Nga skenat botërore, Elbenita Kajtazi dhe Kori Siparantum kthehen me koncert vokal të bashkëdyjëzuar në hapje të ReMusica-s

Vjollca Duraku

Pak ditë pas një debutimi të suksesshëm në skenën e Teatrit të Operës së Vjenës, sopranoja Elbenita Kajtazi rikthehet te rrënjët e saj për të interpretuar në skenën e improvizuar vendore, në koncertin e dyfishtë hapës të Festivalit ReMusica, nën shoqërimin e pianistes Elda Laro. Përderisa pjesë e hapjes së edicionit të XXlll-të të ReMusica ishte edhe kori më i njohur në vend, Siparantum, i cili po ashtu pak ditë më parë nën drejtimin e Memli Kelmendit i siguroi shtetit të Kosovës dy çmime në Spanjë, shkruan KultPlus.

Në mesin e figurave të njohura të artit, kulturës, medias e politikës, koncerti filloi rreth orës 19:10, në Atelienë e Pallatit të Rinisë, së cilës sallë për ta shëndrruar në një ambient më të bukur, e estetik i ishin m’veshur perde të zeza rreth e përqark. Kombinimi me dritat e projektorëve dhe shkronjat ndriçuese të ReMusica-s jepnin një pamje solide. Mbrëmja u hap nga organizatorët Donika Rudi dhe Viktor Berisha, të cilët përveq fjalimit përshëndetës, njoftuan audiencën për rrjedhën e festivalit, i cili do të mbahet përgjatë katër netëve me double koncerte.

Pas pak në skenë u paraqit sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi dhe pianistja Elda Laro me kontrabastin Fraim Gashi, për të filluar performancën me veprën e Ardian Gegës “Trembem”. Për shkak të tensionit që e ndiente artistja këtë performancë e dha ulur, si shkak i shtatëzanisë së saj. Nuri shëndrritës dominonte përkundër fustanit dhe flokut të saj të zi, duke u përshtatur shumë me pamjen pianistes flokë-artë. Një koncert me një artiste që performon në skena të njohura në botë nuk kishte se si të fillonte më bukur pos me tinguj e fjalë të gjuhës sonë të lashtë shqipe.

Tinguj shpërthyes që nxirrnin në pah vokalin e kristaltë të sopranos Kajtazi u dhanë në veprën e Claude Debussy “Apparition Suite bergamasque, L.75: III. Clair de lune”. Të gjithë sy e vesh ndiqnin performancën e artistes që po e bën krenarë një popull të tërë. Duartrokitjet nuk mungonin në fund të secilës pjesë: Franz Liszt- “Die Lorelei S.273”, Erich Wolfgang Korngold- “Mariettas Lied opera Die tote Stadt” & “Vier fröhliche Walzer, II. Margit”, Charles Gounod- “Amour, ranime mon courage” Roméo et Juliette”, Giacomo Puccini- “Senza mamma” – Suor Angelica, dhe Sergei Rachmaninov- “Elegie op.3 nr.1”.

Kurse vepra “Tatiana’s letter” – Eugene Onegin e Peter Ilich Tschaikovsky e fundit me radhë ishte ajka e mbrëmjes. E mishëruar në rolin e Tatianës, Kajtazi shpërfaqte historinë tragjike të një dashurie të pamundur. Ishte mimika dhe lëvizjet e saj që tregonin historinë e ngjarjes, përderisa zëri i saj aq sa i bukur, po aq zgjonte trishtim të thellë në zemrat e publikut duke e ndierë dhimbjen e personazhit të veprës.

Pas një pauze disa minutëshe, skenës me një energji të lartë nga fundi i sallës iu bashkua Kori më me nam në vend, Siparantum. Pjesa e dytë e koncertit filloi me vepre e Jeffery Ames- “Tshotsholoza Traditional South African”, tinguj ritmik që të ftonin në vallëzim. Secili pesëtar i korit përmes energjisë së vet luante rol në plotësimin e mozaikut SIPARANTUM.

Interpretimi i tyre që herë ishte plotë energji e zjarr, herë në tinguj të brishtë, herë në përshpërima të mistershme, e herë neutralë, kombinuar me përplasjet e fuqishme të këmbëve dhe duarve, në çdo moment dëshmonte nivelin e lartë artistik, me të cilin Kosovës arrijnë t’i sigurojnë çmime e medalje në çdo prezantim nëpër botë.

Pikat interpretuese të cilat u dhanë nën drejtimin e dirigjentit Memli Kelmendi ishin: Vepra e Michael McGlynn- “Media Vita” (Leon Shehu, vocal, Fidan Strumcaku, shaman drum), Jan Van der Roost- “Amor io fallo”, Katerina Gimon- “Fire” (Fidan Strumcaku, shaman drum), Josephine Poelinitz- “City called heaven, traditional spiritual” (Erijon Palucaj, solo, Denita Dedushaj, piano), Jake Runestad- “Nyon, Nyon” dhe Samo Vovk- “Ta na solbici”.

Kurse vepra e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgëndër” (Aurora Hyseni, recitatore) e cila u dha krejt në fund të koncertit përbën pothuajse një himn të Korit, e cila me një peshë të madhe artistike trajton fatin tragjik të popullit shqiptar, që ndër mileniume është persekutuar nga armiq shekullorë.

Kështu, emra shqiptar të njohur në botë, në natën hapëse të ReMusica sollën përvojën dhe shpirtin e tyre në vendin prej nga e filluan rrugëtimin artistik ndonëse në kushte aspak të përshtatshme.

Në një prononcim për media organizatori i Festivalit, Viktor Berisha ka thënë se ndihej i lumtur që nata ahpëse e festivalit filloi mbarë.

“Nata e sotme ishte me shumë sfida, por më duket që treguesi më i mirë ka qenë reagimi i publikut në të dy koncertet. Për ne më mbarë nuk ka mundur të niset pjesa e konceteve të mbrëmjes. Pas një dite me shumë aktivitete kjo ka qenë një përfundim që na fle edhe neve si një nismë e mbarë”, ka thënë Berisha duke i treguar ngjarjet pasuese të ReMusica-s.

“Është dinamikë e njejtë. Edhe tri ditë tjera plotë aktivitete, prej mëngjesit deri në mbrëmje si për fëmijë me tryeza të diskutimeve, ashtu edhe me koncerte të parambrëmjes dhe me koncertet qëndrore. Nesër tërë ditën jemi në Prizren, ku kemi një duo nga Spanja që do të sjellin një repertor të muzikës mesjetare me ansamblin vokal të ReMuzica-s. Është viti i dytë që kjo nismë e jona është duke u jetësuar për publikun Prizrenas, kështu që jemi shumë të lumtur”, ka thënë organizatori Berisha.

Kurse, dirigjenti i Korit Siparantum Memli Kelmendi i cili sapo është kthyer me dy çmime nga Spanja mbrëmjen e ka cilësuar të jashtëzakonshme, përkundër kushteve aspak të përshtatshme.

“Emocioni brenda vendit është krejt ndryshe prej të gjitha atyre koncerteve që ne i mbajmë jashtë vendit. Natyrisht skenat në të cilat ne perforojmë janë krejtësisht ndryshe nga këtu. Do të kisha dashur që edhe Prishtina të ketë një sallë adekuate, sepse vërtetë sonte ka qenë një sfidë e madhe të punoj me një akustikë të tillë. Ka kohë që nuk kam koncertuar në Prishtinë dhe uroj që në skena të tilla të mos realizojmë koncerte sepse kjo është diçka që ndikon drejtpërdrejtë te atmosfera dhe energjia brenda vokalit. Gjithsesi ne kemi arritur që të mbajmë energjinë dhe pulsin”, ka thënë dirigjenti Kelmendi duke uruar që koncertin e radhës ta mbajnë në një sallë adekuate.

Tutje, dirigjenti Kelmendi tha se ndihej jashtëzakonisht i lumtur që në koncertin hapës u paraqit me shoqen e tij të klasës, Elbenita Kajtazi, e cilas sipas tij është inspirim për të gjithë.

“Ishte një mbrëmje jashtëzakonisht e bukur. Aq më bukur kur sonte në pjesën e parë ishte kolegia, shoqja ime e klasës, Elbenita, një vokaliste fantastike, e cila të gjithëve na bën krenarë për sukseset dhe rrugëtimin e saj. Konsideroj, dhe është inspirim për të gjithë ne”, ka thënë Kelmendi.

Kurse kompozitori Baki Jashari bashkëdyjëzimin e dy koncerteve në një e ka cilësuar si gjetje interesante.

“Koncerti i sotëm i dyfishtë ishte një mbrëmje maft inetereant edhe pse ishin dy botë të ndryshme. Në njërën anë kishim solisten tonë të mrekullueshme, me zërin e saj të jashtëzakonshëm, me karrierën e saj të jashtëzakonshme botërore që ishte në rolin e solistes. Në anën tjetër kishim korin Siparantum si një ansambël i të rinjve shumë të suksesshëm me dirigjent Memli Kelmendin. Ndërlidhja e këtyre dy pjesëve të koncertit ishte vokali. I uroj për këtë mbrëmje të mrekullueshme, shumë interesante me gjithë këtë paletë të veprave dhe stileve të ndryshme”, ka thënë kompozitori Baki Jashari duke potencuar që ndihej i lumtur që vepra e tij “Pakëz ëndërr pakës Zgjëndërr” po paraqitet dhe po depërton edhe jashtë vendit.

“Kori Siparantum u paraqit edhe me veprën time “Pakëz në Ëndërr pakës në zhgjëndërr” që është shkruar qysh në vitin 1986. Unë e pata marrë si bazë tekstin e autorit tonë të mirënjohur Din Mehmeti, e cila është një poezi jashtëzakonisht e fuqishme edhe pa muzikë. Ajo ishte aq e fuqishme dhe dramatike në thelbin e saj ku përshkruan vuajtjet e popullit tonë dhe aspiratat tona për liri, ku përmenden në mënyrë poetike, se si popull kemi qenë të shtypur, të ndjekur, të rrahurr. Dirigjenti Memli ka kërkuar që kjo vepër të shkurtohet dhe të përshtatet për skena jashtë Kosovës, dhe në shumë gara ku Kori Siparantum prezantohet kjo vepër është në program mes tjerash. Dhe, më vjen mirë që pothuajse në çdo prezantim të tyre Siparantum po fitojnë medalje. Ky është një plus i madh edhe për korin por edhe që  vepra po depërton jashtë”, ka thënë dirigjenti Jashari.

Ndëraq, pianistja e njohur Lejla Pula, e cila ishte pjesë e publikut i ka  përgëzuar kolegët për fillimin e suksesshëm, e të mbarë të festivalit ReMuzica.

“Më ka ardhur jashtëzakonisht mirë që përsëri kam pasur rastin ta dëgjoj Elbenitën, e cila me të vërtetë është një soprano në ngritje e sipër të karrierës së saj. Interpretimi i saj ishte jashtëzakonisht emocional dhe me aftësi të jashtëzakonshme zanore. Ka krijuar një ambient artistik të jashtëzakonshëm, nën përcjelljen e Elda Laros e cila ishte një artiste dhe profesioniste tejet e shkëlqyer. Vërtetë jemi kënaqur me muzikimin e tyre dhe ju dëshiroj shumë suksese”.

Më tej, pianistja Lejla Pula ka uruar që në të ardhmen festivali i saj dhe i kolegëve të tjerë të mbahen në një vend me kushte kualitative.

“Paraqitja e tyre skenike  dhe artistike e Korit Siparantum është aq komplete, aq interesante, me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Unë i përgëzoj për paraqitjet dhe çmimet e fundit nëpër botë. Vërtetë ishte një kënaqësi e madhe që të jem sonte këtu. Unë ju dëshiroj të gjithëve suksese të mëtejme, dhe gjithashtu kam dëshirë që festivalet tona të kenë shtëpinë koncertale, ku në të ardhmen të mbahen këto koncerte kaq kualitative” ka thënë ajo.

Ndërsa, pjesëtari i Korit Siparantum, Shaban Behramaj, ka thënë se është ndier i lumtur me pjesëmarrjen e madhe të publikut, para të cilit kanë përgjegjësi artistike të paraqitjes sikurse në garat e ndryshme gjithandej nëpër botë.

“Ishte një ndjenjë shumë shumë e veçantë sepse Festivali ReMusica këtë vit ka pasur “double koncerte”, ku ne sot ndamë skenën dhe mbrëmjen bashkë me sopranon tonë tashmë me famë botërore Elbenita Kajtazi. Për ne ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme për të interpretuar në natën hapëse të festivalit Remusica për këtë edicion, para publikut kosovar që ishte në numër shumë të madh, gjë e cila në bëri të ndihemi shumë mirë. Ne sapo u thyem nga Barcelona ku fituam dy çmime në garat botërore, për ne përgjegjësia është shumë e madhe që edhe para publikut tonë të sjellim repertorin e njejtë, por edhe atmosferën dhe energjinë e njejtë me të cilën ne garojmë në të gjitha këto gara”, ka përfunduar Behramaj.

TOGETHERNESS (SË BASHKU) – është motoja e sivjetme e edicionit të XXlll-të të ReMusica në të cilin përveç tjerësh deri më 8 nëntor do të interpretojnë edhe Petrit Çeku, ReVocal Ensemble, Trio Elogio, Margherita Berlanda, Flaka Goranci etj. / KultPlus.com

Elbenita Kajtazi, Elda Laro dhe Kori Siparantum hapin perden e edicionit të 13-të të ReMusica

Festival Edicioni i 13-të i ReMusica Festival do të fillojë sonte, dhe programi i sontëm do të sjell një spektakël të madh, shkruan KultPlus.

Organizatorët kanë bërë të ditur se mbrëmja e sontme përfshinë sopranon e njohur Elbenita Kajtazi, pianisten Elda Laro dhe Korin Siparantum me dirigjent Memli Kelmendin.

Kjo mbrëmje do të flllojë në ora 19:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë./ KultPlus.com

Presidentja Osmani për çmimet e Korit Siparantum në Spanjë: Arritje e jashtëzakonshme, rinia jonë është e pandalshme

Kori Siparantum dje ka fituar ‘Medalje të Artë’ në Spanjë në garat botërore të koreve “Sing for gold”, si dhe është vlerësuar edhe me ‘Çmimin Special’ për programin kontemporan më të mirë dhe interpretim në skenë.

Me këtë rast, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se kjo është një arritje e jashtëzakonshme dhe një shembull se rinia e Kosovës është e pandalshme.

Më poshtë gjeni postimin e plotë në platformën X:

“Një moment krenarie për Kosovën!

Kori Siparantum ka ngritur edhe një herë lart flamurin tonë, duke sjellë në shtëpi Medaljen e Artë dhe një çmim special për programin më të mirë bashkëkohor dhe performancën skenike në Kupën e Koraleve Botërore në Barcelonë.

Një arritje e jashtëzakonshme dhe një shembull tjetër se rinia jonë është e pandalshme”./ KultPlus.com

Rikthehet Kori Siparantum,  nga përvoja ndërkombëtare sjell magji dhe frymë të veçantë artistike

Vjollca Duraku

Pas një sërë koncertesh të mbajtura gjithandej nëpër botë, Kori Siparantum mbrëmë në Kishën “Shën Ndou” solli një frymë artistike me vepra të renesancës e deri te ato bashkëkohoret, të cilën frymë për muaj me radhë e kishte dhuruar në koncerte dhe gara të ndryshme ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Tashmë është bërë e zakonshme që shfaqjet e këtij kori me nam të cilat dirigjohen nga Memli Kelmendi, të mbledhin publik të shumtë në numër, të cilët me shumë ëndje e vëmendje përcjellin secilën vepër interpretuese, të sjellur në mënyrë mjaft unike përmes koreografisë dhe repertorit mjaft të larmishëm, i cili pashmangshmërisht bëhet një me audiencën. Mbrëmë u dhanë gjithsej 13 vepra nga kompozitorë vendorë e të huaj.

Ishte vepra “Ex alpess” e Memli Kelmendit e cila u dha në hapje të këtij koncerti. Elemente nga tradita shqiptare rugovase u vunë re fillimisht nga krijimi i tingujve të veçantë përmes rrotullimit të “tepsisë në sofër” nga një vajzë me kostume karakteristike të zonës, duke u pasuar me këngë majekrahu që po ashtu janë specifike për këtë anë. Një ngjyrë zëri e mrekullueshme e vokalistes Arbana Lushaj  e plotësoi performancën, përderisa përfshirja e tupanit nga Fidan Stumcaku i jepte ngjarjes shumë ritëm duke e kompletuar në plotni.

Vepra “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgjëndërr” nga Baki Jashari e cila u interpretua nga kori dhe Aurora Hyseni në një ambient të errët e të ftohtë siç është kisha “Shën Ndou” krijonte vërtetë ndjesi sikurse vetë titulli i veprës, duke e hipnotizuar publikun në sallë në një gjendje mes gjumit dhe zgjimit.

Ndërsa vepra “Rrjedh në këngë e ligjërime” e  interpretuar edhe nga baritoni Shaban Behramaj dhe pianistja Denita Dedushaj sikur i dha ëmbëlsi koncertit përmes një teksti aq të dashur dhe të pranuar nga gjithë të pjesëmarrësit e sallës, pjesë e së cilit ishin edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.

Tinguj mjaft unik, me pëshpërima, zëra misterioz, lëvizje ta pa parashikuara, strikte, të shoqëruara me errësirë, piano, tupanë, klarinet, pastaj duke përdorur edhe letrat e bardha si pjesë unike të performancës e deri te shtrirja e komplet anëtarëve të korit në tokë u dhuruan pafund emocione në pikat tjera interpretuese në këtë mbrëmje plot magji.

Veprat tjera të cilat publiku i shijoi ishin : “Media vita” të Michael McGlyn (Leon Shehu- vocal dhe Fidan Strumcakut- shaman drum), “Të Falemi o dhe”  nga Rauf Dhomi, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “Kopile moj Kopile- arr nga Memli Kelmendi (Donika Rushiti-vocal, Dior Morina- clarinet, Denita Dedushaj- piano), “Fire” nga Katerina Gimon, “Sometimes, I feel Iike a motherless child” arr. Carsten Gerlitz (Erletë Regjepi-vocal dhe Denita Dedushaj-piano), “En ‘s Avonds” arr. Memli Kelmendi (Aurora Hyseni- tambourine), “Pax” nga Memli Kelmendi (Skender Hyseni-tenor), “Dies Irae” nga Ryan Main ( Agron Shujaku-piano), “Ta na solbici” nga Samo Vovk.

Përveq publikut mbrëmjen e sjellur në atdhe e kishte shijuar edhe vetë anëtarja e korit “Siparantum”, Natyra Mehmeti.

“Ndjenja për të performuar në vendin tënd, në vendin ku jemi shkolluar, ku kemi marrë gjithë këtë kulturë është një ndjenjë komplet ndryshe pavarësisht eksperiencave tona ndërkombëtare. Kur të kthehmi në shtëpi besoj që e japim gjithë zemrën në skenë. Po besoj që kjo është reflektuar jashtëzakonisht shumë te publiku, ku përmes këti kori kemi mundur të tregojmë që Kosova ka një potencial jashtëzakonisht të madh talentesh duke i përfshirë këtu edhe talentët e muzikës korale.

 Ndërsa baritoni Shaban Behrami rikthimin e Korit Siparantum me koncert në Prishtinë e cilësoi si një mbrëmje me ndjesi tejet të veçanta.

“Ky koncert ishte njëri prej koncerteve më të veçantë sepse pas një kohe goxha të gjatë jemi rikthyer në Prishtinë me Korin Siparantum pas shumë udhëtimeve, sukeseve, garave, e festivaleve të ndryshme nëpër botë. Ka qenë një moment shumë i veçantë, shumë emocionues të paktën për mua, sepse në mesin e publikut ka pasur shumë njerëz, të afërm, kolegë, shokë me të cilët punoj çdo ditë, edhe për mua pa diskutim është një ndjenjë e veçantë kur i sheh këta kolegë duke të përkrahur në rrugën dhe suksesin tënd. Për mua ka qenë një mbrëmje jashtëzakonisht e mirë, të cilën e kam shijuar po ashtu shumë”, ka thënë Behrami.

Po ashtu edhe vetë dirigjenti Memli Kelmendi u shpreh i emocionuar për rikthimin e Siparantumit në Kosovë, pas koncerteve të shumta nëpër botë.

“Çdo herë kur performon para publikut vendas, për mua dhe besoj secilin prej nesh është një emocion tjetër dhe ndryshe prej të gjitha paraqitjeve tona nëpër botë sepse njerëzit të cilët të përkrahin në këtë rrugëtim sonte kanë qenë këtu me ne, gjë e cila është diçka shumë e rëndësishme dhe është pjesë e rrugëtimit dhe misionit tonë”, ka thënë Kelmendi.

Dirigjenti Kelmendi më tej ka bërë të ditur se programi i cili u dhurua mbrëmë në koncert ishte një pjesë e asaj çka është interpretuar nëpër botë, e me të cilin program kanë korrur shumë suksese.

Kjo është diçka prej punës tonë, fatkeqësisht jo të gjitha kemi mundur t’i prezantojmë për shkak të festivaleve nuk lejohet që  të shpalosen veprat, kemi konsideruar që duhet të jenë disa prej tyre të paktën të ju japim një dhuratë si shenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që qëndrojnë në mbështetje të Korit. Ne sonte jemi paraqitur me vepra të ndryshme të formacionit vokal, me vepra që nga periudha e renesancës e deri tek muzika bashkëkohore duke mos anashkaluar edhe veprat e kompozitorëve shqiptar qoftë vepra të adaptuara apo vepra origjinale” ka thënë më tej Kelmendi.

Ndërsa për pianistin Agron Shujaku koncerti i mbrëmshëm i Siparantumit kishte sjellë freski te publiku i vendor.

“Unë pas një pauze të konsiderueshme nga interpretimi në Korin Siparantum, sonte u riktheva me një pikë performuese. Për mua ka qenë një ndjenjë e veçantë sepse sonte kam mundur të përjetoj koncertin edhe duke qenë pjesë e publikut, edhe pjesë e performancës. Ka kohë që kori Siparantum nuk ka mbajtur koncert në Prishtinë, mendoj që ka sjellë një freski te publiku vendor”, është shprehur pianisti Shujaku./ KultPlus.com

Pas ‘turneut’ muzikor Kori Siparantum rikthehet me koncert në Prishtinë

Pas një rrugëtimi në vende të ndryshme të botës, Kori Siparantum rikthehet me një koncert në Kosovë, shkruan KultPlus.

Sipas një komunikate për media Kori Siparantum do të performojë në Kishën Katolike “Shën Ndou” me një koncert të veçantë që pritet të sjellë një përvojë të pasur artistike për publikun vendas.

“Pas një sezoni të suksesshëm me performanca në Belgjikë, Suedi, Austri, Poloni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kori Siparantum rikthehet në vendlindje për të prezantuar punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm”, thuhet në njoftim.

Ky koncert do të ofrojë një program të larmishëm muzikor, duke përfshirë vepra nga kompozitorë të njohur kosovarë dhe ndërkombëtarë, që nga periudha e Rilindjes deri tek muzika bashkëkohore.

Koncerti jepet më 5 qershor, në ora 20:00, në Kishën “Shën Ndou”/ KultPlus.com

Sukses historik: Kori Siparantum në Wiener Konzerthaus për 200-Vjetorin e Simfonisë së Nëntë të Beethovenit

Kori Siparantum shënoi një moment të pazakontë në historinë muzikore tek ne, duke u ngjitur kështu në skenën e Wiener Konzerthaus, Großer Saal, së bashku me koristët e Vienna Singakademie dhe Orkestren Simfonike të Vjenës – Wiener Symphoniker për të festuar 200-vjetorin e Premierës së Simfonisë së Nëntë të Ludwig van Beethoven – Ludwig van Beethoven Symphonie Nr. 9 d-moll op. 125.

Dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi, ndau ndjenjat e gëzimit dhe mirënjohjes: “Jemi jashtëzakonisht të lumtur që në këtë ngjarje të madhe, në këtë skenë prestigjioze me rastin e shënimit të 200-vjetorit të Simfonisë së 9të të Beethoven, jemi ngjitur dhe ne. Padyshim që ky është suksesi më i madh i arritur ndonjëherë në muzikën korale tek ne dhe aq më shumë që kjo vjen nga Kori Siparantum, i cili ka më pak se 8 vite.  Jam shumë i lumtur që puna jonë po vlerësohet kudo dhe kjo e bën të shenjtë punën dhe padyshim që ky është një motiv shtesë që ne të vazhdojmë tutje”

Koncerti është transmetuar në ORF III dhe në kanalin ARTE. ARTE ka kombinuar në këtë transmetim katër kohët e simfonisë botërore të famshme  – interpretuar nga katër orkestrat kryesore evopiane: Gewandhausorchester Leipzig me Andris Nelsons në kohën e parë, Orchestre de Paris nën drejtimin e Klaus Mäkelä në kohën e dytë, Orchestra del Riccardo Chailly në Milan 0 Teatro alla Scala në kohën e tretë dhe koha e katërt me #WienerSymphoniker nën dirigjimin e Maestro Petr Popelka.

Pas koncertit, Maestro Heinz Ferlesch, dirigjenti i Vienna Singakademie, e cilësoi ardhjen e Korit Siparantum si një moment shumë të rëndësishëm: “Ardhja juaj nga Kosova është një shenjë e rëndësishme këtu, pasi para 25 viteve vendi juaj ishte në luftë. Kjo është një shenjë shumë e rëndësishme për ju dhe shtetin tuaj, duke treguar se përmes muzikës, bashkëpunimi dhe ndërtimi i një realiteti të ri është i mundur. Faleminderit të gjithë anëtarëve të Korit Siparantum për kontributin në këtë koncert të mrekullueshëm. Këto lula dua t’i dhurroj juve dhe Memlit si shenjë falenderimi”.


Simfonia e Nëntë e Beethovenit është një monumentalitet në historinë e muzikës.  E kompozuar në periudhën e fundit të jetës së Beethovenit, simfonia tregon një thellim emocional dhe një qëllim humanist. Për më shumë se dy shekuj, ajo ka përfaqësuar një shprehje të fuqishme të vullnetit për liri, unitet dhe solidaritet njerëzor.  Simfonia e nëntë e Beethoven është interpretuar pikërisht 200 vite më parë në Vjenë me 7 Maj të vitit 1824.

Në këtë përfaqësim të madh të muzikës, Kori Siparantum u bë një pikë referimi e shquar, duke sjellë frymën e Kosovës në një kontekst ndërkombëtar. 

Kori Siparantum edhe me një paraqitje në skenën prestigjioze të Vjenës

Kori Siparantum është shndërruar një prej përfaqësime më dinjitoze të Kosovës, shkruan KultPlus.

Pas paraqitjeve të shumta dhe të suksesshme nëpër gara të ndryshme botërore, Kori Siparantum do të paraqitet në Vjenë, në Wiener Konzerthaus.

Për këtë prezantim të radhës ka njoftuar Memli Kelmendi i cili ka shtuar se ky prezantim do të transmetohet edhe në televizionin ARTE.

Më poshtë e keni njoftimin e plotë të Kelmendit.

Të dashur miq,

Po fillojmë një lajm të jashtëzakonshëm për ne!

Nga data 4 – 8 MAJ 2024, Kori Siparantum do të udhëtojë për në Vjenë, ku do të ngjitet përseri në skenën prestigjioze për koncertin e datës 7 Maj në Wiener Konzerthaus, Großer Saalme me Orkestren Simfonike të Vjenës, Wiener Symphoniker me korin e njohur Wiener Singakademie me rastin e 200 vjetorit të Premierës së Simfonisë së Nëntë të Ludwig van Beethoven (Ludwig van Beethoven Symphonie Nr. 9 d-moll op. 125) Koncerti do të dirigjohet nga dirigjentja botërore Joana Mallwitz dhe do të transmetohet në ARTE.

Për detaje të tjera do të ju informojmë gjatë ditëve në vijim./ KultPlus.com

Kori Siparantum përfaqëson Kosovën në garën prestigjioze “European Festival for Young People”

Kori Siparantum ka njoftuar se do ta përfaqësojë Kosovën në “European Festival for Young People”, që është një nga garat më prestigjioze të muzikës për të rinj në Neerpelt.

Në njoftimin e tyre thuhet se në Kori Siparantum do të jetë pjesëmarrës nga data 26 deri më 29 prill dhe do të jenë bashkë me 93 kore nga 19 shtete të botës.

Korali do të prezantojë një repertor të pasur me vepra nga autorë të shquar:

“Me nji lule” (With a Flower) – Memli Kelmendi

“A Little in the Dream, A Little Awake” – Baki Jashari

“Ta na Solbici” – Samo Vovkhttps://zeri.info/inarticle.html

“Atsalums” (Coldness) – Jëkabs Janëevskis

“En ‘s Avonds” – Arr. Memli Kelmendi

Memli Kelmendi, dirigjent

Gara do të mbahet  më 27 Prill, rreth orës 14:00 në CC Palethe Overpelt, ndërsa rezultatet e jurisë do të shpallën më 27 Prill në ora 17:30 në Sporthal Dommelhof.

Kori Siparantum ngjiten në skenën madhështore për provat gjenerale të koncertit të fundvitit në Wiener Konzerthaus

Kori Siparantum është ftuar të marrë pjesë në festën e fundvitit me Wiener Singakademie në koncertet e Wiener Konzherthaus dhe tashmë ata janë ngjitur në skenën madhështore për provën gjenerale bashkë me Orkestren Simfonike të Vienës dhe Korin Wiener Singakademie.

Lajmin e ka bërë të ditur dirigjenti Memli Kelmendi, i cili ka thënë se kjo është një ëndërr që po bëhet realitet.

“Kori Siparantum tashmë është ngjitur në skenën #Wiener #Konzerthaus në proven gjenerale për koncertin e Vitit të Ri, së bashku me #WienerSingakademiedhe #WienerSymphoniker / Wellber nën drejtimin e Maestro Omer Meir Wellber.
Ludwig van Beethoven
Symphonie Nr. 9 d-moll op. 125 (1822–1824)
Çfarë emocioni!”, ka shkruar Memli.

Performanca tradicionale e Simfonisë së 9-të të Beethoven-it (në d-mol, e kompozuar në mes 1822-1824) është pjesë e festave të Vitit të Ri në Wiener Konzerthaus për 26 vjet. Këtë vit, kënaqësia jonë është e dyfishtë, pasi Kori Siparantum do të jetë pjesë e këtyre koncerteve.

Koncertet do të drejtohen nga Omer Meir Wellber dhe janë planifikuar për datat 30 dhe 31 dhjetor 2023, si dhe 1 janar 2024, në orën 19:00. / KultPlus.com

Shot with OldRoll Nostal.

Kori Siparantum sonte me koncert në Vjenë, ju pret një udhëtim i jashtëzakonshëm në muzikën klasike

Një ngjarje kulturore shumë e veçantë pritet të ndodhë sonte në Vjenë, shkruan KultPlus.

Sot, datë 29 Dhjetor, ora 20:00, Kori Siparantum, ndër më të njohurit dhe të respektuarit, do të mbajë një koncert shumë të veçantë në Votivkirche, që ndryshe nga ky vend kanë dalur shumë vepra të kompozitorit të madh Anton Bruckner, si ‘Locus iste’ dhe shumë të tjera.

Organo historike në Kishën Votive u ndërtua në 1878 nga kompania e njohur e ndërtimit të organove E. F. Walcker dhe u inspektua nga Anton Bruckner, ky vend është një thesar i padiskutueshëm i artit dhe performimi në këtë ambient është një kënaqësi e rrallë.

Hyrja në këtë koncert është pa pagesë, duke bërë këtë ngjarje akoma më të arritshme për të gjithë dashamirët e muzikës klasike. Për Korin Siparantum, ky nuk është vetëm një koncert, por një ëndërr që po bëhet realitet.

Kori Siparantum ka një traditë të gjatë dhe të pasur në interpretimin e muzikës klasike, dhe kjo është arsyeja pse ky koncert në Votivkirche po pritet me shumë entuziazëm.

Për rezervimin e vendit tuaj në këtë koncert ju mund të kontaktoni [email protected]. / KultPlus.com

Konferenca më e madhe e muzikës korale po vjen në Pejë

Konferenca më e madhe e muzikës korale po vjen në Pejë. Kështu ka bërë të ditur dirigjenti Memli Kelmendi i cili ka njoftuar se “Quo Vadis Choral Music Conference” do të jenë në Pejë më datë 14-17 Shtator për të mbushur këtë qytet me tingujt mahnitës të muzikës korale.

Organizuar nga ChoralSpace dhe Korin Siparantum, kjo konferencë do të sjellë nën çatinë e vet personalitete të shquara të muzikës korale në nivel botëror.

Memli Kelmendi gjithashtu ka brë me dije që hyrja është e lire.

“Hyrja është e lirë, kështu që nuk ka asnjë arsye për të mos u bashkuar me ne për këto tre ditë të jashtëzakonshme të muzikës”.

Programi i koncerteve është si vijon:

14.09.2023 | 20:00
KORI I FILHARMONISË SË KOSOVËS
Dirigjent: Memli Kelmendi
Lokacioni: Kisha Katolike “Shën Katerina”, Pejë

16.09.2023 | 20:00
KORI SIPARANTUM
Lokacioni: Kisha Katolike “Shën Katerina”, Pejë

17.09.2023 | 10:30
KORI I SHKOLLËS SË MUZIKËS “HALIT KASAPOLLI”
KORI I SHKOLLËS SË MUZIKËS GJILAN”
KORI I FËMIJËVE “OKARINA”
KORI I FËMIJËVE “SIPARANTUM KIDS”
Lokacioni: Shkolla e Muzikës “Halit Kasapolli”, Pejë. / KultPlus.com

Kori Siparantum mbështetet nga Sunny HIll Foundation, merr pjesë në garën më të madhe të koreve në botë

Kori Siparantum do të prezantohet në edicionin e 12-të të garës botërore për kore në Kore, përkatësisht në Gangneung, ku do të marrin pjesë 324 grupe nga 46 shtete të botës, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një njoftimi bëhet e ditur se Kori Siparanatum do të prezantohet në dy kategori: Kor të përzier dhe në kategorinë  e muzikës bashkëkohore; garë mes kampionëve.

Ndërkohë, Kori Siparantum për shkak të mos mbështetjes financiare ka rrezikuar në mospjesëmarrje në këtë garë, por sipas Memli Kelmendit, Fondacioni i Dua Lipës, “Sunny Hill Foundation” ka mbështet korin Siprarantum, sikurse që është mbështetë edhe nga kompani të tjera./ KultPlus.com

Kori i famshëm ‘Siparantum’ merr ftesë për garën më të madhe botërore, bën thirrje për mbështetje

Kori ‘Siparantum’ do të marrë pjesë në konkursin më të madh të muzikës korale në botë ‘World Choir Games’ që do të zhvillohet në Korenë Jugore në korrik të vitit 2023, përcjell KultPlus.

Por, për të arritur këtë ëndërr, kori ‘Siparantum’ ka kërkuar donacione në mënyrë që pjesëtarët e tij të mund të marrin pjesë në këtë garë.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të korit ‘Siparantum’:

Të dashur miq,

Me kënaqësi ju njoftojmë se Kori Siparantum do të marrë pjesë në konkursin më të madh të muzikës korale në botë, World Choir Games, që do të zhvillohet në Korenë Jugore në korrik të vitit 2023. Ne do të përfaqësojmë vendin tonë, Kosovën, për herë të dytë në këtë garë, me synimin që të vazhdojmë suksesin e arritur më herët. Në vitin 2021, Kori Siparantum triumfoi në Lojërat Botërore të Korit në Belgjikë, duke fituar kategorinë e “Muzikës Contemporanea” dhe marrë vendin e parë dhe diplomën e artë. Kjo na bëri shumë krenarë dhe ju falënderojmë për mbështetjen tuaj të vazhdueshme!

Pas një vonesë prej një viti, Lojërat Botërore të Korit do të kthehen në Korenë Jugore në vitin 2023, me Gangneung-un zgjedhur si qytetin pritës.

Ne jemi në përpjekje të palodhshme për të përsëritur suksesin e mëparshëm dhe dëshirojmë më shumë se kurrë të prezantojmë kulturën dhe vendin tonë në nivelin më të lartë të mundshëm. Kori Siparantum ka treguar një performancë të jashtëzakonshme në këtë drejtim.

Për të realizuar këtë ëndërr, ne kemi nevojë për përkrahjen tuaj. Donacionet tuaja janë thelbësore për të bërë këtë ëndërr realitet.

Beneficiary: SIPARANTUM CHOIR
Bank name: NLB BANK
Bank account: XK05 1706 0016 0008 8587
Bank code: NLPRXKPR
IBAN: XK05 1706 0016 0008 8587
Swift Code:NLPRXKPR

Bashkohuni me ne në fuqizimin e këtyre artistëve të talentuar duke dhuruar sot. Mund të na kontaktoni në [email protected] për të marrë pjesë në këtë përpjekje.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe mirënjohjen tuaj të madhe.

Me respekt,
Kori Siparantum Siparantum./KultPlus.com

Me një performancë brilante, Kori Siparantum hipnotizoi mbrëmë publikun në Kishën ‘Shën Ndou’

Vjollca Duraku
Fotografitë: Rrahman Osmani

Me gjithsej 14 pika interpretuese dhe një performancë brilante, mbrëmë në ambientet e Kishës Katolike ‘Shën Ndou’, interpretoi kori më me zë në skenën e muzikës kosovare, Kori Siparantum, shkruan KultPlus.

Realizimi i këtij interpretimi, në ambientet e kishës, ishte një element i cili i dha ngjarjes një lloj madhështie, të cilën në plotni e kanë shijuar të gjithë të pranishmit në sallën e improvizuar e që ishin në numër të madh.

Lartësia e mureve të kishës, ngjyra e errët si dhe ajri i ftohtë në kishë, ishin elemente të cilat i jepnin madhështi, dramacitet dhe mister ngjarjes, e cila pati edhe një kombinim perfekt me anëtarët e korit të cilët ishin të veshur në të zeza.

Nën tingujt e instrumentit goditës, Bass Drumm, anëtarët e korit hynë në skenë nga fundi i sallës me lëvizje të shpejta. Numri i madh i anëtarëve të korit, veshja e tyre me ngjyrë të zezë si dhe hyrja e djemve në njërën anë dhe vajzave në anën tjetër, duke u pozicionuar në mënyrë perfekte në skenë në dy rreshta, ishte veç një paralajmërim për një perfomancë të hatashme e cila pritej të zhvillohej në vijim.

Lëshimi në tokë i dosjeve të cilat përmbanin pikat të cilat do t’i interpretonin, anëtarët e korit, krijoi një tingull dhe jehon të veçantë, i cili veprim paraqiste një formë të veçantë të artit në vete

Në këtë pikë, dukej sikur publiku ishte hipnotizuar nga vetë hyrja e veçantë e korit Siparantum. Tani ata të llahtarisur nga performanca e tyre, me buzëqeshje në fytyrë, syhapur dhe një pozitë trupore kurrize, sikur donin të thonin çka pastaj?

Me duartrokitje të shumta përfundoi dhe filloi çdo pikë interpretuese e korit më me nam në vend, vlerësim ky të cilin vazhdimisht e merrte nga publiku, në çdo performancë e vend.

Ndryshimi i pozicioneve të anëtarëve të korit, herë duke u ndarë e herë duke u bashkuar grupi i djemve dhe vajzave, në secilën pikë interpretuese, ishte një element tjetër i cili e bënte të veçantë interpretimin e tyre.

Publiku u mbajt pezull gjatë gjithë koncertit, pasi me plotë kureshtje e shikonin pikën e cila po interpretohej por duke e vrarë edhe mendjen se cila ishte befasia e radhës e këtij kori fantastik.

Kulminacioni i shfaqjes u arrit në pikën e tretë interpretuese ‘Mirëmbrëma’ të autorit Lorenc Anton, kur anëtarët e korit u zhvendosen me qirinjë në duar rreth sallës. Në këtë pikë publiku thuajse u mishërua me performancën, pasi koristët e transmetonin energjinë e tyre artistike fare afër audiencës, e cila ishte në një numër shumë të madh, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre qëndronin në këmbë, pasi nuk kishte ulëse aq sa kishte të pranishëm në sallë.

Në këtë pikë magjepsjeje kori filloi interpretimin e tij, tingujt jehonin në sallë kurse publiku i stepur nga performanca shikonin me admirim rreth sallës, anëtarët e korit dhe dritën e vobektë e cila buronte nga qirinjtë. Këto pamje do të mbeten gjatë në memorien e publikut.

Po ashtu, një element i cili e bënte të dallojë këtë kor nga koret e tjera të zakonshme, ishte se pjesë e interpretimit të tyre ishte e plotësuar edhe me lëvizje mjaft unike me këmbë e duar, të cilat ishin të përgatitura mjeshtërisht. Kombinimi i këtyre lëvizjeve me tingujt nganjëherë të qetë e nganjëherë shpotitës, i jepnin performancës autenticitet dhe magnetizëm, të cilit ishte e pamundur t’i shpëtoje.

Përgjatë koncertit, përveç korit në përgjithësi,  pati edhe pikë të cilat u interpretuan nga pianistët Denita Dedushaj dhe Agron Shujaku, sopranot Kaltrina Miftari dhe Edina Pllana, altoja Donika Rushiti dhe solistja Fiona Shabani, ndërsa interpretues me me instrumente goditëse ishin Fidan Strumcaku dhe Rizah Jahaj, të cilët i jepnin një ngjyrim madhështor e plotësues performancës.

Fundi i interpretimit pasoi me duartrokitje të gjata, të cilat nuk i kursenin fare të pranishmit pas gjithë atyre minutave shumë të ngjeshur me performanca të veçanta, e të bukura secila në llojin e vet.

Edhe pse vërehej që mbrëmjen e shijonin edhe vetë anëtarët e grupit, me një super energji ku e dhanë edhe shpirtin e tyre në sallë, këtë për KultPlus, personalisht e pohoi edhe organizatori i festivalit i cili në këtë mbrëmje ishte edhe interpretues, baritoni Shaban Behramaj.

“Për mua është festë e dyfishtë sonte, sepse edhe jam organizator i festivalit, por edhe si pjesë e Korit Siparantum, njërit prej koreve më aktive dhe më të suksesshme, tashmë në Kosovë. Kështu që për mua ishte një ndjenjë e veçantë për të performuar para publikut sonte. Ne e kemi sjellë një program goxha të mirë edhe goxha të larmishëm. Uroj që ta kenë pëlqyer publiku”, ka thënë Behramaj.

Kurse dirigjenti i Korit Siparantum, Memli Kelmendi, pas qindra urimeve, përshëndetjeve dhe falënderimeve nga të pranishmit, shumë i emocionuar dha një prononcim për KultPlus ku tha se ndihej shumë i lumtur që e dhanë para prishtinasve një performancë të tillë, të cilën anëtarët e korit e bënin krejtësisht në baza vullnetare.

‘’Me thënë të drejtën nuk kemi heshtur as unë dhe as njëri prej koristëve që këtë program të ja rikthejmë Prishtinës. Jam tepër i lumtur, tepër i emocionuar edhe tepër krenarë që kemi sjellë sonte një energji të cilën e kemi përmbledhë përgjatë këtyre muajve punë, dhe e kemi shfaqur para publikut të Prishtinës. Po shpresoj që njerëzit këtu e kanë shijuar edhe kanë arritur ta shohin një punë të përbashkët, e cila është e gjitha në baza vullnetare. Në këtë vend ka shpresë për gjëra të bukura”, ka thënë për KultPlus dirigjenti Kelmendi.

Ai po ashtu potencoi edhe vështirësinë e realizimit të këtij koncerti pasi rrjedha e tij kërkon përkushtim dhe dinamikë të veçantë, duke nënkuptuar që kjo edhe ishte arsyeja se përse publiku pati gjithë atë reagim.

“Ne sonte jemi paraqitur me një program krejtësisht ndryshe. Është një program që kërkon përkushtim edhe dinamikë të veçantë, nuk është një program i njëtrajtshëm i cili mund të luhet vazhdimisht.”

Interpretimi i korit Siparantum, ishte në kuadër të koncerteve të cilat po mbahen në Festivalin Ndërkombëtar “Re Musica”.

Koncerti i radhës dhe i fundit për këtë edicion do të jepet më 23 maj në Sallën e Kuqe, nga European Union Youth Orchestra, në ora 20:00. /KultPlus.com

Koncerti “Nga Bjeshkët” në Filharmoninë e Berlinit

Këngët me motive shqiptare dhuruan shumë emocione për audiencën berlineze. Performanca e Korit Siparantum nga Peja në Filharmoninë e Berlinit, përmes koncertit “Nga Bjeshkët”, kaloi nëpër zhanre të shumta.

Ata performuan laramani vepra të periudhave të ndryshme solistike, që nga muzika e renesancës deri tek muzika bashkëkohore, përfshi vepra të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë.

Koncerti u organizua nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin dhe CHORALSPACE – International Academy for Choral Arts në prag të festimit të përvjetorit të 15-të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

“Mirëmbrama” nga Lorenc Antoni e “Ater Umbra” nga Memli Kelmendi interpretohen sot në Berlin

Kompozitori Memli Kelmendi, njofton se sot, Kori Siparantum do të ngjitet në skenën më të rëndësishme të muzikës në botë, Berlin Philharmonie, shkruan KultPlus.

Filharmonia e Berlinit i përkushton për herë të parë një koncert të plotë muzikës nga Kosova, me korin Siparantum.

“Na ndajnë vetëm pak orë nga performanca jonë e radhës në Filharmonikën e Berlinit. Jam shumë i emocionuar që sot do të drejtoj dy vepra me shtatë kore të tjera pjesëmarrëse; do të këndojnë mbi 150 këngëtarë; “Mirëmbrama”, nga Lorenc Antoni, dhe kompozimi im “Ater Umbra” për bariton solo dhe kor miks (që do të interpretohet nga Shaban Behramaj.) Çfarë eksperience!

Të lumtur që koristët tanë (Kori Siparantum), gjatë qëndrimit të tyre në Berlin, kanë marrë përvoja fantastike nga dirigjentë fantastikë; Mihály Zeke, Boryana Velichkova, Sofia Gioldasi, Oliver Rudin dhe Ron Gang”, thuhet në postimin e tij. / KultPlus.com


Kori Siparantum krenar që mori pjesë në akademinë përkujtimore të Masakrës së Reçakut: Nëpërmjet këndimit nderojmë kujtimin e tyre

Sot në Shtime është mbajtur akademi përkujtimore në nderim të viktimave të 15 janarit të vitit 1999, nga Masakra e Reçakut, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në “Facebook”, pjesëmarrësit e kësaj akademie përkujtimore, Kori Siparantum, u shprehen të lumtur që morën pjesë këtu.

Postimi i plotë:

“Sa nder dhe ndjesi e pabesueshme për Korin Siparantum të performojë në Ceremoninë Përkujtimore të 24 vjetorit të Masakrës së Reçakut, në prani të Zyrës së Kryeministrit, ambasadorit William G. Walker dhe të ftuarve të tjerë të shquar!
Ndjenja bëhet edhe më e fortë kur shumica e anëtarëve të Korit janë fëmijë të lindur në kohë lufte, të cilët tani këndojnë për PAQE!
Nuk do ta harrojmë kurrë Reçakun, nuk do t’i harrojmë kurrë viktimat e luftës në Kosovë!
Nëpërmjet këndimit, ne lavdërojmë me përulësi kujtimin e tyre!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

Kori Siparantum do të përfaqësojë Kosovën në Portugali, në mesin e 17 shteteve të botës

Kori Siparantum do të përfaqësoj Kosovën në Festivalin Internacional të Koreve “Lisbon Sings” – Portugali, në mesin e 22 koreve nga 17 shtete të botës, aktivitet ky që është pjesë e “WORLD’S BEST CHOIRS Rankings of the Top 1000 Choirs and Ensembles”, ku tashmë Kori Siparantum është pjesë e saj. Festivali do të mbahet nga data 09-14 Nëntor.

“Jemi tejet të lumtur që do të përfaqësojmë vendin tonë në këtë festival tepër të rëndësishëm të muzikës korale. Përpos sfidave dhe sakrificave që ballafaqohemi, falë punës, përkushtimit maksimal dhe dashurisë për vendin tonë, ne po ia dalim suksesshëm. Kemi punuar gjatë dhe me shumë përkushtim për këtë program, shpresoj që do të kthehemi me suksesin e radhës. Ne tashmë e kemi dëshmuar këtë”, thotë Memli Kelmendi, dirigjent i korit.

Kori Siparantum garon në dy kategori: Competition in Category A1 – Choirs of Mixed  Voices – Difficulty Level I (Kategoria më e vështirë e festivalit) dhe Competition in Category S – Sacred Choral Music a cappella. 

Përpos këtyre dy aktiviteteve Kori do të jetë pjesë e koncertit Friendship Concert e cila do të mbahet në sallën e njohur Universidade de Lisboa – Aula Magna (Universidade de Lisboa – Aula Magna Universiteti i Lisbonës (Universidade de Lisboa) është universiteti më i madh dhe më prestigjioz në Portugali dhe është një nga universitetet kryesore të Evropës). 

Rikujtojmë që Kori Siparantum është shpërblyer me pikët maksimale në Festivalin Internacional të Koreve “The Golden Lime of Tuhelj” Kroaci, duke i sjellur vendit tonë “Medalje të Artë”; Fitues i kategorisë “ Musica Contemporanea” në garën më të madhe të koreve në botë, WORLD CHOIR GAMES (2021) dhe Diplomë të Artë; Fitues i dy vendeve të para (Kategoria F dhe Kategoria G) në Europian Festival for Young People, Belgjikë.  Kori Siparantum ka qenë pjesë e skenave të mëdha në mesin e tyre, salla më e njohur “Berlin Philharmonie” që ndryshe konsiderohet ëndërr e çdo artisti. / KultPlus.com

‘Kori Siparantum’ nis sezonin me koncert në festivalin ‘We Are Singing Ljubljana’

Kori Siparantum’ do të fillojë sezonin me koncertet në Slloveni në kuadër të festivalit ‘We Are Singing Ljubljana nga data 20-23 tetor, përcjell KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur dirigjenti Memli Kelmendi përmes një postimi në Facebook duke njoftuar se në këtë festival ‘Siparantum Choir’ do të paraqitet me vepra të larmishme të kompozitorëve të shquar të periudhave të ndryshme stilistike përfshirë edhe vepra të kompozitorëve shqiptarë.

KultPlus ua sjell postimin e dirigjentit Kelmendi:

Next #Slovenia

Të dashur miq,

Po e fillojmë këtë nisme të këtij sezoni me udhëtimin e radhës në #Slloveni, në festivalin “We Are Singing Ljubljana” ku me Siparantum Choir ne do të qëndrojmë nga data 20-23 Tetor 2023.

21 Tetor 2022, Open Air Concert in the Square of Ljubljana

21 Tetor 2022 në ora 17:00 në  Saint Nicholas’s Cathedral

22 Tetor 2022 në ora 18:99 në Ljubljana Music and Ballet Conservatory

Në këtë festival ne do të paraqitemi me vepra të laramanishme të kompozitorëve të shquar të periudhave të ndryshme stilistike përfshi edhe vepra të kompozitorëve shqiptar.

I lumtur që në këtë festival do të takoj shumë miq dhe kolegë me të cilët kam pas rastin të jem pjesë e bashkëpunimeve të mëhershme; Klara Maljuga, Oliver Rudin etj./ KultPlus.com

Kori Siparantum dhe Gospelchor am Münster nga Bazeli vijnë me koncert në Pejë

Kori Siparantum kësaj radhe në Pejë vjen me koncertin e radhës duke sjellur në Kosovë Korin e suksesshëm Gospelchor am Münster nga Bazeli me dirigjentin e njohur Oliver Rudin, fitues i shumë shpërblimeve në festivale të ndryshme botërore përfshi dhe suksesin e tyre të fundit në World Choir Games (2021).

“Jemi të lumtur që këtë sezonë po e fillojmë me koncertin e parë në bashkëpunim me korin Gospelchor am Münster nga Bazeli. Programi do të jetë interesant dhe tejet atraktiv për audiencen. Pas suksesit që kishim në World Choir Games, tani po takohemi përsëri, kësaj radhe në një skenë të përbashkët. Tashmë jemi rikthyer me prova dhe energjinë pozitive që gjendet mes nesh, mezi po e presim koncertin e së hënës”, Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum

Koncerti i Gospelchor am Münster (Zvicër) me dirigjent Oliver Rudin dhe Siparantum Choir (Kosovë) me dirigjent Memli Kelmendi,  mbahet të hënën me 29 Gusht në ora 20:00 në Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Koncerti është mbështetur nga Komuna e Pejës dhe Kinema “Jusuf Gërvalla”. / KultPlus.com

Siparantum sjell korin e suksesshëm Gospelchor am Münster me koncert në Pejë

Kori Siparantum vjen më koncert në Pejë më 29 gusht ku do ta sjellë edhe korin e suksesshëm Gospelchor am Münster (Zvicër) me dirigjentin e njohur Oliver Rudin, përcjell KultPlus.

Njoftimi është dhënë në faqen zyrtare të korit Siparantum në Facebook.

KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Të dashur miq,

Jemi shumë të lumtur që në Kosovë do të sjellim korin e suksesëshëm Gospelchor am Münster (Zvicër) me dirigjentin e njohur Oliver Rudin, fitues i shumë shpërblimeve evropiane përfshi suksesin e tyre në Ëorld Choir Games. Ky koncert është si rrjedhojë e bashkëpunimit në mes të Korit Siparantum (Kosovë) dhe Gospelchor am Münster nga Baseli (Zvicër).

Mos e humbisni këtë koncert me një program tejet atraktiv. Koncerti mbahet me 29 Gusht në ora 20:00 në Kino “Jusuf Gërvalla”. Hyrja është gratis.

Koncerti është mbështetur nga Komuna e Pejës dhe Kino “Jusuf Gërvalla”./ KultPlus.com

‘Siparantum Choir’ mbyll edicionin e festivalit DAM

Të dielën përmbyllet programi kulturor i festivali DAM. Pas një edicioni me plotë aktivitete të muzikës serioze dhe një varg eventesh tjera kulturore, festivali DAM përmbyll edicionin e këtij viti nën interpretimin e Korit ‘Siparantum’ me Memli Kelmendin.

Të dielën me fillim nga ora 19:30, kori i njohur në kishën katolike ‘Shen Ndou’ do të përformoj para publiku në ditën mbyllëse të festivalit.

Festivali DAM filloi edicionin e sivjetmë më 24 korrik me një varg aktivitetesh, duke sjellë publikut kosovar tinguj të muzikës klasike dhe dokumentare e ngjarje të ndryshme kulturore.

Dokumentari mbi okarinën e Runikut, promovimi i librit nën fjalët e Shaqir Hotit, koncertet e nxënësve, çmimet për pianistin e ri, recitali i Gëzim Latifit dhe Elena Atanasovskas ishin disa prej aktiviteteve që e pasuruan edicionin e këtij viti të festivalit ndërkombëtar të muzikës në kryeqytet.

DAM festivali, ka një kohë të gjatë që sjellë në Kosovë risi në fushën e muzikës klasike duke qenë nikoqire e një numri të madh muzikantësh brenda e jashtë vendit.

Edicioni i sivjetmë ishte edicioni i 17-të me radhë./Express/ KultPlus.com

Kori Siparantum shënon 5 vjetorin e themelimit me koncert kushtuar sukseseve përgjatë këtyre viteve

Në qytetin e Pejës, në KINO “Jusuf Gërvalla” në Pejë, është mbajtur koncert i 5 vjetorit të themelimit të Korit Siparantum, përcjell KultPlus.

Koncertit i ka paraprirë një dokumentar (22min) kushtuar sukseseve të korit përgjatë këtyre 5 viteve.

Programi ka përfshirë vepra të kompozitorëve të njohur botëror dhe shqiptarë të periudhave të ndryshme stilistike deri tek muzika bashkëkohore.

Kori Siparantum përgjatë këtyre viteve vendit tonë i ka sjellur suksese dhe çmime të rëndësishme në muzikën korale; Pllakën e Artë dhe pikët maksimale në “Golden Lime of Tuhelj” Kroaci, fitues i kategorisë “Musica Contemporanea” në Ëorld Choir Games 2021 dhe fitues i Diplomës së artë, në Europian Festival for Young People në Belgjikë Kori Siparantum ka fituar të dy kategoritë F (Pennant Category) dhe G (Free Program).

Rikujtojmë që dy muaj më parë kori Siparantum ka përformuar në skenën e njohur me akustikën më të mirë në botë, Berlin Philharmonie, skenë kjo e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti.

Foto: Ardit Neziri / KultPlus.com

Kori Siparantum mban koncert për nder të 5-vjetorit të themelimit

Kori Siparantum është duke bërë përgatitjet e fundit për koncertin e nesërm që shënon 5 vjetorin e themelimit të korit. Një rrugëtim i gjatë me plotë sfida dhe suskese. Përgjatë këtyre viteve Kori Siparantum ka shënuar suksese të shumëta duke qënë pjesëmarrës në festivale të ndryshme evorpiane, duke i sjellur vendit tonë suksese dhe shpërblime të shumëta . Fitness i Pllakës së artë në “The Golden Lime of Tuhelj”, Kroaci;  Fitness i kategorisë “Musica Contemporanea” në “World Choir Games 2021” dhe fitues i Diplomës së artë; fitues i kategorisë G dhe kategorisë më të vështirë (Kategoria Pennant). Kori Siparantum së fundmi ka përformuar në sallën më të më të njohur, me akustikën të mirë në botë “Berlin Philharmonie” e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti. 

“Janë 5 vite punë, sakrificë dhe përkushtim maskimal. Do të thoja që ne kemi bërë një punë shumë të mirë pa u ndalur asnjëherë, ndonëse të gjithë ne funksionojmë mbi bazë vullnetare. Nuk e do të besoja që brenda një periudhe kaq të shkurtër ne do të prekim gjitha këto suksese. Kjo tregon rëndësinë e punës që ne bëjmë si shoqëri. Të gjithë ata që duan të shohin nga afër punën tonë, këtë mundësi do të kenë në koncertin e nesërm, program të cilin e konsideroj si njëri prej më të mirave deri më tani”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i Korit Siparantum. 

Koncerti do të mbahet, nesër e shtunë me 18 qershor në Kino “Jusuf Gërvalla” në Pejë në ora 20:00./ KultPlus.com