Dyshja në piano, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli-Dehiri sonte në natën e parafundit të “Kosova KamerFest” ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve të cilët kanë vëzhguar me vëmendje interpretimin e tyre. Me vepra të njohura të kompozitorëve botërorë dhe shqiptarë, dyshja ka krijuar një mbrëmje magjike ku krejt lehtazi është deshifruar dhuntia dhe dashuria e tyre për këtë art, shkruan KultPlus.
Salla e Amfiteatrit të Bibliotekës Qendrore të Universitetit të Prishtinës tash e disa net ka mirëpritur muzikën klasike në forma të ndryshme. Por, ajo që nuk ka ndërruar asnjëherë, është dukja e këtij vendi. Me lule shumëngjyrëshe në skenë dhe këtë herë me një prapavijë të bardha, ka qenë pianoja e zezë ajo që ka marrë vëmendjen e publikut kur koncerti gjeti nisjen fiks në orën 20:11.
Njashtu si veshja e tyre vezulluese, edhe fytyrat e tyre vezullonin nga pasioni për të interpretuar para një publiku që me qetësi absolute ia kthen respektin. Ndërsa, ndriçimi po ashtu ishte në një nivel ku dukshëm mund të shohësh gishtërinjtë e dyshes, që herë-herë, varësisht veprës, ndërronin pozicionet e tyre nga e djathta në të majtë.
Sonte, çelësat e pianos kanë dalë përtej imagjinatës së njeriut. Ato janë pushtuar me një energji të jashtëzakonshme nga pianistja Syzana Jakupi dhe pianistja tjetër, Alba Muçolli-Dehiri. Të dyja pianistet kanë dhënë hijshëm një program të larmishëm, me ç’rast vijat melodike kanë hyrë në secilin njeri prezent. Qenë veprat e kompozitorëve si: Robert Schumann, Franz Peter Schubert, Rauf Dhomi, Gabriel Urbain Fauré, Antonín Leopold Dvořák dhe Aram Ilyich Khachaturian, ato të cilat i dhanë shumë kësaj nate. Secila melodi kishte një rrallësi të paparashikueshme.
“Skena balloje, op.109”, “Rondo D.608”, “Panorama”, “Dolly Suite op.56”, “Valle simfonike, op.72, op.46, no.7” dhe “Vals nga maskerad”, ishin veprat që erdhën me një frymë të famshme por që është pikërisht kjo që ka bërë që publiku të përhumbej akoma më shumë në ato. Dyshja shqiptare padyshim që ka dhënë më të mirën e mundshme, dhe kjo dallohej në secilën herë që duartrokitjet e zjarrta zinin vend pas çdo vepre të performuar.
Përgjatë gjithsej një ore, ajo që u dallua më së shumti ka qenë lëvizjet trupore në përputhje me gishtërinjtë e dyshes. Të dyja pianistet kanë qenë trupa të dytë përkrah pianos në skenë. Ndërsa, vetëm një piano e katër duar kanë rrëmbyer zemrat e të pranishmëve. Vepër pas vepre, buzëqeshjet vetëm sa shtoheshin mes të pranishmëve, dhe e gjitha kjo nga interpretimet precize të dyshesh në piano.
Kështu krejt në fund, nuk kanë munguar as duartrokitjet, brohoritjet, buqetat me lule me rastin e përmbyllës së këtij koncerti. “1 piano, 2 zonja, 4 duar” qe emërtimi i këtij koncerti që la mbresa të mëdha dhe një dëshirë të pashtershme për të qenë pjesë e një organizmi të tillë kulturor, artistik e klasik.
Ndërsa, në skenë për një fjalë rasti pas këtij koncerti, doli pianistja Alba Muçolli-Dehiri në emër të sajën dhe pianistes Syzana Jakupi.
“Faleminderit të gjithëve për prezencën tuaj, dhe që keni gjetur kohë për të ardhur sonte këtu. Njëkohësisht, në emër timin dhe koleges time, do të doja ta shfrytëzoja rastin për të falënderuar për këtë organizim, drejtoreshën e festivalit, Sihana Badivuku. Po shpresoj që do të shihemi edhe në organizime të tjera të radhës. Faleminderit shumë përsëri”, ka thënë Muçolli-Dehiri.
Kujtojmë që koncerti i fundit në kuadër të “Kosova Kamerfest” vjen me datë 1 dhjetor nën emërtimin “Zërat Polarë”, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com