Ministri Gashi priti ministrin e Malit të Zi, Mehmed Zenka

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritete të Republikës së Malit të Zi, Mehmed Zenka, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim mes dy ministrive.

Ministri Zenka e ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen dhe ka njoftuar ministrin për aktivitetet dhe punën që ministria që e udhëheq ai në Mal të Zi. Zenka u shpreh se ministria përkrah minoritetet në Mal të Zi përmes projekteve të shumta, me theks të kulturës e rinisë.

Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me ministrin Gashi për të realizuar projekte të përbashkëta që janë të interesit të dyanshëm në mënyrë që të rritet shkëmbimi i përvojave të mira dhe i profesionistëve të fushave të ndryshme.

Ndërkaq, nga ana e tij, ministri Gashi, u shpreh se MKRS-ja është e gatshme që të bashkëpunojë dhe mbështesë projektet konkrete që janë me interes edhe për politikat e ministrisë tonë, por edhe që janë në favor qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe atyre të Republikës së Malit të Zi, pa përjashtim./ KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit promovohet në Tetovë

Sot në Universitetin e Tetovës, në orën 11:30 dhe të enjten, më 8 nëntor, në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL)- në orën 13:00, promovohet “Kosova” VI, VII dhe VIII e Jusuf Buxhovit.

Ne këtë rast, autori do të mbajë ligjëratën “Vendi i shqiptarëve në Maqedoni i parë nga këndvështrimi historik, etnik dhe politike nga antikiteti deri te koha jonë”.

Gjatë qëndrimit në Tetovë, të enjten, në orën 17:00, në librarinë “Nobel”, autori do të ketë edhe një takim me lexuesit dhe dashamirët e librit. /KultPlus.com

Rumania dënohet për thirrjet raciste ndaj Kosovës në ndeshjen me Serbinë

UEFA ka dënuar sot kombëtaren e Rumanisë për thirrjet raciste ndaj shqiptarëve dhe hungarezëve në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Serbisë.

Tifozët e Rumanisë në ndeshjen kundër Serbisë, kanë brohoritur “Kosova është Serbi” dhe kanë fyer në baza raciste fqinjët hungarezë, transmeton Koha.net. E gjithashtu kanë shpalosur banera me mbishkrimet se migrantët janë terroristë.

E për këto sjellje të tifozëve rumunë Trupi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës së UEFA-së sot ka marrë vendim që ndeshjen e radhës ta luajë me dyer të mbyllura si vendas, dhe Federatën rumune e gjobit me 50 mijë euro për sjelljen raciste të tifozëve të saj. Dhe 23 milionë euro për akuzat e tjera.

Këto vendime kanë ardhur për këto tri shkaqe: Ndezja e fishekzjarrëve, sjelljen raciste (me banera dhe thirrje), si dhe për hyrjen në fushë të tifozëve./KultPlus.com

Kosova e Shqipëria shpalosin hulumtime për sfidat e nacionalizmit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit deri sot

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës ka filluar tryeza shkencore “Sfidat e nacionalizmit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit e deri më ditët e sotme”.

Tetë studiues nga Kosova e Shqipëria do te shpalosin hulumtimet e tyre sa i përket rrethanave historike të shqiptarëve qysh prej vitit 1878 deri në ditët e sotme, raporton Koha Ditore.

Sipas organizatorëve, qëllimi i tryezës është që të dalin në pah rrethanat, mundësite e zgjedhjet e udhëheqësve shqiptare ndër vite./ KultPlus.com

Artistë nga Shkupi dhe Prishtina, në festivalin “Skampa”

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen “Të harruarit” me regji të Shkurt Aliut dhe në role aktorët Edlir Gashi dhe Qëndresa Kajtazi.

Në vepër është një rrëfim për dy të rinj të izoluar, pa shpresë dhe të ngujuar në vendin dhe në mendjen e tyre, në kufijtë e Evropës, në një çmendinë e burg të krijuar nga pushteti. Njerëz të harruar në shtëpinë dhe rrugën e tyre, të dhunuar, të poshtëruar e të trajtuar si kafshë, të padinjitet e si të çmendur. Rrugën e vetme të shpëtimit shohin emigrimin. Në ditët e festivalit “Skampa” u prezantua dhe Indipendent Teatër Kompani, Shkup.

Artistët nga Shkupi sollën në skenë shfaqjen “Unë Selma” me regji nga Millosh B. Andonovski. Vepra është një rrëfim për një vajzë 14 vjeçare, me emrin Selma, një emigrante nga Siria, e cila arratiset nga vendlindja, së bashku me gjyshen e saj dhe arrin e vetme në Maqedoni. Ajo mbërrin aty vetëm me një valixhe dhe një kukull në dorë. Shfaqja përbëhet nga 9 episode të ndryshme, ku secili mban një titull të veçantë. Një aktore e quajtur Simona fillon t’i mësojë Selmës gjuhën maqedonase. Të dyja miqësohen me njëra-tjetrën dhe Simona mëson pak nga pak se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me Selmën: kush është ajo, për çfarë ëndërron, përse u dashurua me Nebojshën. Rrëfyese në këtë shfaqje është Simona, vetë aktorja, e cila tregon historinë se si ajo u takua me Selmën dhe gjithçka që ajo di për të dhe në të njëjtën kohë ajo, herë pas here, shndërrohet si Selma. Simona luan 3 personazhe në 45 minuta, në formën e monologut. Selma dëshiron të kthehet pas dhe të vizitojë Bejrutin, të shkojë në plazh dhe të shohë detin, vendin dhe qytetin e saj më të preferuar në botë. Megjithatë, ajo nuk e kupton se ajo nuk mund ta marrë nënshtetësinë, apo një pasaportë dhe nuk do të ketë kurrë më mundësi të udhëtojë jashtë Maqedonisë.

Ajo mbetet e bllokuar për 9 vjet në Shkup dhe pas disa kohësh humb edhe kontaktet me Simonën. Pjesa interesante e kësaj shfaqjeje është se bëhet fjalë për një personazh dhe histori të trilluar, që Simona i tregon publikut. Shfaqja fokusohet në fuqinë e ndjeshmërisë. Në edicionin e njëzet të festivalit ndërkombëtar të teatrit bashkëkohor “Skampa”, në qytetin e Gramshit u prezantua shfaqja “Lule dielli”, nga LAB Theatër ATK, e cila do të jetë pjesë e programit edhe në teatrin e Elbasanit, në ditët në vijim./Agjensia e Lajmeve Sot News/KultPlus.com

Hapet Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesë e tij

Sot ka filluar panairi i librit në Frankfurt, Gjermani.

Panairi i librit i Frankfurtit (i 70-ti me radhë) është panairi më i rëndësishëm i librit në botë, dhe një nga ngjarjet kryesore kulturore e sociale mbarëbotërore. Këtë vit i ftuar nderi i panairit është shteti i Gjeorgjisë. Marrin pjesë më shumë se 7,300 ekspozues prej më shumë se 100 shteteve.

Për pesë ditë me radhë ekspertët e botimit, shkrimtarët dhe entuziastët e kulturës nga e gjithë bota mblidhen në Frankfurt për të shënuar këtë ngjarje.

Shoqata e Botuesve të Kosovës e ndihmuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për të 15-tin vit me radhë, është pjesë e panairit të librit në Frankfurt. Në kuadër të stendës kolektive të Kosovës prezentohen 30 shtëpi botuese: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik e i Historisë, Buzuku, Pema, Faik Konica, Koha, Artini, Dija, Dukagjini, Albas, Titanik etj.

Gjatë panairit prezentohen autorë shqiptarë, me ndihmën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, të cilët janë prezentë në stendën e Kosovës: Adem Gashi, Çun Lajçi, Marigonë Kelmendi, Halil Matoshi, Valentina Saraçini, Ismail Syla e Abdullah Zeneli.

Në bashkërendim me Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë në Frankfurt organizohen promovime e prezentime (ditën e shtunë, 13.10.2018).

Stenda e Kosovës është në Sallën 5.0, numër D131./ KultPlus.com

“Kosova” e Jusuf Buxhovit vjen me vëllimet 6, 7 dhe 8

Sot dolën nga shtypi vëllimet 6,7 dhe 8 të kompletit tashmë të njohur “Kosova” të historianit, publicistit e shkrimtarit Jusuf Buxhovi.

Sipas autorit, promovimi i parë i këtyre tri vëllimeve do të bëhet në Panairin e librit që organizon Kolegji AAB më 5 tetor në orën 12:00.

Sipas autorit, promovimi do të vazhdoj edhe në qytete të tjera të Kosovës por edhe në Shkup, Tetovë e Ulqin si dhe qytete të tjera shqiptare.

Botues të kompletit “Kosova” 1-8 janë Jalifatpublishing nga Hjustoni (ShBA) dhe “Faik Konica” nga Prishtina./KultPlus.com

Hajrulla Çeku tregon shifrën marramendëse të kosovarëve që pushuan në Shqipëri

Hajrulla Çeku, ish udhëheqës i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, i cili u emëruar zëvendësministër i Turizmit në Qeverinë e Shqipërisë, ka dhënë disa statistika rreth vizitorëve kosovarë në territorin e Shqipërisë.

Sipas tij kosovarët realizuan afër 670 mijë vizita/hyrje në territorin e Shqipërisë gjatë muajit gusht 2018, një rritje prej 40% në krahasim me gushtin 2017. Në total (janar-gusht 2018) kemi mbi 1.5 milionë hyrje, 17.7% më shumë se e njëjta periudhë 2017.

“Kosovarët vazhdojnë të dominojnë turizmin shqiptar. Përkundër të gjithave dhe gjithçkaje. #VisitAlbania”, ka shkruar Ceku në Facebook./KultPlus.com

Kosova dhe Japonia me marrëveshje për rritjen e potencialit të turizmit

“Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zgjerojë raportet me partnerët strategjik” Ushtruesja e detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë Japoneze të Turizmit, për lehtësimin e zhvillimit ekonomik dhe për rritjen e potencialit të turizmit në të dy vendet.

Krasniqi tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zgjerojë raportet me partnerët strategjik, siç është Japonia, prandaj dhe është iniciuar dhe finalizuar nënshkrimi i marrëveshjes me Agjencinë Japoneze e Turizmit.

“Kjo marrëveshje do të ketë impakt shumë pozitiv për shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht hap mundësi të reja për të dyja vendet, sidomos në fushën e turizmit. Po ashtu kjo marrëveshje është një eksperiencë e re për Republikën e Kosovës sepse do të ketë shkëmbime të materialeve të ndryshme dhe përvojave në turizëm dhe do të lehtësojë komunikimin në mes të dyja vendeve”, ka theksuar Krasniqi.

Sipas një komunikate të MTI-së, po ashtu Republika e Kosovës është duke u prezantuar në panairin e turizmit në Japoni nga Agjencia për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, KIESA, në kuadër të MTI-së, panair ky që synohet të promovohet turizmi i Kosovës dhe potencialin që e ofron Kosova. Në këtë panair po marrin pjesë dy kompani të Kosovës që janë përzgjedhur nga KIESA.

Ushtruesja e Detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi tha se panairi është mundësi e mirë për t’iu treguar investitorëve Japonez për mundësitë që ofron Kosova në fushën e turizmit dhe investimeve. “Jemi të interesuar qa ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik, dhe jemi të interesuar që të kemi rritje të turistëve nga Japonia në Kosovë”, tha Krasniqi./ KultPlus.com

Mediumi italian rekomandon Prizrenin si destinacion që s’duhet humbur për vizitë në Ballkan

Qytete mesjetare, kështjella të lashta, arkitektura osmane, mbetje romake dhe peizazhe magjepsës: Ballkani është destinacioni i ri i modës për t’u vizituar në Europë, shkruan në artikullin e publikuar në rubrikën “Dove”, në gazetën italiane “Corriere della Serra”, gazetarja italiane, Francesca Masotti.

Nga qytetet më të bukura të Piranit, Dubrovnikut dhe Kotorrit, përgjatë bregut të Adriatikut, në Prizren, kryeqyteti kulturor i Kosovës, në qytetet otomane të Beratit dhe Gjirokastrës, në Shqipëri, Gadishulli i Ballkanit është një surprizë e vazhdueshme, për të vizituar tani, turmat janë arkivuar si dhe temperaturat e larta të verës, përpara se të gjithë të jenë të vetëdijshëm për bukurinë e saj.

Në galerinë e fotove janë përshkuar 20 vendet për të vizituar në Ballkan këtë vjeshtë për fundjavën e parë të sezonit më romantik të vitit, si Bled, Pirano, Lubiana në Slloveni, Split dhe Dubrovnik, në Kroaci, Mostar, Sarajevë në Bosnjë, Kotor, Budva, në Malin e Zi, Subotica në Serbi, Beogradi në Serbi, Prizren në Kosovë, Gjirokastër dhe Berati në Shqipëri, Ohër, Shkup në Maqedoni, Sibiu, Bukuresht, Ponë Rumani, Polvidiv dhe Sofie në Bullgari.

Prizren, Kosovë

Përkundër asaj që mund të mendohet, Kosova fsheh thesare të vërteta të panjohura për shumicën e njerëzve. Ashtu si qyteti i Prizrenit, një gur i arkitekturës osmane që ndodhet në jug të vendit. Shtëpitë tradicionale, urat prej guri, kishat dhe xhamitë për aq sa syri mund të shohë: Prizreni është një prej gurëve të fshehur ballkanikë. Për ta admiruar atë nga lart është e nevojshme për të arritur në kështjellë. Më mirë në perëndim të diellit kur qielli jep pamje magjike.

Gjirokastra, Shqipëri

Qyteti muze i Shqipërisë është një perlë e vërtetë e fshehur në jug të vendit vetëm disa kilometra larg kufirit grek, përcjell KP. Atdheu i dy burrave më të famshëm shqiptarë të të gjitha kohërave, Enver Hoxha dhe shkrimtari Ismail Kadare, Gjirokastra është një destinacion i domosdoshëm falë arkitekturës së stilit osman, çarshisë së vjetër të rinovuar kohët e fundit dhe kështjellës me pamje të mahnitshme të qytetit dhe malet përreth, shkruan “Corriere della Serra”.

Berat, Shqipëri

E quajnë qyteti i një mbi një dritareve, për shkak të pikave të shumta të dritës mbi fasadat e bardha të ndërtesave tradicionale osmane: Berati është një nga destinacionet më të këndshme në Ballkan, lehtësisht të arritshme nga kryeqyteti, Tirana. Për të vizituar dy lagjet historike të Goricës, traditën e krishterë dhe Mangalemin, të traditës myslimane dhe kështjellën ku ndodhen kishat bizantine dhe mbetjet e xhamive të lashta./ KultPlus.com

Kadare kundër rishikimit të kufijve Kosovë-Serbi: Do të cenonte stabilitetin në Ballkan

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare është shprehur kundër rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai, sipas gazetes KohaJone, thotë se një lëvizje e tillë do të cenonte stabilitetin në Ballkan.

“Gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit të Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon. Shqiptarët dhe serbët, dialog e marrëveshje po në Bruksel, por asesi në dëm të sovranitetit të Kosovës!

Askush s’ka të drejtë, Serbia hiç e më hiç, të cenojë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Reciprocitet mes Veriut dhe Luginës së Preshevës meqë këta te fundit nuk janë rehat. Nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë….’

Më pas, duke komentuar situatën në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – thekson shkrimtari i madh.

Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”.

Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan pas një shekulli të shtetit shqiptar vjet pas pavarësisë, Kadare thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit, me përjashtim te Krahinës së Preshevës sipas të cilit trevat i kemi keq. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu.

Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë”.

“Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”, ka thëne në fund Kadare, shkruan Koha Jonë./KultPlus.com

Anketa që të trishton: Mbi 60 për qind e qytetarëve duan të ikin nga vendi

​Pothuajse 60 për qind e të anketuarve raportuan se ka gjasa që të konsiderojnë largimin nga Kosova në tre vitet e ardhshme dhe gjithsej 48 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova nuk po ecën as në drejtimin e duhur e as në atë të gabuar.

Kështu thuhet në raportin “Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë”, prezantuar nga UNDP dhe USAID në Kosovë. Në analizën e Pulsit Publik, thuhet se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, pasi 20 për qind e popullsisë vlerësohet të jetë mes 15 dhe 29 vjeç. Rezultatet tregojnë se një numër i madh i të anketuarve apo 48 për qind janë pesimistë për të ardhmen e Kosovës.

Të anketuarit nga grupmosha 25-35 vjeç e konsiderojnë situatën e përgjithshme politike si problemin kryesor në Kosovë.

Një total prej 52 për qind e të anketuarve janë të punësuar, 36 për qind e tyre janë me orar të plotë, 10.5 për qind me kohë të pjesshme dhe 6 për qind janë të vetëpunësuar.

Në total, 48 për qind e të anketuarve janë të papunë, 26 për qind nuk punojnë por kërkojnë punë, ndërsa 22 për qind as nuk punojnë dhe as nuk kërkojnë punë. Kështu thuhet në raportin “Analiza e Pulsit Publik – Sfidat dhe Këndvështrimet e Rinisë në Kosovë”, prezantuar nga UNDP dhe USAID në Kosovë.

Sipas raportit, vetëm 45 për qind e të anketuarve, grupmosha 18-24 vjeç në krahasim me 59 për qind të të anketuarve të grupmoshës 25-35 vjeç janë të punësuar dhe nuk ka dallime të konsiderueshme mes etnive.

“Analiza statistikore zbuloi dallime të rëndësishme gjinore në lidhje me punësimin. Ku 56 për qind e të anketuarave femra dhe 40 për qind e të anketuarve meshkuj nuk janë të punësuar.

Gjithashtu, 30 për qind e të anketuarave femra as nuk punojnë dhe as nuk janë në kërkim të një pune, në krahasim me vetëm 13.9 për qind të të anketuarve meshkuj që janë në të njëjtën situatë”, thuhet në raport.

Raporti tregon se arsyeja kryesore që të rinjtë e papunë nuk janë në kërkim të vendeve të punës është sepse ata shkojnë në shkollë ose së pari duan të mbarojnë shkollën me 48 për qind.

Përgjegjësitë familjare, siç është kujdesi për fëmijët, janë arsyeja e dytë më e shpeshtë me 25 për qind për moskërkimin e një pune, e ndjekur nga mungesa e kualifikimeve të duhura me 12 për qind.

“Pothuajse të gjithë të anketuarit deklaruan se prindërit ose anëtarët e familjes së tyre i mbështesin financiarisht. 55 për qind mbështeten nga prindërit e tyre, 46 për qind nga anëtarët e tjerë të familjes dhe 18.5 për qind nga të afërmit/miqtë që jetojnë jashtë vendit. Vetëm 1.5 për qind e të anketuarve pretendojnë se kanë mbështetje nga institucionet e Kosovës”, vijon raporti.

Në analizën e Pulsit Publik, thuhet se Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, pasi 20 për qind e popullsisë vlerësohet të jetë mes 15 dhe 29 vjeç. Rezultatet tregojnë se një numër i madh i të anketuarve apo 48 për qind janë pesimistë për të ardhmen e Kosovës.

Të anketuarit nga grupmosha 25-35 vjeç e konsiderojnë situatën e përgjithshme politike si problemin kryesor në Kosovë.

Pothuajse 60 për qind e të anketuarve raportuan se ka gjasa që të konsiderojnë largimin nga Kosova në tre vitet e ardhshme.

Gjithsej, 48 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova nuk po ecën as drejtimin e duhur e as në atë të gabuar./KultPlus.com

“Hyp se të vrava, zbrit se të vrava”

Po sjellim disa fjalë të urta nga Kosova.

Arma ta prun kreun, arma ta prun atdheun.
I huaji kurrë s’bahet i yti.
Kur të jesh në dhe të huej, dita të duket ni muej.
Me kajtë për vatan s’a marre.
Si dheu yt s’ka.

Liria nuk blehet me pare e me tokë, po fitohet me gjak e me kokë.
Kanga e trimit knohet mas lufte e jo tuj luftue.
Kush punon me mend i kryen punët me vend.
Edhe uflla pa pare asht e amël.
E ban barki,e han shpina.

Anërr e kam ni, anërr p’e kallzoj.
Kau i mirë njihet në hulli.
Pej të dekunit s’ki shka pret.
Shqep jorgan e arno çarçaf.
Fjala ta hup, fjala ta pshton kryet.

Në seicilën gjellë mos u ban biber.
Nuk duhet me fol pa e peshu.
Hyp se të vrava, zbrit se të vrava.
Mos i qit ferra vetes.
Njeri njihet prej goje e jo prej mloje.

(Marrë nga arbëreshonline)./ KultPlus.com

Ilire Avdiu përfaqëson Kosovën në Bullgari

Klarinetisja Ilire Avdiu ditët e fundit ka përfaqësuar shtetin tonë në Bullgari, duke mbajtur Koncerte në Jazz Bar në Sofia si dhe International Jazz Festival në Pleven, përcjellë KultPlus.

Ajo ka interpretuar albumin e saj “A night in Prishtina” të lansuar dy vite më parë si dhe disa pjesë të reja muzikore me anë të së cilave ka paralajmëruar albumin e saj të dytë, i cili do të publikohet këtë vit.

Ajo ishte e ftuar poashtu në intervistën e Jazz FM Radio të Bullgarisë si dhe në Radion nacionale të Plevenit.

“Jam befasuar me mikpritjen e njerëzve të cilët kanë reaguar në mënyrë aq pozitive ndaj muzikës që kemi luajtur saqë edhe në Kosovë ende po më përcjellë ajo energji pozitive plot vullnet. E kam ndier vetën vërtetë të respektuar dhe të përkrahur. Falënderoj shumë organizatorët dhe të gjithë publikun për këtë eksperience shumë të bukur”, është shprehur Ilirja për KultPlus.

Këto evente janë iniciuar nga organizata joqeveritare “Balkan Ways To Friendship”.
Instrumentistët që kanë bashkëpunuar kanë dhënë një profesionalizëm jashtëzakonisht të përgjegjshëm, duke i dhënë muzikës stilin e duhur që ajo kërkonte.
Instrumentistët kanë qenë të vendas si: Stanislav Arabadzhiev në piano, Mihail Ivanov në Bas Kitarë dhe Stefan Goranov në Bateri.

Si mysafir special i këtij kuarteti në Sofia Jazz Bar ka qenë kavallisti Zhivko Vasilev.

Si në Sofia ashtu edhe në Pleven Ilire Avdiu ka pasur një sukses të padiskutueshëm.

Ajo do të ketë edhe tjera evente të tilla, në të cilat do t’a përfaqësoj vendin tonë me krenari në mënyrën e saj artistike./KultPlus.com

Këpucët “Made in Kosova” alarmojnë Serbinë

Këpucë me mbishkrimin Republika e Kosovës, janë paraqitur në Beograd, shkruan në numrin e nesërm gazeta Danas.

Në një dyqan në kryeqytetin serb po shiten këpucë për gra të kompanisë Geris nga Ferizaj.

Në etiketat e këpucëve shkruan vendi i prodhimit: Republika e Kosovës, Ferizaj, raporton KTV.

Ministri i Tregtisë në qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq ka thënë se mbishkrime të tilla nuk do të duhej të kishte askund në Serbi.

Ai ka thënë se do të lajmërojë Inspektoratin e Punës që të marrë masa.

Sipas shifrave zyrtare tregtia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë këtë vit ka qenë deri tash 231 milionë euro.

Edhe Vushtrria i kërkon eshtrat e Hasan Prishtinës

Institucione qendrore e lokale ia kanë mësyrë iniciativës për sjelljen e eshtrave të Hasan Prishtinës në Kosovë.

Por nisma e ditëve të fundit, i ndan në dysh edhe iniciatorët. Përderisa Kuvendi i Kosovës synon që mbetjet mortore të patriotit të rivarrosen në Prishtinë, Komuna e Vushtrrisë kërkon që ato t’i kthehen qytetit të lindjes.

Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit. E kryetari i Kuvendit të Kosovës ka thënë t’ua ketë dërguar një shkresë autoriteteve shqiptare për mbetjet mortore të ish-kryeministrit pesëditor të Shqipërisë, i varrosur në Kukës.

“Tue kënë se gjyshi i em, Haxhi Ali Berisha, para 150 vjetve ka ardhë në Vulçitirn nga katundi Polancë, prandej mbi-emni em duhet me kenë ‘Polanca’. Por mbasi qi u zgjodha deputet i Prishtinës e mbrapa, nëpër shkrime, fletore e tjera më quejshin Hasan Prishtina, për kët’ shkak po më vazhdon gjithnji ky mbi-emen”, kishte shkruar ai në përmbledhjen “Nji shkurtim kujtimesh mbi kryengritjen shqyptare të vjetit 2012”.

Prishtina i lindur më 1873 ishte vrarë me 13 gusht 1933 në Selanik, ndërsa ishte varrosur në Kukës. Ka qenë nëpunës, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, aktivist shqiptar për autonominë e më pas pavarësinë shqiptare, ministër e kryeministër dhe deputet i shtetit shqiptar, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Gashi: Vizita në Kosovë më ka ndryshuar

Reperi shqiptar, që karrierën e zhvillon në Amerikë, Gashi, ka deklaruar se vizita që i bëri Kosovës për performancën në Festivalin “Sunny Hill” e ka ndryshuar atë.

“Kam udhëtuar nëpër botë sivjet… por udhëtimi në Kosovë më ka ndryshuar mua”, ka shkruar ai në një postim në Twitter.

Gashi kishte performuar në natën e dytë, ku akti kryesor ishte Action Bronson./KultPlus.com
https://www.instagram.com/p/BmdrO_yHV25/?taken-by=gashi
https://www.instagram.com/p/BmZLVh0noaR/?taken-by=gashi

Çfarë thoshte Rugova më 1992 për “Der Spiegel” rreth ndarjes së Kosovës

Duket se politika e ndarjes së Kosovës ka qenë e vjetër në rrethin elitar serb dhe kjo ka qarkulluar prej fillim viteve të 90-të. Për këtë është pyetur edhe Ibrahim Rugova në intervistën e dhënë për “Der Spiegel” gjatë 8 qershorit 1992.

“Serbët shikojnë me këtë ‘ndarje’, që secila tokë me pasuri natyrore t’i takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave”, thoshte Rugova, transmeton AlbInfo.ch.

Der Spiegel: A do të kthehet Kosova në betejë të ardhshme të Ballkanit?

Ibrahim Rugova: Ushtria Jugosllave është e dërmuar pas disfatës së rëndë në Slloveni, duke dashur që këtë ta mbulojë me ndonjë luftë tjetër. Udhëheqësi serb, Slobodan Milosheviq është i pasigurt, shtuar kjo edhe pas sanksioneve të Kombeve të Bashkuara. Nëse ai do të vendoste intervenim ushtarak kundër Kosovës, atëherë nuk do të ishte çudi nëse edhe OKB-ja do të ndërhynte ushtarakisht. Personalisht do kërkoja ndihmë ushtarake nga jashtë, nëse Serbia e kërcënon Kosovën.

Der Spiegel: Presidenti kroat, Tuxhman, ka kërkuar disa herë që shqiptarët të hapin frontin e jugut kundër Serbisë. A jeni tërhequr ju nga ky front?

Rugova: Indirekt Po. Neve shpesh na është kërkuar të mbështesim politikën pasive të rezistencës gandiane. Fatkeqësisht koalicioni mes sllovenëve, kroatëve dhe shqiptarëve është shembur. Gati një vit unë s’kam kontakte me Zagrebin.

Spiegel: Serbia pretendon se shqiptarët e Kosovës janë deri në dhëmbë të armatosur?

Rugova: Vlen e kundërta, ne s’kemi armë zjarri.

Spiegel: A ka shanse që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës?

Rugova: Njohja e Kosovës është më e mirë se e kundërta e saj – domethënë se një krizë permanente në kufijtë e Serbisë. Ne jemi të gatshëm të shpallim një shtet neutral dhe të evitojmë bashkimin me Shqipërinë. Megjithatë, bashkimi me Shqipërinë është qëllimi ynë natyral.

Der Spiegel: Presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, ka deklaruar se kufijtë e ish-Jugosllavisë janë të paprekshëm?

Rugova: Udhëheqësia shqiptare është nën presion, pasi edhe situata ekonomike në Tiranë është e rënduar. Por, kjo nuk vlen nëse do të kishte luftë. Ata do të na ndihmonin në një gjendje të tillë.

Der Spiegel: Për çfarë ndihme bëhet fjalë?

Rugova: Në gjendje lufte me ne do solidarizoheshin edhe shqiptarët e Maqedonisë. Atje janë rreth 40% dhe jo 20% siç pretendohet nga regjimi i Shkupit. Natyrisht unë shikoj rrezikun e ndërkombëtarizimit të konfliktit, pasi edhe Bullgaria mund të kyçej në luftë nëse “destabilizohej” Maqedonia, duke u shfaqur si shpëtuese.

Der Spiegel: Rrethi intelektual i serbëve është pajtuar ta ndajë Kosovën mes shqiptarëve dhe serbëve?

Rugova: Atëherë prapë do të jetonin një milion shqiptarë jashtë mëmëdheut. Gjithashtu serbët shikojnë me këtë “ndarje”, që secila tokë me pasuri natyrore ti takojë asaj. Atëherë neve do të na mbetnin vetëm tokat pa vlerë. Ne nuk biem pre e këtyre politikave. Do pranonim një protektorat të përkohshëm të OKB-së, sepse do të ishte qesharake të mendohej se 8% e minoritetit serb të sundonte dhe të mundte me dhunë 2 milionë shqiptarë.

Der Spiegel: Kosova në vitin 1974 de fakto kishte statusin e republikës, pse erdhi deri në protestat e dhunshme të 1981.

Rugova: Prej çlirimit nga turqit ne dëshironim shtetin tonë të pavarur. Në Jugosllavinë e 1918 ne nuk përfaqësoheshim si pjesë e Serbisë, por të pavarur, pra si Kosovë. Për kombin tonë është tragjedi të jemi nën shtypjen serbe.

Der Spiegel: Si e sqaroni ju këtë shtypje?

Rugova: Ne asnjëherë s’kemi pasur të drejtat të njëjta me kombet tjera. Prej 1990 janë arrestuar dhe burgosur 100.000 shqiptarë, nga punëtori i thjeshtë deri te profesorë të njohur. Papunësia te shqiptarët sot arrin 90%. Situata ekonomike është katastrofale. Mbijetesa jonë është falë remitencave të diasporës.

Der Spiegel: Kryeministri serb ju ka ftuar për takim në Beograd. Do shkoni ta takoni?

Rugova: Nuk kam marrë dakordësi nga “gjithë partitë e Kosovës” për të zhvilluar bisedime. Edhepse serbët janë zhytur deri në fyt, ata duan ti tregojnë botës se janë të gatshëm për bisedime. Ne e dimë prej tani se policia në Kosovë kërkon të pezullojë parlamentin e Prishtinës qoftë edhe me dhunë. Për Kosovën duhet të ketë takime, por më së miri me ndërmjetësimin e shteteve të Evropës.

Der Spiegel: Sa kohë ka mbetur deri te zgjidhja paqësore?

Rugova: Numri i radikalëve rritet nga ditë në ditë. Fatmirësisht e mbaj situatën akoma në kontroll- por me shumë vështirësi. Shumica e shqiptarëve të Kosovës janë patriotë, duke u shqetësuar për të ardhmen. Por unë nuk mund të premtoj, që ata një ditë të kthehen në nacionalistë. Jugosllavia është shpërbërë. Të gjitha kanë krijuar shtetet e tyre, por çdo ndodhë me 2 milionë shqiptarët?

Poezia që Bekim Lumi e shkroi gjatë ditëve të luftës

Kosova

Poezi e shkruar nga Bekim Lumi.

Kur atdheut i rrxohen kështjellat
I shemben pirgjet urat kullat
I zihet fryma
I mpikset gjaku
Themelet kur i luejnë vendit
Rozafë ajo bahet
Sall gjinin e djathtë e len përjashta
Gjergji Muji Halili Ademi Shabani Hamza
Pijnë tambël
Forcadë marrin
Për lufta t’rrebta
Tevona
Si rr’fe prej qielle
Veç nji za ndihet
“Oj Kosovë, mos thuej mbarova,
Se djemtë tu ende janë gjallë…”

Fituesja e “Eurovisionit”, Netta Barzilai: Nuk kam qenë kurrë në Kosovë, shpresoj ta vizitoj

Kosova tash e disa vite nuk ka të drejtë pjesëmarrje në “Eurovision”, megjithatë miliona shqiptarë nga ky shtet ndjekin çdo vit festivalin dhe shprehin dëshirën që edhe Kosova të jetë pjesë e kompeticionit.

Faqja “Eurovision Kosovo” tash e sa vite lobon për pjesëmarrjen e shtetit tonë në “Eurovision”, ndërsa sjell gjithnjë më të rejat rreth festivalit, shkruan Telegrafi.

Në rrjetin social Twitter, kjo faqe i ka dedikuar një pyetje këngëtares nga Izraeli, Netta Barzilai, e cila këtë vit fitoi “Eurovisionin”.

Ata e kanë pyetur nëse do ta vizitojë ndonjëherë Kosovë, ndërsa ajo është përgjigjur duke thënë: “Nuk kam qenë kurrë këtu! Shpresoj së shpejti”.

Netta Barzilai fitoi “Eurovisionin” këtë vit me këngën “Toy”, e cila ka qenë mjaft e përfolur javëve të fundit pas disa akuzave për plagjiaturë.

Megjithatë, Izraeli pritet të jetë shteti i cili do të mirëpresë vitin e ardhshëm kompeticionin më konkurrues mes shteteve të Evropës, në fushën e muzikës. /KultPlus.com

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë”

Dritëro Agolli ishte një poet e shkrimtar i madh që shpesh në veprimtarinë e tij artistike e politike ka prekur edhe çështjen e Kosovës, shkruan KultPlus.

“Nuk ka Shqipëri dhe Kosovë, por ka Shqipëri këtej Drinit dhe Shqipëri përtej Drinit”, thoshte Agolli.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në datëlindjen e 85-të të shkrimtarit Agolli, i ka dorëzuar atij dekoratën e Pavarësisë së Kosovës, për kontributin e çmuar që ka dhënë, në ditët më të vështira të Shqipërisë së andej Drinit, siç e quante Agolli Kosovën./ KultPlus.com

Pullat postare “Artizanati – punime nga argjila”

Nga sot Filatelia e Postës së Kosovës lëshon në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare me titull “Artizanati – punime nga argjila”.

Ky emision, përmes tre pullave postare, prezanton pamje artistike të enëve nga argjila. Artizanati nënkupton punimin dhe përpunimin e gjërave të artit, si dhe formësimin e tyre, në rastin konkret formësimin e objekteve të ndryshme nga argjila.

Kosova është e njohur për traditë të pasur të artizanatit me vlera të çmuara, të krijuar prej shekujsh nga mjeshtrit popullorë në çdo regjion të saj, sipas karakteristikave dhe specifikave të zonave të ndryshme, duke u spikatur me shumëllojshmërinë e saj.

Për një periudhë të gjatë kohore objektet e punuara nga argjila kanë gjetur një përdorim të gjerë në amvisni, por edhe në dekorim të hapësirës jetësore. Kësaj radhe prezantohen pamjet e pjatave dhe enëve për ujë, të punuara nga duart e arta të artistëve./ KultPlus.com

LB: Shqiptarët në Serbi duhet të kenë të drejta si serbët në Kosovë

Rreth Deklaratës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sot me në kumtesë ka reaguar kryetari i Lëvizjes për Bashkim Valon Murati.

Në këtë kumtesë ai ka thënë se parti e tij që nga vitit 2010 është angazhuar ndërmjet veriut të Kosovës dhe Luginës së Preshevës, transmeton Koha.net.

“Nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme duke biseduar vetëm për serbët dhe vetëm për Kosovën”, thuhet në këtë kumtesë në të cilën shkruan:

“Sot Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të tri komunave të Kosovës Lindore përmes një deklarate pohoi edhe njëherë se shqiptarët në këtë pjesë i nënshtrohen një diskriminimi të vazhdueshëm nga shteti serb. Ata gjithashtu kërkuan që interesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore të shtrohen si temë diskutimi në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Njëkohësisht, me të drejtë ata kërkuan që të njëjta të drejta të cilat iu ofrohen serbëve në veri të Kosovës t’i jepen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore.

Lëvizja për Bashkim prej vitit 2010 ka ngulmuar që i vetmi parim i drejtë për të zgjidhur çështjen shqiptaro-serbe është parimi i reciprocitetit. Ne jemi të bindur se e vetmja rrugë për të normalizuar marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, për të stabilizuar Kosovën por edhe rajonin, është që të drejta të njëjta zbatohen për të dy popujt. Nuk mund të ketë zgjidhje të qëndrueshme duke biseduar vetëm për serbët dhe vetëm për Kosovën. Kështu ato zgjidhje që ofrohen për serbët në tri komunat veriore të Kosovës të vlejnë edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore, apo të njëjtat të drejta që iu kanë garantuar serbëve në Kosovë të vlejnë edhe për gjithë shqiptarët që jetojnë në Serbi. Është shumë e rëndësishme që parimi i reciprocitetit ka filluar të institucionalizohet si kërkesë e shqiptarëve në Kosovën Lindore. Klasa politike në Kosovë, në pozitë dhe opozitë jo vetëm që duhet t’i përkrah këto kërkesa për shkak të obligimit ndaj njerëzve tanë atje, por edhe për shkak se duke e futur parimin e reciprocitetit në bisedimet me Serbinë, shtrohet rruga përmes së cilës Kosova bëhet shtet stabil dhe normal”./KultPlus.com