Edicioni i pestë i “Kosova Brass Festival”, përmbyllë festivalin e sivjetëm me një koncert me datë 9 shkurt. Në këtë mbrëmje do të prezantohet Ansambli i vajzave të tunxhit, shkruan KultPlus.
Mbrëmja e radhës e “Kosova Brass Festival” do të mbahet me fillim nga ora 16:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të interpretoj Ansambli i vajzave të tunxhit.
Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – Trombonist dhe Avni Krasniqi – Trumpetist, ndërsa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
Në Ansamblin e vajzave të tunxhit bëjnë pjesë 13 instrumentiste dhe një dirigjente.
Në objektin e Kino Armatës në Prishtinë, pjesëmarrës të shumtë kishin filluar që ti zinin vendet në ulëset e tyre. Skena kishe fituar një hijeshi tjetër me praninë e gjashtë miqve, pjesëtarë të ansamblit të tunxhit ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ që dalë nga dalë me instrumentet e tyre i dhanë zë mureve të sallës, shkruan KultPlus.
Në një prezantim të shkurtër të bërë nga kornisti Ilir Kodhima u tha se disa nga veprat që u luajtën sonte do ti kushtoheshin mikut dhe profesorit të tyre tashmë të ndjerë, Andrea Canaj.
Nata e sotme e ‘Kosova Brass Festival’ filloi me këngën tradicionale amerikane ‘Just a closer walk’, për të vazhduar më pas edhe me ‘Yo Soy Maria’, ‘La vita e Bella’, ‘When I am Sixty four’, ‘Homage to Thonas Campion’ dhe Uptown Funk’, por nuk mungoi as muzika shqipe.
Në një interpretim të jashtëzakonshëm nga ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ solli përballë publikut prishtinas ‘Tre këngë shqiptare’ si dhe ‘Të lutem falmi sytë’, aranzhimi i së cilës ishte bërë nga kompozitori Avni Krasniqi.
Në një intervistë për KultPlus kornisti i ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’, Ilir Kokdhima tha se është çdo herë kënaqësi që të marrin pjesë në këtë festival, si dhe është nderë që të interpretojnë përballë publikut prishtinas.
“Ka qenë hera e dytë që marrim pjesë në ‘Prishtina Brass Festival’ sepse herën e parë kemi marrë pjesë në edicionin e parë të këtij festivali duke bërë hapjen, kështu që për ne është gjithmonë kënaqësi, është nderë që të jemi përpara publikut prishtinas”, ka thënë ai.
Tutje Kodhima shtoi se publiku pjesëmarrës në natën e sotme i kishte kaluar parashikimet e tyre madje ai ishte ndjerë mjaft mirë për faktin që publiku mbizotërohej nga një moshë e re, sepse sipas tij kjo do të thotë që ata e duan artin dhe duan ti ikin problemeve të përditshmërisë nëpërmjet tij.
Pas ‘Albanian Brass Quintet & Percussion’ radha për të pushtuar skenën së bashku më gjashtë miqtë, i erdhi Ansamblit Mbarkombëtar të Tunxhit. Prishtina Brass Festivalit këtë vit i ishte bashkuar edhe dirigjenti Gridi Kraja.
Secili interpretim që në minutat e parë e deri tek ata të fundit u përcoll me duartrokitje të mëdha nga publiku pjesëmarrës.
Ky festival tash e pesë vite sa dhe ekziston organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi dhe Avni Krasniqi.
Në një prononcim për KultPlus Betim Krasniqi tha se planet për këtë edicionin ishin ndryshe, sepse përfshinin koncerte më të mëdha e të ftuar të shumtë.
“Planet i kishim që të organizojmë disa koncerte më të mëdha, me të ftuar nga jashtë por pandemia i ndërpreu ato. Me djemtë e Albanian Brass Quintet & Percussion’, dhe ata na ndihmuan shumë në organizimin e sivjetmë”, pohoi ai.
Edicioni i sivjetmë i ‘Kosova Brass Festival’, rrugëtimin e kishte filluar ndryshe nga vitet e tjera sepse festivali i parë ishte mbajtur në qytetin e Drenasit për të vazhduar me pas edhe në Prishtinë.
Krasniqi ka shtuar se viteve të ardhshme synojnë që ‘Kosova Brass Festival’ ta dërgojnë edhe në qytete tjera të Kosovës, por pse jo edhe më gjerë.
Koncerti që filloi në Drenas do të ketë natën e tij të fundit nesër, në kryeqytet ku do mbajnë koncert Ansambli i Vajzave të Tunxhit të cilat ishin të pranishme edhe natën e sotme të koncertit.
Në një intervistë për KultPlus Lirjona Sylejmani , dirigjentja e këtij ansambli tha se është hera e parë që bëjnë një bashkëpunim të tillë dhe pret që kjo do ti pëlqej publikut.
“Nesër e kemi koncertin e parë me Ansamblin e Vajzave të Tunxhit ku jemi pjesë e Kosova Brass Festivalit. Është një koncert premierë dhe është hera e parë që bashkëpunojmë që të gjitha vajzat bashkë. Mendoj që karakteristikë e jona është që jemi të gjitha vajza. Një ansambël i tillë aq sa kemi dëgjuar ne, nuk ka as në rajon kështu që po shpresoj që publiku ka me u nda i kënaqur edhe shpresoj që nuk kemi me u ndalë, kemi me vazhduar edhe në qytete tjerat të Kosovës”, deklaroi dirigjentja.
Koncerti përmbyllës do të mbahet nesër me fillim në orën 16:00 në ambientet e Kino Armatës në Prishtinë.
Ky festival realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com
Edicioni i pestë i “Kosova Brass Fest”, vazhdon rrjedhën e tij me dy koncerte me datë 8 shkurt. Në mbrëmjen e dytë të fazës së koncerteve, do të prezantohen dy ansamble të tunxhit. “Albanian Brass Quintet & Percussion” dhe “Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”, shkruan KultPlus.
Mbrëmja e radhës e “Kosova Brass Fest” do të mbahet me fillim nga ora 16:00 në Kino Armata në Prishtinë, ku do të interpretojnë “Albanian Brass Quintet & Percussion”, kurse në orën 16:30 do të interpretoj “Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”
Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – Trombonist dhe Avni Krasniqi – Trumpetist, ndersa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës.
“Albanian Brass Quintet & Percussion”
Reinald Foçi – Trumpetë
Xhino Daja – Trumpetë
Ilir Kodhima – Korno
Dorian Llanga – Trombon
Ilir Vorpsi – Bass Trombon
Nicolas Bonçi – Perkusione
Ky ansambël është krijuar në vitit 2005 nga 6 miq si: Xhino Daja – Trumpetë, Reinald Foci – trumpetë, Ilir Kodhima – Korno, Dorian Llanga – trombon, Ilir Vorpsi – bass trombon dhe Nikolas Bonci – Perkusion. Ata janë një faktor i rëndësishëm në jetën kulturore në Shqipëri, pranë institucioneve kulturore ku ata performojonë si: Teatri Operas dhe Baletit dhe Orkestra Sinfonike e Radio Televizionit Shqiptar. Ky ansambël ka qenë pjesë e festivaleve, ceremonive dhe koncerteve të shumta brenda dhe jashtë Shqipërisë. “Albanian Brass Quintet” duke qenë shumë kompakt, reflekton cilësi të lartë artistike, duke u kthyer në inspirim për artistët e rinj dhe kompozitorë të ndryshëm të cilët kanë dedikuar vepra Premiere apo risjellë vepra të shumta me një qasje krejtësisht të veçantë. Suksesi i tyre konsiston edhe në sajë të një repertori mjaft të larmishëm dhe atraktiv i cili synon të afrojë një publik sa më të gjerë me artin por edhe të promovojë vlerat tona kombëtare.
“Ansambli mbarëkombëtar i tunxhit”
Gridi Kraja – Dirigjent
Reinald Foçi – Trumpetë
Xhino Daja – Trumpetë
Avni Krasniqi – Trumpetë
Ardit Pira – Trumpetë
Ilir Kodhima – Korno
Bledar Bujupi – Korno
Dorian Llanga – Trombon
Betim Krasniqi – Trombon
Rejhan Rexha – Trombon
Fatbardh Dubovci – Trombon
Ilir Vorpsi – Bass Trombon
Nicolas Bonçi – Perkusione
Meriton Ferati – Tubë
“Ansambli mbarëkombëtarë i tunxhit” i formuar para 5 viteve, është formacion i ri i muzikës së dhomës. Anëtarët e këtij ansambli janë artistë të rinj, produkt i bashkëpunimit të instrumentistëve të tunxhit nga institucionet më të rëndësishme kulturore muzikore të Shqipërisë dhe Kosovës. Pa llogaritur vështirësitë, sot ata kanë arritur qëllimin e tyre dhe kanë marrë këtë nismë për të ngritur një ansambël mjaft të rrallë, jo vetëm në vendin tonë por në të gjithë rajonin.
Rikthimi i këtyre dy ansambleve në “Kosova Brass Festival”, ka simbolikë të veçantë sepse me këto dy ansamble është bërë dhe hapja e këtij festivali para 5 viteve. Këto formacione vazhdojnë të jenë një urë lidhëse midis artisteve tanë./ KultPlus.com
Kosova Brass Festival pas master klaseve të organizuara me profesorët ndërkombëtarë si: trumpetisti gjerman, Otto Sauter, trombonisti gjerman, Armin Bachman si dhe kornisti dhe dirigjenti polak, Dariusz Mikulski, nis koncertet, i pari do të mbahet në Sallën e Kulturës në Drenas, shkruan KultPlus.
Në kuadër të edicionit të pestë, Kosova Brass Fest kësaj radhe do të udhëtoj drejt Drenasit ku do të paraqiten para publikut kuinteti i tunxhit dhe mezzo-sopranoja Fjolla Krasniqi.
Me qëllim përkrahjen e gjeneratave të reja të instrumentistëve të tunxhit, si qëllim permanent i festivalit, mysafir i këtij koncerti është trumpetisti dhe bashkë organizatori i këtij koncerti, Fatjon Gashi i cili vjen po nga kjo komunë.
Koncerti do të mbahet në Sallën e Kulturës në Komunën e Drenasit me fillim nga ora 14:00.
Koncertet e radhës do të mbahen në “Kino Armata” në Prishtinë me 8 dhe 9 shkurt, me ansamblet: “Albanian Brass Quintet”, “Albanian Brass Ensemble” dhe Ansambli i vajzave të tunxhit nga Kosova.
Ndërsa mbyllja e festivalit do të bëhet gjatë muajit shkurt me koncert madhështor i cili do të jetë befasi e këndshme për publikun.
Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – Trombonist dhe Avni Krasniqi – Trumpetist, ndërsa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com
“Kosova Brass Festival” këtë vit fillon më herët se edicionet e kaluara. Edicioni i tretë i festivalit të tunxhit këtë vit fillon më 2 maj në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Edhe këtë vit festivali do të organizohet dhe mbahet në disa etapa. Etapa e parë fillon me “Java e trumpetës dhe ansamblit të tunxhit”. Kjo javë e cila do të zgjas nga 2 deri me 6 maj, vjen si rezultat i bashkëpunimit të festivalit me “World & European Brass Association”. Gjatë javës së trumpetës dhe ansamblit të tunxhit do të mbajnë masterklasë profesorët dhe instrumentistët me renome botërore, prof. Otto Sauter dhe prof. Daniel Crespo.
Profesori Otto Sauter është trumpetist solist ndërkombëtar dhe drejtor artistic i “Ëorld & European Brass Association” ndërsa profesori Daniel Crespo është trumpetist i parë në Filhramoninë e Teatro Colón dhe profesor i trumpetës në konzervatorin Franz Liszt në Buenos Aires – Argjentinë.
Masterklaset mbahen në sallën e Filharmonisë së Kosovës dhe do të jenë të hapura për gjithë studentët dhe nxënësit dhe instrumentistët e tunxhit në vend.
Ky festival që do të filloi në fillim të muajit maj, ogranizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit Avni Krasniqi dhe Betim Krasniqi./ KultPlus.com
“Kosova Brass Festival” i cili po e sjellë edicionin e dytë, mbrëmë shënoi edhe mbrëmjen më të rëndësishme koncertale, me trumpetistin gjerman me renome botërore, Otto Sauter si dhe trombonistin gjerman, Peter Körner, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Publiku prishtinas rrallë ekspozohet ndaj tingujve të një instrumenti siç është trumpeti, dhe aspak i rëndomtë ishte edhe rasti që të dëgjoje një instrumentist si gjermani Otto Sauter, i cili kishte shkelur skenat më të njohura në botë, e kishte interpretuar me solistët më të spikatur. Ky koncert mbrëmë erdhi për publikun prishtinas, nën organizimin e Kosova Brass Festival në bashkëpunim me Asociacionin Botëror të Tunxhit.
Instrumentistët mysafirë, u shoqëruan me lojë bindëse e harmoni, nga kuarteti i harqeve i cili mbrëmë erdhi në përbërje nga: Visar Kuci dhe Erlinda Gashi në violinë, Arianit Shehu në Violë dhe Antonio Gashi në violonçelo.
Kuarteti qëndroi gjatë gjithë koncertit pa lëvizur nga ulëset, mirëpo instrumentet e tyre ishin ato që lëviznin tingujt në sallë, e bashkëdyzoheshin me lojën e instrumentistëve gjerman. Në mes tyre, vëmendja u përqendrua tek Otto Sauter, i cili përveç lojës plot muzikalitet, e tinguj që depërtonin, ai shpërfaqte edhe emocionet teksa lëvizte, mes buzëqeshjeve e lëvizjeve të lehta të trupit.
Trumpetisti gjerman Otto Sauter, numëron rreth pesë dekada të rrugëtimit të tij me këtë instrument, pasioni për të cilin nuk i është ndarë që nga fëmijëria. Ai mbrëmë solli për herë të parë në Kosovë, lojën në piccolo trumpetë ndërsa theksoi se kënaqësia që i dhuroi qëndrimi këtu, do ta kthej atë përsëri vitin tjetër në Prishtinë.
“Unë luaj në piccolo trumpet qysh kur isha fëmijë i vogël. Është krejt çka dua dhe bëjë, prandaj edhe dua që këtë dashuri ta ndaj me të tjetër, me fëmijët. Jam shumë i lumtur që erdha këtu dhe pata rastin të luaj për juve në këtë festival. Kam luajtur në shtetet e Evropës Jugore dhe e di ndjenjën se si është të luash këtu. Më kanë thënë se është vend i varfër por unë i pash rrugët e mbushura plotë me njerëz, atmosferë dhe jetë të bukur. Prandaj edhe më pëlqeu që luajta këtu. Do të rikthehem edhe vitin tjetër. Zakonisht në repertorin tim zgjedhë vepra barokene por edhe të tilla që janë kompozuar tani, ose për mua”, ka treguar trumpetisti Otto Sauter për KultPlus.
Trumpetisti Sauter, për të disatën herë më radhë u largua në prapaskenë për t’i lënë vendin bashkëkombësit të tij, trombonistit Peter Körner. Ai i rrethuar nga loja bindëse e harkorëve kosovarë filloi interpretimin e veprës së Lepaldd Mozart.
Duke qenë se ky festival fokus kryesor ka në afirmimin e studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend andaj edhe ka organizuar vazhdimisht masterklase për studentët me pjesëmarrës të festivalit. Për trombonistin Korner, puna me studentët dhe interpretimi para tyre kishte një rëndësi të veçantë.
“Në çdo festival ne i mësojmë fillimisht studentet dhe pastaj luajmë në koncert të shohim nëse ajo çfarë ne kemi mësuar ka qenë e duhura, është e rëndësishme që studentët me të cilët kemi punuar këto ditë, na dëgjuan sonte, kjo është shumë interesante dhe e vështirë në të njëjtën kohë. Nuk ka shumë vepra për trombon, unë sonte luajta me trombonin e vogël dhe është gjithnjë e vështirë për shkak të madhësisë së tij dhe për shkak se duhet ta ndryshosh pozitën gjatë gjithë kohës por kjo lojë sonte ”, shpjegoi trombonisti gjerman për KultPlus.
Çelisti nga Kosova, Antonio Gashi tha se ishte kënaqësi e jashtëzakonshme interpretimi me instrumentistët gjermanë, dhe interpretimi i këtyre veprave nga një kuartet i vogël solli një miniversion të suksesshëm sonte.
“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe bashkëpunimi me dy instrumentistët me famë botërore dhe me kuartetin tonë, edhe pse nuk kemi pasur shumë kohë për prova, sonte u pa që nuk kemi pasur as problem në komunikim me njëri-tjetrin dhe kjo është çfarë na lidh të gjithëve, një gjuhë universale, e cila kuptohet në secilin vend njësoj. Veprat janë përzgjedhur nga solistët dhe sollëm një variant vetëm për një kuartet të vogël, këto normalisht luhen nga një orkestër e madhe por në këto kushte krize është e vështirë angazhim i një orkestre të plotë kështu që e kanë bërë një miniversion i cili ka dalë i lezetshëm”, tha çelesti Gashi.
Festivali ndërkombëtar i tunxhit në Kosovë do të përmbyll edicionin e dytë, më 14 Dhjetor me koncertin e pestë i cili do të mbahet në Amfiteatrin e Bibliotekës
Universitare, kjo mbrëmje do t’u kushtohet studentëve dhe instrumentistëve të tunxhit në vend./ KultPlus.com
Mbrëmja e katërt koncertale e festivalit ndërkombëtar të tunxhit “Kosova Brass Festival”, e cila është dhe njëra ndër mbrëmjet më të rëndësishme të edicionit të dytë, mbahet sonte me fillim nga ora 19:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, shkruan KultPlus.
Në këtë mbrëmje do të prezantohen para publikut trumpetisti gjerman me renome botërore, Otto Sauter si dhe trombonisti gjerman, Peter Körner.
Instrumentistët mysafirë, do të shoqërohen nga instrumentistët vendor, kuarteti i harqeve i cili përbëhet nga: Visar Kuci – Violinë, Erlinda Gashi – Violinë, Arianit Shehu – Violë dhe Antonio Gashi – Violonçelo
Koncerti organizohet nga Kosova Brass Festival në bashkëpunim me Asociacionin Botëror të Tunxhit./ KultPlus.com
Në mbrëmjen e dytë koncertale të Kosova Brass Festival, do të prezantohet kornisti nga Shqipëria, Ilir Kodhima, shkruan KultPlus.
Kodhima është kornist i parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në tiranë. Kodhima do të shoqërohet nga pianisti kosovar, Adem Hasani dhe mysafire e mbrëmjes do të jetë sopranoja shqiptare Eriona Gjyzeli. Koncerti mbahet nesër e martë, më 5 dhjetor me fillim nga ora 19:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës.
Ju kujtojmë se festivali Kosova Brass ka filluar me 30 nëntor dhe është hapur nga trombonisti nga Republika Çeke, Lukáš Moťka dhe pianisti kosovar, Misbah Kaçamaku. Festivali do të zgjas deri me 18 dhjetor me pjesëmarrës të shumtë nga vendi dhe bota ku nuk do të mungojnë edhe emra botëror, siç është trumpetisti gjerman me renome botërore, Otto Sauter.
Ndërsa festivali do të mbyllet me trumpetistin dhe pedagogun amerikan, Gregory Jones i cili vjen nga Indiana University/Prude University Fort Wayne./ KultPlus.com
Mbrëmë filloi edicioni i dytë i festivalit “Kosova Brass”, i cili për publikun solli edhe koncertin e parë në interpretimin e trumbetistit çek Lukáš Moťka dhe pianistit kosovar Misbah Kaçamaku, shkruan KultPlus.
Gili Hoxhaj
Veprat çeke dhe franceze jehuan mbrëmë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, me një koordinim të mahnitshëm të bashkëpunimit çeko-kosovar. Trumbetisti çek Lukáš Moťka dhe pianisti kosovar Misbah Kaçamaku të dy pranë instrumenteve të tyre, e nisën dhe përfunduan bashkë këtë koncert.
Misbah Kaçamaku theksoi se një festival siç është “Kosova Brass”, do duhej të ishte i pranishëm për publikun gjatë gjithë vitit, dhe jo vetëm në Prishtinë por edhe në qytete të tjera të Kosovës.
“Tungji është një instrument jo dhe aq i njohur tek ne, kështu që zakonisht piano, flauta, kitara, violençello dhe me kaq përfundon ndërsa kur vjen te boria, tromboni është më ndryshe pasi që vetëm pas luftës kemi filluar t’u japim përparësi mëshomë këtyre instrumenteve. Një festival si ky, jo që ish dashur të përkrahet, po do duhej të ishte tërë vitin, pra një herë në javë do duhej ta kishim një koncert me instrumente te tunxhit, atëherë edhe popullata e kishte kuptuar rëndësinë e këtij instrumenti. Madje një problem tjetër i madh që të gjitha festivalet për shkak të kushteve janë të bazuara vetëm në Prishtinë”, tha pianisti Kaçamaku për KultPlus.
Në pjesën e parë të këtij koncerti erdhën veprat çeke të kompozitorit Vaclav Smita, Václav Riedlbauch, për të vazhduar me pjesën e dytë ku trumbetisti çek sjellë një frymë franceze në interpretimin e tij solo të veprave të kompozitorit Francois Michèle dhe Alexandre Guilmant. Në fillim të interpretimit Motka, fshihet në prapaskenë por tinguj e fuqishëm që sjellë nga atje e plotësojnë këtë mungesë. Duke mos u shkëputur nga tingujt, ai del nga atje më ngadalësi, e me goditje të këmbeve mbi skenë, të cilat veçse e plotësojnë edhe më shumë praninë e tij artistike në këtë koncert. Sytë e tij herë mbyllen e herë hapën, ndërsa vetullat e tij ngrihen sa herë që me tingujt e tij arrin ta rrëmbej publikun.
Kjo ishte hera e tretë që Lukáš Moťka interpreton para publikut kosovar. Ai tha për KultPlus se këtë festival e cilëson si një projekt shumë të rëndësishëm për Prishtinën.
“Mua më pëlqen te luaj veprat çeke, andaj dhe gjysma e programit ishte me këto vepra, sepse dëshiroja që kësaj audience t’i sjellë vepra çeke me anë të trombonit dhe pjesa tjetër është e lidhur me muzikën franceze, pasi që muzika franceze është kryesorja me të cilën luhet me trombon. Mendoj se festivale si këto janë shumë të rëndësishme pasi që takojnë interpretuesit e tombonit, jam shumë i lumtur që edhe këtu në Prishtinë ka mundësi për të luajtur me këtë instrument pasi që kështu edhe mund të zhvillohen marrëdhëniet mes shteteve dhe mentaliteteve të ndryshme”, tha trumbetisti Motka.
Ky festival do të përbehet nga pesë mbrëmje koncertale dhe po ashtu do të përfshihen edhe aktivitete të tjera si masterklase për studentët. Instrumentistët pjesëmarrës sivjet në “Kosova Brass” vijnë nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Republika Çeke dhe Amerika.
Në mesin e tyre është dhe trumbetisti me renome botërore, gjermani Otto Sauter i cili do të prezantohet para publikut kosovar me Piccolo Trumpetë i shoqëruar nga kuarteti i harqeve, i cili do të udhëhiqet nga violinisti i njohur Visar Kuçi. Organizatori i këtij festivali, Avni Krasniqi tregoi për KultPlus për vështirësitë e në të cilat has ky festival, ndërsa theksoi se është një fat shumë i madh që këtë festival ta hapin me dy interpretues të njohur siç janë trumbetisti Lukáš Moťka dhe pianisti kosovar Misbah Kaçamaku.
“Më e vështira ka qenë krijimi i festivalit, që me anë të tij të sjellësh diçka të re por për fat të mirë që nga fillimi i festivalit ka nisur mbarë. Gjithmonë hasim në vështirësi, por problemi permanent është salla, edhe pse këtë vit e kemi më të lehtë, sepse na kanë mundësuar shfrytëzimin e sallës në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Kemi një përkrahje modeste sa i përket organizimit por me të gjitha vështirësitë prapë kemi arritur që të mbledhim një numër të konsiderueshëm të artistëve vendor dhe ndërkombëtar. Sonte patëm fatin që para neve të interpretojnë këta dy interpretues të njohur, vlen të çeket se Lukáš Moťka se është trombonisti i parë në Filharmoninë e Republikës çeke”, tregoi mes të tjerash Krasniqi.
Ai po ashtu theksoi edhe rëndësinë që ka shtrirja e instrumentit të tunxhit përmes këtij festivali.
“Instrumentet e tunxhit i kanë munguar Kosovë më herët, më parë ka pasur deficit të instrumenteve të tunxhit por ka pasur vetëm përpjekje individuale, pra nuk ka pasur në mënyrë të organizuar diçka. Instrumentistet janë importuar nga jashtë, nga Shqipëria dhe Maqedonia ndërsa për fatin tone të mirë këto dhjetë vitet e fundit falë punës së pedagogeve kanë arritur të mbushen të gjitha vakumet që kanë qenë më herët dhe të plotësohen me instrumentistë vendor. Duke u nisur nga emri, tregon se ky festival është një festival që i kushton rëndësi të veçantë instrumentit të tunxhit dhe është ekskluzivisht për instrumentistet e tunxhit, por duke futur edhe instrumentist të tjerë”, tha tutje Krasniqi.
Ky festival do të sjellë koncertin e radhës javën tjetër, më 5 dhjetor ku do të interpretojnë: Ilir Kodhima dhe Eriona Gjyzeli nga Shqipëria, si dhe Adem Hasani nga Kosova . /KultPlus.com
Sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Prishtinës, vjen edicioni i dytë i festivalit “Kosova Brass”, shkruan KultPlus.
Ky edicion mbledh rreth vetës emra të njohur botërorë dhe sjellë aktivitete të ndryshme.
Instrumentistët pjesëmarrës sivjet në “Kosova Brass” vijnë nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Republika Çeke dhe Amerika.
Në mesin e tyre është dhe trumpetisti me renome botërore, gjermani Otto Sauter i cili do të prezantohet para publikut tonë me Piccolo Trumpetë i shoqëruar nga kuarteti i harqeve i udhëhequr nga violinisti jonë Visar Kuçi.
Festivali edhe këtë vit, rëndësi të veçantë do t’i kushtoj studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend. Në kuadër të festivalit do të organizohen gjatë gjithë kohës sa zgjatë festivali, masterklase për studentët me pjesëmarrës të festivalit.
Mbrëmja e parë e festivalit nis sonte më 30 nëntor me fillim në ora 19:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com