Kori i Filharmonisë së Kosovës performon në Slloveni

Në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës në Slloveni, Kori i Filharmonisë së Kosovës është prezantuar me një koncert në sallën “Marjan Kozina”, në Ljublanë, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert të mbajtur përpara personaliteteve të jetës kulturore dhe politike të Sllovenisë, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, u interpretuan vepra nga kompozitorë të njohur nga Kosova dhe Shqipëria, si Rafet Rudi, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Vasil S. Tole dhe Hajrullah Syla.

Përpara publikut u prezantuan gjithashtu edhe vepra nga kompozitorë ndërkombëtarë, si Eric Whitacre, Ambrož Čopi, Laura Jēkabsone dhe Jake Runestad.

“Performancat e mrekullueshme nga solistët dhe Kori i Filharmonisë u përcollën me duartrokitje të gjata nga publiku.

Ky ishte koncerti i fundit i Korit të Filharmonisë për vitin 2024. Aktivitetet e këtij viti do të përmbyllen me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili do të mbahet më 21 dhjetor 2024, në AMC Hall, në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30″, thuhet në njoftimin e MKRS./ KultPlus.com

Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka njoftuar se Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se asaj dhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ua dha lajmin ministri i Mbrojtjes së Kanadasë, Bill Blair.

“Një lajm i mrekullueshëm sot nga Halifaxi: Kosova dhe Kanadaja do ta fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak. Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax, takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij Programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-Ministres së mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada. Kosova dhe Kanadaja – një partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Ambasadori Rohde: Kosova e mbështeti Ukrainën edhe pse se ka njohur si shtet

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka përgëzuar Kosovën për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës.

Në organizimin për Ditën e Ukrainës nga shtetet e QUINT-it, ai theksoi se Kosova është në mesin e shteteve ndërkombëtare që e mbështeti  Ukrainën.

“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për sa kohë që duhet kjo nuk është vetëm një premtim, por edhe një zotim që shumë shtete e kanë bërë, jam krenar të them që Kosova ka qenë pjesë e kësaj mbështetje nga fillimi”.

“Ky solidaritet veçanërisht i jashtëzakonshëm pasi që Ukraina nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet sovran, ende kosovarët bashkëndjejnë dhimbjen e ukrainasve që nga ditët e fillimit të luftës”, tha Rohde. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

‘Kino Kosova’ vjen me edicionin e pestë në Bern të Zvicrës

Edicioni i pestë i festivalit të filmit ‘Kino Kosova’ do të mbahet në Bernë nga 11 deri më 15 shtator. Sipas njoftimit të organizatorëve, festivali i këtij viti përqendrohet në temën “Contemplating” – “Përsiatje”, duke shfaqur filma nga Kosova dhe diaspora e saj në kinematë e Bernës.

Sivjet në ‘Kino Kosova’ do të shfaqen mbi 30 filma, duke ofruar një program të larmishëm dhe atraktiv.

Bosnja dhe Hercegovina është shteti mysafir këtë edicion në bashkëpunim me Sarajevo Film Festival dhe Shoqatën e kineastëve nga Bosnje dhe Hercegovina, dhe me një program të veçantë me filmat e shkurtër zviceranë në bashkëpunim me Festivalin e Filmit të Shkurtër nga Winterthur (Kurzfilmtage Winterthur).

“Përveç shfaqjeve të filmave, pjesëmarrja e artistëve do të jetë e lartë dhe do të ketë panel diskutime, ku audienca do të ketë mundësinë të thellohet në tema të ndryshme së bashku me kineastët dhe artistët. Midis tyre, një panel do të eksplorojë artin e filmave të shkurtër, ndërsa një tjetër do të shqyrtojë fuqinë transformuese të festivaleve të filmit në shoqëritë e pasluftës. Gjithashtu, festivali ka kënaqësinë të mirëpresë dy artiste nga Kosova, Blerta Hashani dhe Lumturie Krasniqi, të cilat po marrin pjesë në një rezidencë artistike në qendrën kulturore PROGR në Bernë përpara se të prezantojnë punën e tyre gjatë festivalit”, thuhet në njoftimin e organizatorëve të festivalit.

Gjithashtu, festivalit do t’i shtojnë ngjyra muzikore edhe artistja shqiptare Linda Rukaj dhe kuarteti i saj.

Kosova refuzon kërkesën e Serbisë për rastin e Banjskës

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka thënë të mërkurën se kërkesa e Serbisë për të siguruar informacione për sulmin në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë, është në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t’i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin – që Kosova e konsideron terrorist – e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili tani besohet se është në Serbi.

Hetimet për këtë rast po kryhen në Kosovë nga Prokuroria Speciale, dhe burimet e Radios Evropa e Lirë brenda këtij institucioni, kanë thënë se para vjeshtës pritet të ngrihet një aktakuzë në rastin Banjska.

Hetime për këtë rast po kryen edhe Prokuroria e Lartë në Beograd, e cila ka kërkuar informacione në Kosovë për rastin Banjska, përmes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka konfirmuar javë më parë për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Serbisë dhe ua ka përcjellë autoriteteve të Kosovës.

Në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë është përmendur që Kosova nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga Serbia, në kërkesën e bërë në tetor të vitit të kaluar, “për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

Kjo ministri ka bërë thirrje për një kryerjen e një hetimi ndërkombëtar për, siç ka thënë, “bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 gusht se, Kosova mund të ndihmojë në mbajtjen e Radoiçiqit përgjegjës për veprën penale.

Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka thënë Hovenier.

Mekanizmi ndërkombëtar u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Serbi që t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë rast.

Kosovës i refuzohet pjesëmarrja në Eurovision

Kosova as në vitin 2025 nuk do të marrë pjesë në Eurovision.

Transmetuesi Publik i Kosovës RTK nuk e ka marrë ftesën e lakmuar nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës Eurovision 2025 në Zvicër.

Sipas një postimi të llogarisë zyrtare të Kosovës në Eurovizion në X (ish-Twitter), EBU nuk dha dritën jeshile për arsye politike, shkruan Eurovision News.

Po ashtu, ata kanë konfirmuar për RTK-në se për të marrë pjesë në garën evropiane të muzikës duhet të bëhen anëtarë të plotë të organizatës së transmetuesve publikë të gjitha shteteve.

Kosova

Poezi e shkruar nga Bekim Lumi.

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma
I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta
Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta
Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…”./ KultPlus.com

Kosova e 16-ta për momentin në Olimpiadë

Shteti i Kosovës është duke marr pjesë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.

Vendi ynë e ka nisur tejet mirë këtë edicion të LO, pasi ka arritur të fitojë medalje.

Është xhudistja Distria Krasniqi, e cila e ka fituar medaljen e argjendtë gjatë ditës së djeshme.

Kjo medalje, ka bërë që vendi ynë të vetë momentalisht i 16-ti në renditjen e Olimpiadës.

Presidentja Osmani pas fitores së Sadikut: Moment krenarie për Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas fitores së meqit të parë të sportistes Donjeta Sadiku.

Presidentja Osmani ka thënë se fitorja e Donjeta Sadikut shënon një moment krenarie për Kosovën.

“Moment krenarie për vendin fitorja e Donjeta Sadikut. 🇽🇰

Faleminderit Donjeta për këto emocione!”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com

Përfundoi Beerfest Kosova 2024, festivali që solli super atmosferë në Prishtinë

Mbrëmë përfundoi Beerfest Kosova 2024, ku për katër natë radhazi solli argëtim dhe atmosferë të jashtëzakonshme për mijëra vizitorë. Në mesin e vizitorëve pati edhe turistë nga vende të ndryshme të botës të cilat sipas organizatoreve u mahnitën nga pritja dhe organizimi.

 “Gjithçka ishte në nivelin e duhur dhe sipas planifikimeve tona. Jemi ndarë shumë të kënaqur duke filluar nga pjesa argëtuese, promovimi i birrave, sigurimi dhe mbarëvajtja e festivalit në përgjithësi. Ajo çfarë na bënë krenarë është edhe vlerësimi i nivelit të lartë nga vizitorët të cilët na dhanë komente te mrekullueshme Kjo tregon që ky festival çdo herë me shumë po i ofrohet organizimeve me standarde me te larta evropiane”, tha zëdhënësja e këtij edicioni Rina Zeka nga kompania Eventure.

Gjatë këtyre netëve të festivalit  për argëtimin e të pranishmëve u kujdesën disa bende dhe artistë të mirënjohur siç janë: Burak Yeter, Stealth & Vinz (Hellbanianz), Yll Limani, Geasy, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, Kida, Buta, Ardi dhe Mirdoni, Diona Fiona, Grupi 403, Blerando, La Fazani, Gillespie, Zwada, Haliband dhe Dj Biggby.

Sikurse edhe në edicionet e kaluara, Beerfest Kosova ju dha hapësirë edhe disa artistëve të rinj Redon Berani, Young Arti, Leyla, etj.

Festivali ofroi laramani aktivitetesh për të gjithë vizitorët, duke përfshirë degustimin e birrave të shumta një kënd ushqimi dhe pije jo alkoolike, si dhe surpriza tjera të shumta.

Përkrahësit e këtij edicioni ishin: Birra Lasko (Sponzor Gjeneral), Vuse (Sponzor i Arte), Artmotion, Golden Eagle, Prishtina Mall dhe Komuna e Prishtines.

Brende dhe kompani tjera qe e bene te mundur këtë edicion ishin edhe: Birra Tuborg, Somersby, Carlsberg, Heineken, Krombacher, Paulaner, Becks pastaj 2U, Gekos, Crystal24, Senses dhe Pizza Crust.

Ky edicion u zhvillua ne partneritet me: AMC Corporation, Modus Events, PR Solutions, Tenda3, Besa Security, Zahiri dhe Polica e Kosovës.

Adhuruesit e futbollit qe ishin në beerfest patën mundësinë të shohin edhe finalen e madhe te UEFA EURO 2024, mundësuar nga Transmetuesi Zyrtar ArtMotion.

Këtë edicion e veçoi skena gjigante, programi artistik i jashtezakonshem dhe organizimi i nivelit ma te larte!

Zëdhënësja, Zeka paralajmëroi se risitë për edicionin e radhës janë ndryshimi i lokacionit si dhe ndryshimi i konceptit të festivalit në diçka më ndryshe se edicionet e fundit.

Kryeministri Kurti njofton mërgimtarët se nga e hëna mund ta marrin falas policën e sigurimit – Kosova ju pret me krahë t’hapur

Kryeministri Albin Kurti, u është drejtuar mërgimtarëve me një postim në Facebook, ku i ka njoftuar se nga e hëna, ata që vijnë me automjete do të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse.

Kurti u ka uruar atyre mirëseardhje në vendlindje, derisa ka thënë se Kosova i pret me krahë t’hapur.

“Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti.

Gjermania ndryshon ligjin, kosovarët që hoqën dorë nga shtetësia, mund ta rifitojnë atë

Sot, futet në fuqi “Ligji për Modernizimin e Shtetësisë së Republikës Federale të Gjermanisë” (StARModG).

Me ligjin e ri, bie kushti i heqjes së shtetësisë tjetër, për të marrë shtetësinë gjermane. Pas kësaj date, ish-shtetasit e Republikës së Kosovës që e kanë dorëzuar shtetësinë kosovare për të marrë atë gjermane mund të aplikojnë për rifitimin e shtetësisë së Republikës se Kosovës.

Në vegzën në vijim, mund t`i gjeni të gjitha informacionet mbi procedurën për fitimin e shtetësisë së Kosovës:

https://mpb.rks-gov.net/f/79/Fitimi-i-shtetesise-se-Kosoves./ KultPlus.com

Zbulohen disa nga emrat që do të performojnë në Beerfest Kosova 2024

Festivali Beerfest Kosova 2024, shpalos disa nga emrat e shquar të artistëve të cilët do të perforcojnë gjatë katër netëve aq sa do të zgjas festivali. Ndër ta, emrat e njohur si , Yll Limani, Ghetto Geasy, Sabri Fejzullahu, Sinan Vllasaliu, , Diona Fiona, Grupi 403, Ardi dhe Mirdoni, Buta, Blerando, Kida, La Fazani janë vetëm fillimi i një liste që do të vazhdojë të shtohet ditë pas dite.

Në ditët në vazhdim, do të prezantojmë emra tjerë të skenës muzikore që do të performojnë në festival.

Festivali nuk përfshin vetëm muzikën, por ofron një laramani aktivitetesh për të gjithë vizitorët. Nga degustimi i birrave të shumta vendore dhe ndërkombëtare, deri te këndi i ushqimit dhe pijeve jo alkoolike nuk do të mungojë asgjë për ta bërë këtë përvojë sa më mbresëlënëse për të gjithë.

Pra, bashkohuni me ne për të përjetuar emocionin, shijuar birrën duke krijuar kujtime të paharrueshme në BeerFest Kosova 2024!

Pagesat do të jenë “Cashless”, pra do të bëhen në mënyrë elektronike me byzylyk, në pikën e dedikuar brenda hapësirës së festivalit.

Beerfest Kosova do të mbahet në Parkingun prapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë nga data 12 deri më 15 korrik 2024.

Këtu mund të rezervoni biletën tuaj, Early Bird Ticket

Për më shumë informacione rreth agjendës së aktiviteteve dhe për të rezervuar biletën tuaj në kohë, na ndiqni në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram.

Kjo do të jetë një përvojë për të mos u harruar, me muzikë, birrë, ushqim dhe shumë surpriza të tjera!/ KultPlus.com

Me vepra shqiptare e malazeze ‘Chopin Piano Fest’ shënon mbylljen e javës kulturore të Malit të Zi në Prishtinë

Vjollca Duraku

Ilirjana Gjoni dhe Milica Laloseviq ishin protagonistet e koncetit të tetë në “Chopin Piano Fest”, të cilat njëkohësisht janë edhe artistet e para që e prezantuan shtetin e Malit të Zi në historinë e Festivalit më të madh të muzikës klasike në vend, shkruan KultPlus.

Ngjarja si zakonisht u zhvillua në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Me këngë popullore malazeze u hap programi i natës së mbrëmshme nga pianistja Ilirjana Gjoni, e cila është fituese e shumëfishtë në garat kombëtare në Mal të Zi, si dhe sopranoja Milica Laloseviq, po ashtu e shpallur fituese në festivale të ndryshme.

Në nderim të vet Festivalit pianistja Gjoni kishte përzgjedhur edhe veprën e F. Chopin “ Nocuturne op.27 nr 2, D- dur”, “Ballade nr.1, op 23, g-mol” duke dhuruar tinguj aq të bukur në sallë, ku ndër personalitete të tjera të pranishëm që me shumë kënaqësi e  ndoqën ngjarjen ishin edhe kryeministri Albin Kurti dhe tenori me famë botërore Ramë Lahaj.

Ngjarjen po ashtu e shijoi shumë edhe publiku që edhe kësaj radhe ishte i shumtë në numër, përderisa pikën kulmore të koncertit e shënoi vepra “Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, duke dhuruar tinguj që në veshin e audiencës identifikoheshin si shqip.

Veprat tjera me të cilat u zhvillua programi ishin: “Balada e ullirit” nga S. Gaceviq, Poljem se vija”,  “Bulbul mi poje”, “Duso, Mare”, “Vrani se konji igraju”. “O mio baabbino caro”, “Lauretta- Gianni Schicchi” nga G.Puccini, “Gypsy melodies: Op 55: 4. Andante con moto” nga A. Dvorak, “ Non ti scordar di me” nga E. De Curtis, “ Suite bergamasque- Prelude, Menuet, Claire de Lune, Passepied nga C. Debussy.

Krej në fund të koncertit pianistja Gjoni të jashtëzakonshëm e quajti interpretimin e natës së mbrëmshme, i cili e kishte rikthyer në Kosovë pas 15 vitesh.

“Ishte kënaqësi e jashtëzakonshme të jem në Prishtinë përsëri pas një periudhe 15 vjeçare, që kur jam shkëputur nga studimet në Gjermani dhe Belgjikë. Unë si ulqinake normalisht në Prishtinë ndihem si në shtëpinë time. Ishte kënaqësi e veçantë të luaj si pianiste soliste. Edhe me sopranon Lalosheviq kemi luajtur një program të larmishëm, ku për mua ishte një mundësi interesante që të njihesha me repertorin me motive malazeze sepse nuk e kam luajtur më parë. Shumë faleminderit të gjithë organizatorëve, jemi ndjerë me të vërtetë shumë mirë dhe jemi kënaqur sonte”, ka thënë Gjoni.

Pianistja Gjoni më tej komentoi edhe veprën “ Skënderbeu” nga Çesk Zadeja, të cilën para pak kohe kishte pasur rastin ta luajtur në Bruksel.

“Veprën e “Skënderbeut” nga Çesk Zadeja e kam luajur para pak ditësh në Bruksel, në Ditën e Evropës, më 9 maj. Kam pasur nderin të përfaqësoj kompozitorët e Ballkanit Perëndimor. Dëshira ime ishte që “Skënderbeun” ta vendosja te institucionet Evropiane. Vepra u përcoll vërtetë shumë mirë, mos të them që publiku duke qenë se kam luajtur vepra nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, e ndiente një lidhje më të veçantë me Çesk Zadenë”, ka thënë më tej pianistja Gjoni.

Kurse sopranoja Milica Laloseviq ka thënë koncertin në “Chopin Piano Fest” do ta kujtoj si një përvojë mjaft të bukur.  

“Kemi kaluar shumë mirë këtu , do ta kujtoj si përvojë të bukur. Kemi prezantuar katër këngë të bukura nga Mali i Zi. Mendoj se këto këngë e prezantojnë kulturën tonë dhe mënyrën tonë të mendimit. Janë shumë të shkurtra por mendoj se audienca i ka shijuar dhe e kanë kuptuar. Pjesa tjetër e koncertit ka përfshirë repertorin e famshëm italian” është shprehur sopranoja duke komentuar edhe bashkëpunimin me pianisten Gjoni.

“Kjo është hera e parë që vij në Prishinë dhe në festival. Iliriana më ka ftuar të jem pjesë e këtij festivali me të. E njoh tash e disa vite. U takuam në një festival në Herceg Novi në Mal të Zi. Vazhduam bashkëpunimin dhe shpresoj se do të interpretojmë prapë së bashku” është shprehur ajo.

Ndërsa organizatorja e Festivalit, Besa Luzha interpretimin e dy artisteve nga Mali i Zi e quajti të jashtëzakonshëm.

“Ilirjana luajti jashtëzakonisht bukur si pianiste, kishte një dinamikë, një mendim muzikor të përmbledhur shumë bukur. Gjithashtu edhe sopranoja kishte një ngjyrë shumë të bukur të zërit, një impostim jashtëzakonisht natyral, një vokal të shtrirë të bukur dhe të butë në veprat që interpretoi, dhe gjithë kjo dha një emocion jashtëzakonisht të bukur në mbrëmjen e tetë të “Chopin””, u shpreh organizatorja Luzha.

Oraganizatorja Luzha u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin me ambasadën e Malit të Zi në Kosovë, që në krye pati përfaqësuesin Bernard Çobaj, falë të cilit bashkëpunim u mundësua një paraqitje e tillë.

“Ishte një rastësi që java kulturore malazeze të përkonte me “Chopin…”, kështu përfaqësuesi i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj shprehu dëshirën që ne ta kurorëzojmë këtë javë me një koncert të përbashkët, duke kombinuar një program shumë të bukur nga dy artiste nga Mali i Zi. Kishte një potpuri këngësh malazeze, variacione nga Çesk Zadeja për “Skënderbeun”, një simbolikë me folklorin e dy popujve që jetojnë në Malin e Zi. Koncerti gjithashtu u përcoll edhe me një program mjaft të bukur nga Puccini, Dvorak, Curtis,  Gaceviq. Dhe, krejt në fund Ilirjana na shpërbleu me baladën e Chopen për nder të Festivalit” ka përfunduar organizatorja Besa Luzha.

Koncerti i radhës mbahet nga Kuarteti Kroat i Kitarës, në përbërje me Petrit Çekun, Zoran Dukiq, Maroje Briqiq dhe Tvrtko Sariq, më 29 maj, në ora 20:00 në Ambiteatrin e Bibliotekës Qëndrore Universitare/ KultPlus.com

Ditët e Kulturës Kroate në Kosovë sjellin autorët kroatë të përkthyer në shqip

Ditët e Kulturës Kroate në Kosovë që kanë filluar dje dhe do të vazhdojnë deri në fund të muajit, gjatë ditës së sotme do të vazhdojë më prezantimin e autorëve kroatë, veprat e të cilëve janë përkthyer në gjuhën shqipe, sikurse që do të prezantohen edhe sy autorë shqiptarë që do të flasin për rëndësinë e letërsisë mes Kroacisë dhe Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo ngjarje kulturore do të mbahet në dy lokacione në dy terminë të ndryshme, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Qendrën Kulturore “KultPlus Caffe Gallery.

Më poshtë është programi i plotë i këtij eventi.

28/05. 2024

14:00 – Biblioteka Kombëtare

Prezantimi i librave të autorëve kroatë të përkthyera në shqip

Jadranka Pintarić, Diana Burazer, Davor Šalat, Lana Derkač, Ibrahim Kadriu, Osman Gashi

Panel/i

Bashkëpunimi kroato-kosovar në fushën e letërsisë: Jadranka Pintarić, Diana Burazer, Davor Šalat, Lana Derkač, Ibrahim Kadriu, Osman Gashi

19:00 – KultPlus

Mbrëmja e letërsisë kroate

19:00h – Kino ARMATA

Gjyshi im ka rënë nga Marsi

Moj dida je pao s Marsa / 2019 / 75′ / fantashkencë, film familjar

Regjia: Marina Andree Škop, Dražen Žarković

Rolet: Lana Hranjec, Ozren Grabarić, Alex Rakoš, Nils Ole Oftebro, Petra Polnišova, Sven Barac.

Aventurë fantastiko-shkencore për fëmijë, për një vajzë, jeta e së cilës kthehet përmbys pasi gjyshi rrëmbehet nga alienët, mrekullon me efektet vizuale, lokacione mbresëlënëse dhe mbi të gjitha me një tregim emocionues, që me imagjinatë dhe lojë përdorë elemente të fantashkencës si një metaforë e rritjes. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Kosova tashmë është Republikë, e kemi obligim angazhimin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit

Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hoti në 25-vjetorin e zhdukjes së tij.

Ajo ka thënë se prej 25-vjetësh, emri i intelektualit e atdhetarit Ukshin Hoti mbetet në listat e personave të zhdukur me dhunë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Më 16 maj 1999, ai u lirua nga burgu i Dubravës, porse nga ajo ditë, fati i tij, njësoj sikurse edhe mbi 1600 të zhdukurve me dhunë mbetet peng i politikave të vazhdueshme të Serbisë, e cila fle mbi varreza masive”.

“’Ku është Ukshin Hoti?!’, ende tingëllon si thirrje për zbardhjen e fatit të intelektualit e veprimtarit, i cili angazhimin për Republikë e pati kauzë jetësore. Kosova tashmë është Republikë ndaj e kemi obligim angazhimin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe për drejtësi. Jemi të përkushtuar që krahas me zbardhjen e fatit të tij, ta vendosim drejtësinë në mënyrë që historia të mos na përsëritet”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani: Kosova e ftuar speciale në Samitin SHBA-Afrikë

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se Republika e Kosovës këtë vit është e ftuar speciale në Samitin SHBA-Afrikë që po mbahet në Dallas të Teksasit për t’i thelluar raportet me SHBA-të dhe me shtetet pjesëmarrëse nga kontinenti afrikan.

Presidentja Osmani në kuadër të Samitit SHBA-Afrikë, është takuar me presidentë, kryeministra e ministra të jashtëm ku kanë diskutuar për mundësitë e rritjes së shkëmbimeve në shumë fusha të interesit të ndërsjellë.

“Në diskutime me presidentë, kryeministra e ministra të jashtëm nga: Botswana, Cape Verde, Angola, Sierra Leone, Nigeria, Mauritania, Lesoto, Liberia, Malawi e përfaqësues të tjerë, folëm për bashkëpunimin bilateral dhe mundësitë e rritjes së shkëmbimeve në shumë fusha të interesit të ndërsjellë”, thuhet në shkrimin e Presidentes Osmani./ KultPlus.com

Ministri Çeku: Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se projekti zbatues për rinovimin e Teatrit Kombëtar të Kosovës ka marr edhe pëlqimin përfundimtar nga Komisioni i IKMM-së.

Ministri Çeku  po ashtu ka bërë të ditur se përveç rinovimit të ndërtesës së TKK-së parashihet edhe shtim i hapësirave të reja për të krijuar kushte të dinjitetshme.

“Vazhdojmë me shpalljen e procedurës për angazhimin e operatorit për realizimin e punimeve. Kosova po bëhet me teatër të ri kombëtar, duke e ruajtur teatrin e vjetër.

Kemi punuar me gjashtë fakultete të Universitetit të Prishtinës, profesionistët më të mirë të vendit tonë për hartimin e projektit, i cili përveç rinovimit të ndërtesës parasheh edhe shtim të hapësirave të reja për të krijuar kushte të dinjitetshme për aktorët e stafin dhe përjetim të përmirësuar artistik për publikun”, është shprehur Ministri Çeku/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Kosova shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë.

Kurti, në një postim në rrjetin social Instagram, tha se programi ‘Kompakt’, është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë është, kurse vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga SHBA-ja.

“Kosova po bëhet shteti me kapacitetin më të madh të baterive për kokë banori në botë. Programi Kompakt, që është investimi më i madh në energji në dekadat e fundit, hyri në fuqi nga sot. 236.7 milionë dollarë është vlera e investimit. 202 milionë prej tyre grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kurse 34.7 milionë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovë”, ka shkruar Kurti në Instagram.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (MCC) lansuan programin Kompaktin MCC-Kosovë, i fokusuar në ofrimin e zgjidhjeve moderne të energjisë së pastër për të përmirësuar besueshmërinë e energjisë elektrike në vendin tonë.

Kosova dhe Shqipëria në fokus të goEast Film Festival, e mbështetë edhe Rita Ora (VIDEO)

GoEast Film Festival këtë vit pati një seksion të veçantë të quajtur “Albanien und Kosovo: Fokus”, që është dedikuar për kinemanë nga Kosova dhe Shqipëria. Ky seksion është krijuar për të shfaqur një përzgjedhje të filmave të shkëlqyer nga këto dy vende, duke ofruar një platformë për të eksploruar kinemanë e tyre dhe për të prezantuar tregime dhe perspektiva unike.

Në këtë seksion, janë shfaqur një përzgjedhje e filmave nga Kosova dhe Shqipëria, duke përfshirë titujt si: “Era dhe lisi” nga Faruk Begolli, “I dashur armik”, “Daullet e Rezistencës”, “The Guardian”, “Another Day”, “Daybreak”, “117” nga Besim Sahatçiu, “Në kërkim të Veneres” nga Norika Sefa dhe “I Love You More” nga Erblin Nushi. Këta filma përfaqësojnë një gamë të gjerë zhanresh, përfshirë drama, komedi dhe dokumentarë.

Një mbështetje e veçantë për këtë fokus ka ardhur nga këngëtarja me famë botërore, Rita Ora. Ajo ka treguar përkushtimin e saj për të promovuar kinemanë nga Shqipëria dhe Kosova, duke u bërë një ambasadore e fuqishme për filmin dhe kulturën e këtyre dy vendeve. Kjo mbështetje ka sjellë vëmendje të shtuar ndaj seksionit dhe ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për kinemanë nga Kosova dhe Shipëria./ KultPlus.com

U bllokuan të futen në mbledhjen e OKB-së, presidentja Osmani refuzoi të futet në mbledhje pa prezencën e katër grave

Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Tairi ishin të pranishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, të cilat në këtë mbledhje ishin prezentë me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

KultPlus merr vesh se edhe pse emrat e grave të lartpërmendura janë regjistruar më herët, ashtu sikur edhe është kërkuar me protokol, pak para fillimit të mbledhjes është tentuar nga administrata e OKB-së që katër gratë nga Kosova mos të lejohen të futen në sallë.

Poashtu KultPlus merr vesh se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte ajo që ka refuzuar të futet në sallë pa prezencën e grave, gra të cilat janë dëshmi e gjallë për vuajtjet dhe tmerret që i kanë përjetuar nga ushtria serbe, pikërisht 25 vjet më parë.

Ndryshe, prezencën e grave në sallën e OKB-së nuk e ka pritur mirë as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq, i cili ka thënë se për këtë pjesëmarrje ata nuk ishin të paralajmëruar./ KultPlus.com

MKRS me informacione shtesë për mbarëvajtjen e instalacionit të Kosovës në Bienale

Doruntina Kastrati dhe instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” u nderua me “Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror” në ceremoninë e edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia.

Kuruar nga Erëmirë Krasniqi, instalacioni prezanton katër objekte skulpturore: dy prej tyre të modeluara sipas lëvozhgave të llojeve të ndryshme të arrave, të përdorura në prodhimin e llokumeve, dhe dy të tjerat sipas formës së protezave të përdorura për implantet kirurgjike në gjunjë. Instalacioni përcillet nga një projekt tingullor kompozuar nga Paul Hauptmeier dhe Martin Recker.

MKRS ka bërë të ditur se Pavijoni i Kosovës në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia është komisionuar nga Hana Halilaj, kuratore pranë Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në njoftim po ashtu thuhet se Pavijoni i Kosovës si dhe Ekspozita Ndërkombëtare e Artit — La Biennale di Venezia mbesin të hapura deri më 24 nëntor, 2024.

Lokacioni:
Museo Storico Navale della Marina Militare
Riva S. Biasio, 2148
30122 Venedik VE, Itali
(në mes të hapësirave ekspozuese të Arsenales dhe Giardinit)/ KultPlus.com

Kosova fiton Mirënjohje të Veçantë në Bienalen e Venecias, ministrja serbe e lëshon sallën (VIDEO)

Pavijoni i Republikës së Kosovës sot ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, shkruan KultPlus.

Mirëpo, në këtë ngjarje përderisa ekipi i Kosovës është ngjitur në skenë për të marr çmimin “Special Mention for National Presentation”, zëvendëskryeministrja e Serbisë dhe ministrja e Kulturës, Maja Gojkoviq, e ka lëshuar sallën.

Për këtë ngjarje ka reaguar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili ka thënë se kjo është hera e parë që Kosova ka marr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.

“Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota. Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes”, ka shkruar Ministri Çeku./KultPlus.com

Kryeministri Rama: Mozaikut evropian të Këshillit të Evropës po i mungon Kosova

Me 131 vota për dhe 29 vota kundër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE), votoi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndër më të rëndësishme evropiane.

Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti hap historik.

“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, u shpreh Rama.

“Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur”.

“Vulosjen e këtij anëtarësimi pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Forca Kosovë”.