Ka përfunduar me sukses Festivali i Filmit KO:SH.
Gjatë pesë ditëve të festivalit u shfaqën 42 filma të shkurtër ku 36 prej tyre garuan në tre kategoritë kryesore si kategoria e filmit ndërkombëtar, kategoria e filmit studentor dhe kategoria e filmit kombëtar.
Ky edicion u zhvillua tërësisht pranë ‘Kinema Majestic’ duke e kthyer kinemanë më të vjetër në Shqipëri përsëri në funksion të filmit.
Juria e festivalit ishte e përbërë nga Ilija Piperkoski, regjisor, skenarist (Maqedonia e Veriut), Lulzim Hoti, drejtor i organizatës 7Arte (Kosova) dhe Florenc Zerellari, skenarist (Shqipëri).
Juria vendosi të shpërblejë me çmim sipas kategorive 4 filma:
Filmi më i mirë i shkurtër – Bellus | Alexis Pazoumian | Francë
Filmi më i mirë i shkurtër, gara ndërkombëtare – Radio Qetësia | Kerren Lumer-Klabbers | Danimarkë
Filmi më i mirë i shkurtër, gara kombëtare – Prishtinë, 2002 | Trëndelina Halili | Kosovë
Filmi më i mirë i shkurtër, gara studentore – Fundi tjetër i rrugës | Kálmán Nagy| Hungari, Austri (Akademia e Filmit Vienë)
Ndërkohë çmimi i publikut shkoi për filmin Richter nga Koloreto Cukali, Shqipëri.
Edicioni i sivjetshëm i Korça International Short Film Festival, ishte tepër i suksesshëm dhe numri i publikut krahasuar me vitin paraardhës shënoi rritje me 68%.
KO:SH Film Fest 2023 u zhvillua falë mbështetjes së Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Ministrisë së Kulturës, Bashkisë Korçe, Teatrit Korçë, Goethe Institute dhe Oberhausen Film Festival.
Në muajt në vazhdim filmat fitues të KO:SH Film Fest, do të shfaqen në disa qytete të ndryshme të vendit. Ndërkohë thirrja për edicionin e ardhshëm do të hapët së shpejti. / KultPlus.com