Salla e re multimediale në Korçë, e para e këtij lloji në rajon

Salla multimediale e Korçës është infrastruktura më e re digjitale, e para e këtij lloji në rajon, që sjell një eksperiencë unike e ku gërshetohen teknologjia dhe arti.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së qytetit Sotiraq Filo vizitoi sot sallën e re multimediale, pjesë e  Qendrës së Inovacionit në Korçë, së bashku edhe me një grup të rinjsh artdashës, frekuentues të rregullt të qendrës, të pasionuar gjithashtu pas teknologjisë dhe inovacionit.

“Kjo është salla multimediale e Korçës. Është bërë e mundur falë një mbështetje me investim nga Ministria e Sipërmarrjes me Grantin e Inovacionit, falë të cilës u bë e mundur investimi në infrastrukturë, në pajisje. Ndërkohë që, jemi duke punuar me projekte të ndryshme për të trajnuar edhe një grup të rinjsh të cilët do të punojnë në këtë gërshetimin ndërmjet teknologjisë edhe artit, sidomos në pjesën e videove dhe të multimedias. Kjo është ekspozita e parë që po organizojmë, që iu kushtohet motrave Zengo, piktoret e para femra shqiptare”, shpjegoi kryetari i bashkisë Filo.

Ndërkohë që një prej të rinjve të angazhuar në realizimin e këtij projekti, Arbri, tregoi se perspektiva është për ta bërë sallën funksionale edhe për shumë aktivitete të tjera, ku arti ndërthuret me teknologjinë.

“Është eksperienca e parë e këtij lloji në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që nëpërmjet iniciativës së Europe House dhe bashkisë së Korçës ne kemi mundësi të punojmë në një sallë të tillë, që për hir të së vërtetës është e para ndoshta në rajon. Gjëja më e mirë është që kjo sallë të jetë funksionale, të jetë një muze virtual digjital si në gjithë botën, që ka çmime biletash, ka vizitorë, punësohen të rinjtë, mëson të rinjtë në artet e reja dhe teknologji digjitale dhe për më tepër shpresojmë të bëjmë dhe shumë punë të tjera, ekspozita të tjera. Ne mendojmë që këtu të aplikojmë shumë arte të reja, duke filluar nga artet e reja gjenerative dhe inteligjenca artificiale”, u shpreh ai.

Nga ana e tij, kryeministri Rama u interesua për detaje të projektit dhe vlerësoi punën e bërë për realizimin e plotë të tij, duke inkurajuar risi të tjera në të ardhmen./atsh/KultPlus.com

Java e Evropës, workshop për digjitalizimin dhe artin në Korçë

Në Korçë do të zhvillohet nesër workshopi i digjitalizimit dhe artit, në kuadër të Javës së Evropës 2023.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cili bëri thirrje për pjesëmarrje, ku informon se, në këtë workshop do të paraqitet projeksioni i hartës së pikturave Zengo, të frymëzuara nga femrat e para artiste piktore shqiptare.

Të rinjtë do të mësojnë rreth historisë së artit dhe digjitalizimit nga profesorë ekspertë në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Dita do të përfundojë me Konkursin e Shkollës së Thurjes për fëmijë, ku artizanët vendas do t’u mësojnë aftësitë bazë të veshjeve të thurura.

Fituesi do të marrë certifikatën “Thurësi/ja e Vitit”./atsh/KultPlus.com

Studioja daneze e arkitekturës CEBRA, fituese e projektit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë

Studioja daneze e arkitekturës CEBRA u shpall sot fituese e projektit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë.

Në finalen e garës ndërkombëtare për projektin e stadiumit “Skënderbeu” prezantuan projektet e tyre arkitektonike 3 studio të mëdha ndërkombëtare: ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë).

Pas shpalljes së studios fituese, përfaqësuesi i CEBRA-s u shpreh se “jemi të privilegjuar të zhvillojmë më tej Korçën, që është një qytet i jashtëzakonshëm”.

Falë këtij projekti, stadiumi “Skënderbeu” dhe Pallati i Sportit në Korçë, do të shndërrohen së shpejti në qendra të reja për qytetin, ku jeta sportive do të marrë hov dhe do të zhvillohet përgjatë gjithë ditës dhe vitit.

Stadiumi “Skënderbeu” do të transformohet në një kompleks sportiv me shërbime të ndryshme, duke ndjekur modelin e suksesshëm dhe shumëfunksional të Stadiumit “Air Albania” në kryeqytet.

Kjo falë iniciatës së qeverisë për rikonceptimin dhe rizhvillimin e komplekseve sportive dhe të stadiumeve të futbollit në qytetet Durrës, Korçë dhe Vlorë, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

Në muajin shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit/ Atelier Albania hapën thirrjen për pjesëmarrje në Konkursin Ndërkombëtar për projektide, ku në finale u përzgjodhën 3 kompanitë finaliste./atsh/KultPlus.com

Nga Italia dhe Kosova, qindra zogj ekspozohen në festivalin e mbajtur në Korçë

700 zogj u ekspozuan në Korçë gjatë edicionit të 4-të në festivalin e zogjve.

Këngët e tyre por edhe ngjyrat e bukura e tipare te tjera që i bëjnë aq të veçantë thyen heshtjen e sallës dhe tërhoqën jo pak vëmendje.

Një pjesë e konsiderueshme e tyre të sjellë nga Italia, të tjerë nga Kosova dhe Shqipëria por edhe kanarinat e Korçës u vendosën tek qyteza e fëmijëve me synimin për të rritur ndërgjegjësimin sidomos tek fëmijët për kujdesin dhe dashurinë ndaj zogjve.

Korça nuk është një zgjedhje dhe aq rastësore e organizatores së këtij festivali, pasi qyteti ndër vite ka qenë i njohur për kanarinat dhe mbajtjen e tyre në shtëpi madje aq e kultivuar ka qenë kjo traditë sa një lloj kanarine njihet si kanarinat e Korçës.

Pasioni për zogjtë është i veçantë dhe po i tillë është edhe kujdesi e përkushtimi që u nevojitet.

Pas ekspozimit dy ditor në Korçë juria ka vlerësuar edhe fituesit sipas kategorive ndërsa në ditën e tretë festivali është hapur për publikun. / KultPlus.com

Spiridon Ilo, shqiptari që kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani.

Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./ KultPlus.com

‘Në Korçë ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë’

“Nder të gjitha qytetet e Shqipnís – mbas mendimit tem – Korça âsht ajo kû frymzimi i qytenís okcidentale paraqitet mâ haptas e jo krejt si nji bimë ekzotike.

Në Korçë ké fort pak rrugaca (impas) e rrugat, edhè në mos kjoshin gjithkund të drejta e të shtrueme, janë të krahazueshme me ndërtesa, shêji qi mbrendë nuk zotnon aq fort mosbesimi ndërmjet bashkëqytetasve, prà shêji që aty ka qytetní; pse qytetnija, së pari, bazohet n’socjabilitet të qytetasve.

Mbasandej në Korçë gjen edhè sod asish që interesohen për të mirë të pergjithtë, kush tue ngrefë me mjete të veta nji shkollë, a nji kishë, a ndonji smuetore, a ndoj bibliotekë qytetse etj.

Kà edhè shumë asish që kanë krye msime të nalta jashta Shqipnijet, posë se kà shumë asì tjerësh që për punë kanë kërkue botën mbarë e s’kanë ndêjë mshilë në vend të vet si zogu i pulës në gzhojë të voes.

E mbasandaj: e po kû shef njeti në Shqipní arët e livadhet pa shtigje e gardhiqe, përpos se ndër rrethina të Korçës? Kjo âsht – mos tjetër – përshtypja që mue m’ká bâ qyteti i Korçës”.

Gjergj Fishta, Nji udhëtim në Turkí të ré, në “Hylli i Dritës”, 1931-1932.

Dom Lazër Shantoja për Korçën:

“Korça ishte qytet! Tekembramja nji qytet në Shqipnì! Shetitore të gjana, rruga e rrugica të drejta, shtëpija të bukura si vila, pomendore e lulishta.

Nji pastërti të pakundshoqen në tanë Shqipnìn. Tepsì. Ajri i kulluet të prehte hundët dhe të freskonte mushknijtë.

Më dukej se ishem në nji qytet t’Engadinës. Malet përreth cikalue me borë më kujtojshin pikturat e Segantinit. U enthuzjazmova për Korçë. Aty bâna edhe nji zbulim t’interesantshëm. Shkova nji ditë me pamun Motrat Stigmatine. Më përsillte nji çupkë korçare.

Më pyet: “A i keni motra?” “Jo, – i përgjegji, – nuk i kam motra, por kështu i quejmë na.” Më pyet prapë çupa e vogël, çiçeronka e ime: “Po prej nga jeni ju?” I përgjigjem: “Prej Shkodre!” E ajo me serjozitetin mâ të madh: “Eh! Prandaj nuk dini me folë shqip…!” Si mos me qeshë? Lotët me duelën prej gazit.

Kam bâmun disa vizita në Korçë. Ndër shtëpija kristjane e myslimane. Kam kaluemun aty disa orë të paharrueshme. Pritje e përzemërt, e qeshun, bisedime t’interesantshme, atmosferë elegance e qytetnimi.

Djelm të rì qi kanë frekuentue universitete, zonjusha qi kanë krye konservatoriume të flasin mbi çashtjet mâ djegse të ditës, mbi problemet mâ t’interesantshme të jetës. Me nji zonjushë korçare nuk ke frikë se bân nji gaffe me folun, bje fjala, mbi kromatizmin e Debussy-it apo mbi librin e fundit të Daniel Rops-it.

Janë “à la page”. Korça m’âsht pëlqye tepër.
Kam dalun prej Korçe tue bluemun nëpër mend lamshin e nji përralle të Hoffmann-it. Ai shkruen për nji shpirt qi rrinte ndryemun në nji vjolinë.

Korçë, vjolinë e bukur e Jugës, cili âsht shpirti i yt…?
Tiranë-Korçë, në ‘Tomori”, 29 mars 1941. / KultPlus.com

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë së shpejti një destinacion turistik

Mësonjëtorja e parë shqipe është një arsye më shumë për të vizituar Korçën.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije punët që çojnë përpara, ku një prej tyre është dhe Muzeu i Arsimit. “Pas restaurimit të plotë do të përfundojë muzealizimi i Muzeut të Arsimit, Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë. Një arsye më shumë për të vizituar Korçën!”, shprehet ministrja e Kulturës, në një status të saj për muzeun.

Mësonjëtorja e Korçës u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”.

Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane.

Mësonjëtorja përbëri një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet, u mbyll në vitin 1902 për t`u riçelur në vitin 1908.

U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, familja Qiriazi, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë, që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit dhe e librit shqip, abetareve të gjuhës shqipe si dhe alfabeteve të përdorura në kohë të ndryshme, deri në alfabetin që kemi sot vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908.

Ndërtesa e muzeut ka dhe mjedise ekspozimi. Në shtator të 2019 u bë me dije se kishte nisur puna për restaurimin e godinës së Mësonjtores së parë shqipe. / KultPlus.com

Korça e Shqipërisë, vendi ku për herë të parë u hap fabrika e Trikotrazhit

Në fillim të shtatorit 1925, për herë të parë në Shqipëri, u hap në Korçë një Fabrikë Trikotazhi. Kjo sipërmarrje u realizua nga Ali Alizoti ardhur nga Greqia me familjen edhe ortaku i tij Nazima Ypi, shkruan KultPlus.

Për blerjen e makinerive shkoi në Gjermani Nazima Ypi, i cili ishte specializuar në këtë vend në fushën e tekstileve të trikotuara. Makineritë e para te ardhura ishin manuale, ato u zëvendësuan më pas edhe me makineri elektrike. Kapitali për këtë investim u sigurua nga shitja e pronave të Ali Alizotit dhe Nazima Ypit të ndodhura në Veria dhe Kozhan (Kozan) të Greqisë.

Hapja e fabrikës së parë të Trikotazhit në Korçë

Fillimisht ndërtesa ku fabrika filloi veprimtarinë ishte para shtëpisë së z, Memeda Shtylla dhe më vonë në ndërtesën e z. Sabri Qyteza. Në vijim sipërmarrja kaloi prapa hotel Palas, në dyqanet e Vasillaq Moskës (në bulevard), me pas në rr. Naim Frashëri Nr. 21 dhe më në fund në Tiranë në bllokun e dyqaneve (të cilat dotë bëheshin një kompleks dyqanesh shtetërore). Vlen për tu përmendur se një nga drejtueset teknike te kësaj fabrike ishte Sofika Xoxe (e shoqja e Koci Xoxes), me profesionalizmin e saj ajo përgatiti mjaft punonjëse te reja si dhe vete vajzat e Ali Alizotit te cilat punonin se bashku me punëtoret.

Ali D.Alizoti me një nga ëellezerit Juma ne dyqanin  e Tiranes

Teknologet që nevojiteshin për funksionimin e fabrikës ishin zonjat e zonjushet e ardhura nga Greqia madam, Gjylatër zonja Dikrani, zonjushat Agavni, Siranush (bija e madam Gjylaterit, modeliste) etj. Zonjat në fjalë ishin me origjinë nga krahina e prodhimit të sixhadeve të Armenisë. Duhet theksuar se zonja Gjylater ngriti linjën e sixhadeve persiane në Shqipëri.

Kjo linjë nuk pati jetëgjatësi, u prodhuan dy sixhade të kontureve të mëdha. Kështu u përgatit një halli me përmasa 5 m x 3,5 m, dizenjo e së cilës përmbante: fushën e blertë anash me lule dhe në pjesën qendrore ishte Mbreti Zog mbi një kalë të bardhë (sipas një pikture të artistit Spiro Xega) e cila u vendos ne pallatin mbretëror. Kjo sixhade, mjaft e goditur artistikisht dhe profesionalisht, u zhduk  kur pallati mbretëror u grabit me hyrjen e Italisë Fashiste në Shqipëri. Ndërsa sixhadenë e dytë, Alizoti ia shiti Ambasadës Jugosllave në vitin 1948.

Rreth viteve 30, po në Korçë, Nazima Ypi krijoi edhe një fabrikë tjetër trikotazhi me Fadil Garon dhe Ismail Kapshticën, meqenëse linja e sixhadeve nuk e pati suksesin e pritur. Ndërkohë Madam Gjylatëri, u caktua mësuese në “Shkollën Qytetëse të Vajzave” në Korçë. Këtu ajo përgatiti dhjetra kuadro, të cilat punuan më pas si specialiste në punishten e sixhadeve të Korçës që drejtohej nga Garo Avakian, pinjoll nga familjet ermene te sjella për fabrikën e trikotazheve.

Foto nga jashtë fabrikës se pare te Trikotazhit ne Korçe

Fabrika kishte ngritur një dyqan shitje në Tiranë në kompleksin tregtar “Vllazën Juma” në Rr. 28 Nëntori (që u dogj gjatë luftës së Tiranës Nëntor 1944) dhe një tjetër dyqan luksoz në Vlorë që administrohej nga Ahmet Nurja. Në bazë të një dekreti të posaçëm, të nxjerrë në vitin 1947 nga presidenti i R.P. të Shqipërisë, pa asnjë shpërblim fabrika u shtetëzua. Ishte pikërisht kjo fabrikë që do të përgatiste plejadën e qindra punëtoreve të specializuara për të punuar në trikotazh dhe në saje të kësaj tradite kjo industri funksionoi deri vonë./ KultPlus.com

Licenca e fabrikës se Trikota’zhit

Spiridon Ilo, shqiptari që kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar

Më 30 Shtator të vitit 1876, u lind në Korçë, muzikanti e atdhetari i njohur shqiptar, Spiridon Ilo. Mërgoi që herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas punës së përditshme, ndoqi dhe studimet e larta për muzikë.

Ai ishte shqiptari i parë, që ngriti një firmë për ndërtimin e pllakave të gramafonit dhe regjistroi shumë këngë patriotike dhe popullore shqiptare. Në vitin 1913 u largua nga Shqipëria dhe u kthye në Rumani.

Në vitin 1916 emigroi në New York, të Amerikës ku hapi një kafene të vogël. Spiridon Ilo themeloi shoqërinë e parë diskografike me këngë shqip, në vitin 1923. Nën drejtimin e tij, diskografia luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kulturës shqiptare në vitet 1920-1940.

Ilo kreu regjistrimin e parë të himnit kombëtar të Shqipërisë. Në këtë regjistrim, me numër regjistrimi E-3948, himni u këndua nga Spiridon Ilo dhe tenori arbëresh, Gjuzeppe Mauro.

Në vitet `20 botoi e shpërndau kartolina me temë patriotike. Ka botuar komedinë “Vërtet ëndërr” si dhe përmbledhjen me këngë patriotike “Dëshirat e zemrës”.

Mbas disa vjetësh u rikthye në Rumani dhe në vitin 1926 u vendos përfundimisht në Korçë. Më 1 prill të vitit 1945 iu akordua pension si Patriot i Rilindjes Kombëtare. Kallëpet e pllakave të gramafonit Spiridon Ilo i solli në Shqipëri dhe më 1946 ia dhuroi Komitetit Ekzekutiv. Vdiq në Korçë në vitin 1950./ KultPlus.com