Ka filluar mbjellja e fermave urbane në lagjen Ulpiana, mbjellje që u realizua bashkë me komunitetin e që është organizuar nga YARL (Youth are the real leaders) në bashkëpunim me OSCE (Misioni në Kosovë), Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike (Komuna e Prishtinës), Fakulteti i Bujqësisë dhe nxënësit e shkollës “Hasan Prishtina”, projekt ky që synon të nxisë ndërgjegjësimin për mjedisin, sigurinë në ushqim dhe të promovojë mjedise urbane të gjelbra dhe të shëndetshme nëpërmjet gjithëpërfshirjes, shkruan KultPlus.
Me pjesëmarrjen e fëmijëve, personave me nevoja të veçanta, përfaqësues nga OSCE, Komuna e Prishtinës dhe kalimtarë të rastit, në mëngjesin e së dielës është bërë inaugurimi i fermave urbane, ku të gjithë pjesëmarrësit kanë mbjellë lule të ndryshme, dredhëza dhe fidanë, të cilët, nëpërmjet këtij aktiviteti kanë përçuar mesazhin se edhe në mes të qendrës mund të punohen ferma të vogla, për të cilat duhet një kujdes i vazhdueshëm.
Kosovare Sadiku Ahmeti, drejtoreshë e YARL, e cila është edhe nismëtare e këtij projekti ka thënë para të pranishmëve se ky projekt ka nisë qysh në vitin e kaluar, fillimisht me inaugurimin e këndit të lodrave për njerëzit me nevoja të veçanta, e deri te krijimi i fermave urbane, që ka ardhe si rezultat i komunikimit të përbashkët me komunitetin e lagjes Ulpiana.
“Është e rëndësishme se këto aktivitet krijojnë komunikim mes banorëve të blloqeve, dhe në të njëjtën kohë sjellin fermat nga viset rurale në ato urbane”, ka thënë Sadiku Ahmeti.
Sipas saj është një mundësi e mirë që në këtë projekt janë përfshirë gjenerata të ndryshme, dhe përpos mbjelljes është edhe një ngritje e vetëdijes për një ushqyerje të shëndetshme.
Ajo ka potencuar se me këtë rast janë inauguruar tri ferma, ferma për fëmijët, ferma për njerëzit me nevoja të veçanta dhe ferma për kultura të veçanta.
Aktivitetin e kanë përshëndetë edhe përfaqësues nga OSCE dhe Komuna e Prishtinës, ndërkohë në procesin e mbjelljes kanë ndihmuar dy studentë te Fakultetit të Bujqësisë.
Ferma urbane është inauguruar në afërsi të KultPlus Caffe Gallery, ku paraprakisht është krijuar edhe shtegu për personat me nevoja të veçanta, kështu duke ndërlidhë kultura të ndryshme në një vend, me qëllim të përmirësimit të kushteve për të gjithë komunitetin. / KultPlus.com