Presidentja Osmani: Kosharja dëshmoi se sakrifica për liri nuk ka çmim

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në 24-vjetorin e betejës së Koshares tha se me respekt kujton heronjtë e kësaj beteje.

Osmani tha se Kosharja dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim.

“Rënia heroike e komandantëve Salih Çekaj, Agim Ramadani,  Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi dhe komandantëve e luftëtareve të tjerë, dëshmoi se Beteja e Koshares ruan vend nderi në kujtesën tonë kolektive”, tha Osmani.

Ajo theksoi se pjesë e betejës ishin nga thuajse të gjitha trevat shqiptare.

“Përulemi para trimërisë dhe sakrificës së luftëtarëve të lirisë nga Poroji i Tetovës, Tirana e Tropoja, Tuzi e Presheva dhe vullnetarëve nga vende të tjera, të cilët iu bashkuan luftës së popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet”, theksoi ajo.

Manifestimet “Ditët e Shqipes”, që i kushtohen kësaj beteje të lavdishme, organizohen nën përkujdesin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

“I përjetshëm qoftë kujtimi dhe e pavdekshme lavdia për heronjtë e Koshares dhe luftën e popullit të Kosovës për liri”, shtoi Osmani./KlanKosova/KultPlus.com

Osmani kujton Betejën e Kosharës: Një ndër momentet më krenare të historisë sonë të re

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot se 9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës, shkruan KultPlus.

Osmani përmes një postimi në Facebook shkruan se shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak.

“9 prilli është ditë e veçantë në historinë e re të Kosovës. Beteja e Koshares tregoi se pabarazia në armatim nuk është çelësi përcaktues i luftërave. Shpirti luftarak i vajzave e djemve të UÇK-së, vendosmëria për ta parë vendin të lirë dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka ishin më të fuqishme se çfarëdo arsenali ushtarak.

Sot, ne e përkujtojmë këtë betejë si njërën ndër momentet më krenare të historisë sonë të re. Ajo dëshmoi se liria nuk ka çmim dhe se vendosmëria për ta arritur atë dhe shpirti i një populli janë të pathyeshme. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore për vajzat e djemtë e UÇK-së, por edhe për gjithë popullin e Kosovës.

Ne u falemi atyre, sakrificës së Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Xhemajl Fetahut dhe mijëra dëshmorëve të tjerë që ranë për lirinë e Kosovës. Ata qëndrojnë në themele të lirisë dhe të shtetësisë sonë.

I përjetshëm kujtimi për heronjtë e Koshares!”, shkruan presidentja. /KultPlus.com