Vepra voluminoze “KOSOVA” në tetë vëllime, e botuar midis viteve 2012-2018 dhe e përkthye në anglisht, botohet si libër-sintezë me titullin “Kosova – histori e shkurtër”, përcjellë KultPlus.
Autori është përcaktuar që versioni i shkurtër i “Kosovës” nga 5600 faqe në 928 faqe të përmbushë kriteret shkencore, pra të ripunimit dhe të plotësimit të disa tezave të shtruara, por edhe të formulimit të tyre pragmatik për nevojat praktike që ofron një libër i vetëm. Në këtë aspekt, autori duke u fokusuar te Dardanët dhe të Dardania si qendër e antikitetit në Ilirik dhe më gjerë, rikonfirmon identitetin kulturor, shoqëror dhe politik të botës së Arbnit në rrethanat e Bizantit si bosht të të gjitha zhvillimeve, që solli krishterimi – para dhe gjatë ndarjes, dhe veçmas, shfaqja e Osmanëve në lindje, që kësaj ndarje dhe përçarje, me islamin, i dha edhe konotacionet e luftës së qytetërimeve.
Në këtë konfigurim, autori, e çon më tutje tezën rreth Dardanisë si qendër e identitetit arbëror edhe në mesjetën e mesme të zhvilluar nën emblemën kulturore dhe shpirtërore të krishterimit të ritit ortodoks (si shumicë me liturgjinë e sllavishtes së vjetër kishtare) dhe atë të ritit katolik (si pakicë me liturgjinë në gjuhën latine, po ku zu të shfaqet edhe shqipja), me ç’rast me shumë argumente nga burimet bizantine dhe të tjera të kohës të falsifikuara dhe të manipuluara nga historiogrfia serbe, përgënjeshtrohen tezat rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serb në Kosovë si dhe kishë autoqefale serbe në shekullin XIII. Duke u konfrontuar me pohimet joshkencore të historianëve serbë, autori rivlerëson rolin e dinastisë Nemanjane të Rashës në kuadër të trashëgimisë historike Dardane-Ilire, ngaqë Nemanjajt, në të gjitha dokumentet meritore bizantine cilësohen si Tribalë, ndërsa Rasha – zhupani tribale. Njëjtë veprohet edhe me trashëgiminë ortodokse të arbërve që i kanë takuar liturgjisë kishtare sllave, si pjesë e krishterimit të përbashkët, që kishte qendrën në Dardani nga koha e perandorit Justinian në shekullin VI e këndej.
Pjesë e rëndësishme e këtyre rishqyrtimeve janë edhe ato që i takojnë Rilindjes Kombëtare. Vilajeti i Kosovës shfaqet qendër politike shqiptare, ku Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) promovoi ideologjinë e nacionalizmit politik shqiptar me kërkesën për autonomi në kuadër të Perandorisë Osmane, që edhe u konkretizua me shfaqjen e Qeverisë së Lidhjes në vitin 1880, me ç’rast ideja e shtetit shqiptar të Skënderbeut, të rrënuar gjatë pushtimit osman, zuri të rikthehej në histori. Kryengritjet e viteve 1908-1912, në gusht të vitit 1912, në Shkup, me marrëveshjen e Hasan Prishtinës me Ibrahim Pashën, me atë që doli si Shqipëri Osmane, ia hapën rrugën pavarësinë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Libri do të promovohet më 17 shkurt me rastin e 13 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës në Prishtinë dhe në Shkup. / KultPlus.com