Kryeministri Kurti: Vit i artit dhe promovimit ndërkombëtar të shtetit tonë

Në prag të hapjes së Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në rrjetet sociale dedikuar artit në Kosovë, përcjellë KultPlus.

Këtë vit, Kurti e ka quajtur vit i artit dhe prodhimit ndërkombëtar të shtetit tonë. Sipas tij, Arti është ura jonë lidhëse me botën.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Sot hapet pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut, një nga ngjarjet më prestigjioze të artit në botë. Republikën tonë do ta përfaqësojë artisti bashkëkohor Jakup Ferri me veprën “The Monumentality of the Everyday”, që për kuratore ka gjermanen Inke Arns dhe komisionere Alisa Gojani-Berishën.

Sivjet Prishtina do të jetë nikoqire e Bienales Nomade Evropiane, Manifesta (edicioni 14), e cila në edicionin e kaluar u mbajt në Marsej (Francë), ndërsa pas Prishtinës shkon në Barcelonë (Spanjë). Afër 100 artistë nga 32 shtete të botës, gjysma e tyre nga Kosova, nga 22 korriku për 100 ditë rresht do ta shndërrojnë Prishtinën në hapësirë të artit dhe transformimit të hapësirave publike.

Para tri javësh u mbyll Expo Dubai, ndërsa Kosova u paraqit me artistët e saj të dalluar dhe me eksponate muzeale e vepra të artit, si dëshmi e vlerave dhe potencialit të jashtëzakonshëm kulturor e identitar.

Festivalet ndërkombëtare të Kosovës edhe sivjet do të sjellin emra të njohur të artit nga e gjithë bota, nga filmi te muzika, nga arti pamor te romani grafik. Artistë të shumtë nga e gjithë bota zbarkojnë në shtetin tonë gjatë gjithë vitit përmes festivaleve tona që kanë krijuar identitet të fuqishëm ndërkombëtar.

Viti 2022 shënon edhe nisjen e programit tre vjeçar për blerjen e veprave të artit nga artistët vendorë. Përveç kësaj, do të ndahen 20 bursa për studim në arte dhe trashëgimi kulturore në universitete botërore. Kurse gjatë pjesës së dytë të vitit do të vendosen themelet e institucionit më të ri shtetëror të artit, Muzeut të Artit Bashkëkohor, një mundësi shtesë për integrim dhe forcim të pozicionit të Kosovës në skenën botërore të artit pamor.

Këtë vit do të nënshkruajmë marrëveshje të bashkëprodhimit filmik me Francën në festivalin e Kanës, dhe me Izraelin më vonë gjatë vitit. Filmat tanë të suksesshëm edhe sivjet vazhdojnë të udhëtojnë nëpër festivale prestigjioze dhe të shfaqen në kinematë anekënd botës.

Në thirrjen publike për mbështetje të skenës së pavarur kulturore kemi krijuar skemën e veçantë të mobilitetit për prezantimin e produktit tonë artistik në botë. Organizatat kulturore dhe artistët e pavarur do të gëzojnë mbështetje të rritur për paraqitje ndërkombëtare.

Arti është ura jonë lidhëse me botën. / KultPlus.com

Parlamenti Evropian përsërit thirrjen për liberalizim të vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian ka përsëritur thirrjen për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe, në anën tjetër, edhe për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të dyja këto vende të avancojnë drejt Bashkimit Evropian.

Këto thirrje janë përfshirë në tekstet e drafteve të raporteve për Kosovën dhe për Serbinë, të cilat i ka siguruar Radio Evropa e Lirë.

Në raport përsëritet se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave që në vitin 2018, por akoma nuk është miratuar vendimi për liberalizim vizash.

Ndërkaq, i bëhet thirrje Këshillit të BE-së që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Në këtë raport thuhet se janë në dijeni për qëllimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në BE.

Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përshëndetet edhe përkushtimi për avancimin e reformave në kuadër të Agjendës së reformave evropiane, thuhet në këtë raport. Si dëshmi për këtë përmendet edhe fakti se Kosova ka avancuar për 17 pozita në indeksin e perceptimit të korrupsionit të organizatës Transparency International.

Gjithashtu, përmendet fakti se në Kosovë ekziston një mbështetje e madhe për integrim në BE gjatë vitit 2022.

“Por, nënvizojmë faktin se nuk ekziston një procedurë e shpejtë dhe se normalizimi i raporteve me Serbinë është i domosdoshëm për avancimin e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, thuhet në tekstin e draftit të raportit, për të cilin do të diskutohet të enjten në seancën e Komisionit për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian.

Edhe kësaj radhe përsëritet thirrja për 5 vendet e BE-së për ta njohur Kosovën.

“Shprehim keqardhje për faktin se 5 vende anëtare të BE-së akoma nuk e kanë njohur Kosovën dhe përsërisim thirrjen që ta bëjnë një gjë tillë”, thuhet në këtë tekst.

Përmes këtij raporti, Parlamenti Evropian shpreh mbështetjen e plotë për paralajmërimin e Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Në të njëjtën kohë u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të BE-së në lidhje me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, ka shpallur sanksione dhe me një Rezolutë të veçantë në Kuvend e ka dënuar këtë agresion.

Në tekst kritika Kosovës i janë drejtuar për gjendjen në Gjyqësor. Është shprehur shqetësim për shkak se Gjyqësori vazhdon të jetë joefikas dhe i ndjeshëm nga ndërhyrjet politike. Në këtë drejtim është përshëndetur propozimi për reformën e Prokurorisë dhe është kërkuar që të merret parasysh mendimi i Komisionit të Venecias.

Parlamenti është në dijeni dhe për planin e Qeverisë për vetting të gjykatësve dhe prokurorëve dhe nënvizon se kjo duhet të mbetet vetëm si mundësi e fundit dhe të mos injorohen qëndrimet e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Është përshëndetur edhe përpjekja për depolitizimin dhe profesionalizimin e shërbyesve civilë.

Nga Qeveria e Kosovës është kërkuar që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. “Jemi të shqetësuar se autoritetet akoma nuk e kanë zbatuar këtë vendim dhe në këtë mënyrë dëmton përkushtimin e Qeverisë për të forcuar sundimin e ligjit dhe respektin për pavarësinë e gjyqësorit”, thuhet në tekst.

Parlamenti, sipas draftit të këtij raporti, shpreh keqardhje për suksesin e kufizuar të nismave për të përfshirë komunitetin serb të Kosovës në strukturat politike, sociale dhe ekonomike. Ndërkaq, rikujton se institucionalizimi dhe mësimi i gjuhëve zyrtare në Kosovë dhe qasja e barabartë në shërbime dhe informacione në gjuhët zyrtare, është esenciale.

Duke rikujtuar rolin e mediave si shtyllë të demokracisë, bëhet ftesë për mbrojtje të gazetarëve nga presionet politike dhe thuhet se gjuha fyese ndaj gazetarëve është e papranueshme.

Po ashtu, kërkohet që të ketë transparencë më të madhe të mediave, përfshirë edhe të pronësisë së tyre.

Është shprehur keqardhje edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë.

Ndërkaq, në tekstin e draftit të raportit për Serbinë shprehet keqardhje për faktin se ky shtet nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë. Në të njëjtin tekst u bëhet thirrje autoriteteve në Serbi që “të dëshmojnë përkushtim të vërtetë ndaj vlerave të BE-së dhe të përshtaten me vendimet dhe qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë”.

Në këtë tekst thuhet se deputetet janë “thellësisht të brengosur” për përhapjen e dezinformatave për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve në Serbi dhe Komisionit Evropian që të mbështesin infrastrukturën për luftë kundër dezinformatave dhe kërcënimeve tjera hibride.

Parlamentarët evropian do t’i bëjnë ftesë Serbisë edhe të veprojnë kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe të ndërpresin retorikën nxitëse, e cila keqëson raportet me fqinjët dhe rrezikon stabilitetin rajonal dhe pajtimin.

Sikur në tekstin e draftit të raportit për Kosovën ashtu edhe në këtë për Serbinë rikujtohet se përparimi në rrugëtimin drejt BE-së është i lidhur me përparimin në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën.

Nga të dyja palët kërkohet angazhim drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve që do të ishte kyç për përparimin e të dyja palëve në rrugëtimin e tyre evropian.

Për tekstet e këtyre dy drafteve do të diskutohet të enjten, ndërsa pastaj deputetët do të mund të propozojnë edhe amendamente. Më vonë në formën e Rezolutës së Parlamentit Evropian do të duhet të miratohen në një seancë plenare. Rezolutat e tilla kanë një rëndësi politike, sepse paraqesin qëndrimet e këtij institucioni të rëndësishëm në BE, por ato nuk kanë fuqi obliguese ndaj vendeve anëtare. /REL /KultPlus.com

Forbes: Kosova, një shembull se si profesionistët e rinj mund ta transformojnë industrinë e teknologjisë

Revista prestigjioze Forbes i ka kushtuar një shkrim zhvillimit të hovshëm teknologjik në Kosovë, ku e ka cilësuar transformimin e teknologjisë si diçka të jashtëzakonshme.

Më poshtë është shkrimi i plotë i përkthyer pa ndërhyrje:

Kosova ka kohë që njihet për mikpritjen e saj, frymën properëndimore dhe jetën e lulëzuar të natës. Megjithatë, një gjë që zakonisht harrohet është shkalla e përparimit që ka bërë në 20 vitet e fundit dhe sasia e talentit, veçanërisht në teknologji, që prodhon.

Fontana e Rinisë së Kosovës

Kosova jo vetëm që është vendi më i ri në Evropë, pasi ka shpallur pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008, por është gjithashtu një vend i dominuar tërësisht nga të rinjtë e saj. Me një moshë mesatare 26 vjeç, ajo ka popullsinë më të re nga të gjitha vendet evropiane, ku mosha mesatare është afër 40 vjeç.

Të jesh një vend rinor sigurisht që ka përfitimet e veta. Në epokën digjitale, të kesh një popullsi të re të jep një avantazh të konsiderueshëm; ndërsa fuqia punëtore e vendeve tuaja konkurrente plaket dhe ngadalësohet, popullsia juaj është në vitet e saj të mira të punës.

Megjithatë, deri vonë, të qenit i ri në Kosovë nënkuptonte të ngecesh mes një fluksi ekonomik dhe politik dhe, në të njëjtën kohë, të ndiheshe i izoluar pas një muri vizash. Kjo gjendje e pasigurisë krijoi urgjencë për popullin e Kosovës për të krijuar vende të reja pune cilësore që sigurojnë shfrytëzimin e mirë të talenteve të të rinjve.

Talent shumëdimensional

Natyrisht, këto janë vështirësi që çdo vend në zhvillim duhet të mësojë t’i përballojë në mënyrën e vet. Për Kosovën, rinia e saj po dëshmohet se është zgjidhja. Vështirësitë me të cilat ballafaqohen të rinjtë kosovarë duket se po krijojnë një gjeneratë të ndërmarrësve që u është dashur të ndërtojnë një vend të ri nga themelet. Këto vështirësi kanë rezultuar në një vendosmëri të pakrahasueshme për të promovuar vlerën e tyre në një shkallë globale.

Kjo ka të ngjarë të jetë një nga arsyet pse Kosova, me një popullsi prej 1.8 milionë banorësh, gjeneron një numër të madh të talenteve të klasit botëror (përfshirë medalistët e artë olimpike si Majlinda Kelmendi dhe të famshëm si Dua Lipa dhe Rita Ora) për frymë në tërësi. Kam vërejtur gjithashtu se edukimi i IT-së në Kosovë fillon që në moshë të re, me fëmijë deri në shtatë vjeç që marrin pjesë në kampe për robotikë, kodim dhe Intelegjencë Artificiale, duke u dhënë atyre një fillim të mirë të karrierës së tyre në TI.

Gjendja e Sektorit Kosovar të TIK-ut

Interneti nuk ka kufij; ju nuk keni nevojë për vizë për të hyrë në të, dhe vetëm një kompjuter dhe disa njohuri lehtësisht të arritshme mund t’ju gjejnë një punë. Kjo është ndoshta një nga arsyet pse Kosova ka shkallën më të lartë të përdoruesve të internetit në rajon, me 93% të popullsisë që kanë qasje në internet. Kjo ka lejuar që sektori i TIK-ut të ngrihet si flakë. Sipas PwC, numri i përgjithshëm i kompanive të regjistruara në sektorin e TIK-ut në Kosovë është 982. Vetëm në vitin 2019 janë regjistruar 621 kompani të reja.

Dhe raporti i PwC thekson se sektori i TIK-ut në Kosovë ka dy përparësi të rëndësishme: qasjen në inkubatorë dhe përshpejtues dhe disponueshmërinë e hapësirës së punës të përballueshme. Ekosistemi ekzistues i TIK-ut në Kosovë është i gjerë, me laboratorë të shumtë, qendra inovative dhe hapësira pune (ICK, ITP, etj.) që u ofrojnë startup-eve mentorim, financim, inkubacion, trajnim dhe hapësira bashkëpunimi. Ky është një inkurajim i jashtëzakonshëm për startup-et, sepse u jep atyre një fillim, duke u mundësuar atyre të fokusohen në projektin e tyre dhe të mos shqetësohen për çështjet teknike.

Ajo që është vërtet e jashtëzakonshme në lidhje me këto startup është se ato ndonjëherë udhëhiqen nga sipërmarrës më të rinj se 20 vjeç, të cilët vijnë me një ide dhe angazhohen për të. Ata kanë një gatishmëri për të ndërmarrë rreziqe sipërmarrëse për të zgjidhur problemet dhe një aftësi të veçantë jo vetëm për të inovuar, por edhe për të përfituar nga risitë e të tjerëve.

Mësime nga Industria Teknologjike e Kosovës

Për sa kohë që ka njerëz me kreativitet, do të ketë gjithmonë risi. I takon çdo vendi dhe bizneseve të tij që t’i pajisin të rinjtë e tij me mjetet dhe burimet e duhura për t’i kthyer idetë e tyre në realitet. Nëse po përpiqeni të nxisni inovacionin, merrni parasysh ofrimin e aksesit më të madh në mjetet e duhura, fondet dhe grantet për qendrat e inovacionit, në mënyrë që të shtyni idetë përpara dhe të fuqizoni novatorët e rinj. Një ekosistem mbështetës është një domosdoshmëri për një industri të suksesshme të TIK-ut. Kosova është një shembull i shkëlqyer për këtë, pasi këto fonde dhe qendra inovative mund të marrin pjesën më të madhe të kredisë për sektorin e lulëzuar të TIK-ut në Kosovë.

Mendoj se mund të mësosh shumë nga të rinjtë e përkushtuar në vende si Kosova, Estonia apo Izraeli dhe vullneti i tyre për të kapërcyer pengesat dhe për të krijuar një të ardhme më të mirë për vendet e tyre. Me vendosmërinë e tyre, ata dëshmojnë se të qenit nga një vend i vogël nuk është domosdoshmërisht një disavantazh. Në përvojën time, të jetuarit në afërsi të njëri-tjetrit stimulon bashkëpunimin dhe konkurrencën, të cilat të dyja mund të prodhojnë një popullatë novatorësh dhe të suksesshëm. / KultPlus.com

Nagavci: Një komb, një gjuhë, një abetare

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Nagavci është shprehur e lumtur për këtë vizitë, derisa aty u diskutua edhe për abetaren e përbashkët, si marrëveshje nga takimi i dy qeverive vitin e kaluar.

“Kënaqësi të mirëpritem dje në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit në Shqipëri nga ministrja Evis Kushi. Bashkë, takuam anëtarët e Komisionit nga Kosova dhe Shqipëria për Abetaren e përbashkët. Bashkëpunimi jonë në fushën e arsimit do të vazhdojë. Një komb, një gjuhë, një abetare”, shkruan Nagavci.

Së fundmi, një pikë e marrëveshjes mes dy qeverive është zbatuar edhe në fushën e kulturës, kur u organizua koncerti “Na Flet Asdreni”, në Prishtinë e Korçë. /KultPlus.com

Koncerti ”Na flet Asdreni” u mbajt edhe në Korçë

Koncerti artistik ”Na flet Asdreni”, për nder të 150 vjetorit të lindjes së poetit Aleks Stavre Drenova u mbajt edhe në Korçë.

Për të kujtuar jetën dhe veprimtarinë e një prej figurave më të rëndësishme të kulturës shqiptare, performuan formacione korale, orkestrale e solistë nga Kosova e Shqipëria, nën drejtimin artistik të kompozitorit Josif Minga.

Të pranishëm në këtë ngjarje nga MKRS ishin Sekretari i Përgjithshëm Bislim Bislimi dhe zyrtarë të tjerë.

Koncerti është organizuar nga Ministria e Kulturës së Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Bashkinë e Korçës dhe Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë. /KultPlus.com

Osmani thotë qartë për CNN: Kosova do të qëndrojë si komb i pavarur dhe sovran

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për median e njohur ndërkombëtare, CNN, ku ka biseduar për luftën në Ukrainë dhe si mund të ndikojë ajo në Kosovë, përcjell KultPlus.

Osmani gjatë kësaj interviste ka biseduar edhe për veprimet e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kohës sa ai ishte pjesë e ish-presidentit, Sllobodan Millosheviqit.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] voton pro rezolutës së OKB-së që e dënon pushtimin rus të Ukrainës, por kur duhet të ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, qoftë ekonomike apo të tjera, ai asnjëherë nuk i ndërmerr këto veprime. Në fakt, Beogradi është i vetmi kryeqytet evropian, ku janë organizuar protesta pro Putinit me mbështetjen e plotë të qeverisë, ashtu si edhe të opozitës. Më duhet t’jua rikujtoj se presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shërbyer si ministër i Propagandës në pushtetin e e Millosheviqit. Ai është shumë i mirë të bëjë propagandën që Rusia e mbështet”.

Ajo deklaroi se Kosova, që Serbia e sheh si shtet të përkohshëm, do të mbrojë me çfarëdo çmimi pavarësinë dhe sovranitetin e vet.

“Në 10 vjetët e fundit, ai ka arritur të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë më parë. Vetëm një shembull, në vitin 2012 numri i ushtrimeve ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë ka qenë 2 në vit, derisa tani është më shumë se 100 në vit. Ditëve të sotme shohim marrëveshje për blerjen e armëve mes Serbisë dhe Rusisë, si dhe Serbisë dhe Kinës, dhe kjo na shqetëson të gjithëve në rajonin tonë”.

“Sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë bëjnë përpjekje destabilizuese ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia vazhdon të na shohë si shtete të përkohshme, çka qartazi nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për të qëndruar si kombe të pavarura, sovrane, dinamike dhe demokratike. Do të mbrojmë atë që kemi arritur dhe jemi gati të paguajmë çfarëdo çmimi për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e pavarur dhe sovran që e kemi sot”.

Ajo gjithashtu ka shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha shtetet, qofshin të vogla apo të mëdha, të qëndrojnë së bashku kundër agresionit rus.

“Kemi humbur shumë njerëz në luftën e Kosovës. e madje data 14 prill shënon edhe Ditën Kombëtare të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Çfarë po shohim në Ukrainë, njerëz duke u vrarë, fëmijë duke u vrarë, gra e burra po përdoret si një mjet për luftë. Kur lufta të mbarojë, njerëzit të cilët kryen krime duhet të përballen me drejtëinë, gjë të cilën nuk e kemi parë, fatkeqësisht, në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë, ku jemi përballur me mohimin e gjenocidit. Nuk kemi parë drejtësi për viktimat e luftës akoma”. /KultPlus.com

Duke folur për pushtimin rus, Osmani kujton luftën e Kosovës: Ne flasim e jetojmë falë bombardimeve të NATO-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për median e njohur ndërkombëtare, CNN, ku ka biseduar për luftën në Ukrainë dhe si mund të ndikojë ajo në Kosovë, përcjell KultPlus.

Në intervistë me gazetaren, Christiane Amanpour, Osmani deklaroi se Kosova është një vend i vogël, por ka një zë të veçantë në mënyrën se si ata e shohin luftën në Ukrainë nga pushtimi rus.

“Edhe pse jemi një vend i vogël, besoj se kemi një zë të veçantë në mënyrën se si e shohim luftën në Ukrainë nga pushtimi rus, gjë që na kujton se çfarë u desh të kalonim para 23 viteve edhe populli i Kosovës. Ne ishim viktimë e gjenocidit dhe krimeve të luftës, por bota nuk na riktheu shpinën dhe ne jetojmë sot falë bombardimeve të NATO-s”.

Tutje, ajo tha se me një njeri sikurse Putini, paqja nuk mund të arrihet, e lufta në Ukrainë mund të ndikojë në Ballkanin Perendimor.

“Ne gjithashtu duhet të kuptojmë që çfarë po ndodhë në Ukrainë mund të ndikojë në të gjithë botën, sidomos për neve në Evropë. Mund të duket se jemi shumë larg nga Ukraina, por hegjemonia dhe mentaliteti imperalist që Rusia po mundohet të shtyjë përpara është diçka që mund të ketë ndikim edhe në Evropë. Rusia është përpjekur për një kohë të gjatë që të destabilizojë Ballkanin Perendimor përmes Serbisë, që e shohin si një aleat për një kohë të gjatë dhe këtë e kanë bërë përmes përpjekjeve që të destabilizojnë në Kosovë, Bosnjë dhe në Mal të Zi. Këto përpjekje për destabilizim kanë mundësuar ekzistimin e një shqetësim të ri dhe më të rrezikshëm”, deklaroi presidentja. /KultPlus.com

“Kosova” në anglisht në bibliotekën e Stokholmit

Krahas depërtimit gjithnjë e më të madh në bibliotekat e universiteteve dhe të instituteve shkencore amerikane si dhe në shumë qendra të tjera universitare botërore, “Kosova” në anglisht, këto ditë, në saje të angazhimit të Ilir Canhasit, gjeti vend edhe në Bibliotekën e Stokholmit.

Këtyre veprave së shpejti do t’u bashkohen edhe “Maqedonia” dhe “Dosja B” në anglisht. / KultPlus.com

CNN promovon Shqipërinë dhe Kosovën për sezonin turistik 2022

Shqipëria dhe Kosova janë dy nga gjashtë destinacionet që CNN sugjeron për turistët për sezonin veror 2022. Kjo pasi vendi jonë dhe Kosova konsiderohen si vende me risk të ulët rreziku nga pandemia e Covid.

“Njerëzit që duan të bëjnë një udhëtim në Evropë, por duan të shmangin destinacionet me rrezikun më të lartë, kanë vetëm disa zgjedhje : Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të gjitha në Gadishullin Ballkanik ose Armenia, në rajonin malor të Kaukazit”, shkruan CNN.

CNN bazohet në analizat e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, të cilat kanë kategorizuar vende ne 4 nivele, sipas rrezikshmërisë nga Covid dhe masave anti-Covid.

Qendrat Amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve nuk shtuan asnjë destinacion të ri në kategorinë e nivelit 4 të rrezikut më të lartë për udhëtime.

Në fakt, shtatë destinacione në Azi dhe Karaibe u zhvendosën në kategorinë me rrezik më të ulët të CDC-së për udhëtime gjatë pandemisë, që është Niveli 1.

Por pjesa më e madhe e vendeve të Evropës mbeten ende në Nivelin 4, pra me risk të madh.

Mbretëria e Bashkuar, për shembull është në nivelin 4 që nga 19 korriku 2021.

Kjo e vendos Anglinë, Skocinë, Uellsin dhe Irlandën e Veriut të gjitha në kategorinë e rrezikut “Shumë të lartë” për Covid-19.

CDC cakton një destinacion me rrezik të Nivelit 4 kur më shumë se 500 raste për 100,000 banorë regjistrohen në 28 ditët e fundit. Shumë nga emrat e shteteve të mëdha në Evropë mbeten në Nivelin 4 edhe me fillimin e sezonit të udhëtimeve pranverore. / KultPlus.com

Kosova e para në vlerësimin e EIONET për rrjedhën e të dhënave për vitin 2021

Kosova përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit ka shënuar progresin më të madh deri me tani në historinë e raportimit në Rrjetin Evropian për Informim dhe Vëzhgim EIONET.

Agjencia e Mjedisit të Evropës ka publikuar vlerësimin parafinal për rrjedhën e të dhënave ne EIONET për vitin 2021. Krahasuar me vlerësimin paraprak, Kosova ka shënuar sërish progres në procesin e raportimit duke përmbushur 100% të obligimeve të planifikuara për raportim për këtë vit, dhe i prinë listës së vendeve që kanë përmbushur këtë obligim raportues.

Në kuadër të vlerësimit për ketë periudhe, për 6 fusha relevante të raportimit, Kosova ka marrë pikët maksimale për secilën nga fushat e raportimit, përkatësisht për raportimin e të dhënave vjetore për cilësi të ajrit, raportimin online të të dhënave për cilësi të ajrit, raportimin për emisionet në ajër, raportimin për gazrat serrë, raportimin për zonat e mbrojtura, raportimin për cilësi të ujërave dhe raportimin për sasi të ujërave.

Viti 2021 shënon vitin me progresin më të madh në historinë e raportimeve në EIONET/EEA, që ka realizuar Kosova përmes AMMK, nga viti 2011 (57%), viti 2018 (60%), viti 2019 (67%) dhe viti 2020 (89%).

Ky sukses është arritur falë punës dhe përkushtimit të ekspertëve të AMMK dhe bashkëpunimit me institucione tjera monitoruese në nivel kombëtar, si dhe mbështetjes nga donatorët përmes projekteve të ndryshme.

Njëherë ky sukses tregon edhe përkushtimin e AMMK në përmbushjen e detyrimeve tona në raport me Agjencinë e Mjedisit të Evropës dhe në procesin e integrimeve evropiane.

Për më shumë detaje shihni linkun e rrjedhës së të dhënave në EIONET: https://www.eionet.europa.eu/dataflows/2021/…

https://mmphi.rks-gov.net/single_page/6093/lajmet / KultPlus.com

Osmani njofton qytetarët për raportet e saj me Kurtin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po i përgjigjjet pyetjeve që qytetarët i kanë bërë në kuadër të 1 vit qeverisje nga ajo, shkruan KultPlus.

Përmes rrjetit social “Instagram”, Osmani ka shtuar mundësinë e pyetjeve për gjithë qytetarët, ndërsa sot edhe është përgjigjur në disa pyetje nga më të ndryshmet, duke filluar nga falënderimet e deri te raportet me të parin e qeverisë.

E pyetur nga qytetarët për raportet me kryeministrin Albin Kurti, Osmani ka dhënë një përgjigjje të shkurtër.

“Të shkëlqyeshme deri tani”, duke përfshirë edhe një fotografi së bashku me Kurtin, Donika Gërvallin dhe Glauk Konjufcën.

Përpos kësaj pyetje, Osmani ka marrë edhe disa të tjera sikurse për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se është aktive në këtë proces. /KultPlus.com

Kurti përfshihet me liderët botërorë për të dërguar mesazh të fortë uniteti dhe solidariteti në Ukrainë (VIDEO)

Në një video të shpërndarë nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të përfshirë liderë nga e gjithë bota që po dënojnë agresionin rus nga Vladimir Putin në Ukrainë, shkruan KultPlus.

“Më shumë se 10 milionë njerëz duhej të largoheshin nga bombat e Putinit dhe të kërkonin strehim brenda Ukrainës ose në vendet fqinje. Dje bota u bashkua me një mesazh të fuqishëm uniteti dhe solidariteti. Të dashur popull ukrainas, qëndroni të fortë. Ne jemi me ty. Ne #QendrojmëPërUkrainën”, shkruhet në postimin e Ursula Leyen.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili shihet përkrahë liderë botërorë përfshirë këtu kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson dhe vetë Volodymyr Zelenskyn, shihet duke thënë se Kosova është rreshtuar krahë shteteve më demokratike të botës dhe i ka vënë sanksione Rusisë.

“Kosova është bashkuar së bashku me vendet më demokratike në botë për t’i vënë sanksione ndaj Rusisë. Që të qëndrojmë me Ukrainën, ne jemi zotuar që të pranojmë 5 mijë refugjatë ukrainas dhe gjithashtu kemi shprehur gatishmërinë tonë për t’i strehuar 20 gazetarë nga Ukraina”. /KultPlus.com

Fuqizim i bashkëpunimit me Izraelin në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore

Sot ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka pritur në takim ambasadoren e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv.

Bashkë diskutuan për hapat konkret drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit, në fushën e bashkëprodhimit të filmit dhe atë për bashkëpunim në fushën arkivave.

Kosova dhe Izraeli tashmë kanë të nënshkruar memorandum bashkëpunimi mes Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Bibliotekës Kombëtare të Izraelit.

Marrëveshje e cila është bërë vitin e kaluar dhe përfshin ndër të tjera shkëmbimin e koleksioneve mes dy bibliotekave, bashkëpunimin shkencor, shkëmbimin e praktikave rreth dixhitalizimit dhe veprimet kulturore mes tyre.

Ministri Çeku gjithashtu e njoftoi me hapat që janë ndërmarr për projektin e themelimit të qendrës hebraike në Prizren, investimet që po bëhen nga Ministria e Kulturës dhe i kërkoj bashkëpunim që të sigurohemi që po kurohen programe që përfaqësojnë më së miri kulturën dhe historinë e popullit hebre. /KultPlus.com

Presidentja Osmani kërkoi që Izraeli t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadorja e parë e shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, përcjellë KultPlus.

Presidentja Osmani ka rikutjuar raportet miqësore me popullin izraelit edhe përpara vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.

“Populli i Kosovës ka hapur dyert dhe zemrat për popullin hebre në ditët më të vështira, e sot, qëndrojmë të gatshëm të thellojmë bashkëpunimin në të gjitha fushat, përfshirë ekonominë, sigurinë, inteligjencën, shëndetin dhe arsimin. Bashkëpunimi ndërshtetëror do të thellohet tutje”, tha Presidentja Osmani.

Memorializimin e viktimave të Holokaustit, Presidentja Osmani e ka cilësuar si një mësim, të cilin mund ta marrë Kosova nga Izraeli për t’i kujtuar viktimat e luftës dhe për t’i shqyrtuar mundësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në këtë drejtim. Këtë iniciativë, Presidentja e kishte filluar në bashkëpunim me kryetarin e Kuvendit të Izraelit (Knesset) gjatë periudhës si Kryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq ambasadorja Ziv e falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për mbështetjen ndaj popullit hebre në ditët më të errëta e deri më sot, si dhe përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke shprehur gatishmërinë për thellim të raporteve në të gjitha fushat. Ambasadorja përmendi hapat e ndërmarra deri më tani, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit në energjetikë, kulturë, turizëm, rritjen e këmbimeve tregtare, shtimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe memorializimin e luftës.

Presidentja Osmani kërkoi mbështetjen e Izraelit edhe në fushën diplomatike, gjegjësisht në fitimin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin në organizata dhe iniciativa ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja gjithashtu kërkoi që Izraeli t’i heqë përfundimisht vizat për shtetasit e Kosovës, gjë që do ta mundësonte rritjen e turizmit nga të dy vendet. / KultPlus.com

OKB: Kosova në fund të muajit në agjendën e Këshillit të Sigurimit

Këshilli i Sigurimit të OKB diskuton më 20 prill për Kosovën. Në takimin e parë të këtij viti, shefja e re e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, do të informojë për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Në seancën përkatëse pritet të marrin pjesë si Serbia ashtu dhe Kosova. Shqipëria është që prej janarit 2022 anëtare e Këshillit e Sigurimit (KS) dhe Kosova është për të një nga çështjet me interes të veçantë. Këshillin e Sigurimit e drejton këtë muaj Mbretëria e Bashkuar.

Takimi i fundit i KS është mbajtur në tetor 2021, gjashtë muaj më parë dhe që nga ai takim nuk ka pasur ndryshime të mëdha në raportet midis Kosovës dhe Serbisë. Një nga çështjet që ka preokupuar palët muajt e fundit ka qenë pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet që u zhvilluan në Serbi. Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon ta shohë si provincën e vet autonome. Ky ka qenë edhe qëndrimi i fundit i presidentit serb Aleksandar Vuçiq në bisedimet Prishtinë- Beograd, të zhvilluara për herë të fundit korrikun e kaluar.

Lufta në Ukrainë ka rritur shqetësimin për acarimin e mundshëm të tensioneve në Ballkanin Perëndimor. Vendet e BE dhe SHBA kanë shprehur shqetësimin se Rusia mund të destabilizojë Kosovën. Si kushte për garantimin e paqes dhe sigurisë, Kosova ka kërkuar të bëhet anëtare e NATO-s dhe të ketë një bazë të përhershme amerikaGrup pune për integrimin e Kosovës në NATOne në vend.

Synimi kryesor i OKB në Kosovë është ruajtja e stabilitetit. Dhe mungesa e suksesit në bisedimet Prishtinë-Beograd të ndërmjetësuara nga BE, mund të bëjë që anëtarët e Këshillit të Sigurimit të kërkojnë nga të dy palët të rifillojnë bisedimet diplomatike dhe të japin një deklaratë ku të thonë se nuk do të përdorin dhunën kundër njeri – tjetrit.

Sa i përket 5 anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, qendrimet janë të njohura. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA e njohin Kosovën dhe mbështesin qeverinë e saj, ndërkohë që Rusia dhe Kina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe mbështesin Serbinë dhe qëndrimin e saj. Nga 10 anëtarët e përkohshëm të KS, pesë e njohin pavarësinë e Kosovës (Shqipëria, Gaboni, Irlanda, Norvegjia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), kurse pesë të tjera nuk e njohin (Brazili, Gana, India, Kenia, dhe Meksika). /KultPlus.com

Osmani në konferencë shpalos punën e saj 1-vjeçare, nga krizat lokale e deri te angazhimi për anëtarësim në NATO

Kur janë bërë 1 vit që posti i Presidentit të Kosovës udhëhiqet nga një grua, Vjosa Osmani ka mbajtur një fjalim për të shënuar sukseset dhe pritshmëritë për të ardhmen, shkruan KultPlus.

Përmes një fjalimi në kabinetin e saj, Osmani e filloi fjalimin duke thënë se viti i kaluar është karakterizuar nga shumë sfida lokale e globale.

“Pandemia, kriza energjetike dhe zhvillimet e fundit në kontinentin evropian. Kosova është sot një kontribuuese aktive dhe një anëtare e respektuar e komunitetit ndërkombëtar”, ka thënë Osmani.

Si udhëheqëse e politikës e jashtme, ajo thotë se ka punuar për të siguruar që të përfaqësohemi me dinjitet dhe krenari në çdo cep të botës.

“Jam angazhuar që zëri ynë të dëgjohet edhe te vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë tonë”, shprehet tutje Osmani.

Ajo edhe gjatë ditës por edhe gjatë fjalimit ka potencuar se Kosova mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për anëtarësim në familjen e NATO-s.

“Shteti i së drejtës është përkushtimi im i vazhdueshëm me qëllim që ta rrënjosim atë në të gjithë vendin. Në këtë frymë kamë punuar secilën herë kur kam marrë një vendim , kur kam bërë një emërim dhe kjo ka jehuar në çdo deklarim e takim timin”, ka thënë Osmani.

Osmani gjithashtu shprehet se gjatë punës së saj një vjeçare është angazhuar edhe në fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri, ndërgjegjësimin dhe adresimin e sfidave me të cilat përballen fëmijët me nevojat e veçanta dhe rritjen e vetëdijes mbi kërcënimet që i kanosen shëndetit tonë nga shkatërrimi i ambientit.

“Pres të punojmë drejt arritjeve të sukseseve të reja. Do të vazhdoj të punoj për të udhëhequr politikën e jashtme dhe për t;i treguar botës që Kosova është më shumë se sa dinamikat e përditshme politike dhe që është një vend paqedashës”, njoftoi 39 vjeçarja.

Presidentja gjatë ditës së sotme ka publikuar në llogarinë e saj zyrtare në “Instagram” opsionin për të bërë pyetje, në mënyrë që çdo qyetetarë të pyes për punën 1 vjeçare dhe të ardhmen e vendit. /KultPlus.com

Kosova renditet e 3-ta në mesin e 71 shteteve anëtare të Federatës Botërore të Aeronautikës në disiplinën e paragllajdizmit

Kosova renditet e 3-ta në mesin e 71 shteteve anëtare të Federatës Botërore të Aeronautikës në disiplinën e paragllajdizmit precizion.

“Urime Federatës së Aeronautikës të Kosovës, të gjithë sportistëve dhe komunitetit sportiv.

Sportistët nga Kosova këtë vit do të marrin pjesë në më shumë se 15 gara ndërkombëtare dhe padyshim pritet të arrijnë rezultate tjera të larta në këtë sport”, ka shkruar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Pamje kur Dren Caka përpiqet të shpjegojë makthin dhe traumat e përjetuara nga masakra e Gjakovës si i vetmi i mbijetuar (VIDEO)

Sot janë bërë 23 vjet nga masakra në lagjen Qamili në Gjakovë ku janë vrarë 21 persona, gra dhe fëmijë. Mirëpo i mbijetuari i vetëm i kësaj masakre kishte qenë Dren Caka i cili kishte pasur vetëm 10 vjet në atë kohë.

Dren Caka është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara. Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave.

KultPlus ju sjell një video ku shfaqet Dren Caka pas shpëtimit të tij nga forcat serbe. Pasi ai ka rënë në duar të sigurta dhe ka marrë trajtimin e duhur, pasi ishte i lënduar në krah, ai mundohet të tregojë për tmerrin e përjetuar.  I pyetur rreth traumës që ka përjetuar, ai shihet teksa mbledh gjithë forcat e tij për të ju përgjigjur e mundohet të sjell të sakt atë që ka parë. / KultPlus.com

23 vjetori i masakrës në Gjakovë, historia e 10 vjeçarit që pa vdekjen e 21 familjarëve

Dren Caka është i vetmi i mbijetuar i masakrës së forcave serbe të kryera gjatë natës së 1 dhe 2 prillit të vitit 1999 në shtëpinë e tij në Gjakovë. Nëntëmbëdhjetë gra dhe fëmijë u vranë në atë masakër. Dreni ishte dhjetë vjeç në atë kohë. Motrat e tij ishin 2, 6 dhe 14 vjeç, të tria mbetën të vrara.

Ndërsa, Dren Caka kishte mbijetuar duke u fshehur mbrapa trupit të vdekur të një prej grave.

Caka për këtë masakër kishte dëshmuar edhe në Tribunalin e Hagës. Ai kishte treguar se ishte fshehur në një bodrum me nënë dhe tri motrat e tij. Ata ishin bashkuar me familje të tjera, kryesisht gra dhe fëmijë, kurse burrat kishin qenë në kulmet e shtëpisë duke bërë roje.

Ata besonin se serbët, të cilët kishin nisur në një pjesë të Gjakovës, “po kërkonin vetëm burra dhe nuk do të sulmonin gratë dhe fëmijët”.

Rreth orës 2 të mëngjesit, nëna e Drenit kishte dëgjuar se disa policë ishin duke ardhur në shtëpinë e tyre ku dhe kishin thyer derën e bodrumit dhe kishin kërkuar gra dhe fëmijë në gjuhën serbe dhe shqiptare. Ata kishin nxjerrë nga bodrumi gratë dhe fëmijët që kishin qenë aty, disa kishin arritur të shpëtonin mirëpo Dreni me motrat dhe nënë e tij nuk kishin arritur të iknin nga bodrumi dhe kishin mbetur nën ruajtjen e tre policëve serbë.

Pesëmbëdhjetë vjeçarja, Flaka ishte viktima e parë e kësaj masakre, ajo ishte vrarë nga agresori serb me një plumb të një pushke automatike. Ajo ishte vajza e Hani Hoxhës. Babai i saj kishte dëshmuar lidhur me këtë masakër.

Flaka ishte vrarë derisa ishte duke përgatitur çaj. Pas saj ishte ekzekutuar edhe nëna e saj dhe të gjithë njerëzit që kishin qenë në dhomë me Flakën dhe nënën e saj.

Ndërkohë, policët kishin djegur shtëpinë ku kishin qenë gratë dhe fëmijët. Shtëpia filloi të mbushej me tym. Dren Caka kishte dëgjuar britmën e motrës së tij dyvjeçare, të bllokuar nën trupin e nënës së saj të vdekur, por nuk kishte mundur ta ndihmonte. Po ashtu edhe Dreni ishte qëlluar, ai kishte krahun e thyer. Dreni kishte lëvizur nga dhoma në dhomë, duke pretenduar se ai ishte i vdekur në çdo hapë që e bënte. Në fund ai ishte hedhur nga dritarja e shtëpisë së fqinjit ku kishin qenë duke qëndruar dhe ishte nisur në drejtim të shtëpisë së tij. Derisa po ikte nga shtëpia në zjarr, Dren Cakën e kishin parë tre policë. Ata ishin duke qëndruar para shtëpisë, duke pirë duhan me një shprehje të ftohtë në fytyrë.

Kur arriti në shtëpinë e tij, Dren Caka kishte parë tezen e tij dhe i kishte kërkuar ndihmë, duke bërtitur se “të gjithë ishin të vdekur”. Ai i kishte thënë se e ka parë një ëndërr të keqe, mirëpo tezja i kishte besuar Drenit vetëm kur e kishte pa të plagosur.

Pas kësaj masakre, Dreni kishte shkuar në Shqipëri si refugjat së bashku me të afërmit tjerë të cilët i kishin mbijetuar masakrës së 1 dhe 2 prillit. Mirëpo babai i Drenit nuk kishte shkuar së bashku me të, ai kishte mbetur në Gjakovë, ndërsa ai kishte qëndruar për pesë muaj në Shqipëri.

Meqenëse dëshmitari kishte dëshmuar në një anglishte të rrjedhshme, ndonëse u rrit shumë larg nga Kosova, Dreni kishte dëshmuar dy herë në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, Dreni kishte dëshmuar si dëshmitar i mbrojtur.

Dreni tash është duke jetuar në Vankuver të Kanadasë së bashku me babain e tij Ali Cakën, ku dhe është i punësuar. Babai i tij është martuar sërish dhe ka një djalë, të quajtur Dennis, dhe Dreni ka bërë tatuazh në krahun e tij emrin e Denisit. / KultPlus.com

‘Fishkëllohej nga gjithë tifozët’, Blick shkruan për vendimin e Andi Zeqirit dhe “refuzimin” e Kosovës

Ndeshja e Zvicrës mes Kosovës solli një atmosferë më ndryshë në stadiumin e Cyriuht, aty edhe ku u zhvilluar ky takim, shkruan KultPlus.

Duke filluar nga loja e bukur e deri te shënimi i golave së bashku me tifozët, Kosova dhe Zvicra u ndanë me barazim 1-1 nga ky takim miqësor.

Tifozëria e Kosovës “Dardanët” shpalosën një mesazh të veçantë për lojtarin e Zvicrës, Andi Zeqiri, i cili në të kaluarën kishte deklaruar se do të luante për Kosovën.

“Andi tregtari, pazargji i natës, mashtrues i kombëtares”, kanë shkruar Dardanët në pankartë e zbuluar në stadium.

Për këtë çështje ka shkruar edhe gazeta “Blick“, si njëri prej mediumeve më të njohura në këtë vend.

Ndryshe nga Shaqiri dhe Xhaka, zvicerani i tretë me rrënjë kosovare fishkëllehej në çdo kontakt me topin. “Goditja” e këtij të fundit ishte shumë e thellë pasi tifozët e shtetit ballkanik dikur kishin shpresa të mëdha se sulmuesi do të luante për vendin e tyre.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ende nuk mund ta kuptojë pse Zeqiri zgjodhi Zvicrën. Aq më tepër që Ademi ka pozuar edhe me lojtarin dhe një fanellë të Kosovës në vitin 2020. “Sigurisht që u zhgënjeva. Nuk është e denjë që dikush të thotë ‘Po, po, po’ dhe pastaj të anulojë në momentin e fundit. Tregohuni të drejtë dhe të sinqertë, nuk kam çfarë të them më për këtë”, tha Ademi në televizionin kosovar, shkruhet në Blick.

Zeqiri më herët kishte theksuar se vendimi nuk ishte i lehtë për të, por se zgjodhi vendin që i hapi derën.

Dhe Michel Urscheler, i cili ka tre vite që kujdeset për profesionistin e Bundesligës, thekson edhe një herë se ishte dëshira e vetë Zeqirit që të luante për Zvicrën. “Po, ne kemi qenë në kontakt të rregullt edhe me federatën kosovare. Por asgjë nuk ishte konkrete. Përgjegjësit në federatë janë sjellë gjithmonë drejt.” /KultPlus.com

Kosova shënon gol kundër Zvicrës (VIDEO)

Në Letzigrund Stadion të Cyrihut, Zvicra dhe Kosova zhvillojnë ndeshjen miqësore që padyshim se është një përballje emocionale falë lojtarëve shqiptarë që luajnë dhe kanë luajtur te Helvetikët.

Është hera e parë që këto dy skuadra vihen përballë njëra-tjetrës, ashtu që nuk ka dyshim se është një takim i veçantë.

Në pjesën e dytë, Kosova shënoi gol kundër Zvicrës.

Për “Dardanët” ka shënuar Milot Rashica në minutën e 52-të.

Klikoni KËTU për ta parë golin fantastik të Rashicës. / KultPlus.com

Më 28 mars 1989, në Kosovë shpërthyen protestat e mëdha kundër represionit të Serbisë

Në të gjithë Kosovën, më 28 Mars të vitit 1989, shpërthyen protestat e mëdha kundër ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës nga parlamenti serb.

Kjo datë shënon edhe pushtimin e Kosovës nga forcat ushtarake serbe. Nga sulmet e ushtrisë serbe, që në ditën e parë të demostratave u vranë 22 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Kjo datë e furishme dhe e përgjakshme ka hyrë në historinë e Kosovës si ditë e manifestimit të vullnetit për pavarësi. Me gjithë dhunën e egër, kosovarët nuk e ndërprenë luftën dhe përpjekjet për lirie pavarësi. Dy vite më vonë, u shpall pavarësia e vendit, në vitin 1991, u përfundua referendumi, ku kosovarët shprehën dëshirën e tyre që të jetojnë të lirë dhe të pavarur në vatrat dhe në trojet e tyre.

Ndërkaq në vitin 1992 u zhvilluan zgjedhjet për deputet në parlamentin e Kosovës dhe për Kryetarin e Republikës. / KultPlus.com

Osmani takoi Emirin e Katarit: Jemi të përkushtuar të thellojmë raportet ndërshtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani Sadriu ka takuar Emirin e Shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë vizitës zyrtare në Doha.

Osmani falënderoi Emirin për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve tona dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe tregtar. Veç kësaj, Presidentja e informoi Emirin për progresin e gjithmbarshëm në Kosovë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës si fusha potenciale për investim nga Shteti i Katarit.

Presidentja Osmani përmendi ndihmën e popullit dhe Shtetit të Katarit ndaj Kosovës përgjatë ditëve më të errëta për popullin tonë si dhe pas shpalljes së pavarësisë. “Populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë zemërgjerësinë e Shtetit të Katarit në momente të vështira e deri më sot. Ne mbesim të përkushtuar që të thellojmë raportet ndërshtetërore” ka thënë ndër tjera Presidentja. 

Presidentja Osmani po qëndron në Doha të Katarit për të marrë pjesë në edicionin e njëzetë të Forumit të Dohas i cili ka mbledhur liderë botëror, politikbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë. /KultPlus.com

Osmani takoi të dërguarin special të Presidentit Biden, ish-Sekretarin John Kerry

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu është takuar me mbështetësin e madh të Kosovës, John Kerry, i Dërguar i Posaçëm Presidencial i Shteteve të Bashkuara për çështje klimatike dhe ish Sekretar i Shtetit. Në takim morri pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla Schwarz.

Presidentja Osmani ka falënderuar Kerry për angazhimin dhe përkushtimin e tij personal për të ndihmuar Kosovën dhe popullin e saj të ecë përpara, që sot të gëzojë marrëdhënie unike dhe të pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidentja dhe Kerry diskutuan edhe për zhvillimet në Evropë dhe rajon si rezultat i agresionit rus në Ukrainë dhe përmendi përpjekjet e Republikës së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë popullit ukrainas. Presidentja Osmani theksoi rrezikun nga destabilizimi i rajonit nga satelitët e Rusisë dhe nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO si garancë më e mirë për paqe dhe stabilitet në rajon. Ajo ka vlerësuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për fuqizimin e rolit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke potencuar se tani është edhe më e rëndësishme që të rritet përkrahja në procesin e njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Duke e uruar Kerry në rolin e tij të ri si i dërguar i posaçëm i Presidentit Biden për ndryshimet klimatike, Presidentja Osmani ka vlerësuar se adresimi i efekteve të drejtpërdrejta të ndryshimeve klimatike kërkon qasje dhe udhëheqje transformuese.

“Pavarësisht politikave vendore dhe globale, ndryshimet klimatike nuk do të ndalojnë së ndodhuri. Është një nga sfidat më serioze të kohës sonë. Të flasim për ndryshimet klimatike nuk është temë luksoze, por ekzistenciale për të siguruar jetën e fëmijëve tanë. Kosova nuk është imune ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike. Andaj, Kosova me të drejtë kërkon të jetë pjesë e nismave globale për luftimin e ndryshimeve klimatike” ka thënë Presidentja. /KultPlus.com