Pritjeve të shumta u ka ardhur fundi. Edhe Komiteti Paralimpik i Kosovës (KPK) është bërë anëtar i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar (IPC).
Lajmin e ka konfirmuar për Komitetin Olimpik të Kosovës, presidentja e KPK-së, Njomza Emini. Sipas saj, është Bordi Ekzekutiv i IPC që e ka pranuar kërkesën e KPK-së për anëtarësim.
“Bordi Ekzekutiv i IPC na ka pranuar me të drejta të plota. Nuk ka pasur asnjë votë kundër ose abstenim. Është lajm i shumëpritur, nga i cili do të përfitojnë më së shumti paralimpistët”, ka deklaruar Emini.
KOK ka siguruar edhe mesazhin e urimit të presidentit të IPC-së, Andrew Parsons, dëruar KPK-së. “Të dashur paralimpistë të Kosovës, mirë se vini në familjen paralimpike ndërkombëtare. Është privilegj për neve t’ju kemi anëtar. Ne ju mirëpresim në Lojërat Paralimpike Paris 2024. Do të jetë mahnitëse të shohim flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të LP Paris 2024”, thuhet mes tjerash në mesazhin e Parsons.
Komiteti Olimpik i Kosovës përgëzon Komitetin Paralimpik të Kosovës dhe gjithë paralimpistët për lajmin historik të anëtarësimit në IPC.
“Urojmë dhe besojmë që edhe përfaqësimi juaj ndërkombëtarë do t’i sjell Kosovës medalje të shumta, dhe pse jo edhe nga debutimi në Lojërat Paralimpike Paris 2024”, thuhet në njoftimin e tyre. / KultPlus.com