Teatri i Qytetit të Gjilanit ka filluar provat për të shfaqur komedinë e autorit Jeton Neziraj dhe me regji të Blerta Neziraj, “Kosovo for dummies”, shkruan KultPlus.
Komedia “Kosovo for dummies” rrëfen historinë e Antigonës nga Kosova, e cila, për të fituar lejeqëndrimin në Zvicër, duhet të dëshmoj që nuk është një rinoqeront. Megjithatë, t’u themi që në fillim: në shfaqje nuk do të derdhet as një pikë gjaku, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman dhe kjo mund të paragjykohet nga dikush. Drama ka fund të lumtur.
“Me satirë tregohet raporti ndaj emigrantëve, përmes një loje të pazakontë, gati si në ëndërr, por me plot forcë poetike”, citohet Michael Feller, Berner Zeitung në postimin në faqen zyrtare të teatrit të qytetit të Gjilanit.
Ndërkaq në këtë postim tregohet se Lena Rittmeyer dhe Der kleine Bund për shfaqjen e Jeton Neziraj kanë thënë se “Autori Jeton Neziraj then realitetin brutal dhe ndërton në skenë një realitet të ri. Me këtë krijon një drejtësi që të ngushëllon”.
Në shfaqje do të luajnë: Aurita Agushi, Tringa Hasani, Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa dhe Ernest Zymberi./ KultPlus.com