Kostumi ikonik i John Travolta ‘Saturday Night Fever’ del në ankand, kjo është vlera e tij

Fansat e “Ethet e natës së të shtunës” kanë mundësinë të rrëmbejnë një pjesë të historisë së kulturës pop këtë muaj, kur kostumi i bardhë me tre pjesë i veshur në film nga John Travolta të dalë në ankand.

Ansambli monokromatik pritet të arrijë deri në 200,000 dollarë kur të dalë në treg si pjesë e shitjes “Hollywood: Classic & Contemporary” organizuar nga Julien’s Auctions dhe Turner Classic Movies në Kaliforni midis 22 dhe 23 prillit.

Në dramën e kërcimit të vitit 1977, Travolta luan Tony Manero, një i ri italiano-amerikan nga Bruklini, i cili përpiqet t’i shpëtojë realiteteve të jetës së tij duke dominuar në pistën e vallëzimit në diskotekën lokale. Filmi hit ndihmoi në popullarizimin e muzikës disko në mbarë botën dhe Travolta mori një nominim për Oscar për aktorin më të mirë për performancën e tij.

Sipas organizatorëve të ankandit, kostumi poliestër i veshur nga Travolta në skenën e famshme të konkursit të kërcimit të filmit është një nga vetëm dy të përdorura gjatë prodhimit të filmit.

Kostumi cilësohet si “një nga kostumet më ikonike në historinë e kinemasë”.

“Heronjtë nga Sir Lancelot deri te Tom Mix visheshin me të bardha në garat e mëdha për të shprehur pastërtinë dhe përkushtimin e vetëm ndaj detyrës në fjalë”, tha kostumografja e filmit, Patrizia von Brandenstein, për ansamblin thelbësisht të viteve ’70 në një deklaratë./topchanel/KultPlus.com

Alban Mitati sjellë brendin më të ri të kostumeve “Alban Mitati Handmade Suits” (FOTO)

Albani në një intervistë për KultPlus, shpalosi detaje rreth brendit të tij, që nga ai vlerësohet shumë unik.

Sarandë Selimi

Pasioni ndaj modës për të ka filluar qysh në moshën e adoleshencës. Këtë pasion ai e ndoqi dhe kështu pas studimeve ai tash është një dizajner mode, ku ka krijuar një brend të veçantë në vend.

Është Alban Mitati, dizajneri kosovar i cili me brendin e tij “Alban Mitati Handmade Suits”, ka hyrë në treg së fundmi duke sjellë kostume jashtëzakonisht të bukura për meshkujt që duan të duken bukur dhe elegant.

Albani në një intervistë për KultPlus, shpalosi detaje rreth brendit të tij, që nga ai vlerësohet shumë unik.

“Gjithmonë më ka pëlqyer moda. Dëshira ime që të jem një dizajner mode më ka shtyre që të merrem me këtë profesion dhe të krijoj brendin tim. Veçantia e kostumeve të brendit tonë, është të krijojmë diçka unike dhe të paimitueshme. Një bashkim i detajeve më të mëdha të tilla si pëlhura dhe zgjedhjet e ngjyrave të kostumit, kombinimi i tyre, e bëjnë që kostumi të duket jo i zakonshëm”, tha fillimisht dizajneri, i cili poashtu tregoi edhe për materialet që i përdor në kostumet që ai krijon.

“Me materiale furnizohemi nga vendet e rajonit dhe nga Evropa. Kemi lloje të ndryshme të materialeve në veçanti si Altinyildiz Scabal, Holand &Sherry”, u shpreh ai.

Tek brendi “Alban Mitati Handemade Suits”, mund ta gjejë vetën secili që ka dëshirë që në dollapin e tij të shtoj një kostum të veçantë. Brendi i përshtatet shumë kërkesave të klientëve edhe pse kërkesat më të mëdha siç tregoi Albani për KultPlus, janë nga moshat madhore që ndjekin trendët e fundit të modës.

Alban Mitati, për KultPlus, tha se ende nuk kanë pasur ndonjë sfilatë sepse janë ende të ri në treg por në një të ardhme të afërt do të sjellë një sfilatë me kostumet që ai krijon.

Krejt në fund, për të gjithë ata që duan të veshën nga “Alban Mitati Handemade Suits”, drejtuesi i këtij brendi tregoi se ku mund ta gjejnë.

“Ata të cilët janë të interesuar për kostumet e brendit tonë mund të në gjejnë në rrjetet sociale si Facebook në Alban Mitati Handmade dhe në Instagram , poashtu për një kohë të shkurtë klientët do të jenë të informuar edhe për lokacionin e ri të atelies”, përfundoi kështu dizajneri Alban Mitati./ KultPlus.com