Tre kandidate me prejardhje nga Kosova kanë fituar në zgjedhjet komunale që u mbajtën me 13 qershor në Finlandë, përcjell KultPlus.
Brigita Krasniqi ka fituar në Tampere me 415 vota, përderisa ka treguar për Klan Kosova se pati përkrahje të madhe nga kosovarët që jetojnë në Finlandë.
Krahas kosovarëve, për Albana Mustafin, një tjetër asambleiste tashmë në Komunën e Kemit, nuk ka qenë e vështirë që të rrëmbejë edhe zemrat e finlandezëve, njofton Klan Kosova.
Në anën tjetër, Funda Demiri ka fituar për herë të dytë zgjedhjet në Komunën Vantaas, me 554 vota.
Përveç si kosovare, Brigita Krasniqi, Albana Mustafi, dhe Funda Demiri janë edhe shqiptaret e vetme fituese në zgjedhje, nga 16 sa ishin në listat zgjedhore./ KultPlus.com
Lyente taket e këpucëve të saj çdo ditë me ngjyra të ndryshme, ndërsa sot gëzon sukses ndërkombëtar në botën e modës.
Syri i Elife Arifit, si duket që nga mosha e re kishte nuhatur materialin,
dhe aty për aty kishte arritur të vizatojë një dizajn specifik për të. E sot, ka
edhe brendin e saj të veshjeve të
titulluar “EL Creations” që arriti për një kohë shumë të shkurtër të njihet
edhe ndërkombëtarisht, shkruan KultPlus.
Elife Arifi, kreatore e rrobave tashmë që dy vite, është ideatore dhe
pronare e brendit vendor të veshjeve “El Creations” në Gjilan – titull që ia kishte vënë për shkak se nuk përmban
vetëm rroba, por gjithçka që rrjedh prej materialeve të ndryshme.
Duke qenë që edhe shkollën e mesme të artit e ka përfunduar në Gjilan, dhe është
e diplomuar në Akademinë e Arteve në UP , ajo asnjëherë nuk ishte shkëputur nga
moda.
Elife Arifi rrëfen për KultPlus fëmijërinë e saj dhe dëshirat që i kishin
rrjedhur qysh si e re për dizajnin dhe artin në përgjithësi.
“Si fëmijë gjithmonë kam eksperimentuar me rroba, me këpucë dhe materiale të
ndryshme. Më kujtohet, qysh e re ndërroja ngjyrën e këpucëve. Zakonisht më pëlqenin
takat, me ato eksperimentoja duke i lyer me ngjyra të ndryshme. I bëja të
dukeshin tërësisht si këpucë të reja. Edhe si fëmijë kam mbajtur me vete gjithmonë një fletore, në
të cilën e vizatoja gjithmonë një vajzë të njëjtë, por me rroba ndryshe. Aty
arrija ta shpreh gjithë kreativitetin që e kisha”.
Arifi tregon gjithashtu se nuk e kishte pasur edhe shumë të lehtë që ta niste
brendin e saj. Kishte filluar me shërbime online, fillimisht te familjarët, pastaj
duke i plasuar në rrjete sociale, si Facebook dhe Instagram, kishte arritur të depërtojë
edhe në një masë tjetër. Ajo çfarë i kishte ndihmuar shumë kishte qenë kursi që
e kishte ndjekur, pasi aty ishte vlerësuar puna e saj. Nga aty ajo kishte marrë
vullnetin për të vazhduar punën deri të nisja e brendit.
“Në fund të vitit të katërt në fakultet fillova të merrem më shumë me skica. Aty e testoja veten, fillova ta mësoja pak a shumë zanatin e punës, dhe merresha edhe me detaje. Fillova edhe një kurs mode. Më kujtohet si sot kur e dërgova një dizajn të një palltoje tek mësuesja e modës, dhe Flutura Dedinjës i pëlqeu shumë. Nga ai vullnet që mu dha, fillova të merresha fillimisht me pallto. Një muaj qëndrova në atelie duke dizajnuar pallto të ndryshme. Kur fillova t’i publikoja nisi edhe reagimi i të tjerëve”.
Nga këtu lindi edhe dëshira që ajo të niste brendin e saj dhe në shtatorin e vitit 2018 ajo hapi brendin e saj “EL Creations” në Gjilan.
Duke i parë kreacionet e saj, ngjasojnë shumë në të përditshmen, por disa
detaje thyejnë ato nuanca dhe bëjnë që ato të duken më të veçanta. Edhe qëllimi
i kreatores është që ta vë në pah të zakonshmen, por duke e futur gjithmonë një
element më tërheqës dhe më të dukshëm. Kombinimi i disa materialeve dhe ngjyrave
në një veshje është ajo çfarë e veçon kreatoren.
“Mundona të përditshmen ta sjell me një ekstravagancë minimale, që secilën
veshje te përditshme , ta bëjë të duket
më unike. Kam dëshirë shumicën e materialeve t’i përziej në një vend. Kombinimi
i materialeve është diçka që e adhuroj. Varësisht prej modelit i kombinoj edhe
ngjyrat. Ndërsa koleksionet që i bëj zakonisht përshtatem me një ngjyrë. Për
shembull kur në një kreacion e përdori të kaltërten, atëherë i kombinoj të
gjitha nuancat e kësaj ngjyre në një veshje.”
Duke qenë që shumica e kreatorëve bëjnë fillimisht skicën e pastaj hynë në
procesin e punës me material, tek Elifja nuk ndodhë e njëjta gjë. Ajo në shumicën
e rasteve nuk vizaton skicën, por shkon drejt e në material. Aty arrin ta bëjë
ndryshimin
“Gjatë procesit të punës më së shumti eksperimentoj. Në skica nuk bëj
eksperimente. Pra, me material unë arrij të manipuloj. E veçanta ime është që
shkoj drejt e në material, vetëm përmes prekjes arrij ta dalloj a mund të dalë
mirë. E mendoj çfarë mund të nxjerrë nga ajo. Kam filluar vetë, zakonisht edhe
rrobat kur i kam blerë, i kam ndryshuar, kam
eksperimentuar, i kam bërë në mënyrën time, edhe tash bazën më të fortë
e kam te materiali në kukëll, sesa në skica.”
E pas lansimit të brendit “El Creations”, palltot e dizajnuara morën vëmendje nga galeria e modës e quajtur “Medium Gallery” me bazë në Florida, SHBA. E kontaktuar nga ata, Arifi bëri marrëveshje në lidhje me kreacionet e saj. Ajo rrëfen më shumë se si arriti deri te kjo marrëveshje dhe se a pati sukses deri më tani.
“Pas koleksionit të palltove më kontaktoi fotografia zyrtare nga Medium Gallery,
një agjencion i Amerikës, nga Florida, përmes
Facebook-ut. Ata më ftuan për një kohë të caktuar atje, të shkoj të punoj, por
duke qenë se kam qenë tejet e angazhuar me punë, dhe për shkak të kërkesave aq
të shumta këtu, nuk kam arritur ta pranoj në atë formë, por ne e bëmë një marrëveshje
tjetër. Unë kreacionet i qep dhe dizajnoj këtu e pastaj përmes postës i dërgoj
atje. Fatmirësisht gjithçka po funksionin si duhet.”
Arifi tregon që përpos marrëveshjes në Floridë, kërkesat janë të shumta
edhe nga Evropa dhe shpreson që mos të ndalen me kaq. Duke qenë që brendi i saj
nuk përfshin vetëm veshje, si dhe nuk ka kufizime qoftë për vajza, meshkuj, të
rritur apo fëmijë edhe çmimet janë të përballueshme, ambiciet e saj nuk ndalen
këtu.
Këtë brend, Elife Arife synon ta bëjë edhe fabrikë, e cila do t’i përfshinte të gjitha kreacionet e saj të veçanta, e gjer më tash e ndjen veten me fat që ka arritur deri këtu. Kjo bën që ajo të punojë më shumë dhe t’i jap vetes më shumë vullnet që të bëjë hapa drejt suksesit më të madh. / KultPlus.com