28 Nëntori përveç që ka qenë shënim i sukseseve kombëtare, sot është edhe ditë unfikuese për shqiptarët, shkruan KultPlus.
Këtë e dëshmuan tre ministrat shqiptarë nga tre vendet me popullsi shqiptare, teksa u lidhën në një video telefonatë.
Ministrja e Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradina-Stublla, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Gent Cakaj si dhe Ministri i Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u bashkuan virtualisht për këtë ditë të madhe të kombit.
Në një reagim në Facebook, lidhur me video-telefonatën, Kryediplomati Cakaj u shpreh se me homologët e tij, e nisën këtë ditë me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë. / KultPlus.com
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, sot mori pjesë në konferencën ndërkombëtare “Gentium Modeli i Kombeve të Bashkuara” që zhvilloi punimet në Indi me pjesëmarrjen e 27 përfaqësuesve të vendeve të ndryshme të botës.
Në fjalimin e saj të realizuar online për shkak të pandemisë, Ambasadorja Shala foli rreth rolit të dhënies së donacioneve për vendet me kriza humanitare në situata të jashtëzakonshme si kjo me pandeminë. Shembull konkret ajo ka përmendur Kosovën dhe donacionet e shumta që kemi pranuar këtë kohë nga organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe vendet mike. Ajo gjithashtu ka folur edhe për rëndësinë e punës vullnetare të të rinjëve tanë.
Në këtë konferencë, Kosova u cilësua si shembulli më i mirë i punës vullnetare që bëhet nga të rinjët duke u parë si shtet motivues për arenën ndërkombëtare.
Konferenca ishte organizuar me qëllim bamirësie ku të gjitha donacionet që u dhuruan gjatë dy ditëve të konferencës u dërguan në organizatën Save the Children në Yemen.
Për shkak të pandemisë, agjenda e Ambasadores Shala për përfaqësimin e Kosovës nëpër botë, në fushën e diplomacisë publike, do të vazhdoj online deri në vitin e ardhshëm. / KultPlus.com
Këngëtarja e famshme shqiptare, Rita Ora përgjatë bisedës në konferencën virtuale “Diaspora Flet 2020” me Erion Veliajn, u shpreh se ndjehet krenare për prejardhjen e saj dhe titullin që Kosova ia ka dhënë, shkruan KultPlus.
Përgjatë bisedës me kryebashkiakun e Tiranës, Ora shtjelloi tema të ndryshme, ndër të tjera ajo foli edhe për nacionalitetin që ka.
Këngëtarja Ora nuk kursei së shprehuri se ndjehet krenare për titullin që Kosova ia ka dhënë.
“Kam qenë gjithmonë entuziaste e të folurit kaq hapur e të pasurit titullin Ambasadore Nderi e Kosovës sepse ishte një nga momentet më të mira të jetës sime”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera ajo përmendi edhe mënyrën se si është rritur.
“Jam shumë krenare nga vij dhe prindërit e mi më kanë rritur duke folur shqip në shtëpi dhe me frymën e kulturës trashëgimisë dhe me këtë vjen krenaria, vendosmëria, disiplina dhe ti thjesht bëhesh më i vendosur nga ç’je, ndihem kaq e gëzuar që shoh artistë të famshëm që vijnë nga vendi im”, theksoj Ora.
11 vjeçarët Din dhe Arsim Paçarizi kanë qenë nxënës të klasës së tretë të shkollës së fshatit Dragobil të Malishevës.
Ishte 5 prilli 1989 dhe ata po luanin në fshat sikurse çdo ditë. Ishte ditë e mërkurë. Të nesërmen bëheshin fiks dy javë që Serbia me dhunë e tanke e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.
Dini dhe Arsimi akoma nuk e dinin se çfarë ishte as autonomia, as republika. Ata dinin të luanin, ndonëse e nuhatnin se diçka e jashtëzakonshme po ngjante në vendin e tyre. Atë të mërkurë, një konvoj ushtarak serb stacionohet në vendin e quajtur Golesh, në të dalë të fshatit të Dinit dhe Arsimit. Duke bërë “manovra”, zunë të shtinin në drejtim të Dragobilit.
Dy 11 vjeçarët vriten dhe i ngel në gjysmë loja. Faji i vetëm i tyre? Ishin shqiptarë. Dhe kushdo që ishte shqiptar nuk e meritonte as të luante, as të rritej, as të shkollohej. Serbia kishte vendosur që Dini dhe Arsimi nuk meritonin as të jetonin.
Kësisoj – një dhjetëvjeçar para Abrisë, Rezallës, Bellacërkës, Poklekut, Studimes, etj. – Serbia po e dëshmonte se ish në gjendje të luftonte me tanke kundër fëmijëve dhe foshnjave. E, Dini dhe Arsimi u bënë paralajmërimi që hasi në vesh të shurdhër të kancelarive botërore për atë çfarë do të bënte Serbia vite më pas.
31 vite më vonë, krimet serbe ndaj fëmijëve, grave dhe burrave shqiptarë vazhdojnë të jenë të pandëshkuara. Në vend të kriminelëve serbë po gjykohen luftëtarët shqiptarë, moshatarët e Dinit dhe Arsimit që vendosën të kapnin pushkët e lirisë për ta ndalur vrasjen e Dinëve dhe Arsimëve të tjerë.
Simboli i shtetit më të ri, obelisku New Born ka ndërruar pamje. Lulet dhe thëniet në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale janë ndërruar me ato që vetëdijësojnë shoqërinë për kujdesin ndaj fëmijëve, shkruan KultPlus.
Obelisku me ideator Fisnik Ismailin tanimë po shërben si përkrahje ndaj fushatës për vetëdijësimin ndaj kujdesit të fëmijëve dhe të drejtave që ata kanë. Kjo ka ardhur me inciativën e ‘’Rrite me dashni’’.
Motoja kryesore e kësaj pamje të re është “Dua të jem dhe zhvillohem në një botë ku unë kam të drejta”, teksa në anën tjetër në të janë shkruar të drejtat e fëmijëve, duke përfshirë ato ‘’arsim cilësor’’, ‘’ushqim, veshmbathje, shtëpi’’, ‘’mbrojtje nga dhuna dhe abuzimi’’, ‘’të mos u diskriminuar’’, ‘’mbrojtje nga puna e dëmshme’’.
Obelisku New Born herën e kaluar u dizajnua për të mbështetur fushatën ‘’Bëhu zëri im’’, e cila përkrah të mbijetuarit e dhunës seksuale. / KultPlus.com
Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura, t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj, t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet, t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara; ta di gjakun që të vlon në gji, dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta e të shpërthej do si vullkan:- më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë. Unë biri yt./ KultPlus.com
Ish këshilltari politik dhe këngëtari i njohur Genc Prelvukaj ka reaguar nëpërmjet një statusi për fushatën aktuale ‘’Liria ka emër’’, duke shprehur se kush mban emrin e lirisë sipas tij, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një shkrimit të gjatë, të nisur me ‘’Liria ka shumë emra’’, ai ka renditur përpjekjet shumëvjeçare të popullit shqiptar si rezistencë kombëtare. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kryengritjet, personalitetet, demonstratat studentore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë disa ngjarjet të cilat sipas tij mbajnë emrin e lirisë.
KultPlus ua sjell të plotë reagimin e Prelvukajt:
Liria ka shumë emra
Liria mban emrin e atyre shqiptarëve ortodoksë e katolikë të cilët i mbijetuan tjetërsimit etnik gjatë njëmijë e pesqind viteve pushtim.
Liria mban emrin e atyre shqiptarëve të besimit islam që u rreshtuan në linjën e forcimit të ndjenjës kombëtare, mbrojtjes së identitetit dhe luftës për çlirim.
Liria mban emrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që edukoi kombëtarisht masa të gjëra popullore
Liria mban emrin e kryengritësve të 1910-tës, të Kaçanikut e Carralevës të cilët përmes luftës dhanë shembullin më të mirë se si duhet liria.
Liria mban emrin e Hasan Prishtinës dhe Komitetit shqiptar të Kosovës të cilët vepruan, ranë dhe u burgosen për çlirim të vendit.
Liria mban emrin e të gjithe të burgosurve, të vrarëve, të helmuarve, të plagosurve e të dëbuarve përgjatë sundimit të mbretërisë Jugosllave.
Liria mban emrin e Ballit Kombetar dhe Nacional Demokratikes Shqiptare.
Liria mban emrin e masakrës sëTivarit, masakrës së Previsë, mundimeve të Goli Otokut.
Liria mban emrin e demonstruesve të 1968-tës, dhe personaliteteve që shtynë hapjen e Universitetit të Prishtinës.
Liria mban emrin e demonstruesve të 1981-tës, 1989-tës, Grevës së Minatoreve, fëmijëve të helmuar, të larguarve nga puna dhe atyre që në çdo formë bojkotuan pushtetin serb
Liria mban emrin e atyre që falen gjaqet, Anton Çettës, profesorëve që punuan pa kompensim në shkollimin paralel.
Liria mban emrin e organizatave ilegale sikurse Lpk-ja, Lkçk-ja, mban emrin e Isuf Gervallës, Enver Hadrit dhe Kadri Zekës
Liria mban emrin e Ibrahim Rugovës me shokë dhe levizjes së tyre për afirmimin e çështjes së Kosovës në botë.
Liria mban emrin e diaspores shqiptare që loboi, financoi dhe ndihmoi rezistencen brenda vendit.
Liria mban emrin e Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, Jasharajve, betejës së Kosharës, Junikut, Rahovecit, Llapushnikut, Pashtrikut, Llaushës e Llapashticës.
Liria mban emrin e Izbicës, Reçakut, Lybeniqit, Mejës, Krushës, të vrarëve e të zhdukurve
Kështu që :
Liria e Kosovës ndërlidhet me rezistencën e shkëlqyer të shqiptarëve gjatë shumë e shumë shekujve. Ndërlidhja e saj vetëm me disa individë përben synim politik dhe kësisoji është nëpërkëmbje e sakrificave të shumë brezave para nesh.
Liria mban vetëm emrin e popullit, një populli që nuk u nënshtrua kurrë. / KultPlus.com
Ajo i ka vetëm 16 vjet, por frymëzimet letrare i shkojnë përtej moshës. Shqiptarja nga diaspora, Gerta Miftari ka publikuar romanin e saj të parë në gjuhën angleze ‘Coldhearted Mafia Boss’, të cilën synon ta përkthej edhe në shqip, shkruan KultPlus.
Shqiptarët të cilët janë detyruar ta lënë vendin e tyre për shkak të një jetese më të mirë dhe arsyeve tjera, përveç që janë themeli i Kosovës për shumë gjëra, kanë qenë edhe krenaria jonë ndër vite. Një rast konkret është edhe Gerta Miftari, e cila jeton në Gjermani, ndërkaq prejardhjen e ka nga Vushtrria. Ajo është ende në klasën e 11-të të shkollës së mesme, mirëpo diapazoni i gjerë që ka e ka bërë ta sfidoj veten me publikimin e një libri. Mes gjuhës shqipe që i flet familja dhe asaj gjermane me të cilën shkollohet, ajo zgjodhi gjuhën angleze për të rrëfyer këndvështrimet e saja në një roman.
Letërsia të cilën e deshi shumë, nuk vazhdoj ta shikonte nga larg me admirim por, vendosi të futej në thellësitë e saj. Kështu nisi rrugëtimi i librit ‘Coldhearted Mafia Boss’, i cili përfundoj nga një shkrim në një fletë, në një roman të përmbledhur.
KultPlus ka marrë rrëfimin e gjithë këtij udhëtimi 13 mujor drejt finalizimit të romanit. Tanimë që ëndrra e Gertës është arritur, ajo thotë:
“Gjithmonë kam dashur të lexoj libra dhe prandaj romani erdhi në një mënyrë natyrale për mua”.
Ajo i hyri shtigjeve të vështira të letërsisë kriminalistike, duke i vënë personazhet përballë sprovave të mëdha jetësore, për të parë se sa të fuqishëm në të vërtetë janë.
‘’Tema lidhet me martesën e dhunshme por, ky nuk është problemi i vetëm. Qëllimi tematik ka qenë thellimi në sekrete dhe te njerëzit që mendojnë vetëm për pasurinë’’, shprehet Gerta Miftari.
Përpjekjet materiale të disave shkojnë përtej të duhurës, duke i bërë që të ndërrojnë këndvështrim dhe ta shohin paranë si gjënë më të shtrenjtë në jetë. Pikërisht këtë mesazh ka tentuar ta përçoj autorja e re vushtrriase.
‘Mesazhi im është të dihet se pasuria nuk është gjithçka. Gjithashtu është e rëndësishme të jesh i shëndetshëm dhe i lumtur. Pasuria nuk është, por janë edukimi dhe mësimi’’, thekson Miftari.
Gerta i bëri dy sfida të njëpasnjëshme në këtë roman. Njëren e bëri me të shkruarit e saj dhe tjetrën me gjuhën që përdori. Mirëpo, leximi i rregullt në një gjuhë të huaj ia ka lehtësuar asaj realizimin e këtij qëllimi.
‘’Lexoj shpesh libra në gjuhën angleze dhe prandaj shkrimi në këtë gjuhë mu duk normale për ta bërë’’, tha Gerta Miftari.
Në anën tjetër, përballja e rregullt me kriminalistikën e shkruar e bëri që të dal nga skutat e lexueses së thjeshtë.
‘’Jam e interesuar për këtë zhanër sepse e pëlqej. Poashtu është shumë interesante sepse nëpërmjet saj dimë më tepër dhe mësojmë se si t’i përgjigjemi pyetjeve tona’’, vlerësoj autorja e romanit ‘Coldhearted Mafia Boss’.
Librin e saj të parë, Gerta ka dëshirë ta përkthej në shumë gjuhë, në mënyrë që mesazhi i saj të shkoj në shumë audienca. Gjermanishtja dhe frëngjishtja janë disa nga to mirëpo, ajo që ka më së shumti rëndësi për të mbetet gjuha identitare e saj.
‘’Unë jam shqiptare me zemër, kështu që përkthimi i librit tim në gjuhën shqipe është një ëndërr që do të realizohet një ditë’’, shprehet autorja optimiste.
Tutje, ajo synon të shkruar një libër në zhanrin e fantazisë sepse e pëlqen këtë frymë letrare. ‘’Coldhearted Mafia Boss’’ do të mbetet libri i saj i parë në rrugëtimin letrar. /KultPlus.com
Joe Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale përballë Donald Trump.
Lidhja e presidentit të ri amerikan, është e kahmotshme me vendin tonë, i cili jo rrallë-herë në deklaratat e tij publike e ka përmendur Kosovën.
Në një fushatë elektorale në SHBA, ai tha se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, dhe jo pjesë e Serbisë.
Biden kishte japur këto deklarata pasi që ishte pyetur për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë.
Deklarata të fuqishme ndërkaq Biden kishte dhënë edhe gjatë vizitës së tij në Kosovë teksa ishte takuar me liderë të shtetit.
“Nuk e di cila është marrëveshja. Ajo çka argumentoj në lidhje me Kosovën dhe Serbinë është se: Kosova duhet të jetë shtet i pavarur, jo pjesë e Serbisë”,
“SHBA-të e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme, nuk do të ndryshojë. Një Kosovë e bashkuar, e pandarë është absolutisht esenciale. Është pjesë bazike e ndërtimit të shtetit”,
“Kosova nuk është vetëm, ju keni miq në të gjithë botën që janë të gatshëm t’iu ndihmojnë, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë miku juaj më i madh”
“Suksesi juaj, është mbizotërues në interesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëse ju keni sukses, edhe regjioni do të ketë sukses”/KultPlus.com
Gjatë fushatës në garën për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani i zgjedhur president Joe Biden, kishte thënë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
Në një letër drejtuar shqiptaro-amerikanëve gjatë fushatës, Bideni kishte thënë se mbështet dënimin e krimeve në Kosovë dhe do të kërkojë drejtësi për të zhdukurit.
“Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, me qëllimin për të lehtësuar një zgjidhje stabilizuese – të drejtë dhe gjithëpërfshirëse midis dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe të arrihet njohja reciproke”, ishte thënë në deklaratën e Bidenit.
Këto ishin ndër pikat kryesore të deklaratës së tij në tetor:
– Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare
– Joe Biden ka përkrahur ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës më 1999
– Biden kritikon politikën e “pabalansuar” të Trumpit ndaj Kosovës dhe Serbisë/ KultPlus.com
Viti 1999. Koha e trazirave dhe bombardimeve në Kosovë. Kur krejt shqiptarët kishin kthyer sytë kah Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kërkim të një veprimi për ndaljen e luftimeve, aty ishte Joe Bideni bashkë me një sërë senatorësh që po bënin përpjekje për një zgjidhje.
Duke qenë asokohe senator demokrat nga shteti i Delawares, Bideni ishte bërë njëri prej iniciuesve të një rezolute për kauzën e Kosovës. Me të do të kërkohej autorizimi i presidentit të atëhershëm, Bill Clinton, për nisjen e një operacioni të menjëhershëm ajror kundër Republikës Federale të Jugosllavisë.
I gjithë fokusi i tij te Kosova asokohe buronte nga angazhimi i mëhershëm në çështjet që ndërlidheshin me Ballkanin. Pas një vizite të 1993-s në Bosnje e Hercegovinë, Bideni ishte ai që qe ngritur kundër luftimeve atje, duke e akuzuar madje presidentin Cinton se po i anashkalonte vrasjet e myslimanëve të Bosnjës.
Me përvojën nga Bosnja, ai u bë një prej forcave shtytëse që u dha fund masakrave dhe dëbimeve të shqiptarëve nga Kosova, nga regjimi i Milosheviqit. Ishte ky angazhimi i tij i parë i drejtpërdrejtë në Kosovë, por jo edhe i fundit.
Demokrati e vazhdoi përkrahjen për Kosovën edhe pas përfundimit të luftës. Kësaj radhe për zbardhjen e krimeve serbe. Nëpërmjet një fjalimi para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, të cilin dikur edhe e drejtoi, ai i numëroi krimet e rënda dhe përdhunimet sistematike nga forcat serbe.
Tani presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, Biden më 2008 qe njeriu që mbështeti fuqishëm shpalljen e pavarësisë.
Menjëherë pas 17 shkurtit, ai vizitoi Kosovën për të përçuar mesazhin se pavarësia e saj është e pakthyeshme dhe nuk do të ndryshohet. Tha se si tërësi dhe e bashkuar, Kosova është “një nevojë e politikës amerikane”.
Për angazhimin e tij, në maj të 2009-s, liderët politikë të Kosovës e dekoruan Bidenin me medalje të artë të lirisë.
Pas çlirimit të Kosovës më 1999, ai merrte informata të dorës së parë për atë që po ndodhte këtu nga i biri i tij, Beau Biden, i cili u angazhua në trajnimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë në kuadër të misionit të OSBE-së.
Katërmbëdhjetë vjet pas kësaj, Beau vdiq nga kanceri, në moshën 46-vjeçare. Një vit pas, Joe Biden erdhi sërish në Kosovë ku mori pjesë në përurimin e një rruge në Ferizaj, që mbante emrin e të birit të tij të ndjerë.
Këtë rast e shfrytëzoi për të rikonfirmuar përkrahjen ndaj popullit të Kosovës dhe për t’ia tërhequr vërejtjen rreth një rreziku që po e kanoste. Tha se korrupsioni është “kanceri” që gërryen materien e çdo shoqërie. Biden foli edhe për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kosovën në agjendë, ky politikan i karrierës e riktheu sërish vetëm pak ditë më parë.
Nëpërmjet një dokumenti që shpalosi vizionin e fushatës së tij dhe të bashkëgarueses, Kamala Harris, ai potencoi se pavarësia e Kosovës do të jetë e pakthyeshme, Kosova do të ketë trajtim të barabartë në dialog me Serbinë, në atë që do të çonte drejt njohjes reciproke dhe gjithmonë duke ruajtur integritetin territorial të Kosovës./Koha/ KultPlus.com
Darëzeza e Fierit mori një tjetër dimension turistik.
Me qindra pjesëmarrës nga gjithë Shqipëria e Kosova përjetuan spektaklin e rrallë të hipizmit në vijën bregdetare Darëzezë – Pishporo.
Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi lidhur me organizimin e këtij eventi të rëndësishëm sportivo turistik u shpreh se “kalorës të apasionuar pas kalërimit nga Fieri, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi i vunë një kurorë të artë turizmit tonë bregdetar”.
“Mirënjohje për organizatorët fierakë dhe Shoqatës “Bilali” të hipizmit që e kthyen Darëzezën tonë në pistën me fantastike të hipizmit mbarëkombëtar”- tha Subashi.
Për herë të parë bregdeti i Darëzezës në Fier është shndërruar në një “pistë” hipizmi.
Iniciatorët e kësaj gare u bënë disa të rinj fierakë, të cilët prej janarit të këtij viti çdo ditë për hobi bënin shëtitje me kuaj në bregdet. Gara u zhvillua në bregdetin e Darëzezës dhe Pishporos për shkak të gjatësisë të pandërprerë, prej 10 km.
Gjatë aktivitetit u zhvilluan dy gara, një garë shpejtësie ku marrën pjesë 15 kalorës që zgjati 1 minutë dhe gara tjetër zgjati më shumë. Gara e gjatë e rezistencës është e gjatë 10 km, vajtje ardhje nga Darëzeza në Pishporo dhe nga Pishporo deri tek grykëderdhjen e Vjosës ku kufizohet Fieri me Vlorën.
Hipizmi është prej shekujsh një sport i preferuar për adhuruesit e tij, i cili sjell emocione dhe adrenalinë të papërshkrueshme. Mund të ushtrohet nga të gjithë grupmoshat. Ky sport vë në lëvizje të gjithë pjesët e trupit si dhe mendjen në të njëjtën kohë./ atsh/ KultPlus.com
Ish-anëtari i Kongresit amerikan, përgjatë kohës sa Bill Clinton ishte president, Eliot Engel, ka rikujtuar kohën kur nuk u la të futet në Kosovë nga Millosheviçi më 1995-ën për të kryer funksione diplomatike.
I ftuar për intervistë nga Instituti për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Nju Jork, Engel ka thënë se kishte parashikuar se një ditë Kosova do të çlirohet dhe nuk do jetë më prezenca e “kasapit ballkanas”, Slobodan Millosheviç.
“Në vitin 95 gjatë zgjedhjeve u thashë përfaqësuesve të mi se Millosheviq nuk më lejoi të futem në Kosovë dhe u thashë atyre se do të vijë kohë kur nuk do ta lejoj të hyjë brenda”, deklaroi ai.
Tutje, ai tregoi edhe për kujtimet që mban nga lufta në Kosovë e 1999-ës.
“Ende mbaj fotografi të njerëzve të vdekur në Kosovë, në mënyrë që të përkujtoj se ne e parandaluam një gjenocid”, shtoi ai./ KultPlus.com
Dy të rinj nga Kosova me banim në Zvicër, kanë udhëtuar në Horën e Arbëreshëve për ti bërë premtimin e dashurisë njëri-tjetrit. Ka qenë dëshira e madhe e tyre për tu njohur nga afër me kulturën arbëreshe çka i ka shtyrë dy të rinjtë shqiptarë të udhëtojnë shumë kilomentra larg.
Alma dhe Milazim përveç dëshirës për të njohur vendin, dëshironin përvojën e plotë arbereshe ndaj edhe kanë kërkuar të vishen me kostumet tradicionale arbëreshe.
Alma veshi fustanin të cilin e mbajnë shumë vajza arbëreshe dhe Milazimi kostumin e djemve. Ky udhëtim dhe propozimi në Horën e Arberëshëve, ishte një ëndërr e bërë realitet për vajzën shqiptare.
“Një emocion i madh për mua, falënderoj përzemërsisht arbëreshët që na ndihmuan pa hezitim. Siguruan këtë veshje të bukur, dhe serenatat e magjishme” është shprehur arbëreshi Giorgoi që ndihmoi çiftin në këtë eksperiencë.
Një përvojë e bukur e paharrueshme për një çift shqiptar që edhe pse jeton në Zvicër nuk harron origjinën dhe mban gjallë dashurinë për kulturën dhe traditat. Arbëreshët u treguan të gatshëm për tja bërë edhe më të bukur këtë ditë dy të rinjve./diasporashqiptare/ KultPlus.com
Botuesi amerikan i ” Kosovës” në tri vëllime në anglisht, “Jalifat Publishing” nga Houstoni i Teksasit, njofton për një interesim të shtuar për librin në treguan amerikan dhe atë kanadez të librit të shkrimtarit Jusuf Buxhovi.
Krahas shitjes online në Amazon, libri po kërkohet edhe nga institutet dhe bibliotekat universitare, ngaqë është radhitur në kuadër të teksteve të rekomanduara të literaturës për historinë e Europës Juglindore.
Botuesi R. Tafilaj, thekson se kohëve të fundit, komuniteti shqiptar në SHBA, ka shtuar kërkesat jo vetëm për versionin në anglisht, por edhe për atë shqip, në shtatë vëllime. / KultPlus.com
Ines Demiri, diplomatja e njohur kosovare me orgjinë hebreje, është emëruar si e Ngarkuar me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael.
Lajmin e bëri të ditur vetë Demiri në rrjetin social Facebook.
“E nderuar që jam emëruar si e Ngarkuar me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael! Pres me padurim këtë sfidë të madhe që nënkupton edhe pasionin tim të madh për të thelluar edhe më tej marrëdhëniet midis Kosovës dhe Izarelit“, shkruan Ines Demiri e cila është vajza e Votim Demirit, kryetarit të Bashkësisë Hebreje të Kosovës. / KultPlus.com
Fëmijët në Itali janë kthyer në shkolla. Në mesin e nxënësve që janë kthyer në bankat e shkollës, janë edhe shumë fëmijë të mitur të pashoqëruar, të cilët kanë mbërritur të vetëm në shtetin italian.
Ministria italiane e Punës dhe Politikës Sociale e ka publikuar raportin e sivjetmë për të miturit e huaj të pashoqëruar në Itali. Nga ky raport del se më së shumti fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali vijnë nga Kosova dhe Shqipëria, shkruan Gazeta Express.
Në 100 të mitur të pashoqëruar, 32 vijnë nga Kosova e Shqipëria (dy vjet më parë ishin 11), 21 nga Bangladeshi, Pakistani e Afganistani (përqindja u trefishua), 19 nga Afrika Mesdhetare dhe 17 nga Afrika nën-Sahariane (ishin 36 dy vjet më parë). Në statistikë, refugjatët “politikë” shfaqen nën titullin “të tjerët”; numerikisht jo shumë të rëndësishëm, por njerëzisht dhe politikisht shumë të rëndësishëm.
Ndryshe nga të rriturit, të miturit nuk mund të refuzohen ose dëbohen nga Italia, shkruan e përditshmja italiane “Il Fatto Quotidiano”. Strukturat e shtetit italian kujdesen për ta derisa ta arrijnë moshën madhore, duke u siguruar akomodim, kujdes shëndetësor dhe edukim.
Për ta ofrohen të njëjtat forma të mbështetjes si për të miturit italianë në vështirësi ose pa mbështetje familjare. Çdo gjashtë muaj, Ministria e Punës dhe Politikave Sociale harton një raport për situatën e këtyre fëmijëve.
Raporti ministror tregon se janë 5 mijë e 16 fëmijë të huaj të pashoqëruar në Itali, nga të cilët 4 mijë e 778 janë meshkuj dhe 238 femra. 64% e tyre janë 17 vjeç, 24% janë 16 vjeç, ndërsa 12% janë 15 vjeç ose më të rinj. 13 mijë e 151 fëmijë të kësaj kategorie ishin në Itali dy vjet më parë, ndërsa 7 mijë e 272 në vitin 2019. Kështu, në dy vjet numri ka rënë për gati dy të tretat. Një shkak për këtë është se 16-17-vjeçarët e viteve të kaluara tani janë rritur.
Pasi mbërrijnë dhe regjistrohen në Itali, këta të mitur vendosen në vende të caktuara. Ndërkohë, Gjykata rajonale për të Mitur cakton një kujdestar për ta. /KultPlus.com
Ralph Hammerthaler ka prezantuar në Neurupin të landit gjermn Brandenburg librin e tij të ri “Kosovos Töchter” (Bijat e Kosovës).
Ky roman që merret me gratë magjepsëse, anarkike-feministe që duan të pushtojnë Ballkanin, është prezantuar të premten në festivalin e letërsisë së udhëtimeve „Neben der Spur“, përcjellë KultPlus.
Romani i ri i Hammerthaler “Kosovos Töchter” nga shtëpia botuese Quintus do të dalë në treg pak disa ditësh. Premiera zyrtare e leximit do të zhvillohet më 1 tetor në Berlin.
“Kosovos Töchter” ka të bëjë me gra nga vende të ndryshme në Evropën Juglindore që depërtojnë në një parti të quajtur “V.!”, në Kosovë në mënyrë që të përhapin idealet e tyre anarkike-feministe në të gjithë Ballkanin.
Një gjerman i cili kishte shërbyer si ushtar në Kosovë në vitin 1999 udhëton sërish në këtë vend pas gati 20 vjetësh. Ai përpiqet të gjejë një 14-vjeçare të atëhershme të cilën atëbotë e kishte vizituar shpesh dhe kishte bërë miqësi me të. Që atëherë, nuk kishte mundur ta hiqte nga koka fytyrën e asaj vajze.
Romani është pjesërisht fiksion
Një pjesë e romanit të tij është sigurisht fiksion, është shprehur Hammerthaler. Si trillim duhet kuptuar gjithashtu faktin që të gjitha gratë e lëvizjes nëntokësore në rritje brenda partisë mbajnë me vete një kamë (thikë) të stilizuar por që mund të përdoret edhe si armë. Dhe ato (gratë) mund të bëjnë magji.
Hammerthaler thotë se gjithmonë e kishin frymëzuar personazhet e trilluara magjike të Michail Bulgakovit, trasnmeton albinfo.ch. Atëherë pse jo edhe gratë në romanin e tij?
Hammerthaler ka bërë shumë hulumtime në Kosovë për librin e tij. Një herë madje ka qëndruar atje për tre muaj pa ndërprerje. Ai kishte shikuar se ku qëndronin ushtarët gjermanë në Prizren dhe kishte zbuluar se bëhej shaka me “Banjon e Prizrenit”…
Gjatë hulumtimit të tij ai gjithashtu ka takuar shumë gra, tha shkrimtari. Këto “gra feministe në një shoqëri jashtëzakonisht patriarkale” e kanë bindur atë që të mos kufizohet vetëm në të shkruarit rreth një ushtari gjerman që kthehet në Kosovë.
Kur një dëgjues pyeti gjatë seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve në fund të leximit nëse këto kama ekzistonin me të vërtetë si një shenjë e një lëvizjeje feministe në Ballkan, Hammerthaler nuk u përgjigj, sepse realiteti i tij qëndron diku tjetër, përcjell atutje albinfo.ch. Kamat sigurisht që janë pjesë e së vërtetës letrare: “Unë uroj që ju ta pëlqeni historinë si të tillë dhe të mos bëni dallimin midis së vërtetës dhe trillimit”. /albinfo/ KultPlus.com
Ka përfunduar Olimpiada e 61-të e Matematikës Ndërkombëtare e cila këtë vit është organizuar në formatin online. Ekipi i Kosovës ka arritur të fitoj pesë Mirënjohje Nderi, shkruan KultPlus.
Në njoftimin e bërë nga Shoqata e Matematikanëve të Kosovës në rrjetin social Facebook tregohet se Mirënjohje nderi kanë fituar nxënësit Dren Neziri, Lorik Ramosaj, Bardh Osmani, Andi Sejdiu dhe Florian Shabani.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tyre të plotë:
Përfundoi me sukses Olimpiada e 61-të Matematike Ndërkombëtare, e organizuar në formatin online. Ekipi i Kosovës arriti rezultate solide dhe fitoi pesë Mirënjohje Nderi.
Mirënjohje Nderi kanë fituar nxënësit: Dren Neziri (8 pikë), Lorik Ramosaj (8 pikë), Bardh Osmani (8 pikë), Andi Sejdiu (7 pikë) dhe Florian Shabani (7 pikë).
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e përgëzon Ekipin e Kosovës për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës në këtë olimpiadë prestigjioze!
Shoqata e Matematikanëve të Kosovës mbetet e përkushtuar të kontribuojë me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që ka në dispozicion për t’i mbështetur të rinjtë e talentuar në fushën e matematikës./ KultPlus.com
Majat e bjeshkëve të Rugovës janë zbardhur nga bora e parë që ka filluar të bjerë pasditen e së shtunës.
Përderisa në vendet tjera të Kosovës po mbretërojnë temperatura mesatarisht të larta, në bjeshkët e Rugovës ka rënë bora e parë.
Tashmë jemi në stinën e vjeshtës, megjithatë, në bjeshkët e Rugovës ka rënë edhe bora e parë.
Kjo është bërë e ditur përmes disa fotografive të postuara në rrjetin social Facebook nga një qytetar. “Bora e parë 2020. Rugovë, Kosovë”, ka shkruar B.K në Facebook.
Nga 28 shtatori, Kosova është larguar nga lista e karantinës në Zvicër.
Kujtojmë faktin se kanë kaluar më shumë se dy muaj që kur Zvicra, në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit e pati vendosur në listën e vendeve të rrezikut, të njohur si lista e “karantinës”.
Në këtë listë zënë vend shtetet ose regjionet e shteteve të caktuara, në të cilat shkalla e infeksionit gjatë dy javëve të fundit kalon mbi 60 raste në 100 mijë banorë.
Zyra Federale e Shëndetit publik (BAG) ka bërë riaktualizimin ose përditësimin e listës. Dhe, në varësi nga këto zhvillime, ajo ka hequr ose ka vendosur shtetet përkatëse në listën e karantinës.
Lista e re do të hyjë në fuqi të hënën, 28 shtator, siç është njoftuar nga BAG. Kushdo që hyn nga një prej vendeve të rrezikut duhet të jetë në karantinë për dhjetë ditë.
Përveç Portugalisë, Belgjikës dhe Britanisë së Madhe, Zyra Federale tani ka shtuar në listë Danimarkën, Irlandën, Islandën, Slloveninë, Hungarinë dhe Marokun, trasnmeton albinfo.ch. Nga vendet në Lindjen e Mesme, Omani përsëri konsiderohet një vend me rrezik.
Lista e azhurnuar përfshin gjithashtu zonat e Bretanjës në Francë, Ligurisë në Itali dhe shteteve federale të Austrisë së Epërme dhe Austrisë së Poshtme në Austri.
Ndërkaq, BAG ka nxjerrë nga lista dy vende të Evropës: Kosovën dhe San Marinon. Dsiç ështëm shkruar tashmë, Kosova prej më shumë se dy javësh ka një numër të ulët infeksionesh, konkretisht nën 60 në 100 mijë banorë. Ndërsa ditëve të fundit, ky numër ka rënë në 52.
Qeveria federale ka vendosur kriteret për vendet me rrezik në një rregullore: Këto janë vende në të cilat numri i infeksioneve të reja për 100,000 banorë në 14 ditët e fundit ka kaluar më shumë se 60. / KultPlus.com
Është bërë e ditur se zyrtarët amerikanë janë të interesuar për të investuar në resortin turistik, në Brezovicë dhe se Qeveria e Kosovës dhe Oda Ekonomike e shohin një mundësi të mirë për ta ringjallur qendrën e skijimit.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke mos dashur të japin detaje, konfirmojnë për Radion Evropa e Lirë se një mundësi e tillë ka gjasa të ndodhë pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike në Uashington me datë 4 shtator.
Po ashtu, duhet theksuar se detaje për investime të mundshme janë diskutuar ditën e hënë kur një delegacion amerikan i prirë nga i dërguari i posaçëm për negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, vizitoi Kosovën.
I pari që përmendi interesimin amerikan ishte kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA, Adam Boehler, pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.
Delegacioni amerikan qëndroi në Kosovë dhe Serbi vetëm pak ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik.
“Projekti i kaluar ka qenë 450 milionë euro dhe është vështirë të financohet një projekt i tillë. Ka qenë besoj i ekzagjeruar. Qeveria e Kosovës duhet ta ndajë në disa faza projektin. Ta shoh mundësinë se ku mundet të investojë qeveria, ku mundet DFC-ja [Korporata Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim] dhe pastaj ku mund të investojë edhe sektori privat, sepse nuk ka nevojë të jetë komplet me një investitor të vetëm”, thotë Rukiqi.
Njëjtë si për projektet e tjera, as për projektin e Brezovicës nuk është përcaktuar struktura financiare përmes së cilës pritet që të jetësohet ky projekt.
Përfshirja amerikane, garanci për jetësim të projektit
Që nga përfundimi i luftës, Brezovica ka qenë një problem politik mes Kosovës dhe Serbisë.
Ashtu sikur edhe për pasuritë tjera në Kosovë, shteti i Serbisë, vazhdon të ketë pretendime mbi pronësinë e kompleksit turistik në Brezovicë vend ky që ndodhet në komunën e Shtërpcës me popullatë kryesisht serbe.
Por, përveç problemeve politike, Qeveria e Kosovës dështoi që ta trajtojë Brezovicën edhe në aspektin ekonomik.
Konsorciumi francez “MDP Consulting –Compagnie des Alpes” u shpall fitues për privatizimin e qendrës turistike në Brezovicë në vitin 2014, me një çmim prej 409 milionë euro, nga të cilat 165 milionë pritej të investoheshin gjatë tre vjetëve të parë, si dhe ishte premtuar hapja e 4.000 vendeve të reja të punës.
Vetëm dy vjet më vonë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, njoftoi se kishte dështuar privatizimi për shkak se konsorciumi i udhëhequr nga kompania franceze, kishte dështuar që t’i përmbushte obligimet financiare.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, beson se është krijuar një momentum që duhet shfrytëzuar.
Zotimi i SHBA-së për të ndihmuar në jetësimin e projektit të Brezovicës sipas Gërxhaliut, zgjidhë problemet e kamotshme.
“Amerikanët kanë targetuar disa pika të nxehta, qoftë me Ujmanin qoftë me Brezovicën, dhe dua të besoj që një qasje e tillë do të rezultojë me gjenerimin e efekteve pozitive në Brezovicë pasi që është vërtet një resor me rëndësi ekonomike. Brezovica e ka një specifikë më vete që ka edhe multi-etnicitet, pra e ka edhe rëndësinë politike dhe dua të besoj se gatishmëria amerikane që të investojë në këtë drejtim, do të japë rezultate”, thotë Gërxhaliu.
Investimet në Brezovicë rrisin turizmin ndërkombëtar
Mungesa e investimeve në qendrën e skijimit në Brezovicë i ka shkaktuar miliona euro humbje Kosovës, thotë Baki Hoti, kryetar i Unionit të Turizmit në Kosovë.
“Asnjë qeveri deri tash nuk e ka pasur prioritet turizimin, pavarësisht se turizimi është një ndër faktorët kryesorë ekonomikë të vendit dhe një sektor, i cili punëson një numër tepër të madh të qytetarëve. Po të ishte e rregulluar pjesa e Brezovicës, mendoj se 99 për qind do të kishim vizitorë më shumë. Brezovica është vendi më i mirë në Ballkan, nëse do të ketë investime kuptohet”, thotë Hoti.
Ai thekson se komuniteti i turizimit në Kosovë ka kërkuar vazhdimisht nga institucionet e Kosovës që të investojnë në projekte që kanë një rëndësi të veçantë turistike siç është ai i qendrës së skijimit në Brezovicë.
Investimet e mundshme në Brezovicë, sipas Hotit, do të kthenin një numër të madh vizitorësh qoftë nga Ballkani, por edhe nga vendet e ndryshme të Evropës.
Çfarë është Brezovica sot?
Investimet më të mëdha në Brezovicë ndodhën në vitet ‘70, në kohën e ish-Jugosllavisë.
Në vitet pasuese u ndërtuan hotelet, teleferikët dhe objekte të tjera të rëndësishme për operimin e këtij lokacioni turistik.
Asnjë investim i madh në infrastrukturë nuk ka ndodhur për më shumë se tri dekada në këtë vend. Aktualisht, qendra e skijimit operon me kapacitete të kufizuara dhe me infrastrukturë të vjetruar.
Në 20 vjetët e parë të ndërtimit të saj, qendra e skijimit në Brezovicë ishte ndër më të vizituarat në rajon. / KultPlus.com
Kosova ka zënë vendin e 64’t në një listë prej 179 vendesh të botës, për nivelin e demokracisë.
Shteti më i ri i Evropës, sipas listës së publikuar nga Radio Evropa e Lirë, është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, transmeton KultPlus.
Pas Kosovës pozicionohet Maqedonia e Veriut, që ka zënë vendin e 71’të, dhe Bosnja e Hercegovina, që pozicionet e 83’ta.
Shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Mali i Zi, dhe Serbia, janë listuar si vende autokratike.
Shqipëria është renditur e 87’ta, Mali i Zi i 99’ti, ndërkaq Serbia e 139’ta.
Nga shtetet tjera ballkanike, Kroacia është vlerësuar si shtet demokratik, duke zënë vendin e 55’të, ndërsa më së miri qëndron Sllovenia, në pozitën e 34’t. / KultPlus.com
Bill Clinton do të mbahet mend si një ndër figurat ndërkombëtare më me ndikim në çlirimin e Kosovës nga okupimi serb, shkruan KultPlus.
Mirëpo, ndikimi indirekt qe Hillary Clinton e ka pasur në këtë mes, nuk është për të mos u vënë në pah, pasi në disa dokumentar amerikan të realizuar rreth çështjes së Kosovës, ndikimi i Hillary Clinton-it në këtë drejtim nuk ka qenë i vogël.
Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilen Clinton e kishte thënë kohë më parë në një konferencë për media.
‘Nuk jam penduar për bombardimin e Serbisë, do t’i bombardoja prapë‘, ishte shprehur ajo me vendosshmëri të lartë. / KultPlus.com