Sot, pak orë para ngjarjes së promovimit në Harvard Faculty Club që filloi në orën 5:30, “Kosova” e Buxhovit iu dorëzua zyrtarisht Zv.Drejtoreshës së Bibliotekes së Universitetit të Harvardit, Elizabeth Kirk.
Në një diskutim të përemertë bashkë me autorin Buxhovi, botuesin Tafilaj nga Jalifat Publishing e bashkëbotuesin Abdullahu, Kirk shprehu falëmderimin më të sinqertë për pranimin e librave në fjalë.
Në vatrën më të famshme të diturisë e të kërkimeve akademike nga sot edhe historia e Kosovës në tri volumet e përkthyera e botuara në Anglisht (bashkë edhe me një kopje të librit “Maqedonia” në Anglishtë poashtu) do të jenë e çasshme për shkollarë e studentë, profesorë e hulumtues nga e gjithë bota që frekuentojnë Universitetin e Harvardit.
Imazhi i Republikës sonë të re ndërtohet më së miri përmes shkencës e fakteve, përmes përkushtimit e punës vetmohuese!
Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.
“Krenar që në universitetin tim nga ku kam magjistruar para fiks 15 viteve, kemi kaq shumë respekt e çasje!”, ka shkruar tutje Bislimi në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Libri “Kosova” nga Jusuf Buxhovi do tëpromovohet në Universitetin e Harvardit, përcjell KultPlus.
Libri në fjalë konsiderohet se ka dridhur në themel propagandën shumëvjeçare sllave anti-shqiptare mbi prejardhjen dhe historinë tonë kombëtare dhe bazuar në fakte historike e referenca arkivore e akademike, libri paraqet versionin më të çiltër e të saktë të historisë së Kosovës.
Po ashtu, botimi i librit në SHBA në anglisht është mundësuar pas përkthimit nga shqipja nga Avni Spahiu, Getoar Mjeku dhe Faton Bislimi.
KultPlus ju sjell tutje njoftimin e Faton Bislimit:
Ndjehem krenar që si ish-student i Harvardit dhe si Përfaqësues për Kosovë i ‘Harvard Alumni Association’, në bashkëpunim me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në Harvard College, nën udhëheqjen e Gred Braho, e në bashkëpunim të ngushtë me botuesin e mikun tim të çmuar Ramiz Tafilaj (Jalifat Publishing, Houston) me mbështetjen e parezervë të z. Milaim Abdullahu (Santefarm, Prishtinë), do promovojmë librin e famshëm të historianit e publicistit të shquar të Kosovës, Jusuf Buxhovi, “Kosova” në tri vëllime, në Universitetin e Harvardit më 24 Janar 2022.
Një ngjarje e tillë në njërin nga top universitetet në Amerikë e botë është ogurbardhë për Kosovën dhe imazhin tonë si shtet e komb!
Një falëmnderim i veçantë për përkrahjen e kësaj ngjarje shkon edhe për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston dhe MASSBESA!
Ftoj të gjithë shqiptarët në rrethninën e Bostonit të na bashkangjiten me 24 Janar në këtë promovim! / KultPlus.com
Presidenti Ilir Meta përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka përgëzuar historianin Jusuf Buxhovi për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme, përcjellë KultPlus.
“Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike”, ka shkruar Meta.
KultPlus ju sjell postimin e plotë të tij:
Shumë i ngrohtë bashkëbisedimi, që zhvillova sot, me historianin e njohur nga Kosova, Jusuf Buxhovi dhe dy botuesit e veprave të tij, shqiptaro-amerikanin Ramiz Tafilaj dhe Milaim Avdullahun. E përgëzova për punën e jashtëzakonshme për nxjerrjen në dritë të historisë sonë të lashtë kombëtare, deri në ditët e sotme. Duke i uruar shëndet të mirë dhe energji të pashtershme për vazhdimin e angazhimit të tij shkencor, theksova se të dy shtetet tona dhe institucionet përkatëse studimore duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në hartimin e veprave të përbashkëta historike, që zbardhin të vërtetat për shqiptarët dhe historinë e tyre, si e vetmja mënyrë për të hedhur poshtë me fakte pretendimet e pabazuara, që mohojnë ose shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. E falenderova historianin Buxhovi për dhurimin e veprave të tij “Kosova”, “Maqedonia” dhe “Kosova – histori e shkurtër”. / KultPlus.com
Drejtori i shtëpisë botuese amerikane “Jalifat Publishing” nga Houstoni, Ramiz Tafilaj, ia dhuroi Presidencës së Kosovës 100 komplete të veprës “Kosova” I,II, III në anglisht të historianit Jusuf Buxhovi, përcjellë KultPlus.
Donacioni iu dorëzuar sot Presidencës së Kosovës.
Botuesi amerikan ka paraparë që një numër i konisderueshëm i kësaj vepre t’u dhurohet ambasadave të Republikës së Kosovës që të shpërndahet.
“Kosova” I,II, III është përkthyer në anglisht dhe botuar në SHBA në vitin 2014. Si e tillë, ka depërtuar në institucionet hulumtuese shkencore dhe në universitetet më të rëndësishme amerikane, tashmë e rekomanduar si literaturë shkencore. Vepra ka depërtuar edhe në qendra të rëndësishme universitare në Europë, Azi dhe Afrikë. / KultPlus.com
Tri vëllimet më të reja të librit “Kosova” VI,VII dhe VIII të Jusuf Buxhovit, përmbyllin projektin historiografik të autorit prej tetë vëllimesh me rreth pesëmijë faqe tekst të formatit B-5.
Pas pesë vëllimeve të para që përfshijnë Antikën, Mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën e viteve 1912-1945 dhe atë 1945-1999, vijnë këto tri vëllime të reja që përfshijnë (në librin e gjashtë) ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001 dhe në librin e shtatë vështrohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë dhe për Kosovën në periudhën 2002-2008.
Në vëllimin e tetë janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi, siç janë Vendimet e Shën Stefanit, Protokollet e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilat kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve në përgjithësi.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe pas hyrjes së NATO-s çështja e shqiptarëve në Ballkan, megjithatë, nuk kishte perspektivë të një zgjidhjeje përfundimtare, sepse trojet shqiptare ishin të copëtuara nëpër shtete të ndryshme të cilat kishin edhe qëndrime tepër të ndryshme lidhur me pozitën e tyre.
Autori niset nga fakti historik se Rezoluta 1244 në Kosovë anuloi dy gjendje: Republikën e Kosovës të shpallur në Kaçanik si dhe pushtimin policor ushtarak serb. Mirëpo ky zhvillim nuk mundi të anashkalojë proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga okupimi serb më 1912 i përcjellë nga dy ripushtime: ai i vitit 1918 dhe 1944, e as realitetet shoqërore politike që i kanë përcjellë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera që kishin mbetur nën Jugosllavinë e dikurshme e mandej nën shtetet që kishin shpallur pavarësinë: si Serbia e Maqedonia.
Autori në këtë vëllim analizon në hollësi formulën e nxjerrjes së Serbisë nga Kosova duke hyrë NATO në Kosovë me të gjitha problemet që ishin shkaktuar, sidomos me hyrjen e trupave ruse në Kosovë, ndarjen e sektorëve, çmilitarizimin e UÇK-së dhe fillimin e krijimit të TMK-së.
Fillimi i vendosjes së protektoratit ndërkombëtar në Kosovë dhe faza e emergjencës humanitare, vakuumi institucional dhe qeveria e përkohshme dhe problemet e mëdha që rrjedhin në shoqërinë kosovare gjatë asaj periudhe, roli i ndërkombëtarëve në to sidomos në fazën e pare, të gjitha gjejnë vend në këtë që autori i vë në spikamë duke u mbështetur në fakte dhe dokumente.
Periudha tjetër e analizës është ajo e rimëkëmbjes dhe përpjekjeve për një normalitet, siç ishin aktivitetet e para ekonomike dhe rindërtimi i vendit mbas shkatërrimeve që kishte lënë lufta, zgjedhjet e para lokale dhe vendosja e vështirësuar e legjitimitetit demokratik, korniza kushtetuese dhe formimi i institucioneve vetëqeverisëse. Faktet e paraqitura lidhur me këtë periudhë nëpër të cilën kalonte Kosova janë dëshmuar dhe analizuar hollësisht duke u ndalur edhe në shkaqet dhe pasojat e tyre.
Kapitull i veçantë në këtë vëllim është raporti midis gjendjes në Kosovë dhe Lugina e Preshevës, UÇPBM-ja dhe lufta për autonomi territoriale e politike si dhe lufta që ndodhi në këtë kohë në Maqedoni. Referendumi për Autonomi Territoriale dhe Politike i vitit 1992 në Luginën e Preshevës qe pikënisje e luftës në këtë rajon. Autori u bën një analizë të hollësishme, mbështetur në fakte e dokumenteve ngjarjeve që rrodhën në atë periudhë, të cilat e shtynë faktorin ndërkombëtar që të ndërhynte në parandalimin e konfliktit.
Lidhur me këtë autori jep tekstin integral të Marrëveshjes së Konçulit.Çështjen e Maqedonisë autori e trajton duke u nisur nga fakti se një përçasje sado e shkurtër e rrethanave politike të shfaqjes së Maqedonisë si koncept gjeografik nga Kriza Lindore e këndej, të Republikës së Maqedonisë në përbërje të ish Jugosllavisë dhe të shpalljes shtet i pavarur më 1991 tregon se shqiptarët i lidh si etnitet shtetformues në të në një hapësirë ku shfaqej edhe popullsia sllavo-maqedonase.
Kjo mbështetet mbi argumentet historike, ato politike dhe argumentet etnike duke ndërlidhur Maqedoninë etnike si pjesë e etnisë dardane-ilire, periudhën e Vilajetit të Kosovës me Shkupin si qendër e shqiptarizmit politik, ngritjen e Maqedonisë në çështje ndërkombëtare në dëm të interesave shqiptare, realitetin demografik – vazhdimësinë nga antikiteti dhe lufta për rrënimin e tij, periudhën e Mbretërisë Jugosllave dhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, Xhemijetin dhe përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve, Lidhjen e Dytë të Prizrenit,NDSH-n e Shkupit e të tjera.
Me argumentet historike autori Jusuf Buxhovi Maqedoninë antike e ndërlidh si pjesë e etnisë dardane-ilire në kuadër të botës pellazge, që si e tillë do të pasqyrohet edhe gjatë kohës së Perandorisë Romake, asaj të Bizantit si dhe nën Perandorinë Osmane.
Në bazë të argumenteve politike Maqedonia del si Vilajet i Kosovës dhe si qendër e shqiptarizmit politik që doli nga Programi i Lidhjes së Prizrenit. Ndërkaq Shkupi ishte qendër e vilajetit prej nga do të drejtohej e tërë lëvizja kombëtare për shtetin shqiptar.Argumentet etnike mbështeten në praninë e pandërprerë të shqiptarëve në trojet e veta që nga antikiteti.
Prandaj autori me të drejtë konstaton se ky realitet nuk mund të rrënohet dhunshëm, siç u veprua më 1912 dhe më 1944, apo me shpërnguljet e vazhdueshme. Autori në këtë pjesë ndalet dhe analizon hollësisht zhvillimet në antikitet për të arritur mandej në zhvillimet aq të rëndësishme të kohës së Vilajetit të Kosovës që ishin ngjarjet më të rëndësishme dhe më domethënëse për formimin e shtetit shqiptar, edhe pse për këtë pjesë të tokave shqiptare të gjitha ngjarjet nuk rrodhën në interes së vetë shqiptarëve.
Realitetin demografik autori e sheh si një faktor shumë të rëndësishëm të vazhdimësisë etnike që nga antikiteti pavarësisht se është bërë luftë e përhershme për rrënimin dhe ndryshimin e atij realiteti. Në kuadër të kësaj autori ndalet në pikat kryesore të atyre përpjekjeve dhe të zhvillimeve në këtë anë duke analizuar angazhimin e mbretërisë jugosllave dhe shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, përpjekjet e vazhdueshme për asimilim të shqiptarëve, rrënimin e Jugosllavisë së Versajës, Lidhjen II të Prizrenit dhe Shtetin e Pavarur Shqiptar,NDSH-n e Shkupit dhe opsionin e bashkimit kombëtar për të arritur deri te Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe lufta e saj.
Kapitull iu veçantë i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rrugës së zhvillimit të saj, tri aspekteve të luftës së UÇK-së – atij ushtarak, diplomatik dhe politik duke arritur edhe në përfundime të caktuara për secilin aspekt të kësaj lufte.Vëllimi i shtatë përfshin periudhën kohore 2002-2008 nëpër të cilën kaloi Kosova. Autori konstaton se Kosova në këtë periudhë kaloi nëpër dy faza të rëndësishme të zhvillimit politik dhe shoqëror që do ta çojnë te shpallja e pavarësisë.
E para ka të bëjë me krijimin e institucioneve vetëqeverisëse nëpërmjet zgjedhjeve të lira parlamentare dhe e dyta lidhet me plotësimin e kritereve – “Standardet para statusit”. Në këtë mënyrë procesi i arritje dhe shpalljes së pavarësisë u vu në binar të pakthyeshëm. Autori duke kaluar nëpër këtë periudhë kohore gjashtëvjeçare dhe duke analizuar të gjitha ngjarjet më vendimtar të zhvillimit të Kosovës jep një pasqyrë të realitetit të dokumentuar me fakte relevante për Standardet para statusit, Trazirat e Marsit 2004, Tribunalin e Hagës, Hapjen ne statusit final, Vdekjen e Presidentit Rugova, Bisedimet e Vjenës, Propozimet e Ahtisarit, të gjitha këto faza të zhvillimeve drejt shpalljes së pavarësisë.
Në këtë vëllim autori ka vënë edhe një Shtojcë që është me interes të veçantë, në të cilën i bën një qasje historike identitetit kulturor dhe atij shtetëror të shqiptarëve nga antikitetit e deri në kohën tone të ndërlidhur me mbretërinë e Dardanisë si dhe e krishterimit nga shfaqja si trashëgimi shpirtërore e shqiptarëve e cila me Pakon e Ahtisarit sa nga kompromiset e dëmshme politike për të pranuar realitete të reja e sa nga një destruksioni një pjese të historianëve shqiptarë se krishterimi ortodoks ishte identitet pushtues dhe asimilues sllav, nga i cili duhej hequr dorë, iu dhurua thuaja se vullnetshëm Serbisë, ndonëse politika hegjemoniste e Beogradit nga shek. XIX e këndej duke përvetësuar ortodoksinë si dhe objektet kishtare në Kosovë me falsifikime e shpalli atë si pjesë e kishës ortodokse serbe e me këtë edhe të trashëgimisë së saj kulturore si pjesë e të drejtave historike.
Në vëllimin e tetë janë përmbledhur dokumentet më të rëndësishme të zhvillimeve historike dhe të ngjarjeve të mëdha që kanë përcaktuar edhe historinë shqiptare, Vendimet e Shën Stefanit, ato të Kongresit të Berlinit dhe një zgjedhje e dokumenteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Një pjesë e këtyre dokumenteve shpeshherë janë komentuar edhe njëanshëm duke mos u mbështetur në origjinalet ose duke mos i njohur sa duhet apo edhe me qëllim të caktuar. / KultPlus.com