Në 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Arkivi i Shqipërisë organizuan ekspozitën “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”.
Në këtë ekspozitë u shfaqën dokumente origjinale që nga periudha e vitit 1912, dokumente me pjesëmarrës nga Kuvendi i Vlorës , të dhëna të personaliteteve të ndryshme shqiptare dhe të dhëna për komunitetin Kombëtar për mbrojtjen e Kosovës.
Bedri Zyberaj, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, tha se dikur arkivat kanë qenë të paqasshme për qytetarët.
“Gëzuar 17 shkurti dita e Pavarësisë së Kosovës. Arkivat dikur kanë qenë institucione pak sa mistike të paqasshsme për qytetarin e thjesht, por me kalimin e kohës, ato tani i nënshtrohen një koncepti të ri, më i hapur”.
Zyberaj shtoi se në të ardhmen planifikojnë që këto dokumente t’i botojnë.
“Në të ardhmen planifikojmë këto dokumente t’i bëjmë botime të ofrohen kushte që qytetarët të kenë qasje në këto të dhëna”, theksoi ai.
Elsa Saka, përfaqësuese nga Arkivi i Shqipërisë, tha se është e lumtur që kanë sjellë nga arkivi i shtetit një shekull të ruajtës së memories së përbashkët kombëtare, transmeton Klan Kosova.
“Jam e emocionuar që në këtë datë të shënuar për Kosovën dhe Shqipërinë ndodhem para jush bashkëpunimin me arkivat e Kosovës është përhershëm e lumtur që nga arkivi i shtetit kemi sjellë një shekull të ruajtës se memories tonë të përbashkët. Të gjitha këto materiale mund t’i keni akses edhe nga Kosova nga faqja jonë online”, tha ajo
Ndërsa, drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, tha se kjo ekspozitë është domethënëse pasi paraqet rrugëtimin deri te ardhja e pavarësisë se Kosovës.
“Kjo ekspozitë paraqet rrugëtimi tonë të përbashkët për të ardhur nga deri të 17 shkurti i vitit 2008 kjo ekspozite domethënëse qe secili dokument ka rëndësi të veçantë për rrugëtimin tonë në kohë të ndryshme”, tha ai. / KultPlus.com