Koreografi Robert Nuha do ta përfaqësojë Kosovë në Jerusalem Solo Dance Festival në Izrael

Koreografi i njohur kosovar, Robert Nuha do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në festivalin Jerusalem Solo Dance Festival që do të mbahet në Shtetin e Izraelit, nën organizimin e koreografes se njohur izraelite me famë botërore, Miriam Engel.

“Me këtë rast do të qëndroj në rezidencën artistike në Izrael, nga data 22 gusht deri më 9 shtator, me ç’rast do ta mbyll atë përvojë me premierën botërore të densit bashkëkohor të njohur si “Mechanical”, ka shkruar Nuha në rrjetin social Facebook.

Nuha ka falënderuar Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Izrael dhe të Ngarkuarën me Punë të Republikës së Kosovës në Jerusalem, znj. Ines Demiri, ambasadat e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë Shkëlqesinë e Saj, si dhe Ambasadoren e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamar Ziv për mbështetjen.

Në qershor të këtij viti, koreografja izraelite Miriam Engel dhuroi performancën artistike “Ndal luftën” në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit të vetëm feminist në Ballkan “FemArt”, në Prishtinë. / KultPlus.com

Eksperimenti i koreografit shqiptar me “Gjurmët”

Blenard Azizaj ka vendosur në skenë projektin e radhës në Austri. “Gjurmët” është një solo dance performancë në KunstHaus Bregenz. Kjo shfaqe ishte një dialog krahas eksibicionit të Anri Sala.

Duke ndjekur në mënyrë të vendosur modus operandi të Blenard Azizaj, shfaqja eksploron ndërlidhjen midis ekspozitës së Anri Sala dhe aktit të vallëzimit. Vallëzimi është një komunikim aktor, i hapave, gjesteve, situatave, ngjarjeve, ritualeve dhe proceseve. Duke zbuluar ndikimet që veprojnë brenda një gjuhe të vallëzimit universale dhe të veçantë për kulturën, Azizaj bën një udhëtim në botën e tij, duke gjurmuar imazhe nga fëmijëria e tij të cilat ndihmuan në formimin e mirëkuptimit dhe imagjinatës së artistëve. Gjuha e vallëzimit luan një rol të rëndësishëm në transformimin kulturor të shoqërive. Këto transformime vijnë në jetë brenda dinamikës së vallëzimit. Azizaj paraqet metoda artistike që përfaqësojnë “gjurmë” thjesht përmes materialeve të tilla si trupi, drita, ngjyra, pëlhura, tingulli.

Një grua e quajtur Ariadne i dha Tezeut një fije të kuqe dhe ai shpëtoi veten nga labirintet e Minotaurit përmes kësaj fije. Një përbindësh i vuajtur mund të jetë një element për lëvizjen, si dhe traumat tona të kaluara ose kujtimet e pavetëdijshme që na drejtojnë nëpër jetë. Duke sjellë në jetë kujtimet e kaluara të vallëzimit të babait të tij, Azizaj përsërit rrugën e tij përmes fillit të kuq.

Foto realizuar nga fotografi Rudolf Sagmeister / KultPlus.com

Koreografi Jurgen Bala, pjesë e stafit të shkollës së njohur të kërcimit në New York

Jurgen Bala, koreograf dhe balerin i njohur shqiptar është bërë pjesë e Arthur Murray NYC Broadway në Nju Jork si një kërcimtar dhe instruktor profesionist.

Ai është fitues i Vendit të Parë (kategoria ritmike) dhe Vendin e Tretë (kategoria e lehtë) që u zhvilluan në Uashington në dhjetor të 2019.

“Duke shkuar nga Tirana në Nju Jork mendova se do të ishte e vështirë si fillim, por e gjeta veten në shtëpi në Artur Murray Broadway. Unë kam një respekt dhe një admirim të madh për Arthur Murray, një mënyrë e mrekullueshme për tu lidhur dhe ku balerinët aspirojnë të shprehin talentin e tyre profesionalisht. Në përgjithësi, përvojat këtu në Nju Jork dhe në SHBA në përgjithësi më kanë ndihmuar të rritem si artist, duke parë vende të reja, duke bërë miq të rinj dhe duke pasur role të ndryshme”, tha Bala për gazetën “Dielli”, transmeton KultPlus.

Karrierën e kërcimit profesional Jurgeni e nisi me balet por ai ka qenë kërcimtar me kompani danci si në SHBA dhe në Shqipëri. Jurgeni është diplomuar në Universitetin e Arteve të Bukura në Tiranë në Koreografi.

“Baleti dhe klasat e kercimit krijojnë një mjedis të sigurtë që nxit këdo të lëvizë në një mënyrë që lidhet thellësisht me zgjuarsinë e mendjes dhe trupit. Jemi të lumtur që ofrojmë pasion, mbështetje dhe disiplinë në Arthur Murray Dance Center në Nju Jork. Unë jam shumë i lumtur të ndajë pasionin tim për kërcimin me nxënësit në Arthur Murray”, vijon ai. / KultPlus.com

Pas sukseseve në botë, balerini Gentian Doda rikthehet në Shqipëri si koreograf

Balerini Gentian Doda kishte nisur rrugëtimin e tij në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të vazhduar tutje duke shkelur teatro të ndryshme të botës dhe duke rrëmbyer çmime të shumta. Ndërkaq tani ai sërish po rikthehet në vendin ku kishte nisur karrierën, kësaj radhe si koreograf, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport e Shqipërisë, Elva Margariti nëpërmjet një postimi në facebook. Ajo kujtoj kohën kur Doda ishte një balerin i ri në fillimet e tij, ndërkaq sot është “një yll i skenave botërore”.

“Gentian Doda rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit si koreograf, për të nisur një rrugë të re bashkëpunimi, me një tjetër energji, falë edhe ambienteve të rinovuara të TKOBAP”, ka shkruar Elva.

Doda pasi nisi në këtë teatër karrierën e tij, vazhdoj në Teatrin Shtetëror të Operas dhe Baletit të Azerbajxhanit, Teatro Arena di Verona, Balletto di Parma, Compañía de Victor Ullate dhe Compañia Nacional de Danza drejtuar nga Nacho Duato.

Në vitin 2011, Gentiani mori Çmimet e Parë të Koreografisë në konkurset e Kopenhagës dhe Hanoverit, si dhe Çmimin e Prodhimit Scapino. Që atëherë, ai ka krijuar premiera botërore për Institutin Koreografik të New York-ut, Scapino Ballet, Direccion Nacional de Danza Santo Domingo dhe Staatsballet Nürnberg, Gärtnerplatztheater, Teatro Massimo Palermo.

Në gusht 2014, atij iu ofrua pozicioni i Mjeshtrit të Parë të Baletit të Staatsballett Berlin, ku ai ishte në rol për katër vjet. Rikthimi i tij në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është një vlerë e madhe për kulturën shqiptare./KultPlus.com