Në qershor, kur shpresat për liberalizimin e vizave u rritën më shumë se kurrë më parë, kosovarët morën një tjetër zhgënjim. Tashmë s’ishte çudi. Shpresat për liberalizim, kosovarëve ua ktheu disi Finlanda këtë të hënë.
Nga samiti dyditor i krerëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë kishte pritje që çështja e liberalizimit të vizave ta merrte mbështetjen vendimtare në Bruksel. Kështu nuk ndodhi. Në samitin e 23 qershorit nuk pati dakordim për liberalizimin e vizave për kosovarët, ndërsa në Prishtinë pati një protestë.
Zhgënjimi u shtua kur u bë e ditur se në BE dukej se po planifikonin ta shtronin edhe një copë rrugë drejt liberalizimit te vizave, disa vjet pasi Kosova ka arritur dhe po e pret vendimin aty ku BE-ja i kishte thënë se ishte caku deri ku duhej të shkonte.
Komisionari i BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, gjatë një debati në Parlamentin Europian në fund të qershorit paralajmëroi nxjerrjen e një udhërrëfyesi shtesë për Kosovën lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave.
“Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë Kosovës në një mënyrë të ngjashme si në rastin e Shqipërisë që, së bashku me shtetet anëtare, të vendosim një udhërrëfyes për adresimin e shqetësimeve specifike. Autoritetet e vendeve anëtare, agjencitë e rendit dhe ligjit, forcat e policisë kanë nevojë të angazhohen në terren për t’i ndihmuar Kosovës. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm t’i japim Kosovës gjithë ndihmën financiare, teknike dhe politike për këtë proces”, tha ai.
Ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen të hënën vizitoi Kosovën. Në një konferencë për media pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi tha se beson në rezultate konkrete për çështjen e vizave në muajt e ardhshëm.
“Ne mbështesim liberalizimin e vizave. Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka liberalizim të vizave dhe është koha për të ecur përpara. Ne i kemi mbështetur negociatat që janë në favor të Kosovës në këtë drejtim. Kështu që mund të them se jam optimiste se do të ecim përpara në këtë çështje dhe besoj se në muajt e ardhshëm, ndoshta këtë vjeshtë, do të shohim rezultate pozitive”, tha ajo.
Presidentja Vjosa Osmani shpreson që liberalizimi i vizave të ndodhë gjatë Presidencës Çeke të Këshillit Europian, që nisi nga 1 korriku.
Gjatë vizitës në Slloveni, Osmani përsëriti se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe se nuk ka nevojë për të vendosur kërkesa të mëtejshme.
Në qarqet diplomatike, thuhet se një vendim përfundimtar për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të vijë në vjeshtë.
Muajt e fundit, çështja e heqjes së regjimit të vizave u përmend nga liderë të vendeve anëtare të BE-së. Kjo madje u bë pjesë e programit të koalicionit qeveritar mes SPD-së dhe të Gjelbërve në Gjermani.
Në programin e përbashkët që kishte 177 faqe, për herë ta parë Ballkani Perëndimor zinte një vend të veçantë. Ndër rreshtat e tjerë thuhej se prioritet ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.
Kur kryeministri Albin Kurti shkoi në Gjermani më 4 maj me ftesë të kancelarit Olaf Scholz, ky i fundit tha në konferencën e përbashkët që Gjermania do të angazhohet me këmbëngulje brenda BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha së fundmi se ai do të jetë ambasadori i fundit gjerman që do të pyetet për liberalizimin e vizave.
Komisioni Europian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.
Të njëjtën e ka bërë edhe Parlamenti Europian. / Gazeta express / KultPlus.com