Koreografi kosovar Robert Nuha, në Jerusalem, dhuroi premierën botërore të “Mechanical”, përcjell KultPlus.
E ngarkuara me punë në Republikën e Kosovës në Jerusalem, Ines Demiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka njoftuar se koreografi kosovar Robert Nuha mbrëmë ka dhuruar premierën botërore të vallëzimit bashkëkohor me titull “Mechanical” në “Jerusalem International Solo Dance Festival” (JISDS).
Më poshtë ua sjellim shkrimin e plotë të saj:
Me ftesë të Jerusalem International Solo Dance Festival (JISDF), nën organizimin e koreografes së njohur izraelite me famë botërore, znj. Miriam Engel, para një audience të gjerë në Jerusalem të Shtetit të Izraelit, koreografi i njohur kosovar z. Robert Nuha mbrëmë dhuroi premierën botërore të densit bashkëkohor “Mechanical”.
Në mesin e të pranishmëve në këtë ngjarje ishin edhe Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, znj. Tamar Ziv, z. Dan Oryan, bashkëatdhetarë nga Kosova që jetojnë dhe punojnë në Izraelin, e kështu me radhë.
The Jerusalem International Solo Dance Festival është një ngjarje ndërkombëtare ku shfaqen krijimet e solo densit nga artistë nga shtete të ndryshme, në një skenë teatri të hapur në “Hansen House” të Jerusalemit – njëherësh një nga vendet më të veçanta dhe mitologjike të artit dhe kulturës në zemër të qytetit. Vizioni artistik i këtij festivali nxjerr në pah artin performues të rrëfimit individual në spektrin shumëkulturor.
Në qershor të këtij viti, koreografja izraelite znj. Miriam Engel dhuroi performancën artistike “Ndal luftën” në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit të njohur feminist në Ballkan “FemArt”, në Prishtinë. / KultPlus.com