i meshkujve shqiptar, gjatë luftës në Kosovë. Kush janë personazhet? Si e mbajnë të fshehur dhe kur ata e bëjnë publike plagën e tyre fizike dhe shpirtërore, kjo mbetet të shihet në film. Mbi të gjitha mund të them se, filmi është i inspiruar nga ngjarje të vërteta”, nisi kështu rrëfimin për KultPlus, Korab Lecaj, i cili vazhdoi tutje të flasë për kastën e aktorëve duke shpalosur edhe personazhet e ‘Klithma’.

“Në film janë gjashtë personazhe: dy role kryesore, burri dhe gruaja, të cilët do të interpretohen nga Hazir Haziri dhe Arjola Demiri, dy role dytësore gruaja e komshinjve që do të interpretohet nga Arbnesha Grabovci – Nixha dhe roli i Ramadanit që do të interpretohet nga aktori Alban Zogaj, poashtu edhe dy role episodike, gruaja e Ramadanit që do të interpretohet nga Kaltrina Zeneli si dhe gruaja e komshinjve të Ramadanit që do të interpretohet nga Rajmonda Ahmetaj. Do të ketë të angazhuar edhe disa etatistë”, pohoi Lecaj, duke thënë që xhirimet do të realizohen gjatë muajit tetor dhe do të zgjasin shtatë ditë.

Ndërkohë, regjisori Lecaj, tregoi për veçantin që do të ketë ky projekt. Ai për KultPlus, tregoi se në fillim të tetorit në Prishtinë nga Bosnja do të vjen drejtori i fotografisë, së bashku me ekipin e tij, Almir Xhikoli. “Almiri është njëri prej drejtorëve në të mirë të fotografisë nga Bosnja, i cili ka xhiruar dhjetëra filma të gjatë artistikë me regjisorë të njohur. Pra, ne kemi nderin pjesë të ekipit të filmit “Klithma”, ta kemi këtë artist”, theksoi ai.

Korab Lecaj si ko-skenarist dhe regjisor i këtij projekti, tha se për të personalisht është sfidë goxha e madhe, së pari tema e filmit që sipas tij është shumë e ndjeshme, pastaj barra artistike që e ka karshi kësaj teme. “Sfidues për mua e bën këtë projekt edhe fakti se ky është filmi i parë që e realizoj me para të taksapaguesve, që do të thotë projekt i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, tha tutje Lecaj.

Krejt në fund, Korab Lecaj shpalosi edhe muajin se kur pritet të dalë me premierë ky film.

“Filmi “Klithma”, në fund të nëntorit 2017 do të jetë i gatshëm, fillimisht për festivale ndërkombëtare të filmit, sepse synimi i ynë si ekip është që premierë botërore filmin ta japim në ndonjë festival të kategorisë A. Se si do të rrjedh ky proces, prite të shihet. Sigurisht për ne festivalet ndërkombëtarë janë të rëndësishme jo vetëm për faktin artistik, por edhe për temën e filmit, sepse synim yni është t’i tregojmë botës se çfarë kanë bërë serbët kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1999”, përfundoi Lecaj.

Ky film është prodhim i shtëpisë ‘Land Film’s’, ndërsa producent i tij është Besar Zahiti./ KultPlus.com