Nën tingujt e valles instrumentale tradicionale u bë hapja e shfaqjes “Peizazh koreografik”, retrospektivë 50-vjeçare e koreografit Xhemali Berisha.
Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ku u mbajt kjo ngjarje, u vlerësua lartë kontributi i Berishës në fushën e koreografisë, duke theksuar se vlerat e kësaj trashëgimie i ka prezantuar më së miri në skenat dhe festivalet me renome ndërkombëtare.
Që nga fillimi i punës si koreograf, Xhemali Berisha, ka hulumtuar të gjitha zonat korologjike të Kosovës dhe për dhjetë vite ai ka arritur të sjell dhe të përpunojë materiale nga Opoja, Hasi, Rugova, Anadrinia, Drenica dhe Anamorava.
Ministri Çeku në fjalën e tij para të pranishmëve ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Xhemali Berisha në karrierën e tij 50-vjeçare në sferën e koreografisë, duke thënë se vallet me koreografi të tij origjinale të panumërta janë pasuri të pashlyeshme të folklorit të Kosovës.
Ndërsa koreografi Xhemali Berisha është ndier i nderuar për këtë organizim, duke thënë se artistët e Ansamblit “Shota” në të gjitha rrugëtimet e tyre në festivale ballkanike, evropiane e botërore i kanë sjell medalje Kosovës.
Ky organizim është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com