Kosova e përsërit dështimin në testin PISA, renditet në fund

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë.

 Madje në disa fusha ka edhe regres. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e rangon Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse. Ajo lë pas vetëm Republikën Dominikane dhe Filipinet.

Testi PISA mat aftësitë e nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë. KALLXO.com ka siguruar raportin e rezultateve të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve, PISA, e cila organizohet nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD.

Kosova mori pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018 ndërsa në PISA-n e vitit 2015 ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve.

Rezultatet e testit PISA maten me indeksin e mesatares së OECD që në lexim është 487, në matematikë 489 dhe në shkencë 489.

Nxënësit kosovarë performuan nën këtë mesatare duke shënuar në lexim 353, në matematikë 366 dhe në shkencë 365.Në anën tjetër, në vitin 2015, në lexim Kosova kishte shënuar 347, në matematikë 362 dhe në shkencë 378.

PISA gjithashtu bën matjen e rezultateve në  6 nivele ku nivelet 1-2 tregojnë performancë të ulët, 3-4 performancë mesatare dhe 5-6 performancë të lartë.Sipas raportit, 66 për qind të nxënësve kosovarë të testuar performuan nën nivelin e dytë, pra shumë dobët. Ndërsa vetëm 0.1 për qind e të testuarve ishin në nivelet 5-6  (mbi mesatare).

Sot pritet që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë edhe zyrtarisht të bëjë publikimin e këtyre rezultateve

Testi PISA 2018 në Kosovë ishte mbajtur nga 11 prilli deri më 5 maj, ku në këtë testim kanë marrë pjesë 5 mijë e 370 nxënës nga 211 shkolla nga e gjithë Kosova.

Për testin PISA, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës.

Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test është organizuar në mënyrë digjitale.

Poeti Mulaj: Po du vetëm me kjajt si fëmija kur shoh këtë foto

Një tërmet i fuqishëm shkundi Shqipërinë ku pas lëkundjeve të njëpasnjëshme, ai i orës 03:55 të mëngjesit të së martës, me magnitudë 6.4 ballë, rrëzoi pallate e shënoi dëme të shumta, duke lënë fatkeqësisht 13 viktima.

Ushtria e Kosovës janë nisur menjëherë drejt Shqipërisë për të ju dalë në ndihmë. I gjithë vendi është mobilizuar që t’i ndihmojnë qytetarët në çfarëdo forme, madje shumë prej tyre kanë deklaruar që dyert e shtëpisë janë të hapura për të gjithë të lënduarit, viktimat apo ata që kanë mbetur pa shtëpi.

Poeti Liridon Mulaj ka reaguar në Facebook pasi ka par fotografinë e Ushtrisë së Kosovës teksa niset drejt Shqipërisë. Kjo fotografi e ka emocionuar shumë poetin i cili është shprehur se po ndihet si një i varfër që i del dikush në krah.

“Une du vetem me kjajt si femija kur shoh kete foto se me duket sikur s’jena vetem. Si ai i vorfni qe i del dikush krah”, ka shkruar Mulaj.

Kujtojmë që në Thumanë, aty ku paraqitet edhe situata më dramatike, një grua e moshuar humbi jetën pasi u zu nën rrënoja. Një skenë rrëqethëse ku nuk mund t’i mbash dot lotët, në prehrin e saj, të afërmit dhe forcat zjarrfikëse nxorën gjallë nipin e vogël.

Në Thumanë janë shembur totalisht tre pallate, dhe nën rrënoja ka disa persona për të cilit forcat zjarrfikëse po punojnë për t’i nxjerrë gjallë, me shpresën e madhe. Edhe në Durrës ku dëmet janë të shumta, tre të pajetë u nxorën nga rrënojat e pallateve të shembur, ndërsa një u gjet tek Vila Palma në Durrës. Në Kurbin një tjetër person humbi jetën, pasi i kapur nga paniku në tentativë për t’i shpëtuar lëkundjeve të fuqishme që u ndjenë, është hedhur nga ballkoni. Ai humbi jetën si pasojë e lartësisë nga kati i tretë. Po në Kurbin, një tjetër person, ndërroi jetë pasi duke drejtuar automjetin humbi kontrollin duke u përplasur për vdekje.

Në hotel Lubjana në Durrës i cili u prek nga tërmeti është vënë gjendja e alarmit jo vetëm për pasojat ndaj lëkundjeve të fuqishme sizmike, por për shkak të alarmit që ka ngritur pronari i këtij hoteli. Në bodrumin e tij ndodhet një bombol gazi 250 litra, e cila mund të rrezikojë të shpërthejë duke marrë parasysh që me lëkundjen 6.4 ballë në orën 03:55 të mëngjesit, nuk janë ndalur pasgoditjes. Policia ka vënë perimetrin e sigurisë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe forcat zjarrfikëse. / KultPlus.com

Njësitet e FSK-së nisen për në Shqipëri

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, thonë se Kosova është e gatshme ta ndihmojë Shqipërinë pas tërmeteve që përjetoi.

“Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Kryeministrit Rama, në emër të qytetarëve të Kosovës i shpreha ngushëllimet më të sinqerta për viktimat që pësuan nga tërmeti. Kryeministrin Rama e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti”, ka shkruar Thaçi.

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë duke thënë se Kosova është e gatshme t’i ndihmojë shtetit amë.

“Me shqetësim po i përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre. Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”, shkroi Haradinaj. /KultPlus.com

Momentet historike të shqiptarëve në një video emocionuese

Në kanalin YouTube është ngarkuar një video e cila ka mbledhur brenda vetes momentet historike të shqiptarëve, shkruan KultPlus.

Këto momente janë shoqëruar nën melodinë e këngës “Coming Home” të Rita Orës, një prej vajzave shqiptare që ka arritur majat e suksesit botëror dhe ka bërë shqiptarët krenarë jo rrallë herë.

Kjo video po pëlqehet e po shpërndahet shumë në rrjetet sociale. / KultPlus.com

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!

Pavarësisht humbjes që pranoi sonte, Kosova ka qenë njëra nga storiet më të mira të këtyre kualifikimeve. Me një kombëtare krejtësisht të re ajo arriti të shënonte disa fitore rradhazi si dhe të rivalizojë edhe përfaqësuese serioze siç ishte skuadra çeke, shkruan KultPlus.com

Merita të mëdha për këto momente që ka dhuruar përfaqësuesja e Kosovës i ka legjenda e futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili me punë të ndershme dhe me përkushtim kishte arritur ta anëtarësonte Kosovën në UEFA dhe FIFA, dy organizatat më të mëdha dhe më fuqishme të futbollit në botë.

Në një periudhë të rëndë sociale dhe politike, përfaqësuesja jonë u shëndrrua në një simbol e cila na mbajti së bashku pavarësisht dallimeve tjera. Një përfaqësim dinjitoz, një krenari në vete.

“Kur ne po përjetonim gjenocidin dhe dhunimin e grave, ju na i rritët shpresat tona për liri”

Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është duke u zhvilluar ndeshja historike mes Kosovës dhe Anglisë. Atmosfera në stadium ashtu si edhe jashtë tij është mbresëlënëse, shkruan KultPlus.com

Në duart e shikuesve nga Kosova ka një sërë pankartash që flasin për mirënjohjen e tyre ndaj shtetit të Anglisë.

Kujtojmë se forcat britanike kanë qenë pjesë e bombardimeve të NATO-së për çlirimin e Kosovës.

“Kur ne po përjetonim gjenocidin dhe dhunimin e grave, ju na i rritët shpresat tona për liri. Gjithnjë falënderues, Anglisë!” – shkruhet në një pankartë nga tifozët dardanë.

Gazetari anglez mahnitet nga mikpritja në ‘Fadil Vokrri’: Të gjithë kosovarët ngritën flamujt e Anglisë

Tifozët kosovarë kanë treguar respektin e madh për Kombëtaren e Anglisë, para fillimit të ndeshjes Kosova – Anglia në “Fadil Vokrri”.

Në prag të ndeshjes, gjatë intonimit të himnit të Anglisë, të gjithë të pranishmit në stadium ngritën flamujt e Anglisë, raporton Insporti

Kjo ka lënë përshtypje te gazetari i njohur i “Mirror”, John Cross.

“Kur u intonua himni ‘God Save the Queen’, çdo tifoz kosovar ngriti një flamur të St George. Respekt”, ka shkruar John Cross. /Insporti.com/ KultPlus.com

Ambasada Britanike: Kosova dhe Anglia festojnë së bashku, le të fitojë më i miri

Nga orën 18:00 në stadionin “Fadil Vokrri” në kryeqytet, është duke u ndeshur kombëtarja e Kosovës me atë të Anglisë.

Një entuziasëm i madh ka nisur qysh në orët e para të mëngjesit, derisa në Prishtinë kanë ardhë edhe tifozë anglezë, miq të shtetit tonë.

Ambasada e Britanisë së Madhë në Prishtinë, pak para ndeshjes ka postuar disa imazhe në faqen zyrtare Facebook, ku shihen tifozë anglezë e kosovarë së bashku, ndërsa shkruhet:

“Gati është koha… që tifozët e Kosovës dhe të Anglisë festojnë së bashku në një atmosferë të shkëlqyer feste në qendër të qytetit. Le të fitojë ekipi më i mirë”.

Postimi i plotë:

It’s almost time… the excitement’s building in Pristina, as Kosovo and England fans celebrate together amidst a great party atmosphere in the city centre. May the best team win!

#SportisGREAT #KOSENG #UKinKosovo

“The Guardian” mëson se përse kosovarët e duan ekipin anglez

Mediumi i madh britanik, “The Guardian”, sikurse edhe shumë media tjera botërore, këto ditë po qëndron në Kosovë për të përcjellë atmosferën para ndeshjes së nesërme mes Kosovës dhe Anglisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshje kjo e vlefshme për Euro 2020.

Gazetari i rubrikës së futbollit në “The Guardian”, është në Prishtinë dhe ai përcjell tek lexuesit këtë atmosferë dhe historinë mes dy vendeve.

Këtyre ditëve, nga banesat e gjelbra në lagjen “Dardania” të Prishtinës mund të shihni një shkollë, një bibliotekë dhe një fushë futbolli të rrethuar. Ky ka qenë vendi më i vështirë i kryeqytetit të Kosovës, por ajo kohë tashmë ka kaluar.

Heshtja nuk sjell asnjë kërcënim dhe thyhet vetëm nga një zë në një banesë diku, ku një fëmijë e thërret nënën e tij. E poshtë, në hapësirën për lojë, dëgjohen goditje të kohëpaskohshme të topit teksa dy djem ushtrojnë – njëri me pajisje të plota prej portieri e tjetri përgjegjës për ta ushtruar.

Dy dekada më parë këtu ka qenë hapësirë e egër, e hapur me bar e dhe. Ka ndryshuar aq shumë, por në majë të ndërtesës më të lartë ka kujtime për atë që ka ndodhur dikur. Një strukturë e hirtë dikur ka qenë postbllok i ushtarëve britanikë që zbarkuan në Prishtinë më 1999, kur forcat e NATO-s erdhën për të ruajtur paqen dhe për të krijuar ambient të sigurt në një shtet që ishte shumë i traumatizuar dhe i shkatërruar nga lufta.

Teksa Atdhe Muharremi përshkon hapësirën, atij i kujtohen ditët e para pas kthimit të tij dhe familjes së tij në Prishtinë atë verë, pasi kaluan tre muaj si refugjatë në Maqedoni. Ata ishin të parët që u kthyen në zonën e tyre, në Taslixhe, në anën tjetër të qytetit dhe, siç thotë ai, ishte një “fillim i ri… koha për të ndërtuar një jetë dhe shoqëri të re sërish”.

Image

Qyteti në fillim dukej i zbrazët e i shkretë, por teksa ktheheshin gjithnjë e më shumë njerëz, mundësitë për t’i shijuar rekreacionet e vjetra u rritën. Muharremi do të udhëtonte për në Dardani për të luajtur futboll në atë fushën me gropa. Kohë pas kohe, atyre u bashkëngjiteshin, vetëm për pak minuta, ndonjë i huaj.

“Djemtë e KFOR-it britanik ishin në patrullime dhe ndonjëherë hynin në lojë, luanim me top me ta”, thotë ai. “Ndalonin, flisnin me to, na bashkëngjiteshin. Ishte njëfarë mënyre lidhje përmes lojës, nuk na duhej gjuha e njëjtë. I shihnim si heronjtë tanë. Ishin shumë të mirë, shumë të dashur me ne. Ishte një dashuri e ndërsjellë e sigurt pa fjalë, e ndienim energjinë. Mund ta ndienim këtë dashuri”.

Pritja e për Anglinë dhe tifozët e saj është e jashtëzakonshme për ndeshjen e së dielës për kualifikime në Euro 2020, gjë që për Kosovën tashmë është betejë e humbur por do të kremtohet një marrëdhënie që vështirë se mund të ketë më të thellë.

Roli britanik, në mesin e një koalicioni ndërkombëtar, për t’i dhënë fund betejës brutale me forcat serbe nuk është harruar asnjëherë në Kosovë. Për këtë arsye edhe rrugët janë të emërtuara në bazë të Tony Blairit dhe Robin Cookut, të cilët ishin instrumental me politikat e tyre që çuan në dëbimin e trupave të Beogradit nga Kosova përmes NATO-s, dhe për ç’arsye edhe shumë fëmijë u emërtuan Tonibler. Dhe për këtë arsye qendra e Prishtinës është stërmbushur me posterë që ofrojnë falënderime ndaj 1,000 apo më shumë fansave që kanë mbërritur në kryeqytetin e Kosovës.

Image

Fjalët e Muharremit nuk dalin lehtë; si një figurë me përvojë të gjatë me të kaluarat e vendeve e pyeti “Observer”-in, sa shpesh mund të thuhet sinqerisht se një komb ka dashuri kaq të thellë për një vend tjetër? Kushdo që kalon nëpër Bulevardin “Nëna Terezë” s’mund të shmang banerët “Welcome and respect” – bashkë me flamujt anglezë e kosovarë me një lulëkuqe – që shfaqen çdo 100 metra apo më shumë dhe ka pasur edhe shenja tjera të vogla. Një plan për t’u ofruar fansave anglezë alkool gratis nuk u realizua por kamarierët nëpër Prishtinë do të veshin fanella të veçanta.

Blodin Gagica është pronari i “Gagit”, një restorant mesdhetar 500 metra larg stadiumit kombëtar. Kur vëllai i tij më i ri, që ka një foto-studio, dizajnoi banerin “Welcome, brothers!” me fotografitë e Raheem Sterlingut, Fabian Delphit e Danny Roset, ai kërkoi edhe një për veten. Tani ajo qëndron në ballkonin e ndërtesës, transmeton Koha.net.

“Nuk e bëmë për vëmendje”, thotë ai. “Thjeshtë e bëmë për t’iu falënderuar për gjithçka. Asnjëherë s’kemi menduar se do ta kemi mundësinë ta themi në këtë mënyrë, para se të luanim futboll kundër Anglisë. Më sjell emocione të mëdha. Kur i pamë ushtarët britanikë thamë se ‘Zoti po nda ndihmon’”.

Image

Dhëndëri i Muharremit, Shpetimi, u bë i famshëm kur një fotografi e tija duke luajtur futboll me një ushtar në Dardani u rishfaq online para se dy skuadrat të luanin në Southampton dy muaj më parë. Qindra persona tjerë kanë ndonjë tregim të tillë dhe ndikimi i forcave ishte i pabesueshëm.

Por Kosova nuk do të ishte një shtet kaq optimist pa vendosmërinë e popullit të vetë; ekipi i futbollit, i cili luajti ndeshjen e parë miqësore zyrtare pesë vjet e gjysmë më parë mund të arrijë Euro 2020 përmes play-offit, është reklama më e mirë e kësaj dhe Muharremi është krenar që janë në gjendje të jenë sikurse Anglia.

“Kurrë s’e kam menduar se do të luanim me ta për 20 vjet, dhe kurrë s’e kam menduar se do të kemi një skuadër kaq të fortë për t’iu bërë ballë atyre”, thotë ai. “I duam futbollistët tanë; na kanë bërë të ndihemi më shumë kosovarë”.

Image

Teksa ai flet, fëmijët në fushën e betonit – të cilët janë të moshave rreth 11 vjeçe, sa mosha e Muharremit kur ishte kthyer më 1999 – vazhdojnë të luajnë, njëri nga ta bën lojë të mirë duke bërë goditje të mira me këmbën e tij të majtë. Ai është i veshur me fanellën e Kosovës dhe sqaron se ka ushtruar një kohë në një akademi në Kroaci.

Vetëbesimi i tij flet për Kosovën moderne, reflekton në identitetin që futbolli po ndihmon të gdhend. Kullat e sipërme dëshmojnë një lojë të mbushur me shpresë përsëri; por kjo ngjan me një botë larg kohës kur, nën shoqërinë e atyre ushtarakëve britanikë, ishte çlirim vetëm të luaje.

“Kur isha i ri ëndërroja të luaja në fanellën e Kosovës sikurse kjo”, thotë Muharremi.

E tani, duke iu falënderuar pjesërisht ndihmës britanike, djemtë e vajzat në Kosovë nuk kanë nevojë më të imagjinojnë. Koha.net / KultPlus.com

Kosova u ka lënë shije të mirë vizitorëve anglezë

Kosova u përpoq shumë që t’i bëjë anglezët të ndihen mirë në vendin e tyre.

Nëpër qytet u varën parulla që shkruanin “Mirë se vjen, vëlla”, dhe përshëndetje të tjera.

Kryetari i Federatës Kosovare të Futbollit, Agim Ademi, tha se kosovarët i janë mirënjohës Anglisë jo vetëm për atë që ka bërë për vendin e tyre, por edhe për faktin që në Angli ka shumë kosovarë.

Ndërkohë, vizitorët e thjeshtë kanë mbetur të kënaqur me çmimet dhe ushqimin në Kosovë, duke postuar në rrjete shoqërore përvojat e tyre.

Të dielën në Stadiumin “Fadil Vokrri” do të zhvillohet ndeshja kualifikuese për Euro 2020 në mes Kosovës dhe Anglisë.

Ambasada e Britanisë në Kosovë, përmes një postimi në Facebook, ka përshkruar Kosovën si vend mikpritës dhe me njerëz miqësorë.

“Thirrje për të gjithë fansat e Anglisë të cilët udhëtojnë në Prishtinë për ndeshjen e së dielës Kosovë-Angli. Një mikpritje e ngrohtë iu pret në Kosovë, vend i famshëm për mikpritje dhe njerëz miqësor. Bëni qejf, bëni miq dhe shijojeni ushqimin e shkëlqyeshëm dhe natyrisht futbollin”, thuhet në njoftimin e Ambasadës angleze. Top Channel / KultPlus.com

Uebfaqja e “TIKS. APP” ishte jashtë sistemit, por kaq bileta janë shitur për ndeshjen Kosovë-Angli

Sot në orën 16:00 ka filluar shitja e biletave për ndeshjen e shumëpritur, Kosova – Anglia.Kosova – Anglia është takimi i fundit që kombëtarja e Kosovës e zhvillon në kuadër të ciklit kualifikues për ‘Euro 2020’, shkruan Insporti.

Pak çaste më parë, ueb-sajti në fjalë u kthye në sistem, derisa është parë se biletat në tribunat P2, P3 dhe P4 janë shitur.

Kosova

Poezi nga Bekim Lumi

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma

I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta

Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta

Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…” /KultPlus.com

Hapet sot Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesë e tij

Hap dyert sot panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me temën “Ide që lëvizin botën”. I ftuar nderi është shteti i Norvegjisë. Janë mbi 7,300 ekspozues nga e gjithë bota, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Kosovës në Berlin.

Pos Çmimit Nobel, muaji tetor shquhet në botën mbarë për panairin më të madh të librit, që mbledh rreth vetes të gjithë profesionistët e librit për pesë ditë sa edhe zgjat. Janë mbi dhjetë mijë gazetarë, mbi njëqind e pesëdhjetë shtete e mbi dyqind e shtatëdhjetë mijë vizitorë që frekuentojnë kryengjarjen e vitit për librin.

Treni i letërsisë nga veriu arriti në Frankfurt me delegacionin e vet nga Norvegjia, e ftuar nderi, duke përfshirë yjet e letërsisë botërore që vijnë nga ky vend, si: Karl Ove Knausgard, Jo Nesbo e Maja Lunde, së bashku me Princeshën e Norvegjisë, Mette-Marit. Pos të ftuarve që vijnë nga Norvegjia, panairi do të nderohet me emra të jashtëzakonshëm të letërsisë botërore, si: Margaret Atwood, Elif Shafak, Ken Follett, Colson Whitehead, e shumë autorë të tjerë.

Kosova është e pranishme me një përfaqësim dinjitoz në sallën 5.0, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Belgjika, Italia, shtetet e Evropës Qendrore, Lindore e Juglindore, Turqia, Holanda, Evropa Veriore, Irani e të tjerë. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dija”, “Damo”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Lugjet e Verdha”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës. Shënohen përvjetorë të rëndësisë së lartë nga letërsia, historia dhe kultura shqiptare, si: 20-vjetori i Çlirimit të Prishtinës dhe Kosovës, 100-vjetori i Konferencës së Paqes, 400-vjetori i vdekjes së Lekë Matrëngës, 90-vjetori i lindjes së Rexhep Hoxhës, 90-vjetori i lindjes së Kosovë Rexhë Balës, 80-vjetori i lindjes së Adelina Mamaqit, 80-vjetori i lindjes së Rrahman Dedajt, 70-vjetori i vdekjes së Mithat Frashërit, 70-vjetori i vdekjes së Vinçenc Prennushit, 40-vjetori i vdekjes së Jakov Xoxes.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët e thjeshtë, me ç ‘rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që jeton në Gjermani, që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare. / KultPlus.com


Miss Universi, Catriona Gray në mbështetje të nënave dhe fëmijëve në Kosovë

Miss Universi, Catriona Gray, do t’u bashkohet përpjekjeve për ngritje të fondeve për shpëtimin dhe përmirësimin e jetëve të nënave dhe fëmijëve në Kosovë, duke u bërë pjesë e mbrëmjes bamirëse ‘Meet Us Halfway’ në Yale Club të Nju Jork-ut më datë 10 tetor, 2019.

Miss Gray dhe Organizata Miss Universi do t’i bashkohen përpjekjeve të ‘Action for Mothers and Children’, partnerëve dhe donatorëve të tjerë për të sjellë ndryshim pozitiv në Kosovë, thuhet në një njoftim të postuar portalit tonë, Koha.net.

Image

BBC: Pas luftës shqiptarët e serbët mbesin të ndarë, a mund ta ndryshojnë këtë gjeneratat e reja

BBC ka realizuar një dokumentar të shkurtër rreth Kosovës, me fokus të veçantë marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve pas luftës.

Në këtë dokumentar flitet rreth ndarjes që vazhdon të jetë në mes të shqiptarëve dhe serbëve, duke thënë se “edhe pse lufta në mes të Kosovës dhe Serbisë ka mbaruar 20 vite më parë, konflikti asnjëherë nuk është zgjidhur në mënyrë të duhur”, transmeton koha.net.

Në disa pjesë të Kosovës, njerëzit nga të dyja anët e konfliktit ende nuk bashkëpunojnë, thuhet në këtë dokumentar.

“A mundet gjenerata e lindur pas luftës të gjejë një mënyrë që të jetojë së bashku?”, pyet BBC.

Ata kanë takuar një shqiptar 20 vjeçar nga Mitrovica, i cili asnjëherë në jetën e tij nuk ka takuar një serb, e të cilin e kanë bindur që të takohet me Selenan, një 16 vjeçare serbe, nga Mitrovica e veriut në urën e qytetit të ndarë.

Më poshtë mund ta shikoni këtë dokumentar:

“Kosova kujton”, memoriali i Kosovës për 11 shtatorin

Në shenjë nderimi për jetët e humbura nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sot është inauguruar Memorialin “Kosova kujton” në oborrin e Qeverisë së Kosovës, shkruan KultPlus.com

Akti terrorist në New York të ShBA-së ishte goditje ndaj institucioneve dhe popullit amerikan, ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë. Në atë sulm, humbën jetën rreth tre mijë persona.

‘Përgjithmonë mirënjohës ndaj jush, Anglia jonë e dashur’

Ndeshja e djeshme mes Anglisë dhe Kosovës ka marrë vëmendje të madhe nga mediat e huaja. Krahas historikut te Përfaqësueses së Kosovës dhe historisë së vendit, edhe tifozët dhe mbishkrimet e tyre ishin pjesë e interesimit të madh medial. Tifozët nga Kosova, ashtu siç e kërkon nderi dhe kultura shqiptare, u treguan falenderues dhe mirënjohës ndaj rolit të Britanisë së Madhe në bombardimet e NATO-së më 1999 në Kosovë, shkruan KultPlus.com

Prestigjozja “The Telegraph” i ka kushtuar këtë artikull tifozëve kosovar që në një numër shumë të madh udhëtuan në Londër në përkrahje të ekipit të tyre të zemrës, Përfaqësueses së Kosovës.
Ata kishin ardhur nga e gjithë Evropa dhe nga Mbretëria e Bashkuar në Stadiumin “St Mary” për një lojë që do të thotë më shumë sesa thjesht një ndeshje tjetër në kualifikues në Euro 2020 për kombin e ri të Kosovës dhe ekipin e tij të ri të futbollit.

Sipas burimeve zyrtare, 20,000 kosovarë prisnin në Southampton për ndeshjen kundër Anglisë dhe vetëm 10,000 midis tyre me bileta – një mbështetje ndërkombëtare larg si askush tjetër. Ata kishin ardhur me siguri për të mbështetur skuadrën e tyre, aktualisht pas 15-ndeshje të pamposhtur dhe të freskët nga fitorja ndaj Republikës Ceke të Shtunën, por ata gjithashtu kanë një dashuri të madhe për futbollin britanik dhe britanikët në përgjithësi.

Kristian Gashi, 30 vjeç, një përkrahës kosovar që ishte për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar nga shtëpia e tij në Austri po pyeste një ekip të BBC-së nëse mund të shfaqte flamurin e tij në pjesën e prapme të transmetimit të tyre live për lajmet e 6-të. “Faleminnderit juve tani luajmë kundër jush”, shkruhej në pankart . “Përgjithmonë mirënjohës ndaj jush, Anglia jonë e dashur”. Gashi erdhi nga qyteti kosovar i Ferizajt dhe deshi të shpjegojë për rolin e Britanisë në ndërhyrjen e Nato në luftën ballkanike të vitit 1998 deri në 1999.


“E kam provuar luftën dhe kurrë nuk kam menduar se në një hapësirë ​​kaq të shkurtër kohe do të jemi këtu, duke luajtur futboll në një stadium,” tha ai. “Ne po luajmë kundër kombit më tradicional të futbollit. Unë gjithmonë do të jem mirënjohës për Anglinë dhe ato që bënë për vendin tim. Ata ndërhynë në shfarosjen e popullit tonë. Pastaj ata na ndihmuan më vonë që ekipi ynë të njihej në sport ”.

Rimor Arifi, 26 vjeç, nga Prishtina, ka një fotografi në telefonin e tij të një solisti britanik që luante futboll në rrugë me fëmijët kosovarë. Ai kishte ardhur për lojë dhe për të vizituar familjen. “Kjo ishte 20 vjet më parë dhe tani ne po luajmë me Anglinë,” tha ai, “është e mrekullueshme.” Arifi tha se kushëriri i tij kishte shpresuar të takohej me Tony Bler këtë javë.
Ish-Kryeministri vlerësohej si një hero në Kosovë nga ana e tij në ndërhyrjen e Natos dhe në Kosovë ka një gjeneratë fëmijësh me emrin e tij. “Unë di rreth 20 fëmijë të quajtur” Tonibler “,” tha Arifi.

Luan Zeka, 55 vjeç dhe djali i tij Jon, 19 vjeç kishin ardhur nga Londra perëndimore për këtë lojë. Jon lindi në Londër një vit pasi familja e tij u shpërngul nga Prishtina dhe megjithëse ata zakonisht do të mbështesin Anglinë, ky ishte një propozim tjetër. “Asnjëherë nuk kemi menduar të shohim këtë ditë,” tha Leka. Djali i tij Jon tha se për kosovarët në Britani të Madhe në veçanti kjo ishte një ditë e rëndësishme. “Unë kam lindur këtu, kam qenë në gjendje të shkoj në shkollë këtu. Ne nuk do të zhgënjehemi nëse nuk fitojmë. Futbolli është thjesht një sport në fund të ditës ”./KultPlus.com

Bashkëpunimi i muzeve në Ballkanin Perëndimor

British Council prezantoi projektin ‘’Perceptimet’’ i cili u realizua në partneritet me pesë institucione kulturore rajonale, përfshirë edhe Kosovën në një nga konferencat më prestigjioze dhe rëndësishme të muzeve në botë.

Konferenca e përgjithshme e ICOM, e cila mbahet çdo tre vjet, është një mundësi unike për anëtarët e 141 vendeve të botës, për të shkëmbyer përvoja dhe plane bashkëpunimi për të ardhmen, dhe për të çuar më tej trashëgiminë e tyre kulturore në menaxhimin e muzeve.

Tema e konferencës së përgjithshme në Kyoto 2019, “Muzetë si qendra të kulturës: e ardhmja e traditës”, është një forum për të marrë në konsideratë se si muzetë mund dhe duhet të luajnë një rol kryesor në shoqëri, duke krijuar role të reja për muzetë që të pasurojnë të ardhmen, ndërsa përqafojnë të kaluarën.

Projekti i përbashkët ‘’Perceptimet’’ u zgjodh si një rast studimi dhe si një shembull i forcimit të pozitës së muzeve në ngritjen e çështjeve të rëndësishme shoqërore. Përmes shkëmbimit të veprave artistike nga koleksioni i British Council dhe institucioneve të kulturës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, muzetë pjesëmarrës tërhoqën vëmendjen për çështje të barazisë dhe përfaqësimit të grave në koleksionet permanente të muzeve, si dhe nxitën një diskutim më të gjërë për stereotipet gjinore dhe pozitën e grave në segmente të ndryshme të jetës.

Ndryshimet politike, ekonomike, sociale, teknologjike dhe natyrore prezantojnë sfidë, por edhe mundësi më të madhe që muzetë të bëhen forume qendrore për diskutim dhe një vend i angazhimit qytetar.

Ekspozitat, si ofertë thelbësore e muzeut, janë në qendër të diskutimit se si muzetë i përgjigjen sfidave dhe i përshtasin programet e tyre në një përfitim më të gjërë shoqëror. Paraqitja e projektit nga Ballkani Perëndimor si një shembull i praktikës së mirë në një forum kaq të rëndësishëm botëror konfirmon cilësinë e modeleve të bashkëpunimit dhe ekspertëve që udhëheqin institucionet më të rëndësishme kulturore në rajon, pavarësisht sfidave me të cilat përballen.

Gjatë vizitës në Konferencën e ICOM, Arta Agani, kuratore nga Kosova deklaroi:

‘’Ndryshime të mëdha kanë ndodhur gjatë jetës tonë si dhe në rajonin tonë. Ndryshime në politikë, ekonomi dhe sisteme sociale. Duke qenë të kapura në këto ndryshime, gratë kanë luftuar të bëhen aktore aktive në zhvendosjet drejt shoqërive më të mira, dhe kanë pasur sukses. Gratë artiste kanë fituar vendin e tyre të merituar në muze dhe shkolla të artit. Sidoqoftë, ka disa ndryshime të mëdha që rrjedhin nga qasja kritike e grave kundër diskriminimit në sistemet ekzistuese. Përdoren forma të ndryshme të kritikës, ndonjëherë më të drejtpërdrejta se të tjerët, duke treguar shenja që roli i grave në shoqëri dhe art po pëson ndryshime.’’ /KultPlus.com


SHBA: Të gjithë duhet të ndjekin shembullin e Kosovës për riatdhesimin e pjesëtarëve të ISIS-it

Koordinatori amerikan për kundërterrorizmin, ambasadori Nathan A. Tales, thotë se Kosova është një nga vendet e para në riatdhesimin e qytetarëve të vetë, që kanë luftuar për ISIS-in.

Në një konferencë për shtyp, mbajtur të enjten (01.08) në Departamentin e Shtetit, ambasadori Tales tha: “Sa i përket riatdhesimit dhe gjykimit të luftëtarëve të huaj ne kemi pasur disa suksese dhe duam që ato të shtohen. Vende si Kazakistani dhe Kosova kanë qenë në gjendje të riatdhesojnë dhjetëra dhe në disa raste qindra luftëtarë dhe familjarë të tyre, kanë dënuar ata që kanë bërë krime dhe kanë dërguar në qendra rehabilitimi fëmijët dhe familjarët, të cilët marrin pjesë në programe çradikalizimi dhe integrimi”, raporton DW.

Duke përmendur Italinë, e cila ka thënë së fundmi se do të riatdhesojë një luftëtar të huaj, i cili do të gjykohet për vepër penale, ambasadori Tales kërkoi që më shumë vende perëndimore të bëjnë të njëjtën gjë.

“Çdo vend është i detyruar të zgjidhë problemin e qytetarëve të vet, që kanë shkuar për të luftuar për ISIS-in. Asnjë vend nuk duhet të presë që SHBA-ja ose SDF-ja, forcat demokratike siriane, të zgjidhin këtë problem për ta. Ky është një problem që ka të bëjë me vendin ku janë radikalizuar më parë këta luftëtarë të huaj”, tha Tales.

ISIS-i i përhapur në gjithë botën

Ai theksoi se i ashtuquajturi ISIS Kalifat është shkatërruar, por lloje të tjera të ISIS-it vazhdojnë të jenë të gjalla në gjithë botën. Ai përmendi Afrikën dhe Azinë juglindore si shembuj ku shihen rreziqe për shembull në Nigeri, Egjipt dhe Sri Lanka e Afganistan.

Konferencën e shtypit Tales e mbajti së bashku me ambasadorin James Jeffrey, të dërguarin special për koalicionin botëror kundër ISIS-it, i cili foli për rezultatet e luftës kundër ISIS-it në Siri dhe Irak. Në Siri lufta kundër ISIS-it ka pasur sukses, por në pjesë të ndryshme të vendit ISIS-i vazhdon të jetë aktiv. Edhe në Irak ka grupe terroriste të lidhura me ISIS-in.

Çlirimi i disa zonave të Sirisë ka prodhuar një numër të madh luftëtarësh të huaj dhe terroristësh që mbahen në kampe. 70 mijë vetë mbahen në al Hawl. 60 mijë prej tyre janë sirianë dhe irakianë dhe 10 mijë janë nga vende të treta dhe i janë bashkuar 2 mijë luftëtarëve të huaj terroristë. “Aty ekziston problemi i radikalizimit. Ne duam që t’ i largojmë këta njerëz nga andej dhe t’i kthejmë tek komunitetet e tyre”, tha ambasadori Jeffrey.

SHBA-ja ka riatdhesuar pesë të rritur, katër meshkuj dhe një femër, të cilët janë akuzuar për vepra penale të lidhura me terrorizmin dhe mbështetjen e ISIS-it. Një person është dënuar. Proceset e tjera nuk kanë përfunduar.

G4shi numëron ditët për ardhjen në Kosovë

Hip hop ylli, G4shi, edhe këtë vit pritet të performojë në festivalin “Sunny Hill”, i cili do mbahet më 2, 3 dhe 4 gusht.

Reperi shqiptar i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Amerikë, duket se mezi pret të vijë në vendlindje.

Kjo u bë e ditur nga vet ai, teksa ka ndarë një fotografi me fansat në llogarinë e tij personale, Instagram.

“Jam në Kosovë edhe katër ditë”, ka shkruar ai krahas këtij imazhi.

28-vjeçari po ashtu në “Sunny Hill” do të promovojë edhe albumin e tij më të ri.

Ndërkohë, ky festival edhe këtë vit do mbahet në parkun e kryeqytetit, Gërmi, pasi nga viti i ardhshëm do i ndërrohet lokacioni.

Ndryshe, të pranishëm do jenë edhe Dua Lipa, Calvin, Harris, Miley Cyrus, e shumë emra tjerë të mëdhenj të muzikës së huaj dhe lokale. /Telegrafi/ KultPlus.com

Ideatori i shtetit të Çamërisë, që merrte shembull pavarësinë e Kosovës, gjendet i vrarë në Holandë

Pamje nga vendi ku i gjet i vrarë presidenti i vetshpallur i Çamërisë Festim Lato

Mediat holandeze kanë shkruar për vrasjen e presidentit të vetshpallur të Çamërisë Festim Lato.

Siç shkruan “omroepgelderland.nl”, Lato është gjetur i vdekur të shtunën pasdite në Nieuwe Ubbergseëeg në Nijmegen.

“Njeriu i lindur në Shqipëri kishte pas vetes një ushtri kreditorësh. Festim Lato u raportua i humbur nga familja e tij javën e kaluar. Trupi i tij u gjet në rrugë në Nijmegen të shtunën pasdite. Policia ende po heton për të zbardhur rastin”, shkruan media holandeze.

Image
Festim Lato

“Gjatë viteve të fundit, Lato ka qëndruar në një shtëpi të largët në Afferden, në komunën e Betuwe. Në shtëpinë ku jetonte ai, fluturojnë flamujt e Holandës, Shteteve të Bashkuara dhe Çamërisë, një rajon në kufirin e Shqipërisë dhe Greqisë që po përpiqet për pavarësi. Lato e kishte shpallur veten president të këtij rajoni”, shkruan më tej media.

Image
Në shtëpinë ky jetonte Lato, valviten flamujt e Holandës, SHBA-ve dhe Çamërisë

Zandberg është i tronditur nga vdekja e shqiptarit. “Ishte një njeri simpatik me një bisedë të qetë”, thotë ai.

Si një president i vetëshpallur, Lato rregullisht kishte paraqitje publike, siç ishte në Parlamentin Europian në Bruksel dhe në demonstrata të ndryshme për pavarësi më të madhe.

“Ai e kishte marr shembull Kosovën në një intervistë me Elsevier Weekblad vitin e kaluar. “Në vitin 2008, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia”, shkruan më tej media holandeze.

Image

Pamje nga vendi ku i gjet i vrarë presidenti i vetshpallur i Çamërisë Festim LatoFOTO GALERI

“Përveçse ishte president, Lato ishte gjithashtu trajner i kombëtares së futbollit të Çamërisë. Në vitin 2017, ajo skuadër në Hagë fitoi finalen e turneut për Kupën Botërore të UNPO, një turne për vendet dhe rajonet jo të njohura”, përfundon shkrimin “omroepgelderland. /BotaSot/ KultPlus.com

EPIK: Kosova, vendi i fundit në Ballkan në sundimin e ligjit


Raporti i fundit për Kosovën, dhe vende të tjera të Ballkanit, nga ana e Komisionit Evropian u publikua me 29 maj 2019. Instituti EPIK, përmes një kumtese për media thonë se nga hulumtimi që bënë, ky raport ka dy qëllime; Një të vlerësoj gatishmërinë e vendit për t’u anëtarësuar në BE dhe dy, të vlerësoj progresin e bërë brenda vitit të kaluar.

“Si çdo vit, pas publikimit të raportit, shumica qeverisëse ka zgjedhur disa fjali pozitive për të thënë se raporti ka vlerësuar pozitivisht qeverisjen në Kosovë, ndërsa opozita dhe ata që mendonin ndryshe kanë bërë të kundërtën – i kanë nënvizuar vlerësimet negative që raporti ka bërë për vendin.

Në këtë formë, shoqëria e Kosovës humbi mundësinë që ti qaset diskutimit empirik dhe kokëftoftë rreth një qëllimi i cili na bashkon të gjithëve – rrugëtimi drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në komunikatën e EPIK.

Pikërisht në ketë kontekst, thuhet në komunikatë, kanë zgjedhur që të ndërmarrim hulumtimin e radhës për të dhënë përgjigje në disa pyetjet elementare sa i përket Raportit për Kosovën 2019.

Hulumtim i EPIK:

A mund të gjejmë një mënyre që të matim progresin që është bërë brenda një viti, në procesin integrues të Kosovës?

Ku është bërë progres më i madh, e ku ka pasur ngecje më të mëdha?

A mund të kuantifikojm gjeturat e Raportit?

A mund të krahasojmë Kosovën me vende të tjera të Ballkanit?

A mund të kuptojmë të gjitha detajet teknike të legjislacionit të BE-së, dhe ti prezantojmë ato në një formë sa më të thjeshtë dhe vizuale?

Pas një hulumtimi disa javorë, kemi arritur në nëntë (9) përfundime kyçe:

Në vitin 2019, Kosova është vlerësuar se ka “nivel të kufizuar të përgatitjes për anëtarësim në BE”, me numrin total të pikëve prej 1.8 nga gjithsej 5 pikë të mundshme. Rrjedhimisht, Kosova ishte në vendin e parafundit, duke lënë mbrapa vetëm Bosnjën me 1.6 pikë.

Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë “frontrunners” – me gjithsej 3 pikë.

Shqipëria me 2.4 pikë gjendet në mesin e dy grupeve me 2.4 pikë. Rrjedhimisht, ky rezultat e vendos Shqipërinë në kategorinë e njëjtë me vendet e fundit në Ballkan – Kosovën dhe Bosnjën.

Sa i përket sundimit të ligjit, respektivisht kapitulli 23: gjyqësori dhe të drejtat themelore dhe kapitulli 24: drejtësia, liria dhe siguria, Kosova është vend i fundit në Ballkan sa i përket gatishmërisë për tu anëtarësuar në BE.

Po ashtu, nga aspekti ekonomik Kosova është vend i fundit në Ballkan në kapitullin 8: politikat e konkurrencës dhe kapitullin 19: politikat sociale dhe punësimi.

Kosova e ndan vendin e fundit në Ballkan me Bosnjën në fushat e mjedisit dhe arsimit.

Nga viti 2016, Kosova ka bërë relativisht progres më të madh se sa vende të tjera të Ballkanit drejt marrjes së obligimeve që burojnë nga anëtarësimi në BE. Sidoqoftë, ky progres ishte vetëm 0.2 pikë në shkallë prej 5 pikëve. Ky progres i kufizuar u shënua fal progresit të kufizuar në kapitullin 1: lëvizja e lirë e mallrave, kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 15: energjia, kapitullin 16: tatimi dhe kapitullin 32 kontrolli financiar. Ky progres nuk duhet kuptuar si punë e shkëlqyeshme e institucioneve të Kosovës, por punë e dobët e vendeve të tjera në Ballkan – cilat efektivisht kanë pezulluar agjendën reformuese.

Sa i përket progresit në baza vjetore, krahasuar me vitin 2018 Kosova ka shënuar progres të kufizuar në kapitullin 6: e drejta e ndërmarrjeve, kapitullin 25: shkenca dhe hulumtimi, kapitulli 25: arsimi dhe kultura, kapitulli 28: mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit dhe kapitullin 32: kontrolli financiar.

Ndërsa, fushat brenda cilës Kosova ka shënuar regres krahasuar me vitin 2018, janë kapitulli 11: bujqësia dhe zhvillimi rural, kapitulli 17: politikat ekonomike dhe monetare, kapitulli 19: politikat sociale dhe punësimi.

Bashkangjitur gjeni studimin e fundit të Institutit EPIK për Raportin e Vendit 2019. / KultPlus.com

Televizioni shtetëror serb e shfaq Kosovën të pavarur

Televizioni shtetëror serb, RTS, gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë, ka shfaqur një hartë të Evropës, në të cilën Kosova shfaqet si shtet i pavarur.

Gjatë transmetimit, gazetarja ishte duke folur për një spital, i cili është bashkëpunim serbo-italian.

Ndaj këtij transmetimi të drejtpërdrejtë, kanë reaguar edhe mediat serbe, të cilat e kanë konsideruar skandal të televizionit publik.

Madje, në disa media shkruhej “Këto mund të priten vetëm nga mediat në Kosovë, Shqipëri dhe SHBA”, duke shtuar se “ky televizion financohet nga të gjithë qytetarët e Serbisë”, duke e konsideruar të palejueshme, transmeton Express.

Radio-televizioni i Serbisë, është televizion shtetëror, i cili financohet nga taksapaguesit serb.

Madje, gazeta Republike, e ka konsideruar këtë si një imazh tronditës të RTS-së.

Shprehje të urta të Eliot Engel për Kosovën

Kongresmeni Eliot Engel po qëndron në Republikën e Kosvës një ditë pas festës së pavarësisë së SHBS-së, shkruan KultPlus

Këto janë disa shprehje të tij për Kosovën gjatë vizitave në vendin tonë:

Besoj që situata në Kosovë mund të përmirësohet vetëm përmes vullnetit dhe punës së këtij vendi.

Të gjithë amerikanët i detyrohen trimërisë së Dr King, ngaqë guximi dhe vendosmëria e tij na i siguruan shumë të drejta bazike.

Klasa punëtore është aq e rëndësishme për një shoqëri sa një popull që e nënvlerëson vetëshkatërrohet.

Liria e të jetuarit dhe të shprehurit janë të baza mbi të cilat është ndërtuar vendi im, këtë e duam edhe për ju./KultPlus.com