Shkencëtarët europianë: Korriku, muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë

Një rekord me “pasoja katastrofike” për botën: Korriku i vitit 2023 ishte me të vërtetë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë. Konfirmimi ka ardhur nga shërbimi evropian Copernicus, duke renditur të dhënat që kanë “çmendur” të gjithë matësit.

Muaji i kaluar, i shënuar nga valët e të nxehtit dhe zjarret në të gjithë botën, ishte 0.33 gradë Celsius më i ngrohtë se muaji i mëparshëm i rekordeve (korrik 2019, i cili ishte mesatarisht 36.63 gradë Celsius). Temperatura atmosferike ishte gjithashtu 0,72 gradë Celsius më e ngrohtë se mesatarja (1991-2020) për korrikun.

Që në 27 korrik, para se të mbaronte muaji, shkencëtarët e kishin konsideruar “jashtëzakonisht të mundshme” që korriku 2023 të ishte muaji më i nxehtë i regjistruar.

Këto të dhëna e shtynë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres të thoshte se njerëzimi kishte dalë nga epoka e ngrohjes globale dhe kishte hyrë në atë të “vlimit global”.

Oqeanet po dëshmojnë gjithashtu këtë zhvillim alarmues, me temperatura jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes që nga prilli dhe nivele rekord në korrik. Një rekord i të gjitha kohërave u vendos më 30 korrik në 20,96 gradë Celsius.

Copernicus raporton gjithashtu se akulli i detit të Antarktidës u tkurr në korrik më shumë se kurrë që nga fillimi i vëzhgimeve satelitore dhe ra 15% nën mesataren e muajit.

Ndoshta viti 2023 nuk do të ndalojë së thyeri rekorde.

“Ne presim një fundvit relativisht të ngrohtë për vitin 2023 për shkak të zhvillimit të fenomenit El Niño”, kujton Copernicus.

Ky fenomen ciklik klimatik mbi Paqësorin është me të vërtetë sinonim i ngrohjes së mëtejshme globale./A2CNN/KultPlus.com

NASA: Korriku 2023 ka të ngjarë të jetë muaji më i ngrohtë në histori

Korriku i vitit 2023 ka të ngjarë të jetë muaji më i ngrohtë i regjistruar në “qindra, nëse jo mijëra, vjet”, thanë shkencëtarët kryesorë të NASA-s gjatë një tryeze të rrumbullakët me gazetarët, duke paralajmëruar se nxehtësia vetëm do sa të përkeqësohet.

“Ne po shohim ndryshime të paprecedenta në të gjithë botën. Valët e të nxehtit që po shohim në SHBA, Evropë dhe Kinë, dhe duke i thyer rekordet majtas, djathtas dhe në qendër. Kjo nuk është një surprizë”, thotë Gavin Schmidt, Drejtor i Institutit Goddard të NASA-s për Studimet Hapësinore.

Qershori i vitit 2023 ishte tashmë qershori më i nxehtë i regjistruar dhe korriku ka të ngjarë të jetë muaji më i nxehtë në përgjithësi. “Ne e dimë nga shkenca se aktiviteti njerëzor, kryesisht emetimet e gazeve serrë, po shkaktojnë pa mëdyshje ngrohjen që po shohim në planetin tonë”, ka deklaruar në të njëjtën konferencë Kate Calvin, kryeshkencëtarja dhe këshilltare e lartë e NASA-s për klimën.

Shkencëtarët e NASA-s sqaruan se të dhënat e mbledhura dhe të analizuara nga instituti kishin dhë indikacione tashmë për këto temperatura të larta. “Ka pasur një rritje të temperaturave nga dekada në dekadë gjatë katër dekadave të fundit”, tha Schmidt.

Valët e të nxehtit që shihen aktualisht janë për shkak të një ngrohtësie të përgjithshme në të gjithë botën, veçanërisht në oqeane.

“Ne kemi parë temperatura rekord të sipërfaqes së detit, madje edhe jashtë vendeve tropikale, për shumë muaj tani dhe parashikojmë që kjo do të vazhdojë, dhe arsyeja pse mendojmë se do të vazhdojë, është sepse ne vazhdojmë të hedhim gazra serë në atmosferë,” tha Schmidt./Deutsche Welle / KultPlus.com

Korriku, muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në tokë

Korriku ishte muaji më i nxehtë i Tokës i regjistruar ndonjëherë, sipas Administratës Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike.

Ndërsa korriku është zakonisht muaji më i ngrohtë i vitit, këtë vit ai arriti rekordet e të gjitha kohërave, raporton Independent, transmeton KultPlus.

Temperatura e kombinuar e tokës dhe sipërfaqes së oqeanit në të gjithë botën ishte 0.93 gradë celsius mbi mesataren e shekullit të 20-të, prej 15.8 celsius.

Kjo temperaturë thyen me 0.01 gradë celsius rekordin e mëparshëm të vendosur më 2016, i cili më pas u përputh më 2019 dhe 2020, duke e bërë korrikun e këtij viti muajin më të nxehtë, që kur filluan regjistrimet 142 vjet më parë. / KultPlus.com