‘O ku ka si ti o moj Kosova ime, moj shqiponja përmbi gur’ (VIDEO)

“Rrjedhë në këngë e ligjërime” mbetet një ndër veprat kryesore të krijimtarisë artistike shqiptare, shkruan KultPlus.

E kënduar në origjinal nga Vaçe Zela, kjo këngë është një himn për Shqipërinë.

E sjellur në shumë versione, interpretimi i tenorit, Ramë Lahaj mbetet i veçantë.

KultPlus ua sjell videoklipin dhe tekstin e kësaj kënge:

Eh i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngë, lugjeve i përcjell

Eh i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe besa e shqiptarit shkon
brez më brez.

2x
O ku ka si ti, o Shqipëria ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur!

Eh i fortë po bien ai tel
e lahuta tingujt mi çon larg,
m’i përcjell.

Eh i forte po bjen ai terr
çlirimtarët nëpër mend mi sjell,
du ti perkdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt ne agime,
edhe shpata e Kastriotit zjarr
flakeron.

2x
O ku ka si ti, o moj Kosova ime,
Moj shqiponja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur!

2x
O ku ka si ti, o moj Kosova ime,
Moj fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlartë je me flamur! / KultPlus.com

Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të jetë i hapur dhe pa pagesë për të gjithë vizitorët më 17 shkurt

Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të jetë i hapur dhe pa pagesë për të gjithë vizitorët më datë 17 shkurt, shkruan KultPlus.

Kështu bëri të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në llogarinë zyrtare.

“Me datën 17 Shkurt, Dita e Pavarësisë së Kosovës, Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit do të jetë i hapur dhe pa pagesë për të gjithë vizitorët”.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur edhe agjendën shtetërore për këtë ditë. /KultPlus.com

14 vjet shtet, publikohet agjenda shtetërore për shënimin e Ditës së Pavarësisë

Më 17 shkurt, Kosova do të festojë 14 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, e tani veçse kanë filluar edhe përgatitjet për të shënuar këtë festë, shkruan KultPlus.

Si çdo vit, edhe kësaj radhe janë paraparë disa aktivitete shtetërore, e madje është publikuar edhe agjenda shtetërore.

Zyra e Kryeministrit njofton se aktivitetet për 14 vjetorin e Pavarësisë do të fillojnë nga ora 08:00 me ngritjen e flamurit në oborrin e Qeverisë së Kosovës.

Me kurora lulesh do të viziohet kompleksi “Adem Jashari” në Prekaz, derisa i njejti aktivitet do të ndodhë edhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi, konkretisht nga ora 09:10-09:30.

Kurse në orën 11:00 do të nis seanca solemne e Kuvendit të Kosovës. Për shënimin e këtij përvjetori do të parakalojë edhe FSK-ja dhe Policia e Kosovës nga ora 12:00 deri në ora 13:00.

Aktivitetet për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë do të mbyllen në orën 20:00 me një koncert që do të mbahen të Kino Armata në Prishtinë.

Që nga data e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra, si shtet i pavarur dhe sovran, deri tani 117 shtete kanë njohur vendin më të ri në kontinentin e vjetër. /KultPlus.com

Buxhovi: Shteti i Kosovës – e arritura më e madhe e shqiptarizmit në këtë shekull

Nga Jusuf Buxhovi

Rrugëtimi historik i shtetit të Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008 dhe i konfirmuar në vitin 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e Hagës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, si proces i pandalshëm, kaloi nëpër disa faza. Fillimisht me atë të shkëputjes nga ripushtimi serb, që Kosovës iu bë me rrënimin e dhunshëm të autonomisë nga ana e Beogradit, më 23 mars 1989. Pastaj, me Referendumin për Pavarësi të shtatorit 1991, që për pasojë pati krijimin e shtetit paralel, që për tetë vite udhëheqi rezistencën insitutcionale deri te ajo e armatosur si dhe kohën e protektoratit ndërkombëtar, të vendos në përputhje me rezolutën 1244 të KS të OKB-së më 10 qershor 1990. Nuk duhet harruar se këtyre fazave u parapriu shfaqja e kërkesës për Republikën e Kosovës, në demonstratat e nëntorit të vitit 1968, e ngritur nga elita intelektuale dhe politike e kohës, e cila rrëzimin e Rankoviqit dhe ndryshimet që solli klima e re politike, e pa si një mundësi të madhe për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës në drejtim të subjektit federativ, me çka lirohej nga tutela e Serbisë. Kjo kërkesë dhe zhvillimet tjera nëpër të cilat po kalonte federata jugosllave drejt federalizmit, bëri që me amendamentet kushtetuese të atij viti si dhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, Kosova si krahinë, të fitojë statusin e njësisë federative, por jo edhe të republikës, ngaqë Tito nuk ishte i gatshëm për një konfrontim të mëtutjeshëm me Serbinë. Kërkesa për Republikën e Kosovës u rikthyer fuqishëm në vitin 1981, meqë Jugosllavia pas vdekjes së Titos në maj të vitit 1980, po hynte në një fazë të ndryshimeve, që paralajmëronin kthimin e saj nën mbikëqyrjen e Serbisë, që mund të fillonte pikërisht me rrënimin e pozitës së Kosovës në federatë. Këto faza gjithsesi ngërthejnë ngjarjet dhe vendimet e rëndësishme, që mundësuan njëra-tjetrën, në përputhje me zhvillimet që rrumbullakuan këtë proces historik, ku shpërbërja e federatës jugosllave e pranuar në konferencën e Hagës të gushtit 1991, ishte si pikënisje e saj, paçka se e gjitha kaloi nëpër një luftë dhe gjakderdhje me shumë tragjedi, e imponuar nga hegjemonizmi serb nën udhëheqjen politike të Millosheviqit. Kështu, faza e shkëputjes nga Serbia, që nga aspekti formal-juridik mund të përcaktohet “çlirim nga ripushtimi serb” në rrugë demokratike, paraqet themelet e këtij zhvillimi. Deklarata e Pavarësisë e 2 korrikut 1990, ishte guri i parë i saj, meqë Kosovën e shpalli njësi të pavarur në kuadër të federatës jugosllave. Me këtë akt legjitim të delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu dha përgjigjja e duhur dhe e drejtë ripushtimit serb, që ndodhi me rastin e rrënimit me dhunë të autonomisë më 23 mars 1989.Ky vendim, gjithsesi duhej të përcillej edhe me aktin tjetër, po ashtu, të një rëndësie historike – shpalljen e Kosovës Republikë. Kjo u bë më 7 shtator 1990 në Kaçanik nga delegatët e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi miratoi aktin më të lartë të saj – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që u quajt edhe Kushtetuta e Kaçanikut. Me këtë akt, Kosova u shpall njësi e pavarur e federatës jugosllave në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, me çka i mundësohej statusi i pavarur dhe i barabartë në federatë deri të e drejta për shkëputje, siç e kishin edhe njësitë tjera federative.Procesi demokratik i shtetësisë së Kosovës i filluar me këto dy akte, kërkonte edhe referendumin për pavarësi, me çka përmbyllej legjitimiteti i tij. Kjo ndodhi me 24 shtator 1991, me ç’rast, qytetarët e Kosovës (kryesisht shqiptarët, po edhe pakicat tjera: turqit, romët dhe boshnjakët) i dhanë përkrahje plebishitare (me 99,3%) shpalljes së pavarësisë.Referendumi për Pavarësi krijoi rrethanat demokratike dhe juridike për ndërtimin institucional të shtetit të Kosovës në përputhje me aktet themelore – Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të shpallur në Kuvendin e Kosovës në Kaçanik. Kushtetuta e Kaçanikut e shpallte Kosovën republikë parlamentare – shtet të shqiptarëve dhe të tjerëve që jetojnë në të, me gjuhën shqipe – gjuhë zyrtare. Kushtetua e Kaçanikut përcaktoi edhe hierarkinë institucionale të shtetit nga presidenti, qeveria dhe institucionet tjera të pavarura. Meqë Kosova ishte e okupuar nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ndërkohë që pavarësia e shpallur me aktet kushtetuese me mjete demokratike, nuk njiheshin ndërkombëtarisht, konstituimi institucional i shtetit të Kosovës duhej t’u nënshtrohej rrethanave, me ç’rast shteti paralel shfaqej si forma më e përshtatshme e rezistencës institucionale, me të cilën demonstrohej kultura shtetformuese, si një deponim i paparë në praktikën ndërkombëtare, në shërbim të ndërkombëtarizimit të saj.Në kontekstin historik, i ashtuquajturi “shtete paralel”, që me pa të drejtë ose qëllimisht, që t’i mohoheshin atributet e shtetësisë , u quajt edhe “lëvizje paqësore”, “gandizëm” e të ngjashme, strumbullar kishte Qeverinë e Republikë së Kosovës. Ajo u themelua në fund të vitit 1991. Një pjesë e së saj do të vendoset në Shqipëri. Ndërsa disa ministri (dy në Zvicër) dhe të tjerat në Gjermani, që edhe pa njohje zyrtare, puna e saj u tolerua nga shteti gjerman. Në këso rrethanash, veprimtaria e gjithëmbarshme e Qeverisë së Kosovës në ekzil, bosht të “shtetit paralel” kishte fondit e trepërqindëshit, bazë materiale kjo prej nga, me improvizime dhe pa to, u drejtua jeta ekonomike, arsimore, kulturore si dhe veprimtaria shëndetësore deri në qershor të vitit 1999. Ndonëse me vështirësi dhe probleme të shumta që mund ta përcjellin një punë të tillë, ngaqë në njërën anë, ajo zhvillohej në rrethanat e pushtimit policor dhe ushtarak serb si dhe të terrorit shtetëror që ushtrohej ndaj çfarëdo forme të organizimit institucional, ndërsa në tjetrën anë i mungonte njohja ndërkombëtare (edhe pse heshtas nga shumë anë i pranohej de fakto roli i një lëvizjeje paqësore-autentike, që luftonte pushtimin serb në një formë tepër të veçantë, të paparë deri më atëherë), megjithatë, Qeveria e Republikës së Kosovës, formalisht kishte vu nën mbikëqyrje sektorët kryesor të jetës, duke përfshirë edhe mbrojtjen dhe sigurinë. Kështu, në fillim të vitit 1992 formoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Rendit, pra atë të policisë. Në të parën u përfshinë forcat ushtarake nga radhët e Mbrojtjes Territoriale të Kosovës (ushtarakë dhe oficerë të lartë që kishin shërbyer në Armatën Jugosllave). Ndërsa në të dytën, do të përfshihen forcat policore dhe ato të organeve të sigurisë, nga radhët e policisë së Kosovës dhe atyre të sigurisë, të cilat, pas rrënimit të autonomisë së Kosovës, nëpërmes organizimit sindikal, kishin kaluar në radhët e institucioneve të Qeverisë së Kosovës. Këto dy ministri, do t’i nënshtrohen represionit të vazhdueshëm shtetëror serb, gjë që nga fundi i vitit 1993, pjesa më e madhe e pjesëtarëve të tyre (policë, ushtarakë dhe specialistë të tjerë të sigurisë) do të burgosen. Kjo ndikoi që Qeveria e Kosovës të pushojë përkohësisht veprimtarinë ushtarake dhe policore në Kosovës, duke u orientuar te organizimi i tyre “i përkohshëm” jashtë, me arsyetimin që kur të krijohen rrethanat, pra çastin që rezistenca institucionale të dinamizohet me rezistencën e armatosur si pjesë e strategjisë që politika të vazhdohet edhe me mjetet e luftës, të veprojnë edhe në Kosovë. Kjo, megjithatë, nuk pengoi, që nën sloganin e “mbrojtjes së shtëpisë”, të ruhet fryma e kundërvënies me anën e grupeve të shkapërderdhura, si guerilë vendore në Dukagjin, Drenicë, Llap dhe gjetiu, të cilat vepruan nga viti 1991 e këndej, prej nga, në vitin 1997 u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si një faktor i cili në planin politik ndikoi që lufta e deriatëhershme diplomatike (veçmas pas Dejtonit) të zëvendësohet me diplomacinë e luftës (pas marrëveshjeve të Rambujesë). Ndërsa në planin gjeostrategjik – Kosovën dhe krizën e saj, që deri më atëherë konsiderohej “çështje e brendshme e Beogradit” – ta kthejë në agjendën e faktorit ndërkombëtar të vendosjes çoftë si çështje humanitare, meqë Millosheviqi, pasi kishte refuzuar marrëveshjen e Rambujesë, kishte filluar ofensivën ushtarake për t’iu dhënë një zgjidhje me anën e luftës, ku planifikohej edhe një gjenocid i përmasave të mëdha. Kjo legjitimoi edhe ultima ration ndërkombëtare, e pasqyruar me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nga ajri ndaj forcave policore dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe caqet tjera ushtarake në Serbi, nga 23 marsi deri më 10 qershor 1999, që solli çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb dhe për pasojë pati vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar me rezolutën e KS të OKB-së 1244 të 10 qershorit 1999. Pra, rezistenca e armatosur, nën emblemën e UÇK-së, përkundër ndasive të brendshme, përçarjeve dhe problemeve të shumta midis rrymave institucionale dhe jashtë institucionale, që atë e lanë pa një qendër drejtuese, paraqet rezistencën e parë të armatosur të shqiptarëve kundër soldateskës jugosllave në formën e një kryengritjeje popullore, me çka iu hapën rrugët ndërhyrjes së armatosur të NATO-s. Kështu që, shfaqja e UÇK-së, shënoi kthesën historike, që i dha epilogun e duhur politik lëvizjes shtetformuese.Vendosja e Kosovës nën administrimin ndërkombëtar nga 12 qershori 1999 deri më 17 shkurt 2008, me ç’rast përgjegjësinë për krijimin e institucioneve demokratike të vendosura mbi katër shtyllat e sistemit juridik-parlamentar e mori përsipër UNMIK-u, ndërsa sigurinë NATO-ja, krijuan rrethanat për shtetësinë e Kosovës. Shpallja e saj më 17 shkurt 2008 nga Parlamenti i Kosovës, në të vërtetë, është një konfirmim ndërkombëtar i vendimeve që ishin marrë në verën e vitit 1990 (me Deklaratën e 2 korrikut dhe Kuvendin e Kaçanikut më 7 shtator) dhe vjeshtën e vitit 1991(me mbajtjen e Referendumit për Pavarësi). Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës më 17 shkurt 2008, megjithatë la të hapur procesin e përmbylljes dhe të konsolidimit të tij në planin e brendshëm dhe, veçmas atë të jashtëm, përderisa Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga Organizata Botërore, me çka ajo fiton edhe vendin e vet në të gjitha mekanizmat dhe organizatat botërore për të qenë e barabartë me të tjerët. Ndonëse Kosova, si shtet është njohur nga mbi njëqind vende (nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të NATO-s dhe ato kryesore të BE-së), megjithatë ajo ka mbetur jashtë strukturave Veriatlantike dhe të BE-së. Ngecjen këtu duhet kërkuar më shumë te shkaktarët e brendshëm, te faktori politik shqiptar dhe prirja që interesat e pushtetit të vihen mbi ato të konsolidimit të shtetit. Korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve nga brenda me anën e nepotizmit dhe strukturave kriminale, e mbi të gjitha mungesa e shtetit ligjor, Kosovës i kanë dhënë atributet e “shtetit të dështuar nga brenda”!Kjo gjendje ka bërë që Kosova të shikohet me mosbesim nga aleatët, që e kanë ndihmuar krijimin e tij në përputhje me interesat e tyre gjeostrategjike, (në radhë të parë SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane), ndërsa nga Serbia dhe Rusia, që e kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet, të pengohet konsolidimi i tij duke e paraqitur atë “si vatër krize”, së cilës i duhet rikthimi te “pika zero”, pra te protektoratit ndërkombëtar të përcaktuara me rezolutën 1244 të OKB-së.Këtij diskursi, gjithsesi se i ka ndihmuar sjellja e papërgjegjshme e kreut politik të Kosovës, duke përfshirë ish presidentin Thaçi dhe ndihmaçarët e tij, të cilët, gjatë katër viteve të fundit, gjoja në emër të normalizimit të raporteve me Serbinë dhe të “një pajtimi historik”, hapën çështjen e ndryshimit të kufijve – veprim ky që ishte kryekëput në përputhje me konceptin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve për krijimin e rrethanave për një Serbi të madhe, që për kurban do ta kishte pikërisht shtetin e Kosovës, të pranuar nga GJND-ja, ku disa pjesë të tij (disa komuna të parëndësishme), do t’i bashkoheshin Shqipërisë, me çka “problemet historike midis shqiptarëve dhe serbëve” do të konsideroheshin të mbyllura e me këtë edhe rajoni nuk do të paqësohej!Ky sakrifikim, gjithsesi do të ishte i mangët, pa pëlqimin e shtetit shqiptar dhe angazhimin e politikës zyrtare të Tiranës, siç ndodhi me marrëveshjet e fshehta të Ramës me Vuçiçin që patën edhe bekimin e Thaçit dhe të klientelistëve të tij të shumtë medialë në Tiranë dhe Prishtinë.Ndonëse djallëzia e Beogradit dhe ndihmaçarëve të tyre në Shqipëri dhe Kosovë ra në ujë, ngaqë nga SHBA-të dhe vendet kryesore evropiane (Gjermania dhe Britania e Madhe), nuk u pranua dhe u hodh poshtë si një karrem i rrezikshëm serbo-rus, megjithatë kjo la të hapur anatemën e rrezikimit të shtetit të Kosovës nga brenda, përderisa në Prishtinë, po edhe në Tiranë, të kenë pushtet politik, aktorët e shantazhaur, që kanë përgjegjësi për këtë gjendje. Andaj, shteti i Kosovës, katërmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë, ka nevojë për një ndryshim politik rrënjësor, që për moto duhet ta ketë kosovocentrizmin, si një kauzë afatgjate në shërbim të konsolidimit shtet i pavarur, i lirë dhe demokratik. Kosovocentrizmi si i tillë, i shërben edhe kumbarëve të shtetit të Kosovës (SHBA-ve, NATO-s , Gjermanisë dhe vendeve kryesore evropiane). Siç i shërben edhe rajonit që ta mbrojë nga ndikimi serbo-rus për ta vu nën mbikëqyrje atë po qe se shqiptarët vetëdefaktorizohen. Por, kosovocentrizmi, mbi të gjitha i shërben edhe çështjes shqiptare në përgjithësi, meqë dy shtete shqiptare, demokratike dhe të lira, pengojnë rikthimin e koninkturave të vjetra, që u shkojnë për shtati interesave hegjemoniste serbe dhe greke. Ndaj, është e domosdoshme, që Shqipëria, 17 shkurtin ta shpall festë zyrtare. Me këtë veprim, hiqet dorë nga formula ideologjike e shekullit të kaluar për bashkim kombëtar që ka përfunduar çastin që Konferenca e Londrës njohu shtetin e përgjysmuar shqiptarë ndërsa gjysmën tjetër të etnisë shqiptare e la nën pushtimin serbe, malazias dhe grek, por i hapet rruga një unioni të mundshëm të dy shteteve shqiptare në përputhje me vullnetin demokratik të të dy anëve dhe me pëlqimin e aleatëve perëndimorë. Ky përcaktim gjithsesi ka rëndësi historike edhe për shqiptarët në Maqedoninë Veriore, meqë midis dy shteteve të fuqishme shqiptare, aleate të perëndimit, Maqedonia e Veriut do të jetë e detyruar që të plotësojë kërkesat e shqiptarëve për barazi kushtetuese, pra si popull shtetformues dhe assesi, si deri me tash, t’i trajtojë “si shkëputje kombëtare”, pra si ardhacakë. (Shkëputje nga libri “Kosova – histori e shkurtër”, që doli së voni nga shtypi). /KultPlus.com

Disa fakte rreth ditës së shpalljes së Pavarësisë së Kosovës

Nesër shënohet 14 vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe KultPlus ju sjell disa fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit të vitit 2008.

-Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta

-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi

-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.

-Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.

-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.

-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë

-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.

-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.

-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. /KultPlus.com

Letra e Blinken drejtuar Vuçiqit, SHBA i kërkon Serbisë të njohë Kosovën

Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, i ka shkruar letër shtetit të Serbisë, ku ka kërkuar që të arrihet njohja reciproke me Kosovën, shkruan KultPlus.

Me një letër zyrtare, Blinken ka uruar Serbinë për ditën e tyre ndërkombëtare, derisa ka kërkuar nga ta që të arrin njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon.

“Vendet tona kanë ndërtuar lidhje të forta gjatë 140 viteve të fundit dhe Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një të ardhme edhe më të ndritshme së bashku si partnerë në Evropë dhe në skenën globale. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke me Kosovën, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, thuhet në letrën e dërguar nga Blinken drejt Aleksandër Vuçiq.

Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Serbisë vitin e kaluar të njohë Kosovën. /KultPlus.com

Osmani takohet me ambasadoren Lobbezoo, diskutohet për liberalizimin e vizave

Presidentja Vjosa Osmani, sot takoi ambasadoren holandeze në Kosovë, Carin Lobbezoo.

Në takim u diskutua për situatën e përgjithshme në vend, përballjen me pandeminë dhe mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Presidentja ka përsëritur se Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave, ndaj në këtë kontekst ka shfaqur shpresën se do ta ketë mbështetjen e shtetit holandez.

Sipas Osmanit, është radha që BE-ja ta mbajë fjalën kundrejt qytetarëve të Kosovës sa i përket liberalizimit të vizave. U diskutua edhe për zhvillimet në rajon dhe nevojën e integrimin të shteteve të rajonit të Ballkanit në BE.

Kryetarja e shtetit dhe ambasadorja Loobezo diskutuan edhe për bashkëpunimin politik dhe ekonomik ndërmjet Holandës dhe Kosovës.

“Kosova ka bërë hapa përmbajtësor në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj”, ka thënë Osmani.

Në fund të takimit ambasadorja Loobezo e dorëzoi në presidencë telegramin e urimit të mbretit të Holandës, Willem-Alexander R., për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. /KultPlus.com

Ylfetja u vra në kërkim të lirisë dhe barazisë akoma pa mbushur 17 vjeç

Në kujtim të Ylfete Humollit

Ylfetja është dëshmija e gjallë e atyre që asnjëherë nuk e kanë gëzu fëmijërinë e tyre.

Ylfetja, me 1 shkurt 1990, fiks para 30 vitesh kur ishte 16 vjeçare, ajo u vra nga forcat serbe gjatë një proteste kundër regjimit të Serbisë në Kosovë. Bashkë me Ylfeten ishte dhe vëllau i saj Mentori (13), i cili do të binte heroikisht me 21 mars 1999 duke luftuar të njëjtin agresor në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ylfete Humolli u lind më 15 shkurt 1973, në Lupç të Poshtëm të Podujevës, në një familje atdhetare.

Ylfetja ishte e bija e Isës dhe Sevdijes, të cilët kishin edhe tetë fëmijët të tjerë, Mentorin (dëshmor), Sahdeten (kishte vdekur nga leukemia në vitin 1993), Lulen, Serbezen, Vlorën, Muhametin, Jetonin dhe Arianitin.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për të vazhduar atë të mesme në Prishtinë, në Shkollën Ekonomike.

Në shkollë ishte e shkëlqyeshme, e përkrah mësimit merrej edhe me aktivitete të lire në kuadër të shkollës, ku ka luajtur edhe dramën “Halili e Hajria”.

Ajo lexonte shumë libra dhe prej librave që lexonte nxirrte fjalë të urta dhe përmblidhte në fletore.

*Ylfetja ishte në vitin e tretë të shkollës së mesme kur Kosovës ju mor autonomia më 1989-90 dhe ajo shumë mirë e kuptonte situatën e rëndë që mbretëronte në Kosovë, ku e gjithë Kosova tanimë ishte në këmbë.

Në Prishtinë ajo ishte prezente në këto protesta, të cilat vazhduan edhe nëpër fshatra, ku në fshatin Lupç të Poshtëm për tri ditë më radhë pati protesta.

Kështu, më 1 shkurt 1990, ajo së bashku me shoqe dhe shokë kishin dalë buzë rrugës Podujevë- Prishtinë, për të protestuar në mënyrë të qetë kundër kolonës së motorizuar e të armatosur deri në dhëmbë, e cila vinte nga Serbia në tokat tona. Për këtë, kolona ishte egërsuar dhe shtiu për disa minuta me armë automatike.

Protestuesit dhe marshimin e forcave ushtarake policore e përcillte ekipi i Radiotelevizionit të Sarajevës.

Ylfetja vritet duke kërkuar liri dhe barazi ende pa i mbushur 17 vite jetë, më 1 shkurt 1990, shkruan AlbFem.

Njerëzit që ishin afruar për t’i dhënë ndihmë tregonin se ajo kishte pyetur se a kishte shpëtuar Mentori, i cili mbahej si djalë i vetëm e që atë kohë ishte vetëm 14-vjeç. Por, rruga e lirisë ishte shumë e gjatë dhe Mentori e kishte vazhduar këtë rrugë duke rënë dëshmor 9 vite më vonë në Koshare me emblemën Ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Varrimi i Ylfetes ishte masovik dhe në të morën pjesë qindra mijëra shqiptarë, të cilët nderuan guximin, veprën dhe atdhedashurinë e saj, ku varrimi i saj edhe u bë një formë demonstrate tjetër, ku njerëzit duke ngritur dy gishtërinj përcillnin amanetin e Ylfetes, për të kërkuar liri e barazi. /KultPlus.com

‘Zëri i Kosovës së Pavarur’, Ramë Lahaj fton shqiptarët të bashkohen në ekspozitën “Expo Dubai 2020”

Tenori i famshëm kosovar, Ramë Lahaj do të mbajë një koncert në Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Amfiteatrin Milenium në Dubai, përcjell KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ajo ka thënë se të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Lahaj ka thënë se ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bashkohen në koncertin “Zëri i Kosovës së pavarur”, i cili do të mbahet në Dubai.

“Të nderuar, Kosova për herë të parë bëhet pjesë e ekspozitës botërore Expo Dubai 2020. Prandaj kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të gjithëve në koncertin “Zëri i Kosovës së Pavarur” në Amfiteatrin Millenium të Dubait me fillim nga ora 21:30”, shkruan tenori i njohur kosovar.

Në këtë ekspozitë botërore, në të cilën marrin pjesë 192 shtete, me pritshmëri të afër 25 milionë vizitorëve, gjatë periudhës 1 tetor 2021 – 31 mars 2022, Republika e Kosovës është duke i prezantuar dhe promovuar vlerat e saj në arenën ndërkombëtare, e që janë pjesë e temës botërore të Expo 2020 “Lidhja e Mendjeve dhe Krijimi i të Ardhmës”. /KultPlus.com

78 vjet nga lindja e aktorit të shquar, Faruk Begolli

Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Faruk Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com

Emisari britanik, Stuart Peach në vizitë zyrtare në Kosovë, takohet nesër me Osmanin

Emisari special i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach do ta vizitojë Kosovën nesër (10 shkurt) në një vizitë zyrtare, shkruan KultPlus.

Zyra e Presidentit të Kosovës ka njoftuar se presidentja Vjosa Osmani do të takohet me të në ora 11:00.

“Në orën 11:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim të dërguarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit, ndërsa më pas do të ketë komunikatë për media”, njofton zyra për media e Presidencës së Kosovës.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, vizituan para disa ditëve Kosovën. /KultPlus.com

Albulena Kryeziu: Kudo që kam ushtruar profesionin ka qenë një kënaqësi shpirtërore

Uranik Emini

Aktorët shpesh herë mund të identifikohen edhe sikurse “interpretuesit”, të cilët argëtojnë një audiencë duke aktruar, kënduar ose kërcyer. Ata luajnë personazhe në skenë ose ekran dhe punojnë me drejtimin e ekipit krijues për të sjellë në jetë një pjesë të teatrit, shkruan KultPlus.

E njohur për shumë role të luajtura në teatër, por duke mos lënë anash as serialet e televizionin, Albulena Kryeziu në një intervistë për KultPlus rrëfen disa pjesë nga jeta e saj dhe gjithashtu edhe dy vitet e fundit pandemik, të cilat kanë qenë të ndryshme për shumë njerëz në të gjithë globin.

E pyetur mbi pjesën se sa e vështirë është të qenurit një aktorë në Kosovë, Kryeziu thotë se gjeneratat e mëparshme e kanë trazuar rrugën për të rinjtë.

“Profesioni i aktorit për nga natyra është i vështirë, duke mos qenë profesion i rëndomtë natyrisht që nuk është aspak e lehtë të jesh aktor/e kam përshtypjen në secilin vend të botës. Por fatmirsisht neve në Kosovë, rrugën na e kanë trasuar gjeneratat e mëparshme dhe tani konsideroj që këtu secili profesion përballet me vështirsitë e veta, sikurse edhe ky i imi”.

Pjesa e teatrit, filmit dhe televizionit dallon nga njëra tjetra në shumë sfera, por për Kryeziun të gjitha projektet kanë qenë një “kënaqësi shpirtërore”.

“Kudo që e kam ushtruar profesionin për mua ka qenë le ta themi një festë, një kënaqësi shpirtërore. Secilin projekt që pranoj të hy në të gjejë copëza dashurie të cilat kur bashkohen rezultojnë me finalizimin e një roli apo projekti”.

Përballja me pandeminë

“Shumë e rëndë, besoj që kam qenë prej njerëzve që shumë e kanë vuajtur izolimim për shkak se ishte viti që kisha shumë plane para vetës dhe për një moment ngjau sikur bota u rrotullua. Çkado që i shtoj mund të tinglloj shumë e zymtë, por meqë e përmenda këtë fjalë, po e them që ishte periudhë tepër e zymtë”, deklaron aktorja për KultPlus.

Sa i përket bashkëpunimit me producentin Blerim Gjoci, Kryeziu ndanë disa pjesë shumë interesante nga e kaluara e aktorëve kosovarë.

“Filmbërësit kosovarë kanë aq shumë pasion saqë mund të shkojnë deri në vetëmohim. Suksesi i tyre nuk është i rastësishëm, por është rrjedhojë e përkushtimit të tyre të pakusht. Ka qenë një periudhë kur me padurim e prisnim gushtin, sepse ateherë fillohej me xhirimet e filmave të shkurtër me producent Blerim Gjocin, e që bëheshin gati për festivalin e filmit “9/11 Dedication film festival”. Fatkeqsisht sot regjisorët e rinj, nuk e kan atë fat të kenë përkrahje një përkrahje të ngjashme që dikur e gjenin nga Prishtinafilm-i dhe Blerim Gjoci. Ka qenë shumë domethënëse kur prodhoheshin për çdo edicion të festivalit rreth 10 filma të shkurtër nëse nuk gaboj, mbase më shumë, mbase më pak por kjo s’kishte rëndësi. Rëndësi kishte që prodhoheshin filma dhe regjisorët, aktorët e gjeneratave të ndryshme na krijohej një ndenjë e përmbushjes artistike”.

E “ardhmja”

“Nuk di nëse pres diçka nga e ardhmja, e kam përshtypjen që të ardhem e krijoj vetë sot. Nuk jam person pa ambicie, por jam person që besoj në punën që e bëj sot, të nesërmes i vjen koha kur do t’i kushtosh rëndësi. Natyrshëm me vjen të mendoj që nuk duhet të presim të ardhmen, gjithçka duhet të ja besojmë të sotmes”.

Aftësia për t’u transformuar nga një personazh në tjetrin, talenti për të luajtur edhe në TV edhe në skenë e madje edhe në seriale të ndryshme kanë ndikuar që Kryeziu pas vetës të ketë jo vetëm një po disa “bagazhe” që dëshmojnë delikatesën dhe natyralitetin e saj përmes së cilave përmbushë në mënyrën më të mirë të mundshme detyrën parësore të një aktori, e cila ka të bëjë me sjelljën në jetë të një personazhit nga skenari. /KultPlus.com

Adriana Matoshi kërkon mbështetje për filmin “Zgjoi”: Le të shkruajmë histori së bashku

Filmi “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, është përfshirë në listën e ngushtë të çmimeve Oscars në kategorinë e filmave ndërkombëtar, derisa po shpreson që të nominohet më 8 shkurt, atëherë kur edhe do të bëhen të ditur emrat që do të marrin pjesë në galanë e 27 marsit, shkruan KultPlus.

Njëra prej aktoreve në këtë film, Adriana Matoshi, përmes një postimi në “Facebook”, ka kërkuar mbështetje në mënyrë që të Kosova të shkruajë histori.

“ZGJOI osht shembulli ma i mirë i suksesit, çmimeve, vlerave dhe ma e rëndësishmja, pasqyrimi ma i drejtë i realitetit tonë. Nuk e di pse disa njerëz ngurrojnë e nuk e përkrahin artin para se me arritë suksese të mëdha, po në fund krejt kanë qef me u identifiku edhe me u krenu me ato suksese.Hajde bashkë t’a shkrujmë historinë, tu e shpërnda e tu e bo ZGJOIN me qarkullu në krejt platformat sociale e mediale.Suksesi nisi në #Sundance, vazhdoi në shumë e shumë festivale prestigjioze, tash e kemi radhën me e shkrujt emrin e Kosovës edhe në #Oscars. Kosova meriton t’a ketë vulën e saj në kinematografinë BOTËRORE. Historia e zonjës Fahrie dhe grave të Krushës e meriton këtë sukses”, ka shkruar ajo.

Zgjoi tregon historinë e Fahrije Hotit, e cila duke shpresuar të sigurojë familjën e saj, së bashku me të vejat në vështirësi nisin një biznes për të shitur një produkt ushqimor vendas. Ato gjejnë shërim dhe ngushëllim në sipërmarrjen e re, por vullneti i tyre për të jetuar të pavarur së shpejti përballet me armiqësi.

Regjisorja e filmit, Blerta Basholli dhe protagonistja Yllka Gashi kanë hapur një kampanjë, përmes së cilës kanë kërkuar që posteri i filmit të shpërndahet sa më shumë në rrjete sociale. /KultPlus.com

Tahiri, një stomatolog slloven i cili përfaqëson Kosovën në skijim: Qëllimi im ishte të kisha dikë pas meje, në këtë rast Kiana Kryeziu

Skitari nga Kosova, Albin Tahiri, do të marrë pjesë edhe një herë tjetër në Lojërat Olimpike Dimërore pas atyre të Pyongyang në vitin 2018, kësaj radhe në Pekin të Kinës së bashku edhe me Kiana Kryeziun, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për mediumin slloven “Vecer Koroska“, shpjegohet i gjithë rrugëtimi i Albin Tahirit, sllovenit që nga viti 2009 bën ski për Kosovën, histori e cila është larg normalitetit. Tahiri e filloi udhëtimin e tij të skijimit në Ravne na Koroskem, ndërsa këtë fundjavë do të mbajë flamurin e Kosovës për herë të dytë në hapjen e Lojërave Olimpike në Pekin.

Katër vite më parë në Korenë e Jugut, skitari ishte i vetëm në përfaqësim për Kosovën, derisa sivjet ngjyrat e Kosovës do t’i përfaqësojnë dy, Albin Tahiri së bashku me Kiana Kryeziu 17-vjeçare.

Mirëpo, historia e skitarit Tahiri është shumë interesant për faktin se ai tanimë ka arritur të realizojë ëndrrën e tij, e cila ishte të bëhej një stomatolog, ndërkaq në tetor të vitit të kaluar filloi specializimin për kirurgji orale dhe u punësua në qendrën shëndetësore të Mariborit.

Për të qenë në gjendje të performonte në Pekin, ai mori dy muaj pushim pa pagesë. “Për fatin tim, ata e miratuan, janë mjaft të arsyeshëm dhe inkurajojnë aftësinë sportive”, thotë Tahiri, për të cilin Lojërat e Pekinit do të jenë gara e pestë e madhe. Ai gjithashtu mori pjesë në tre kampionate botërore.

Photo: Michael Kappeler/dpa/Alamy Live News

Ai e kaloi javën e fundit para se të nisej për në Pekin të shtunën, në një nga hotelet e Prishtinës, ku u tërhoq për t’u izoluar nga bota e jashtme. I është dashur t’i kushtojë shumë vëmendje edhe një aplikacioni të veçantë që e ka shkarkuar në celularin e tij më shumë se një muaj më parë. “Çdo ditë më duhet të fus temperaturën e trupit tim, çdo simptomë, certifikatat e testit PCR, duke përfshirë certifikatën e vaksinimit. Vetëm kur futa të gjitha të dhënat, mora një kod QR, pa të cilin nuk do të mund të hyja në terminalin e aeroportit. Kinezët realisht nuk i lënë asgjë rastësisë, protokollet janë jashtëzakonisht të rrepta”, shpjegon Tahiri, i cili do të nisë paraqitjet e tij në Lojërat Olimpike këtë të dielë, kur është caktuar edhe testi i skive.

Më vonë e pret sllallomi, sllallomi gjigand dhe kombinimi, do t’i mungojë vetëm performanca në supersllallomin gjigant. “Unë pres më së shumti nga skijimi, ku përvoja shpesh del në pah. Sllallomi, për shembull, kërkon shumë më tepër stërvitje, duhet të jesh i shpejtë, i ri dhe i gjallë, gjë që nuk më pëlqen shumë”, buzëqesh 32-vjeçari, i cili humbi biletën e supersllallomit me dy pikë FIS.

Ai përgatitej kryesisht për Lojërat Olimpike në pistat e skive austriake dhe italiane, rreth Vitit të Ri edhe në Kope dhe Črna na Koroškem. Edhe pse është një dimër i mrekullueshëm me shumë borë, është ende e vështirë të gjesh një vendpushim skish ku situata nuk është shumë e ashpër.

Për shkak të punës, ai nuk shkon në stërvitje aq i pushuar sa do të donte, por nga ana tjetër ka frikë se do të pësojë një dëmtim që do të ndikonte në karrierën e tij profesionale. “Duhet të shikoj duart e mia. Gjithçka është tashmë e dukshme në trupin tim, kam pasur probleme me shpinën në fund të dhjetorit dhe në fillim të janarit. Trupi im dalëngadalë nuk po arrin të mbajë dot. “Fatmirësisht më kanë dhënë dy muaj pushim pa pagesë në punë, janë të arsyeshme dhe më inkurajojnë të merrem me sport”.

Ai thotë se ende nuk ka bërë ski në Kinë, por ka përvojë nga ajo pjesë e Azisë. Dëbora, e cila është kryesisht artificiale, i përshtatet, pasi skitë kthehen në mënyrë të përsosur për shkak të mbështetjes së tyre të mirë.

“Por mua nuk më pëlqejnë pistat jashtëzakonisht të politizuara, të akullta. Është brutale, duhet të jesh i përgatitur dhe i mësuar me kushte të tilla, përndryshe mund të jetë e bezdisshëm”, tha Tahiri, i cili është i lumtur që nuk do të jetë i vetmi përfaqësues i Kosovës. në Kinë.

“Në fund të fundit, ky ka qenë qëllimi im gjatë gjithë këtyre viteve. Të kem një tjetër skiator pas meje dhe të mos jetë e gjitha mbi supet e mia, dalëngadalë do të ndaloj skijimin në një nivel kaq të lartë, ndaj më përshtatet që pas ka të rinj që janë duke marrë rolin tim”.

Lojërat e dyta olimpike të Tahirit do të jenë veçanërisht emocionuese për babain e tij, i cili u shpërngul në Slloveni më shumë se dyzet vjet më parë.

Në kohën kur djali i tij po fillonte të merrej me ski, ai ishte një tifoz jashtëzakonisht i zhurmshëm dhe entuziazmi i tij nuk po i pakësohet as tani.

“E mahnitshme se nga e merr energjinë e tij, ai është në fakt një nga arsyet që unë ende insistoj. Ai është me të vërtetë një fans thuajse fanatik dhe nuk mendoj se kjo do të ndryshojë ndonjëherë. Nëse nuk do të kisha një mbështetje të tillë, jo vetëm E babait tim, por nga e gjithë familja, pyetja është nëse do të bëja akoma ski”, thotë Tahiri, i cili ende i pëlqen të kthehet në shtëpi në Ravne. “Është e vërtetë që ka gjithnjë e më pak kohë, shihemi rreth një herë në muaj. por nuk kam harruar ku jam në shtëpi. Më pëlqen të vij gjithmonë”.

Photo: GEPA pictures/ Mario Kneisl

Në Kosovë, sportet dimërore janë disi të neglizhuara dhe nuk mund të krahasohen me futbollin, basketbollin apo sportet marciale. “Ka shumë skiatorë rekreativë, qendra e skijimit në Brezovicë është e mbushur, por është rekreacion, ndryshe është me skijimin konkurrues. Që kur konkurroj për Kosovën, kemi bërë progres konkret, sponsorët janë aktivizuar, por na pret një rrugë e gjatë përpara.

“Unë kam qenë në Prishtinë, kam dashur të shikoj një transmetim të skive nga Kitzbuhel, por nuk e kam gjetur në mesin e 200 programeve”, shpjegon Tahiri, i cili gëzon një reputacion të madh në Kosovë.

“Në sytë e popullit të Kosovës, sllovenët janë konsideruar gjithmonë një komb i zotërinjve. Tashmë në Jugosllavi, Sllovenia ishte një tokë e premtuar. Megjithatë, mendoj se bashkëpunimi aktual mes dy vendeve është në një nivel të lartë, gjë që më pëlqen. ”, ka përfunduar Tahiri.

Kosova ka shënuar suksese të jashtëzakonshme arenën ndërkombëtare përmes sportit dhe filmit, e gjitha kjo është mundësuar nga sportistët, të cilët konsiderohen medoemos si ambasadorë të vendit. /KultPlus.com

. Photo: GEPA pictures/ Harald Steiner

Osmani fton ZRRE-në që të trajtojë me seriozitet komentet dhe t’i integrojë në mënyrë adekuate në dokumentin final

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot ka dërguar komentet në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU.

Në këtë dokument janë paraqitur qëndrimet e Zyrës së Presidentes lidhur me strukturën e re tarifore të propozuar nga ZRRE-ja dhe janë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të rezultonin me respektim të parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimit të rregullt me energji.

“Për Presidenten e Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t`i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, thuhet në njoftimin e dërguar nga presidenca.

Sot ka qenë dita e fundit kur palët e interesit kanë mundur të dërgojnë komente në ZRRE. /KultPlus.com

Presidentja Osmani pret sot në takim Lajçak dhe Escobar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta pres në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shkruan KultPlus.

Escobar dhe Lajçak do të jenë në Kosovë për një vizitë tre ditore, derisa pritet që të takohen me të gjithë krerët e shtetit.

“Sot (31.01.2022), në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, pret në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak”, thuhet në njoftimin nga presidenca.

Kosova dhe Serbia akoma nuk janë duke dialoguar pas zgjedhjes së Albin Kurtit si i pari i ekzekutivit. /KultPlus.com

Dita e fundit për t’u bërë pjesë e garës së fotografisë “Colours of Albania”

Ky është viti i parë që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës organizojnë bashkërisht konkursin “Colours of Albanians” apo “Ngjyrat e Shqiptarëve”, shkruan KultPlus.

Konkursi funksionon fare thjeshtë: Çdokush me një aparat të telefonit të tij apo aparat fotografik, ftohet të fiksojë një moment nga jeta e përditshme, nga udhëtimet, një moment nga jeta personale si banor apo vizitor në Shqipëri dhe Kosovë dhe ta postojë këtë foto/ video në platformën sociale Instagram #ColoursofAlbanians llogaria zyrtare e këtij konkursi, duke përdorur hashtagun #ColoursofAlbanians2022 dhe tag @ColoursofAlbanians, derisa sot është dita e fundit për ta dërguar një fotografi

Colours of Albanians synon të jetë frytdhënëse në tri drejtime:

Promovimi i trashëgimisë kulturore të vendeve tona të transformuar në rrugën drejt integrimit në BE;

Forcimi i markës kombëtare dhe përmirësimit të imazhit të Shqipërisë e Kosovës nëpër botë;

Forcimi i marrëdhënieve mes diasporës me vendin e origjinës dhe promovimi i identitetit kombëtar të  komuniteteve të diasporës;

Fushata do të ketë dy evente kryesore; ceremoninë e hapjes më 26 nëntor 2021 në Shqipëri dhe atë  të mbylljes dhe dhënien e çmimeve fituese më 17 Shkurt 2022 në Kosovë.

“ColoursofAlbanians” është një iniciativë e rregullt vjetore nën kujdesin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Kosovës.

Deri më sot janë organizuar 5 edicione të #ColoursofAlbania nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ashtu një edicion i ngjashëm është organizuar edhe në Kosovë. / KultPlus.com

Profesori Buxhovi në vizitë te “Vatra” në Amerikë

Shkrimtari dhe historiani, Jusuf Buxhovi, ka vizituar sot Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Varta, ka njoftuar për vizitën e Buxhovit në ambientet e tyre.

“Sot, në ambientet e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA patëm nderin e veçantë dhe privilegjin të presim shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi. I shoqëruar nga Milaim Abdullahu, bashkëbotues dhe donator, Prof. Buxhovi u prit nga Editori i Diellit Sokol Paja dhe Anëtari i Kryesisë Mark Mrnaçaj. Në një ditë stuhie e dëbore dhe në kushte atmosferike të jashtëzakonshme, takimi vëllazëror me Buxhovin e z.Abdullahi ishte shumë interesant dhe mbresëlënës në zbulim të historisë së Vatrës, gazetës Dielli dhe shqiptarëve të Amerikës”, thuhet në postimin e tyre.

Profesor Buxhovi dhuroi për Bibliotekën Shkencore të Vatrës disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova” i botuar në 3 volume, dhe dy romanet e tij: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” dhe “Dosja B”.

Në mbrëmjen e 24 janarit, në Harvard Faculty Club në Library Room, u promovua zyrtarisht libri historiografik në tri volume “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi. /KultPlus.com

Video e rrallë e Dua Lipës duke kënduar në shkollën e saj në Kosovë gjatë moshës 12 vjeçare (VIDEO)

Edhe pse tanimë ka një famë botërore, Dua Lipa dikur ishte vetëm një fëmijë i vogël që ëndërronte majat e suksesit, shkruan KultPlus.

Një video e publikuar në rrjetin social “YouTube”, shihet Lipa si një 12 vjeçare duke kënduar në shkollën e saj në Kosovë.

26 vjeçarja ka kapur çdo sukses të mundshëm në botë, duke e bërë atë një “ikonë” të muzikës.

Në një intervistë të fundit, ylli i zhanrit pop deklaroi se askush nuk mund t’ia mohojë identitetin e saj dhe u zotua se nuk do të ndalet duke ngritur zërin për Kosovën.

Videon mund ta shihni duke klikuar KËTU./KultPlus.com

Jusuf Buxhovi u mirëprit nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork


Sot, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, ata patën nderin të presin shkrimtarin, historianin, intelektualin dhe aktivistin e mirënjohur politik të Kosovës, profesorin Jusuf Buxhovi.

Fillimisht, Ambasadori Isufaj e informoi profesorin Buxhovi për aktivitetet dhe funksionimin e Konsullatës në Nju-Jork ku, përpos shërbimeve të rregullta konsullore që ofrohen për qytetarët tanë në këtë pjesë të botës, ata janë përkushtuar edhe në zhvillimin dhe ruajtjen e raporteve me OKB-në dhe përfaqësuesit e Misioneve të Përhershme pranë kësaj organizate.

Nga ana tjetër, profesori Jusuf Buxhovi, përveç që bëri një përshkrim të shkurtër mbi historiografinë e tyre, që nga kohërat e lashta e deri në historinë më të re, duke qenë dhe vetë dëshmitar i saj, ai inkurajoi që si përfaqësues të shtetit të Kosovës të shpërfaqin historinë e tyre, gjithnjë të bazuar në argumente të besueshme historike.

Dëshmi që e përthekon tërë këtë historiografi është dhe vëllimi i tre librave të profesor Buxhovit, që kur flitet për rrënjët shqiptare-nga Dardania në kohërat antike dhe të Mesjetës te periudha e Perandorisë Osmane e deri te historia e tyre më e re-nga okupimi e deri te Protektorati Ndërkombëtar.

Këta libra nuk i kontribuojnë vetëm një realiteti historik, shoqëror, kulturor e politik të shqiptarisë, porse do të mbesin edhe përjetësisht në sirtarët e një historie të pamohueshme-histori që do t’u shërbejë gjeneratave të reja.

Me këtë rast, profesor Buxhovi i dhuroi atyre disa pako të vëllimit të fundit në gjuhën angleze të librave të tij, “Kosova”. / KultPlus.com

E inkurajuar nga një mësuese në Kosovë, Dua Lipa arriti majat e suksesit

Me zërin e saj unik, Dua Lipa, ka arritur që të bëjë njerëzit nga e gjithë bota të bien në dashuri me të dhe së fundmi ajo është paraqitur edhe si ylli i kopertinës dixhitale të revistës “Wall Street Journal”, e këta të fundit zhvilluan edhe një intervistë me yllin e muzikës pop, shkruan KultPlus.

Në intervistën e saj të fundit në Wall Street Journal, Lipa ndanë rrëfime nga jeta e saj personale dhe si arriti të bëhej një “brend” në industrinë e muzikës

Babai i Duas, Dukagjin Lipa, ishte këngëtar i një grupi rock në Kosovë. Por ndërsa tensionet u rritën në Ballkan gjatë viteve ’90, ai dhe nëna e Duas, Anesa, u transferuan në Londër, ku ajo lindi. 

Duke u rritur, ajo kultivoi muzikën e artistëve të preferuar të babait të saj – Radiohead, Paul Weller, The Doors, Sting – ndërsa ishte e fiksuar pas muzikës pop që dëgjonte në radio. 

Ajo ndoqi shkollën e teatrit Sylvia Young deri në moshën 11-vjeçare, kur ajo dhe familja e saj u kthyen në Kosovë. Në atë kohë lufta kishte mbaruar dhe vendi vazhdoi të shpallte pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. 

E inkurajuar nga një mësuese në Kosovë, e cila e kërkoi të performonte hitet e Alicia Keys dhe Toni Braxton në shkollë, Lipa filloi ta merrte më seriozisht ëndrrën e saj në këndin e lojërave për të kënduar dhe i bindi prindërit e saj që ta linin të kthehej në Londër kur ajo ishte 15 vjeç. Duke jetuar me miqtë, ajo ia doli të kalonte shkollën e mesme, por dështoi në vitin e parë të A Levels pasi ndjekja e festave me miqtë e saj kishin përparësi përpara shkollës.

E turpëruar për t’u thënë miqve të saj, Lipa tha se gjeti një program intensiv studimi njëvjeçar, u drejtua në As dhe u pranua në katër universitete. Në vend që të qëndronte në shkollë, ajo filloi të punonte në një restorant në Londër, ndërsa regjistronte këngë të ndryshme dhe i postonte në rrjetet sociale. Ndërsa përpiqej të gjente rrugën e saj në biznesin e muzikës, ajo mori punë shtesë në modelim, duke përfshirë një paraqitje në një reklamë për The X Factor. Pasi kjo tërhoqi vëmendjen e dikujt në ekipin e Mawson (që punonte me kantautoren amerikane Lana Del Rey), ajo la punën e saj në restorant. “Ajo sigurisht që nuk ishte formuar plotësisht si artiste”, thotë Mawson.

“Ajo kishte një zë shumë të mirë, por këngët nuk ishin aty. Por ajo e përmendi Madonën si një person për t’u imituar, dhe mendova se ky ishte lloji i ambicies sime.”U desh pak kohë për të goditur hapin e saj; këngët e saj të para dolën mirë në Evropë, por asgjë nuk klikoi me të vërtetë derisa shpërtheu me këngën e saj të titulluar “New Rules” sfiduese në verën e 2017.

Videoja e këngës arriti një miliard shikime në YouTube dhe albumi i Dua Lipa përfundimisht kaloi pesë milionë shitje në mbarë botën .

Lipa ka ruajtur një lidhje të fortë me trashëgiminë e saj kosovare, duke organizuar një festival (ku ka paraqitur artistë të tillë si Miley Cyrus dhe Calvin Harris) për të mbledhur para për bamirësi lokale. Përpjekja u njoh me një çelës për kryeqytetin e Prishtinës.

Përpos gjithave, 26 vjeçarja ka arritur që të përfshihet edhe në botën e modelizimit, e për këtë gjë rrëfehet edhe pronarja e kompanisë së njohur, Donatella Versace, e cila e sheh stilin e Lipës që nuk mundohet shumë, por është gjithnjë e lezetshme.

“Ecja në një pasarelë nuk është aq e thjeshtë sa duket nëse nuk jeni mësuar me të dhe nëse të gjithë pas jush kanë ecur me qindra prej tyre”, thotë ajo. “[Dua] më dha një vështrim tjetër në etikën e saj të punës. Mënyra se si ajo e zotëroi atë moment është vetëm një shembull tjetër i talentit të saj dhe, në fakt, mund të themi me siguri se ajo e vrau atë me atë syrin para fotografëve.”

Lipa aktualisht është thellë në realizimin e albumit të saj të radhës. “Kam bërë një pjesë të madhe të shkrimit: Ka filluar të marrë formë; Unë kam shumë të regjistruara”, thotë ajo.

“Ka një vizion. Ajo ka një emër, mendoj – tani për tani. Ka qenë thjesht argëtuese duke eksperimentuar. Unë gjithmonë do të bëj muzikë pop, por ajo ka tingullin e vet unik, i cili është emocionues dhe diçka që ndihet si një lëvizje nga Nostalgjia e së Ardhmes. Albumi i ri është ende në formën e foshnjës, kështu që ne do të shohim se si përparon”, thotë ajo në fund.

Dua Lipa është shndërruar nga një fëmijë i “zakonshëm” në një yll të vërtet, duke përmendur gjithmonë faktin se puna me përkushtim ju sjellë detyrimisht suksesin. /KultPlus.com

Dua Lipa: Askush nuk mund ta mohojë identitetin tim, i di jetët e humbura në Kosovë

Kritikat e vazhdueshme në rrjetet sociale rreth prejardhjes së saj, nuk e kanë penguar asnjëherë Dua Lipën që të shfaq rrënjët e saj të vërtetata dhe kësisoj të paraqitet në publik si një shqiptare nga Kosova, shkruan KultPlus.

Me zërin e saj unik, Dua Lipa, ka arritur që të bëjë njerëzit nga e gjithë bota të bien në dashuri me të dhe së fundmi ajo është paraqitur edhe si ylli i kopertinës dixhitale të revistës “Wall Street Journal”, e këta të fundit zhvilluan edhe një intervistë me yllin e muzikës pop.

Postimet e saj të hapura për pavarësinë e Kosovës, e cila mbetet një çështje e diskutueshme nëpër botë, janë përballur me kritika, ashtu si edhe deklaratat e saj pro-palestineze.

Kundërshtimi nuk e ka bërë atë të shqetësohet për adresimin e çështjeve politike. “Është një pjesë e madhe e asaj që jam,” thotë ajo. “Duke pasur parasysh prindërit e mi dhe mënyrën se si ata erdhën në Mbretërinë e Bashkuar, [situata e refugjatëve] ka qenë gjithmonë diçka që më është shumë afër zemrës.

Lipa tregon me vështirësitë të cilat ajo është përballur për shtetin e Kosovës dhe komentet e ndryshme që ka marrë gjatë rrugëtimit të saj në industrinë e muzikës.

“Kam lexuar komente nga shumë njerëz që më thonë se nuk kam shtet, nuk kam identitet, Kosova nuk ekziston. Kam jetuar në Kosovë, i di jetët që kanë humbur. Pra, që dikush të më mohojë identitetin dhe përvojën time, është e vështirë për mua të qëndroj prapa dhe të mos flas për këtë. Kështu që kjo është diçka që unë do ta bëj gjithmonë.”

Nëntorin e kaluar, ajo u nderua në Uashington, DC, nga Këshilli Atlantik, një institut kërkimor për çështjet ndërkombëtare, për angazhimin e saj për të “fuqizuar gjeneratën e ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanikë”. /KultPlus.com

Promovim dinjitoz i ‘Kosovës’ në Universitetin e Harvardit

Në mbrëmjen e 24 janarit, në Harvard Faculty Club në Library Room, u promovua zyrtarisht libri historiografik në tri volume “Kosova” nga autori dhe historiani Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.

Në praninë e një numrit të madh pjesëmarrësish, Buxhovi shpalosi pikat më kryesore të librit të tij, tezat hisorike që ngriten e shtjellohen aty, dhe të cilat shpartallojnë në gjenezë gënjeshtrën më madhore anti-shqiptare të sllavëve.

Si një ish-student, Faton Bislimi, ishte i pranishëm në këtë promovim si përfaqësues i Harvard Alumni Association për Kosovë edhe me Asociacionin e Studentëve Shqiptarë në Harvard.

“Si nikoqir të kësaj ngjarje historike, isha jashtëzakonisht i nderuar e krenar me përgjigjen pozitive të shumë studentëve e pjesëtarëve të komunitetit tonë që na u bashkangjitën në promovim”, ka thënë Bislimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”.

Bislimi tutje ka shtuar se ndjehet shumë mirë që pas gjithë atyre aktiviteteve dy ditore, arritën të fusin historinë e Kosovës, të mirëfilltë e faktike, në Universitetin e Harvardit, i themeluar në vitin 1638.

“Në këtë kohë kur po thyhen shumë shtiza në gjeopolitikë globale, të flasësh për Kosovën e për kombin shqiptar në kupolen e intelektualizmit akademik në SHBA është vlerë e shtuar për Republikën tonë të re.Një falëmnderim i veçantë për Shoqatën ‘Kosova’ në Boston, bashkë me Gred Brahon (Asociacioni i Studentëve Shqiptarë në Harvard), si dhe pronarin e Restaurantit ALBA në Quincy, MA, për përkrahjen e mikpritjen”, thotë në fund Bislimi.

Buxhovi e ka cilësuar  këtë si një tjetër fitore e madhe e depërtimit të historiografisë së Kosovës në universitetet më të njohura botërore. /KultPlus.com

Vazhdon bashkëpunimi mes Ministrive të Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri

Si pjesë e bashkëpunimit mes Ministrive të Kulturës në Kosovë dhe Shqipëri, nga data 27 Janar në Galerinë e Ministrinë së Kulturës në Prishtinë hapet ekspozita “After Party” ku punën e tyre e prezentojnë artistët Enkelejd Zonja dhe Vigan Nimani, ndërsa kurator është Zef Paci.

Në këtë ekspozitë, që është përzgjedhë të shpaloset interesi në marrëdhënie me momentin historik të së kaluarës, dy artistët sjellin temat e kohës, kujtesës e perceptimit.

Kjo vënie bashkë e aspekteve dhe qëndrimeve të dy artistëve shqiptarë të rritur ndërmjet dy kulturash të Ballkanit kundrejt realiteteve social-historike të së kaluarës bëhet jo vetëm për të thënë in medio stat virtus.

Të dy ndajnë me njëri-tjetrin por edhe me ne, qëndrimet mbi qënien njerëzore, arkitekturën, ideimin dhe gjurmën e saj, pra, maketin dhe qytetin e njimendtë, monumentin.

“After party” do të qëndrojë e hapur deri më 27 Prill 2022. /KultPlus.com

May be an image of text