Në shkollën “Prenk Jakova” në Prishtinë, në kuadër të muajit të Rinisë u mbajt një koncert i mrekullueshëm nga nxënës të muzikës nga Kosova e Izraeli.
Qëllim i kësaj ngjarje ishte shkëmbimi kulturor mes Izraelit dhe vendit tonë, ndërsa ofroi për publikun një program të pasur artistik.
Në koncert ishin të pranishëm, ministri i kulturës, Hajrulla Çeku, shefja e kabinetit të Ministrisë së Arsimit, Edita Buçinca, kryetari i komunës Abu Ghosh të Izraelit, Salim Jaber, drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, Jeta Dida Bujari, nxënës të muzikës e artdashës.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministria e Arsimit ka organizuar disa aktivitete kulturore e artistike dhe vizita të përbashkëta për të rinjët tanë dhe ata të izraelit në qytete të ndryshme të vendit. /KultPlus.com
Sot vazhdon nata e dytë e “BeerFest Kosova” 2022, shkruan KultPlus.
Nata e dytë do të vazhdoj me përformancë të: Mc Kresha & Lyrical Son, Genc Prevlukaj, Blasta, Granit, Yon Idy, Jon Bela & The Moonage, Dj Biggby dhe Master of Mind.
Përmes një postimi në “Facebook”, BeerFest njofton se nata do të mbahet edhe nëse ka shi.
“- LAJM ME RËNDËSI –
Beerfest Kosova MBAHET edhe nese moti eshte me shi! Kemi siguruar tenda te medha dhe te vogla qe na e mundesojme me e shiju festen edhe ne mot me shi. Gjithashtu ju sugjerojme qe te vesheni per mot me shi 17 Birra, pije tjera, ushqim e shume argetim na presin. Sonte (e shtune) përformojnë: – P.I.N.T (Mc Kresha & Lyrical Son) – Genc Prelvukaj, Blasta, Granit – The Moonage nga Shkupi – Yon Idy – Maste of Mind – Dj Biggby dhe nga Turqia nje grup fantastik, si surprize per te gjithe ne. ps. Po thojne qe shiu nalet mas ores 19:00 Behu pjese e festes ma te madhe ne vend!”, thuhet në postimin e tyre. /KultPlus.com
Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Rashkë, në veri të Kosovës është vërejtur prezencë e shtuar e trupave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it.
Rritjen e prezencës së trupave në këtë zonë e kishte konfirmuar edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët gjatë kësaj jave.
Në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht u rritën tensionet, pasi serbët lokalë ngritën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës: atë për targat dhe dokumentet serbe, shkruan Rel.
Barrikadat u hoqën, por NATO ka përsëritur se KFOR-i është i gatshëm të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.
Në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe, më 20 gusht është parë prezencë e shtuar e ushtarëve amerikanë të KFOR-it, që shërbejnë në Kosovë / Foto: REL
I Dërguari i Posaçëm i SHBA për Ballkanin, Gabriel Escobar u shprehë optimist se do të arrihet një marrëveshje e cila e ruan sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës në takimin e Nivelit të Lartë Kurti-Vuçiq nesër në Bruksel. “Një marrëveshje qe parandalon dhunën.”
“Nuk dua të paragjykojë assesi, jemi duke shikuar drejt zgjidhjes dhe stabilitetit rajonal”, ka thënë Escobar për televizionin Kanal10.
Ai ka përmendur edhe Asociacionin e komunave Serbe. “Sa për Asociacionin e Komunave Serbe, marrëveshja e nënshkruar duhet zbatuar në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, shtoi ai.
Të enjten në Bruksel, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Vuçiq do të takohen me përfaqësues të BE-së dhe SHBA-së në kuadër të dialogut. /KultPlus.com
Presidenti i ri i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Kosovë më 15 dhe 16 gusht, shkruan KultPlus.
Begaj do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës në Prishtinë.
Në axhendën e vizitës së presidentit shqiptar janë takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, takim me komandantin e KFOR-it dhe me ushtarët e FA të Shqipërisë në Kosovë.
Ndërkohë, kjo është edhe axhenda e plotë:
E hënë, 15 gusht 2022 10:00-10:10 Ceremonia pritëse nga Sh. S. Dr. Vjosa Osmani – Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës 10:10-10:15 Fotografimi i dy Presidentëve (para hyrjes kryesore të ndërtesës së presidencës) Nënshkrimi në librin e miqësisë nga Presidenti i Shqipërisë 10:15-10:30 Takimi Tête-à-tête mes: Sh. S. Dr. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës 10:30-11:30 Takim me Presidenten e Republikës së Kosovës Sh. S. Dr. Vjosa Osmani-Sadriu dhe delegacionin 11:45 Nderime para memorialit për Personat e Zhdukur 11:50-12:10 Deklaratë e përbashkët e dy Presidentëve 12:15-12:55 Takim me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Glauk Konjufca 13:00-13:10 Takimi Tête-à-tête me Albin Kurtin, Kryeministër i Republikës së Kosovës 13:00-13:45 Takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Albin Kurti dhe delegacionin 15:45 Homazhe tek varri i Presidentit Rugova dhe vendosje e Kurorës 16:35 – 17:00 Homazhe tek varrezat e Familjes Jashari dhe vendosje e Kurorës Vizitë në shtëpinë muze të Familjes Jashari
E martë, 16 gusht 2022 09:00-09:30 Takim me Kryetarin e PDK-së, Z. Memli Krasniqi 09:35-10:05 Takim me Kryetarin e LDK-së, Z. Lumir Abdixhiku 10:10-10:40 Takim me Kryetarin e AAK-së, Z. Ramush Haradinaj 10:45-11:00 Takim me partitë minoritare 11:15-11:45 Takim me Komandantin e KFOR-it 12:20-12:50 Takim me trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare, që shërbejnë në KFOR (Pejë) 13:35–14:15 Takim me Kryetarin e Komunës së Prizrenit 14:25-14:45 Vizitë në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit /KultPlus.com
Dukagjin Lipa ka ftuar qytetarët që të thënë me zë të lartë “Visa Free Kosovo”, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në rrejte sociale, Lipa ka thënë se njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të ngecur integrimi, Kosova është vendi i vetëm që nuk ka viza.
Postimi i tij i plotë:
“Sunny Hill Festival ju fton të bërtisni me zë të lartë #SETMEFREE për një #VisaFreeKosovo! Njëmbëdhjetë vjet përmes një procesi të ngecur integrimi, ne jemi të vetmit që nuk mund të kalojmë lirisht kufijtë pa viza. Por ndërsa BE vendos kufij rreth lirisë sonë, ne do të mbajmë imagjinatat tona të gjalla për t’u VENDOSUR TË LIRË. #SETMEFREE FOL ME ZË TË LARTË. EJANI TË BASHKUAR. BASHKOHUNI THIRRJES!”, thuhet në postimin e Dukagjinit.
Një nga festivalet më të mëdha në rajon, Sunny Hill, ka qenë i fokusuar që të ngre zërin për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke vendosur një reklamë të madhe me mbishkrimin: SET ME FREE apo “më lërni të lirë”. /KultPlus.com
“Sunny Hill Festival” për katër ditë radhazi ishte tema kryesore jo vetëm në Kosovë por edhe në mediat ndërkombëtare.
Ishte performance e Dua Lipës që pushtoi fillimisht mediat si: DailyMail, Vogue, Harper’s Bazaar etj, e për të vazhduar tutje me performancat e artistëve tjerë si: J Balvin, Mahmood, e shumë artistë të tjerë.
Kosova së fundmi u përmend edhe nga revista e famshme amerikane, Rolling Stone, e cila në faqen e tyre në Instagram ka publikuar fotografi të J Balvin krah Dua Lipës.
“Superyjet bëhen bashkë në Kosovë”, thuhet në përshkrimin e tyre duke ia bashkangjitur edhe një ‘emoji’ me flamurin e Kosovës. / KultPlus.com
Ambasada ruse në Beograd ka reaguar për shpalljen non-grata të spiunes ruse Daria Asmalova e cila u arrestua nga autoritetet e Kosovës në pikë kufitare në veri.
“Ndalimi i pabazuar i Daria Aslamovës paraqet një provokim tjetër të institucioneve të përkohshme në Kosovë, shembull i shpërfilljes së plotë të Prishtinës ndaj parimeve themelore demokratike, përfshirë lirinë e mediave. Ftojmë Sekretariatin e OKB-së, UNMIK-un, Misionin e OSBE-së në Kosovë, Misionin e BE-së për zbatimin e rendit dhe ligjit dhe ekspertët e organizatave ndërkombëtare të dalin menjëherë me një vlerësim publik të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e ambasadës ruse shkruan KosovoOnline, transmeton Gazeta Express.
Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, njoftoi dje se Daria Asmalovas i është ndaluar hyrja në Kosovë për pesë vjet.
Sipas Sveçlës, shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.
“Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, ka shkruar Sveçla. / KultPlus.com
Artisti i njohur me famë botërore, J Balvin, ka performuar magjishëm mbrëmjen e djeshme në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, shkruan KultPlus.
J Balvin ishte i vetmi deri tani që u paraqit në skenë me flamurin e Kosovës, derisa një inçizim të tillë e ka shpërndarë edhe në llogarinë e tij zyrtare në “Instagram”, në të cilën ka më shumë se 52 milionë ndjekës.
Ai u mahnit nga publiku, derisa vazhdoi që të performojë për më shumë se një orë e gjysmë, duke treguar gjithnjë se ëndrrat e juaja mund të realizohen çdo moment. /KultPlus.com
Aleanca Veri Atlantike (NATO) ka reaguar pas gjendjes së krijuar në veri të Kosovës. Në një postim në Twitter, NATO ka thënë se KFOR është i gatshëm të marrë masa e nevojshme që ta mbajë Kosovën të sigurt.
“KFOR-i po monitoron nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Nën mandatin e OKB-së, KFOR-i mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të miratojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”.
#KFOR is closely monitoring the situation in the north of Kosovo with local and international security organizations. Under its UN mandate, KFOR remains strongly committed to security, ready to adopt necessary measures to keep #Kosovo safe. pic.twitter.com/0L45Lzux2b
Reagim pati edhe dje nga KFOR-i, ku tha se janë të gatshëm të ndërhyjë në veri të Kosovës nëse rrezikohet stabiliteti, thuhet në njoftimin e misionit të NATO-s në Kosova, pas tensioneve në veri.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO po monitoron nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e OKB-së e vitit 1999”, thuhej në reagimin e djeshëm të KFOR-it.
Mbrëmë në veri të Kosovës u krijuan tensione nga ana e serbëve, të cilët vendosën kamionë dhe mjete tjera të rënda në rrugët që çojnë në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak. Këto veprime serbët i ndërmorën pasi Qeveria vendosi që nga 1 gushti të nisë zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimit.
Gjatë ditës së sotme, kryeministri Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dolën në një konferencë për media.
Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë duke e dënuar “dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës”, ndërsa Sveçla tha se 11 qytetarë të Kosovës janë lënduar dhe disa vetura janë dëmtuar.
Deri tash rruga që çon në Jarinjë është bllokuar, derisa ajo për në Bërnjak mbetet e bllokuar.
Brenda 12 orëve, Sveçla ka njoftuar se përveç në Jarinje dhe Bërnjak, në pikat e tjera kufitare janë lëshuar 1501 dokumente për hyrje-dalje. / KultPlus.com
Në Kongresin e SHBA-ve, në prani të një numri të madh të miqve të Kosovës, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në për Programin e Kompaktit. Kjo marrëveshje po konsiderohet historike për shtetin tonë, përcjellë KultPlus.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar sot përmes një statusi në facebook ku është shprehur se kjo marrëveshje në shumë prej 236.7 milion dollarë, përbën investimin më të madh në sektorin e energjisë në Kosovë pas disa dekadash.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithnjë pranë Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Sipas Osmanit, këto projekte do të kontribuojnë në garantimin e stabilitetit dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik të Kosovës gjersa përgatitemi për tranzicionin energjetik dhe integrim më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
“Ky investim do të garantojë po ashtu një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.
Kjo marrëveshje konfirmoi edhe njëherë atë që dihet tashmë botërisht, partneritetin e jashtëzakonshëm e unik në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Faleminderit të gjithëve për punën e jashtëzakonshme!”, ka shkruar Osmani. / KultPlus.com
Kongresmeni dhe kryetari i nënkomitetit të Dhomës së Punëve të Jashtme për Evropën dhe Azinë në Shtëpinë e Bardhë, Bill Keating, e ka mirëpritur dhe e mbështet marrëveshjen që është nënshkruar sot mes Kosovës dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Ai, në ceremoninë para nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se Kosova është një nga shtetet mike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vite me radhë.
“Kishte një ekip të mirë që punuan dhe e quan para partneritetin për këtë marrëveshje, jam krenar që keni arritur deri këtu. Jemi këtu ku tregohet përkushtimi për partnerët tanë siç është Kosova, por edhe Ballkani Perëndimor”.
“Miqësia e Kosovës dhe ShBA-së ekziston edhe më parë. Kosova ka qenë mike pandashme e ShBA-së, do të vazhdojmë atë gurthemel ta rrisim. Kosova është një nga shtetet mike më të fuqishme dhe më të palëkundura të ShBA-së”, ka thënë Keating, njofton Klankosova.
Ai ka shtuar se marrëveshja e sotme do të jetë e profitabile edhe për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. / KultPlus.com
Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë nesër në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begajt.
Presidenca ka njoftuar se Osmani shkon në Tiranë me ftesë të Presidencës shqiptare.
“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën tek Presidenti i ri, z. Bajram Begaj”, njoftoi Presidenca.
Para dy ditësh, Osmani e priti me nderime të larta shtetërore në Prishtinë, presidentin në largim të Shqipërisë, Ilir Meta. /KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me bashkëpunëtorë.
Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president.
Ai e çmoi bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e Presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Duke folur për bashkëpunimin konkret ndërmjet dy republikave, kryeministri vuri theksin te rëndësia e projektit për hekurudhën Durrës-Prishtinë, te rëndësia e bashkëpunimit në fushën e energjisë, investimeve në bujqësi, e sidomos te rëndësia e investimeve në mbrojtje e siguri, si çështje të sovranitetit, për çka kërkoi bashkëpunim të të dyja vendeve në këtë drejtim.
Kryeministri rikujtoi se vizita e Presidentit Meta koincidon me përvjetorin e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, ku u bë e qartë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Presidenti Meta e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.
Ai i vlerësoi përpjekjet e mëdha të kryeministrit Kurti dhe të Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe ofroi mbështetje edhe më të fuqishme e të vazhdueshme edhe në kapacitete të tjera që do të ketë pas largimit nga detyra.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti Meta tha se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.
Duke ritheksuar marrëdhëniet e mira bilaterale, ata u pajtuan që duhet të ketë më shumë koordinim në politikën e jashtme dhe në atë rajonale, në përputhje me orientimin demokratik, qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe të forcimit të aleancës veri-atlantike. /KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren suedeze, Karin Hernmarck, të cilën e përgëzoi për punën e deritanishme në Kosovë dhe i uroj suksese në angazhimin e mëtejmë.
Në takim me ambasadoren Hernmarck, Presidentja Osmani e falënderoi shtetin e Suedisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova e ka synim anëtarësimin në Aleancën Veri-Atlantike, i cili është i domosdoshëm dhe në funksion të paqes e stabilitetit të rajonit.
Presidentja Osmani kërkoi nga Suedia mbështetjen në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Kosova ka shënuar progres në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, ndaj sipas Presidentes Osmani anëtarësimi në Këshill të Evropës do të ishte në dobi të garantimit dhe respektimit të të drejtave të gjithë qytetarëve, pa dallim. /KultPlus.com
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është duke vazhduar me publikimin e artefakteve të cilat janë marrë nga Serbia.
MKRS-ja, këtë herë ka kërkuar që në Kosovë të vjen një unazë e arit, për të cilën ka bërë me dije se është gjetur në Gllamnik.
“Unaza e artë e martesës me gur, e cila tregon bashkimin e duarve të djathta, nënkupton një marrëveshje, por gjithashtu simbolizon besnikërinë dhe miqësinë. Është gjetur në lokacionin e periudhës romake në Vindenis, Gllamnik, Kosovë”.
“Unaza është një nga artefaktet 1247 të Kosovës, të cilat ende mbahen ilegalisht dhe padrejtësisht nga Serbia. Kosova kërkon kthimin e tyre në shtëpi”, ka shkruar MKRS-ja në faqen zyrtare në “Twitter”. /KultPlus.com
Xhudistja nga Kosova, Flaka Loxha, pas suksesit në Lojërat Mesdhetare në Oran, tani po merr pjesë edhe në Grand Prix të Zagrebit, shkruan KultPlus.
Në përballje me Bakyt Kussakbayeva në kategorinë (-57kg), Loxha tregoi aftësitë e saj dhe arriti që të fitojë meçin dhe të kualifikohet në fazën tjetër.
Flaka Loxha do të përballet në raundin e tretë me xhudisten nga Monlogia, Ichinkhorloo Munkhtsedev.
Ndërkaq, edhe Distria Krasniqi është kualifikuar në çerekfinale, derisa Laura Fazliu do të ndeshet nesër. /KultPlus.com
Të enjten në Prishtinë, Ambasada e Francës organizoi pritje me rastin e Festës Kombëtare Franceze, ndërsa nuk munguan edhe deklarata për çështjen e liberalizimit të vizave.
Mbajtja e samitit të BE-së në qershor të këtij ndonëse nuk pati lëvizje konkrete, ngjalli shpresa se ka hapa pozitivë drejt liberalizimit të vizave.
Ndonëse Komisioni Evropian ka theksuar dy herë se Kosova ka përmbushur kriteret për liri të lëvizjes, është vendi i vetëm në Evropë qytetarët e së cilës nuk gëzojnë liberalizimin e vizave.
E në pritjen e organizuar nga ambasadorja franceze Marie-Christine Butel nuk u la pa u përmendur kjo çështje.
Diplomatja franceze tha se për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave, megjithëse nuk iu dha drita e gjelbër nën presidencën franceze.
“Për Kosovën është bërë përparim i dukshëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Në të vërtet diskutimet që u zhvilluan nën presidencën franceze, gjatë takimit të Këshillit Evropian të 23 qershorit kanë vënë themelet për shtyrjen përpara të kësaj teme, gjithmonë duke marrë parasysh shqetësimet tona sa i përket migracionit dhe sigurisë. Në fakt çështja e liberalizimit të vizave është rikthyer qartë në tryezën e diskutimeve evropiane, në kushte më të favorshme se asnjëherë më parë. Është gjithashtu rezultat i punës së bërë nga Kosova për të qenë më proaktive në skenën ndërkombëtare”, tha ajo, transmeton KP.
Pritja me rastin e Festës Kombëtare Franceze
Ambasadorja Butel pati një porosi edhe për dialogun, Kosovë-Serbi, për çka tha se nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë në BE, derisa ka mosmarrëveshje mes vendeve.
“Lufta në Ukrainë rikujton urgjencën për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve midis dy vendeve. Nuk ka alternativë dialogu. Përderisa kjo mosmarrëveshje vazhdon, nuk do të ketë integrim të mundshëm për Kosovën dhe Serbinë brenda Bashkimit Evropian”, theksoi ajo.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se Dita e Bastiljes është shpërthim i Deklaratës së Lirisë.
“Dita e Bastiljës është në të njëjtën kohë edhe shpërthimi me çdo kusht i Deklaratës së Lirisë, rënia e burgut të Bastiljës, por edhe shpallja popullore e një kryengritje masive të madhe për liri. Prandaj, Republika do të përbënte një marrëdhënie të përhershme midis lirisë dhe popullit. Demokracia duhet të shtrihet dhe do të shtrihet për të përfshirë një Republikë, që përbën një arsye të mjaftueshme për një 14 korrik të dytë atë të Federatës, një vit më vonë”, tha ai.
Sipas njoftimit për media nga Kryeministria, në fjalën e rastit, kryeministri Kurti shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e kremtimit të dy ngjarjeve kryesore në historinë moderne franceze, rënien e Bastiljes dhe bashkimin e popullit francez.
“Pjesa më e madhe që ne e marrim si të mirëqenë në fjalorin e sotëm politik – diskursi i të drejtave të njeriut dhe atyre civile, republikanizmi, sovraniteti popullor, shteti-komb, ndarja e spektrit politik në të djathtë dhe të majtë, është trashëgimi e drejtpërdrejtë e Revolucionit Francez, tha kryeministri”, ka thënë Kurti.
Ai theksoi se shumë artistë dhe studiues shqiptarë janë frymëzuar nga kultura franceze si: shkrimtari dhe intelektuali Faik Konica, shkrimtari Ismail Kadare, kitaristi Ehat Musa e profesori i filozofisë Muhamedin Kullashi.
Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që në nivel politik Republika e Kosovës dhe Republika e Francës gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.
“Jam i lumtur të them se në nivel politik dy republikat tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Franca ishte një nga vendet e para që njohu shtetësinë dhe pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, ne kemi vazhduar të kultivojmë miqësinë tonë të çmuar, duke u bërë madje degë e të dyjave, Organizatës Ndërkombëtare dhe Asamblesë Parlamentare, të Frankofonisë. Qeveria ime i çmon shumë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe është e vendosur t’i promovojë edhe më tej në të ardhmen”, deklaroi Kurti. / Gazeta express / KultPlus.com
Pas njoftimit ditë më parë nga Sekretariati i EU digital Certificate i Komisionit Evropian se është konfirmuar pranueshmëria –vendimi mbi ekuivalencën e certifikatës digjitale të vaksinës kundër COVID-19, e lëshuar nga Kosova në EU digital certificate, me qëllim lehtësimin e së drejtës së lëvizjes së lirë brenda shteteve të Bashkimit Evropian, Ministria e Shëndetësisë është informuar se certifikata është funksionale për përdorim në shtetet e BE-së.
Në mënyrë që qytetarët të mos kenë asnjë problem rreth përdorimit të saj, çdo qytetar i vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19 duhet të hyjë në platformën e-kosova dhe ta shkarkoj përsëri certifikatën.
Çdo certifikatë e shkarkuar pas datës 11 korrik 2022 është funksionale për të gjitha vaksinat dhe e lexueshme në pikat hyrëse dhe kontrolluese brenda shteteve të Bashkimit Evropian. / KultPlus.com
Në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është mbajtur ceremonia hapëse e FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare të organizuara në Kosovë.
14 ekipe nga universitete të vendeve të ndryshme të botës, do të garojnë
për titullin e më të mirit në botë në hendbollin universitar.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Sportit, Hajrulla Çeku, anëtari i Bordit Ezekutiv të Federatës Botërore të Sportit Universitar (FISU), Gabriel Kotchofa, drejtori ekzekutiv FISU Kupës Botërore Universitare në Hendboll 2022, Musa Selimi, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, zëvendësministrja Daulina Osmani, përfaqësues të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe të Universitetit të Prishtinës.
Kupa Botërore në Hendboll për Universitete do të zhvillohet deri më 17 korrik dhe mbahet nën organizimin e Federatës së Sporteve Universitare të Kosovës dhe mbështetet nga MKRS-ja. / KultPlus.com
Gazeta zvicerane “Blick” ka shkruar të shtunën që qindra mjekë nga Kosova çdo vit po largohen nga Kosova.
E arsyet kryesore të largimit janë kushtet e punës dhe pagat.
Gazeta zvicerane tregon se çdo vit nga 200 mjekë largohen prej Kosovës për në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Gjermani dhe Austri.
Përderisa në Kosovë një mjek merr 624 euro, në Gjermani mund t’i marrë mbi 4 mijë euro.
Jo vetëm në mjekësi por edhe në fushat e tjera ka lëvizje të madhe të fuqisë punëtore nga Ballkani drejt Evropës.
Mjeku nga Kosova, Flamur Llabjani, tha se karrierën e tij do ta vazhdojë në Gjermani.
Llabjani tregoi se do të punojë në një spital mjaft të njohur në Thuringen, konkretisht në Klinikën Pulmonare, përcjell Klankosova.tv.
Ndërkaq mjeku shqiptar Rajmond Hazizaj tha se në fillimet e tij edhe ai i pati vështirësitë e veta.
“Si çdo fillim edhe unë i kisha vështirësitë e mia. Por, tashmë i kam kapërcyer dhe jam shumë i kënaqur me vendin e punës ku punoj aktualisht dhe me kolegët me të cilët punoj” – tha Hazizaj.
Hazizaj deklaroi se është larguar për shkak të kushteve të punës.
“Jam larguar nga Shqipëria sepse doja të specializoja dhe të isha i përditësuar me mjetet e teknologjisë së fundit”.
Ai tha se ka mjaft mundësi për trajnime të mëtutjeshme në Gjermani.
Në artikullin e kësaj gazeta theksohet fakti se emigrimi i punëtorëbe të kualifikuar është mjaft i përshtatshëm për vendet e Bashkimit Evropian, derisa për Kosovën emigrimi i mjekëve është një rrezik që të mos ketë mjaftueshëm staf apo specialistë.
E kryetari i Odës së Mjekëve Pleurat Sejdiu tha se këtë vit në Gjermani kanë shkuar 108 mjekë dhe 48 specializantë.
Sejdiu tha se në dhjetë vitet e ardhshme Kosovën mund ta lëshojnë rreth 2 mijë mjekë.
“Mendoj se në pesë vitet e ardhshme do të kemi krizë nëse vazhdion trendi tek specialistët e rinj” – tha Sejdiu.
Mosha mesatare e mjekëve kosovarë është 50 vjeç.
Dhe nuk duket se do të ketë përmirësime pasi nga 150 të diplomuar, 90 nga ta largohen nga vendi i tyre pasi i mbarojnë studimet. / KultPlus.com
Ish-kryeministri i Spanjës, José Luis Rodríguez Zapatero, ka thënë se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të obsesionuara me Kosovën gjatë mandatit të tij, duke treguar se në bisedimet me përfaqësuesit amerikanë, gjithmonë është përmendur Kosova.
I pyetur për vendimin e kryeministrit të tanishëm spanjoll, Pedro Sánchez, për të mbështetur propozimin e autonomisë marokene për Saharanë Perëndimore, Zapatero tha se në bisedimet me ShBA-në asnjëherë nuk u përmend çështja e Marokut, por se sipas tij, ShBA më së shumti fliste për Kosovën.
“Në gati tetë vitet që isha në qeveri, nëse kishte një temë që nuk u shfaq kurrë në dialogët tanë, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara, ishte tema e Marokut. Është krejtësisht e lehtë për mua të kujtoj se Kosova ishte një obsesion i madh i Shteteve të Bashkuara me Spanjën. Sigurisht, Amerika Latine, Afganistani, Iraku, po ashtu ishin tema të diskutuara. Por Maroku nuk ishte. Dhe nuk mendoj se është tani”, tha ish-kryeministri spanjoll në një intervistë për elDiaro.
Zaptero shërbeu si kryeministër i Spanjës nga viti 2004 deri në fund të viti 2011, në kohën kur president i ShBA-së ishte Geroge Bush, deri më 2009, dhe pasuesi i tij, Barack Obama. /KlanKosova /KultPlus.com
Ambasada e Japonisë në Kosovë, ka reaguar pas vrasjes së ish-kryeministrit të këtij shteti, Shinzo Abe.
Përmes një shkrimi në Facebook, ambasada japoneze thotë se janë të pikëlluar nga vdekja, teksa shtoi se Abe nisi Iniciativën e Bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor për të promovuar paqen dhe stabilitetin në rajon.
“Ngushëllimet që kemi marrë sot janë dëshmi e marrëdhënieve tona të forta miqësore ndërmjet Japonisë dhe Kosovës, për të cilat zoti Abe dha një kontribut të madh”, thuhet në reagim.
Kujtojmë se ish-kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, u vra sot nga një person gjatë një fjalimi që ishte duke e mbajtur. /KultPlus.com
Lojërat Mesdhetare do të marrin fund sonte përmes një ceremonie mbyllëse, ndërsa tash është koha e duhur për t’i bërë llogaritë.
Në këtë garë mori pjesë edhe Kosova në sporte të ndryshme.
“Dardanët” përfunduan në vendin e 16-të pasi i fituan gjashtë medalje në “Oran 2022”, i cili u mbajt në Algjeri.
Pesë medalje i siguroi sporti i xhudos dhe një ai i boksit, në një total prej tri të artave dhe tri të bronztave.
Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu u veshën me ar në këtë garë prestigjioze, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha dhe Shpejtim Bajoku u ngjyrosën me bronz.
Pra, edhe një herë ishte kryesisht xhudoja ajo që ia zbardhi fytyrën Kosovës, ndërsa garuesit tjerë kryesisht patën paraqitje të zbehta dhe rezultate dëshpëruese.
Kosova në Lojërat Mesdhetare u përfaqësua nga 39 garues në 13 sporte të ndryshme.
Pjesa e fundit e ekspeditës kosovar mbërrin sot në atdhe.
Ndërkohë, Shqipëria përfundoi e 18-ta në “Oran 2022” pasi i fitoi 4 medalje, prej tyre 2 të arit, 1 të argjendtë dhe 1 të bronztë. /Gazeta Express/KultPlus.com