Del në qarkullim libri ‘200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri’

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve me seli në Shkup (ITSH), sapo e ka hedhur në qarkullim një edicion të veçantë të tij: librin me titull: “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”, me autor profesorin e kompozicionit, Korab Shaqiri.

Përmbledhja “200 këngë nga opusi muzikor i kantautorit Ilir Shaqiri”, shpalos një dimension pak të njohur të artistit të madh, Ilir Shaqiri, i cili me krijimtarinë e vet shënjon epokën çerekshekullore të mbijetesës dhe të luftës së popullit shqiptar të Kosovës për liri kombëtare e njerëzore.

Brenda volumit prej më shumë se 700 faqesh, autori, Korab Shaqiri, ka përmbledhur këngët më të njohura të Ilir Shaqirit, me qëllim që t’i standardizojë me “gjuhën” e muzikës së shkruar, duke i prezantuar në mënyrë komparative si tekste letrare dhe si partiturë (muzikë e shkruar).

Këngët që përfshihen në këtë volum kapin një periudhë kohore që prej viteve ‘80-të – kohë kur Ilir Shaqiri i kishte realizuar ato me orkestër foklorike, e deri në ditët tona, kur disa këngët e tij janë realizuar edhe me orkestër simfonike.

Sipas redaktorit muzikor të këtij botimi, Valton Beqiri, vlera e kësaj përmbledhjeje letrare e muzikore, përkon jo vetëm me Ilir Shaqirin si artist individual, por edhe me një pjesë të rëndësishme të historisë më të re muzikore shqiptare.

Autori i këtij botimi të veçantë, Korab Shaqiri, ka studiuar në Akademinë e Arteve në Tiranë (në klasën e profesorit Haig Zaharian). Pas mbarimit të studimeve themelore i ka vazhduar studimet pasuniversitare (në klasën e profesori Aleksandër Peçi). Më 2019 ka mbrojtur me sukses Disertacionin e Doktoraturës para një kolegji profesorësh të Universitetit Shtetëror të Shkupit, duke fituar gradën shkencore “Doktor i kompozicionit”. Tani është mësimdhënës në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe vazhdon të jetë aktiv në skenën muzikore, si autor dhe kompozitor. /KultPlus.com