Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e Lituanisë, Jurate Raguckiene me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale, të cilën e uroi për detyrën, duke i dëshiruar sukses në angazhim.
Në këtë takim, Presidentja Osmani, siç bën të ditur presidenca, theksoi se Kosova pret mbështetjen e shtetit të Lituanisë në përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkaq në kontekst të situatës politike në rajon, Presidentja Osmani ka potencuar rrezikun e destabilizimit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentëve të tyre në Serbi. Sipas saj, nevojitet unitet dhe reagim kundrejt tendencave destabilizuese në rajon.
Të dy palët ranë dakord ta rrisin nivelin e angazhimit, me fokus të veçantë në sferën e mbrojtjes, arsimit, shkëmbimit ekonomik dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Ambasadorja Raguckiene ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj ta mbështesë Kosovën edhe më tej dhe në të njëjtën kohë i ka bërë ftesë zyrtare Presidentes Osmani që në një kohë të përshtatshme për të dy palët, ta vizitojë Lituaninë. /KultPlus.com
Fund nëntori i vitit 2021 në prag të festës se madhe të 28 nëntorit të ditës se Pavarsisë së Shqipërisë u hap lajmi e mori dhenë se në moshën 87 vjeçare vdiq një trim i urtë e atdhetar i mirëfilltë Zef Prekë Kaqinari.Si në legjendat e lashta kur mbrohet diniteti i shqiptarit dhe nuk lejohet që të shahet nëna shqiptare që u sakrifikua me shekuj për lindjen dhe rritjen e familjes e as Zoti që na ka krijuar, Zef Kaqinari nuk lejoi që të poshtërohet në atë mënyrë por e mbrojti dinitetin e shqiptarit.Ishte një rrugë jo e lehtë mbrojtja e këtij diniteti ku dy shqiptar nga Mirdita, Zef Prekë Kaqinari e Mark Allaku u deshtë që të përballen me qindra përsona të tjerë në tramvajën numër 11 në 21 qershorin e vitit 1965.
Zefi sipas traditës kishte ruajtur revolën që e mbante me vete kurse Mark Allaku në këtë ditë kishte pas me vete vetëm një qadër të re, që sillte me ta si me qenë shpatë duke u pre,sepse kishte ardhur mysafir nga Kosova në Zagreb.Dy mirditor të edukuar më traditat shqiptare njëri nga Velezha e Prizrenit e tjetri nga Moglica e Gjakovës u përballën me një furi përsonash por nuk u dorëzuan.Më në fund revolja belgiane i ndau punët ku mbeti i vrarë shoferi i tramvajit,por edhe Zefi e Marku u lënduan.Si në legjenda të lashta kur dy të rinj të dalë jashtë trojeve të tyre për një jetë më të mirë u përballën për një moment me vdekjën vetëm e vetëm se ishin edukuar në frymën kombëtare për mbrojtjen e dinitetit kombëtar.Familja e Zef Kaqinarit është me prejardhje nga Kaqinari i Mirditës e cila para disa kohesh ishte shpërngulur në Velezhë të Prizrenit ku në vitin 1934 kishte lindur Zef Kaqinari.Veshtirësitë jetësore dhe presioni i aksionit të armëve qe ishte shumë i vrazhdë në famullinë e Velezhës bëri që familja Kaqinari të kërkoj një jetë të re dhe u vendos në Zagreb.Zefi ishte një burrë i urtë dhe puntor.
Ai asnjëherë nuk e deshi që të lavdërohej me veprën e kryer por e konsideronte vetëm si një rastësi ku nuk ka mundur ta duron shamjen e nënës shqiptare por ka vepruar në vetmbrojtje.Zef Kaqinari asnjëherë gjatë tërë jetës se ti nuk e vrau këngën e ti siç po ndodh sot me disa luftëtar që po i vrasin këngët e tyre me vepra jo të mira.Familja Kaqinari në Zagreb dhe rrethinë kishte ndihmuar shumë shqiptar në hall dhe shumë student që studionin në Kroaci dhe që kishin kushte të rënda në familje.
Ata student kanë gjetur strehim dhe ushqim pa pagesë shumëherë tek familja e Zef Kaqinarit.Vlenë ta theksoj një fakt të një atdhetari të Shqipërisë Etnike bacës Emin Fazlia alias Emil Kastrioti që ma ka rrëfyer sa ishte gjallë.Pas lirimit nga burgu dhe mosmundësisë se gjetjes se një pune në Kosovë baca Emin kishte shkuar të jetonte në Kroaci.Meqenëse edhe atje bënte një aktivitet kombëtar ishte rrezikuar që të burgosej ose të vritej.Falë humanizmit të Zef Kaqinarit i cili i jep hua një sasi të mjeteve dhe i siguron një dokument udhëtimi.Ai arratiset nga Kroacia dhe vendosët në Gjermani.Gjatë bisedës me Emin Fazliun shpeshherë më ka folur për këtë rast dhe ju ishte mirënjohës për jetë të jetëve Zef Kaqinarit për faktin se i ka shpëtuar jetën dhe ka ruajtur një miqësi me të.Kur filloj lufta në mes të Kroacisë dhe Serbisë familja Kaqinari ishin rreshtuar në ushtrinë kroate.
Një luftëtar i shquar kundër serbëve ishte edhe djali i Zefit, Tomë Kaqinari që e udhëheq shoqatën e veteranve të luftës në Kroaci dhe është mjaft aktiv në komunitetin shqiptar në Kroaci.Për herë të fundit me bacën Zef kemi biseduar në festën e Pavarsisë së Kosovës më, 17 janar 2019, se bashku me Tunë Noc Topallin kemi biseduar disa orë duke evokuar kujtimet në Kosovë e sidomos bisedat gërshetoheshin rreth bisedave të hershme që kishin me babain tim Markun.
Kur vransirat e kohës dhe të ftoftit e dhjetorit më sjellin kujtimet si në balada të lashta më mbesin në mendje trimëria dhe gjeturia e këtyre dy të rinjëve te rrethuar në një vend të huaj nga dhjetra udhtëar që sillnin panderprerë.Duke e kujtuar po ashtu edhe këngën e Zagrebit të këngëtarit legjendar Augustin Ukajt: “moj allti moj belgiane-nam të madh në Zagreb na bane” dhe pastaj duke e përfunduar me fjalët:”Nuk luftuam për mendje t´madhe-as s´luftum se spatëm pare-na nxu puna e spatëm qare-se shqiptart kurr s´kan vdekë me marre”. /KultPlus.com
Gjatë ditës së sotme, Shqipëria është përfshirë nga disa përmbysje në zonë e Fierit dhe në disa zona të tjera, shkruan KultPlus.
Ministri i Mbrojtës në Kosovës, Armend Mehaj, ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook” se janë në gatishmëri të plotë për t’iu ofruar ndihmë.
Postimi i tij i plotë:
“Në ditë të mira e ditë të vështira jemi bashkë me vëllezërit tanë në Shqipëri. Pas përmbytjeve në zonën e Fierit dhe zona të tjera të Shqipërisë, i kam telefonuar Ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, të cilit i kam shprehur gatishmërinë tonë të plotë për mbështetje me aftësitë dhe kapacitetet tona të kërkim-shpëtimit për reagim, menaxhim dhe sanim të pasojave. Së bashku jemi më të fortë në secilën sfidë!”
Situatë problematike për shkak të reshjeve që vazhdojnë prej disa ditësh paraqitet dhe në Himarë. Lumi Shushica ka shkatërruar tërësisht urën e fshatit Kallarat. / KultPlus.com
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) gjatë orëve të pasdites sonte i është drejtuar me një letër Presidencës së Kosovës, Qeverisë dhe Ministrisë së Sporti, KOK ka kërkuar nga këto institucione që të deklarohen nëse do të marrin pjesë apo jo në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.
Kosova do t’i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Australisë duke mos marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore që sivjet pritet të mbahen në Pekin në Kinë.
ShBA ka thënë se nuk do të merre pjesë në këtë lojëra për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në shtetin e Azisë Qendrore,
Kërkesa e KOK është bërë një ditë pasi që nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kishte mbështetur publikisht vendimin e SHBA-së për bojkotimin e këtyre lojërave,
Presidenca po ashtu ka njoftuar se bojkot diplomatik nënkupton që ekipet garuese mund të marrin pjesë në Lojëra, por Presidentja e Kosovë do t’i bojkotojë shumicën e ceremonive dhe aktiviteve zyrtare që krerët e delegacioneve i bëjnë gjatë Lojërave Olimpike,
Kështu, KOK ka kërkuar gjatë orëve të pasdites me një letër që të këtë sqarime shtesë dhe atyre i është konfirmuar se Kosova do të solidarizohet me diplomacinë amerikane që ta bojkotojë Kinën.
Megjithatë, derisa presidenca ka kthyer përgjigje në KOK, Qeveria ende nuk u ja kthyer përgjigje institucionit më të lartë sportiv në vend,
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi.
“Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti, u ka dërguar sot letër Presidencës, Kryeministrisë dhe MKRS-së, për t’u deklaruar nëse do të marrin pjesë ose do ta bojkotojnë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022. Nga Presidenca kemi marrë një përgjigje sonte, të cilët janë deklaruar edhe zyrtarisht se do t’iu bashkohen shteteve aleate për bojkotim. Nga Kryeministria dhe MKRS nuk kemi marrë ende përgjigje. Deri më tani, KOK ka pasur të konfirmuar vetëm pjesëmarrjen e përfaqësuesve të MKRS”, tha ai për Express.
“Pavarësisht qëndrimit të institucioneve tona, Komiteti Olimpik i Kosovës, qëndron në linjë me vendimet që dalin nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, dhe ne vazhdojmë të përgatitemi për të përfaqësuar vendin tonë me sportistë dhe delegacionin tjetër sportiv” .
Kosovën pritet ta përfaqësojë në Pekini 2022 skitari Albin Tahiri, që ka përmbushur kriteret për normë olimpike në katër disiplina të skijimit alpin, dhe po e kërkon normën edhe në disiplinën e pestë.
Normën po e kërkojnë edhe Arbi Pupovci dhe Kiana Kryeziu, por të cilët kanë më pak gjasa.
15 janari i vitit të ardhshëm do të jetë data përfundimtare se sa sportistë do ta përfaqësojnë Kosovën në Olimpiadën e dimrit. /GazetaExpress/ /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në Samitin për Demokraci, i cili do t`i zhvillojë punimet virtuelisht më 9-10 nëntor dhe në të cilin do të marrin pjesë më shumë se 100 shtete nga mbarë bota.
Hapja e Samitit do të bëhet nga presidenti i ShBA-ve, Joe Biden, ndërkaq Presidentja Osmani në fjalën e saj në këtë Samit do t’i paraqes pikat kryesore të zotimeve të Kosovës në fushën e sundimit të ligjit, bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e autokracive, fuqizimit të rolit të grave në shoqëri dhe krijimin e mekanizmave për të siguruar zbatimin e zotimeve.
“Në këtë Samit do të marrin pjesë liderë botërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ata nga sektori privat, ndërkaq është paraparë të diskutohet për: forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcimin e demokracisë dhe mbrojtjen kundër autoritarizmit, mbrojtjen e institucioneve demokratike, kundërshtimin e autoritarizmit digjital dhe afirmimin e vlerave demokratike”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidencës.
Ftesa për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci i është dërguar Presidentes Osmani nga presidenti Biden më 9 nëntor. Presidentja ka përshirë në delegacionin e saj që do të marrin pjesë virtuelisht në samit edhe përfaqësues të institucioneve të tjera publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile. /KultPlus.com
Presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, i ka dërguar një letër ngushëllimi familjes së Bob Role, i cili vdiq këtë javë për shkak të një sëmundje, shkruan KultPlus.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
KultPlus iu sjellë letrën e plotë të ngushëllimit nga Lidhja Qyetetare Shqiptaro-Amerikane
“Të dashur miq dhe mbështetës,
Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane i shpreh ngushëllimet e saj të përzemërta Elizabeth Dole dhe anëtarëve të tjerë të familjes së senatorit Bob Dole.
Senatori Dole u bë shumë i rëndësishëm për lirinë e popullit shqiptar, kur kongresmeni Joe DioGuardi bëri me sukses rastin në qershor 1986 për të prezantuar me të Rezolutën e parë për të drejtat e njeriut dhe vetëvendosjen e popullit shqiptar në Jugosllavi.
DioGuardi dhe Dole punuan në mënyrë aktive së bashku nga viti 1986 deri në vitin 1991 për t’i dhënë fund okupimit brutal ushtarak serb të Kosovës.
Më poshtë janë disa foto të paharrueshme të Bob Dole dhe Joe DioGuardi duke punuar së bashku në Uashington, DC
Gjithe te mirat,”
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës. /KultPlus.com
Majlinda Kelmendi sot me një ceremoni shtetërore edhe zyrtarisht i ka dhënë fund karrierës së bujshme të saj.
Për nder të xhudistes më të suksesshme kosovare, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka organizuar një ceremoni shtetërore.
Kjo ceremoni po mbahet në institutin “Ali Hadri” në Prishtinë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani tha se Majlinda dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund te kenë sukses
“Ka fituar çdo gjë që mund të fitohet. Falë përkushtimit te saj, flamuri i Republikës së Kosovës valoi në Rio. Pa Majlinden dhe perkushtimin e saj, sot nuk do ta kishim as Distrian e Noran. Ajo dëshmoi se nuk ka shtete të vogla që nuk mund të kenë sukses”, tha presidentje e Kosovës, Vjosa Osmani.
Majlinda konsiderohet si sportistja më e madhe që e ka pasur ndonjëherë Kosova.
Ajo e arriti kulmin e karrierës në vitin 2016 kur ia solli Kosovës medaljen e parë të artë olimpike nga “Rio 2016”.
Ndër të tjera, ajo është shpallur dy herë kampione botërore dhe katër herë kampione evropiane.
Në total, Majlinda i ka fituar 46 trofe në sportin e xhudos.
Në gara të rëndësishme, ajo i ka koleksionuar 29 medalje të arta, 6 të argjendta dhe 9 të bronzta.
Majlinda e kishte përfaqësuar Shqipërinë në Olimpiadën e Londrës më 2012, ndërsa këtë vit mori pjesë në Olimpiadën e Tokyos, ku nuk ia doli ta mbronte titullin e kampiones.
Tash e tutje, Kelmendin do ta shohim në zejen e trajneres pasi ajo do të jetë asistente e trajnerit Driton Kuka. / KultPlus.com
Në shumë vende të botës po luftohet çdo ditë e më shumë që përmes kauzave dhe thirrjeve të vazhdueshme të mos bëhet ndotja e ujit, shkruan KultPlus.
Aktivitetet njerëzore janë përgjegjëse kryesore për ndotjen e ujit, e ndotja e ujit prek rëndë peshqit dhe rezulton vdekjeprurëse për ta.
Si rezultat i ngordhjes së peshqve në ujë, një liqen ose përrua mund të marrë vite për t’u rikuperuar.
Fotografisti Arian Mavriqi ka ndarë një fotografi të ngjashme me këtë rast, ku ka zënë një peshk i cili ka futë kokën në një qesë të hedhur nga ndokush, me ç ‘rast ka ngordhë nga pamundësia për ta nxerrë kokën jashtë qesës. /KultPlus.com
Këngëtarja Vjollca Robelli-Mripa, e njohur me emrin artistik si ‘AJO’, ka performuar më 3 dhjetor në njërën ndër skenat më të njohura në të gjithë botën “Royal Albert Hall” në Londër, shkruan KultPlus.
“Një ëndërr që u realizua” ishin fjalët e para të këngëtares në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ku ka thënë se ky event ishte një kënaqësi e papërshkrueshme.
“Kënaqësi e papërshkrueshme me qenë ndër artistet e para shqiptare të prezantoj punën time 5 vjeçare me këngët të cilat i kam shkruar dhe komponuar, në një nga venuet më prestigjioze në botë “Royal Albert Mall”, shkroi ajo në Facebook.
Tutje, Mripa falënderojë të gjithë njerëzit që e bënë të mundur performimin e saj në këtë skenë.
“Ndjenja më e fuqishme ishte aty kush pashë fotografinë time në dy ekrane të mëdha nga hyrja kryesore në ndërtesë”, përfundoi ajo duke thënë se ka krijuar histori për vendin e saj.
Vjollca Robelli-Mripa për më shumë se një dekadë është larguar nga Kosova për në Londër, por zëri i saj është mishëruar me gjithë publikun këtu përmes këngës “Ajo”, me të cilën vazhdon të identifikohet personaliteti i saj artistik. / KultPlus.com
Senatori Bob Dole, i cili kishte vizituar Kosovën për herë të parë, ka vdekur pas kancerit që u paraqit në mushkërit e tij, përcjellë KultPlus.
Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole në një deklaratë gjatë ditës së sotme.
Delegacioni i senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 29 gusht të vitit 1990 vizitoi Kosovën për herë të parë të udhëhequr pikërisht nga senatori Bob Dole.
Mendja e tij gjeniale dhe aftësitë njohëse në ligjvënie, e kanë karakterizuar Dolen, i cili ka pasur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan.
Dole ka dhënë kontribut të madh në ndërkombëtarizimin e çështjes së vendit të Kosovës.
Kosova kishte përuruar një pllakë përkujtimore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë për nderë të senatorit. /KultPlus.com
Në Ditën e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër urimi Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, shkruan KultPlus.
Kryeministri Kurti në letrën e tij ka kujtuar dhe nderuar sakrificën, qëndresën, forcën dhe përkushtimin ndaj atdheut të brezave të ushtarëve e patriotëve.
Ai ka theksuar rolin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që përveçse në mbrojtje dhe siguri të Shqipërisë, shtrihet edhe përtej kufijve dhe i kontribuon edhe paqes në rajon dhe botë.
“Në këto 109 vite, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, na falën nder e krenari të gjithë shqiptarëve”, ka shkruar Kryeministri Kurti në letrën e urimit.
“U gëzohemi sukseseve tuaja, sikurse edhe thellimit të bashkëpunimit ndërmjet forcave të dy vendeve tona, zhvillimit dhe avancimit të kapaciteteve ushtarake, në shërbim të mbrojtjes dhe sigurisë në vendet tona dhe në rajon”, ka shkruar ai.
Kurti dhe Rama u takuan për herë të fundit në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive. /KultPlus.com
Kori i Filharmonisë së Kosovës do të rikthehet në Tiranë me një koncert premierë për të përmbyllur vitin më mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, Kori njoftoi se këtë koncert do ta bëjnë në kuadër të kalendarit të ngjarjeve në shënim të 75 vjetorit të themelimit të Liceut Artistik “Jodan Misja”.
“Në drejtimin e Hajrullah Sylës në këtë ngjarje do interpretohen vepra nga Rafet Rudi, Vasil S. Tole, Laura Jēkabson, Peder Karlsson, Jake Runestad dhe Ola Gjeilo. Koncerti mbahet në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” (Liceun Artistik “Jordan Misja” – Tiranë) më 9 dhjetor 2021”, shkruhet mes tjerash në njoftim.
Ky koncert do të fillojë në ora 19:00, derisa është bërë thirrje e vazhdueshme që të përmbahen në përpikmëri masat COVID-19 pasi që hyrja do të jetë e lirë. /KultPlus.com
Tetë ndërmarrje të vogla dhe të mesme të turizmit nga Kosova po marrin pjesë në Panairin e Turizmit në Izmir “Travel Turkey Izmir”.
Panairi ka mirëpritur këtë javë në Izmir të Turqisë dy hotele dhe gjashtë operatorë turistik nga Kosova.
Pjesëmarrja e këtyre kompanive ka ardhur si nismë e Unionit të Turizmit të Kosovës (UTK) dhe është përkrahur nga Swisscontact.
Takimet biznes me biznes (B2B) po zhvillohen midis operatorëve turistik vendas dhe operatorëve turistik turq, të ndihmuar nga një konsulent i vendit pritës. /KultPlus.com
I prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Venecias 2021 në seksionin Horizont, por mbi të gjitha fitues i Çmimit të Madh të Festivalit të Filmit në Tokio, filmi “Vera Dreams of the Sea” me regji të Kaltrina Krasniqi është një film që ndërthur dramën gjenerative dhe individuale në humorin e tensionuar të thriller, shkruan KultPlus.
I hollë në nëntekste dhe i montuar pa pushim, ky film realizohet mbi të gjitha nën interpretimin e aktores Teuta Ajdini Jegeni, një ndërthurje mes shtytjes rebeluese dhe zakonit të heshtjes.
Regjisorja kosovare e paraqet talentin e saj – të dukshëm mbi të gjitha në vendosmërinë dhe saktësinë e zgjedhjeve stilistike shkruhet në gazetën italiane Info Oggi.
Krasniqi tregon se si nëna e saj, Vera dhe Vera në film janë në thelb dy gra shumë të ndryshme, por ka ngjashmëri mes tyre.
“Ato janë gra të të njëjtit brez, që jetuan në një sistem vlerash dhe traditash që i privuan plotësisht gratë nga çdo mundësi veprimi kur ishte fjala për të ndjekur atë që është e tyre – siç është e drejta për të trashëguar, e cila më shpesh përkthehet si pavarësi ekonomike”, thotë Krasniqi.
Ajo tutje shpjegon historinë se si nëna e saj u divorcua nga babai, kur edhe luftoi në gjykatë për më shumë se katër vjet që të sigurojë një pjesë të pronës së saj, për ta humbur në fund gjyqin.
“Nëna ime shpejt e kuptoi se edhe gjyqësori ishte patriarkal. Megjithëse ligji i garantonte të drejta të barabarta pronësore, ajo nuk arriti të transferonte pasuritë e saj, sepse procesi i saj i vendimmarrjes ishte i bazuar në një traditë që historikisht favorizonte burrat. Vera, nga ana tjetër, në film përpiqet të negociojë pozicionin e saj me traditën, e vetëdijshme se ndërhyrja e shtetit nuk ka peshë kur të drejtat e saj pronësore si grua janë në pyetje”, shpjegon tutje regjisorja.
Fituesja e disa çmimeve ndërkombëtare, pohon se Kosova është një vend i blinduar dhe se patriarkati është universal.
“Kosova është një vend i blinduar. Nocioni ynë për detin është romantik, por edhe deti është një vend i panjohur. Kur Vera sheh një mundësi për një jetë të re buzë detit, pas vetëvrasjes së të shoqit, ajo kthehet në një makth të përsëritur mbytës. Uji është një mjet klasik shprehës i kinemasë dhe në këtë rast është në shërbim të një gjuhe pamore që flet në emër të psikikës së Verës”, thotë ajo.
Më pas, Krasniqi jep edhe detaje të tjera nga filmi, ku tregon se si Vera ka lindur në vitet 1950 dhe është personi i parë që shkoi në universitet, derisa nëna dhe gjyshja e saj mezi dinin të shkruanin dhe lexonin.
“Kjo e mban atë vazhdimisht në disavantazh kur bëhet fjalë për përfaqësimin ose negocimin e të drejtave të saj”, përfundon ajo.
zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera Andrron Detin” është një portret intim por edhe universal i një gruaje e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazisë gjinore thellë të rrënjosura në shoqëri edhe në ditët e sotme’.
Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj. Drejtoreshë e fotografisë: Sevdije Kastrati; Producent: Shkumbin Istrefi.
Vera andrron detin’ është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë – Shqipëri. /KultPlus.com
Dje është hapur Ekspozita Tradicionale vjeotre e Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës, shkruan KultPlus.
Në përfundimin e kësaj ekspozite u bë edhe ndarja e çmimit vjetor, ku disa artistë e ndanë së bashku këtë çmim.
Artistët Zake Prelvukaj, Isa Alimisa dhe Burim Myftiu u dekoruan me Çmimin Vjetor të Ekspozitës Tradicionale vjetore të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës.
Hapjen e kësaj ekspozite që përfshiu piktura nga më të ndryshmet e bëri kryetari i AVVK-së, artisti Kamuran Goranci.
Në këtë ekspozitë morrën pjesë edhe disa nga artistët sikurse Fatmir Krypa, Luan Mulliqi, Bardha Buza, Faik Krasniqi, Kamuran Goranci, Agron Mulliqi, Trific Tomislav, Musë Prelvukaj, Naim Spahiu, Muhamet Ahmeti Metis, Sabri Behrami, Fehmi Hoxha Feho, Mjellma Goranci Firzi, Refki Gollopeni, Shkurte Ramushi, Pranvera Sylejmani, Lebibe Topalli dhe shumë të tjerë. /KultPlus.com
UNICEF dhe USAID kanë bashkuar forcat për të përmirësuar qasjen në vaksina për popullatat e cenueshme në Kosovë, për t’u siguruar që ata janë të fuqizuar për të kuptuar përfitimet, dhe për të rritur kërkesën për vaksinimin kundër COVID-19, shkruan KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur Programi i Unicefit në Kosovë, ku ka thënë se në bashkëpunim me organizata lokale kanë nisur fushatën derë më derë për vaksinim kundër COVID-19.
“Askush nuk lihet pas në këtë proces”, është edhe motoja e këtyre dy organizatave, që kanë për qëllim të arrijnë 25 mijë individë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe familjet që jetojnë në varfëri të vaksinohen kundër COVID-19.
Një ekip i mrekullueshëm, i quajtur “Ekipi i Qendrës së Komunikimit” (Communications Hub Team), po bën përpjekjet e tyre të palodhura në punën e përditshme të këtij projekti. Ata po punojnë me vullnetarë të punës në terren, me OJQ dhe qendra shëndetësore komunale dhe po përdorin kanale komunikimi për të përhapur mesazhe për vaksinim.
Nol Sahatçiu do të punojë në komunikimin strategjik dhe do të udhëheqë Comms Hub. – Fillojeta Konjuhi, e cila do të punojë për mbarëvajtjen e proceseve administrative dhe monitorimin e aktiviteteve në terren . – Dhe Artan Sadiku do të mbështesë qendrën në shkencat e sjelljes dhe monitorim e evaluim. /KultPlus.com
Ngjarja e përvitshme tradicionale – mbledhja e Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë – u mbajt sot në Elbasan, kur edhe u mbledhën krerët e të dyja shteteve, shkruan KultPlus.
Sesionin e mbledhjes së përbashkët e hapën me fjalët e tyre kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama duke ua lënë vendin anëtarëve të kabineteve që të parashtrojnë marrëveshjet që do të nënshkruhen nga ministritë përkatëse.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, shpalosi marrëveshjet që do të nënshkruajë ministria dhe institucionet qendrore të kulturës.
Kalendari i Përbashkët Kulturor Vjetor, Marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e Trashëgimisë kulturore dhe muzeve; Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia; janë marrëveshjet që do të nënshkruhen në fushën e kulturës e të trashëgimisë; si dhe Marrëveshja e bashkëpunimit mes Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë.
Ministrat Hajrulla Çeku dhe Elva Margariti nënshkruan Kalendarin e Përbashkët Kulturor Vjetor mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë.
Kalendari, ndër të tjera, parasheh edhe Menaxhimin Kulturor dhe shkëmbimin e artistëve në fushat e ndryshme kulturore dhe atë të trashëgimisë.
Në fushën e bibliotekave parashihet Konferenca Kombëtare e Bibliotekonomisë, konferenca shkencore për shënimin e 40–vjetorit të ndarjes nga jeta të Branko Merxhanit, 400–vjetorit të vdekjes së Pjetër Budit, 50-vjetorit të vdekjes së Krist Malokit.
Në fushën e filmit parashihet pjesëmarrje e përbashkët në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, në Festivalin e Kanës me shtand të përbashkët të Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës Kinematografike Kombëtare, si dhe bashkëpunimi me festivalet e tjera ndërkombëtare të filmit.
Në bashkëpunimin mes teatrove, ansambleve dhe baleteve, parashihet realizimi i shfaqjeve “Carmina Burana”, në Tiranë, realizimi i shfaqjes “Monger” në Prishtinë, pastaj shfaqja e përbashkët “Gjerdani i Artë” midis Ansamblit Popullor dhe Ansamblit “Shota” në nderim të artisteve Nexhmije Pagarusha dhe Fitnete Rexha. Po ashtu, parashihen aktivitete në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” si dhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë në Tiranë. Baleti Kombëtar i Kosovës gjatë qershorit të vitit të ardhshëm do të paraqitet me shfaqje në Tiranë.
Sipas këtij kalendari, bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fushën e trashëgimisë kulturore, ku Muzeu Kombëtar do të realizojë dy ekspozita në Muzeun Kombëtar të Kosovës, do të botohet një katalog i përbashkët i dy muzeve “Arkeologjia e Shqipërisë dhe e Kosovës” si dhe do të realizohet punëtoria “Muzeu i komunitetit – Programet Edukative në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Kombëtar të Kosovës”. Po ashtu, do të realizohen vizitat dhe ekspozitat e përbashkëta në Berat si dhe koncerti me muzikë tradicionale popullore me artistë nga Vlora dhe Prizreni.
Ndërkaq, në Butrint, në dhjetor të vitit 2022 kur pritet të regjistrohet në listën e UNESCO-s, do të ketë aktivitete, konferenca e ekspozita të përbashkëta.
Qendrat Rajonale të Trashëgimisë Kulturore të Prizrenit, Mitrovicës dhe Gjilanit do të realizojnë ekspozita në Vlorë, Korçë, Berat, Gjirokastër e Korçë. Edhe Muzeu Kombëtar i Kosovës do të ketë 4 aktivitete në Muzeun Kombëtar në Tiranë, me organizimin e ekspozitave dhe programeve edukative.
Bashkëpunim parashihet edhe për programin e Evropës Kreative dhe për të Drejtat e Autorit.
Përpos kalendarit të përbashkët kulturor, ministrat Hajrulla Çeku e Elva Margariti kanë nënshkruar Marrëveshje për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, e cila parasheh zhvillimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve, shkëmbimin e përvojave dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Ndërsa ditën e nesërme pritet të nënshkruhen Protokolli i bashkëpunimit mes Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor të Republikës së Shqipërisë dhe Operës, Filharmonisë, Baletit Kombëtar të Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” të Republikës së Kosovës, Marrëveshja e Bashkëpunimit të Muzeut Kombëtar të Kosovës dhe Muzeut Historik Kombëtar; Marrëveshja e Bashkëpunimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; si dhe Marrëveshja e Bashkëpunimit të Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe Parkut Arkeologjik Kombëtar Apolonia.
Bashkëpunimi mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë përmes një kalendari të përbashkët ka filluar në vitin 2014 kur është nënshkruar për herë të parë një program i tillë. /KultPlus.com
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë mbajtur mbledhjen e shtatë të përbashkët, ku edhe kanë bërë nënshkrimin e disa marrëveshjeve, shkruan KultPlus.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, ndodhi edhe një konferecë e përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Kosovës, Albin Kurti.
Që të dy, kur u pyetën nga gazetarët nëse janë pro apo kundër bashkimit kombëtar, u përgjigjën pa hezitim se janë pro një gjëje të tillë.
Megjithatë, edhe Kurti edhe Rama thanë se bashkimi kombëtar nuk është diçka që është aty dhe vetëm duhet të thuhet ‘po’, por kërkohet diçka përtej kësaj.
Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një sërë marrëveshjesh gjatë ditës së sotme. /KultPlus.com
Qeveria e Republikës së Kosovës ka udhëtuar gjatë ditës së sotme për në Elbasan, që të takohet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh, shkruan KultPlus.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati një fjalim në këtë mbledhje, ku edhe tha se duhet të flasim si diplomatë, por të punojmë sikurse patriotë.
“Të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do të ishte marrëzi, Të thuash se jemi të lumtur që kemi dy shtete sepse kështu jemi të fortë, do të ishte sa tepri, po aq edhe shkurtëpamësi, Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar, do të shquanin për nacionalist, Të thuash se do të bashkohemi në bashkimin evropian, të shquajnë për diplomat, Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm, kështu që, le të flasim si diplomatë, por le të punojmë si patriotë”, tha Kurti mes tjerash.
Disa prej marrëveshjeve që pritet të nënshkruhen sot kanë të bëjnë me leje qëndrimin e shtetasve të Kosovës në Shqipëri, leje të punës dhe shumë gjëra të tjera. /KultPlus.com
Të premten e 26 nëntorit në Elbasan do të mbahet mbledhja e përbashkët, e shtata me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Disa marrëveshje pritet të nënshkruhen në këtë mbledhje. Por, ato që tashmë janë bërë të ditura, janë marrëveshja për sigurime shoqërore, ku është kërkuar autorizimi për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, përmes një aplikimi të thjeshtë dhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se marrëveshja në fushën e arsimit do të jetë për lehtësim të procedurës së njohjes së diplomave.
“Marrëveshja që do te nënshkruhet në fushën e arsimit është: Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave). Në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucioneve të tjera të autorizuara”, ishte shprehur Nagavci.
Siç është bërë e ditur nga agjenda, delegacioni i Kosovës do të mbërrijë në ora 09:45 në Shqipëri, derisa do të ketë një ceremoni deri në ora 13:10. /KultPlus.com
Institucioni themelor i ruajtjes së trashëgimisë së shkruar dhe të shtypur në Republikën e Kosovës, kremtoi 77 vjetorin e Ditës së Bibliotekës Kombëtare, me ç‘rast edhe u nënshkrua një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes tri ministrive të Kosovës, për krijimin e një rrjeti bibliotekar të Kosovës, shkruan KultPlus.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e gjithashtu edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, u nënshkrua marrëveshja për krijimin e një rrjeti bibliotekar të Kosovës.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, pati një fjalim përshëndetës me rast të nënshkrimit të marrëveshjes dhe ditës ndërkombëtare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Fjalimi i saj filloi me përshëndetje të të gjithë pranishmëve dhe shprehi kënaqësinë e saj me rast të kremtimit të 77 vjetorit të BKK-së.
“Misioni i Bibliotekës si mision është sigurimi i qasjes së lirë dhe të hapur në burime të shkruara dhe të shtypura për njerëzit të të gjitha moshave dhe të gjitha përkatësive. Bibliotekë është një pjesë e pandashme e zhvillimit të të rinjve. Përmes shërbimeve specifike dhe ofrimit të qasjes në koleksione të larmishme deri më sot, jetësohet përmbushja e nevojave specifike të komunitetit, të cilat lidhen ngushtë me edukimin, rritjes së lejueshmërisë dhe rolit të librit në përgjithësi”, tha Osmani.
Ajo tutje gjithashtu deklaroi se ndjehet shumë e kënaqur për një bashkëpunim të madh mes ministrive.
“Synimi i kësaj marrëveshje është të siguroj futjen e bibliotekave të Kosovës në një formë të përbashkët të shërbimeve bibliotekare, me ç ‘rast bibliotekat kryesore të vendit të kenë mundësi të shfrytëzojnë materialet që biblioteka ofron. Po ashtu ndjehemi shumë të lumtur që BKK po e vazhdon traditën e saj, ku edhe sivjet me rastin e shënimit të kësaj dite do të bëjë ndarjen e çmimit “Pjetër Bodgani”.
Në fund zëvendës ministria tha se MKRS-ja shpreh përkushtim dhe gatishmëri të plotë për rritje të gatishmërisë dhe koordinimit ndër institucional si në nivel qendror dhe në nivel lokal, që të sigurohet zbatimi i këtij projekti”, përfundoi Osmani.
Zëvendës Ministrja Daulina Osmani
Në anën tjetër, edhe Ministrja Arsimit, Arbërie Nagavci, pohoi se një marrëveshje e tillë ka qenë e nevojshme dhe se do të punojnë pa ndalë që të arrihet zbatimi i aktit të nënshkruar.
“Shpresoj që të punojmë bashkë që çdo ditë të jetë ditë e librit. Në kuadër të misionit tonë e së bashku me pasionin e përfshirë, do të punojmë që të zbatojmë në përpikëri marrëveshjen. Do të sigurohemi të aplikojmë çdo gjë që është nënshkruar në këtë memorandum”.
Nagavci gjithashtu zbuloi se janë duke punuar vazhdimisht që të krijojnë edhe biblioteka të reja, por jo vetëm për nxënësit.
“Jemi duke punuar që të krijojmë në biblioteka të veçantë për mësimdhënës, që t’ia mundësojmë këtyre të fundit mësim nxënien më të suksesshme. Do të jemi një partner i përkushtuar që bibliotekat të jenë vende të dashura dhe në vëmendje të të rinjve”, tha ajo në fund.
Ministrja Arbërie Nagavci
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, në fjalimin e tij të rastit uroi të gjithë për ditën e bibliotekës.
“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj marrëveshje. Jam i obliguar që të angazhohem që të mirat dhe këto mundësi të shpërndahen gjithandej në Komunat e Kosovës”, deklaroi ai.
Krasniqi tutje theksoi se Kosova ka bashkëpunime të mëdha me shumë shtete të ndryshme nëpër botë dhe tash janë në momentin të gjejnë arsye dhe aktivitetet konkrete me të cilat mund të bashkëpunojnë.
“Në një udhëtim jashtë shtetit, e patëm edhe temë diskutimi pjesën e krijimit të bibliotekave lokale. Një hapësirë kur të gjithë janë të mirëseardhur, një hapësirë ku në hyrje nuk thuhet qetësi, por mund të vazhdosh përpara dhe të shijosh muzikën në një hapësirë të veçantë. Ky memorandum është diçka shumë e mirë”, përfundoi ministri.
Ministri Elbert Krasniqi
Kjo ishte hera e parë që BKK po mbështetet një projekt, i cili do të mundësojë krijimin e rrjetit bibliotekar në Kosovë. Këtë gjë e pohoi edhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, i cili falënderoi ministrat Çeku, Nagavci e Krasniqi për mbështetjen e veçantë.
Marrëveshja e memorandumit që u nënshkrua sot ka qëllimin e vetëm përfshirjen e bibliotekave të Kosovës në një Platformë të Shërbimeve Bibliotekare që do të mundësojë krijimin e një rrjeti funksional të bibliotekave të vendit tonë. Avancimi i të rinjve duke punuar për të siguruar shërbime më të mira në platformat e reja, formate të reja dhe praktika të domosdoshme, janë pikërisht fokus kryesor i aktit trepalësh.
Ndërkaq, Këshilli drejtues i bibliotekës kombëtare të Kosovës ka ndarë çmimin “Pjetër Bodgani” për profesorin nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert Montoya.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje merr përsipër mbështetjen financiare të projektit me 77 mijë e 632 euro dhe rrjeti i bibliotekave që do të krijohet do të përbëhet nga Biblioteka Kombëtare si udhëheqës e rrjetit, 38 biblioteka publike, 7 biblioteka akademike dhe 2 biblioteka speciale
Dita e themelimit të Bibliotekës është në nëntor të viti 1944 në Prizren, me një koleksion të vogël të librave. Ndërkaq, sot Biblioteka ka një fond bibliotekar me mbi 2 milionë ekzemplarë të materialit të ndryshëm bibliotekar. /KultPlus.com
Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka njoftuar se do të bëjë lansimin e një platformeje të quajtur “Service95”, shkruan KultPlus.
Lipa në një intervistë për British Vogue ka njoftuar publikun se kjo platformë do të përfshijë shumëçka në të.
Duke filluar nga një buletin, në të cilën 26 vjeçarja do të paraqesë rekomandime, nga udhëtimet, muzika, ushqimi dhe libra të ndryshme.
“Fotografitë e mia janë një blog për jetën time. Tani do të ketë një faqe interneti ku njerëzit mund të shkojnë dhe të kërkojnë në të vërtetë gjithçka.“, tha Dua.
Ajo planifikon të përdorë Service95 për të nxjerrë në pah kauzat filantropike për të cilat ajo kujdeset. Krahasimet me Goop të Gwyneth Paltrow, e cila e nisi si një buletin falas me email që përmban rekomandimet e aktores duken të pashmangshme, por megjithëse universi i Dua-s do të prekë bukurinë dhe mirëqenien.
“Do të ketë shumë zëra të ndryshëm, artikuj interesantë dhe shënimin tim personal për atë që kam bërë dhe çfarë kam zbuluar,” shpjegon këngëtarja. Service95 do të lansohet në fillim të vitit 2022, pikërisht kur ajo përgatitet të nisë turneun e saj botëror Future Nostalgia. /KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur keqardhje dhe e ka dënuar fuqishëm aktin e fundit të diskriminimit ndaj komunitetit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, që sipas raportimeve, disa lokale të gastronomisë kanë refuzuar t’u shërbejnë këtyre komuniteteve.
Në fjalimin e mbajtur në Samitin e antigjipsizmit, kryeministri Kurti po ashtu dënoi ashpër dhunën fizike që u shpërfaqë po ndaj këtyre komuniteteve ditëve të fundit.
Këto janë akte të dënueshme si nga ligjet tona e po ashtu edhe nga ndërgjegjja jonë. Nuk është as në kulturën e as në historinë tonë që të jemi diskriminues e aq më pak përjashtues, tha kryeministri, duke shtuar se qytetarët e çdo etnie, komuniteti e race janë në radhë të parë qytetarë të barabartë të Republikës tonë.
Kryeministri tha se angazhohet njëlloj për të gjithë qytetarët e Republikës, e sidomos për ata që janë më të varfër, sepse siç tha ai, përveçse Kryeministër, jam edhe social-demokrat, e si social-demokrat progresin e zhvillimin e shoqërisë tonë e mati, jo me atë se sa mirë po jetojnë ata që kanë më së shumti, por ata që kanë më së paku.
Ai shtoi se si social-demokrat zhvillimin e matë me përfshirjen dhe kualitetin e edukimit që marrin jo vetëm pjesa e privilegjuar e shoqërisë, por pjesa më e diskriminuar e saj.
Në këtë drejtim, ai veçoi shpalljen e konkursit për ndarjen e bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian për vitin shkollor 2021/2022, me çka synohet përfshirja e këtyre nxënëseve në arsimin e mesëm të lartë në shkollat publike dhe sigurimi i iniciativave për të reduktuar braktisjen e mësimit. /KultPlus.com
Shqipëria do të nënshkruajë një marrëveshje shumë të përshtatshme dhe pozitive për të gjithë shtetasit e Kosovës, shkruan KultPlus.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çupi, ka njoftuar se shtetasit e Kosovës mund të marrin lejen e qëndrimit 5 vjeçare me vetëm një aplikim të thjeshtë.
Siç raporton A2 News, Çuçi ka thënë se ky është një lajm shumë i mirë, pasi shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi me procedura të thjeshtuara. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, tha Çuçi.
Përveç lejës së qëndrimit, shtetasve të Kosovës do t’iu ofrohet edhe leja e punës.
Probleme të tilla kanë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, që vazhdojnë të mbesin të diskriminuar në Kosovë mbi këtë aspekt. /KultPlus.com