Ilaz Bylykbashi, shkrepjet e të cilit u bënë rrufeja që goditi botën me të vërtetën e Kosovës nën okupimin serb

Jeta Zymberi
Fotografia në ballinë: Nok Selmani

“Historinë kurrë nuk duhet harruar, por as nuk duhet që në bazë të historisë të kthehemi mbrapa”, nis kështu rrëfimin për KultPlus, një prej fotoreporterëve ikonë të kohës së luftës në Kosovë, dhe jo vetëm.

Ilaz Bylykbashi, është fotoreporteri që në kornizën e tij bardh e zi, ka fiksuar dramën shumëdimensionale të Kosovës e në këtë formë ka shpërfaq historinë e vendit tonë në formën më të qëndrueshme, atë të pamjes së vërtetës. Dimensioni real i dramës në Kosovë u përthekua në qindra e mijëra fotografi që Ilazi i shkrepi përgjatë viteve, e shumë prej tyre u botuan në gazeta e revista të njohura nëpër botë, duke u bërë pasqyrë e asaj se çfarë në të vërtetë po ndodhte në këtë vend që dukej se ishte harruar nga bota.

Pas këtyre fotografive, padyshim që qëndron një njeri i kërcënuar në vazhdimësi, i keqtrajtuar, i rënduar në mënyrë psikike e që edhe sot bart pasojat e asaj kohe. Fotoreporteri që nuk bindej dhe ndalej ndaj pengesave policore ia doli të fiksoj përmes aparatit ‘Praktika’ dhe “Nikon”, pamje që rrëfejnë pa zë rezistencën e shqiptarëve.

Kamera e Bylykbashit ishte kudo, por fotot e bëra gjatë masakrës së forcave policore dhe ushtarake jugosllave, veçmas ato ndaj masakrës së ushtruar ndaj familjes së Jasharajve në Prekaz dhe të tjerat në pranverën e vitit 1998, paraqesin dëshmitë më autentike të një krimi të madh ndaj njerëzimit, që nuk kurseu as fëmijët dhe të moshuarit. Madje, shpesh, imazhi i fundit i këtyre njerëzve ka depërtuar nëpërmjet fokusit të tij për tu shpërfaqë në një letër e për të mbetur si një vepër arti që flet më shumë se secila histori e shkruar.

Ndërsa sot, kur duket sikur pluhuri i harresës ka rënë mbi shumë ngjarje historike, këto fotografi kërkojnë një dorë që fuqishëm zhveshin kuptimin e plotë të okupimit serb përballë forcës së popullit kosovarë për liri dhe drejtësi.

Me një bagazh të madh të fotografive, Ilaz Bylykbashi viteve të fundit i është rikthyer këtij arsenali dhe bashkë me to edhe përjetimeve të asaj kohe. Nga qindra e mijëra filma që ka arritur t’i hulumtoj deri më tani, rezulton se me vlerë dokumentare janë afër dhjetë mijë foto që sipas Bylykbashit duhet të zënë vend në arkivat e shtetit.

Ilaz Bylykbashi në bashkëbisedim me gazetaren Jeta Zymberi
Fotografia: Nok Selmani

I lindur më 16 maj të vitit 1955 në fshatin Baicë të Lipjanit, Ilaz Bylykbashi, pasionin për fotografinë e kishte diku në qoshe të zemrës qysh kur ishte nxënës i gjimnazit në Gjilan, por jo edhe idenë që një ditë mund të bëhej fotoreporter. Erdhi nga Gjilani në Prishtinë për të studiuar, si shumica e studentëve kosovarë. Regjistroi studimet në degën Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, por shfaqja e disa problemeve shëndetësore ja prenë në gjysmë rrugën e studimeve për rreth 1 deri 2 vite.

Ilazi kishte edhe një tjetër dashuri, atë për gazetën “Rilindja”. Qysh nxënës ai ishte përcjellës i zjarrtë i “Rilindjes”, gazetës së parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. Duke qenë si dritarja e vetme e informimit për shqiptarët, ajo ishte padyshim gazeta më e shitur në trojet shqiptare, ku tirazhi maksimal ka arritur deri në 234.000 ekzemplarë.

“Rilindja” ishte bërthama intelektuale dhe një nxënës i ri, do të ndihej me fat nëse vetëm arrinte të jetë lexues i saj.

Si student i ri në Prishtinë, Ilazi kishte nevojë edhe për një punë. “Bota e Re” ishte një gazetë e studentëve dhe kjo i dha vetëbesim që aty mund të provonte fatin. Fillimisht, Ilazi u pranua si bashkëpunëtor gazetar. Por rrethanat e rikthyen në pasionin e tij, pa e ditur që po i afrohej dita të vihet në epiqendër të zemrës.

Vetëm dy muaj e ndanë Ilazin nga momenti kur jeta e tij do të merrte një kahje krejt tjetër. Pas dy muajve punë si bashkëpunëtor gazetar, fotoreporteri që ishte i punësuar aty, shkoi ushtar, duke qenë tashmë i brendshëm, Ilazi nuk i dha mundësi askujt të flas para tij dhe shprehi tashmë dëshirën që të vihet në pozitën e fotoreporterit të sapo larguar.

“Aty filloi e mbara e punës time me fotografinë. Por deri në vitin 1981-82 asnjëherë nuk ma ka marr mendja që do të më bëj aq shumë për vete ky art. Por kur e kam pa fuqinë e fotografisë se çka mund t’i ofrosh lexuesit përmes pamjeve, atëherë tingulli i shkrepjes së fotografisë ishte si rrahjet e zemrës për mua”, thotë Bylykbashi gjatë bashkëbisedimit tonë që qysh në fillim ishte i thelluar dhe mua më kishte përfshirë totalisht ky rrëfim që do ta shpalos edhe për ju dalë e ngadalë.

Të flasësh me Ilazin nuk është e lehtë, pashmangshëm të kthen te vitet 1981-1999. Vite këto të kthesave të mëdha historike. Ndërsa sot, fytyra e tij fliste më tepër se fjalët, aty ishin skalitur të gjitha dhimbjet, malli, dashuria, pasioni, vuajtjet, sakrificat e sfidat nëpër të cilat kaloi përgjatë viteve, e si për t’i vulosur të gjitha këto, lotët shpesh bëheshin pjesë e tavolinës ku ne po zhvillonim intervistën, heshtja mbizotëronte për disa qaste, e veç tingulli i shkrepëses dëgjohej teksa Ilazi ndizte një cigare, sepse i dukej që po i vinte në ndihmë të marr veten e të vazhdoj rrëfimin.

“Më fal Jeta”, më thoshte shpesh, sepse e kapi shpejt ndjeshmërinë time dhe ishte i vetëdijshëm që më kishte ngarkuar tej mase emocionalisht.

“Sot e kemi shumë të lehtë të flasim, por ajo kohë ka qenë shumë e vështirë. Në “Rilindje” kur janë publikuar shkrimet, nuk kemi guxuar t’i themi gjërat hapur, por mes rreshtave, ama populli ka qenë shumë vigjilent dhe i kuptueshëm, i kanë kapur gjërat”, flet Ilazi plot mall për kohën që përkundër vështirësive për të mbetet e artë.

“Në atë kohë nuk ke pasur mundësi ta thuash me shkrim atë që e ke parë, ndërsa me fotografi po. Shpesh edhe fotografinë nuk ta kanë lëshuar për botim, por prapë e ke gjetur një rrugë tjetër për ta dërguar deri te publiku. Unë kam bashkëpunuar edhe me gazetat jashtë Kosovës, e sidomos me gazetën më të shitur në Jugosllavi që me seli ka qenë në Split.”

Korriku i vitit 1982 e zhvendosi Ilaz Bylykbashin në pozitën e fotoreporterit në “Rilindje”, sa ishte një ëndërr e plotësuar aq edhe një sfidë e re e mbushur me përgjegjësi. Por shkrepjet e Ilazit ishin rrufeja që do të godisnin botën me të vërtetën, andaj sfidat u kthyen në forcë e vullnet.

Radhitja nga e djathta: Hlili, Ekremi, Ukshini dhe Mentor Kaqi.

Gjykimet në Prishtinë

Në vitet e ’80-ta, torturat dhe trajtimet çnjerëzore të shqiptarëve nga pushteti serb po rëndoheshin çdo ditë e më shumë, për t’i privuar nga liria por edhe për t’i burgosur idetë e veprimtarëve të atëhershëm politik shqiptarë, pushteti serb nisi gjykimet në Prishtinë.

Vetëm pas dhjetë ditësh punë si fotoreporter në “Rilindje”, Bylykbashi nisi t’i përcjellë këto gjykime që filluan më 10 korrik në Prishtinë. Përballja nga lufta për liri, i kushtoi me gjykim Ukshin Hotit, Ekrem Kryeziut, Halil Alidemës, e Nëntor Kaqit, grupit të parë që janë gjykuar e që Bylykbashit me këtë rast i erdhi kuptimplotë shprehja “një fotografi vlen sa një mijë fjalë”.

Pjesë e këtij grupi ishte edhe i zoti i shtëpisë ky Bylykbashi kishte qëndruar për pesë vite si student. Halil Alidema, ishte dhimbja e Ilazit, që duke e njohur thellësisht e kishte të vështirë të shihte që po gjykohej aq padrejtësisht.

“Kur kanë filluar gjykimet e shqiptarëve, aty e kam parë rëndësinë e fotografisë. Atë ditë që kam shkuar në gjykim, për asnjë moment nuk jam larguar nga salla, e kam përcjellë çdo lëvizje, isha si kujdestar i gjithë ngjarjes. Në sallë ishte edhe Edi Shukriu, në atë kohë bashkëshortja e Ukshin Hotit dhe Teuta, bashkëshortja e Halil Alidemes, çifti ku unë kisha banuar për pesë vite dhe në momentin kur e kam parë Halilin në sallë më kanë lëshuar këmbët. Halili më ka njohur shumë mirë shpirtërisht dhe në ato momente mu ka drejtuar: “Oo maju Bylykbash breh”. Në ato momente më kanë shpëtuar lotët”, tregon Bylkbashi plot dhimbje edhe sot. Këta lotë i kushtuan me përballje me pushtetin serb. Një nga pjesëtarët e ka vërejtur këtë ndjeshmëri dhe menjëherë e ka kapur nga krahu për ta dërguar në zyre ku ka vazhduar marrja në pyetje.

“Unë i kisha vetëm dhjetë ditë punë në “Rilindje” dhe aty thash mbaroi gjithçka. Kur hyra brenda, më thanë çka e ke Halilin, ju përgjigja se Halilin e kam “gazdë”, kam banuar te ai për pesë vite. Filluan me më bërtit, ju thashë që ndjeshmëria për Halilin është e veçantë, sepse Halil Alidema është i tillë, në dhomat që i lëshonte me qira kishte studentë që nuk kishin kushte dhe Halili kurrë nuk ju merrte pagesë, kjo më ka lidhur me të.”

Halili i kishte dy anë shpirtërore, intelektual dhe humanist.

Halil Alidema

Si përfundim, Bylykbashi atë ditë shpëtoi dhe mbrojtja nga Maksut Shehu, kryeredaktori i gazetës “Rilindja” i dha siguri dhe vullnet për më tutje.

Fotografitë e gjykimit të parë, ishin kthesa jetësore për fotoreporterin e “Rilindjes”

“Kur i ka pa baba fotografitë e gjykimit të parë, më ka thënë ‘Ruaj mirë këto fotografi djali jem se nuk ka me shku kohë e gjatë e kanë me pas rëndësi të madhe’. Kjo bisedë me babën më ka bërë të reflektoj dhe duke i parë zhvillimet në gjykim e kam kuptuar më thellësisht atë bisedë.”

Gjykimet ishin një periudhë e rëndë për shqiptarët, e sidomos për të pranishmit në sallë. Bylykbashi rrëfen se gjatë gjykimit, më rëndë e kanë përjetuar të pranishmit në sallë se sa të akuzuarit. Ai personalisht, tregon që gjatë gjykimit, tri herë i ka ndërruar këmishat nga djersët që e kaplonin.

Tutje, Bylykbashi na rrëfen edhe një moment ku Ukshin Hoti sy patrembur mbronte idetë e tij.

“Në gjykim ju thonin: po ju gjykojmë në emër të popullit. Ukshin Hoti ju pat thënë: Cilit popull, unë e di kush është populli. Me këto fjalë ai rrezikonte dënimin maksimal, por sy patrembur ai i përgjigjej që ne po mbrojmë të drejtën tonë dhe prapë njëjtë do të vepronin po të ishim të lirë.”

Roli i fotografisë prej gjykimeve

“Kur i kam realizuar fotografitë e të burgosurve, ka qenë e pamundur ta zësh një të burgosur me kokën poshtë.

Të gjithë ishin me kokën lartë. Secilin gjykim që e kam përcjellë, e që zgjaste 7-8 orë, asnjëherë nuk ke mund t’i zësh të akuzuarit me kokën poshtë. E këtë fakt nuk ke pas mundësi ta thuash me shkrim, por përmes fotografisë, këtë krenari e kanë parë të gjithë. Gjykimin e fundit e kam përcjellë në Pejë në vitin 1989.  Të gjithë ishin kureshtar për të ditur se çfarë po ndodhë në ato gjykime dhe kur fotografitë publikoheshin në gazetë, kishin jehonë të madhe. Familjarët kur i shikonin me kokën lart, ishte krenari për ta. Kishte rol të madh si për familjarët, ashtu edhe për masën e gjerë, nëse ai i burgosur nuk është dëshpëruar, nuk ka dalë jashtë edhe pse janë maltretuar në biruca, por po arrinte që me atë krenari të dilte në gjykim ballëhapur.”

Përcjellja e gjykimeve i ka dhënë orientimin që me patjetër duhet të vazhdoj punën e fotoreporterit dhe vullnetin që të dokumentoj ngjarjet e asaj kohe, sepse është i pavlerë rrëfimi kur nuk e ke edhe të dokumentuar me fotografi.

Rikthimi i këtyre fiksimeve sot para publikut nëpër rrjete sociale e që Ilazi e ka bërë obligim të përditshëm, po ka jehonë shumë të madhe sepse njerëzit që kanë jetuar në atë kohë e i kanë përjetuar këto ngjarje historike për vendin tonë, përmes tyre po kthehen në kohë. Por qëllimi i Bylykbashit është përtej kësaj, ai dëshiron që edhe gjeneratat e reja të njihen më mirë me historinë dhe të dinë që ishte një rrugë aspak e lehtë për të ardhur këtu ku jemi sot.

Pa fotografë të guximshëm si Bylykbashi, shumë çështje mund të mos kishin dalë kurrë në dritë

Fotografia dokumentare të merr gjithë kohën sepse je në pritje të asaj se çka po ndodhë, por Bylykbashi tashmë e kishte kthyer në qëllim jetësor.

Në mesin e viteve të 80-ta, fillon edhe shkatërrimi i shtëpive të shqiptarëve me arsyetimin që nuk kanë dokumentacion edhe kjo periudhë për Bylykbashin ishte tejet e vështirë dhe shkrepjet e tij ishin të rralla.

Një shkrepje teksa babai kap kokën me duar kur sheh shtëpinë e rrëzuar dhe pamja e djalit të vogël afër tij teksa e ngushëllon të atin, është fotografia ikonike e Bylykbashit që e përjetëson më mirë se secila fjalë gjithë atë dramë që po ndodhte pa arsye nga pushteti serb.

Ngjarjet dramatike të këtyre viteve kalonin nga njëra tek tjetra, dukej sikur skenari po ecte rrjedhshëm dhe populli shqiptarë kishte në dorë vetëm një gjë, rezistencën!

Në vitet 1988-89 Bylykbashi ishte në vlugun e ngjarjeve. Secila ngjarja kishte rëndësinë e saj, por ato që vinin të përcjella me reagimin e minatorëve, ishin të një rëndësie krejt tjetër. Protestat e minatorëve të Trepçës kundër suprimimit të autonomisë, ishte një prej ngjarjeve që Bylykbashi e kujton si historike.

“Kur janë ‘kull’ minatorët, Jugosllavia u dridh.”

“Këtë e kam vërtetuar atë ditë kur minatorët janë nisur për në Prishtinë, kanë udhëtuar 47 kilometra në këmbë, unë i kam zënë diku rrugës dhe i kam përcjell deri në sallën e Boro Ramizit (sot, Pallati i Rinisë dhe Sporteve), aty ka qenë një ngjarje historike për mua sepse i gjithë populli i Kosovës u bënë bashkë dhe vinin në Prishtinë për të treguar që e kanë përkrahjen e tyre për mos bërjen e suprimimit të autonomisë. Protesta këto që zgjatën 5 deri 6 ditë.”

Kostoja e të qenit fotoreporter në zonë lufte

Shkrepjet nga zonat e luftës luajnë një rol kritik në informimin e publikut, por ato vijnë me kosto të jashtëzakonshme. Fotoreporterët duhet të përballen me pamje rrëqethëse, të përballen me kërcënime rrëmbimi dhe të rrezikojnë jetën e tyre. Ja pa të drejtë, puna e fotoreporterit të luftës, është quajtur më e rrezikshmja në botë. Ai ka si armë vetëm aparatin e tij fotografik dhe disa filma, praktikisht i pambrojtur në luftë.

Roli i fotoreporterit si dëshmitar në luftë, ndikon tek opinioni publik më shumë se të gjitha fjalët që shkruhen për luftën, kjo është fuqia që si duket nuk i lejon të dorëzohen.

Bylykbashi u përballë me dhjetëra herë me forcat serbe, por një prej ditëve të kësaj periudhe, Ilazi bashkë me ekipin e “Rilindjes” i përbërë nga, Behar Zogjani, Avdi Podrimqaku dhe vozitësi i makinës, Jahë Ferizi, u rrahën për vdekje.

“Në vitin 1992 ishim në rrezik për jetë. Na kanë rrahur për vdekje ekipin e “Rilindjes” në Kliqinë afër Pejës. Ishim katër veta që shkuam për të raportuar për një rast, por rrugës na kanë ndalë, na kanë zbrit nga makina dhe kur e panë që jemi të “Rilindjes”, na thanë “Juve po ju presim si zogjtë” dhe aty afër ishte stacioni policor ku e kishin bo kordonin e neve na futen me kalu mes tyre dhe ata secili na kanë goditë në mënyrat më brutale. Kur na kanë fut brenda na kanë rrahur dy orë pa u ndalë fare. Kur kemi dal nga stacioni kemi hip në makinë për tu kthyer për Prishtinë, dhe secili kemi qenë në gjendje më të keqe se tjetri. Dhe na thanë “nëse veç kryt e ktheni, kemi me ju vra.” Pas 3 muajve jam mësuar të ec për së dyti. Kemi qenë në aq gjendje të keqe sa që na kanë sjell lesh të dhenve për tu pështjellë e për tu shëruar. Ai lesh i dhenve na ka shpëtu”.

Ditë të vështira për popullin kosovar, por ende nuk kishte filluar të zinte vend pjesa më brutale e skenarit serb.

Ishin vitet e ’90-ta që kosovarëve do të ju sillnin tmerrin para syve. Një ndodhi krejt e rastësishme, ka qenë pikënisje që ka dërguar deri te drama e familjes Jashari.

Përvjetori i minatorëve të Trepçës – Kulla e Jasharëve, 22 janar 1991

Bylykbashi na rrëfen tutje se në vitin 1991 erdhi koha për tu mbajtur përvjetori i protestave të minatorëve dhe është vendos që ky përvjetor të mbahet në Kullën e Jasharëve në Prekaz. Në atë mbledhje ishin Shaban Jashari, Ademi, Hamza e të gjithë të tjerët, por sipas Bylykbashit ata kanë qëndruar në prapavijë sepse thjesht kishin hapur dyert e odës së tyre për një mbledhje.

“Shaban Jashari ishte njeri largpamës”, vlerëson Bylykbashi duke na treguar se vetëm një muaj pas kësaj mbledhje, në muajin dhjetor është bërë sulmi i parë në familjen Jashari. Ky sulm ishte bërë me dy pretekste. Kinse kjo familja po mbajnë armë dhe pse është mbajtur mbledhja e minatorëve atje. Por ky sulm u pasua me maltretime të vazhdueshme për familjen Jashari. “Këto nuk kanë ndodhur vetëm te familja e Jasharëve, por edhe te Lushtakët dhe Kodralit, tek këto tri lagje ka ndodhë e njëjta gjë.”

Gjatë kësaj periudhe maltretimesh, Bylykbashi duke qenë në vazhdimësi dëshmitar i ndodhive përmes aparatit të tij, ai kishte vërejtur edhe një detaj, pasi i kishte shikuar fotografitë. Në mbledhjen e minatorëve, Shaban Jasharin e kishte fotografuar dhe i kishte të dy sytë të shëndoshë, por kur e fotografon më 2 janar të vitit tjetër, më 1992, vëren se Shabani e ka njërin sy të qorruar, për të vërtetuar mirë, Bylykbashi drejtohet për në redaksi që t’i krahasoj fotot, dhe aty e sheh që më mbledhjen e minatorëve, baca Shaban, siç e quan edhe sot Bylykbashi, e kishte pasur syrin në rregull.

“Kur e takova pastaj bacën Shaban, e pyeta çka ka ndodhë, më tha që kur e kanë marr policia e kanë rrah aq keq saqë ja kanë dëmtuar nervin e syrit dhe i është qorruar syri.”

Shaban Jashari më 22 nentor 1991 (foto e parë) dhe më 3 janar 1992 me sy të qorruar.

Shteti policor serb nuk ka zgjedhë mjete, ka maltretuar edhe fëmijët e të moshuarit

Këto dy foto të bacës Shaban, me dhe pa sy, Bylykbashi i kishte botuar pas shumë vitesh, më saktësisht në vitin 1996 në librin e tij, e rreth kësaj na zbulon edhe fjalët e bacës Shaban kur shkoi për t’i kërkuar të drejtën e botimit.

“Botoje, por emrin mos ma përmend, se si t’ma qet emrin mu, vijnë të marrin policia e ta bojn ma zi se mu”, i kishte thënë plaku.

Kur flasim për familjen Jashari, Bylykbashi nuk harron të përmend edhe shumë familje të tjera që kanë përjetuar të njëjtat maltretime. Familja e Xhafer Jasharit që ishte e përbërë nga gjashtë vëllezër, kishte përjetuar në asht mënyrat më brutale të maltretimit nga forcat serbe.

Më 22 janar të vitit 1998, kishte ndodhur sulmi tjetër te familja Jashari, por fotografitë e kësaj ngjarje, Bylykbashi i ka gjetur tek tash dhe ka arritur të shpëtojë një pjesë të madhe të tyre.

Por, më 5 mars 1998, familja Jashari për të tretën herë u përballë me forca të mëdha policore dhe ushtarake nga shteti i Serbisë. Kaq seriozisht e kishte marrë Serbia luftën me Jasharët legjendar. Por ky sulm përfundoi në mënyrë fatale për familjen Jashari.

Një ndër përballjet më të rënda të kohës së luftës, Bylykbashi e kishte pikërisht dokumentimin e të vrarëve në Prekaz.

Teksa nis të rrëfejë për këtë ditë, Bylykbashi fillimisht tenton të marr pak forcë, lotët i fshin shpejtë, heshtja mbërthen tavolinën ku ne po bashkëbisedonim dhe heshtjen e thyen përsëri shkrepësja që ndezi cigaren e radhës për Bylykbashin. Ai ishte i bindur që tymosja e ndihmonte të kthehej në rrëfim.

“Atë ditë kur është bërë fotografimi i të vrarëve në Prekaz, Serbia doli me propagandë që këta janë terroristë. Mandej flitej se po shkonte një delegacion nga LDK-ja për të parë atë që kishte ndodhur në Prekaz, ishin përgatitur tri makina, unë ju afrova Basri Musmuratit që ishte në krye të delegacionit, i thash a mund të vij me juve, më refuzoi, por unë vazhdova të këmbëngulja, i thash si po shkoni kur nuk keni as një aparat apo kamerë me vete, si doni të dëshmoni për atë që do të shihni atje. Si përfundim më morën dhe fatbardhësisht atë ditë isha furnizuar me filma më shumë se asnjëherë tjetër.”

Teksa po vazhdonin rrugën, në Komoran u ndaluan për kontrolle, por fatbardhësisht makina ku ishte Bylykbashi ishte e fundit dhe pas kontrollit të dy të parave e treta u lejua të kalonte pa kontrolle.

“Po të më kishin parë mua, aty do të përfundonte gjithçka.”

Forcat serbe i përcollën deri në hyrje të fshatit. Në një ndërtesë të materialit ndërtimor ishin vendosur të gjithë trupat e vrarë. 58 të vrarë nga familja Jashari. Përkundër që skaj rrugës kishin qenë mbi një mijë forca policore që e kishin rrethuar vendin, Bylykbashi la dhimbjen anash, nxori aparatin dhe nisi të bëjë shkrepjet e para.

“Kur kemi hyrë aty, ka qenë tmerr. Mos të kishte qenë Abdyl Rrahmani, unë atë ditë aty do të kisha vdekë, se kam hipur lart për të fotografuar më mirë edhe për tu parë numri i të vrarëve, e në këtë mënyrë u ekspozova shumë. Kam filluar fotografimin nga të gjitha këndet që të kishim dëshmi sa më shumë. Sot nuk e di si kam arrit me i fiksu ato pamje. Ka qenë shumë e rëndë. Atë ditë, në atë tmerr, kam arrit t’i fotografoj shtatë pamje nga kënde të ndryshme të figurës së Adem Jasharit, bacës Shaban e të Hamzës. Gjithë ajo forcë policore aty, vetëm 10 metra larg neve dhe unë kam arrit me i bë dikur rreth 370 shkrepje. Ata kanë pritur që kur të përfundojmë punën, të mi marrin të gjithë filmat. Por si kam shpëtuar unë atë ditë, vetëm një Zot e di”, ka thënë Bylykbashi, i cili më pas tregon edhe për këshillën që ia dha Xhafer Murtezaj i cili ishte pjesë e delegacionit.  

Të vrarët e familjes Jashari, 10 mars 1998

“Ilaz fotografoj dhe aparatet lëshoj në atë vend mos e kap çantën e aparatit më, unë do t’i sjell nesër në Prishtinë se vetëm kështu e shpëton veten.”

Këto fjalë, i hapën sytë Bylykbashit dhe ashtu veproi. Madje për të mos rënë në sy, ai zhveshi edhe pallton.

“Aparatet i kam lëshuar aty, e i kam marr vetëm filmat dhe ia kam dorëzuar Nekibe Kelmendit, Edi Shukriut dhe Mevlude Saraqit që ishin aty. Kur i kam largu filmat, jam çliruar edhe thash me vete, tash edhe nëse më vrasin më nuk ka rëndësi se i sigurova dëshmitë. Pastaj e kam larguar edhe pallton nga trupi që mos me më identifiku lehtë forcat serbe, edhe kështu duke qenë edhe pa çantën e aparatit, nuk ju kam rënë në sy edhe kam kaluar pa më vërejt, nuk e di a ju ka ik si rast apo fati i madh më ka shpëtuar atë ditë.”

Sakrifica e Bylykbashit në Prekaz, kishte zënë vend tashmë në redaksinë e “Rilindjes”. Kur ai u kthye, aty ishte bërë kaos sepse laborantët kishin filluar t’i zhvillojnë filmat, por kur e kanë parë tmerrin me sy, ju kishte rënë të fikët.

Gazetarët ndërkombëtarë kishin arritur në redaksi dhe po pyesnin se çka po ndodhte.

Bylykbashi na tregon se kryeredaktori i gazetës “Rilindja”, Avni Spahiu ju kishte thënë se fotoreporteri jonë i ka sjell filmat ku i ka fotografuar “terroristët”, këtë shprehje ai e kishte përdorur qëllimisht që t’i mobilizonte gazetarët që të vinin sa më shumë dhe të shihnin çfarë ka ndodhur në Prekaz.

“Në ora 8:30 mblidhen rreth 50-60 gazetarë ndërkombëtarë me i pa pamjet ku rreth pesëqind fotografi ishin shpërndanë në tavolina të redaksisë. Gazetarët mbetën të habitur dhe thanë ku janë terroristët këtu. Avniu ju thotë këta janë vrarë në emër të terroristëve. Ja ky fëmija 3 vjeçar është terrorist sipas tyre e deri te kjo gruaja e moshuar, duke iu referuar nënës së Adem Jasharit.”

Pasi panë tmerrin që forcat serbe kishin bërë në Prekaz, gazetarët u interesuan t’i blejnë këto fotografi dhe kërkuan numrin e  xhirollogarisë së Bylykbashit, por ata morën një përgjigje të prerë nga ai.

“Numri i xhirollogarisë sime është me dal e vërteta dhe me pa bota çka po ndodhë këtu.”

Kështu, shkrepjet e Bylykbashit morën jehonë e i treguan botës se Serbia po bënte gjenocid në Kosovë.

Kur i hedhim sytë tek shkrepjet e Ilazit, vërejmë që pjesa më e madhe e personazheve të fotografive të tij janë fëmijët dhe pleqtë. Secila fytyrë është dramë më vete! “Gjatë punës jam munduar gjithmonë t’i realizoj fotografitë pa më vërejtur”, thotë Bylykbashi.

Në vitet e ’90, Bylykbashi, realitetin kosovar të fiksuar në fotografi e dërgoi për ta shpalosur edhe në Shqipëri, dhe kjo shënoi njëkohësisht vizitën e parë të Bylykbashit atje.

“Kur e kam realizuar ekspozitën me fotografi në Tiranë, duke u kthyer nga atje me autobus më kanë ndal forcat serbe më kanë zhvesh tërësisht për kontrolle edhe më kanë thënë: Ekspozita e radhës ka me qenë e familjes tënde.”

Në vitin 1996, Ilaz Bylykbashi fotografitë e tij i jetësoi edhe në librin “555 …: kronikë (1981 – 1995)”. “Pasi e kam botuar librin, kur kam takuar njerëz më kanë thënë që shkaku i librit tim ia kanë djegur shtëpinë. Librin që e kam botuar atëherë ka qenë një letërnjoftim për atë kohë.”

Bylykbashi, jo vetëm që i përjetësoi ndodhitë, por ai në vazhdimësi u kujdes që të arrinte të informonte sa më shumë njerëz me të vërtetën, duke zhveshur në totalitet kuptimin e okupimit serbë përballë forcës morale dhe të së drejtës së popullit tonë për liri. 

Punën e fotoreporterit e zhvilloi në një kohë tejet të vështirë, andaj Bylykbashi sfidën më të madhe e kishte ruajtjen e filmave sepse ai e kishte kuptuar se ato fotografi ishin forma më e rëndësishme e tregimit të asaj kohe.

Gjatë punës së tij në dokumentimin e ngjarjeve historike për vendin tonë, policia serbe rreth dymbëdhjetë herë ia kishte marr mjetet e punës. Filmat e sulmit të parë në Prekaz edhe sot i ka peng.

“I kisha metodat e  mija qysh mi shpëtu filmat. Gjithmonë tek mënga e bluzës e maja një film të thatë, edhe kur me thoshin policia nxjerre filmin, unë e merrja atë të thatin tek mënga dhe e dorëzoja e kështu e shpëtoja filmin me foto.”

Gjithë ata filma që fshihnin krimet serbe kundër shqiptarëve, duke qenë kohë lufte në rrethana të paparashikueshme, Ilazi duhej kujdesej që t’i linte në vende të sigurta.

“Filmat i kam pas të shpërndarë në shumë vende, disa i kam pas te miqtë, në një vend shumë të sigurt, por aty ka qenë vetëm një pjesë. Pjesa dërmuese ka qenë në redaksi të “Rilindjes” dhe Safete Berisha që ka punuar në administratë, duke e ditur rëndësinë e tyre i ka fshehur në një vend të sigurt.”

Wolverine CAMERA

Në muajin maj të vitit 1999, fotoreporteri i “Rilindjes”, pas rreth 15 viteve punë të pandalshme, ktheu sytë nga familja që ishin më të rrezikuar se asnjëherë.

Insistimi i familjarëve që të largohen nga Kosova, tek Ilazi nuk zinte vend. Të gjithë morën rrugë, por ai rezistoi deri në momentin kur fjala e vajzës i theu zemrën. “Bab a po don me na qu posht krejtve a?”, pas këtyre fjalëve, në muajin janar, Ilazi, gruan bashkë me fëmijët i dërgoi në Shkup. Teksa, vet ju bashkua tek në muajin maj, ku prej aty shkuan në Australi, vend që jetojnë edhe sot.

Kur flet për largimin nga Kosova, sytë i mbushen me lot e dukej sikur edhe zemra i dridhej. Një cigare tjetër e nxori krejt ngadalë nga kutia, dhe filloi të tymoste.

“Largimin nga Kosova asnjëherë nuk e kam menduar. Kur familja insistonte, unë ju thoja, të gjithë shkoni, unë jo. Nëse më kish zënë 10 qershori 1999 në Kosovë, asnjëherë nuk kisha marr rrugë për një vend tjetër.”

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, kthimi i parë i Bylykbashit, ndodhi në vitin 2001 dhe kjo ishte një tentativë që të vazhdonte punën dhe qëndrimin prapë në Kosovë.

Por një takim më ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, i dha tjetër rrjedhë kësaj pune. “Kur jam takuar me Ibrahim Rugovën më tha: Ilaz, çka po bën këtu, ti e ke kryer misionin tënd, kthehu tash le të njeh familja se as ata nuk të njohin mirë.”

“Të them të drejtën në fillim u mërzita nga këto fjalë, por më vonë e kuptova rëndësinë e tyre.”

Por, puna rrodhi si rrodhi, lufta përshkallëzoi dhe Ilazi duke qenë larg Kosovës, deri shumë vite pas luftës, nuk ka pasur idenë për fatin e këtyre filmave. Safetja i ka dorëzuar këta filma tek Ilazi tek në vitin 2019, e deri në atë kohë ai se kishte idenë që filmat kishin mbijetuar.

“Kur i kam marr filmat në atë kohë, i kam kontrolluar sipërfaqësisht, nuk kam besuar që ka aq shumë material. Që nga viti 2019 deri më tani kam investuar mbi 40 mijë euro për digjitalizim dhe hulumtim të secilit film që të shoh se çfarë ka shpëtuar.”

Qysh nga dita që Ilazi i riktheu në duart e tij këta filma, i është rikthyer edhe njëherë gjithë atyre përjetimeve dhe çdo ditë po punon në zbulimin e fotografive të reja.

Ilazi, edhe sot shprehet se asnjëherë nuk e kishte besuar që mund të kishte një bagazh të tillë të fotografive, duke e pasur parasysh se në çfarë etapa ka kaluar. Por ai falënderon Safete Berishën që u bë urë lidhëse që këto dëshmi sot të jenë gjallë.

Wolverine CAMERA

Fuqia e informimit

Jeta e një fotoreporteri të luftës ka ndryshuar në mënyrë dramatike gjatë shekujve. Fotoreporterët e sotëm të luftës kanë më shumë teknologji se gjeneratat e mëparshme, por Bylykbashi mendon se edhe pse mundësitë janë shumë më të mëdha sot, fuqia e informimit atëherë ishte më e madhe.

“Atëherë gjithë ne që jemi marr me fotografi kemi qenë pesë persona, sot secila familje i ka rreth katër aparate. Ne kemi arritur që përmes “Rilindjes”, që më vonë u bë “Bujku”, të bëjmë më shumë se që bëjnë sot mediat edhe pse mundësitë i kanë të jashtëzakonshme e teknologjia e bënë të veten.”

Neglizhenca e Institucioneve të Kosovës karshi dokumentimit të krimeve serbe

Ilazin, sot, pas më shumë se 20 viteve, e mundon një gjë. Ai është i befasuar për të keq se si gjithë kjo pasuri dokumentuese e krimeve serbe, nuk ju intereson aspak institucioneve në Kosovë.

“Askush nga institucionet nuk më ka ftuar asnjëherë e të shprehin interesim për këto dëshmi. Është formuar edhe Burgu Muze në Prishtinë, e unë i kam diku rreth 150 pamje të të burgosurve në atë burg. Grupin e Fehmi Lladrovcit, dhe secilën figurë të tyre, janë fotografi që e kanë vendin në atë muze, që vizitorët kur të shkojnë për vizitë t’i shohin edhe fotografitë e jo veç muret, por askush nuk interesohet për këtë pjesë që nesër gjeneratat e reja t’i shohin njerëzit që kanë kaluar nëpër ato vështirësi.”

Ai tutje tregon se edhe në atë kohë, përkundër se ishte gjendje lufte, ishin bërë pazare të mëdha, por ai ndihet krenar që asnjëherë nuk kishte punuar për përfitime por me qëllimin e vetëm se si të dokumentohet e vërteta.

“Këta 4-5 muajt e fundit po ndihem edhe më krenar dhe i përmbushur për punën që e kam bërë ndër vite, por edhe jam i zhgënjyer se si nuk ka aspak interesim që të ruhet ky dokumentacion kaq i rëndësishëm, sepse këto fotografi janë sot të gjalla, e në momentin që vdes unë vdesin edhe këto fotografi sepse vdes rrëfimi e kujdesi për to.”

Dhimbja e tij është edhe në faktin se si Serbia edhe sot vazhdon të bëjë montazhe e skenarë që gjithë fajin të ja lërë shqiptarëve e të na paraqesin si njerëz të egër e që i maltretojmë serbët. Ndërsa ne i kemi faktet edhe askush nuk merret me to.

“Nuk e di këto institucione tona si do të japin arsye nesër që nuk janë marr me të vërtetën.”

Gjithë kjo periudhë ka lënë mjaft pasoja tek Bylykbashi dhe familja e tij. Por edhe sikur të kthehej koha pas, ai pohon se pa asnjë mëdyshje do e bënte punën e njëjtë.

“Puna e fotoreporterit në ato rrethana ka qenë tejet e vështirë. Unë sa herë kam dal nga shtëpia, asnjëherë se kam ditë nëse do të kthehem. Por nëse do të kthehej koha prapë njëjtë do të veproja”, përfundon Ilazi, duke na treguar se është duke i dhënë dorën e fundit monografisë, libër ky që me anë të fotografive do të dokumentojë ngjarjet që lanë shenjë në përpjekje për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe do të shërbejnë edhe si dëshmi e faktimit të krimeve që regjimi i Beogradit i bëri në Kosovë e që u ndërprenë me ndërhyrjen e NATO-s në pranverën e vitit 1999. / KultPlus.com

(Më poshtë po ju sjellim edhe disa fotografi të realizuara nga Ilaz Bylykbashi e që paraqesin disa prej ndodhive të Kosovës së asaj kohe.)