Teatri i Gjilanit me marrëveshje unike në Kosovë, zhvendos shfaqjet teatrale në lokal të shërbimit gastronomik


Teatri  i Qytetit të Gjilanit dhe  “Tabu Lounge Bar” për herë të parë në Kosovë kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e  shfaqjeve teatrale në lokal të shërbimit gastronomik.

Menaxhmenti i “Tabu Lounge Bar’’ janë shprehur jashtëzakonisht të kënaqur me këtë marrëveshje, pasi sipas tyre e ka shëndrruar Gjilanin në një qytet unik.

“Sigurisht që kjo ka qenë kërkesë e jona që përvec performancave muzikore të kemi dicka më ndryshe nga ajo se cfarë ofrohet në lokalet të shërbimit gastronomik, dhe patjetër që jemi shumë të lumtur që Teatri i Qytetit të Gjilanit, menaxhmenti dhe trupa artistike janë bashkëpunues të nivelit të tillë, duke bërë që jeta kulturore të mos mbetet vetëm në ambientet e dedikuara për to, por të shpërfaqet edhe në lokalet e gastronomisë, duke bërë Gjilanin ndryshe nga qytetet tjera”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se kjo marrëveshje ka për qëllim të krijojë një bashkëpunim të ri dhe inovativ në qytetin e Gjilanit, duke sjellë për herë të parë shfaqje teatrore dhe artistike në ambientet e Tabu Lounge Bar.

“Bashkëpunimi do të fokusohet në organizimin e shfaqjeve të ndryshme teatrale, përfshirë stand-up komedi dhe ngjarje të tjera kulturore në këtë ambient unik të cilat do të shfaqen gjate gjithë vitit. Kjo dorë bashkëpunimi e ofruar nga Teatri i Qytetit në Gjilan është lehtësim i madh jo vetëm për Tabu Lounge Bar, por besojmë dhe shpresojmë që aktivitete të tilla të shtrihen edhe tek të tjerët”, thuhet në shkrim.

Stafi i “Tabu Lounge Bar” ka falënderuar  Teatrin e Qytetit të Gjilanit, drejtorin Erson Zymberi, dhe gjithë trupën e teatrit./ KultPlus.com

‘Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë, detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë’

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

‘Fare Cinema’: Filmat rekord mbërrijnë në Kosovë 18 -20 qershor

Kthehet në Kosovë “Fare Cinema”, përmbledhja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë që promovon kinemanë dhe industrinë e filmit italian në botë. Takimi fillon prej datës 18 deri më 20 qershor në kinemanë “Kino Armata” Prishtinë dhe më 19 qershor në shkollën “Nena Kabrini” në Prizren. Shfaqja është planifikuar të shfaqet dy herë (më 18 në Prishtinë si premierë kombëtare dhe më 19 në Prizren) për filmin që theu rekorde “C’è ancora domani” nga Paola Cortellesi, “La Chimera” nga Alice Rohrwacher (19 qershor) dhe “Rapito” nga Marco Bellocchio (20 qershor). Filmat do të shfaqen në gjuhën origjinale (italisht) me titra anglisht, ndërsa për filmin “C’è ancora domani” do të ketë edhe titra shqip.

“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që po rikthejmë në Kosovë festivalin ‘Fare cinema’ me filmat italianë më të vlerësuar me çmime të shumëfishta vitin e kaluar. Kjo ngjarje do të ofrojë mundësinë për t’u zhytur në historitë, personazhet dhe vizionin artistik të disa prej regjisorëve dhe aktorëve italianë më të dashur ndërkombëtarisht. Përmes kësaj nisme synojmë gjithashtu të forcojmë lidhjet kulturore në mes Italisë dhe Kosovës, duke inkurajuar një shkëmbim idesh dhe perspektivash që do të pasurojnë të dy komunitetet”, shprehen ambasadori italian në Prishtinë Antonello De Riu dhe Drejtori i Institutit Italian të Kulturës së Tiranës (përgjegjës edhe për Kosovën) Alessandro Ruggera.

“Me filmin ‘C’è ancora domani’ në mënyrë të veçantë, ne kompletojmë festimet për festën kombëtare. Filmi, në fakt, zhvillohet në vitin 1946, vit në të cilin u mbajtën zgjedhjet e lira në Itali pas përfundimit të luftës dhe njëzet viteve të fashizmit; me këtë rast për herë të parë mundën të votojnë dhe të zgjedhen edhe gratë. Lufta për të drejtat e grave është tema të cilës do t’i kushtojmë një debat të veçantë pas përfundimit të filmit. Filmi i dytë ‘Kimera’, është sa ëndërrimtar aq edhe shpirtëror, historik dhe dokumentar, me një vështrim të rrallë që na bën të kuptojmë se sa shumë ndikojnë në të tashmen tonë, në përgjithësi, dëshmitë e të kaluarës dhe arti. Së fundi, ‘Rapito’ i referohet një ngjarjeje të vërtetë, pak të njohur, e cila ka ndodhur në vigjilje të shpalljes së Shtetit Italian në 1861, e cila na fton të reflektojmë mbi respektimin e autonomisë individuale dhe mbi pasojat që lidhen me indoktrinimin e detyruar dhe mohimin e identitetit”, shtojnë De Riu dhe Ruggera.

“Fare Cinema” është përmbledhje tematike kushtuar promovimit të kinemasë dhe industrisë italiane të filmit, organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, ANICA, ICE, Istituto Luce – Cinecittà, Komisionet Italiane të Filmit dhe Akademinë e Kinemasë Italiane – Çmimi David di Donatello. Lansuar në vitin 2018, parasheh organizimin e ngjarjeve nga rrjeti diplomatik-konsullor dhe institutet italiane të kulturës jashtë vendit me qëllim të dyfishtë, promovimin e kinemasë si dhe profesionistëve italianë në këtë sektor.

Pjesët

Filmi bardh e zi “C’è ancora domani” (2023) na tregon ngjarjet e një familjeje në Romë në vitin 1946; lufta sapo ka përfunduar dhe qyteti është ende i pushtuar nga ushtarët amerikanë. Protagonistja Delia, grua dhe nënë, sakrifikon veten çdo ditë duke u përpjekur t’i bëjë të gjithë të lumtur, ani pse duket se askush nuk i sheh dhe vlerëson përpjekjet e saj. Ajo detyrohet të bëjë paralelisht jetë të shumëfisht: kujdeset për shtëpinë dhe fëmijët, kryen njëqind punë të ndryshme për të plotësuar të ardhurat e familjes, kujdeset për vjehrrin e saj invalid e tiran dhe ështe viktim e dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti i saj Ivano. Martesa e vajzës së saj, i ndryshon këndvështrimin mbi një rruge pashmangëshmërisht të paracaktuar të jetës së gruas: Delia nuk është në gjendje ta pranojë këtë fat për vajzën e saj, dhe ndoshta as për veten e vet. “Kimera” (2023) zhvillohet në vitet 1980 në Tuscia. Një grup grabitësish te varrezave fitojnë jetesën duke vjedhur gjetjet Etruske. Mes tyre është edhe Arturi, një arkeolog i ri anglez, i cili ka dhuntinë të gjejë ku ndodhen varret e lashta. Arturi miqësohet me Italinë, një nënë beqare braziliane që ndjek zërin e saj të brendshëm dhe rebelohet kundër përdhosjes sistematike të vendeve të shenjta. Secili nga personazhet ndjek kimerën e vet. Filmi shpaloset mes skenave thuajse dokumentare të jetës së fshatit, realitetit historik të trafikimit të paligjshëm të gjetjeve arkeologjike, jetës së një familjeje të lartë borgjeze, thirrjeve të botës së përtejme si dhe përpjekjes për të krijuar një jetë ndryshe në një komunë grash dhe fëmijësh, pothuajse duke ripropozuar vlerat e shoqërisë misterioze etruske, artefaktet e së cilës risjellin buzëqeshjet e ndritshme të grave të rafinuara dhe autonome. “Rapito” (2023) është frymëzuar nga një histori e vërtetë. Jemi në 1858 në Bolonjë, ushtarët e Papës hyjnë në shtëpinë e familjes hebreje Mortara për të marrë me forcë djalin e tyre shtatëvjeçar Edgardon. Si foshnje ai ishte pagëzuar fshehurazi nga shërbëtorja dhe ligji kanunor është i pakthyeshëm: ai do të duhet të jetojë në Romë për të marrë një arsimim katolik. Familja e tij do të bëjë gjithçka për të rikthyer djalin e tyre, madje duke lëvizur edhe politikën ndërkombëtare, por Papa nuk do të pranojë ta kthejë fëmijën. Në sfond janë ngjarjet historike të kohës: fuqia kohore e Kishës Katolike ecën drejt rënies dhe trupat e Savojës do të pushtojnë Romën, e cila do të bëhet kryeqyteti i Italisë.

Kalendari i shfaqjeve

E martë 18 qershor, ora 18, Kino Armata, Prishtinë

“C’è ancora domani” nga Paola Cortellesi (2023), italisht me titra në anglisht dhe shqip (në shqip përkthyer me dashamirësi nga “Centro Dante” në Prishtinë). Vijon një debat i moderuar nga Fjolla Muçaj (Qendra për Informim dhe Përmirësim Social) me Bjeshkë Guri (Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë) dhe Adelina Berisha (Rrjeti i Grave të Kosovës) dhe ne fund një koktej rasti.

E mërkurë 19 qershor, ora 19, Kino Armata, Prishtinë

“La chimera” nga Alice Rohrwacher (2023), italisht me titra anglisht.

E mërkurë 19 qershor, ora 20, Shkolla Nena Kabrini, Prizren

“C’è ancora domani” nga Paola Cortellesi (2023), italisht me titra anglisht dhe shqip.

E enjte 20 qershor, ora 19, Kino Armata, Prishtinë

“Rapito” nga Marco Bellocchio (2023), italisht me titra anglisht.

Kryeministri Kurti: Zvicra vazhdon të mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga Ministrja për Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rozeta Hajdari, zhvilluan sot një takim me anëtarët e Dhomës Ekonomike Zvicër-Kosovë.

Në njoftim të Zyrës së Kryeministrit thuhet se gjatë takimit, u diskutua për politikat më të fundit industriale dhe tregtare, rëndësinë e diasporës së Kosovës në Zvicër, për procesin e sapo përfunduar të regjistrimit të popullsisë, dhe progresin e deritanishëm në zbatimin e sistemit të arsimit dual.

Kurti theksoi se Zvicra ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe se ka qenë e mbetet një ndër investitorët kryesor në Kosovë, “me vlerë investimesh direkte prej rreth 1.1 miliardë euro nga viti 2007 deri në fund të vitit 2023 dhe se Zvicra renditet si vendi i dytë për sa i përket eksporteve më të mëdha të Kosovës”.

Gjatë bisedës u theksua se deri më tani Kosova dhe Zvicra kanë nënshkruar 18 marrëveshje të ratifikuara, gjashtë nisma për marrëveshje ndërkombëtare që mbulojnë bashkëpunimin teknik dhe financiar, aviacionin civil, lëvizjen e lirë të personave dhe mallrave, tregtinë, mbrojtjen e investimeve dhe sigurimet shoqërore.

‘Kosovë, o vend i famshëm i trimnis, Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis’

Poezi nga Asdreni

Kosovë, o vend’ i famshëm i trimnis,
Kosovë, o lule e bukur e Shqipnis!
Ti bjeshkat plot vjollca rreth i ke,
…Si vashë e virgjen: nuse sikur je;
Dhe malet me bor
Mi krye i ke kunor!

Kosovë, o atdhe i lavduem i burrnis
Ti ke pas kjen mbretnesha e Rumelis!
Nalt mbaje kryet t’and si gjithmon
Difto-u e zonja; koha sot e don
Ti t’çohesh përseri
N’luftë t’mbarë për liri!

Se teje të madhe shpresë ushqen Shqipnija
Me burra ti q’i len, t’gjatë si selvija,
Sakola mali, shoq në bot’ që s’ kanë
Si luaj e si dragoj plot forcë që janë,
Që e derdhin gjakun prrue
Atdheun për m’e shpëtue!

Ke bij që s’kanë drojë asnjë pikë
As syni far’ u tutet, s’dinë as frikë
Anmikut kur i sulen me rrebtsi
Si breshni mi te hidhen me duhi.

Gra e vasha ke, si zana sy-mëdha
Trimnesha qi Shqipnija din m’i ba
Qi rrokin armët në luftë me gas tuj shkue
Ja se me mund, ja se me dekun tuj luftue!
Për nder të shtëpis s’vet;
E falin shpirt e jet!

Kosovë, o trimneshë, lule e rrallë
Detyrën tin’ e ke me dal sot n’ballë
Se mbrrini koha, tokën për m’e mprue
Anmiqt e motçëm jashtë me i dëbue
Se mjaft e kanë robnue
Dhe n’ zjarm e kanë prue!

A mund m’e durue pa pra kët zgjedhë
Që të huejt para syve të t’venë ledhe
Për me t’rrzue nër kamb’ e për me t’shkel
Për me t’ba gjithë copë, mirë si ju del
Dhe duersh mos të lëshojn’
Prej faqes s’dheut të t’shojn!

Disa “Serbi e vjetër” duen me i thanë
“Maqedhoni” do t’ jerë emnin ja lanë!
Atyne si u pëlqen kufijt i venë
Shqipnija veç mbas dojes s’tyne me kjenë;
Mendojnë pa turp kurrfarë
Se s’ka nji komb Shqiptarë!

Përpara burra, rrokni hut’ e shpatë
Prej zis pështonëje Kosovën e ngratë
At’ nanën t’uej t’lidhun kamb’ e dur
Q’ anmiqt e kan vorrue me dhe e me gur,
Me lott qi qan e ankon
E asnji nuk i ndihmon!

Shqyptarë mos kujtoni bes’ e fe
Po nanën ju kujtoni qi u ka le
Qi ka mbet fill e vetum si gru e ve
Prej bijet e harrume mi ket dhe!
Se ansht turp i math për ju
Të huejt me i u çnderu!

Sot ora mbrrini, dita e bekueme
Shqipnin m’e ba në bot’ një vent t’lirueme!
Kosovës emnin me ja ngref te qilli
Për çud të botës sa ka me shkëlzy dilli
Me rrnue një Shqypni
Si zonjë në lumni.

Shqyptarë, çoni-u, vllazën ora mbrrini
Si Geg’ e Toskë nalt flamurin e ngrini!
Një Manastir, Shkup, Shkodër e Janinë
Një trup bani-e an’ e mb’anë Shqypninë
Si ç’trimit mirë i prek
Me nder n’luftë me dek! / KultPlus.com

Lansohet programi i Kompaktit MCC-Kosovë: Synohet revolucionarizimi i sektorit të energjisë

Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe Qeveria e Kosovës lansuan programin Kompakt, i cili do të mundësojë zgjidhje të energjisë së pastër, për të përmirësuar gjendjen e energjisë në Kosovë.

Në fjalën e saj, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, tha se ky projekt nuk është vetëm investim në energji, por edhe në të ardhmen e vendit.

Ajo tha se në qendër të këtij projekti është transformimi i sektorit të energjisë nëpërmjet parimit të barazisë.

Osmani theksoi se MCC fokusohet në projekte që synojnë ruajtjen e energjisë në bateri e që si të tilla do ta revolucionarizojnë sektorin e energjisë së Kosovës.

Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti Kurti theksoi se me këtë program synohet që të sigurohet që të rinjtë e vendit që janë të përgatitur profesionalisht të marrin pjesë në sektorin e energjisë moderne në të ardhmen.

Ai gjithashtu premtoi se do të rritet edhe pjesëmarrja e grave në sektorin e energjisë, të paktën 33 për qind deri në vitin 2031.

Kurse në fjalën e tij, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, dha më shumë detaje në lidhje me këtë grant.

Ai tha se kompaktet janë grante 5-vjecare mes MCC dhe vendeve që i plotësojnë disa kritere, duke shtuar se është me rëndësi që Kosova është pjesë e atyre vendeve.

Jo vetëm në Vërmicë, qytetarët e Kosovës pritet të kalojnë pa kontroll edhe në pikëkalimet e tjera kufitare me Shqipërinë

Qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë do të kalojnë përmes pikës kufitare të Vërmicës me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.

Megjithatë, pritet që Vërmica të mos jetë pikë kalimi kufitar i vetëm ku qytetarët e Kosovës do të mund të kalojnë më procedura të përshpejtuara.

Kështu ka njoftuar ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj përmes një postimi në rrjetin social, X, njofton klankosova.tv

Ai bëri të ditur se për të lehtësuar turizmin po punohet edhe për rishikimin e protokolleve te tjera në pikëkalimet kufitare si ajo në Valbonë, Shishtavec dhe në zona të tjera turistike.

“Po punohet për rishikimin e protokolleve të tjera për pika të përbashkëta të kalimit me Kosovën si pika e kalimit kufitar në Valbonë, pika e kalimit kufitar në Shishtavec dhe zona të tjera turistike për të lehtësuar turizmin dhe shkëmbimet e ngushta, kjo pa lënë mënjanë masat e nevojshme për të luftuar krimin ndërkufitar dhe çdo formë tjetër të trafikimit të mundshëm” – shkroi ai, përcjell klankosova.tv

Ndryshe, protokolli i rishikuar u nënshkrua në Tiranë nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Shqipërisë, Taulant Balla.

YIHR KS mban sot aksion për Ditën e Kushtetutës së Kosovës

Për nder të Ditës së Kushtetutës, sot nga ora 13:00, YIHR KS do të mbaj një aksion para Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aksion do të shpërndahen 120 kopje të Kushtetutës së Kosovës tek 120 deputetët e deputetet e Kuvendit – jo si dhuratë e as si dokumente të thjeshta në letër, por si rikujtim i fuqishëm për deputet e deputetet tona rreth asaj se çka garanton dhe mbron kjo Kushtetutë – vlera të përbashkëta demokratike dhe parime të palëkundura të drejtësisë, barazisë dhe lirisë.

“Këtë ditë të Kushtetutës, përmes këtij aksioni, ne ritheksojmë që lufta jonë për barazi dhe liri, dhe për zhdukje të diskriminimit vazhdon më e fortë se kurrë. Ne refuzojmë të mbyllim sytë, dhe refuzojmë të pranojmë fjalë dhe sjellje denigruese, diskriminuese dhe cënuese nga deputetët të cilët thirren ne emër të po të njëjtës Kushtetutë që e përbuzin”, thuhet në njoftimin nga YIHR KS. / KultPlus.com

Marrëdhëniet Kosovë – Shqipëri, qytetarët e dy shteteve shprehen se nuk janë aq të zhvilluara

Ka ende shumë punë për të bërë për të konsoliduar edhe më tej marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Kështu ka bërë të ditur Barometri i Euronews Albania me një kampion prej një mijë intervista ballë për ballë, me qytetarë nga Shqipëria si dhe atë nga Kosova.

65.6 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 52.4 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë shprehur se marrëdhëniet mes dy kombeve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm.

18.8 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe 30.7 për qind e shqiptarëve të Kosovës janë neutral kur pyeten për konsolidimin edhe më tej të marrëdhënieve mes dy shteteve, por 9.1 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 9.8 për qind e shqiptarëve në Kosovë, nuk janë dakord që marrëdhëniet mes dy shteteve nuk janë zhvilluar mjaftueshëm.

6.5 për qind e shqiptarëve në Shqipëri dhe 7.1 për qind e shqiptarëve në Kosovë nuk e dinë zhvillimin e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë.

Kush, si raportoi për pavarësinë e Kosovës?

Dita e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 ishte një moment historik për popullin shqiptar. Kosova u bë Republikë, duke shkaktuar festime të mëdha në të gjithë vendin. Mediumet ndërkombëtare raportuan drejtpërdrejt ngjarjen, duke e prezantuar si një hap të rëndësishëm në historinë e Ballkanit.

Njohja e pavarësisë nga shumë vende dhe reagimi i Serbisë dhe aleatëve të saj solli debat global. Kjo deklaratë e pavarësisë u përshkrua si një epokë e re për rajonin, duke sjellë shpresë për stabilitet dhe zhvillim.

Ishte dita më e rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. 17 shkurti i 2008-s do të mbetet ngjarja dhe lajmi më i madh në histori.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ndodhi. Kosova u bë Republikë. Festa ishte e madhe e gëzimi që aq gjatë njerëzit e kishin pritur, ishte i jashtëzakonshëm.

Gjithçka ndodhi në këtë ditë, u pasqyrua drejtpërdrejt në çdo moment në Radiotelevizionin e Kosovës. Nga komunat e vendit, jashtë tij e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Televizionit Publik u pasqyrua në kohë reale Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Lajmi i Kosovës shtet i pavarur dhe sovran zuri vend në televizionet dhe ballinat e mediumeve më të mëdha ndërkombëtare.

Në raportimin e tij, medium anglez BBC, shkruante se Kosova shpalli zyrtarisht pavarësinë e saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Ajo kishte qenë nën kontrollin e OKB-së që nga viti 1999, kur NATO-ja dëboi milicinë serbe. Fuqitë e mëdha evropiane dhe Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë e Kosovës, por deklarata hasi në një përgjigje armiqësore nga Serbia dhe aleati i saj Rusia, thuhej ndër të tjera në këtë medium.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, ishte titulli i prestigjiozes amerikane The New York Times, në shkrimin e publikuar një ditë pas shpalljes së Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Në të shkruhej se përpjekja e Kosovës për t’u njohur si vendi më i ri i Evropës, pas një lufte civile që vrau 10,000 persona një dekadë më parë dhe më pas viteve të harresës nën sundimin e Kombeve të Bashkuara, ishte episodi i fundit në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, 17 vjet pas fillimit të shpërbërjes së saj.

NBC NEWS për këtë ditë shkroi se në Prishtinë, humori ishte plot gëzim. Mijëra shqiptarë etnikë u përballën me temperaturat e ulëta për të hipur në çatitë e makinave të tyre, duke kënduar këngë

patriotike dhe duke brohoritur akronimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata valëvitën flamuj amerikanë krahas flamurit të kuq shqiptar me një shqiponjë të zezë dykrenare.

Në këtë ditë, The Guardian, ballinën e saj e kishte mbuluar me flamurin kombëtar. Në të shkruhej se Kosova shapll pavarësinë. Përmes fotografive të ndryshme të festimit e gëzimit të qytetarëve, ajo e ka përshkruar shpalljen e Kosovës Republikë.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia të dielën, ishte shkrimi i radhës i të përditshmes Reuters. Në këtë shkrim ajo renditi pikat kyçe të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, në të cilin veçohet pika ku thuhet se kjo deklaratë pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në përputhje të plotë me rekomandimet e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari dhe propozimin e tij gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Kosova bën shpalljen historike të pavarësisë nga Serbia, ishte shkrimi i të përditshmes britanike Independente. Në mes tjerash, në këtë shkrim thuhej se deklarata e së dielës ishte orkestruar me kujdes me SHBA-në dhe fuqitë kryesore evropiane, dhe se Kosova po llogariste në njohjen e shpejtë ndërkombëtare që mund të vinin që të hënën, kur ministrat e Jashtëm të BE-së të takoheshin në Bruksel.

“Një seancë speciale e parlamentit të Kosovës ka votuar për ta shpallur pavarësinë nga Serbia, me mijëra shqiptarë etnikë që bllokuan rrugët e Prishtinës, qytetit kryesor, për momentin historik”, pasqyrohet dita e shpalljes së pavarësisë në shkrimin e mediumit AL Jazeera.

Edhe mediumi gjerman DW e pasqyroi këtë ditë duke cituar se dhjetë vjet pasi Beogradi shtypi një rebelim në Kosovë, parlamentarët shpallën Republikën e Kosovës dhe shtetin sovran. Më tej thuhej se Parlamenti i Kosovës votoi pro pavarësisë nga Serbia, duke ulur perden e një kapitulli të gjatë të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë.rtk/KultPlus.com

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës përgatitet për koncertin e 16-vjetorit të Pavarësisë

Filharmonia e Kosovës është duke i bërë përgatitjet për koncertin madhështor në shënim të 16-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

“Koncerti qendror në këtë përvjetor të veçantë vjen me Korin dhe Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari me pjesëmarrjen e solistëve Krenare Gashi – soprano, Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë”, thuhet në njoftim.

Sipas një komunikate për media, përveç veprave nga R. Strauss, W. Kilar, K. Aliçkaj, V. Beqiri dhe L.V. Beethoven do të interpretohet edhe premiera e “Exodus” nga Mendi Mengjiqi, dedikuar 25-vjetorit të ekosdit të mbi 1 milion Kosovarëve nga forcat Jugosllave dhe Serbe.

Koncerti do të mbahet më 17 shkurt, në ora 20:00 (Salla AMC)/ KultPlus.com

Rita Ora dhe Dua Lipa mund të performojnë në hapjen e Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë

Ceremonia hapëse e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030 që do të zhvillohen në Kosovë mund të jetë shumë më spektakolare se sa mund të imagjinohet.

Kjo pasi në këtë ceremoni mund të performojnë dy yjet botërore të muzikës, Rita Ora dhe Dua Lipa.

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi për media i Komitetit Olimpik të Kosovës në Konferenca ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, ku nikoqire është Agjencia e Lajmeve KosovaPress.

Ai tha se në këto lojëra nuk do të ketë vetëm sport, por edhe kulturë dhe art dhe është duke u punuar që të sigurohet performanca e të dy yjeve në atë mbrëmje të madhe.

Tutje, Krasniqi shtoi se Kosova e pati më të lehtë ta fitojë organizimin e kësaj ngjarje të madhe për shkak të rezultateve mbresëlënëse që kanë arritur në arenën ndërkombëtare vajzat e xhudos duke siguruar medalje të arta evropiane e botërore.

Në panelin e dytë, folës është presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymberi, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Taulant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror. / KultPlus.com

Ministri Çeku: Vazhdon të thellohet bashkëpunimi me Shqipërinë në projekte të kulturës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, Ministri Çeku ka thënë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë është i pashmangshëm. Përplot aktivitete të përbashkëta janë realizuar vitin që lam pas, dhe të tilla priten edhe në vazhdim.

Për këtë dhe tema të tjera diskutuan sot në takim, Ministri Çeku dhe Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Ministri Çeku i uroj suksese në detyrën e re, ndërsa i shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë.

Bashkë u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin duke u koordinuar për projekte të përbashkëta në kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com

Instituti Sekhmet prezanton databazën e letërsisë queer në Kosovë, Ballkan dhe botë

Instituti Sekhmet në Prishtinë ka lansuar sot databazën mbi letërsinë queer në Kosovë, në Ballkan dhe në botë.

Letërsia e njohur botërisht si -queer- është një zhanër që kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në peisazhin letrar të Kosovës, Ballkanit dhe botës. Ajo ofron një platformë për tu shprehur ndryshe, një tapiseri të pasur emocionesh, regjistra të ndryshëm të gjuhës, dhe narrativa që shpesh janë të shtypura nga sistemet patriarkale. Ky zhanër paraqet me ngjyra të theksuara jetët e individëve nga familje atipike dhe atyre që kërkojnë të kuptojnë identitetin e tyre.

Përmes fjalëve të zgjedhura me kujdes, letërsia queer hedh dritë mbi karaktere dhe realitete që kërkojnë njohje dhe pranim më të madh. Nga vendet ku homoseksualiteti mbetet i kriminalizuar dhe ndëshkohet me vdekje deri te shoqëritë më progresive ku lufta për të drejtat e barabarta merr vrull, dokumentet e letërsisë queer së shkruar dhe folur hapin hapesira të reja për jetët LGBTIQ+ në mbarë botën.

Në këtë koleksion, ne si Sekhmet synojmë të prezantojmë një listë të kuruar të letërsisë queer, duke përfshirë vepra të autorëve nga Kosova dhe rajoni më i gjerë i Ballkanit, së bashku me një zgjedhje të plotë të librave që duhen lexuar nga letërsia globale. Këto tekste eksplorojnë tema të lidhura me çështjet LGBTIQ+ dhe çfarë do të thotë të jesh queer në tërësinë e saj.

Në këtë bazë të të dhënave janë përfshirë libra queer nga autorë që mund të jenë vet queer por edhe mund të mos i përkasin këtij grupi shoqëror. Pos autorëve të njohur të kësaj letërsie, në këtë databazë janë përfshirë edhe libra dhe përmbledhje poetike nga autorë më pak të dëshmuar por të cilët po e ndihmojnë shumë një letërsi të tillë.

Ky projekt mbështetet nga Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor (READ).

Eksploroni bazën e të dhënave këtu: https://www.sekhmet-ks.com/queer-literature/KultPlus.com

“Prek n’rrush, shijo n’ven” – hapet festivali i njohur Hardh Fest

Sot është bërë hapja e panairit të rrushit, verës, rakisë dhe gastronomisë, pra, ka filluar festivali “Hardhfest”, shkruan KultPlus.

HardhFest, i cili tanimë është një festival tradicional në Kosovë, mbledhë njerëz nga shumë vende të rajonit për të shijuar verën e shijshme në Rahovec.

Edicioni i 22-të i festës së vjeljes së rrushit “Hardh Fest”, nisi me sloganin “Prek n’rrush, shijo n’ven”.

I gjithë ky festival mbahet në vendin e njohur të Kosovës për rrush dhe verë, Rahovec, nga datat 1-3 shtator. /KultPlus.com

Reuters shkruan për garën e kërcimit nga Ura e Fshajtë në Kosovë (VIDEO)

Gazeta prestigjioze Reuters, ia ka kushtuar një artikull garës së kërcimit nga Ura e Fshejt, me titull “Zhytësit e urave të Kosovës e mposhtin frikën për të fluturuar në garat vjetore”.

Me krahët e shtrirë si krahët e zogut në “stilin tradicional të gëlltitjes”, Evald Krniq u zhyt më shumë se 20 metra nga një urë në Kosovën jugore në lumin e ftohtë Drin i Bardhë.

‘’Ishte më shumë si një fluturim se sa si një zhytje nga lartësia”, i tha ai Reuters pasi fitoi vendin e parë në konkursin e zhytjes në urë, një ngjarje vjetore e mbajtur për 73 vitet e fundit dhe duke tërhequr si amatorë ashtu edhe profesionistë.

 “Emocioni kryesor është të jesh gjallë. Nëse nuk ke frikë, nuk mund të kërcesh, pasi nuk ka adrenalinë dhe mund të përfundosh duke bërë gabime që mund të çojnë në lëndime,” tha Krniq. “Bukuria e këtij sporti qëndron në mposhtjen e kësaj frike dhe në hapin”.

Krniq ishte gjithashtu fitues vitin e kaluar në qytetin boshnjak të Mostarit, ku ai u hodh 22 metra nga një urë e vjetër në lumë poshtë.

Florid Gashi, i cili ka fituar çmimin e parë në vitet e kaluara, tha gjithashtu se frika e bën sportin kaq emocionues: “Momenti që je jashtë ujit dhe nuk je lënduar është gjëja më e madhe”. / KultPlus.com

Reuters shkruan për arinjtë e murrmë në Kosovë: E luftojnë vapën me fruta të ngrira

Punëtorët në një vendstrehim të arinjve në Kosovë kanë gjetur mënyra kreative për t’i mbajtur të ftohtë njëzet arinjtë e tyre të murrmë në temperatura afër 40 Celsius këtë javë, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters.

Pishinat e arinjve mbushen rregullisht me ujë të freskët dhe mbrojtësit e tyre hedhin fruta dhe perime në ujë për t’i inkurajuar kafshët të notojnë. Ata gjithashtu vendosin fruta dhe perime të ngrira që i quajnë “akullore” në pemë, ku arinjtë i gjejnë ato në vetëm pak sekonda.

“Temperaturat janë shumë të larta dhe lëkura e tyre është shumë e trashë dhe nuk e kanë të lehtë”, tha Taulant Hoxha, nga streha e arinjve.

“Ne kemi 20 arinj dhe secili prej tyre ka frutat apo perimet e tij të preferuara… kështu që varet nga ushqimi i preferuar se çfarë ngrijmë për ta”.

20 arinjtë që jetonin në strehimoren e cila menaxhohet nga Four Paws International, u shpëtuan nga pronarët privatë ose nga restorantet ku mbaheshin si atraksione për mysafirët në hapësira të vogla deri në katër ose pesë metra katrorë. / KultPlus.com

Van Damme mbërrinë në Kosovë

Aktori i famshëm i filmave aksion në nivel botëror, Jean-Claude Van Damme, për herë të parë në Kosovë.

Ai tashmë ka arritur, ndërsa RTV21 ka siguruar një video nga nisja e tij për në Kosovë.

Ardhjen e tij po e mundëson një kompani zvicerane e orëve.

Jean-Claude Van Damme, është ikonë e aksioneve dhe filmave të cilat kanë shoqëruar ekranet anë e kënd globit./21Media/KultPlus.com

Maratona “3×3″ mbledh në Kosovë 160 sportistë nga 18 shtete

Në amfiteatrin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë mbrëmë filluan garat ndërkombëtare të basketbollit FIBA U23 3×3 Nations League që do të zgjasin deri më 12 korrik.

Në ceremoninë e hapjes zyrtare morën pjesë zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, dhe Kryetari i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu, të cilët theksuan rëndësinë e këtij eventi për zhvillimin e basketbollit.

Gjatë kësaj jave do të zhvillohen edhe garat në kategoritë 3×3 Womens Series (14-15 korrik) dhe 3×3 Prishtina Challenger (15-16 korrik).

Qytetarët mund të bashkohen për të ndjekur ndeshjet dhe për të shijuar atmosferën e krijuar nga ekipet e 18 vendeve pjesëmarrëse, duke përfshirë edhe përfaqësuesit tanë të Kosovës.

Garat e organizuara nga Federata e Basketbollit të Kosovës kanë përkrahje të plotë nga MKRS. / KultPlus.com

Kompleksi ‘Adem Jashari’ dhe 17 asete të tjera vendosen në listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka vendosur 18 asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, ndër të cilat janë Kompleksi ‘Adem Jashari’, Biblioteka Kombëtare, Kulla e Isa Boletinit dhe Kulla e Sahatit, shkruan KultPlus.

Asetet të cilat tashmë bëjnë pjesë në mbrojtje të përhershme, si asete të trashëgimisë kulturore, janë nga nëntë vende të ndryshme të Kosovës:

Prishtinë:

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”
Biblioteka “Hivzi Sylejmani”
Kulla e Sahatit
Muzeu Kombëtar i Kosovës
Shtëpia e banimit e familjes së Hynilerëve
Xhamia e Çarshisë
Xhamia e Jashar Pashës

Prizren:

Kino Lumbardhi
Kërëk xhamia – Namazxhah
Kompleks banimi i familjes Hadro

Pejë:

Konaku i Tahir Beut
Konaku i Kasapollëve

Gjilan, Përlepnicë:

 Shtëpia e Muhamer Shabanit

Skënderaj, Prekaz:

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”

Vushtrri:

Hamami i Vjetër

Zveçan:

Kompleksi i Kullës së Isë Boletinit

Rahovec:

Kulla e Sahatit

Podujevë:

Lokaliteti Arkeologjik “Vendenis”
Konaku i Tahir Beut
Konaku i Kasapollëve./KultPlus.com

Kaltrinë Rrustemi për herë të parë me ekspozitë personale në Kosovë

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita “Mrena” e artistes Kaltrinë Rrustemi, kuruar nga Elise lammer, përcjell KultPlus.

“Mrena” është ekspozita e parë personale e Kaltrinë Rrustemit në Kosovë. Ekspozita shënon njëvjetorin e kthimit të artistes nga Zvicra në Prishtinë dhe përmban një përzgjedhje të veprave që gjurmojnë pajtimin e artistes me legjitimitetin e saj: si artiste, fëmijë e diasporës, shtetase zvicerane dhe grua shqiptare e Kosovës.

Studimet e Rrustemit në HEAD të Gjenevës shënojnë fillesën e një procesi të gjatë vetëpajtimi, gjatë të cilit artistja është marrë me nocionin e identitetit në kontekstin e diasporës.

Ekspozita do të hapet më datë 16 qershor, në ora 19:00 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. / KultPlus.com

Stërvitja më e madhe ushtarake ndërkombëtare fillon këtë javë në Kosovë

Nga data 21 maj deri më 2 qershor në Kosovë do të zhvillohet stërvitja më e madhe ushtarake ndërkombëtare në Ballkan.

Stërvitja “Defender Europe 2023” do të demonstrojë aftësitë e dy regjimenteve të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe do të demonstrojë nivelin e ndërveprimit ushtarak të FSK-së me forcat e armatosura të vendeve partnere.

Kështu FSK-ja edhe një herë do të tregojë se është e gatshme të kontribuojë në çdo mision të NATO-s.

Ceremonia e hapjes së kësaj stërvitje ushtarake do të bëhet të dielën në prani të krerëve të shtetit të Kosovës dhe zyrtarëve amerikanë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Defender 23 është një stërvitje e përbashkët vjetore, shumëkombëshe e udhëhequr nga Komanda SHBA-Europiane e krijuar për të rritur gatishmërinë operacionale dhe ndërveprueshmërinë midis Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe vendeve partnere.

Përafërsisht 9,000 ushtarë amerikanë dhe rreth 17,000 ushtarë nga 26 vende aleate dhe partnere do të marrin pjesë në këtë stërvitje ushtarake.

Vitin e kaluar Shqipëria ishte një nga mikpritësit e “Defender Europe 2023”. / KultPlus.com

Kryeministri përkujton masakrën në oborrin e shkollës në Bukosh: Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot, në përvjetorin e 24-të, martirët e Masakrës së Bukoshit, përcjell KultPlus.

Në po këtë datë, të vitit 1999, oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak, pasi 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan nga forcat policore serbe.

Kryeministri është shprehur se kriminelët e luftës duhet nxjerrë para drejtësisë dhe Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës në Kosovë.

Postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Më 3 maj 1999 oborri i shkollës në Bukosh u mbulua me gjak. 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë u pushkatuan. Forcat policore të Serbisë i vranë ata, vetëm pse ishin shqiptarë.

I ekzekutuan pasi i ndanë nga kolona e banorëve të fshatrave të Suharekës, që i kishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Dëbimi, vrasja dhe zhdukja me forcë e shqiptarëve ishte pjesë e projektit gjenocidal të Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.

Kriminelët e luftës duhet nxjerrur para drejtësisë. Serbia duhet mbajtur përgjegjëse për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe veprimet gjenocidale të kryera në Kosovë.

Republika e Kosovës nuk mund të falë e as të harrojë.

Në përvjetorin e 24-të, përkujtojmë martirët e Masakrës së Bukoshit. Lavdi! / KultPlus.com