Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke në Korçë

“Vox Baroque”, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke, vjen mbrëmjen e sotme për artdashësit korçarë.

Në edicionin e tij të 6-të, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke do të stacionohet te Hani i Pazarit në Korçë, sonte në orën 20:00, duke ofruar tingujt e muzikës së vjetër baroke.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri.

Ky festival synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit antik rigorozisht të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe inciativave alternative promovuese të atyre artifakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare./m.m/ /a.g/Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Kur Themistokli Gërmenji 102 vite më parë, ngriti flamurin kombëtar në Korçë

Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë, më 28 nëntor 1912, Korçën e gjeti të pushtuar nga ushtritë turke të komanduara nga Xhevat Pasha. Në këto kushte, atdhetarët korçarë nuk e ngritën dot flamurin kombëtar në qytetin e tyre siç vepruan qytetet e tjera shqiptare si: Elbasani, që e ngriti flamurin kombëtar më 25 nëntor, Durrësi më 26 dhe Kavaja, Peqini, Lushnja, më 27 nëntor. Në gjendjen e krijuar në Korçë ishte e pamundur të dërgoheshin delegatë korçarë në ngjarjen e madhe të shpalljes së Pavarësisë.

Kur filloi në Vlorë Kuvendi për shpalljen e Pavarësisë, Korça, po ashtu edhe Shkodra, në pamundësi për të dërguar delegatë, u mandatuan të flisnin e të vendosnin në emër të tyre si delegatë atdhetarët korçarë që ndodheshin aty (B. Fevziu “100 vjet”). Korça u përfaqësua në këtë kuvend nga atdhetarët korçarë të deleguar nga kolonia shqiptare e Bukureshtit, që e shoqëruan Ismail Qemalin nga Triestia në Durrës pastaj në Vlorë, si dhe nga atdhetarë të tjerë korçarë që u ndodhën në Vlorë atë ditë dhe u pranuan nga kuvendi të përfaqësonin krahinën e Korçës.

Pushtimi i Korçës nga trupat greke, mbas largimit të trupave turke, në dhjetor të vitit 1912 dhe që vazhdoi pothuaj pa ndërprerje deri në nëntor 1916, nuk lejoi ngritjen e flamurit kombëtar në Korçë në përvjetorët e 28 nëntorit të viteve 1913, 1914, 1915 dhe 1916. Por edhe gjatë këtyre viteve, pati disa episode të veçanta të ngritjes së flamurit kombëtar në disa qendra të banuara të qarkut të saj. Gjatë vitit 1914, flamuri kombëtar shqiptar nuk u ngrit dot në qytetin e Korçës së pushtuar nga forcat greke, por u ngrit në disa qendra të banuara të qarkut të Korçës. Çetat patriotike të komanduara nga Sali Butka në ofensivën për çlirimin e qarkut të Korçës nga trupat greke në janar të vitit 1914, kudo që shkonin, ngrinin flamurin.

Sipas librit M. Meço, “Panariti, gjurmë në histori”, Tiranë 2007: “Në shtëpinë e Dajlan Panaritit (lagjja ‘Janqisht’), sipas porosive të Ismail Qemalit, Gani Sali Butka, bashkë me Jaken dhe Sabriun, djemtë e Dajlanit, ngritën flamurin kombëtar në janar 1914″. Në të njëjtën kohë, flamuri u ngrit në Trebickë dhe Treskë fshatra afër Panaritit.

Në datën 2 mars 1914, sipas vendimit ultimativ të Fuqive të Mëdha dhënë Greqisë, ndodhi largimi i ushtrisë greke nga Korça dhe në qytet hyri ushtria shqiptare e qeverisë së Princ Vidit prej 250 vetash, e komanduar nga Mustafa Beu, i cili shoqërohej edhe nga oficeri holandez, kapiten Gjiraldi. Menjëherë u hoq flamuri grek dhe për herë të parë në qytetin e Korçës u ngrit flamuri i një qeverie shqiptare, i cili ishte flamuri i Princ Vidit, flamur i kuq me një shqiponjë dykrenare, por shqiponja nuk ishte e ngjashme me shqiponjën e flamurit të Skënderbeut që u ngrit në Vlorë.

Prania e trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit në Qarkun e Korçës zgjati deri në datën 7 korrik 1914, kur në qytet hyri përsëri ushtria greke e mbretit Kostandin, aleate e Gjermanisë dhe Austro-Hungarisë, që ngriti menjëherë flamurin grek. Periudha e shkurtër disamujore e pranisë së trupave shqiptare të qeverisë së Princ Vidit dhe ngritjes së flamurit shqiptar në Korçë, u shoqërua me përpjekjet e peshkopit grek të Korçës, Germanosit, për të ngritur flamurin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir”. Luftime të ashpra ndodhën në qytetin e Korçës midis trupave shqiptare të qeverisë të komanduara nga holandezi, majori Shneller, si dhe “vetëdashësve” korçarë të komanduar nga Themistokli Gërmenji nga njëra anë, kundër trupave të andartëve grekë dhe grekomanëve korçarë të mashtruar nga peshkopi grek i Korçës, Germanosi, nga ana tjetër, që njihet në histori si “puçi grek” i 2 prillit.

Me ardhjen e çetave shqiptare të Kajo Babjenit dhe të atdhetarëve kolonjarë të komanduar nga Gani Sali Butka, kryengritësit u shkatërruan dhe në Korçë u ngrit përsëri flamuri i qeverisë shqiptare të Princ Vidit.

Veprimi i parë i forcave greke, kur hynë në qytetin e Korçës, në 7 korrik 1914, ishte heqja e flamurit shqiptar të Princ Vidit dhe ngritja e flamurit grek. Në mësymjen e vitit 1916, për çlirimin nga grekët të krahinës së Korçës, çetat shqiptare të komanduara nga Sali Butka, në përbërje të ushtrisë austriake, kudo që shkonin, ngrinin flamurin kombëtar shqiptar. “Qëllimi ynë është të ngremë flamurin kombëtar”, u shkruante Sali Butka banorëve të fshatrave para se t’i çlironte (S. Godo “Plaku i Butkës”). Flamuri u ngrit së pari në Panarit në 6 tetor dhe në Vithkuq, në 10 tetor 1916. Në godinën e krahinarisë së Vithkuqit u ngrit flamuri kombëtar i kuq dy pashë, me shkabën e zezë të qëndisur anash me fije ari. Gjatë pushtimit grek, flamuri ishte ruajtur si pronë e përbashkët e fshatit. Pas Vithkuqit, çetat shqiptare ngritën flamurin dhe organizuan administratën shqiptare në Lavdar dhe në Gjergjevicë, pa hasur asnjë pengesë. Duke vazhduar këtë ofensivë çlirimtare, çetat shqiptare iu drejtuan Voskopojës. Por në këtë fshat nuk ndodhi si me fshatrat Panarit, Vithkuq, Lavdar dhe Gjergjevicë. Nga informacionet që mblodhi Sali Butka, u pa që gjendja në Voskopojë ishte krejt e kundërta e Vithkuqit.

Forcat e komanduara nga Sali Butka qëndruan në rrëzë të fushës së Korçës, në vijën Vashtëmi, Melçan, Voskop, Kamenicë, Dvoran, Boboshticë. Në këtë kohë, në muajin tetor 1916 në Korçë u vendosën forcat ushtarake franceze të komanduara nga koloneli De Burnazel, i cili urdhëroi largimin e forcave greke kostandiniste dhe të funksionarëve grekë pro mbretit. Në funksion të ngjarjeve në Greqi, pas largimit të forcave pro mbretit, në Korçë erdhën autoritetet venizelliste, aleatë të francezëve dhe në Korçë u vendos prefekt zoti Argjiropull, i cili formoi menjëherë administratën civile me funksionarë grekë. Mbas pak kohe u largua koloneli De Burnazel dhe në vend të tij erdhi koloneli Dekoen.

Për interesat ushtarake franceze, me urdhër të gjeneralit Saal, komandantit të forcave aleate në Selanik, koloneli Dekoen hyri menjëherë në bisedime me komandantët e çetave shqiptare në krahinën e Korçës, për të bashkëpunuar me to me qëllim ruajtjen e qetësisë në këtë zonë. Të dy komandantët kryesorë të çetave shqiptare, Themistokli Gërmenji dhe Sali Butka, kërkuan, për këtë bashkëpunim, nga komanda franceze disa kushte, më kryesoret e të cilave ishin: Dëbimi i grekëve nga Qarku i Korçës, Vetëqeverimi shqiptar i Korçës, mbyllja e shkollave greke dhe hapja e shkollave shqipe dhe më kryesorja, ngritjen e flamurit kombëtar të Skënderbeut.

Koloneli Dekoen i pranoi të gjitha këto kushte të atdhetarëve shqiptarë dhe më datën 10 dhjetor 1916, në bazë të marrëveshjes së arritur me forcat franceze, Themistokli Gërmenji ngriti në qytetin e Korçës, për herë të parë, flamurin kombëtar shqiptar, atë flamur që ishte ngritur në Vlorë, flamurin që kishte mbajtur Skënderbeu, shkabë e zezë dykrenare në fushë të kuqe me një kordele me ngjyrat e flamurit francez. Në kuadrin e “Vetëqeverimit shqiptar”, në datën 22 dhjetor 1916, Qamil Panariti, atdhetari i shquar, shok i Themistokli Gërmenjit dhe Sali Butkës, i emëruar shef i Policisë në Bilisht, ngriti për herë të parë në këtë qytet flamurin kombëtar të Skënderbeut. Prandaj, është e pakuptueshme që në këtë qytet akoma dhe sot nuk ka asnjë shenjë që të kujtojë këtë ngjarje të veçantë dhe të rëndësishme historike, ngritjes për herë të parë të flamurit kombëtar dhe autorin e kësaj ngjarjeje, atdhetarin Qamil Panariti. Atdhetari Qamil Panariti, njëlloj si dhe bashkëluftëtari i tij Themistokli Gërmenji, u arrestua nga francezët dhe u dënua me vdekje. Ndërhyrja e patriotëve shqiptarë, që sollën avokat nga Stambolli, sidomos përpjekjet e vëllait të tij, Tefik Panariti, që ishte anëtar i Këshillit Administrativ të “Republikës Shqiptare” të Korçës, i detyroi francezët ta kthenin dënimin e tij me vdekje, në internimin e tij dhe të të tjerëve shqiptare të arrestuar në Guajanën franceze, territor francez përtej oqeanit Atlantik në kufi me Brazilin, ku Qamil Panariti u vra në vitin 1923 nga ata njerëz që i kishte luftuar tërë jetën.

Ngritja e flamurit kombëtar shqiptar në Krahinën Vetëqeveritare të Korçës, më vonë Republika Shqiptare e Korçës, vazhdoi edhe mbas abrogimit nga francezët të Protokollit të 10 dhjetorit 1916 që ndodhi në shkurt 1918. Me gjithë urdhrat e komandës franceze të Selanikut për heqjen e flamurit shqiptar nga ndërtesat qeveritare, ushtarakët francezë në Korçë, me ndjenja të theksuara pro shqiptare, e lejuan flamurin kombëtar shqiptar të ngrihej në qytet deri në vitin 1919, kur u ndalua me urdhër të prerë. Ai u ngrit në qytet për herë të tretë, për të mos u ulur më, në 26 maj 1920, në manifestimin e madh popullor që u bë në Korçë, për bashkimin e saj me qeverinë e Tiranës, të dalë nga Kongresi i Lushnjës.

Por historia e flamurit kombëtar shqiptar, që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, nuk përfundon këtu. Kur iku nga Korça koloneli Dekoen në 1917, e mori me vete flamurin kombëtar që u ngrit në Korçë në datën 10 dhjetor 1916 dhe u tha atdhetarëve korçarë, që ai do ta kthente ditën që Shqipëria do të kishte muzeun e vet. Kur në Tiranë u krijua “Muzeu Shqiptar”, drejtori i tij, Viskë Babatasi, i kërkoi me letër Dekoenit, tani gjeneral brigade, të mbante premtimin dhe të kthente flamurin. Dekoeni pranoi dhe ia dorëzoi flamurin zotit Xhemil Dino të legatës shqiptare në Paris në dhjetor 1922. Ky flamur u dorëzua në Tiranë nga miku i Shqipërisë, zoti Justin Gotard. Prania në Muzeun e Tiranës e flamurit shqiptar që u ngrit në Korçë në 10 dhjetor 1916, jep mundësinë që i njëjti flamur të vendoset tani në Korçë në ambientet e restauruara të shtëpisë ku u ngrit për herë të parë, në 10 dhjetor 1916, duke shpallur “Vetëqeverimin shqiptar” të Krahinës së Korçës, më vonë me emërtimin “Republika Shqiptare e Korçës”/ Ing.Vladimir Dino, studiues, “Panorama” . /KultPlus.com

Së shpejti nis restaurimi i Mësonjëtores së Parë Shqipe

Sot nëpërmjet një njoftimi në rrjetin social Facebook, Instituti i Monumenteve të Kulturës, ka treguar se shumë shpejt do të nis restaurimi i Mësonjëtores së Parë Shqipe, shkruan KultPlus.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit do të restaurohet godina e Mësonjëtores së Parë Shqipe, sot Muzeu Kombëtar i Arsimit.

“Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për: “Restaurimin e Mësonjëtores së parë shqipe”, Korçë. Projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë parashikon restaurimin e elementëve konstruktivë të objektit. Instituti i Monumenteve të Kulturës mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje, e cila kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore”, thuhet në njoftim.

Kjo ndërhyrje konstruktive vjen për të kuruar këtë godinë historike, të klasifikuar si Monument Kulture të Shkallës së Parë./ KultPlus.com

Simpoziumi ndërkombëtar i skulpturës sjellë edicionin e 9-të në Korçë

Në Korçë nisi edicioni i 9-të i simpoziumit ndërkombëtar të skulpturës. Pesë artistë të huaj dhe një shqiptar për 10 ditë do të realizojnë krijime artistike në parkun e qytetit.

Punimet e 6 artistëve nga vendet e ndryshme të botës do t’i shtohen Galerisë Natyrore të Skulpturave në park.

Kurator i këtij aktiviteti vazhdon Genti Tavanxhi, i cili përzgjedh artistët, ndërsa skulptori korçar Vladimir Topi ndjek ecurinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë.

Kryebashkiaku Sotiraq Filo theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti në promovimin e Korçës turistike. Ai u shpreh se ,”falë këtij projekti kemi këtë muzeum të hapur, këtë koleksion të veprave moderne të skulpturës së gurit që iu është shtuar Parkut Rinia si një gjetje e veçantë”.

Skulpturat e krijuara gjatë festivalit mbeten në Korçë duke krijuar një ansambël unik në Parkun Rinia./ ata

Ina Mula sjellë 150 artistë në Festivalin Ndërkombëtar “MIK Festival” në Korçë

Inva Mula ka iniciuar Festivalin Ndërkombëtar “Mik festival “ i cili mbledhë emra të mëdhenj të muzikës e bën bashkë muzikën, historinë dhe kulturën në qytetin e Korçës, shkruan KultPlus

Ky sezon veror sjell edicionin e parë të festivalit ndërkombëtar të këngës, “Mik Festival”, që starton nga qyteti i Korçës më 25 Korrik. Drejtorja artistike, Inva Mula, ka rrëfyer më parë se ky festival do të sjellë 150 artistë, që do performojnë muzikën më të mire, të ndërthurur me historinë e kulturën e qytetit të Korçës.

Më poshtë ju sjellim agjendën e festivalit, i cili do të filloi më 25 korrik dhe do të zgjasë deri më 29 korrik në qytetin e Korçës në Shqipëri. / KultPlus.com

DesignBoom: Një teatër i ri historik në Shqipëri

Sheshi i madh trekëndor i teatrit, me përmasa të mëdha për parada nacionaliste, u bë pjesë e rindërtimit, kur në vitin 2009 , studioja arkitekturore, “BOLLES + WILSON” fitoi garën ndërkombëtare të planifikimit për projektin e qendrës historike të Korçës, në Shqipëri, shkruan revista dixhitale prestigjose për arkitekturën dhe kulturën e dizajnit “DesignBoom”.

Aksi kryesor i planit të zbatimit që pothuajse është implementuar plotësisht, është Bulevardi “Shën Gjergji”, një qendër krejt e re për qytetin, një shëtitore për këmbësorët që të çon në sheshin e teatrit.

Aktualisht, e ankoruar si kambanorja “Red Bar in the Sky”, e krijuar nga “BOLLES+WILSON” në 2014, vë në qendër të vëmendjes sheshin e teatrit, fazën përmbyllëse të masterplanit “B + W 2009”.

Kambanorja funksionon si një kullë vëzhgimi për korçarët, që ndodhet në fund të bulevardit qendror për këmbësorët, nga ku mund të shijojnë pamjen e këndëshme të qytetit të tyre historik.

Punimi tjetër i studios arkitekturore gjermane “BOLLES + WILSON”, ishte vetë teatri, që i dha një fytyrë krejt të re (ose shumë fytyra të reja).

Kapaciteti i vendeve u rrit me krijimin e një auditori me dy nivele.

Metoda e projektimit së bashku me të gjitha projektet shqiptare të “BOLLES + WILSON”, ka përfshirë idetë e hedhura në skicë të Peter Wilson dhe të interpretuara nga një zyrë lokale e projektimit, në këtë rast studio DEA.

Një metodologji që sjellë shumë keqinterpretime në fazën e aplikimit, siç ishte rasti kur kontraktuesit u dukën shumë të menduar dhe të pashpresë ndërsa shikonin në një libër “renditjen e objekteve shqiptare me vlerë”, ku nuk pasqyrohej asnjë detaj, një problem që u zgjidh përmes një skice nga Peter Wilson, këtë herë, me raport madhësie 1:1, me detaje të vendosura në mur.

Maskat e komedive dhe tragjedive i përkasin ikonografisë së teatrit, të cilat u janë bashkuar 140 maskave më të vogla, audienca është punuar me dorë në ngjyrë kafe në të kuqe të errët , nga poçari i vendit, Vasillaq Kolevica.

Maska ​​e personalizuara rreth 80 cm secila, zë sipërfaqen e një këmbë katror në rrjetin koordinativ të fasadës “Art Deco”( një stil arti dhe zbukurimi që përdor forma të thjeshta në vitet 1920 dhe 1930 në Europë dhe Amerikë).

Maska e zezë tragjike është e lakuar nga jashtë, ndërsa maska komike e bardhë është e lakuar nga brenda, parimet e ndërtimit të tyre sërish, janë skicuar me dorë.

Maska komike ndodhet në një shtesë anësore, që tani strehon një shkallë të madhe të brendshme, një shtresë kubike e punuar në basalt të zi (një lloj shkëmbi jeshil në të zi).

Perimetri i maskës karakterizohet nga një profil prej çeliku inoks, brenda të cilit është vendosur një allçi e bardhë.

Silueta e zymtë e zezë e maskës tragjike është ndërtuar nga blloqe izoluese të polistirenit.

Në kënde janë skicuar modele me raport madhësie 1:1 që janë punuar me një thikë buke e nevojshme për të përcjellë idenë tek ndërtuesit.

Sërish, sipërfaqja këtu është vënë në allçi për të ngjasuar me një maskë gjigante japoneze “jo-teatrale”./ KultPlus.com

Inva Mula premton një cikël koncertesh me muzikë franceze në Korçë

Një festival i ri parashikohet të mbahet në Korçë. Sepse Inva Mula premton një cikël koncertesh ku muzika franceze do të pushtojë pazarin e vjetër e teatrin e ri.

E ndonëse festivali është konceptuar pesë ditë, Inva do të performojë vetëm ditën e katërt.

Ministrja Kumbaro e konsideroi këtë event si simotrën e fustanellës, festivalit që mori jetë vjet në Gjirokastër duke ndërthurur historinë me muzikën e traditën.

Por ky nuk do të jetë festivali i vetëm që do të mbahet në Korçë këtë verë pasi pritet të marrë jetë edhe kokofest, një manifestim i gjithë komedive në teatrot shqiptare. / KultPlus.com

Sot 131 vjet nga hapja e Mësonjëtores së parë Shqipe në Korçë

Sot mbushen plot 131 vjet që nga dita kur në qytetin e Korçës u hap Mësonjtorja e Parë Shqipe, një ngjarje me rëndësi madhore në përpjekjet e popullit shqiptar për të krijuar shkollën e vet kombëtare.

Hapja e shkollës së parë shqipe, 7 Mars 1887 në Korçë kurorëzoi me sukses një nga detyrat kryesore të lëvizjes sonë kombëtare, atë të përhapjes së arsimit në gjuhën amtare, për të cilën dhanë kontributin e tyre edhe vëllezërit Sami e Naim Frashëri.

Shkolla kishte si detyrë që nëpërmjet përhapjes së gjuhës shqipe të ndihmonte në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në rritjen e përpjekjeve të shqiptarëve për autonomi.

Nga struktura dhe përmbajtja e mësimit “Mësonjëtorja e Parë” ishte një shkollë e përparuar. Veprimtaria e saj përshkruhej nga fryma patriotike, nga dëshira për dije dhe edukata e punës.

Tekstet e përdorura në shkollë si; abetarja e gramatika e Sami Frashërit, aritmetika e Jani Vretos, historia e Naim Frashërit etj. si vepra të rilindasve të shquar, dalloheshin për frymën e shëndoshë dhe përmbajtjen patriotike. / KultPlus.com

Robert Bisha dhe Fanfara Tirana hapin sonte festivalin e kabasë në Korçë (VIDEO)

Edicioni i dytë i Kaba 2.0 Festiv.al sjell në skenën e teatrit të Korçës kompozitorin e njohur Robert Bisha me koncertin “Ritual Moods”, një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione, si dhe grupin më të njohur shqiptar në skenat evropiane, Fanfara Tirana.

Festivali në dy net, 28 dhe 29 dhjetor sipas organizatorëve vjen si një qasje e re përkundrejt disa prej perlave muzikore shqiptare. Robert Bisha kompozitori i njohur shqiptar, multiinstrumentisti i talentuar prezanton sot në Teatrin e Korçës kompozimet e tij të reja. Pas një rrugëtimi të gjatë me koncerte në vende të ndryshme të Europës, kësaj here ndalesa është në Korçë, si një dhuratë për spektatorin shqiptar me rastin e festave.

Koncerti i Robert Bishës, i cili do të çel dhe natën e parë të edicionit të dytë, të festivalit vjen këtë herë në formatin e piano solos në një dimension intim, poetik. Meloditë e pastra, e të ngjyrosura me kërkimet harmonike dhe ritmike, ku krijimi midis improvizimit të çastit dhe strukturave të kompozuara, është protagoniste. Estro ritmike, guxim deri në brendësi, poezi gati mistike, karakterizojnë koncertin “Ritual Moods”, të Robert Bishës.

“Ritual Moods” një performancë piano solo, kitarë dhe perkusione si dhe do të shoqërohet në disa momente edhe nga Fanfara Tirana. Por siç ka pohuar dhe vetë artisti i njohur shqiptar është hera e dytë që ai vjen me një festival të tillë me kompozimet e tij.

“Do të luaj një koncert me piano solo me kompozimet e mia. Është hera e dytë që e bëjë në një festival të tillë dhe hera e fundit ishte periudhë vjeshte”, shprehet pianisti Robert Bisha. Ai gjithmonë e ka dashur origjinën e tij dhe folklorin dhe ka treguar se më shumë është në linjën e folkut.

“Janë kompozime që shkojnë nga ngjyrat e muzikës xhaz ngjyrat e muzikës bashkëkohore, klasike evropiane. Unë jam shumë në linjën folk dhe në linjë e improvizimit të kompozimit bashkohorë evropian”, ka treguar ai.

Për organizatorët Kaba 2.0 Festival.al është një aktivitet që guxon.

“Një rrugëtim në kohë dhe hapësirë mes ndjenjash dhe tingujsh, harrese dhe nostalgjisë, erotikës dhe eposit të kreativitetit folklorik. Në një kohë kur ky kreativitet i të shkuarës është shprehja më e bukur estetiko-muzikore e këtij populli, Kaba 2.0 Festiv.al guxon dhe në një mision muzikdashës kërkon të sjellë kërkimin, eksperimentin e “muzikës së naltë” në veshët e përçudnuem nga turbo-folku dhe të përdhosun nga e pa-bukura”, bëjnë me dije organizatorët për festivalin që sonte starton në edicionin e dytë. Ky festival organizohet nga ReK – Remont Kapital Culture Center.

Aktiviteti muzikor

Për herë të parë në Tiranë, poli-instrumentisti Robert Bisha erdhi me projektin e tij në piano solo “Ritual Moods”, tinguj pianoje, eksperimentime mbi të, me hark a makinë rroje, interpretim në kitare, saze e def në muajin prill në Teatrin Metropol.

Robert Bisha ka lindur në Vaun e dejës (Shkodër) në vitin 1984. Kompozitor por mbi të gjitha Improvizues në piano dhe poli instrumentist, shkruan SotNews. Ka kompozuar pjesë për piano për muzikë dhome në një rrymë që tejkalon muzikën klasike dhe muzikën xhaz. Kritika e ka vlerëson si improvizues i veçantë, i pa arritshëm dhe virtuoz i pianos. Në Itali vazhdon karrierën e tij artistike.

Ka sjell, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, në Teatrin e Operës dhe të Baletit në Tiranë, një koncert për piano i tëri i improvizuar. Një mendim shumë i thellë mbi muzikën dhe mbi mënyrën e komunikimit. Larg vullnetit të interpretimit dhe të imitimit. Afër kërkimit të brendshëm po ashtu në lidhje me totalitetin.

“Muzika është kombinim tingujsh brenda shumë formave. Forma duhet eliminuar për më ardhur tek tingulli në mënyre direkte. Njeriu ka nevojë për formën vetëm kur nuk është gjithnjë në kërkim të vetvetes; kjo ndoll edhe kur format janë të shumta”, përfundon Bisha./ KultPlus.com

Kjo është marrëveshja e nënshkruar në Korçë nga ministrat e kulturës së shteteve shqiptare

Më 27 nëntor në Korçë, u mblodhën për herë të katërtë me radhë dy qeveritë shqiptare, shkruan KultPlus.

Si në mbledhjet e kaluara ashtu edhe në këto mbledhje, u nënshkruan shumë marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e ndër to edhe marrëveshje në rrafshin kulturor. Në mbledhjen e mbajtur para dy dite janë nënshkruara gjithsej 12 marrëveshje, ku në këto marrëveshje bënë pjesë edhe një e kulturës.

Ministri i Ministrisë së Kulturës në Republikën e Kosovës-Kujtim Gashi dhe ministrja e Ministrisë së Kulturës në Republikën e Shqipërisë-Mirela Kumbaro, nënshkruan memorandumin që ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit kulturor, në kuadër të forcimit të mbrojtjes ligjore të krijimtarisë kulturore, shkruan KultPlus.

KultPlus, po ju sjellë të plotë marrëveshjen të publikuar nga ministri Kujtim Gashi, në rrjetin social Facebook:

“Nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, në Korçë.
Ky Memorandum ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit kulturor, në kuadër të forcimit të mbrojtjes ligjore të krijimtarisë kulturore, duke marr parasysh rëndësinë e të drejtës së autorit, për krijimtarinë kulturore, letrare, shkencore, dhe artistike, përkatësisht rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të autorit për kulturën dhe industritë kreative, me konsideratë të veçantë për mbrojtjen e krijimtarisë së krijuesve, performuesve dhe producentëve tanë.
KG”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

Shtëpia e Flamurit në Korçë mirëpriti Qeveritë Shqiptare, këtu mund të ndiçni LIVE mbledhjen

Shtëpia e Flamurit në Korçë mirëpriti dy Qeveritë Shqiptare, shkruan KultPlus.

Para pak minutash në Korçë veç është bërë ceremoniali zyrtar i mirëseardhjes për nder të Këshillit të Ministrave të Republikës së Kosovës, ndërsa tash ka nisë sesioni plenar i Mbledhjes së dy Qeverive, në Shtëpinë e Flamurit në Korçë.

Këtu mund të shihni LIVE, gjithë sesioni të mundësuar nga ERTV:

‘Shfaqja që shkon mbrapsht’ shfaqja fituese e edicionit të katërt të Koko Fest

Festivali i Komedisë në Korçë ‘Koko Fest’, mbylli edicionin e katërt me ndarjen e çmimeve për më të mirët e këtij edicioni, shkruan KultPlus.

Kësisoj çmimi kryesor i festivalit që është shfaqja më e mirë shkoi për shfaqjen ‘Shfaqja që shkon mbrapsht’ me regji të regjisorit kosovar Agon Myftari. Kjo është shfaqje e Teatrit të Shkupit, ndërsa fitoi edhe çmimin për aktoren e re më të mirë që ishte Aida Elezi.

Ky edicion i Koko Fest, nisi me shfaqjen e Teatrit të Korçës ‘8 Femrat’, komedi kjo e cila mori dy çmime, atë të aktores më të mirë protagonist që ishte Yllka Mujo dhe aktores më të mirë jo protagoniste që shkoi për Olta Dakun.
Shfaqja ’39 Hapa’ me regji të Qëndrim Rijanit, fitoi tri çmime në këtë edicion të Koko Fest. Regjia më e mirë që shkoi për Qëndrim Rijanin, aktori më i mirë Donald Shehu dhe aktori më i mirë joprotagonist Florian Agalliu.


Teatri Eksperimental në Tiranë në Koko Fest u prezantua me shfaqjen ‘Ferma e kafshëve’ me regji të Eri Isai, ku aktori Luftar Paja u vlerësua me çmimin e karrierës.

‘I ligu për mend’ ishte shfaqja që prezantoi Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kjo shfaqje me regji të Altin Bashës, nxori fitues të çmimit aktori më i mirë protagonist Luan Jahën.

Ky edicion i Koko Fest, për shtatë ditë me radhë solli shtatë shfaqje të mrekullueshme të trojeve shqiptare, si nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia. Ky festival është bërë nga Teatri i Korçës me përkrahje të Bashkisë së Korçës dhe Qendrës së Artit e Kulturës në Korçë./ KultPlus.com