Kori i Filharmonisë së Kosovës ka dhënë koncertin e parë në Lubjanë, përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë.
Nën drejtimin e Baki Jasharit, koncerti u hap me veprën Music in the Circle nga Mendi Mengjiqi. Violonçelisti Antonio Gashi iu bashkua Korit në interpretimin e O Magnum Mysterium nga Hajrullah Syla, ndërsa programi vijoi me O Salutaris Hostia nga kompozitori slloven Ambrož Čopi, ku soliste ishte Arta Jashari. Seksteti vokal i përbërë nga Selvije Marteti, Shkurte Hykaj, Ilvije Dragusha, Dea Xhemajli, Albana Piperku dhe Diellza Sylejmani dha një interpretim të shkëlqyer të veprës Kuulin äänen nga Laura Jēkabsone.
Në pjesën e dytë të koncertit, u interpretua vepra Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndër nga Baki Jashari, me tekst të Din Mehmetit, ku baritoni Shaban Behramaj u paraqit në rolin e recituesit. Më pas, programi vazhdoi me veprën Ç’u mbush mali nga Vasil Tole, me shoqërimin e pianistit Lekë Salihu.
Pjesa e fundit e koncertit përfshiu interpretimin e veprës In A nga Rafet Rudi, me soliste Kaltrina Miftarin dhe Shkurte Hykajn, pianistët Andi Duraku dhe Lekë Salihu, si dhe perkusionistët Patris Berisha dhe Meriton Zajmi. Programi vazhdoi me veprën Cloudburst nga Eric Whitacre dhe u mbyll me Nyon Nyon nga Jake Runestad. Epilogu i koncertit ishte vepra Janinës ç’i panë sytë, me solistët Luan Durmishin dhe Sokol Latifin.
Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30./express/KultPlus.com