Qeveria e Holandës ka konstatuar se Kosova është e zhytur thellë në korrupsion, dhe si rezultat i kësaj thonë se e kundërshtojnë liberalizimin e vizave. Sipas MPJ-së së këtij shtetit, Kosova vuan nga një nivel i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Të njëjtët kanë thënë se në Këshill nuk ka përkrahje të mjaftueshme që Kosovës t’i liberalizohen vizat, shkruan Schengenvisainfo.com.
Ministria theksoi gjithashtu se “liberalizimi i vizave është një proces teknik, që udhëhiqet nga standardet, në të cilin një vend duhet të përmbushë të gjitha parakushtet përpara se Këshilli të vendosë të heqë vizat”.
Këtë qëndrim për liberalizimin e vizave Holanda e mban për vite me radhë, duke u shndërruar kështu në një prej vendeve skeptike.
Liberalizimin e vizave nuk e përkrah ende as Franca e Emmanuel Macron, duke thënë se ende s’janë plotësuar kushtet./Express/ KultPlus.com
Në këtë ditë pesë vjet më parë, Kosova u pranua në FIFA, organin qeverisës të futbollit botëror, përkundër kundërshtim dhe lobim të ashpër nga Serbia.
Në kongresin e 66-të të FIFA-së në Meksikë më 13 maj 2016, delegatët e këtij kongresi kishin votuar për anëtarësimin ose jo të Kosovës. Nga 205 delegatë që ishin pjesëmarrës në këtë kongres, Kosova kishte marrë 141 vota për, duke u bërë kështu anëtarja më e re e saj, raporton Gazeta Express.
Pranimit në FIFA i kishte paraprirë pranimi në UEFA, shtëpinë e futbollit evropian, vetëm 10 ditë me herët.
Pas pranimit në FIFA, Kombëtarja e Kosovës nisi të zhvillojë ndeshje zyrtare me karakter garues, siç ishin ato për kualifikim në Kupën e Botës Rusia 2018.
Rol kyç dhe kryesor për ta bindur Kongresin e UEFA-s ta pranojë Kosovën si anëtare të veten luajti ish-presidenti i FFK-së dhe legjenda e futbollit kosovar, Fadil Vokrri, i cili vdiq dy vjet më vonë, më 9 qershor 2018.
Tani, Kosova është duke e zhvilluar fushatën e dytë kualifikuese në historinë e kombëtares për Kupën e Botës.
Megjithatë, verdhekaltrit nuk e nisën mirë fushatën e dytë kualifikuese për Botërorin e Katarit 2022, pasi i humbën të dy ndeshjet e para në grup kundër Suedisë dhe Spanjës. /KultPlus.com
Kosova për herë të parë do të jetë pjesëmarrëse në stërvitjen ushtarake më te madhe në rajon “Defender-Europe 21”.
“DEFENDER-Europe 21” është stërvitje vjetore e përmasave të mëdha ushtarake amerikane në Evropë dhe Afrikë, i përbashkët, shumëkombësh, i dizajnuar për të ndërtuar gatishmërinë dhe ndërveprimin ndërmjet ushtrisë amerikane, NATO-s dhe partnerëve tjerë.
Me këtë rast, ushtarët e FSK-së radhiten përkrah ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s nën udhëheqjen e partnerit strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova do të jetë gjithashtu në mesin e 16 vendeve pritëse, me ç‘rast trupat e ushtrive të shteteve anëtare të NATOS do të zbarkojnë në Kosovë; në mesin e tyre ushtarakë të ushtrisë Amerikane, pjesëtar të forcave nga Komanda Evropiane e SHBA si dhe Komanda Supreme Operacionale e NATO-s.
Komanda e Lartë (HICON) dhe Audienca Sekondare do të jenë të vendosur në Aeroportin e Gjakovës, kurse Ushtrimi Fushor do të realizohet në Zonën e Trajnimit në “Baba i Bokës” në komunën e Gjakovës.
Validimin e kapaciteteve të këmbësorisë do t’a bëjë ekipi vlerësues i KDS në bashkëpunim me ekipin ushtarak amerikan të Brigadës të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (Security Force Assistance Brigade- SFAB).
Pjesa kryesore e ushtrimit do të realizohet nga data 17 deri 29 maj 2021.
Për detajet e pjesëmarrjes së Kosovës në këtë ngjarje, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj së bashku me Komandantin e FSK-së Gjenerallejtënant Rrahman Rama do të mbajë konferencë për media, me datë 6 Maj, 2021, duke filluar nga ora 14:30. / KultPlus.com
Një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër COVID-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mesin e javës së ardhshme, ka bërë të ditur Komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër koronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.
Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht. Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian. Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza. KOHA ka mësuar se në kontingjentin e parë janë 4700 vaksina.
“Do të udhëtoj drejt Ballkanit Perëndimor për të përçuar mesazh të qartë: Ne kujdesemi! Ne kujdesemi për partnerët tanë dhe kujdesemi për punëtorët e tyre shëndetësorë dhe ata më të rrezikuarit. Shpërndarja e vaksinave konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm për të ofruar përkrahje, siç kemi bërë që nga shpërthimi i pandemisë. Bashkë më të fortë!”, ka thënë ai për uebfaqen e Komisionit Evropian.
Para se të vizitojë Kosovën dhe Shqipërinë të mërkurën, Varhelyi do të nisë vizitën të hënën në Serbi, e më pas do të vizitojë Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas njoftimit, me autoritetet ai do të diskutojë për pandeminë dhe përkrahjen e BE-së në këtë drejtim.
Kosova tashmë ka marrë vetëm 24 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca” nëpërmjet programit të COVAX-it, ku BE-ja ka kontribuar me 2.5 miliardë euro. Këto doza tashmë janë harxhuar./kohanet/KultPlus.com
Pas fushatës për vendosjen e kufijve të Kosovës në hartat e Apple, tashmë është arritur qëllimi që edhe Netflix të shtojë Kosovën në listën e shteteve në platformën e tyre, shkruan KultPlus.
Nisma e studentit Sovran Hoti i cili njëkohësisht është përdorues i rregullt i Netflix, kishte filluar pasi ai vuri re se lokacioni i Kosovës i figuronte si Serbi dhe kështu ka filluar hulumtimin tutje rreth kësaj çështje e cila ka marrë jehonë dhe vëmendjen e Netflix në muajin shkurt të këtij viti me qëllim që Republika e Kosovës të njihet si shtet në Netflix.
Ky peticion pati jehonë dhe u përkrahë edhe nga shumë artistë, andaj si rezultat i kësaj, pas 37 mijë nënshkrimeve për rreth 2 muaj, Netflix e dëgjoi thirrjen e kosovarëve dhe futi Kosovën në listën e shteteve në këtë platformë.
Hoti, i cili nuk ju nda kësaj nisme, ka njoftuar sot për këtë arritje duke treguar se Netflix ka shtuar Kosovën në listën e shteteve me kodin telefonik +383 në platformën e tyre, dhe ai pret që e njëjta të ndodhë edhe me vendndodhjen e përdoruesve kosovarë.
Ai gjithashtu ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje simbolike dhe të dinjitetshme.
“Nuk u deshtën 200 mijë, me 37 mijë nënshkrime dhe rreth 2 muaj, Netflix e dëgjoi thirrjen tonë. Netflix ka shtuar Kosovën në listën e shteteve me kodin telefonik +383 në platformën e tyre. Presim t’pasoj e njëjta edhe për vendnodhjen e përdoruesve kosovarë. Faleminderit të gjithëve që më keni mbështetur në këtë arritje simbolike, por të dinjitetshme!”, ka shkruar Hoti. / KultPlus.com
Organizata Freedom House arrin në përfundimin se udhëheqësit e zgjedhur në Evropën Qendrore dhe Lindore po minojnë vetë institucionet që i sollën ata në detyrë, duke refuzuar normat demokratike dhe duke promovuar sisteme alternative të qeverisjes autoritare. Sipas raportit të përvitshëm “Vendet në Tranzicion 2021” që merr në shqyrtim zhvillimet e vitit pararendës dhe që u bë publik të mërkurën, lloji më i zakonshëm i regjimit në Ballkan vazhdon të jetë ai hibrid/demokraci në tranzicion. Shqipëria dhe Kosova shënuan rënie në vitin 2020, krahasuar me vitin 2019, ndërsa Maqedonia e Veriut shënoi rritje.
Shqipëria, rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur
Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në shoqërinë civile dhe median e pavarur. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.82 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.75 pikë.
“Ajo që vërehet është që nota e përgjithshme e Shqipërisë, është në nivelin e notës që Shqipëria ka marrë në vitin 2013. Pra demokracia në Shqipëri është në të njëjtat nivele që Shqipëria ka pasur në vitin 2013, sipas së njëjtit raport të Freedom House”, thotë Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, autori i kapitullit për Shqipërinë në raportin “Vendet në Tranzicion”.
Vlerësimi për shoqërinë civile ra nga 5 në 4.75 pikë.
“Ulja e notës i dedikohet një sërë akteve të cilat kanë kufizuar hapësirën në të cilën operon shoqëria civile, hapësirën e aksionit të shoqërisë civile me një sërë kufizimesh përsa i takon së drejtës së tubimit, madje edhe së drejtës për shprehje”, thotë zoti Gjurmo.
Më konkretisht rënia i atribuohet dhunës mes protestuesve dhe forcave të rendit në maj, gjatë acarimeve për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe për shkak të vrasjes së të riut Klodian Rasha nga forcat e policisë për shkak të thyerjes së kufizimeve të Covid-it.
Vlerësimi për gjendjen e pavarësisë së medias ra nga 3.75 në 3.50.
“Ka pasur edhe një përkeqësim në dimensionin e lirisë së medias, e cila për të disatin vit ka shënuar disa zhvillime shumë negative, por mesa duket vitin që shkoi, këto zhvillime u ndikuan edhe nga pandemia, edhe nga kufizime të tjera, por edhe nga hyrja në fuqi pjesërisht e paketës antishpifje, njëri prej dy ligjeve i cili hyri në fuqi, pavarësisht se nuk është materializuar konkretisht”, thotë zoti Vurmo, duke shtuar se ka pasur raste që gazetarët janë proceduar edhe penalisht, mbi baza të përhapjes së panikut.
“Ambienti i medias shqiptare, i cili ka qenë prej kohësh i dobësuar nga kontrolli oligarkik ashtu si në pjesën më të madhe të rajonit, është prekur gjithashtu nga përdorimi i shtuar i proceseve gjyqësore strategjike kundër pjesëmarrjes së publikut”, thuhet në raport.
Përveç rënies në kategoritë e qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor, dy treguesit me vlerësimin më të ulët janë korrupsioni dhe pavarësia e gjyqësorit: respektivisht 3.25 dhe 2.75, i njëjti nivel si një vit më parë.
Raporti vë në dukje situatën e acaruar politike,korrupsionin dhe presionin e bizneseve ndaj qeverisë si probleme të vazhdueshme.
Por aty vlerësohen edhe hapat drejt reformës në drejtësi, megjithëse thuhet se ishin të ngadalta.
“Ne kemi evidentuar edhe zhvillime mjaft pozitive si ngritja e strukturave të reja të drejtësisë, apo edhe zhvillime të tjera në kuadër të disa dimensioneve, siç është edhe dimensioni i qeverisjes kombëtare”, thotë zoti Vurmo.
Raporti në kontekstin e kristalizimit të rezultatit të zgjedhjeve në Shqipëri
Publikimi i raportit të këtij viti përkon me një kohë kur është bërë e qartë që Partia Socialiste në Shqipëri do të qeverisë edhe për një mandat tjetër.
“Shumica aktuale ka bërë histori në këtë kuptim, ka marrë një mandat të tretë, madje ka marrë të dytin mandat radhazi, që nuk ka ndodhur më parë në historinë pluraliste të Shqipërisë, si parti e vetme”, thotë zoti Vurmo.
Vlerësimi për ecurinë e tyre do të analizohet në raportet e ardhshme të Freedom House. Zoti Vurmo sheh si sfidë prirjet e përvijuaja qartë të forcimit të autoritarizmit që kërcënojnë haptazi dhe shumë seriozisht demokracinë shqiptare, institucionet dhe proceset demokratike dhe vetë shoqërinë shqiptare.
“Unë do të bëja thirrje për të gjithë aktorët politikë, por jo vetëm politikë, por edhe aktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare që ta lexojnë me vëmendje këtë raport, pasi është vërtet një kambanë alarmi për rreziqet që paraqesin disa zhvillime në disa fusha të raportit, për demokracinë në Shqipëri, po aq sa edhe për ofertën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe procese të tjera reformuese”, thotë ai.
Është një moment, thotë zoti Vurmo, që Shqipëria mund ta shfrytëzojë në maksimum.
“Që të futet në një cikël normal të sistemit politik, ku bashkëqeveriset në një fare mënyrë, në kuptimin që edhe opozita është pjesë shumë e rëndësishme e qeverisjes, pavarësisht se është maxhoranca ajo që drejton ekzekutivin. Por nga ana tjetër qeverisja në parlament parasheh edhe një rol thelbësor të opozitës parlamentare, po ashtu siç parasheh edhe një rol të theksuar të institucioneve të pavarura, të institucioneve që bëjnë kontrollin (oversight) të pushteteve të tjera”, thotë ai.
Rënie në Kosovë, rritje në Maqedoninë e Veriut
Kosova është po ashtu në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale. Këtë vit ajo shënoi rënie nga 3.18 në 3:14, në ndryshim nga një vit më herët kur ajo kishte pasur ngritje. Ulja është bërë në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.75 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 2.50.
Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin vazhdojnë të jenë të ulëta, 2.50 dhe 2.25 respektivisht, të pandryshuara nga një vit më herët.
Maqedonia e Veriut ishte një nga vendet me përparimin më të madh demokratik në vitin 2020.
“Qeveria e majtë e Kryeministrit Zoran Zaev ka riparuar disa nga dëmet institucionale të shkaktuara nga paraardhësi i tij i djathtë populist dhe ka ende një shans për të vënë në jetë aspektet pozitive të demokracisë”, thuhet në raport.
Duke folur më në përgjithësi për rajonin, në raport thuhet se një histori suksesi është veçanërisht e nevojshme në Ballkan, ku përparimet demokratike janë zmbrapsur në shumicën e vendeve.
“Megjithëse ndodhën transferime të rëndësishme të pushtetit në Malin e Zi në 2020 dhe Kosovë në 2021, është ende e paqartë nëse ato do të çojnë në një përmirësim të institucioneve demokratike. Dhe pa një transformim të tillë institucional, çdo ndryshim politik është jashtëzakonisht vështirë të mbetet i qëndrueshëm”, thuhet në raport.
Kthesa antidemokratike
Në zonën me 29 vende të Euroazisë dhe të Evropës Qendrore dhe Lindore që mbulon raporti Vendet në Tranzicion, numri i demokracive është më i ulëti që kur doli raporti për herë të parë në vitin 1995.
Në raport vihet theksi tek shenjat e thellimit të autokratizimit në vende si Hungaria dhe Polonia, të cilat ndihmuan në udhëheqjen e tranzicionit më të gjerë drejt demokracisë në vitet 1990.
“Këto nuk janë anomali, por pjesë e një ndryshimi sistematik drejt autoritarizmit në Evropë dhe Euroazi që mund të ketë pasoja globale. Udhëheqësit antidemokratë po mësojnë nga njëri-tjetri se si të konsolidojnë pushtetin dhe të shtypin kundërshtimin politik duke shmangur ndëshkimet nga institucionet ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Forca e përgjithshme e demokracisë në rajon ka rënë për 17 vjet rresht, sipas “Vendeve në Tranzicion”.
“Drejtuesit që janë kthyer drejt formave antidemokratike të qeverisjes ndjekin strategji të ngjashme: Kryeministri Viktor Orbán në Hungari nisi një model për shtypjen e mediave të pavarura që është përhapur që në Poloni dhe Serbi, partitë në pushtet të Hungarisë dhe Polonisë po përshkallëzojnë sulmet ndaj komunitetit LGBT + dhe grupeve të pakicave etnike dhe fetare, dhe të gjithë po përpiqen të dobësojnë sundimin e ligjit përmes sulmeve ndaj pavarësisë së gjyqësorit”, thuhet në raport.
Polonia dhe Hungaria dallohen për përkeqësimin e tyre të pashembullt demokratik gjatë dekadës së fundit, por shumica e vendeve në raportjanë aktualisht më keq sesa ishin 10 vjet më parë.
“Përhapja e autokracisë në Evropë dhe Euroazi ka pasoja të thella mëdha, jo vetëm për rajonin, por edhe për botën,” thotë Michael J. Abramowitz, president i Freedom House.
“Liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike po distancohen nga demokracia dhe po krijojnë realitetet e tyre të deformuara për të konsoliduar dhe mbajtur pushtetin. Përmes sukseseve të tyre të deritanishme, këto regjime antidemokratike janë duke dhënë paraqitur një shembull dhe duke nxitur rritjen e autoritarizmit në vendet fqinje. Nëse nuk kontrollohen, ata kanë potencialin të minojnë demokracinë dhe për të legjitimuar abuzimin me pushtetin në Evropë dhe më gjerë “, thotë ai.
Në Rusi dhe Bjellorusi, të cilat raporti i kategorizon si regjime të konsoliduara autoritare, shtypja u intensifikua ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Goditja e dhunshme e protestuesve të prodemokracisë në Bjellorusi, përpjekja e Kremlinit për vrasjen e aktivistit Aleksey Navalny dhe shfaqja e fundit e forcës ushtarake ruse përgjatë kufijve të Ukrainës tregojnë se deri ku janë të gatshme të shkojnë këto regjime, për të qëndruar në pushtet.
Zselyke Csaky, drejtoreshë e kërkimeve për Evropën dhe Euroazinë në Freedom House thotë se autoritarizmi nuk është një problem thjesht kombëtar, por mund të përhapet për të infektuar rajone të tëra dhe madje kontinente.
“Demokracitë evropiane dhe grupet e shoqërisë civile duhet të koordinohen në mbështetje të lëvizjeve prodemokraci në vendet ku autoritarizmi po fiton terren. Ndryshimi duhet të vijë nga brenda, por për t’u dhënë këtyre përpjekjeve një shans dhe për të ndaluar valën antidemokratike, demokracitë evropiane dhe partnerët e tyre duhet të japin shembullin dhe ta lënë pas gënjeshtrën se autokracia është një alternativë e pranueshme për demokracinë “, thotë ajo.
Menaxhimi i pritshmërive për zgjedhje transformuese
Në raportin e saj, organizata Freedom House thotë se gjatë “recesionit” aktual të demokracisë në të gjithë botën, shumica e sistemeve demokratike nuk janë shndërruar sa hap e mbyll sytë në regjime autoritare.
Autorët e raportit, duke iu referuar studiuesit të demokracisë, Thomas Carothers flasin për një “zonë gri” e statusit të vendeve hibride.
“Disa vende – të tilla si Kosova, Moldavia ose Ukraina – kanë mbetur në zonën gri për vite me radhë, por të tjerët – veçanërisht Hungaria, Mali i Zi dhe Serbia – janë riklasifikuar vetëm kohët e fundit si regjime hibride dhe të tjera po shkojnë drejt këtij statusi.”
Në raport thuhet se një tipar karakterizues i regjimeve hibride është se udhëheqësit e tyre vazhdojnë të lejojnë zgjedhje në një farë mase konkurruese.
“Garat nuk janë domosdoshmërisht të lira ose të drejta, por as nuk janë tërësisht mashtrime, siç ndodh në regjimet autoritare. Si pasojë, regjimet hibride mund të kthehen drejt demokracisë përmes kutisë së votimit nëse një numër i mjaftueshëm votuesish janë të gatshëm të mbështesin udhëheqjen e re.
Megjithatë, thuhet në raport, siç ka paralajmëruar politologu Larry Diamond, “ndërsa një fitore e opozitës nuk është e pamundur” në zonën gri, “kjo kërkon një nivel të mobilizimit të opozitës, unitet, aftësi dhe heroizëm përtej asaj që normalisht do të ishte e mjaftueshme për fitoren në një demokraci.
“Vendet në Tranzicion” thotë se në nivele të ndryshme “këto tipare mund të shihen në zgjedhjet e fundit në Kosovë (2019 dhe 2021), Malin eZi (2020) dhe Moldovë (2020), si edhe në komunat e Banja Lukës dhe Sarajevës në Bosnjë dhe Hercegovinë (2020).
Sipas raportit, në të gjithë këto regjime hibride, opozita politike i tejkaloi pritshmëritë duke larguar pushtetarët./ VOA / KultPlus.com
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio, ka thënë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe meriton liberalizimin e vizave.
Kryediplomati italian këtë deklaratë e bëri në një konferencë ndërparlamentare të organizuar nga kryetari i Komitetit italian për Çështjet e Jashtme dhe BE, Piero Fassino.
Ndërkohë që ishte i dërguari i Romës në vendin tonë, Nicola Orlando që e bëri publik lajmin përmes një postimi në Twitter.
“Në konferencën ndërparlamentare të organizuar nga Piero Fassino, Luigi Di Maio bëri thirrje që Evropa ta mbështes Ballkanin Perëndimor pas negociatave të shumta të lodhshme në perspektivën e integrimit evropian. Ai theksoi se Kosova plotësoi të gjitha kriteret dhe meriton liberalizimin e vizave”. / KultPlus.com
Kosova ka rënë sivjet për tetë pozita më poshtë sesa vitin e kaluar, sipas raportit të “Reporterëve pa Kufij”, sa i takon lirisë së mediave në botë. Kosova hyn në grupin e vendeve me situatë problematike të lirisë së shtypit.
E për këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve i Kosovës.
AGK-ja thotë se renditja e Kosovës në vendin e 78-të në botë sa i përket lirisë së shtypit qëndron më mirë, duke e krahasuar me disa vende të rajonit.
“Megjithatë, rënia që ka pësuar Kosova për 8 vende në Indeks dëshmon gjendjen reale, jo të kënaqshme, të lirisë së medieve në Kosovë. Njëjtë si vitin e kaluar, raporti evidenton paqëndrueshmërinë e vazhdueshme të mediave, ku pothuajse si gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike. Aty theksohet se qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta, sipas raportit, janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet kibernetike ndaj mediave online, si dhe mungesa e transparencës sa i përket pronësisë së mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja thekson se “Sipas indeksit të ‘Reporterëve pa Kufij’, shumë media në Kosovë nuk kanë qëndrueshmëri financiare, gjë që i bën ato të ndjeshme ndaj ndikimeve politike. Shumë gazeta u ndaluan së botuari si pasojë e pandemisë COVID-19. Fati i shumë gazetarëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë konfliktit të fundit të vitit 1999 mbetet ende i panjohur, gjithashtu përmendet në raport”
Nga vendet e rajonit, sipas Indeksit, Kroacia e ka renditjen më të ulët, në vendin e 56-të. Vendet e tjera e kanë këtë renditje: Mali i Zi 104, Serbia 93, Shqipëria 83, Bosnjë dhe Hercegovina 58.
“AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari”. / KultPlus.com
Bashkimi Evropian ka konfirmuar se ka ndarë për Kosovën 95 mijë doza të vaksinës “Pfizer” në luftën kundër koronavirusit. Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shkruar në Twitter se “qëndrojmë përkrah partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor, siç i thashë edhe Albin Kurtit”.
“95 mijë doza të vaksinave të financuara nga BE-ja do të arrijnë në Kosovë që nga muaji maj e deri në fund të gushtit. Ne jemi këtu në këtë së bashku”, ka thënë ajo.
Bashkimi Evropian, përmes Austrisë, do të dërgojë në Kosovë 95 mijë doza të vaksinës kundër virusit COVID-19, të kompanive “BioNtech-Pfizer”, kanë bërë të ditur burimet e BE-së në Bruksel. Kosovës i është ndarë kjo sasi nga gjithsej 651 mijë doza sa Bashkimi Evropian do t’ua dhurojë gjashtë shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Këto doza të vaksinave do të nisin të shpërndahen në rajon që nga fillimi i muajt maj e deri në muajin gusht. Ato janë sasi e veçantë e siguruar nga BE-ja dhe nuk përfshihen në sasinë që shtetet e BE-së e kanë siguruar për vete.
Sasia më e madhe e dozave do të shkojë për Bosnje e Hercegovinën, së cilës BE-ja do t’ia dhurojë 214 mijë doza, pastaj Shqipërisë 145 mijë doza, Maqedonisë së Veriut 119 mijë dhe Serbisë 36 mijë doza. Serbia ka marrë më pak sesa vendet tjera për shkak se ajo tashmë ka avancuar shumë në procesin e vaksinimit, duke qenë në pozitë edhe më të mirë sesa vendet e Bashkimit Evropian. Burimet në BE kanë sqaruar se këto 651 mijë doza janë ndarë në bazë të nevojave për t’i vaksinuar kategoritë me prioritet dhe ato të rrezikuara, e jo në bazën pro-rata, pra në bazë të numrit të banorëve.
Bashkimi Evropian kohë më parë kishte ndarë një shumë prej 70 milionë eurosh shtesë për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për vaksinim. Por, ende asnjë dozë e vetme në asnjë vend të rajonit nuk ka ardhur si donacion i BE-së. Kjo ka bërë që të dëmtohet edhe imazhi i BE-së, ndërsa vendet e rajonit, sidomos Kosova, të jenë të dëshpëruara. BE-ja beson se kjo ndihmë do të jetë e dobishme në këtë moment dhe po punon që ndihma të vazhdojë pasi fjala është për një nevojë, e cila do të jetë më e gjatë.
Këto vaksina, sipas këtyre burimeve, ishin të gatshme edhe më herët, por procedura e kontraktimit të tyre, pagesave dhe shpërndarjes, është jashtëzakonisht e komplikuar. Kjo pasi ato duhet të transportohen dhe ruhen në kushte të ndjeshme, në temperatura shumë të ulëta. Nga ana tjetër, prodhuesi ka dashur të sigurohet se gjithçka në tërë zinxhirin e shpërndarjes të jetë sipas standardeve, në mënyrë që të mos ketë pasoja, pasi edhe duhet të merret përgjegjësia për efektet e vaksinimit.
Në emër të BE-së, Austria do të jetë shteti i cili do ta “fasilitojë” sigurimin e vaksinave. Ato do të paguhen nga BE-ja nga shuma prej 70 milionë eurosh, të cilën Bashkimi Evropian e kishte ndarë vetëm për të ndihmuar vaksinimin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në negociata për t’i siguruar këto vaksina ishin përfshirë në mënyrë trepalëshe BE-ja, vendet e rajonit dhe kompania “BionTech-Pfizer”. / Koha.net / KultPlus.com
Xhudistët kosovarë tashmë kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm duke bërë që Kosova të jetë përfaqësuesja më e suksesshme në Evropianin që të dielën përfundoi në Lisbonë të Portugalisë, shkruan KultPlus.
Kjo është e bërë e ditur nga vetë Driton Kuka nëpërmjet një postimi në Facebook i cili krahas fotos në të cilën Kosovës është në krye të listës, ka shkruar se nuk ka se çka të flas më shumë se kaq.
Bac u kry ….
Kosova mbi të gjitha 🇽🇰
Çka të flas më shumë!
Kështu përfundoj Evropiani i xhudos
#krenar
#proudcoach
Pesë nxënës të talentuar të shkollës fillore “Ismail Qemali” janë përzgjedhur që ta përfaqësojnë Kosovën në një ekspozitë që do të mbahet në Sanata Elema – Ekuador, më datën 21-26 qershor, dedikuar paqes për balena, përcjell KultPlus.
Sensi dhe talenti i tyre artistik, kreativ dhe piktoresk, i zhvilluar dhe motivuar nga mësimdhënësja e tyre e artit, Luljeta Muçaj, garanton një sukses që duhet vlerësuar.
Nxënësit pjesëmarrës janë; Ema Muçaj, Greta Qeska, Leandra Krasniqi, Riga Rama dhe Eris Sopi.
Ky është një nga shembujt inspirues të nxënësve të talentuar kosovarë./ KultPlus.com
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se të vaksinuarit në Kosovë nuk kanë pasur asnjë efekt anësor deri më tani.
Gjatë konferencën për medie në Qendrën e Vaksinimit, në sallën “1 Tetori”, Vitia tha se deri më tani ekipa emergjente nuk kanë pasur raste të ankesave nga personat të cilët janë vaksinuar, përcjell KultPlus.
“Te të gjithë qytetarët dhe personeli shëndetësor, vaksina nuk ka pasur asnjë efekt anësor apo efekt të padëshirueshëm që do të mobilizonte epiken mjekësore emergjente. Ata kanë pasur më së paku punë, që është lajm i mirë pasi vaksina deri më tani te askush nuk ka pasur efekte anësore”, theksoi Vitia.
Vitia tha se vaksina është e sigurt dhe ftoi të gjithë qytetarët mbi moshën 80-vjeçare që të lajmërohen dhe të vaksinohen. / KultPlus.com
Televizioni spanjoll “Telemundo 39” i ka kushtuar një kronikë televizive Kosovës, kjo falë një qytetari nga komuna e Klinës, Luan Jagoda i cili ka mësuar të flas spanjollisht dhe është një shikues i rregullt i këtij televizioni.
“Kjo storie që do të transmetojmë është e vështirë për tu besuar por është e vërtetë, bëhet fjalë për një shikues fanatik të Telemundo 39 dhe serialeve tona i cili jeton në anën tjetër të botës. Luani jeton në Kosovë, historia e tij është e mahnitshme” përshkruan prezantuesja tregimin e Luanit, transmeton KultPlus.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Luan Jagoda përmes një postimi në Facebook, i cili u shpreh i lumtur për këtë gjë.
“Nuk kam fjalë me përshkru çfarë ndjenje është kur që nga viti 1997 kur fillova të mësoj gjuhën spanjolle kurr nuk më kish marrë mendja se një ditë një televizion do të më dedikoj kohë e të më falënderoj për përkushtimin tim dhe dashninë që kam për Amerikën Latine, por kjo është Telemundo 39”, ka shkruar Jagoda në Facebook.
Ndryshe ditë më parë është zhvilluar edhe ndeshja futbollistike Kosovë-Spanjë. Kujtojmë se Spanja ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. / KultPlus.com
Mediat në Serbi janë alarmuar pasi një televizion në këtë shtet e ka paraqitur hartën e Kosovës të ndarë nga Serbia, por edhe Sanxhakun gjithashtu të ndarë nga ky shtet.
Në një emision të televizionit “BN TV”, me temën “Luftë në paqe, apo bashkëpunim”, ku ishte myftiu i Sanxhakut Muamer Zukorliq dhe profesori universitar Çedomir Antiq, siç shkruan “Novosti” është paraqitur harta e Kosovës, e ndarë nga Serbia me vijë të kuqe, kurse Sanxhaku me vijë të kuqe të më të theksuar paraqitet i ndarë nga Serbia dhe Mali i Zi, përcjell Telegrafi.
Sipas gazetës serbe “ndonëse vija ndarëse [e Kosovës] nuk është sikurse ajo e ndarjes me shtetet e tjera që kufizohet Serbia, në hartë nuk figuron emërtimi ‘Kosova dhe Metohia’, por vetëm Kosova”. / KultPlus.com
Gazeta e madhe spanjolle “AS” e ka bërë një skandal në prezantimin e tabelës në grupin në të cilin gjendet edhe Kosova.
Kjo e përditshme spanjolle, në versionin e saj online e ka publikuar tabelën momentale, pas barazimit të Spanjës me Greqinë, ndërsa Kosovën e ka injoruar duke mos e përdorur fare emrin e saj, ndërkohë që ia publikoi vetëm flamurin.
Një gjë e tillë nuk është bërë asnjëherë më parë ku prezantohen rezultatet dhe tabelat, qoftë edhe nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.
Spanja nuk e njeh Kosovën si shtet dhe mediat e atjeshme vazhdimisht e injorojnë vendin tonë.
Madje, javë më parë mediat e atjeshme shkruanin se në Spanjë nuk do të lejohet përdorimi i simboleve të Kosovës përkrah atyre të Spanjës, në ndeshjen e 31 marsit në Sevilla.
Por, më pas Federata Spanjolle doli me një komunikatë duke shpjeguar se do t’i respektojë simbolet shtetërore. /Gazeta Express/ KultPlus.com
Sot para 22 vitesh, NATO nisi sulmet ajrore ndaj caqeve të makinerisë serbe të luftës, për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi.
78 ditë pas fillimit të bombardimeve, Serbia u dorëzua.
Ambasadori i Kosovës në Holandë, Lirim Grajçevci në këtë përvjetor ia ka ndarë medaljen “Urdhëri i Lirisë”, pilotit të Forcave Ajrore Holandeze, Peter Tankink.
Tankink kishte marrë pjesë si pilot në fushatën bombarduese të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe në vitin 1999.
“Sot, ndërsa kujtojmë vuajtjet dhe sakrificën e popullit tonë, kujtojmë dhe nderojmë ata që e vunë veten në rrezik për të na ndihmuar në orën tonë më të vështirë. Njëri ndër ta është piloti trim i Forcave Ajrore Holandeze, Koloneli Peter Tankink, i cili që në natën e parë të bombardimeve të NATO-s, luftoi në qiellin e Kosovës me avionin e tij F-16, duke rrëzuar një avion të armikut, MiG-29 serb”, njofton në Facebook Grajçevci.
“Me këtë gjest trimërie, Kol. Tankink ka fituar tërë respektin dhe mirënjohjen tonë. Në dhjetorin e vitit të kaluar, kisha nderin e veçantë që t’ia dorëzoja Medaljen presidenciale, “Urdhëri i Lirisë””, ka shkruar më tej Ambasadori Grajçevci./ KultPlus.com
Kosova është renditur e 33-ta në gjithë botën në Indeksin Global të Lumturisë, që e ka përpiluar Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa në Gadishullin Ballkanik e ka përpara vetëm Slloveninë që zë vendin e 29-të, transmeton KultPlus.
Niveli i lumturisë te kosovarët është 6.3 nga 10 shkallë sa ka raporti.
Këtu përfshihen jeta e shëndetshme, bujaria, liria për të zgjedhur, mbështetja sociale e përshtypjet për korrupsionin.
Njerëzit më të lumtur në botë kanë dalë të jenë finlandezët.
Në përgjithësi, autorët e raportit thonë se njerëzit janë përmbajtur emocionalisht nga ndikimi i pandemisë COVID-19.
“Kemi bërë dy lloje pyetjesh. Një për jetën në përgjithësi dhe tjetrën për gjendjen emocionale, stresin, ankthin. Ajo që kemi vërejtur është qëndrueshmëria e njerëzve, megjithëse ne jemi akoma në mes të një krize të thellë”, thotë Jeffrey Sachs, bashkautor i Raportit Botëror të Lumturisë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sivjet janë radhitur në vendin e 19. Ndërsa Shqipëria është e 93-ta sa i përket lumturisë së banorëve të saj. / KultPlus.com
Ambasada e Republikës së Kosovës në Izrael, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka organizuar një takim virtual mes Ministrit të Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj dhe Ministrit të Shëndetësisë së Izraelit, Yuli Edelstein.
Sipas njoftimit për media, ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se Izraeli ka shprehur gatishmërinë që të shterojë të gjitha mundësitë, për ta ndihmuar Kosovën në sigurimin e dozave të nevojshme.
Takimi do të mbahet sot, e mërkurë (17 Mars) në ora 16:00.
Kosova ende nuk ka arritur marrëveshje me Pfizerin për vaksinat anti-Covid, ajo pritet të përfitojë 100 mijë vaksina përmes programit Covax. Bëhet fjalë për vaksinen AstraZeneca që në disa vende të Evropës është pezulluar. / KultPlus.com
Kosova pritet që shumë shpejt të bëhet vendi i radhës që hap një ambasadë në Jerusalem.
Madje “Israel Hayom“ka mësuar se diplomatët e vjetër nga të dy vendet do të marrin pjesë në ceremoninë e shënimit të hapjes së ambasadës që do të mbahet të hënën në Jerusalemin qendror.
Ky medium vë në pah faktin se të enjten, ministri i Jashtëm, Gabi Ashkenazi, si dhe kryeministri çek Andrej Babis ishin të pranishëm ndërsa Republika Çeke “pagëzoi” një degë të re të ambasadës së saj në këtë qytet.
Gjithashtu të enjten, thekson tutje ky medium, kryeministri Benjamin Netanyahu mbajti një samit me Babis dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.
“Netanyahu vlerësoi të dy vendet për veprimin e hapjes së zyrave zyrtare në Jeruzalem dhe tha se Izraeli i vlerëson ‘ata që na ndihmojnë në skenën ndërkombëtare, siç bëjnë miqtë e vërtetë’”./ KultPlus.com
Qeveria e Spanjës do të lejojë që Kosova të luajë me flamurin dhe himnin e saj në ndeshjen kualifikuese të futbollit për Botëror.
Kosovarët prisnin ndeshjen me Spanjën plot entuziazëm, sepse për kombëtaren që nisi para pak vitesh ndeshjet ndërkombëtare, Spanja paraqet një prej mbretërive të futbollit në Evropë.
Mirëpo, Federata e Futbollit të Spanjës, përmes një postimi në Twitter tregoi se nuk do të ishte aq miqësore. Ata i referoheshin shtetit kosovar si “territor i Kosovës”.
E tash, mediumi spanjoll El Konfidencial shkruan se Spanja do ta presë Kosovën, duke ia respektuar të gjithë simbolet e shtetit të pavarur, transmeton Gazeta Express.
Mediumi shkruan se ky është një hap në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila bën pjesë në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Ministria e Punëves të Jashtme të Spanjës, të cilën e citon mediumi, thotë se “politikisht kjo nuk e ndryshon pozicionin e Spanjës për Kosovën as edhe një centimetër”.
Në nëntor 2018, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi të përjashtonte Spanjën nga gara për vendosjen e pengesave në pjesëmarrjen e Kosovës, duke detyruar një përjashtim emergjent me garat Olimpike të mbuluara nga një dekret mbretëror i vitit 1982.
Mediumi spanjoll shkruan se tash janë FIFA dhe UEFA që e detyruan Spanjën të pranojë me vendosjen e të gjithë simboleve kosovare në Sevilje, ku do të luhet ndeshja.
Federata Spanjolle iu referohej Kosovës si “një territor” në rrjetet sociale, e kjo nxiti reagim të menjëhershëm nga rivali i saj i ardhshëm në fushë.
“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”, shkroi federata kosovare në një komunikatë, të cilën e citon mediumi spanjoll.
Kosova është në grupin B për kualifikime në botërorin e vitit 2022, bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë /Express/ KultPlus.com
Projekti “This is Kosovo” realizuar vitin e kaluar nga fotografi Ylber Kabashi rezultoi si shumë i suksesshëm duke marrë pëlqimin e publikut, e pikërisht kjo ishte arsyeja që e shtyri Kabashin për të sjellë pjesën e dytë të këtij projekti, shkruan KultPlus.
Përmes videos së shkurtër “This is Kosovo”, fotografi shpalos bukuritë natyrore të Kosovës, gjithmonë i magjepsur me to.
Video është realizuar me dron dhe përmes saj Ylberi synon t’i tregojë botës se Kosova është një vend shumë i bukur e i mbushur me vende mahnitëse që i ka krijuar nëna natyrë.
“Strategjia ime ndryshon gjatë kohës, por misioni im për vendin tim asnjëherë. Historia jonë më bën ta eksploroj këtë vend të bekuar e të kuptoj sakrificën. Duke ndjekur vizionin tim hap pas hapi”, thotë Kabashi për KultPlus.
Video nis me thënien e njohur të Hamëz Jasharit thënë me një intervistë para 23 viteve: Edhe Evropa t’i hap dyert për ne… ne nuk do ta lëshojmë!
Sipas Kabashit, kjo thënie është legjendare dhe ka mbetur në histori, ndërsa përmes këtij projekti ka dashur ta ripërtërijë.
Ai tutje tregon se këtë projekt e ka realizuar me shumë kënaqësi e njëkohësisht krenarë që këto bukuri po ju prezanton edhe të tjerëve.
“Edhe pse unë jam një eksplorues i bukurisë dhe sytë e mi janë mësuar të shohin pamje mahnitëse, natyra e Kosovës sime të dashur nuk pushon së më mahnituri. Shijoni pjesën e dytë të “This is Kosovo”. Shihni më shumë, ndjeni më shumë!”, thotë Kabashi. / KultPlus.com
Sot në Prishtinë do të mbahet promovimi i librit “Kosova: Histori e Shkurtër”, nga autori dhe historiani i njohur Jusuf Buxhovi, shkruan KultPlus.
Ky libër është përmbledhje e serisë së librave “Kosova”.
“Kosova – histori e shkurtër”, që doli këto ditë, e nis sot fushatën e promovimeve në Prishtinë, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini”.
Si pasojë e masave për parandalimin e pandemisë, numri i pjesëmarrëseve është i limituar.
Promovimet, me moton “Shteti i Kosovës e ka historinë e vet shumëshekullore”, do të mbahen ditëve në vijim edhe në disa qytete të Kosovës (Gjakovë, Pejë, Prizren,Ferizaj, Podujevë, Viti e të tjera) dhe në Shkup. / KultPlus.com
Këtë vit mbushen 22 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës ku rreth një milion ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës 1998-1999.
Forcat serbe, kishin dëbuar popullin e Kosovës me forcë nga shtëpitë e tyre, ndërsa vala më e madhe e refugjatëve ishte në Shqipëri.
E shqiptarët atje, ishin mjaft mikpritës me kosovarët që po iknin nga lufta, duke i hapur edhe shtëpitë e tyre e duke ndarë gjithçka bashkë. /express/ KultPlus.com