Më 4 janar të vitit 1930 lindi, në qytetin e Durrësit, kompozitori i mirënjohur shqiptar, Kozma Lara. Pas mësimeve të para në piano, në qytetin e lindjes, Kozma Lara ndoqi liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku dhe diplomohet në degën e pianos me prof. Tonin Guraziu në vitin 1954.
Në vitin 1958 studion në konservatorin “Çajkovski”, në Moskë, në degën e kompozicionit. Pas diplomimit, kontribuoi në Ansamblin e Ushtrisë Popullore, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, si koncert-maestër, dhe në shkollën e mesme të muzikës “Mujo Ulqinaku”, Durrës.
Gjatë viteve 1964-1972 kontribuon si pedagog i Analizës dhe Kompozicionit, njëkohësisht Shef i Katedrës së Kompozicion-Dirigjimit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës.
Gjatë viteve 1972-1978 ka qenë inspektor, specialist për Muzikën në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, Tiranë. Në vitin 1979 ka qenë mësues i Harmonisë, Analizës dhe Orkestracionit pranë shkollës së mesme të muzikës “Jan Kukuzeli”, Durrës e më pas ka qenë shef i Katedrës së Teori-Kompozicionit në Fakultetin e Muzikës, pedagog i Analizës dhe Kompozicionit.
Edhe në periudhën e pensionit kontribuoi si pedagog i jashtëm në lëndën e Analizës dhe Kompozicionit në Universitetin e Arteve, Tiranë.
U nda nga jeta në 18 janar të vitit 2019./atsh/KultPlus.com