Von der Leyen: Kosova i ka plotësuar kushtet, sistemi ETIAS është i ndarë nga kriteret për liberalizim vizash

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave. Von der Leyen ka thënë se Komisioni qëndron prapa qëndrimit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.

Ajo gjithashtu ka thënë se do të bëjë çmos për të bindur edhe Këshillin Evropian për të adresuar këtë çështje sa më shpejt dhe në mënyrë konstrutkive, shkruan Gazeta Express.

“Sa  përket vizave. Kosova I ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme. E Kemi thënë edhe në 2018 e kemi përsëritur. Janë plotësuar të gjitha standardet. Jemi plotësisht në anën tuaj”, ka thënë Von der Leyen, raporton Express.

“Do të bëjmë përpjekje ta bindim të gjithë këshillin që kjo temë të adresohet shumë shpejt në mënyrë konstruktive”, ka shtuar ajo.

Ndërkohë për sistemin ETIAS ka thënë se është çështje e ndarë nga procesi i liberalizimit të vizave.

“ETIAS është i pavarur nga ky proces. Është proces shumë i rëndësishëm për BE-në. Ne do të kërkojmë përmes këtij instrumenti teknik që të gjithë që futen në BE të aplikojnë përmes këtij sistemi që do të jetë i pavarur nga kriteret e vizave.

Me këtë do të kemi transparencë në lëvizje. Do të vlejë për të gjitha vendet e BE-së”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Ka hapur dyert sot Panairi i Librit në Frankfurt, Kosova tradicionalisht pjesëmarrëse

Hap dyert sot panairi më i madh i librit në botë, në Frankfurt të Gjermanisë, me mesazhin “Fjalët bashkojnë botën”.

Janë mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës nga e gjithë bota që marrin pjesë në panair, ndër të cilët, tradicionalisht, i pranishëm është edhe shteti i Kosovës, organizuar e prezantuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Panairi i Librit këtë vit fokusohet në temën e përkthimit në shumë drejtime: në gjuhë të tjera, format e tjera të mediumeve dhe konteksteve – dhe nevojës për mirëkuptim dhe komunikim ndërkulturor.

Nën moton “Creatividad Desbordante”, e ftuar e nderit e këtij viti, Spanja, do të prezantojë zhvillimet dhe prirjet në jetën e saj letrare dhe kulturore dhe, veçanërisht, industrinë e saj aktuale letrare dhe krijuese.

Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi Nobel dhe Panairi i Librit në Frankfurt. Duke filluar nga fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi 2021, Abdulrazak Gurnah, me fituesen e Çmimit Goncourt Leila Slimani, e shkrimtarë të tjerë si Elvira Sastre, Donna Leon, Florian Illies, Florence Shekete, Melanie Raabe, etj., do të jenë të pranishëm në ambientet e panairit.

Kosova është e pranishme në sallën 4.0 stenda C99, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj.

Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: “Buzuku”, “Koha”, “Faik Konica”, “Pema”, “Artini”, “Dukagjini”, “Albas”, “Meshari”, “Magjia e Librit”, “Noa”, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës.

Në fundjavë, panairi hapet edhe për qytetarët dhe vizitorët, me ç’rast mbahen promovime me autorë dhe orë letrare në stendën e Kosovës, që është edhe pikëtakim i qindra kosovarëve që jetojnë në Gjermani. Një rast i jashtëzakonshëm ky për të gjithë diasporën që të njoftohet me prurjet nga letërsia dhe kultura shqiptare, duke mbajtur gjallë lidhjen e trashëgiminë kulturore. / KultPlus.com

Sot shqyrtohet raporti për Kosovën në Këshill të Sigurimit

Ministrja Donika Gërvalla merr pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork.

Këshilli i Sigurimit në mbledhjen e sotme në New York do të shqyrtojë raportin periodik të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën.

Për këtë, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, dje ka udhëtuar për në SHBA ku do të përfaqësojë Kosovën dhe të arriturat e saj.

Për pjesëmarrjen e Gërvallës, dje ka njoftuar Ministria e Punëve të Jashtme.

“Gjatë këtij takimi, ministrja Gërvalla do t’i paraqesë të arriturat e Republikës së Kosovës, sfidat me të cilat përballet, sukseset në fushën e ekonomisë dhe sundimit të ligjit, reformat në fusha të ndryshme si dhe perspektivën e vendit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli i Sigurimit, pikë e rendit të ditës janë edhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit, përfshirë edhe atë 1244.

Seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së do të nisë nga ora 15:00 që me orën lokale në Kosovë i bie në ora 21:00./Gazeta Express/ KultPlus.com

Kosova

Poezi nga Bilal Xhaferi 

Me ndarje dhe nënndarje gjeografike
Me ndarje dhe nënndarje historike
Kosova
Që nga ujrat e kulluara të Ohrit
Deri në errësirën e minierave të Mitrovicës
Që nga brigjet e kaltra të Ulqinit
Deri në Qelekullën e në fushën e Nishit
Kosova
Fushë e begatshme me fruta e grunore
Që bie erë pranverës e tëra lule molle
Kosova me male kreshnike
Male të zhveshur me pisha e bredhishte
Që e rrahin qiellin me krahë shqipesh
Që e dehin diellin me aromë rreshire
Që e ndezin qiellin me zbardhëllimë dëbore
Kosova
Krahinë shqiptare që në fillim të saj
Tokë e Manastirit
E Prizerenit
E Plavës dhe e Gucisë
Tokë e legjendave legjendare të Gjergj Elez Alisë
Kosova
Legjendë e mbetur në rrugëkryq të historisë
Kosova
Gjithnjë ashtu si gjithnjë
Me dhëmb të shtrënguar e me shpirt ndër dhëmbë
Kosova
Ku shqiptarët flasin një gjuhë dhe dëgjojnë dy gjuhë
Kosova gjithnjë ashtu. / KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ekipin futbollistik “Ballkani”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ekipin futbollistik “Ballkani” nga Suhareka, i cili aktualisht po i zhvillon garat në Ligën e Konferencës të UEFA-së.

Presidentja Osmani uroi djelmoshat e “Ballkanit”, për suksesin e historik të ekipit të treguar deri tani në garat evropiane dhe tha se sportistët kosovarë prej shumë kohësh janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Sukseset e tyre, sipas Presidentes Osmani e bëjnë krenar shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë ta mbështesin sportin në të gjitha aspektet duke uruar që ekipi i “Ballkanit”, sikurse edhe sporti kosovar në përgjithësi të vazhdojë me sukseset në prezantimet ndërkombëtare.

Ekipi i Ballkanit i dhuroi Presidentes Osmani një fanellë të klubit dhe një top futbolli, teksa ajo uroi futbollistët për fitore në ndeshjen e nesërme ndaj ekipit të Sivasspor. /KultPlus.com

Kurti dhe Osmani pranojnë sot Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot do të pranojë Raportin e Progresit për Kosovën të këtij viti nga Komisioni Evropian.

Osmani raporti do t’i dorëzohet nga Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog në Presidencë në ora 16:30.

Edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, këtë të mërkurë do të pranojë Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për këtë vit.

Raportin do ta pranojë nga Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, në objektin e Qeverisë.

Ditë më parë Komisioni Evropian u ka dërguar vendeve të Bashkimit Evropian dokumentin ku konfirmon se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Po në këtë dokument thuhet se Komisioni konfirmon se mbetet në fuqi propozimi që BE-ja t’i liberalizojë vizat për Kosovën.

Liderët e shtetit janë shprehur optimist lidhur me këtë çështje, ndonëse nuk japin datë se kur qytetarët e vendit mund të lëvizin lirshëm.

Me një vendim pozitiv me datën 13 tetor 2022, në takimin e Grupit Punues për Viza të Komisionit Evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në rrugën formale të miratimit, i cili mund të zgjasë disa muaj. /KultPlus.com

E konfirmon edhe ministri i Jashtëm austriak: Liberalizimi i vizave për Kosovën është afër

Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, pas takimit që ka pasur sot në Vjenë të Austrisë me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në një konferencë për media është shprehur optimist se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodh një të ardhme të shkurtër.

Schallenberg, tha se Austria ka mbështetur Kosovën gjithë, edhe para luftës së Kosovës, në kohën kur diktatori Sllobodan Millosheviq shtypte Kosovën.

“Na nevojitet edhe nga ana juaj bashkëpunimi dhe besoj se jemi në rrugë të mirë. Nga 24 shkurti bota jonë ka ndryshuar, pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe pasojat e saj ndjehen edhe në Ballkan. Ne jemi të kënaqur që Kosova ka marrë qëndrim shumë shpejt në këtë çështje. Ne të gjithë e dimë se duhet të jemi kujdesshëm”, tha ai. Sipas tij tash është një koha që të marrim vendime të rëndësishme për Ballkanin.

“Brukseli po diskuton statusin e vendit kandidat për Bosnjë dhe Hercegovinë dhe për liberalizimin e vizave për Kosovën. Është e pakuptueshme pse ka zgjatur aq shumë procesi i liberalizimin e vizave për Kosovën. Të gjitha shtete e Ballkanit i takojnë BE-së. Unë shpresoj se për një kohë të shkurtër të ndodh liberalizmi i vizave për Kosovë”, tha ai në një konferencë për media sa bashku me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.

Po ashtu, ai ka përmendur normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. “Është një shpresë që të gjendet një gatishmëri për kompromis”, tha ai.

Kurse Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka falënderuar Austrinë për mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Kosovës. “Mbi 90 për e popullit të Kosovës, e mbështetësin rrugën për BE dhe NATO, ne jemi evropian. Austria është e mirëseardhur në Kosovë, unë dëshiroj të ftoj konkretisht të vini në Kosovë dhe të investoni atje”, tha ajo.

Gërvalla tha se Serbia nuk e ka respektuar në rastet të ndryshme, sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Gjatë verës kemi pasur një zhvillim prej qeverisë sonë ka pasur një tentim për të vazhduar rregullimin e marrëdhënieve dhe të hyjmë në një marrëveshje me Serbinë, po ajo nuk ka funksionuar”, theksoi ajo.

Sipas saj shteti fqinjë, Serbia ka bërë kërcënime ndaj Kosovës. “Serbia ka sjellë ushtrinë e saj afër kufirit. Edhe ambasadori rus ishte në kufi ku ka inspektuar ushtrinë serbe, kjo situatë është tejkaluar me ndihmën e NATO-s”, theksoi ajo.

Kryediplomatja e Kosovës, tha se nuk duhet të fokusohemi vetëm në çështje të vogla në dialog. “Ne duhet të i dimë e se pse po dialogojmë. Për neve dhe partnerët tanë si SHBA, Gjermaninë etj, është e qartë qëllimi është njohja reciproke”, tha Gërvalla. / Express / KultPlus.com

Historike: Kosova flet sot për herë të parë në Këshillin e Evropës

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka treguar se në seancën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të mbajtur dje është konfirmuar se Kosova ka të drejtën e mbajtjes së fjalës për herën e parë.

Ajo ka thënë se delegacioni nga Kosova ka tri ulëse dhe bashkë me të janë edhe Arben Gashi dhe Enis Kervan.

“Nesër do ta marrim fjalën kur të diskutohet për raportin “George Papandreou”, ku diskutohet çështja e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e gjashtë vendeve drejt BE-së”, është shprehu ajo për InfoMagazine në Klan Kosova.

“Si delegacion e kemi pasë të drejtën e fjalës nëpër komisione, por jo të votës derisa të bëhemi anëtar i plotë. Tani mund të kyçemi direkt në seancë, përveç komisionieve”. / KultPlus.com

E konfirmon Komisioni Evropian: Kosovës duhet t’i hiqen vizat

Komisioni Evropian do të miratojë më 12 tetor paketën vjetore të zgjerimit dhe raportet e progresit për secilin nga vendet e përfshira në këtë proces.

Sipas burimeve të BE-së në Bruksel, raportet e sivjetme do të jenë një përzierje e elementeve pozitive, por edhe e shqetësimeve për mungesë të progresit në disa fusha, si dhe e disa dështimeve.

Komisioni Evropian pritet të përmendë nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si zhvillimin kryesor pozitiv në procesin e zgjerimit të bllokut me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Me vite, këto dy shtete kandidate kanë qenë në pritje të nisjes së negociatave, edhe pse, sipas Komisionit Evropian, i kanë pasur të përmbushura të gjitha kushtet.

Greqia ka hequr në verë pengesën e fundit ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila ka pasur të bëjë me disa mospajtime rreh gjuhës dhe identitetit. Rrjedhimisht është hapur rruga edhe për Shqipërinë, meqë dy vendet kanë qenë në paketë qysh në fillim.

Komisioni Evropian pritet të konfirmojë përmes raportit të progresit se Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet për liberalizimin e vizave me vendet evropiane dhe se Komisioni mbetet në qëndrimin se vizat për qytetarët e Kosovës duhet të hiqen.

Një gjë të tillë, Komisioni e ka shprehur edhe në një letër dërguar vendeve anëtare javën e shkuar, në prag të diskutimeve që do të zhvillohen më 13 tetor në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së.

Nga porositë politike për rajonin e Ballkanit pritet, po ashtu, që Komisioni të ftojë Kosovën dhe Serbinë që të bëjnë përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, që do të çonte drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

Për pothuajse të gjitha shtetet e rajonit pritet të përsëritet thirrja për më shumë përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për forcimin e sundimit të ligjit, për reformat e gjyqësorit dhe për lirinë e mediave.

Ndonëse ka një lloj progresi në këto fusha, Komisioni Evropian vlerëson se në të shumtën e rasteve zbatimi i reformave është në fazën fillestare.

Komisioni do të raportojë në këto dokumente edhe për sfidat e vendeve të rajonit në furnizimin me energji elektrike, si dhe për bashkëpunimin e tyre me BE-në në këtë drejtim.

Kureshtja më e madhe e diplomatëve në Bruksel është se si do t’i formulojë Komisioni Evropian kritikat që do t’ia bëjë Serbisë, për shkak të mospërshtatjes së qëndrimeve të saj me politikën e jashtme të BE-së, përkatësisht mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Serbia është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit dhe, krahas Turqisë, i vetmi vend i përfshirë në procesin e zgjerimit të BE-së, që nuk i ka mbështetur sanksionet e bllokut kundër Rusisë. Pritet që në raportin e progresit, Komisioni ta shënojë këtë si dështim të Serbisë.

Një vend tjetër i rajonit, i cili do të ketë fokus të veçantë në paketën e zgjerimit këtë vit, është Bosnje e Hercegovina.

Komisioni Evropian pritet të shprehë zhgënjim për dështimin e forcave politike në këtë vend për të arritur një marrëveshje për reformat e sistemit zgjedhor, si dhe për reformat e kufizuara kushtetuese.

Për këtë shkak, në ditën e zgjedhjeve në këtë shtet, më 2 tetor, përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare për Bosnje e Hercegovinën, Christian Schmidt, është detyruar t’i përdorë kompetencat e tij dhe të imponojë disa ndryshime.

Raportet vjetore të progresit analizojnë në detaje arritjet e secilit vend në fushat dhe kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

Vendet e rajonit ndodhen në faza të ndryshme në procesin e zgjerimit. Mali i Zi ka avancuar më së shumti dhe i ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave.

Serbia pason si shtet që është në procesin e negociatave, por këtë vit nuk ka hapur, deri më tash, asnjë kapitull të ri.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut sapo i kanë nisur negociatat, ndërsa Bosnje e Hercegovina ka aplikuar për anëtarësim në BE, por akoma nuk ka marrë mendim pozitiv nga Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat.

Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit Perëndimor, i cili nuk ka aplikuar ende për anëtarësim në BE.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta bëjë kërkesën formale këtë vit, por në BE nuk janë të sigurt se si do të veprojnë, pasi Kosova nuk është njohur si shtet nga pesë vende anëtare, ndërsa vendimet në procesin e zgjerimit merren me konsensus të plotë.

Turqia është një vend tjetër kandidat për anëtarësim në BE, për të cilin do të miratohet po ashtu raporti i progresit. Por, me këtë shtet, procesi i negociatave është i ngrirë dhe Komisioni, për disa vite radhazi, ka raportuar se Turqia ka shënuar kthim prapa në përmbushjen e kushteve për anëtarësim dhe përafrimin e saj me standardet evropiane.

Në qershor, në procesin e zgjerimit janë përfshirë edhe tri shtete të fqinjësisë lindore evropiane. Ukraina dhe Moldavia kanë marrë statusin e vendit kandidat, ndërsa Gjeorgjisë i është premtuar “perspektiva evropiane”. /Rel / KultPlus.com

Kosova përfaqësohet nga 4 xhudistë në Kampionatin Botëror të xhudos, mungon kampionia olimpike

Ekipi i Kosovës në xhudos do të marrë pjesë në garën më të rëndësishme, që prej përfundimit të Lojërave Olimpike Tokio 2020. Është Kampionati Botëror i xhudos, që prej 6 deri më 13 tetor 2022 do të mbahet në Tashkent të Uzbekistanit.

Kosova përfaqësohet me katër garuese. Ekipit i prinë Distria Krasniqi, që garon në kategorinë deri në 52 kilogramë, Flaka Loxha (-57 kg), Laura Fazliu (-63 kg) dhe Loriana Kuka (-78 kg).

Krasniqi është kampione olimpike Tokio 2020 dhe medaliste e bronztë e botës 2019, Kuka është medaliste e bronztë e botës 2019, ndërsa Fazliu që po shijon formë të mirë këtë vit, është nënkampione e Evropës 2022. Loxha dalëngadalë po ngritet në nivele të larta. Të gjithë janë bursistë olimpikë për Lojërat Olimpike Paris 2024.

Botërorit do t’i mungojnë familja Gjakova, Nora dhe Akili. Të dy sipas trajnerit Driton Kuka mungojnë shkaku i lëndimeve. Nora është kampione olimpike Tokio 2020, ndërsa vitin e kaluar fitoi medaljen e bronztë në Botëror, në kategorinë -57 kg. Akili është kampion i Evropës 2021, kategoria -73 kg dhe vendi i shtatë në Tokio 2020.

“Xhudistët tanë nisin garat të premten, kur në tatami është Krasniqi. Loxha, garon të shtunën, Fazliu të dielën, ndërsa të martën Kuka”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës. 

Kampionati Botëror është gara që sjell më së shumti pikë olimpike për Paris 2024.

Ndërkaq, Krasniqi mbetet një nga favoritet për të sjellë medalje në Kosovë. /KultPlus.com

Rajoni i Ballkanit po plaket, Kosova megjithatë ka popullsinë më të re

Përmirësimi i kujdesit shëndetësor, ushqimi më i mirë, kushtet e jetesës dhe shumë faktorë të tjerë janë arsyeja e rritjes së përqindjes së personave mbi 65 vjeç në pothuajse të gjitha vendet e botës. Me pak fjalë, bota po plaket, por po ashtu edhe popullsia në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Edhe pse në nivel global shihen vetëm pak më pak se një e dhjeta e popullsisë së botës njerëz mbi 65 vjeç, megjithatë në shumë vende, kjo përqindje është shumë më e lartë dhe arrin mbi një të tretën e banorëve të një vendi.

Statistikat demografike për moshën e popullsisë janë të rëndësishme nga shumë aspekte – nga organizimi dhe planifikimi i fondeve pensionale, ndërtimi i institucioneve për kujdesin e njerëzve, trajtimi spitalor etj.

Në vijim, TRT Balkan ju jep një pasqyrë të përqindjes së popullsisë së moshuar në botë, në Bashkimin Evropian dhe në rajonin e Ballkanit.

Të dhëna për rajonin nga burime të ndryshme

Sa i përket përqindjes së banorëve më të vjetër se 65+ në rajonin e Ballkanit Perëndimor, organizata globale statistikore Statista ka të dhëna për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, por jo për Kosovën, Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, ndaj duhet kërkuar të dhëna për ta nga burime të tjera.

Sipas Statista-s, Serbia ka përqindjen më të lartë të popullsisë së moshuar në Ballkanin Perëndimor me 21.3 për qind të popullsisë mbi 65 vjeç. Mali i Zi ka 15,9 për qind të popullsisë së përgjithshme që është më e vjetër se 65 vjeç, ndërsa, sipas të dhënave të Statista-s për Maqedoninë e Veriut, 14,8 për qind e popullsisë është më e vjetër se 65 vjeç.

Mirëpo, nëse analizohen të dhënat e reja statistikore të marra nga regjistrimi i popullsisë i vitit të kaluar dhe të publikuara këtë vit, vijmë deri te e dhëna se popullsia është “plakur” dhe tani janë 17.1 për qind e banorëve që janë mbi 65 vjeç. /KultPlus.com

Kosova dhe Shqipëria mund të jenë në të njëjtin grup në “Evropianin 2024”

Pasi përfundimit të garës së Ligës së Kombeve, tanimë janë bërë të ditur edhe vazot për kampionatin e ardhshëm Evropian, që do të mbahet në Gjermani në vitin 2024, shkruan KultPlus.

Shqipëria është në vazon e tretë, ndërkohë Kosova në vazon e katërt, prandaj në Evropianin e ardhshëm të dyja mund të jenë në të njëjtin grup.

Më poshtë mund t’i shihni edhe të gjitha vazot dhe kombëtaret tjera.

Shorti që do të përcaktojë grupet kualifikuese për në Euro 2024 do të hidhet të dielën e 9 tetorit 2022. /KultPlus.com

Në mungesë të konkretizimeve, Kosova pëson disfatë

Kosova është mposhtur 2-1 nga Irlanda e Veriut në kuadër të ndeshjeve në Ligën e Kombeve, shkruan KultPlus.

Ndonëse gjatë gjithë takimit “Dardanwt” pati shumë mundësi për të dyfishuar përpjekjet, një gjë e tillë nuk u arrit.

Irlanda i shfrytëzoi mirë kundërsulmet dhe arriti të fitonte ndeshjen dhe të siguronte 3 pikë të tjera.

Kosova ndodhet në pozitën e dytë në Ligën C të grupit të dytë dhe aktualisht ka 6 pikë.

Ndeshja e ardhshme do të zhvillohet në “Fadil Vokrri” përballë Qipros. /KultPlus.com

Lojtarët e kombëtarës së Kosovës befasojnë fëmijët e prekur nga kanceri

Federata e Futbollit e Kosovës është bërë pjesë e fushatës “Bashkohu, Shpëto Jetë“ të organizatës “Action for Health”, në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët, me ftesë të kryetarës së kësaj organizate, Nezaqete Rukovci.

Me këtë rast, sot, presidenti Agim Ademi, në shoqëri të drejtorit të Kombëtares, Muharrem Sahiti dhe futbollistëve Samir Ujkani, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani e Milot Rashica si dhe kreut të grupit të tifozëve “Dardanët”, Lulzim Berisha, e kanë vizituar Klinikën e Pediatrisë në Prishtinë, me ç‘rast kanë bërë shpërndarjen e fanellave, topave dhe shalleve të kombëtares për fëmijët që janë të shtrirë në këtë klinikë për mjekim.

Presidenti Ademi ka falënderuar stafin e kësaj klinike për kujdesin e vazhdueshëm ndaj fëmijëve të prekur me kancer, si dhe shprehu gatishmërinë e FFK-së për të mbështetur fushatat e ndërgjegjësimit të kësaj klinike, por edhe për format e tjera të përkrahjes e bashkëpunimit. Ademi dhe futbollistët e kombëtares uruan që fëmijët e shtrirë në këtë klinikë sa më parë ta kalojnë këtë sfidë dhe t’u kthehen familjeve të tyre dhe jetës normale.

Ndërkaq, drejtoresha e SHSKUK-së, Pranvera Zejnullahu Raci dhe stafi i Klinikës së Pediatrisë në krye me drejtoreshën Violeta Grajçevci Uka i falënderuan krerët e FFK-së dhe futbollistët e Kombëtares që iu përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u bërë pjesë e fushatës në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin te Fëmijët.

Gjatë vizitave në Repartin e Onkologjisë, njëri nga pacientët u shpreh tejet i lumtur që pati rastin t’i takojë yjet e Kombëtares dhe i pyeti ata për ndjenjën e të shënuarit gol në fanellën dardane, teksa theksoi se pikërisht atë ndjenjë gëzimi do ta ketë edhe ai kur të shërohet nga sëmundja dhe kur do të ketë mundësinë për të qenë në tribunat e stadiumit në përkrahje të futbollistëve të Kombëtares drejt triumfeve të reja. /KultPlus.com

Kosova në rrezik nga ‘zhdukja’ e lumenjve

Kosova vlerësohet se ka resurse të kufizuara të ujit, por edhe ato, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), janë keqshfrytëzuar dhe ndotur.

Në raportin “Ndikimi i Shfrytëzuesve të Rërës dhe Zhavorrit në Gjendjen Mjedisore të Lumenjve”, i publikuar në muajin gusht të këtij viti, AMMK-ja ka konstatuar se shumica e lumenjve të Kosovës janë shkatërruar në atë masë, saqë riparimi i dëmeve është i pamundur.

“Shfrytëzimi i inerteve të lumenjve i ka kaluar të gjitha limitet e mundësisë natyrore që lumenjtë të kthehen në gjendjen e mëparshme”, thuhet në raport.

Drini i Bardhë konsiderohet si lumi më i shkatërruar nga nxjerrja e zhavorrit.
Drini i Bardhë konsiderohet si lumi më i shkatërruar nga nxjerrja e zhavorrit.

Shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, sipas raportit, ka nisur në masë të madhe nga viti 1999.

“Lumenjtë tanë, pas vitit 1999 e këndej, pa përjashtuar të kaluarën e mëparshme, i janë nënshtruar një presioni të vazhdueshëm të eksploatimit dhe shfrytëzimit nga personat fizikë dhe juridikë

Drini i Bardhë më i shkatërruari

Sipas tij, më i shkatërruari nga nxjerrja e zhavorrit rezulton të jetë lumi më i gjatë në Kosovë, Drini i Bardhë, prej 112 kilometrash.

Radio Evropa e Lirë, më 16 shtator, ka vizituar këtë lumë në pjesën ku është më së shumti i dëmtuar – në afërsi të fshatit Krushë e Prizrenit.

Makineritë duke nxjerrë zhavorr në Drinin e Bardhë.
Makineritë duke nxjerrë zhavorr në Drinin e Bardhë.

Aty shihen shenja të makinerisë së rëndë, grumbuj zhavorri, gropa gjigande të shkaktuara nga nxjerrja e zhavorrit, si dhe dhjetëra makineri të tjera që përdoren për të thyer gurët për zhavorr.

Nxjerrja e zhavorrit nga lumenjtë është e ndaluar që nga viti 2016 përmes një Udhëzimi Administrativ. Por, pavarësisht kësaj, kamionët dhe ekskavatorët mund të shihen në afërsi të shtratit të Lumit Drini i Bardhë.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë ka provuar të flasë me banorët e fshatrave që jetojnë buzë shtratit të këtij lumi, por ata kanë thënë se “nuk duan që të kenë punë me kompanitë që merren me nxjerrjen e zhavorrit”.

Fotografi e realizuar në Drinin e Bardhë në Krushë të Vogël në Komunën e Prizrenit.
Fotografi e realizuar në Drinin e Bardhë në Krushë të Vogël në Komunën e Prizrenit.

Shumë prej tyre kanë refuzuar që fjalët e tyre të citohen, por njëri, i cili ka kërkuar që t’i fshihet identiteti, thotë se çdo ditë shihen makineri të rënda pranë shtratit të lumit.

Sipas tij, shkatërrimi lumit ka filluar menjëherë pas përfundimit të luftës në vitin 1999.

Mbeturinat shihen buzë Lumit Drini i Bardhë.
Mbeturinat shihen buzë Lumit Drini i Bardhë.

Ai thotë se policia, kohë pas kohe, ua konfiskon kompanive makineritë, por “shkatërrimi”, sipas tij, bëhet gjatë fundjavave dhe gjatë orëve të natës.

“Policia dhe inspektorët kanë qenë më herët, por tani nuk vijnë më, shumë rrallë”, thotë ky qytetar.

Në më pak se dhjetë kilometra distancë, REL ka parë më 16 shtator më shumë se dhjetë kompani që merren me nxjerrjen dhe përpunimin e zhavorrit në këtë pjesë, por nuk ka mundur të bjerë në kontakt me udhëheqësit e tyre.

Imazhet satelitore të Lumit Drini i Bardhë.
Imazhet satelitore të Lumit Drini i Bardhë.

Këtë e dëshmojnë edhe imazhet satelitore si ky, të nxjerra nga platforma “Google Earth”.

Një tjetër imazh satelitor i Lumit Drini i Bardhë.
Një tjetër imazh satelitor i Lumit Drini i Bardhë.

MMPH: Po mundohemi ta ndalojmë këtë aktivitet ilegal

Nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) thonë për Radion Evropa e Lirë se janë duke u munduar vazhdimisht që të parandalojë degradimin e shtretërve të lumenjve.

Për këtë qëllim, MMPHI-ja thotë se po zhvillon aksione të koordinuara me institucione të tjera, përfshirë Njësitin e Policisë së Kosovës për Krimet Mjedisore.

“Këtë vit, nga zhvillimi i këtyre aksioneve janë konfiskuar disa makineri te rënda, si: ekskavatorë, kamionë e të tjerë, me të cilët janë kryer aktivitete ilegale. Aksioni është duke vazhduar dhe do të vazhdojë deri në ndalimin e plotë të kësaj dukurie të shëmtuar ilegale”, thuhet në deklaratën e MMPHI-së dhënë Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet qendrore në Kosovë thonë se po punojnë që të ndalin degradimin e lumenjve.
Autoritetet qendrore në Kosovë thonë se po punojnë që të ndalin degradimin e lumenjve.

Nga Policia e Kosovës thonë për REL-in se Njësiti për Hetimin e Krimeve Mjedisore, nga muaji janar e deri në fund të muajit gusht, ka iniciuar 54 raste të veprimeve të jashtëligjshme të ndotjes, degradimit apo shkatërrimit të mjedisit, përfshirë edhe rastet kur individë apo kompani janë zënë duke nxjerrë zhavorr nga shtretërit e lumenjve.

Gjatë vitit 2021, ky njësit ka iniciuar 15 raste, ndërsa më 2020 gjithsej 32 raste të shkeljeve ligjore, që përfshijnë ndotjen, degradimin apo shkatërrimin e mjedisit.

Përveç Drinit të Bardhë, nga nxjerrja e zhavorrit janë dëmtuar edhe lumenjtë e tjerë.
Përveç Drinit të Bardhë, nga nxjerrja e zhavorrit janë dëmtuar edhe lumenjtë e tjerë.

Shkelja e ligjit “në sy të shtetit”

Ligji për Ujëra në Kosovë përcakton që nxjerrja e zhavorrit nga operatorët e licencuar është e ndaluar më afër se 150 metra prej shtratit natyror të lumit.

Por, shumica e kompanive që merren me nxjerrjen e zhavorrit në fshatin Krushë e Prizrenit, kanë hapur gropa vetëm pak metra larg shtratit natyror të Drinit të Bardhë.

Aktivistja mjedisore, Egzona Shala – Kadiu, thotë se degradimi i lumenjve ka ndodhur me vite, sepse përgjigjja institucionale, sipas saj, ka qenë e zbehtë.

Ajo thotë se zbatimi i Udhëzimit Administrativ për ndalimin e eksploatimit të lumenjve për nxjerrjen e zhavorrit, nuk ka pasur mbikëqyrje. Andaj, shton ajo, operatorët vazhdojnë t’i shkatërrojnë lumenjtë.

“Mungon inspektimi dhe kontrollimi i duhur. Kjo është njëra ndër arsyet kryesore që gjendja e lumenjve, shtretërit e lumenjve, ekosistemet lumore dhe biosistemi rreth lumenjve janë degraduar në masë të pakontrolluar”, thotë Shala – Kadiu.

Drini i Bardhë është lumi më i gjatë në Kosovë.
Drini i Bardhë është lumi më i gjatë në Kosovë.

Sipas saj, situatës së rënduar i ka kontribuuar edhe mungesa e inspektorëve.

“Nëse nuk gaboj, është një apo dy inspektorë në nivel qendror që merren me ujëra. Është e pamundur që një numër kaq i vogël i inspektorëve ta përcjellë situatën. Këta inspektorë janë edhe për inspektime të hidrocentraleve, të shfrytëzueseve të ujit…”, shprehet Shala – Kadiu.

E vetmja mënyrë për të vënë sadopak nën kontroll degradimin e mëtejmë të shtretërve të lumenjve, sipas Shala – Kadiut, është digjitalizimi i inspektimeve.

“Do të duhej që edhe një qytetar, shumë thjesht, pa pasur nevojë ta ndjekë procedurën e rregullt, ta bëjë një raportim me anë të fotografive, që dërgohen tek institucionet, të cilat pastaj duhet t’i marrin masat për rastin në fjalë”, thotë Shala – Kadiu.

Fotografi e realizuar në Drinin e Bardhë më 16 shtator 2022.
Fotografi e realizuar në Drinin e Bardhë më 16 shtator 2022.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur MMPHI-në edhe për projektet për rregullimin e shtretërve të lumenjve. Në listën që ky institucion ka dërguar, figurojnë 15 projekte kapitale që janë në vazhdim.

Por, në listë nuk përmendet askund lumi më i degraduar në Kosovë, Drini i Bardhë.

Projekti më i madh në këtë listë për nga vlera në euro është ai i rregullimit të shtratit të Lumit Sitnica dhe ndërtimi i kolektorit për ujërat e zeza përgjatë shtratit të këtij lumi në Komunën e Lipjanit.

Ngufatja | Kosova e parë nga lart

Përpos Drinit të Bardhë, degradim nga aktivitetet e nxjerrjes së zhavorrit dhe nga ndotja e pakontrolluar kanë pësuar edhe Lumbardhi i Pejës, Lumëbardhi në Deçan, Ibri, Sitnica, Ereniku, Krivareka, Desivojca, Shipashnica, si dhe disa lumenj më të vegjël.

Sipas AMMK-së, sipërfaqja e degraduar e disa prej lumenjve të Kosovës arrin në gati dy mijë hektarë. / KultPlus.com

Osmani kërkon mbështetjen e Lituanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një grup deputetësh të Lituanisë, të kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Laima Andrikienė.

Në takim me deputetët lituanezë, Presidentja Osmani i falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës dhe mikpritjen që iu bë gjatë vizitës në Lituani në maj të këtij viti.

Presidentja i njoftoi deputetët lituanezë me situatën e përgjithshme politike dhe reformat që po zbatohen në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Më tej, Presidentja Osmani i falënderoi për përkrahjen e deritanishme të Lithuanisë, dhe kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë tutje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe mbështetjen për statusin kandidat për Bashkim Evropian.

Në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se pala kosovare është konstruktive në këtë dialog dhe se ai duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq sa i përket luftës në Ukrainë, Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova qëndron në anën e popullit të Ukrainës dhe kundër agresionit të Rusisë. Sipas saj, Kosova ka ofruar strehim për disa gazetarë nga ky shtet dhe se agresioni rus është përpjekje për ndryshim të rendit aktual botëror.

Nga ana tjetër, deputetët lituanezë, thanë se Kosovës do t`i jepet fokus i veçantë në kuadër të interesimit për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, thanë se e mbështesin  fuqishëm edhe liberalizimin e vizave për Kosovë. /KultPlus.com

Kurti thotë për ‘Bloomberg’ se ka ardhur koha për marrëveshje përfundimtare

Kosova dhe Serbia nuk kanë alternativë tjetër veç arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve, tha kryeministri Albin Kurti, duke shtuar se “ka ardhur koha” për ta bërë këtë gjatë mandatit të tij në detyrë gjatë një interviste për median e huaj “Bloomberg”, përcjell KultPlus.

Mosmarrëveshja, e lindur nga lufta e viteve 1998-1999 dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia pothuajse një dekadë më vonë – vazhdon të pengojë përpjekjet për integrimin e dy vendeve ballkanike në Bashkimin Evropian, ndërsa nxit tensione që rrezikojnë të kthehen në një konflikt të ri.

Kurti, i cili fitoi gjysmën e të gjitha votave në zgjedhjet e Kosovës vitin e kaluar, tha se është gati për një marrëveshje për t’i afruar të dyja vendet më pranë ëndrrës së tyre të përbashkët për anëtarësim në BE, e cila këmbëngul se mund të ndodhë vetëm pasi të normalizojnë marrëdhëniet e tyre.

“Ne duhet të kemi një marrëveshje — dhe është koha e duhur që ajo të ndodhë gjatë mandatit të qeverisë sonë,” tha ai në një intervistë të mërkurën në zyrën e tij në Prishtinë. “Unë shoh mundësinë. Këtë vjeshtë do të zbulojmë nëse do të shkojmë atje. Kjo vjeshtë është mjaft vendimtare për të parë nëse duhet të jemi optimistë”.

Komentet e Kurtit tregojnë potencialin për një moment të ri pas vitesh bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja, qënuk arritën të prodhonin një përparim në një nga enigmat më të vështira gjeopolitike të Evropës. Pikat kryesore të pengesave janë refuzimi i Serbisë për të njohur sovranitetin e fqinjit të saj dhe kërkesat e saj që Kosova t’i japë autonomi përafërsisht 100,000 serbëve etnikë që jetojnë atje.

Ndërsa Kurti nuk zbuloi detaje se çfarë mund të përfshijë një marrëveshje përfundimtare, të dyja palët duhet të përpunojnë gjithashtu çështje që variojnë nga marrëdhëniet dypalëshe, bazuar në trajtimin e ankesave të së kaluarës të lidhura me viktimat e luftës, personat e zhvendosur dhe pretendimet për dëmet e luftës.

Kurti tha se ai pa potencial për një marrëveshje nën administratën të udhëhequra nga presidenti amerikan Joe Biden, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Megjithatë, ai tha se shqetësimi i tij më i madh është se Vuçiç ende nuk e kishte distancuar veten sa duhet nga e kaluara e tij kur shërbeu si ministër i informacionit ndaj të fortit të ndjerë Slobodan Millosheviç në vitet 1990.

Vuçiq ka refuzuar gjithashtu ndërprerjen e lidhjeve të tij të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, një aleat në përpjekjet e Beogradit për të parandaluar njohjen ndërkombëtare të Kosovës. Pavarësisht presionit intensiv nga vendet perëndimore, administrata e Vuçiqit ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë.

“Kjo është vërtet shqetësuese”, tha Kurti.

Tensionet midis Serbisë dhe Kosovës u ndezën muajin e kaluar pasi Kurti nxiti një kërkesë që serbët që jetojnë në Kosovë të kenë dokumente të lëshuara nga Prishtina në vend të kartave të identitetit dhe targave të makinave të lëshuara nga Beogradi. Me serbët vendas që bllokuan rrugët në protesta dhe pas presionit nga ndërmjetësit ndërkombëtarë, Prishtina e shtyu vendimin e saj me një muaj, pra, deri më 1 shtator.

Kurti tha se nuk do të shtyjë më, duke shtuar se pret që 1 shtatori “të jetë një ditë e qetë dhe e zakonshme”.

Nëse situata përshkallëzohet në dhunë, policia dhe forcat paqeruajtëse të KFOR-it prej 3,800 trupash të NATO-s do t’i japin fund, tha ai.

Kosova gjithashtu është përballur me ndërprerjet e energjisë elektrike që nga mesi i gushtit. Ato pritet të përfundojnë javën e ardhshme, por mund të kthehen sapo të mbyllet dimri.

Vendi ndonjëherë është i varur nga energjia elektrike e importuar gjithnjë e më e shtrenjtë, duke paraqitur vështirësi për buxhetin dhe një nga popullsitë më të varfra të Evropës. Kjo mund të kërkojë ndihmë financiare nga BE dhe SHBA nëse çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten, tha Kurti.

“Ne mund të përballemi me ndërprerje të energjisë,” tha ai. /KultPlus.com

Vazhdon bashkëpunimi mes Kosovës dhe Izraelit

Në shkollën “Prenk Jakova” në Prishtinë, në kuadër të muajit të Rinisë u mbajt një koncert i mrekullueshëm nga nxënës të muzikës nga Kosova e Izraeli.

Qëllim i kësaj ngjarje ishte shkëmbimi kulturor mes Izraelit dhe vendit tonë, ndërsa ofroi për publikun një program të pasur artistik.

Në koncert ishin të pranishëm, ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, shefja e kabinetit të Ministrisë së Arsimit, Edita Buçinca, kryetari i komunës Abu Ghosh të Izraelit, Salim Jaber, drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, Jeta Dida Bujari, nxënës të muzikës e artdashës.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit ka organizuar disa aktivitete kulturore e artistike dhe vizita të përbashkëta për të rinjët tanë dhe ata të izraelit në qytete të ndryshme të vendit. /KultPlus.com

BeerFest jep lajm të rëndësishëm, njofton për një surprizë të këndshme

Sot vazhdon nata e dytë e “BeerFest Kosova” 2022, shkruan KultPlus.

Nata e dytë do të vazhdoj me përformancë të: Mc Kresha & Lyrical Son, Genc Prevlukaj, Blasta, Granit, Yon Idy, Jon Bela & The Moonage, Dj Biggby dhe Master of Mind.

Përmes një postimi në “Facebook”, BeerFest njofton se nata do të mbahet edhe nëse ka shi.

“- LAJM ME RËNDËSI –

Beerfest Kosova MBAHET edhe nese moti eshte me shi!
Kemi siguruar tenda te medha dhe te vogla qe na e mundesojme me e shiju festen edhe ne mot me shi.
Gjithashtu ju sugjerojme qe te vesheni per mot me shi 🙂
17 Birra, pije tjera, ushqim e shume argetim na presin.
Sonte (e shtune) përformojnë:
– P.I.N.T (Mc Kresha & Lyrical Son)
– Genc Prelvukaj, Blasta, Granit
– The Moonage nga Shkupi
– Yon Idy
– Maste of Mind
– Dj Biggby
dhe nga Turqia nje grup fantastik, si surprize per te gjithe ne.
ps. Po thojne qe shiu nalet mas ores 19:00
Behu pjese e festes ma te madhe ne vend!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com

KFOR-i shton praninë në veri të Kosovës

Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Rashkë, në veri të Kosovës është vërejtur prezencë e shtuar e trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.

Rritjen e prezencës së trupave në këtë zonë e kishte konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët gjatë kësaj jave.

Në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe, shkruan Rel.

Barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.

Në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, më 20 gusht është parë prezencë e shtuar e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, që shërbejnë në Kosovë / Foto: REL

Foto: REL

Foto: Rel

Escobar optimist se nesër arrihet një marrëveshje që ruan sovranitetin e Kosovës

I Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar u shprehë optimist se do të arrihet një marrëveshje e cila e ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës në takimin e Nivelit të Lartë Kurti-Vuçiq nesër në Bruksel. “Një marrëveshje qe parandalon dhunën.”

“Nuk dua të paragjykojë assesi, jemi duke shikuar drejt zgjidhjes dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Escobar për televizionin Kanal10.

Ai ka përmendur edhe Asociacionin e komunave Serbe. “Sa për Asociacionin e Komunave Serbe, marrëveshja e nënshkruar duhet zbatuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, shtoi ai.

Të enjten në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Vuçiq do të takohen me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së në kuadër të dialogut. /KultPlus.com

Begaj me vizitë zyrtare në Kosovë, zbardhet axhenda e takimeve dy ditore (FOTO)

Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë më 15 dhe 16 gusht, shkruan KultPlus.

Begaj do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës në Prishtinë.

Në axhendën e vizitës së presidentit shqiptar janë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, takim me komandantin e KFOR-it dhe me ushtarët e FA të Shqipërisë në Kosovë.

Ndërkohë, kjo është edhe axhenda e plotë:

E hënë, 15 gusht 2022
10:00-10:10 Ceremonia pritëse nga Sh. S. Dr. Vjosa Osmani – Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës
10:10-10:15 Fotografimi i dy Presidentëve (para hyrjes kryesore të ndërtesës së presidencës) Nënshkrimi në librin e miqësisë nga Presidenti i Shqipërisë
10:15-10:30 Takimi Tête-à-tête mes: Sh. S. Dr. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës
10:30-11:30 Takim me Presidenten e Republikës së Kosovës Sh. S. Dr. Vjosa Osmani-Sadriu dhe delegacionin
11:45 Nderime para memorialit për Personat e Zhdukur
11:50-12:10 Deklaratë e përbashkët e dy Presidentëve
12:15-12:55 Takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Glauk Konjufca
13:00-13:10 Takimi Tête-à-tête me Albin Kurtin, Kryeministër i Republikës së Kosovës
13:00-13:45 Takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Albin Kurti dhe delegacionin
15:45 Homazhe tek varri i Presidentit Rugova dhe vendosje e Kurorës
16:35 – 17:00 Homazhe tek varrezat e Familjes Jashari dhe vendosje e Kurorës
Vizitë në shtëpinë muze të Familjes Jashari

E martë, 16 gusht 2022
09:00-09:30 Takim me Kryetarin e PDK-së, Z. Memli Krasniqi
09:35-10:05 Takim me Kryetarin e LDK-së, Z. Lumir Abdixhiku
10:10-10:40 Takim me Kryetarin e AAK-së, Z. Ramush Haradinaj
10:45-11:00 Takim me partitë minoritare
11:15-11:45 Takim me Komandantin e KFOR-it
12:20-12:50 Takim me trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR (Pejë)
13:35–14:15 Takim me Kryetarin e Komunës së Prizrenit
14:25-14:45 Vizitë në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit /KultPlus.com

Dukagjin Lipa fton qytetarët që të ngrenë zërin për liberalizimin e vizave për Kosovën

Dukagjin Lipa ka ftuar qytetarët që të thënë me zë të lartë “Visa Free Kosovo”, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në rrejte sociale, Lipa ka thënë se njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të ngecur integrimi, Kosova është vendi i vetëm që nuk ka viza.

Postimi i tij i plotë:

“Sunny Hill Festival ju fton të bërtisni me zë të lartë #SETMEFREE për një #VisaFreeKosovo! Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të ngecur integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa viza. Por ndërsa BE vendos kufij rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatat tona të gjalla për t’u VENDOSUR TË LIRË. #SETMEFREE FOL ME ZË TË LARTË. EJANI TË BASHKUAR. BASHKOHUNI THIRRJES!”, thuhet në postimin e Dukagjinit.

Një nga festivalet më të mëdha në rajon, Sunny Hill, ka qenë i fokusuar që të ngre zërin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke vendosur një reklamë të madhe me mbishkrimin: SET ME FREE apo “më lërni të lirë”. /KultPlus.com

Rolling Stone publikon imazhe të J Balvin dhe Dua Lipës: Superyjet bëhen bashkë në Kosovë

“Sunny Hill Festival” për katër ditë radhazi ishte tema kryesore jo vetëm në Kosovë por edhe në mediat ndërkombëtare.

Ishte performance e Dua Lipës që pushtoi fillimisht mediat si: DailyMail, Vogue, Harper’s Bazaar etj, e për të vazhduar tutje me performancat e artistëve tjerë si: J Balvin, Mahmood, e shumë artistë të tjerë.

Kosova së fundmi u përmend edhe nga revista e famshme amerikane, Rolling Stone, e cila në faqen e tyre në Instagram ka publikuar fotografi të J Balvin krah Dua Lipës.

“Superyjet bëhen bashkë në Kosovë”, thuhet në përshkrimin e tyre duke ia bashkangjitur edhe një ‘emoji’ me flamurin e Kosovës. / KultPlus.com