Qendrim Badalli
“Me shumë dashni nga Arbëri” shkruhej nga autori në librat dhuruar të pranishmëve në mbyllje të promovimit të librit “Kosova në 14 tregime kulturore”. Në fakt, me shumë dashni dhe profesionalitet ishte realizuar gjithë ajo punë gjashtë mujore në fushën e kulturës dhe artit, punë e cila kulmoi me botimin e këtij libri, i cili tashmë është pjesë e pashmangshme e korpusit kulturor në vend, shkuan KultPlus.
Promovimi nuk ishte i zakonshëm. Gjithçka dukej sikur i ishte lënë në dorë spontanitetit. Karrige që vazhdimisht shtoheshin paralelisht me shtimin e mysafirëve, një pjesëmarrje e moshave të ndryshme që ofronin një kolorit interesant në sallë, si dhe një realizim i promovimit pa të ftuar në panel apo ndonjë prezantues siç jemi të mësuar të shohim në promovimet tjera. Vetëm një gjë ishte mirë e planifikuar: muzika. Tingujt muzikor ishin zgjedhur me kujdes, ata shoqëruan gjithë mbrëmjen kushtuar kulturës, kushtuar autorit Arbër Selmanit.
Nga mbrëmë, intervistat dhe rrëfimet ku janë përfshirë Pranvera Badivuku, Armend Rexhepagiqi, Anton Pashku, Dilaver Kryeziu, Ali Podrimja e ikona tjera të artit e kulturës shqipe, i janë shtuar fushës së kulturës dhe do të mbesin përgjithmonë të dokumentuara.
Autori i librit, Arbër Selmani, pasi ka bërë një varg falënderimesh ka folur përgjithësisht për realizimin e këtij libri.
“Kosova në 14 tregime kulturore, pak po du me bisedu sepse nuk kam dashtë me marrë askënd afër vetes që me e lujtë rolin e recensentit apo me më komentu sa i mire jam. Këto tekste janë realizuar me një dëshirë shumë të madhe dhe me një vullnet dhe përkushtim. Të gjithë e dimë se jeta në Kosovë nuk është aspak e lehtë dhe përgjatë këtyre muajve normalisht ndodhin plotë peripeci jetësore dhe normalisht kam provu të përthekohem në këto 14 tekste. Edhe 10 tjera janë nisë por nuk kanë përfunduar sepse kanë qenë më vështirë mu realizu.”
Ai ka falënderuar në mënyrë të veçantë të gjithë ata që kishin bashkëpunuar për tu jetësuar ky libër, teksa i gjithë fjalimi i tij përcillej nën emocione që nuk fshiheshin dot.
“Përmes këtyre teksteve kam sjell Anton Çetën me anë të fëmijëve të tij, Anton Pashkun me anë të fëmijëve, Fitnete Tudën, Armend Regjepagiqin. Kam shkruar për Hamamin e Prizrenit, për Muzeun në Prishtinë. Janë tregime kulturore që kam dashur t’i sjell në një frymë tjetër. Nuk është e lehtë për askënd që të flas për një anëtar të familjes që nuk ekziston më, prandaj mua më vjen mirë që një pjesë e mirë e personazheve më kanë lejuar të hyj në territorin e këtyre njerëzve, në jetën e këtyre njerëzve”.
Njëra nga personazhet që është pjesë e këtij libri, Fitnete Tuda, për KultPlusin ka thënë se është e nderuar që është pjesë e këtij libri krah figurave eminente të fushës së kulturës në Kosovë.
“Të them të drejtën për mua ishte një befasi shumë e këndshme, sepse fillimisht kur Arbëri më tha për intervistën unë mendova se është një intervistë vetëm për KultPlusin, sepse me KultPlusin kemi pasur bashkëpunim kohë pas kohe, mirëpo sot kur e shoh këtë libër në dorë, të them të drejtën ndihem shumë shumë e nderuar që jam në mesin e këtyre njerëzve të kulturës që kanë dhënë shumë për kulturën”.
Tutje, ajo ka thënë se ky kontribut është i veçantë dhe do të shërbejë edhe për brezat tjerë dhe për gjithë vetëdijen kulturore kombëtare.
“Është një kontribut për kulturën dhe botimet e kësaj natyre i mungojnë skenës sonë. Unë them se në fushën e publicistikës ka pak botime të tilla, dhe kjo është një memorie shumë e mirë për brezat e rijnë për traditën dhe vetëdijen tonë kulturore, një kontribut shumë i veçantë për Kosovën dhe më gjerë dhe unë e uroj Arbërin për këtë punë që e ka bërë”.
Drejtoresha e KultPlusit, Ardianë Pajaziti, ka vlerësuar librin dhe ka folur për kontributin e KultPlusit në realizimin e këtij libri teksa ka thënë se është kënaqësi për redaksinë e kësaj medie që një redaktor ka botuar një libër për fushën e kulturës.
“Faktikisht të gjitha këto rrëfime që u prezantuan sot në libër paraprakisht janë publikuar në KultPlus dhe do të thotë që ata që kanë dashtë me përcjellë këtë përmbajtje të librit paraprakisht i kanë lexuar edhe në KultPlus. Natyrisht se është kënaqësi për redaksinë e KultPlusit që një redaktor dhe gazetar i KultPlus-it si Arbër Selmani të promovojë librin e tij duke marrë parasysh edhe figurat që i ka përzgjedh brenda librit që jo shpesh janë të pranishëm qoftë në libër apo në media dhe duke marrë parasysh këtë përzgjedhje kaq të sofistikuar puna është shumë e veçantë”.
Tutje, ajo ka thënë se KultPlusi do të vazhdojë të ofrojë hapësirën e nevojshme për autorët e rinjë në mënyrë që të kalohet hendeku midis emrave të rinjë dhe sferës publike.
“Shumë të rinjë e kanë pengëstë madhe karshi emrave të mëdhenj në fushën e kulturës. KultPlusi e zhvillon një politikë tjetër, që do të thotë se ne vlerësojmë cilësinë duke mos u bazuar në emër. Kjo është ajo që gjithmonë i kemi dhënë, jemi duke ju dhënë dhe do të vazhdojmë të ju japim hapësirën e nevojshme në të gjitha fushat që përfshinë në art dhe kulturë që të rinjët ta kenë primatin por asnjëherë duke e anashkaluar kriterin tonë kryesor që cilësia të jetë primare”.
Mbrëmja vazhdoi me një koktej rasti nën tingujt e hiteve të viteve të 90’ta në shenjë përkujtimi, në shenjë rikthimi të pasurisë kulturore që siç është shprehur autori, është njëri nga synimet e tij në jetën profesionale si gazetar. / KultPlus.com