Puna dhe përkushtimi si “dirigjues” të suksesit, Kelmendi: Gjithmonë kemi dashur t’i sjellim fitoren vendit tonë

Uranik Emini

Një punë ekipore dhe patjetër e ndërsjellë, mes dirigjentëve dhe muzikantëve që e ndjekin atë, e ka arritur me sukses kori “Siparantum” i drejtuar nga dirigjenti Memli Kelmendi. Edhe pse arti i dirigjimit ekziston prej shekujsh, në Kosovë nuk vlerësohet dhe diskutohet për të sa duhet. Dirigjimi përpos përgjegjësisë fillimisht, është një punë që në radhë të parë kërkon besim, inteligjencë dhe aftësi të shkëlqyera si njerëzore ashtu edhe muzikore. Kosova është ngritur në majat më të larta në botë sa i përket muzikës klasike përmes korit “Siparantum”, të udhëhequr nga Kelmendi, shkruan KultPlus.

Dirigjenti Memli Kelmendi ka arritur që të korr suksese të mëdha me korin që ai udhëheq dhe realisht, suksesi ishte gjëja për të cilën ai kishte punuar më së shumti.

I rritur në një familje muzikantësh, Kelmendi rrëfen për KultPlus se muzikën e ka të trashëguar nga babai i tij, Xhevat Kelmendi (kantautor), i cili mes tjerash ishte edhe kritiku më i madh në këtë fushë, derisa ai flet edhe për jetën e tij në fëmijëri, studimet në fushën e muzikës, punën e tij të parë, puna si një profesor dhe sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur.

KultPlus: Memli, ju jeni një dirigjent i suksesshëm, i pëlqyer nga publiku dhe keni fituar çmime të shumta, a do të thotë kjo se edhe në kohën e fëmijerisë jeni shquar për muzikë?

Memli Kelmendi: Muzikën e kam trashëgim nga babai im, Xhevat Kelmendi (kantautor). Me muzikë jam rritur, babai im ka qenë çdoherë kritikuesi më i madh (në kuptimin pozitiv). Daja im i ndjerë, Refik Çakolli ka qenë këngëtar poashtu. Si fëmijë kam qenë pjesëmarrës në festivale të ndryshme, kjo ka bërë që unë të vazhdoj pikërisht muzikën. Dashuria për muzikën lindi që nga fëmijëria.

KultPlus: Cili mendoni se ka qenë momenti kyç kur ju keni filluar që të merreni me muzikë dhe realisht edhe ta studioni si lemi?

Memli Kelmendi: Siç e potencova më lartë, unë që në fëmijëri jam rritur nën ndikimin e muzikës së së bukur shqipe, serenatave korçare, këngëve arbëreshe, muzikës së lehtë. Muzikën klasike e kam pelqyer dhe kjo është dëgjuar në shtëpinë tonë, ndonëse në familjen time askush nuk ka studiuar për muzikën klasike. Regjistrova fakultetin e muzikës dhe muzika gjithnjë e më shumë bëhej pjesë e jetës.

KultPlus: A janë sfiduese studimet në fushën e muzikës?

Memli Kelmendi:  Mendoj që po, veçanërisht këtu në vendin tonë. Kur isha student mendoja krejtësisht ndryshe, sot sigurisht që mendoj edhe më ndryshe. Ndoshta përvoja e ka bërë të veten apo kontakti me njerëz të fushës profesionale. Unë shpesh bisedoj me nxënësit apo me studentët për tema të tilla dhe të ndryshme të cilat lidhen me sfidat studimore. Pavarësisht jetës studentore, ne duhet të kërkojmë rrugë, rrugë të cilat na shpien drejt suksesit. Ato janë të shumëta!

KultPlus: Kur keni diplomuar, në atë kohë Kosova ishte e re si shtet dhe realisht mundësitë që të kyceshit në punë ishin më ndryshe. Kur dhe ku keni filluar punën tuaj të parë?

Memli Kelmendi: Pasi përfundova fakultetin, unë u punësova në Shkollën e mesme të muzikës “Halit Kasapolli” (2010) në Pejë. Në fillim ligjërova lëndët Teknologji muzikore dhe Lexim partiturave pastaj më vonë më është dhënë këndimi koral. Natyrisht që 12 vite më parë kishte më pak të diplomuar prandaj mundësia e punësimit ishte më afër.

KultPlus: Ka vite që tanimë po udhëhiqni korin “Siparantum”, por si ka qenë karriera juaj përpara këtij kori, çfarë keni bërë në profesion konkretisht?

Memli Kelmendi: Kori i shkollës së mesme të muzikës “Halit Kasapolli” ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e muzikës korale në Pejë. Janë mbajtur 7 edicione të muzikës korale, koncerte me vepra stilistike të periudhave të ndryshme, që nga renesanca deri tek muzika bashkëkohore. Çdo herë kam qenë insistues në përzgjedhjen e repertorit, stileve të ndryshme të repertorit koral botëror. Në vitin 2014 u nis një iniciativë vulletare në formimin e korit “Peja” (2014) , një frymë e re artistike për qytetin e Pejës. Me përkrahjen e Qendres Rinore “Atë Lorenc Mazreku” dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, menjëherë kori bëri lëvizjen e parë duke prekuar “Basilica di San Marco” Venecia, që ndryshe njihet si Pasuria e Njerëzimit, pastaj një koncert tjetër në “Mestre” dhe “San Lio” në Venezia. Në vitin 2017, u formua Kori Siparantum, gjithnjë duke u bazar në formë vullnetare me ide të promovimit të kulturës dhe muzikës korale shqiptare në vende të ndryshme të botës. Ide e cila rezultoi me shumë sukses.

KultPlus: A mund të na tregoni ndonjë rast vështirësie ose veçantie qe lidhet me punen tuaj si dirigjent? Njerëzit që merren me muzikë në Kosove kryesisht përballen me situata të vështira, a ju ka ndodhur juve që të përballeni me ndonjë situatë të veshtire ose diçka të ngjashme?

Memli Kelmendi: Hmmm, vështirëssitë janë të ndryshme, të natyrave të ndryshme. Profesioni i dirigjentit në vendin tonë është vërtetë i vështirë. Kërkon punë, sakrificë dhe sigurisht që është sfiduese. Kushtet dhe rrethanat që ne rrethohemi si shoqëri, sigurisht që është vështirë. Nganjëherë është më vështirë të dëpërtosh këtu (në Kosovë) se kudo tjetër në botë. Puna është se ne jetojmë të rrethuar me gjëra të vogla ndërsa bota është vërtetë e madhe. Sigurisht që ballafaqohem me sfida të ndryshme. Fokusi im/ynë është që duke e ditur që ky profesion kërkon përkushtim dhe sfidë, ne duhet punuar maksimalisht pavarësisht problemeve të cilat mund të paraqiten gjatë rrugëtimit me qëllim të promovimit, zhvillimit të kulturës sonë në vende të ndryshme të Evropës. E përmenda më lartë, jeta e artistit në Kosovë është vërtetë e vështirë. Duhet punuar disa punë, disa projekte për të bërë një jetë solide. Mbi të gjitha rëndësi ka që shpirtësisht jeta e artistit është e pasur, me ide për të sjell dicka të bukur për shoqërinë tonë.

KultPlus: Ju keni arritur që të fitoni shumë çmime nëpër festivale të ndryshme nëpër Evropë dhe jo vetëm, a keni menduar se do ta arrini gjithe këtë sukses ndonjë ditë?

Memli Kelmendi: Me punë, sakrificë dhe përkushtim arrihet çdo gjë. Unë besoja në suksesin, puna sjell sukses. Nuk do të besoja që brenda një periudhe kaq të shkurtër do të prekim suksese të tilla sepse problemet me të cilat rrethohemi shpeshherë vështirësojnë rrugëtimin e suksesit, që nga procesi i vizave deri tek gjëra të tjera. Ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë. Kemi punuar vërtetë shumë, shumë, shumë! Pjesëmarrja e korit në festivale të ndryshme ka ndikuar vërtetë shumë (për të mirë), kemi mësuar shumë nga kjo përvojë përgjatë këtyre viteve, megjithatë ne ende jemi të rinj.

KultPlus: Kori “Siparantum”, po vazhdon që t’i sjell Kosovës çmime të ndryshme, a keni marrë mbështetje të mjaftueshme nga Qeveritë e Kosovës ndër vite?

Memli Kelmendi: Do të thoja që tani është më mirë se herave të tjera. Qasja ndaj korit është shumë më mirë, njerëzit kanë kuptuar rëndësinë e punës që ne bëjmë, në formë vullnetare. Kori Siparantum tashmë ka hyrë në rrjetin e koreve evropiane, botërore. Për të realizuar një projekt jashtë vendit, duke marrë parasysh që në korin tonë janë mbi 45 persona, atëherë vërtetë kjo kërkon fonde të mëdha. Falë përkrahjes institutionale dhe duke mos harruar sponzorëve dhe artdashësve, ne po arrijmë që ëndërrat tona t’i bëjmë realitet.

KultPlus: Cili është çmimi më i madh që e keni fituar të cilin ju e veçoni dhe nuk do ta harroni asnjëherë?

Memli Kelmendi: Ndonëse ne kemi dal të paret me pikët maksimale në festivalin “Zlatna Lipa Tuhlja” në Kroaci në mesin e 16 koreve pjesëmarrëse, së fundi në Europian Festival for Young People – EMJ në Neerpelt ne kemi fituar Kategoritë (vendin e parë) G dhe F (kategoria më e vështirë), për neve çmimi më emocional dhe më i rëndësishëm mbetet fitorja në kategorinë “Musica Contemporanea” në WORLD CHOIR GAMES 2021. Sigurisht, vet pjesëmarrja qe një rezultat i madh për ne, muzikën korale dhe shtetin tonë. Ishim tejet të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale ne arritëm të vendosim shtetin tonë përbrenda garës më të madhe korale në botë. Të gjithë e donim suksesin, kjo vërehej në fytyrën e secilit anëtarë të korit. Ne donim që vendit tonë t’i sjellim fitore, kështu ndodhi. Jam tejet i lumtur që puna jonë është vlerësuar shumë nga kritikë të shumtë të muzikës që ishin nga mbarë bota, kjo tregonte rëndësinë e punës që ne po bëjmë. Kemi punuar gjatë, e në fund ezultuam me suksese. Ne kemi hyrë në Top 1000 best choirs of the world të INTERKULTUR dhe akutalisht ne renditemi në pozitën 460. Vërtetë ky është një sukses tepër i madh për vendin tonë! Duhet cekur poashtu rëndësinë e pjesëmarrjes së Korit Siparantum muajin e kaluar në sallën më të njohur me akustikën më të mirë në botë, Berlin Philharmonie e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Jemi tejet të lumtur që arritëm të prekim njëren prej skenave më të rëndësishme të muzikës, skenë në të cilën kanë kalaur artistët më të mëdhenj botërorë.

KultPlus: Në korin “Siparantum” ka anëtarë të shumtë dhe performancat e juaja gjithnjë sjellin dicka të re, e energji të madhe te publiku, sa është e veshtirë që të punosh me shumë njerëz dhe si e vlerëson suksesin e këtij kori?

Memli Kelmendi: Me formimin e korit Siparantum, ideja ishte që të bëjmë diçka më ndryshe, diçka që do të ngacmonte audiencën. Kjo ka funksionuar. Kori tashmë identifikohet me levizje koreografike, gjëra të papritura të cilat ndodhin gjatë përformancës. Muzika në fakt duhe të prek emocionin, nese këtë e arrijmë të bëjmë përmes tingullit atëherë mendoj që kemi arritur sukses. Programi ynë është laramani stilesh të ndryshme, ne duam që të gjithë të marrin dicka nga paraqitja jonë. Kështu në këtë formë ne aplikojmë edhe kur jemi në festivale garuese, ne tashmë kemi ndërtuar stilin tonë. Për korin kjo pjesë është vërtetë e lodhshme sepse fokusi nuk është vetëm vokali, por koristët këtë e bëjnë me shumë dashuri.

KultPlus: Tutje, përpos punës suaj si një dirigjent, ju jeni edhe profesor në universitetin AAB, si është të edukosh kolegët e tu të ardhshëm?

Memli Kelmendi: Ne u referohemi literaturave, hulumtimeve të ndryshme por gjithnjë ne diskutojmë dhe analizojmë edhe përvojat tona këtu. Puna me studentë është vërtetë impresionuese. Për mua është një përgjegjësi sepse profesioni i të qenurit dirigjent është vërtetë dicka komplekse, prandaj unë cdoherë mundohem maksimalisht që të bazohem në praktika të ndryshme me qëllim që studentët të përfitojnë prej këndvështirmeve të ndryshme. Sot kemi vërtetë gjenerata të mira, por ajo që unë insistoj është që atyre të ju japim shpresë dhe t’u tregojmë që sukseset kulminante mund të prekën edhe nga këtu, vetëm duhet punë!

KultPlus: A mendon se shkollat e muzikës po sjellin kuadro mjaftueshëm të kualifikuar në Kosovë?

Memli Kelmendi: Unë mendoj që shkollat e muzikës duhet të punojnë më shumë në zhvillimin e muzikës korale dhe vecanërisht krijimin e orkestrave dhe kuadrove të reja të cilat janë në nevojë. Çdo qytet potencialisht do të duhej të ketë një orkestër, asnjëherë nuk është vonë. Unë e di që në shkollat e muzikës punohet maksimalisht por mendoj që fokus kryesor do të ishte zhvillimi i kuadrove në nevojë, drejtime të reja të cilat janë në mungesë në vendin, e qytetin tonë.

KultPlus: Në fund, por jo nga rëndësia, cilat janë planet e tua të ardhshme që mund t’i ndash me lexuesit e KultPlus, çfarëdo qoftë edhe nga koncertet e radhes apo edhe karriera jote?

Memli Kelmendi: Me datën 18 qershor në Pejë ne kemi koncertin që shenon 5 vjetorin e themelimit të Korit Siparantum. Jemi duke punuar shumë dhe gjatë për këtë koncert. Pastaj, në fillim të muajit të ardhshem do të jemi në Prishtinë, në fillim të muajit korrik.

Dirigjentët janë profesionistë që nuk lavdërohen kurrë siç duhet për punën që bëjnë. Në hap me muzikantët, dirigjentët jo vetëm veprojnë si udhërrëfyes, por edhe zgjedhin punën që bëjnë këta të fundit. Lajmet si “Kori Siparantum nga Kosova merr çmimin e parë/kryesor” në festivale të ndryshme prej kohësh tradicionalisht janë bërë të pranishme muaj pas muaji e festival pas festivali nëpër portalet e vendit, e gjithë kjo falë punës dhe suksesit të madh që ky kor ka arritur dhe po arrin ndër vite. Në anën tjetër, promovimi i vlerave kulturore të Kosovës në skenat më të mëdha botërore, mbetet misioni kryesor i tyre. /KultPlus.com

Dirigjenti Kelmendi prezanton kompozimin ‘Me nji lule’: Jam shumë i lumtur që ia sollëm dy çmimet e para vendit tim, Kosovës

Kori Siparantum po merr pjesë në festivalin evropian, “European Music Festival for Young People” dhe së fundmi dirigjenti Memli Kelmendi ka ndarë disa momente fantastike nga ky rrugëtim, përjcell KultPlus.

“Gjatë qëndrimit tim në Neerpelt me ftesë të festivalit EMJ mbajta punëtorinë me temë “Muzika korale e Kosovës”, në fokus ishte prezantimi i kompozimit “Me nji lule” i cili u kompozua posaçërisht për festivalin EMJ në kuadër të projektit WeBeUni Ted”, ka shkruar Kelmendi në rrjetet sociale.

Në këtë punëtori morën pjesë mbi 170 anëtarë të korit; Stelute cors, Rumani; Siparantum Choir, Kosovë; Jeugdkoor Villanella, Belgjikë; Zërat Mashkullorë të Korit të Djemve Lucern, Zvicër dhe Jeugdkoor Waelrant, Belgjikë.

“U jam shumë mirënjohës dirigjentëve të këtyre koreve që punuan kompozimin tim “Me një lule” në gjuhën shqipe. Jam mahnitur nga puna, perkushtimi i koristereve dhe jam shume i lumtur qe kjo u realizua ne “Happening Concert”, moment dhe eksperience qe nuk do ta harroj kurre”, ka thënë ai.

Më poshtë ua sjellim postimin e tij të plotë:

Momente fantastike nga Festivali @TAG. Jam vërtet i lumtur dhe i befasuar me mikpritjen e festivalit që më është bërë mua dhe gjithë Korit Siparantum.
Gjatë qëndrimit tim në Neerpelt me ftesë të festivalit EMJ mbajta punëtorinë me temë “Muzika korale e Kosovës”, në fokus ishte prezantimi i kompozimit “Me nji lule” i cili u kompozua posaçërisht për festivalin EMJ në kuadër të projektit WeBeUni Ted.
Në këtë punëtori morën pjesë mbi 170 anëtarë të korit; Stelute cors, Rumani; Siparantum Choir, Kosovë; Jeugdkoor Villanella, Belgjikë; Zërat Mashkullorë të Korit të Djemve Lucern, Zvicër dhe Jeugdkoor Waelrant, Belgjikë. U jam shumë mirënjohës dirigjentëve të këtyre koreve që punuan kompozimin tim “Me një lule” në gjuhën shqipe. Jam mahnitur nga puna, perkushtimi i koristereve dhe jam shume i lumtur qe kjo u realizua ne “Happening Concert”, moment dhe eksperience qe nuk do ta harroj kurre.
Anetaret e Siparantum Choir ishin pjese e Workshop-it “singing backing vocals of popsongs”, realizuar nga @TAG, nje mundesi fantastike per koret tona per te punuar me nje njeri brilant si Jo. Gjithashtu, koret tona ishin pjese e seminarit te koleksionit tim ague @TAG.
600 vullnetarë! – Po 600! I magjepsur nga vullneti, përkushtimi i çdo personi që takova gjatë ditëve në festival. Një qytet i tërë i organizuar për këtë festival. Kjo tregon traditën 70 vjeçare të festivalit.
Jam shumë i lumtur që ia sollëm dy çmimet e para vendit tim Kosovës. Puna që po bëjmë si shoqëri po vlerësohet kudo. Kjo tregon se jemi të barabartë me shtetet tjera që kanë traditë shekullore të muzikës korale. Puna, përkushtimi dhe përkushtimi që i bëjmë vendit tonë sjellin rezultate të tilla. Kemi marrë çmimin e parë në kategorinë G dhe çmimin e parë në kategorinë F. Kategoria F (Kategoria Pennant), ishte kategoria më e vështirë sepse në këtë kategori ishte përbërja e detyruar “Laudes Paschales” e kompozitorit Kristian Van Ingelgem. Jemi vërtet të lumtur që patëm rastin të takojmë kompozitorin Kristian Van Ingelgem, Maarten Van Ingelgem dhe jemi shumë me fat që Siparantum Choir këndoi këtë Premierë Botërore, i cili vlerësoi lartë performancën e korit.
Shumë faleminderit presidentit të festivalit EMJ, Rutger Nuyts
Drejtori artistik Frans Ulens, @TAG, @TAG,Jan Coninx, @TAG, @TAG, @TAG, Naim; Kryetari i Bashkisë Peelt, Frank Smeets dhe i gjithë ekipi i festivalit fantastik. Ketu takova shume miq me te cilet jemi takuar edhe me pare ne shume festivale te ndryshme europiane, takova shume miq te rinj, dirigjente dhe shume kore qe moren pjese ne kete festival. Festivalet kryesore japin mundësi të tilla!
Këtu u ndjeva si në shtëpi. Në koncertin përmbyllës “Laureaten Concert” kori ynë u zgjodh nga Juria për të qenë pjesë e programit përmbyllës. Juria zgjodhi veprën “Pax” e cila mbetet një nga vlerësimet më të larta në festivalin, “Laudes Paschales” dhe “Nyon”. Sa do të doja të kishim një video nga performanca e fundit kur ftova për të realizuar pjesën e fundit anëtarin e jurisë, mikun tim, @TAG. Një surprizë e bukur që askush nuk e dinte. Ishte momenti me i bukur i festivalit :)))
Të gjithë jemi të impresionuar dhe mirënjohës.
Do të takohemi përsëri. / KultPlus.com

MKRS-ja krenohet me arritjet e korit “Siparantum”

Kori “Siparantum” është vlerësuar me dy çmime të para në Festivalin Evropian të Muzikës në Belgjikë, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses ka shkruar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilët u krenuan me arritjet e korit.

Postimi i plotë:

“Kori “Siparantum” me dy çmime të para në Belgjikë Kori “Siparantum” po promovojnë vlerat kulturore të vendit tonë në skenat më të mëdha botërore. Kësaj radhe ata morën dy çmime të para në Festivalin Evropian të Muzikës në Belgjikë.Vitin e kaluar kori i udhëhequr nga dirigjenti Memli Kelmendi mori vendin e parë në festivalin dhe garën më të madhe korale në botë, “World Choir Games”.Krenari dhe nder të shohim vlerësime dhe suksese të tilla”, thuhet në njofitmin e MKRS-së. /KultPlus.com

Kori ‘Siparantum’ fiton vendin e parë edhe në Kategorinë F në Festivalin Evropian për të rinjtë

Kori Siparantum po merr pjesë në festivalit evropian, “European Music Festival for Young People”,shkruan KultPlus.

Dje ky kor fitoi çmimin e parë në Kategorinë G nërkaq sot, ‘Siparantum’ fitoi vendin e parë edhe në kategorinë F.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë dirigjenti Memli Kelmendi përmes një postimi në Facebook.

“Sapo fituam vendin e 1-rë në kategorinë F (Kategoria Pennant). Kështu për dy ditë morëm dy çmime, dy vendet e para në Festivalin Evropian për të rinjtë. Kori Siparantum është zgjedhur për të performuar sonte në “Laurente Concert” – Con Bravura”, ka shkruar Kelmendi./ KultPlus.com

Kori ‘Siparantum’ fiton çmimin e parë në kategorinë G në “European Music Festival for Young”, nesër garon në kategorinë F

Kori Siparantum po merr pjesë në festivalit evropian, “European Music Festival for Young People”,shkruan KultPlus.

Ky kor ka fituar çmimin e parë në Kategorinë G, ndërkaq nesër do të garojnë edhe në Kategorinë F.

Kombinimi i angazhimit social dhe krijimit të muzikës së bashku e bën Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinjtë një ngjarje unike në Evropë! Neerpelt tashmë po përgatitet për edicionin e 70-të të festës më të madhe të muzikës në Evropë.

Në këtë edicion do të marrin pjesë 50 kore nga 11 vende që vijnë nga e gjithë bota.

Siparantum do të garon në dy kategori. Repertori i korit përmban vepra stilistike të periudhave të ndryshme që nga Renesanca, muzika shqiptare deri tek muzika bashkëkohore. Kënga e vjetër fllamane “’Ik seg adieu” (1544), vepër e obligueshme në festival do të paraqitet me një version ndryshe e cila është përpunuar enkas për këtë konkurs, nga kompozitori dhe dirigjenti i korit Memli Kelmendi./KultPlus.com

Kori ‘Siparantum’ me një tjetër sukses, pjesëmarrës në festivalin evropian të muzikës korale

Kori Siparantum do të jetë pjesë e festivalit evropian, “European Music Festival for Young People” që do të mbahet në Belgjikë më 29 Prill deri 2 Maj 2022, shkruan KultPlus.

Kombinimi i angazhimit social dhe krijimit të muzikës së bashku e bën Festivalin Evropian të Muzikës për të Rinjtë një ngjarje unike në Evropë! Neerpelt tashmë po përgatitet për edicionin e 70-të të festës më të madhe të muzikës në Evropë.

Në këtë edicion do të marrin pjesë 50 kore nga 11 vende që vijnë nga e gjithë bota.

Siparantum do të garon në dy kategori. Repertori i korit përmban vepra stilistike të periudhave të ndryshme që nga Renesanca, muzika shqiptare deri tek muzika bashkëkohore. Kënga e vjetër fllamane “’Ik seg adieu” (1544), vepër e obligueshme në festival do të paraqitet me një version ndryshe e cila është përpunuar enkas për këtë konkurs, nga kompozitori dhe dirigjenti i korit Memli Kelmendi.

Pjesë e programit do të jetë poashtu vepra “Laudes Paschales” (vepër e obligueshme) e Kristiaan Van Ingelgem, një vepër shumë komplekse dhe interesante. Përppos pjesës garuese kori Siparantum është përzgjedhur nga festivali që të jetë pjesë e ngjarës “Happening”, një koncert tradicional që bashkon zëra nga e gjithë botë. Kori do të paraqitet me tre vepra të stileve të ndryshme, të cilat do të jenë në shoqërim të pianistit tonë të njohur, Agron Shujaku.

Me ftesë të festivalit “European Music Festival for Young People”, është organizuar një Workshop (punëtori) për “Muzikën korale kosovare” e cila do të ligjrohet nga dirigjenti, Memli Kelmendi.

“Antarët e korit përgjatë këtyre muajve kanë bërë një punë fantastike. Një rrugëtim që nuk ka qenë aspak i lehtë sepse të them të drejten repertori ynë në të shumtën e rasteve ka ndryshuar, nuk ka qenë i njejtë, pavarësisht vendeve dhe skenave të ndryshme që kemi përformuar në Evropë. Ne jemi në vazhën e provake intenzive, dua të besoj në suksesin e radhës, uroj të paraqitemi suksesëshëm”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit Siparantum.

Kori do të paraqitet pranë një jurie profesionale, emra ndër më të njohurit të muzikës korale sot në botë.

Rikujtojmë që kori Siparantum, së fundi është shpallur fitues i kategorisë “Musica Contemporanea” në World Choir Games (2021).

Së fundi kori është paraqitur me sukses në sallën më të njohur të muzikës klasike, Berlin Philharmonie, e cila konsiderohet ëndërr e çdo artisti. /KultPlus.com

Siparantum: Jemi të lumtur që për herë të parë në histori një kor nga Kosova ngjitet në skenën më të rëndësishme të muzikës

Së fundmi Kosova ka performuar në Filarmoninë e Berlinit, gjë që është historike. Ishte Kori Siparantum ai që shënoi këtë sukses të radhës në kuadër të muzikës korale kosovare, shkruan KultPlus.

Kori Siparantum tashmë është bërë pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë “Berlin Philharmonie”. Për këtë sukses ka reaguar edhe vetë Kori nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

Jemi vërtetë të lumtur që për herë të parë në historinë e muzikës korale shqiptare, një kor nga Kosova ngjitet në skenën më të rëndësishme të muzikës, #BerlinPhilharmonie

Në këtë skenë kanë përformuar artistët më të mëdhenj të muzikës klasike në botë, që konsiderohet ëndërr e çdo artisti. Përgatitjet për këtë koncert kanë filluar tash e disa muaj falë vullnetit dhe sakrificës së koristëve për me qellim të përbashkët të promovimit të vlerave tona kulturore në skenat më të mëdha botërore.

Falenderojmë të gjithë përkrahësit tonë të cilët bënë të mundur që #SiparantumChoir të prek një ndër skenat më të mëdha të muzikës në botë siç është Berlin Philharmonie“, ka shkruar Kori.

Fotografitë: Peter Adamik / KultPlus.com

Anton Çivlaku performon në instrumentin e Lahutës përballë sallës më të njohur koncertale në botë (VIDEO)

Së fundmi Kosova ka performuar në sallën më të njohur koncertale në botë, “Filharmoninë e Berlinit”, gjë që është historike. E Kosovën më së miri e prezantoi Kori Siparantum i cili po vazhdon të shënojë histori për muzikën korale kosovare, shkruan KultPlus.

Duke shënuar suksese të njëpasnjëshme, Kori Siparantum mori pjesë në Filharmoninë e Berlinit në kuadër të ‘Choral Celebrations’ në mars të vitit 2022.

Ndërkaq, sot KultPlus ua sjell një video të shkëputur nga performanca e Anton Çivlakut në instrumentin e Lahutës, në kishën St. Matheus, ballë për ballë sallës së Filharmonisë së Berlinit. / KultPlus.com

Kori Siparantum shënon një tjetër histori, bëhet pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë “Berlin Philharmonie”

Kori Siparantum është duke shënuar suksese të njëpasnjëshme si brenda dhe jashtë Kosovës, me ç’rast së fundmi Kori është bërë pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë “Berlin Philharmonie”, përcjell KultPlus.

Kori Siparantum po vazhdon ta shënojë historinë e radhës për muzikën korale kosovare, duke u bërë pjesë e sallës më të njohur koncertale në botë, Berlin Philharmonie në kuadër të ‘Choral Celebrations’ në mars të vitit 2022.

Dirigjneti Memli Kelmendi ka bërë të ditur se kjo është hera e parë që një grup koral nga Republika e Kosovës ftohet që të marr pjesë në një ngjarje të tillë të rëndësishme kulturore.

“Ky lajm vjen pas suksesit të Korit Siparantum në olimpiadën e muzikës korale “World Choir Games”.
Linku zyrtar i agjendës koncertale në Berlin Philharmonie. Së shpejti do të ju njoftojmë për detajet e tjera”, ka shkruar ai në rrjetet sociale. / KultPlus.com

https://www.berliner-philharmoniker.de/en/concerts/calendar/details/54269/?fbclid=IwAR27_E-oDooozrHKxspTfu1FpmQ_aP-b2_a5Kf2Wsy4XOXA2Is1XPWj0XsI

https://www.berliner-philharmoniker.de/en/concerts/calendar/?fbclid=IwAR3HDbvQnYfJ8lGdYiPdB1ovOdQul87hR-D4s6BMF9u3r7pTnU-zV6enWfo

Dirigjenti Memli Kelmendi: Ne prekëm magjinë me “World Choir Games”, por kemi edhe një ëndërr

Era Berisha

Mjeshtëria dhe karizma, këto dy elemente unike të ndërlidhura në mes vete kanë futur thellë rrënjët e tyre në dhënësin e përjetshëm të ritmit, dirigjentin Memli Kelmendi, i cili me energjinë, intensitetin e befasitë drithëruese, ka bërë shumë më tepër sesa thjesht tundjen e duarve në ajër. Pulsi i muzikës klasike frymon brenda stilit të pakrahasueshëm të tij, i cili nëpërmjet lëvizjeve koreografike që çdo herë përvijojnë rrahjet e pakontrolluara të publikut, ai ka arritur të krijoj vepra që përherë do të jetojnë në kujtesë, dekadë pas dekade. E me një përkushtim e dashuri aq të madhe ndaj punës, ai me Korin Siparantum, përfaqësoi Kosovën për herë të parë në historinë e shtetit tonë, dhe jo vetëm. Në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht ky kor i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, e që bëri krenarë një popull të tërë për një sukses që tundi nivelin e muzikës klasike në vend, me ç’rast në një intervistë ekskluzive për KultPlus ai ka rrëfyer për rrugëtimin e tij drejt kësaj ëndrre, një ëndërr që përgjatë realizimit të saj, ka ngjallur edhe ëndrra tjera, shkruan KultPlus.

Njëfarë lloj çudie mistike ende vazhdon ta rrethojë natyrën e krijimtarisë së këtij dirigjenti teksa ai qetësisht qëndron në podium. Figura e tij misterioze me vetëm një copë druri në dorë ose dhe ndonjëherë vetëm me duart e tij që herë portretizojnë flatrat e dallëndysheve që nën ritmin e veçantë njëherazi krijojnë melodi të papërshkruara e herë tjera krahët e tij që dukshëm i ngjasojnë një shqiponje, krahët e së cilës vrullshëm thyejnë ajrin me shpejtësinë e precizitetin e tyre. Njëjtë është edhe prezenca e tij në skenë që arrin të armatos prodhimin e zërit të dhjetëra e qindrave njerëzve që përdorin instrumente apo thjesht telat e zërit, për të sjell kështu një performancë artistike e krejtësisht autentike të veprave të njohura botërore e deri tek ato shqipe, përpara një publiku i cili gjithmonë kthehet në shtëpi me një përvojë që askush nuk do të mund ta harronte dot.

Audienca e cila shpeshherë është e bindur se e di saktësisht atë se çfarë do të mund të përcaktonte një dirigjent përgjatë një koncerti me një repertor të planifikuar, në rastin e dirigjentit Kelmendi, ndodh ndryshe. Pothuajse çdo herë pikasim fytyra të habitura të cilat para tyre shohin pasionin e zjarrtë në dy sy, djersët që vazhdimisht pikojnë, lëvizjet e pandalshme e pozicionin e trupit të tij si dhe gjërat e panumërta të cilat atë e vendosin në hapësirën ku ai fut tërë Korin nën një komandë, fuqia e së cilës luhatet mes nivelit të skajshëm të çmendurisë melodike e herë të tjera sjell tërbimin e qetësisë absolute të tingujve magjik.

Në anën tjetër, ajo që bie më së shumti në sy në vazhdën e performancave të tij, është stili i tij unik që gjithmonë inkuadron mënyra të veçanta të interpretimit duke sjell në jetë një partiturë muzikore e njëkohësisht duke komunikuar ndjenjat më të rafinuara që veprat përmbajnë brenda tyre, nëpërmjet një gjuhe individuale gjestesh, e cila thekson në çdo sekondë, nuancat e elementeve muzikore që vazhdimisht ripërtërihen në vetvete dhe fusin kthetrat e tyre përbrenda shpirtit të pranishëm. Ndërkohë, elementet koreografike të cilat ëmbëlsisht ndërlidhen me praninë e publikut, sjellin para publikut një skulpturë lëvizëse që skalit natën e një koncerti thellë brenda një kujtimi të paharrueshëm. E këtë veçanti të posaçme të dirigjentit, ne e marrim dhe e gdhendim në copëzat e qosheve të zemrave tona.

Ekzistenca e një dirigjenti të tillë në podium është shumë më shumë sesa vetëm prezenca e tij me shkop në dorë e veshjeje prej bishti. Detyra e pandalshme e tij vjen nga brendësia shpirtërore për të dirigjuar gjithmonë ritmin e duhur, të vendosë tempon e të vazhdojë ta kontrollojë atë dhe më pas, e jo vetëm. Përpos elementeve komponentë për një performancë të mirë, për të vënë vulë në secilën mbrëmje, dirigjenti Kelmendi shndërrohet në një metronom, prezenca e të cilit mban së bashku një Kor, si një zinxhir transparent e i pashkëputshëm mes tyre.

Ndërkohë, kemi një Kor individësh të cilët duan të ndihen plotësisht të realizuar, e ky plotësim vie pikërisht nga fokusi kolektiv i dirigjentit i cili në fakt është dëgjuesi më i mirë i rezultatit të punës së tyre. I njëjtë është edhe dirigjenti Kelmendi, i cili bënë që zëri hyjnor i pjesëtarëve në Kor të jehojë përtej mureve, aty ku ekziston prania e diçkaje më të madhe e ndoshta edhe më e madhe se vetë ne. E janë pikërisht zërat e Korit që dirigjohen saktë nga timoni i Kelmendit, e sytë e tyre që nguliten vazhdimisht tek ai, në mënyrë që tingëllima të jetë e njëjtë me atë së çfarë kërkohet. Pra, ura virtuale mes syve të tërë Korit dhe dirigjimit të Kelmendit, është ajo urë muzikore që përçon tek publiku emocionet më diversive të paramenduara ndonjëherë e që njëkohësisht shndrit tërë sallën porsi një univers, aty ku pafundësia e yjeve shndërrohet në nota muzikore që dirigjenti Kelmendi projekton para nesh.

I lindur në Pejë, pasioni për muzikën klasike ka ardhur qysh herët, me ç’rast dirigjenti Kelmendi kësaj radhe ka shpalosur pak për fëmijërinë e tij, frymëzimet e para në nisjen e karrierës së tij e për të mbërritur deri tek shpalosja e suksesit të Korit Siparantum, një sukses ky i cili si çdo nisje tjetër në jetë, fillet nuk i pati dhe aq të lehta, por që ende edhe sot zhurmshëm vazhdon rrugëtimin e tij drejt ambicieve të radhës që presin të trokiten nga ky Kor. Janë disa momente e çaste të ndryshme që dirigjenti ka vendosur ti tregoj përgjatë kësaj interviste që nisi me vendimin mbi përzgjedhjen e tij në karrierën e tij si dirigjent.

I rritur nga një baba kantautor e një familje ku muzika ishte burimi kryesor, interesimi i tij për meloditë e muzikës klasike fillimisht erdhi si një trashëgimi nga daja e tij, Refik Çakolli, por ky interesim vazhdoi të zgjohej akoma më shumë atëherë kur ai vazhdimisht ka pasur rastin ti shihte festivalet e ndryshme për fëmijë. Andaj, familja për të mbetet motivi kryesor me të cilin ai ende vazhdon ti synojë majat më të larta. Por që në fakt ishte babai, Xhevat Kelmendi, ai i cili e ka mbështetur atë më së shumti për të vazhduar interesimin për një karrierë në muzikë, duke e ndihmuar atë në çdo hap të jetës e duke qenë prezent aty me mbështetjen e tij e sakrificat e veta ndaj dirigjentit Kelmendi, i cili shprehet se për gjatë gjithë jetës do të jetë mirënjohës ndaj tij.

E kështu, kjo shtytje do të shënonte nisjen e një historie të jashtëzakonshme suksesi.

Udhëheqës i korit të shkollës së muzikës “Halti Kasapolli”, Korit të Fëmijëve “Siparantum Kids” dhe Korit “Siparantum”, me të cilin tashmë ka dëshmuar talentin e tij edhe jashtë Kosovës, dirigjenti Kelmendi posedon edhe një opus të gjerë e të pasur të kompozimeve të shumta të veprave të cilat janë luajtur para publikut në vende të ndryshme të botës. Por, duke qenë dirigjent i përhershëm i korit “Siparantum”, ai arriti suksesin e ëndërruar prej vitesh, e që i njëjti tani synon të arrijë edhe përtej kësaj, për të vazhduar ëndrrat e tjera të radhës.

Para së gjithash, ishin sfidat e ndryshme të cilat ndonjëherë shndërrohen në pengesa të mëdha që këto suksese të mos gjejnë vend në karrierën e një dirigjenti, me ç’rast disa prej tyre u konsideruan normale e disa prej tyre edhe banale. Por, sigurisht që gjatë procesit të punës për një rrugëtim kaq të gjatë e unik, janë pikërisht këto sfida e pengesa që do duhej të ndodhnin, në mënyrë që ai të forcohej edhe më shumë e ti bënte ballë gjithçkaje që potencialisht do të mund ta fuste kokën brenda rrugëtimit të tij artistik e plotësisht të veçantë.

“Kam shumë vepra të veçanta me të cilat ndjej një lidhje të fortë e prej të cilave sot ndihem shumë i lumtur. Jam krenar që kemi arritur të formojmë një Kor që tashmë ka marrë rrugëtimin botëror. Konsideroj që kjo është njëra prej veprave më të bukura që kam bërë deri më tani. Me këtë ne do t‘lëmi gjurmë ta pashlyeshme në muzikën tonë. Ka qenë dhe mbetet misioni im që rininë tonë, vullnetin dhe energjinë që kemi, ta shfrytëzojmë për të promovuar kulturën tonë në botë. Jemi në një rrugë të drejtë”, thekson ai.

Ndërsa, kur flasim për një përzgjedhje të një repertori perfekt për koncertin e tij, atëherë është pikërisht eksperimentalizmi, ai elementi që është konsideruar i domosdoshëm në çdo moment. Me një repertor asnjëherë të përsëritur në asnjë koncert, monotonia nuk ka pasur rastin që të futet përbrenda magjisë së vijës melodike në koncertet e dirigjentit Kelmendi, koncerte këto që ngërthejnë në vete një laramani stilesh, duke e bërë të veçantë punën e tij. Kurse, varësisht nga vendi, të pranishmit dhe rrethanave tjera, ai vendos vetë programin e koncertit por në një mënyrë të tillë që asnjëherë ai të mos tentojë të iu përshtatet rrethanave të tilla.

Është ëndrra e çdo dirigjenti që të prek vendet performuese më të mahnitshme në botë, e së bashku me prekjen, të përjetojë përhumbjen në këto vende magjike ku sytë e njeriut nuk do mund të kapnin të gjitha detajet e mundshme që krijojnë një atmosferë të jashtëzakonshme për të pranishmit që adhurojnë muzikën klasike. Por, se cili është vendi i preferuar ku ai ëndërron të performojë, e tregon vetë Kelmendi.

“Ne kemi prekur deri më tani njërën prej vendeve më të mëdha në botë, “World Choir Games”, për arsye se ëndrrat realizohen me punë. Por, në fakt, po, është edhe një vend të cilin ne e kemi ëndërr ta prekim, e që kjo do të ndodhë së shpejti”, shpalos Kelmendi.

Sipas tij, muzika dhe audienca, janë ato dy elementet me të cilat ai kryesisht punon. Qëndrimi indiferent ndaj artit që ai e krijon, asnjëherë nuk ndodh. Pra, nëse vepra është ‘atraktive’, ai nuk mund të qëndroj ‘statik’, por thjesht duhet që ai të inkuadrohet përbrenda muzikës që ai e krijon në ato momente.

“Dua që audienca të jetë sa më afër skenës dhe jo më larg saj. Jam dirigjent që ndërtoj stilin tim, prandaj unë inkuadrohem brenda lëvizjeve koreografike. Pra, luftoj të kem stilin tim”, thotë ai.

Për Kelmendin, të qënurit dirigjent i pavarur në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë për arsye se ky vend nuk jap mundësi, prandaj edhe pas studimeve të tij ai kishte vendosur mes dy zgjedhjeve; të ndenjurit në shtëpi e gëzimit se ai është një dirigjent i diplomuar apo të vazhdonte punën e tij e mendimin e tij të pavarur.

“Kjo është sfidë, prandaj e sfidova vetën time, zgjodha opsionin e dytë. Jam shumë i lumtur që puna ime vlerësohet kudo, pak ka rëndësi sa vlerësohemi këtu. Thjesht unë po e përmbushi misionin për të cilin jam betuar si artist – promovimi i të rinjve, muzikës, kompozitorëve dhe kulturës sonë në botë. Këtë edhe e kemi dëshmuar. Por, përgjatë këtij rrugëtimi tim, ndoshta disa prej punëve që sot i bëj, është dashur ti bëj më herët. Mund të jem edhe në gabim sepse faktori kohë ndikon shumë, ndoshta këto kanë funksionuar më shumë në këtë kohë tani. Për këtë rrugëtim nuk kam qenë edhe shumë i informuar, nuk kam pasur këshilla që dikush të më orientonte për punën që bëj sot. Prandaj, duke u nisur nga ky fakt unë shpesh hapi tema me studentët dhe nxënësit në lidhje më këtë sepse mendoj që kjo gjuhë do të ishte shumë e nevojshme edhe për mua kur unë isha student i tillë”, thotë Kelmendi.

Në mesin e rrëfimit, ai tregon se varësisht nga vepra, stili dhe përmbajtja e veprës, ai posedon një dëshirë të madhe që artistët të shohin një vepër “sikur një film”. Ekzistojnë shumë raste kur ai një vepër e ka trajtuar në atë mënyrë, e kjo vjen edhe si pasojë nga puna të cilën ai e bënë me filmin dhe teatrin, me ç’rast domosdo ka ndikuar që të kuptohet më shumë rëndësia e muzikës. Ai tutje konsideroi se secila vepër ka dhe karakterin e saj, prandaj ai dëshiron që të jetë brenda karaktereve të ndryshme, e që sipas tij, kjo është vlerësuar kudo që Kori ka qenë pjesë e festivaleve të ndryshme në botë.

“Disa nga muzikantët/kompozitorët e mi të preferuar janë: Arvo Pärt, Henryk Górecki, Dmitri Shostakovich, Eric Whitacre, Gustav Mahler e shumë të tjerë. Gjithashtu, është e vërtetë që ka shumë vepra të bukura në botë dhe është shumë e vështirë të zgjedhësh njërën prej tyre dhe të thuash se “kjo është më e mira”. Unë hulumtoj shumë në këtë aspekt, andaj dhe programet për koncerte i punoj pothuajse dy vite përpara. Nëse gjatë hulumtimit gjej një vepër të bukur, nuk ia lë kohës, atë e vendosi në repertorin tim menjëherë”, tregon Kelmendi.

Tutje, kur flasim për përkufizimin e tij rreth suksesit, ai konsideron se: puna, puna dhe vetëm puna, dërgon tek ky sukses i deritanishëm.

Duke pasur parasysh suksesin e Korit Siparantum, i cili morri pjesë në ngjarjen më të madhe korale në botë, në Olimpiadën e Koreve Botërore “World Choir Games”, ku në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës, ishte pikërisht Kori i drejtuar nga dirigjenti Kelmendi, ai i cili doli triumfues në vendin e parë, me ç’rast vetë ai shpalos fillimisht fillet e para të themelimit të këtij Kori në Pejë.

“Unë doja që të krijoja në kor më ndryshe, krejtësisht ndryshe. Në fillim jam ballafaquar nga komentet më të ndryshme; pozitive si dhe ato negative. Unë doja të krijoja një rrugëtim krejtësisht tjetër, një gjuhë tjetër të artit përmes tingullit. Ne jemi të gjithë vullnetarë, funksionojmë në baza vullnetare me një qëllim të vetëm – promovimin e artistëve dhe të kulturës në botë. Korin e kemi formuar në Pejë por sot në ‘Siparantum’ janë anëtarë që vijnë pothuajse nga e gjithë Kosova. Ka qenë dhe është një rrugëtim i vështirë por vullneti është ajo që na mban për të vazhduar këtë rrugëtim. Energjia që kemi brenda nesh është e jashtëzakonshme. Ne funksionojmë sikur një familje e madhe. Kemi qenë pjesë e shumë festivaleve të ndryshme në: Gjermani, Francë, Belgjikë, Itali, Kroaci, Maqedoni Veriore, Shqipëri dhe Kosovë. Jemi pjesë e dy publikimeve, CD-ve ndërkombëtare dhe shumë bashkëpunimeve të ndryshme me dirigjentë dhe kompozitorë të cilët janë të njohur sot në botë. Deri më sot kemi realizuar më shumë se 100 vepra korale dhe kemi mbi 90 paraqitje me korin, 30 prej tyre janë ndërkombëtare (ndonëse vetëm 4 vite themelim)”, tregon Kelmendi.

Kurse, kur u pyet se si është pritur fitorja e çmimit të fundit në “Lojërat Botërore të Korit”, dhe se sa ekziston mundësia që kjo fitore të hapë rrugë drejt sukseseve për koret e tjera në Kosovë, dirigjenti Kelmendi tregon se ka shumë përvoja të paharrueshme në një koncert, por që momentet më emocionale do të ishin çastet e pakrahasueshme ku Kosova u përfaqësua me Korin Siparantum për herë të parë në historinë e shtetit tonë në sallën më të njohur në Antwerp, ‘Queen Elisabeth Hall’, e cila ndryshe njihet si shtëpia e Filharmonisë Fllamane.

“Pjesëmarrja e korit në Olimpiadën e Koreve Botërore “Wolrd Choir Games” është një histori në vete për muzikën tone korale në vend. Ky sukses erdhi pasi që unë jam tash e tre vite anëtar në ‘World Choir Council’ dhe për të qenë pjesë e “World Choir Games” ne është dashur t’i plotësojmë disa kushte. Fatkeqësisht ne nuk mundëm të plotësonim asnjë kusht përpos pikës së fundit; që unë isha anëtari i këshillit të koreve botërore, ‘World Choir Council’. Por, ne aplikuam dhe pasi që u përzgjodhëm, ne aplikuam me fazën e dytë, pra me programin me të cilin do të paraqitemi (nga këshilli artistik). Kështu u bëmë pjesë e ngjarjes më të madhe korale në botë, ‘World Choir Games 2021’. Të jesh në mesin e mbi 300 koreve nga 90 shtete të botës dhe në fund të dalësh triumfues, është sukses. Ne këtë e deshëm dhe e morëm. Kur jemi të bashkuar, jemi pjesë e suksesit, kjo është dëshmi suksesi. Ne prezantuam muzikën tone korale, paraqitëm kulturën dhe rininë tonë në mënyrën më të mirë dhe sigurisht që kjo do të jetë shumë më e lehtë për koret tona në vend. Pjesëmarrja në ‘World Choir Games’ hapi një kapitull të ri për muzikën tonë profesionale. Momenti më emocional erdhi kur puna jonë u vlerësua, ne morëm vendin e parë, pra fitues të kategorisë “Musica Contemporanea” në ‘Open Competition’. Kështu ne morëm dy të arta. Sot dhe përherë ky do t’mbetet njëri prej momenteve më të veçanta të jetës time”, shpalos Kelmendi.

Kështu, krejt në fund duke pasur parasysh kushtet në aspektin e muzikës klasike në Kosovë, ai tregon edhe disa ndryshime drastike që do të duhej të ndodhnin menjëherë, ku sipas tij, më së shumti ekziston nevoja që të kemi më shumë kuadro të reja në shkollat e muzikës, përkushtim më të madh në edukimin e brezave të rinj si dhe orkestra e kore në çdo qytet të Kosovës.

“Kjo është shumë e nevojshme për rrugëtimin tonë të përbashkët kulturor. Ne duhet të fillojmë nga shkolla e ulët e muzikës sepse edukimi fillon këtu dhe “nuk duhet të fillojmë nga e kundërta”. E di, jemi shtet i ri dhe jemi pjesë e zhvillimit dhe tranzicionit, por duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në edukimin e brezave të rinj. Mendoj që duhet të punojmë më shumë si shoqëri”, tregon tutje Kelmendi.

Ndërkohë, krejt në fund të intervistës, nëse do të ekzistonte vetëm një mesazh që të pasionuarit pas muzikës klasike duhej ta dëgjonin, atëherë sipas dirigjentit Kelmendi, ajo mendohet të jetë: Punë, vullnet, energji, sakrificë dhe përkushtim. Suksesi vie vet. / KultPlus.com

Kori Siparantum pjesëmarrës në festivalin ‘ChoralSpace’ në Berlin

Pas suksesit madhështor të Korit në ‘World Choir Games’ me pjesëmarrjen në Olimpiadën më të madhe të muzikës korale, ku edhe Kosova u përfaqësua për herë të parë në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, tani Kori Siparantum do të udhëtojë për në Berlin, për të shënuar suksese të tjera të radhës, përcjell KultPlus.

Nga data 17 deri më 20 dhjetor, Kori Siparantum do të jetë pjesë e festivalit dimëror ‘CHORALSPACE’ 2021 në Berlin.

Ndërkaq, lajmi u bë i ditur nga vetë dirigjenti Memli Kelmendi, i cili edhe ka shpërndarë datat e koncerteve që do të mbahen atje e po ashtu edhe biletat për të qenë pjesë e atyre koncerteve.

Kori Siparantum Choir në BERLIN
Pas suksesit në World Choir Games, kori Siparantum nga data 17-20 Dhjetor do të jetë pjesë e #CHORALSPACE Winter Festival – #Berlin 2021.
The Choral Cluster:

Siparantum Choir (XK) directed by: Memli Kelmedi;
Wilmersdorfer Kamerchor (DE) directed by: Christian Bährens
👉December 18, 2021, 18:30 St. Matthäus-Kirche, Berlin Mitte
👉December 19, 2021 11:00 Heilig Kreuz Kirche, Berlin Kreuzberg
Albanische Winterklänge
👉December 19, 2021, 19:30 Paul-Gerhardt Kirche, Berlin Schöneberg
Gjithë të interesuarit që duan të jenë pjesë e këtyre koncerteve, biletat mund t’i blejnë në linkun e mëposhtëm:
https://shop.reservix.de/?id=ead47f8b5b097794d9ca891114a3ae1b40d487470b312d83a65b5f56d6dadcf7b628d1c433d3343addab8303d585fc48&vID=24336&eventGrpID=374740&fbclid=IwAR3nfvALBAg-YyZDHbGWXyfFK570-T_coaENUOv9jn1hQotdbhTyVDq1jfs “, ka shkruar Kelmendi. / KultPlus.com

Kori Siparantum shënon një tjetër sukses, hyn zyrtarisht në renditjen botërore duke zënë vendin e 460

Kori Siparantum është duke shënuar suksese të njëpasnjëshme si brenda dhe jashtë Kosovës, me ç’rast së fundmi Kori ka hyrë zyrtarisht në renditjen botërore – koret më të mira në botë – INTERKULTUR, në Top 1000 koret më të mira në botë, përcjell KultPlus.

Kori Siparantum aktualisht renditet në vendin e 460 dhe ka 896 pikë.

Ky është konsideruar si një nga sukseset më të mëdha të arritura ndonjëherë në muzikën korale për shtetin tonë, Kosovën.

Ndërsa, lajmin e ka bërë të ditur dirigjenti Memli Klemendi, duke njoftuar për këtë sukses e gjithashtu duke shpërndarë statistikat. / KultPlus.com

Kori Siparantum bëri histori për shtetin e Kosovës, shpërblehet me çmim në Olimpiadën e koreve botërore (VIDEO)

Kori Siparantum është duke shënuar suksese të njëpasnjëshme si brenda dhe jashtë Kosovës, me ç’rast sonte bëri histori për shtetin e Kosovës, në Olimpiadën e koreve botërore, ‘World Choir Games 2021’, përcjell KultPlus.

‘Siparantum’ është shpallur fitues në kategorinë, ‘The Open Competition – Musica Contemporanea’.

Kori mori pjesë në Olimpiadën më të madhe të muzikës korale, ku edhe Kosova u përfaqësua për herë të parë në garën – Olimpiadën më të madhe të muzikës korale në botë, ‘WORLD CHOIR GAMES 2021’.

Në ‘WCG’ këtë vit garuan mbi 300 kore nga e gjithë bota.

Kori Siparantum garoi në ‘Open Competition’, në kategorinë “Contemporary Music” e cila u mbajt në sallën e njohur koncertale, ‘Queen Elizabeth Hall, Antwerp’ (Home of Royal Flemish Philharmonic). / KultPlus.com

Kori Siparantum shpërblehet me çmimin kryesor në kompeticionin “The Golden Lime of Tuhelj”

Kori “SiparantumChoir” në mesin e 14 koreve garuese nga Kroacia, Sllovenia, Bosnja, dhe Kosova, u vlerësua me pikët maksimale 98.33.

Kori u vlerësua nga juria profesionale e përbërë nga: Goran Jerković, Miljenka Grdan dhe Robert Homen.

Kori hyri në top katër koret finaliste dhe morri “Pllakën e Artë” në edicionin e 12-të të Konkursit Ndërkombëtar për Koret “The Golden Lime of Tuhelj” në Kroaci. / KultPlus.com

Kori Siparantum pjesëmarrës në festivalin garues ‘The Golen Lime of Tuhelj’ në Kroaci

Pas një pauze pandemike ku ishte pjesëmarrës në shumë festival të shteteve të Europës, me datën 16 tetor, Kori Siparantum do të udhëtojë për në Kroaci.

Atje do të jetë pjesë e garës ndërkombëtare të muzikës korale; XII. International Choir Competition “The Golen Lime of Tuhelj” – Kroaci.

Siparantum do të përfaqëson Republikën e Kosovës për herë të parë në këtë festival. Përpos shtetit tonë, në këtë festival garues do të jenë edhe kore nga Kroacia, Sllovenia dhe Bosnja. Kori Siparantum do të paraqitet me vepra të kompozitorëve shqiptarë dhe botërorë. / KultPlus.com

Kori nga Kosova, Siparantum merr pjesë në ‘Interkultur’ në bashkëpunim me SHBA-të

Kori i njohur nga Kosova, Siparantum tanimë është pjesë e garës ndërkombëtare dhe prestigjioze të kulturës, Interkultur, shkruan KultPlus.

Kjo përveç që shënon një sukses për korin kosovar, njëherit dëshmon bashkëpunimin me shtetin amerikan, teksa vendi ynë është duke punuar bashkë me grupin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Cobra Chorale.

Dy koret e dy shteteve kanë sjellur magjishëm veprën “Counting Music” nga Chris Lawry, në përbërje prej 80 artistëve performues. Dirigjenti nga kori Kosovar, Siparantum është Memli Kelmendi, ndërkaq ai nga Cobra Chorale e Amerikës është William Bennett.

Video performanca është realizuar virtualisht dhe ka dëshmuar edhe një herë fuqinë e artit e kulturës.

Rezultatet e fituesve të koreve do të shpallen më 24 dhjetor, teksa ky organizim daton që nga viti 1988. / KultPlus.com

“Better is one day” kënga e World Choir Games, marrin pjesë edhe Anton Çivlaku dhe Lumturie Shabani (VIDEO)

Kori nga Kosova Siparantum është bërë pjesë e projektit “Better is one day” i realizuar në një format virtual të quajtur ‘Virtualchoir’, shkruan KultPlus.com

Udhëhqësi i këtij kori, Memli Kelmendi, përmes një njoftimi të dërguar ka njoftuar për këtë ftesë si dhe për dy përfaqësueset e këtij kori nga Kosova, Anton Çivlaku dhe Lumturie Shabani.

“Me ftesë të World Choir Games, kori #SiparantumChoir është pjesë e këtij projekti “Better is one day” e realizuar në #VirtualChoir. Anton Çivlaku dhe Lumturie Shabani, janë dy përfaqëseuseit e korit Siparantum (përfaqëseus të Kosovës) në mesin e disa shteteve pjesëmarrëse në #WorldChoirGames”, thuhet në njoftim.

KultPlus ju sjell videon e kësaj kënge:

Kori “Siparantum” kërkon fonde për pjesëmarrje në WorldChoirGames

Për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, kori Siparantum Choir i qytetit të Pejës është selektuar zyrtarisht në World Choir Games.

Kjo ka ardhur si rrjedhojë e punës së pandalshme të korit, të cilët gjatë gjithë vitit përjetuan shumë suksese, shkruan KultPlus.

Aktualisht janë 542 kore me mijëra pjesëmarrës nga mbarë bota që do të jenë pjesë e WorldChoirGames.

Por për të ardhur deri te realizimi, kori “Siparantum” i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve kudo në botë dhe sektorit privat që të ndihmojnë korin me fonde për realizimin dhe përfaqësimin e shtetit.

“Qëllimi ynë është të përfaqësojmë kulturën tonë kudo në botë, mundësia erdhi tani”, ka thënë Memli Kelmendi.

Edhe t’i mundë të kontribuosh për korin Siparantum:

👉NLB BANKA 1706001600088587
👉SWIFT CODE: NLPRXKPR
👉IBAN: XK05 1706 0016 0008 8587

World Choir Games kësaj radhe mbahet nga 5-15 korrik 2020 në Belgjikë. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/siparantumchoir/videos/161046078553351/

Kori “Siparantum” për tre vjet ngërthen rreth vetes performanca dhe shpërblime në shumë vende të botës

Kori “Siparantum” nga Peja edhe pse ka më pak se tre vite që nga themelimi, po tregon suksese të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit, shkruan KultPlus.

Ky kor së fundmi është shpërblyer në garën ndërkombëtare të koreve evropiane, në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders”.

Kjo ishte hera e parë që një kor nga Kosova pranohet në festivalin ndërkombëtar në IKV International Choir Contest Flanders, Belgjikë, i selektuar në mesin e shumë shteteve evropiane si; Republika Çeke, Sllovenia, Hungaria, Belgjika etj.

“Të jesh i selektuar në një festival të nivelit të tillë, konsideroj që është një sukses shumë i madh, jo vetëm për mua, por përgjithësisht për kulturën tonë. Vet selektimi i korit Siparantum, konsideroj që është sukses në vete, duke e marrë parasysh konkurrencën e madhe që sot është në botë”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi për KultPlus.

Dita e parë e korit dha emocione të papërshkrueshme, ishte ndjenjë e përfaqësimit të shtetit tonë të ri, pranë shteteve të cilët kanë traditë me qindra, mijëra vjeçare. Në ditën e parë kori u paraqit me vepra të kompozitorëve John Bennett, Josef Rheinberger, Josquin Des Prez, Rafet Rudi dhe ajo që ishte pothuajse më kryesore, vepra në kategorinë Compulsory Ëork e kompozitorit të njohur botëror Jan Van Der Roost, Amor io fallo në kategorinë e koreve miks. I pranishëm ishte vet kompozitori i cili pas përformancës vlerësoj lartë interpretimin, paraqitjen dhe koreografinë e korit duke thënë se këtë nuk e prisja, ishte një paraqitje fantastike.

Në mbrëmjen e datës 5 tetor, në sallën koncertale C-Mine të Genk, kori Siparantum u paraqit me një program koncertal me vepra të kompozitorëve të njohur botëror.  Korit i parapriu Hobo & Fagot-enseble en Sax-ensemble e akademisë së muzikës të Genk më pas Balletschool Veronique Lenaers Genk. Programi u vlerësua lartë nga kritikë të muzikës nga mbarë bota që ishin prezent.

Dita e dytë, korin e gjeti me një performancë të karakterit tjetër, interpretimi i veprave të gërshetuara me koreografi, lëvizje dhe interpretim të veprave kontemporane; Gerar Guevara, Kreshnik Aliçkaj dhe Folke Rabe.

“Edhe pse nuk arritëm të jemi në mesin e tre të parëve, kori u klasifikua në top pesëshe që poashtu u kurorëzua me Honorable Mention të festivalit IKV International Choir Contest Flanders. Padyshim që ky është sukses për ne. E rëndësishme është që ne kemi krijuar kontakte të shumta ku padyshim që do të jenë në dobi të korit tonë. Performancat tona janë pëlqyer, kjo ne na ka mësuar shumë, ishte përvojë e re, do të mbesin kujtimet më të bukura për ne”, ka thënë Memli Kelmendi për KultPlus.

Në natën përmbyllëse të festivalit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kori Siparantum u paraqit me veprën e kompozitorit të njohur shqiptar “Xhike-Loke” e cila është pëlqyer shumë qoftë nga publiku dhe juria profesionale.

Udhëtimi tjetër e gjen korin Siparantum në njërën prej kishave më të përshtatshme për koncerte të muzikës klasike në Bruksel, Eglise De L’Abbaye Notre Dame De La Cambre e cila u organizua me insistimin e familjes Berisha nga Peja në bashkëpunim me Les Grandes Heures De La Cambre.

“Konsideroj që ky ka qenë njëri prej koncerteve tona më të bukura. Ishte një organizim i përkryer të cilën nuk jemi mësuar të kemi deri më tash. Në Evropë është vështirë të mbushet një sallë me publik duke e marrë parasysh koncertet e shumta që organizohen brenda një dite, brenda një qyteti. Për neve ishte një emocion i papërshkruar meqë në koncert kishin ardhur shumë bashkatdhetarë por kishte edhe shumë të huaj, menaxherë të muzikës, muzicientë të huaj nga vende të ndryshme që kishin ardhur të ndjekin koncertin tonë në Bruksel. Ishte një koncert të cilin unë do të mbaj në mend gjatë gjithë jetës, është e pa përsëritshme“.

Në këtë koncert, kori u paraqit me vepra të kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botërorë të cilët u pritën jashtëzakonisht mirë nga publiku, në repertor u realizuan vepra të përgatitura enkas për këtë program në përcjellje të Agron Shujakut, pianist dhe Luan Sapunxhiut, kitarë.

E veçanta e këtij koncerti ishte bashkëpunimi me kuartetin fantastik të harqeve nga Akademia e Muzikës së Brukselit, Sarah Bayens, Chen Lim, Maxime De Petter, Joachi Jamaer me të cilin kori realizoi dy vepra të kompozitorëve Gjeilo dhe Jenkins. Padyshim që kjo erdhi si rrjedhojë e bashkëpunimit me Guy Danel, professor në Conservatoire Royal de Bruxelles, i cili pas përfundimit të koncertit vlerësoi lartë paraqitjen dhe repertorin kolosal të korit Siparantum.

Vet Marguerite Ray, organizatore e koncertit në Bruksel në fund të koncertit të pranishmëve ju drejtua me një fjalë “ka kohë që në këtë kishë nuk është dëgjuar muzikë kaq e bukur“.

“Tashmë kemi siguruar më shumë se tre ftesa për vitin 2020/2021. Uroj që organet kompetente të kenë qasje më delikate në realizimin e objektivave tona të përbashkëta artistike”, ka thënë tutje Memli.

Sot kori Siparantum ka korin e fëmijëve, korin e femrave, korin e meshkujve dhe korin miks. Përpos paraqitjeve të shumta në vend, ka qenë pjesëmarrës në festivalin Internacional të Koreve “Nancy Voix Du Monde” Francë, me ç ‘rast Kosova është paraqitur për herë të parë në këtë festival, duke koncertuar në vendet më të njohua të vendit si: Le Temple Protestant De Nancy, Héré, Grands Salons de Ville, Lunéville, Cathédrale Notre-Dame-de-l’Annonciation Saint-Sigisbert, për të vazhduar me koncertet në Hrvatski Glazbeni Zavod, Mimara, Crkva Pavla, Zagreb, Kroaci. Në muajin mars kori ka mbajtur dy koncerte të rëndësishme në Romë dhe Vatikan, Chiesa di San Salvatore, Lauro, Rome, dhe Basilica San Antonio – Pontificia Universitá Antonianum, Roma për të vazhduar me turneun e koncerteve në Shkodër dhe në  festivalin ‘Skena e Muzikës Serioze Shqiptare’ Tetovë, Maqedonia Veriore.

Gjatë muajve në vijim kori do të shpalos ftesat për festivalet e tjera të radhës në Evropë. / KultPlus.com

L’est Republicain: Kori Siparantum nga Kosova përplot me befasi

“Kori i Kosovës përplot me befasi” është titulli i artikullit dedikuar Korit Siparantum, nga gazeta franceze L’est Republicain.

Kori Siparantum ka dy vite që është themeluar në Pejë ndërsa në Francë janë duke përfaqësuar Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore “NANCY voix du monde”. Kjo është hera e parë që Kosova paraqitet në këtë festival i cili mbaron nesër, shkruan KultPlus.

Artikulli i publikuar zbulon tri gjërat të cilat sipas tyre çdokush duhet ti dijë për këtë kor. Fillimisht ata flasin për laramaninë e gjeneratave në këtë kor, anëtarët e të cilit janë nga 17 deri në 67 vjeç. Numri i anëtarëve është 50 mirëpo jo të gjithë kanë pasur mundësinë që të vijnë në festival.

Tutje artikulli vazhdon duke treguar se Kori është për herë të parë në Francë dhe kjo është hera e dytë që Siparantum performon jashtë vendit. Artikulli përfundon duke lavdëruar punën e korit dhe sidomos repertorin që ata kanë.

“Në Nancy të martën ata u pritën me duartrokitje të mëdha”, thekson Claude Larose. Presidenti i Croissants d’Or ishte i mahnitur nga repertori i korit Siparantum.

Repertori i Korit Siparantum ka vepra të epokave të ndryshme të gërshetuar në vete, që nga ato tradicionale e deri te ato moderne. / KultPlus.com