Në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës në Slloveni, Kori i Filharmonisë së Kosovës është prezantuar me një koncert në sallën “Marjan Kozina”, në Ljublanë, shkruan KultPlus.
Në këtë koncert të mbajtur përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, u interpretuan vepra nga kompozitorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, si Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole dhe Hajrullah Syla.
Përpara publikut u prezantuan gjithashtu edhe vepra nga kompozitorë ndërkombëtarë, si Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Laura Jēkabsone dhe Jake Runestad.
“Performancat e mrekullueshme nga solistët dhe Kori i Filharmonisë u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku.
Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30″, thuhet në njoftimin e MKRS./ KultPlus.com
Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë është prezantuar me koncertin përmbyllës për vitin 2024, e i cili koncert ka qenë një pararendës i atij që pas katër ditësh do të prezantohet në Ljublanë të Sllovenisë, në kuadër të javës kulturore të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.
Programi i këtij koncerti ka përmbledhur perla të Korit të Filharmonisë për të kulmuar në këtë koncert përmbyllës, si dhe për t’i prezantuar ato në vendin amë të Filharmonisë Botërore (1701), në ndërtesën ikonike të Filharmonisë së Ljublanës. Filharmonia e Ljublanës është një nga institucionet muzikore më të vjetra në Evropë, e cila ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e kulturës muzikore.
Me një renditje unike, në formë rrethore Kori i Filharmonisë filloi interpretimin e veprës së Mendi Mengjiqit- ” Music in the circle”, në sallën e cila ishte e stërmbushur me publik. Zërat e grupit të grave në njërën anë dhe të burrave në anën tjetër përputheshin në qendër të rrethit, në të cilin qëndronte edhe dirigjenti Baki Jashari.
Programi pati edhe vepra premierë. Ndër veprat të cilat u pëlqyen dhe u dalluan më shumë ishte edhe vepra “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e dirigjentit Baki Jashari, e cila çdo herë jep një emocion të jashtëzakonshëm. As vepra e Hajrullah Sylës “O Magnum Misterium” nuk bën përjashtim.
Ndërkaq, vepra e kompozitorit Rafet Rudi- “IN A” ishte e veçantë edhe në aspektin fizik të interpretimit, duke nxjerrë ndjenja të fuqishme nga koristët dhe dirigjenti Jashari në veqanti. Vepra e Laura Jekabsone- “Kuulin Äänen” erdh e ndërthurur me interpretim koral dhe vegël goditëse muzikore si një prezantim krejtësisht unik.
Veprat tjera të cilat u interpretuan ishin: Vytautas Miškinis- “Cantate Domino, Ambrož Čopi- “O solitaris Hostia”, Lorenc Antoni- “Çorapet e burrit”, Vasil S.Tole- “Çu mbush mali”, Eric Whitacre- Cloudburst, Jake Rundestad- “Nyon, nyon” dhe Këngë Polifonike Labe- “Janinës ç’i panë sytë”.
Në fund të koncertit në një prononcim për media dirigjenti Baki Jashari ka thënë që prenzatimi i Korit me koncert në Ljublanë është një rast shumë i mirë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe institucionale, e shtetërore që atje të ketë një prezantim dinjitoz.
“Kemi vendosur t’i zgjedhim perlat me të cilat prezantohet Kosova në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ne është një moment tejet i rëndësishëm, pasi përmes programit publikut slloven t’i ofrojmë informacion të bollshëm se edhe në Kosovë ka kor profesional- vokal, që kemi traditë. Programi ka qenë i konceptuar që të tregojmë nga pak të gjitha stilet që ne i zotërojmë, dhe te ata të krijojmë një përshtypje të jashtëzakonshme, ashtu si kudo që paraqitet kori, duke i thyer paragjykimet për Kosovën si vend i ri”, ka thënë Jashari me shumë emocion pasi pas 25 vitesh do të rikthehet në Slloveni, në vendin ku kishte qenë aktiv për 20 vite me radhë.
“Të prezantohet muzikë korale në Slloveni është shumë vështirë sepse në kohën kur unë kam qëndruar atje kanë qenë mbi 1.000 kore të regjistruara. Në Kosovë ne nuk i kemi dy, edhe pse nga popullsia jemi të ngjajshëm. Është shumë e vështirë që në një vend të tillë ku kanë mundësi të shumëta të dëgjojnë kore të ndryshme të krijojmë përshtypje. Andaj, jemi munduar të përzgjedhim stile të ndryshme të tregojmë se çka zotërojmë edhe ne këtu në Kosovë”, ka thënë dirigjenti.
Drigjenti Jashari në këtë koncert përmbyllës të vitit 2024 për Korin e Filarmonisë ka veçuar edhe prezantimin më të veçantë për këtë vit artistik.
“Që nga fillimi i vitit kemi pasur lëvizje në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Italinë, Romën, Greqinë. Do të veçoja fillimin e sezonit në shtator, kur Filharmonia për herë të parë në historinë e saj realizon veprën madhështore të kompozitorit Gustav Mahler “Simfonia 1” e cila ka qenë ëndërr për institucionin tonë. Kjo vepër kërkon një dyfishim të numrit të orkestrantëve, por mbi të gjitha një muzikë tejet tërheqëse por edhe jashtëzakonisht komplekse për realizim nga ana e muzicientëve. Ky do të ishte një kulminacion në aspektin tekniko-artistik të Filharmonisë së Kosovës përgjatë vitit 2024”, ka thënë dirigjenti Jashari.
Kurse, Drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se është privilegj për Filharmoninë e Kosovës që programi i këtij koncerti do të prezantohet edhe në Ljublanë, në vendin e themelimit të një institucioni të muzikantëve, siç është Filharmonia.
“Koncerti i sotëm është pararendës i një prezantimi që do të mbahet në Ljublanë të Sllovenisë. Është privilegj për Korin e Filharmonisë që të prezantohet në sallën “Marjan Kozina”, në ndërtesën e Filharmonisë së Sllovenisë. Nuk jemi prezantuar më parë në Slloveni, ndonëse dy dirigjent slloven e kanë udhëhequr këtë kor në disa raste. Është privilegj dhe nderë që të performojmë në një sallë që i takon institucionit të Filharmonisë së Sllovenisë, e cila është Filharmonia më e vjetër në botë. Ajo është evoluar në vitin 1701. Dhe për ne është nderë të përfshihemi në programin e atij institucioni”, ka thënë Drejtori Selimaj.
Ndërsa, violonçelisti Antonio Gashi i cili u prezantua me veprën e kompozitorit Hajrullah Syla “O Magnum Misterium” tha se ky bashkëpunim me korin ka qenë i këndshëm.
“Kori i Filharmonisë është i mrekullueshëm, unë gjithmonë emocionohem kur e dëgjoj sepse gjithmonë paraqitet me vepra të reja, me freski të re. Gjithmonë është kënaqësi të bashkëpunosh me korin. Për veprën e Hajrullah Sylës jam jashtëzakonisht I kënaqur që po vjen një gjeneratë e re e kompozitorëve të cilët shkruajnë këtë lloj të veprave, që për çelistin dhe për korin është një bashkëpunim shumë i këndshëm. Është një prej veprave që me shumë qejf luaj”, ka përfunduar violonçelisti Gashi.
Filharmonia e Kosovës më 21 dhjetor do ta përmbyllë vitin 2024 me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili është Gala Koncert tradicional./ KultPlus.com
Kori i Filharmonisë së Kosovës do të përmbyllë aktivitetin për vitin 2024 me koncert në Lubjanë, Slloveni.
Kjo do të jetë paraqitja e parë e Korit përpara publikut slloven. Nën drejtimin e Baki Jasharit, Kori do të interpretojë në pjesën më të madhe të koncertit vepra nga kompozitorë nga Kosova dhe Shqipëria, si: Lorenc Antoni, Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole, dhe Hajrullah Syla. Programi do të përfshijë gjithashtu krijime nga kompozitorë ndërkombëtarë, si: Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Vytautas Miškinis, Laura Jēkabsone, dhe Jake Runestad.
Koncerti do të mbahet në Sallën “Marjan Kozina” të Filharmonisë Sllovene në Lubjanë, duke filluar nga ora 19:30./KultPlus.com
Një repertor komplet premierë, ka përshkuar koncertin e mbrëmshëm të Korit të Filharmonisë së Kosovës, i cili u dha nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski, në Kishën “Shën Ndou”, koncert ky që njëherit shënoi edhe hapjen e sezonit 2024/2025, shkruan KultPlus.
Ishte e para vepra e Arvo Pärt- “Da pacem domine” që “ftoi” anëtarët e korit të futeshin në sallë, për të mbajtur koncertin me vepra të padëgjuara më parë. Renditja e pjesëtarëve të korit rreth e përqark sallës dhe audiencës përbënte një interpretim interesant akustik, që përveq një stili interpretues krijoji afërsi dhe lidhshmëri të madhe mes interpretuesve dhe publikut.
Pozicionimi i koristëve ndryshonte në një mënyrë krejt të natyrshme fluide nga vepra në vepër. Ndërsa zëri i tyre herë i ndarë në grupin e grave, e herë në të burrave, shpesh kombinohej për të dhënë maksimumin në një interpretim të përbashkët shpërthyes. Secila notë në këtë mbrëmje shpërfaqte një rrëfim, i cili përmes një kurioziteti të madh përthithej prej secilit pjesëmarrës.
Vepra “O magnum Misterium” e kompozitorit Hajrullah Syla u dha nën përcjelljen e tingujve të violonçelos, me të cilin performoi Antonio Gashi. Tingujt misterioz nga ky interpretim të ftonin pa nda në thellësi të veprës. Kurse lëvizjet skenike të dirigjentit Tatarchevski paraqitnin përmbajtje artistike e cila shprehej përmes gjuhës trupore, që bartej në kor, dhe prej andej në audiencën që qëndronte përballë tyre.
Ndërsa, vepra e Benjamin Britten “A hymn to the virgin”, ndau korin në dy pjesë. Pjesa dominuese e koristëve qëndronin në sallën interpretuese, përderisa një pjesë e tyre u zhvendos në katin e dytë të sallës. Interfetimi i zërave nga lartë-poshtë dhe poshtë-lartë paraqiste një moment sublim që ndërlidhej me vetë veprës dedikuar Virgjëreshës Mari, duke krijuar një imazh të përsosur shpirtëror.
Në koncert vepra e Ralph Vaughan- Williams- “The turtle dove” u dha si bashkëinterpretim me baritonin Safet Berisha, ndërsa vepra e Vlastimir Nikolovski- “Svrshuvachka” u soll si bashkëinterpretim nga sopranoja Kaltina Miftari dhe tenori Rizah Jahaj. Kurse vepra e Lorenc Antonit- “Çorapet e burrit” u dha për nderë të 115- vjetorit të lindjes së kompozitorit.
Veprat tjera që u dhanë në këtë mbrëmje ishin të kompozitorëve: Alfred Schnittke- “Three Sacred Hymns”, Manolo Da Rold- “Vi Adoro”, Ola Gjeilo- “Prelude” dhe Henryk Górecki- “Amen”.
Dirigjenti Sasho Tatarchevski u shpreh i lumtur që pati rast të bashkëpunojë me Korin e Filharmonisë së Kosovës, duke besuar që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.
“Jam shumë i lumtur që e realizuam këtë koncert me njerëz profesional të korit. Me disa prej tyre jam takuar, dhe për disa kam dëgjuar në koncerte dhe ansamble. E kam dëgjuar Korin e Filharmonisë, e di që janë zëra të mahnitshëm me të cilët mund të realizohen programe serioze. Kam përzgjedhur një program që është i larmishëm por që nuk është i lehtë të këndohet. Shpresoj qe edhe audienca ta ketë pëlqyer dhe në të ardhmen të kemi mundësi që ta bashkëpunojmë në ndonjë projekt tjetër, përsëri”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski.
Në një prononcim për KultPlus, sopranoja Kaltrina Miftari e cila në koncert u paraqit me një pjesë të veçantë interpretuese përvojën në realizimin e këtij koncerti e quajti fantastike.
Për mua si soliste, bashkëpunimi me dirigjentin Sasho Tatarchevski ishte kënaqësi e veçantë, dhe atmosfera e krijuar me korin e Filharmonisë së Kosovës ishte fantastike. Performanca sot ishte një shembull i bukur se si harmonia dhe uniteti në muzikë mund të ndikojnë në emocione, si për ne si artistë, ashtu si për publikun”, është shprehur Miftari.
Ndërsa sopranoja Elikona Hysaj- Shala u shpreh entuziaste për emocionet të cilat i mori nga publiku në koncertin e natës së mbrëmshme.
“Gjatë provave kemi pasur momente shumë të mira, shumë pozitive me dirigjentin i cili është i jashtëzakonshëm. Me punën e tij ka arritur t’ia rikthej një ngjyrim ndryshe të korit. Prandaj e komplimentoj dirigjentin i cili ka bërë një punë shumë të madhe. Është një eksperiencë shumë e mirë kur të kemi dirigjent të ndryshëm sepse eksperiencat dallojnë prej njëra tjetrës dhe ne arrijmë të ndryshojmë varësisht nga kërkesat e dirigjentëve. Më vjen mirë që sezonin i re e kemi hapur me një dirigjent jo vendorë për arsye që mbrëmjes dhe kalendarit artistik të Filharmonisë së Kosovës t’ia japim këtë freski”, ka përfunduar Hysaj- Shala./ KultPlus.com
Nën drejtimin e maestro Rafet Rudit dhe me pjesëmarrjen e violinistes së njohur Sihana Badivuku, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të prezantohet sonte me koncert në Teatrin “Petro Marko”prej orës 19:00, prezantim që do të bëhet në kuadër të mbrëmjes së tretë të festivalit “MareMeum,” i cili organizohet nën drejtimin artistik të Aulon Naçit.
Ky koncert organizohet me rastin e Ditës së Shenjtërimit të Nënë Terezës./ KultPlus.com
Kori i Filharmonisë së Kosovës ka njoftuar se është në përgatitje për paraqitjen në kuadër të “MareMeumFestival” në Vlorë (Shqipëri).
Nën drejtimin mjeshtëror të dirigjentit Rafet Rudi dhe me pjesëmarrjen e violinistes së njohur Sihana Badivuku, Kori do të ngjitet në skenën e Teatrit Petro Marko.
Programi i mbrëmjes do të jetë një mozaik i pasur veprash nga kompozitorë të njohur si Ēriks Ešenvalds, Jan Sandström, Jake Runestad, Aulon Naçi, Vaso S. Tole, Lorenc Antoni dhe Rafet Rudi.
Koncerti do të mbahet me 5 shtator, në ora 19:00, teatrin e qytetit të Vlorës “Petro Marko”./ KultPlus.com
Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, organizon koncert premierë me Korin e Filharmonisë nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, shkruan KultPlus.
Koncerti do të ketë një repertor të pasur duke filluar nga baroku deri tek muzika bashkëkohore, duke përfshirë vepra nga J. M. Bach, J. Brahms, R. Harbor, F. Ticheli, E. Whitacre, M. Ostrzyga, J. Runestad, H. Syla dhe L. Biggs.
Në shënim të 65-vjetorit të vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, do të interpretohet “Bash n’zeman…”.
Koncerti mbahet më 16 maj, në ora 20:00 në Kishën Katolike “Shën Ndou”./ KultPlus.com
Gjithsej dhjetë vepra nga kompozitorë të ndryshëm kanë kaluar përtej përsosmërisë me rastin e koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës, në kuadër të edicionit të pestë të “PriVocalFest”. Ishte një repertor ku dominonte gjuha e huaj, por prej të cilit, pjesët shqiptare kanë thyer kufijtë magjik të interpretimit. Secili anëtar pjesëmarrës ka bërë që me dhuntinë e tyre të shënojnë magjishëm natën e fundit të këtij festivali, i cili tash e pesë net me radhë ka sjellë koncerte që tejkalojnë pritshmëritë e publikut, shkruan KultPlus.
Ky koncert mbrëmë ka portretizuar literaturën muzikore korale duke filluar nga veprat e kompozitorëve të njohur si: Ēriks Ešenvalds, Mendi Mengjiqi, Thomas Simaku dhe Vasil S.Tole, të cilët kanë dëshmuar për një krijimtari sa të pasur aq edhe të ndjeshme, e njashtu edhe të bukur.
Kisha katolike “Shën Ndou” ka mirëpritur një numër të lartë të të pranishmëve, që kanë zënë vendin e tyre të posaçëm, me ç’rast hapësira është mbushur nga caku në cak. Qetësia, tashmë simbolike para nisjes së çdo koncerti të Filharmonisë së Kosovës, u bë pjesë e pandashme e kësaj nate. Hijeshia, eleganca, ndjeshmëria dhe intensiteti që prekte dy caqet e veta, janë krejt ato që kanë rrethuar komplet të pranishmit.
Prezenca e vokalit hyjnor të Korit të Filharmonisë së Kosovës si çdo herë, është ekzistuese nëpër secilin koncert. Kështu ishte edhe rasti mbrëmë, ku nuk kanë munguar as edhe instrumentet diversive që ëmbëlsisht iu kanë bashkëngjitur zërit të tyre. Përfshirja e pianos nën manovrimin e Melos Buzës dhe pjesëmarrja e Zanë Abazit në flaut, ia kanë shtuar një magjepsje shtesë kësaj mbrëmjeje.
Ndërkohë, mbizotërimi i vokaleve madhështore të sopranove si Adelina Paloja, Selvije Marteti, Elona Sadiku, Shkurte Hykaj, Urta Haziraj si dhe altos Dea Hamdiu, baritonit Shaban Behramaj, manovrimi i harpës së gojës nga Patris Berisha, inkuadrimi i elementeve koreografike dhe përfshirja e gotës që lëshoi tingujt në atmosferë, i ka dhënë audiencës një gjendje ndryshe nga e zakonshmja. Lirshmëria e tyre në veprim por harmonia e tyre mes vete, e ka mbështjellë këtë natë në një mënyrë të pakrahasueshme.
Në anën tjetër, dirigjenti i njohur Ēriks Ešenvalds me ritmin e tij të pandalshëm, ka dirigjuar këndshëm secilin anëtar të korit. Veçantia e tij dallohej në mënyrat e ndërveprimit me çdo kë përpara tij. Por, fuqia dhe energjia më e madhe u dëshmua dhe u përjetua më së miri nga luajtja e tri këngëve popullore si “Moj e bukura More”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë”, të cilat kanë arritur deri një nivel që s’është prekur asnjëherë më parë.
Këto surpriza vazhdimisht po bëhen pjesë e pandashme e Korit të Filharmonisë së Kosovës, që gjithmonë dëshmon për një talent të rrallë, unik dhe të papërsëritshëm. Mënyra e tyre e interpretimit, prezenca skenike e vokali i njëzëshëm, janë vetëm disa karaktersitika që gjithmonë kanë ndikuar dhe vazhdojnë të kenë ndikim të madhërishëm në atmosferën e çdo paraqitjeje. Kjo u vërejt edhe atëherë kur duartrokitjet e tej zgjatura e të shumta, kanë zënë vend në fund të këtij koncerti.
Për të folur më shumë rreth këtij koncerti, dirigjenti Ēriks Ešenvalds është shprehur se qëndrimi në Kosovë, po i ngjason si qëndrimi në shtëpi.
“Është hera ime e parë në Kosovë dhe kam qëndruar vetëm një javë këtu. Për shkak të këtyre njerëzve të mrekullueshëm, çdo minutë këtu, unë e kam ndjerë si në shtëpinë time. Nesër e kam fluturimin tim për tek familja ime dhe fëmijët e mi, dhe do iu rikthehem studentëve të kompozimit në Akademi. Nga toka juaj në tokën time, unë do të marr këtë pasuri të mrekullueshme të folklorit, e po ashtu edhe zërat e juaj të bukur”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i “PriVocalFest” Hajrullah Syla për KultPlus ka potencuar se ky edicion ka qenë mjaft përmbushës dhe se është ndarë i kënaqur me arritjet.
“Ky koncert ishte thjesht brilant, duke nisur nga veprat, interpretimi, e deri tek drejtimi i dirigjentit fantastik. Ata e murrën publikun me vete gjatë gjithë natës, andaj qëllimi i këtij koncerti dhe ardhja e dirigjentit në këtë koncert, dëshmon se gjithçka ia ka vlejtur. Secili koncert në këtë edicion ka pasur peshë të madhe, artistë të mëdhenj që kanë sjell vlera të mëdha, andaj që sigurisht që ka qenë shumë e vështirë, por me vullnet e punën me stafin që e kemi bërë, është lehtësuar gjithçka. Mendoj që çdo koncert ka pasur publik mjaftueshëm dhe çdo herë janë ndarë të kënaqur me performancën e gjithsecilit, andaj edhe i kemi arritur prishtmëritë e tyre. Secili koncert ka qenë ndryshe me program, është trajtuar ndryshe dhe ka pasur lidhshmëri me njëra-tjetrën, andaj koncertet kanë qenë të rëndësishme njëtrajtësisht. Jam tejet i kënaqur me atë se çfarë kemi arrirë të bëjmë në këtë edicion”, ka thënë Syla.
Ai tutje ka pohuar se puna për edicionin e radhës po vazhdon. Po ashtu, ka bërë të ditur se kontaktet me artistë të mëdhenj po vazhdojnë si dhe tashmë mbetet vetëm një kohë e shkurtër që të finalizohen kontratat, marrëveshjet dhe përgatitjet për nisjen e edicionit të gjashtë.
Kryeveprat e jashtëzakonshme të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë u jetësuan mbrëmë nga talenti i shquar i Korit të Fakultetit të Arteve, Korit të Filharmonisë së Kosovës, kompozitorit Valton Beqiri, violinistit Visar Kuçi, Orkestrës Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranos Zana Abazi-Ramadani, tenorit Ismet Vejseli dhe baritonit Denik Prizreni, të cilët frymuan së bashku për të sjell një repertor sublim që përmbante tri premiera botërore si dhe tri vepra që përkujtuan kompozitorin Fahri Beqiri në një vjetorin e vdekjes së tij, me ç’rast koncerti krijoi një spektër të guximshëm të melodive dhe tingujve që mbrëmë dolën përtej Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
Ky koncert mahnitshëm portretizoi literaturën muzikore korale që në thelb përmbante disa nga veprat më të bukura shqiptare të kompozitorëve si: Fahri Beqiri, Mendi Mengjiqi, Arben Ramadani, Drinor Zymberi, Josif Minga dhe Valton Beqiri. Veprat e titulluara “Mars” nga Mendi Mengjiqi, “Të kesh mall” dhe “Vaj si qenka ba dynjaja” nga Arben Ramdani, erdhën mbrëmë si premiera botërore të cilat Kori i Filharmonisë i interpretoi në një mënyrë aq të bukur saqë publikun e futi në një gjendje të çuditur nga përsosmëria harmonizuese e tyre.
Pasi që të pranishmit tashmë kishin zënë vendet e tyre duke mbushur komplet sallën në tërësi, pasoi qetësia tashmë e njohur nga ana e publikut. Ndërsa, ishin dy podiume të gjata që po pritnin hapat e pjesëmarrësve të Korit të Fakultetit të Arteve për të mbushur skenën e cila në prapavijë po mbizotërohej nga ngjyra e zezë e perdeve të gjata. Të veshur në të zezë kokë e këmbë, Kori i Fakultetit të Arteve priti lëshimin e parë të dorës të dirigjentit Edon Ramadani për të sjell veprat e fuqishme si: “Shkoj e vij fluturim si zogu” për kor femrash ku Kori ishte i vendosur edhe në hapësirën lart në katin e dytë, “Erdh Misiti” dhe “Madrigali i Ibrit plak” për kor të përzier, të cilat sollën një interpretim ku duart e dirigjentit luhatnin në harmonizim me intensitetin e vokalit të tyre, aty ku dallohej dhe veçantia më e bukur e tyre.
Tutje ishte Kori i Filharmonisë së Kosovës ai që mrekullisht pushtoi skenën me interpretimin e veprave si: “Mars”, “Të kesh mall”, “Shkoni krushqi”, “Vaj si qenka ba dynjaja” dhe “Paska çelur moj pranvera”. Të pozicionuar në hapësirën e tyre specifike tradicionale, për të sjell gjithsej pesë vepra sa ritmike po aq edhe melankolike ku tri nga të cilat ishin premierë, vokali i tyre arriti të prekë dhe hyjnoren e tingujve e melodive. Si çdo herë, Kori dëshmoi për talentin e tyre të pakrahasueshëm e të veçantë në stilin e tyre. Ndonëse të kufizuar në një hapësirë të vogël, ishte zëri i tyre i gërshetuar ai që depërtoi lehtësisht ndërmjet të pranishmëve dhe doli përtej sallës si një hije e pandashme që portretizonte dhuntinë e tyre.
Kësaj here dukshëm vërehej dhe programi tejet i pasur i koncertit me ç’rast në skenë doli violinisti Visar Kuçi dhe pianisti Valton Beqiri për t’iu bashkangjitur Korit e për të interpretuar veprën “Udhëtim sonor” nga Valton Beqiri, vepër kjo e cila solli ndërlidhjen e rrallë dhe tejet të nevojshme për një program unik. Një piano, një violinë dhe vokali i Korit, u shndërruan në një urë lidhëse të tingujve gërshetues të cilat ngërthyen publikun në strofullën e saktësisë të qartë dhe pastërtisë të kristaltë së magjisë poseduese që dhurohej nga ata.
Pas një pushimi dhjetë minutash, në skenë po shtoheshin disa karrige të tjera në një numër të madh, për të pritur kështu edhe Orkestrën Harkore të Filharmonisë së Kosovës, sopranon Zana Abazi-Ramadani, tenorin Ismet Vejseli dhe baritonin Denik Prizreni. E pastër si loti dhe e gjatë mbi më shumë se njëzet minuta, u interpretua vepra e fundit për këtë natë “Mesha Nr.2 në G-dur, D.167” të kompozitorit të njohur, Franz Schubert. Lëvizjet ritmike të kokave dhe duarve të Orkestrës shpalosën një interpretim tejet të bukur të tyre ku me inkuadrimin e zërave po aq të bukur të sopranos, tenorit, baritonit si dhe me vokalin e njëtrajtshëm të Korit, shënuan fundin e një nate me copëza magjike të paharrueshme.
Teknika e duhur korale, harmonia e gërshetuar precize ndërmjet interpretuesve, programi unik që anonte nga meloditë shqiptare, dhënia e shpirtit të secilit anëtar të dy Koreve, instrumentistëve dhe treshes vokale që u paraqitën sonte, janë dëshmitarë të seriozitetit, punës së madhe dhe dashurisë për muzikën klasike, rrënjët e së cilës strehohen në Filharmoninë e Kosovës me të gjitha degët e saj.
Në anën tjetër, ishte vetë dirigjenti Edon Ramadani ai i cili gjatë gjithë këtij koncerti la gjurmë të paharrueshme. Përgjatë gjithsej dy orëve, vepër pas vepre, ai drejtoi kahjen e interpretimeve të njëpasnjëshme ku herë me një dorë e herë me dy, ai vazhdueshëm komandoi jo vetëm të dy Koret e paraqitura, Orkestrën, tingujt e violinës e pianos, vokalin e tre interpretuesve të Meshës por edhe vështrimin e fokusin nga të pranishmit mbrëmë. Qysh nga momenti i parë, skena ishte shndërruar në trupin e tij i dytë dhe ai arriti të fiksonte natën me artin e shenjtë të dirigjimit, mjeshtëria madhështore e së cilës u dallua në secilën vepër. Kështu, në përfundim të koncertit nuk munguan duartrokitjet dhe brohoritjet e shumta të publikut që vazhdonin pa ndalë, me ç’rast shpalosej dëshira që ky koncert të mos kishte një fund.
Për të treguar më shumë rreth këtij koncerti dhe veçantinë e tri veprave premierë, për KultPlus foli dirigjenti Edon Ramadani.
“Programi ishte tre pjesësh dhe natyrisht ishte një përgjegjësi e madhe sepse kishim tre ansamble të mëdha duke nis nga Kori i Fakultetit të Arteve të cilët i kishim mysafirë këtu sonte. Pastaj Kori i Filharmonisë e pat pjesën e parë kryesisht me ‘A cappella’ dhe në fund përfundoi me veprën e profesorit Valton Beqiri i cili ishte dhe në piano së bashku me violinistin Visar Kuçi. Kisha kënaqësinë që sonte t’i kisha tri premiera botërore dhe në pjesën e tretë interpretuam Meshën me solistët e talentuar. Por më e bukura ishte se pas shumë kohëve, salla ishte përplot e mbushur”, thotë Ramadani.
Sipas tij, tri premierat ishin shumë të bukura, shumë të ndjeshme dhe stilistikisht të ndryshme nga njëra-tjera në secilin aspekt. Andaj, për të ishte dhe një përgjegjësi më e madhe sesa përsëritjet e zakonshme ngase xhirimi i parë mbetet një dokument për interpretimet e radhës.
Po ashtu, sopranoja Zana Abazi-Ramadani për KultPlus tha se Meshat janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme për t’u interpretuar.
“Fillimisht dua të falënderoj Filharmoninë e Kosovës dhe dirigjentin Edon Ramadani që më dhanë këtë mundësi për të performuar këtë Meshë. Meshat siç dihen nuk janë edhe aq të lehta të performohen për shkak të mjeshtërisë brenda tyre e po ashtu nuk mund të këndohen nga secili solist, ngase janë goxha sfiduese dhe të dhimbshme njëkohësisht. Ishte një kënaqësi shumë e madhe që të ndaj skenën me të gjithë këta njerëz të talentuar”, tregon Abazi-Ramadani.
Ndërsa, violinisti Visar Kuçi mbrëmë për veprën e kompozitorit Valton Beqiri tha se tani kishte marrë një kuptim të cilin e meritonte vepra.
“Perfomanca e sotme ishte më e mira prej atyre që i kemi bërë gjatë provave dhe gjatë përgatitjeve, edhe pse unë këtë vepër e kam luajtur edhe njëherë para disa viteve. Sonte më është dukur se e ka marrë tamam atë kuptimin që e meriton vepra. Veçantia e veprës është që kompozitori ka arritur me fragmente ose tema të shkurtra për të na dhuruar një udhëtim nëpër një numër shumë të madh të trojeve shqiptare. Të gjitha ato tema që ishin të vendeve të ndryshme në fakt në partiturë ndodhen edhe emrat e tyre dhe secila karakterizohet me një ritëm dhe një melodi”, thotë Kuçi.
Kori i Filharmonisë së Kosovës do të rikthehet në Tiranë me një koncert premierë për të përmbyllur vitin më mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kori njoftoi se këtë koncert do ta bëjnë në kuadër të kalendarit të ngjarjeve në shënim të 75 vjetorit të themelimit të Liceut Artistik “Jodan Misja”.
“Në drejtimin e Hajrullah Sylës në këtë ngjarje do interpretohen vepra nga Rafet Rudi, Vasil S. Tole, Laura Jēkabson, Peder Karlsson, Jake Runestad dhe Ola Gjeilo. Koncerti mbahet në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” (Liceun Artistik “Jordan Misja” – Tiranë) më 9 dhjetor 2021”, shkruhet mes tjerash në njoftim.
Ky koncert do të fillojë në ora 19:00, derisa është bërë thirrje e vazhdueshme që të përmbahen në përpikmëri masat COVID-19 pasi që hyrja do të jetë e lirë. /KultPlus.com