Sot shënohet 97-vjetori i lindjes së koreografit të mirënjohur dhe pedagogut Panajot Kanaçi, i cili lindi më 2 gusht 1924.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka përkujtuar këtë datë duke theksuar se, Panajot Kanaçi interpretoi një sërë rolesh kryesore, ku veçohen baletet “Shatërvani i Bahçisarajt” (1951) dhe “Esmeralda” (1953).
Kanaçi kreu studimet e larta për baletmaester në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë, e më pas ishte drejtor artistik i Teatrit të Operas dhe Baletit.
Me koreografinë e baletit të parë shqiptar “Halili e Hajria” (1963, me muzikë të Tish Daijës), Kanaçi u bë themeluesi i artit koreografik kombëtar.
Për këtë koreografi u nderua më 1964-ën me Çmimin e Republikës të Shkallës I, me motivacionin: “Për vënien në skenë të baletit të parë kombëtar “Halili e Hajria” dhe merita të shquara në fushën e koreografisë”.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar edhe foto të Vendimit të Këshillit të Ministrave që i akordon prof. Kanaçit, çmimin në fjalë. / KultPlus.com