Vendos KPM: ‘Big brother’ mund të shikohet vetëm me kod, ose pas orës 24:00

Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM) ka sqaruar opinion publik, se për t’ mbrojtur fëmijët dhe të miturit nga programet të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral, ka kufizuar nga platformat televizive shfaqjet reale televizive” realityshow” ose “reality tv. Këto shfaqje mund të transmetohen të koduara, ose pas orës 24:00 deri në 06:00 të mëngjesit, thuhet në sqarimin e KPM-së.

Sipas njoftimit për media, KPM me datën 21 dhjetor 2023 ka miratuar Rregulloren KPM-2023/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuale.

“Kjo Rregullore ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga për mbajtje të programeve të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre fizik, mendor dhe moral, mbrojtjen e fëmijëve gjatë përfshirjes së tyre në përmbajtje mediale, me fokus të veçantë mbrojtjen e fëmijëve të cenueshëm, si dhe mënyrën e kategorizimit, sinjalizimit dhe kohën e transmetimit të programeve që ndikojnë negativisht në zhvillimin fizik, mendor, emocional dhe moral të fëmijëve dhe të miturve”, thuhet në njoftim.

Rregullorja KPM-2023/01, thuhet se për herë të parë në mënyrë specifike trajton dhe rregullon programet e tipit “shfaqje reale televizive”(“realityshow” ose “reality tv).

“Sipas nenit 2, paragrafi 5,të kësaj Rregulloreje“Programet e formatit “shfaqje reale televizive” (“realityshow” ose “reality tv), përfshin një zhanër ose format televiziv zakonisht pa një skenar të detajuar, me përmbajtje të realizuara kryesisht në një mjedis natyror ose të krijuar artificialisht në të cilin shfaqet jeta e një grupi pjesëmarrësish në një hapësirë të izoluar, të cilët janë vazhdimisht nën vëzhgimin e video kamerave në një zonë të mbuluar me mikrofona, të cilët në rastin më të shpeshtë janë në konkurrim me njëri-tjetrin në përpjekje për të fituar një çmim ose përfitime të caktuara pasurore ose jo pasurore”, thuhet në njoftim.

Sipas KPM-së, Rregullorja KPM-2023/01 nuk ka për qellim ndalimin e programeve Reality Tv,mirëpo ka për qëllim mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtja e këtyre programeve dhe si masë parandaluese, në mënyrë që fëmijët “mos të kenë qasje në këto programe, ka përcaktuar që transmetuesit t’i kodojnë këto programe ose të njëjtat të shfaqen nga ora 24:00”.

“Në nenin 7, paragrafin 6, të Rregullores KPM-2023/01 është përcaktuar që “Programet e formatit shfaqje reale televizive (realityshow ose reality TV), njoftimet e transmetimit të tyre, si dhe programet që tregojnë pasqyra të ngjarjeve në ato përmbajtje, shënohen me 18+ dhe mund të transmetohen vetëm në periudhën nga ora 24:00 deri në 06:00. Ky kufizim nuk zbatohet për përmbajtjen e shfaqur me mbrojtje teknike (kodim me pin)”, thuhet më tej në njoftimin e KPM-së.

Të gjithë të licencuarit, sipas këtij institucion,  të cilët transmetojnë programet e formatit “shfaqje reale televizive” (realityshow ose reality TV), janë të obliguar të zbatojnë paragrafin 6, të nenit 7të Rregullores KPM-2023/01 për të gjitha format e shfaqjes se këtyre programeve, përfshirë transmetimin e drejtpërdrejtë, primet dhe përmbledhjet ditore.

Rregullat e përcaktuara në nenin 7, paragrafi 6 të Rregullores KPM-2023/01, sipas KPM-së, vlejnë edhe për kanalet e huaja të cilat shpërndahen përmes operatorëve të shpërndarjes, bazuar në paragrafin 7 të këtij neni.

“KPM me qëllim të vlerësimet të pajtueshmërisë me Rregulloren KPM-2023/01 për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të Miturve në Shërbimet Mediale Audio dhe Audiovizuale, do të bëjë monitorimin e të gjithë të licencuarve dhe në rast të mosrespektimit të kësaj Rregulloreje do të aplikoj sanksionet e përcaktuara me Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave”, thuhet në njoftimin KPM-së lëshuar të mërkurën.

KPM kërkon po ashtu nga të gjithë të licencuarit që të respektojnë Rregulloren KPM-2023/01 dhe se obligohen të gjithë Ofruesit e Shërbimeve Mediale Auidovizuale dhe Operatoret e Shpërndarjes “t’i ndërmarrin masat teknike gjatë transmetimit të përmbajtjeve programore me pritshmëri për të dëmtuar zhvillimin fizik, mendor ose moral të fëmijëve”./KultPlus.com

KPM-ja ka marrë vendim që të ndalohet transmetimi i ‘Arena Sport’ në Kosovë

Këshilli i Pavarur i Mediave (KPM) ka marrë vendim që të ndalohet transmetimi i ‘Arena Sport’ në Kosovë, si masë kundër mesazheve mbështetëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit të cilat janë transmetuar në këto kanale televizive.

Në mbledhjen e mbajtur të martën, KPM-ja ka thënë se operatorët kabllorë nuk do të kenë të drejtë transmetimi të kanaleve sportive ‘Arena Sport’.

“Unë do te sugjeroj dhe rekomandoj se si komision te marrim një vendim që kërkon nga operatorët e shperndarjës qe menjëherë të ndalojë transmetimin e kanaleve të Arena Sport”, ka thënë Jeton Mehmeti, kryetar i Bordit të KPM-së.

Vendimi është miratuar me pesë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Mehmeti ka thënë se vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të jetë i vlefshëm deri në një vendim të radhës.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka vendosur që menjëherë pas transmetimit të mesazheve mbështetëse për sulmin terrorist në veri është vendosur për ndalimin e transmetimit të kanaleve televizive “Arena Sport” në Kosovë.

Kështu ka thënë sot drejtori i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, në mbledhjen e sotme të KPM-së.

KPM thërret mediat për raportim të saktë dhe të paanshëm për situatën në veri

Komisioni i Pavarur i Mediave u bën thirrje të gjithë mediave që të kenë kujdes me raportimet e lajmeve që ndërlidhen me situatën në veri të vendit, të krijuar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga persona të panjohur, ku një zyrtar policor ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar si pasojë e një sulmi pranë urës në fshatin Banjskë.

KPM apelon tek mediat shqiptare dhe serbe të licencuara pranë KPM-së që t’i përmbahen Kodit të Etikës dhe se raportimet të jenë të sakta, të paanshme dhe të bazuara në fakte. Ato nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet ta dinë së është i pavërtetë ose mashtrues, transmeton klankosova.tv.

”Mediat e kanë për obligim që menjëherë të korrigjojnë çfarëdo informacioni të publikuar që është gjetur të jetë i pasaktë.

Drejtuesit e mediave duhet të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të mbrojtur sigurinë dhe pavarësinë e gazetarëve të tyre nga çfarëdo ndikimi politik ose financiar, përfshirë edhe nga pronarët e mediave.

KPM u bënë thirrje mediave që ta respektojnë të drejtën e privatësisë së individëve. Ata që janë prekur nga tragjedia apo pikëllimi, duhet të trajtohen me ndjeshmëri, respekt dhe maturi, duke respektuar privatësinë e plotë të tyre.

KPM i dërgon ngushëllimet më të të sinqerta familjes së policit të vrarë dhe u uron shërim të shpejtë policëve të plagosur”./KlanKosova/KultPlus.com

Kërkohet të ndalohet gjuha e urrejtjes në media

Komisioni i Pavarur i Mediave, Agjencia për Barazi Gjinore – Zyra e Kryeministrit dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë udhëzuar ofruesit e shërbimeve mediale audiovizuele që të kenë kujdes gjatë transmetimit të përmbajtjeve programore ku mund të promovojnë gjuhën e urrejtjes sa i përket aspektit gjinor.

“Përqindja e lartë e grave të cilat jetojnë nën dhunë fizike, psikologjike dhe ekonomike, paraqet një problem strukturor i cili ndër të tjerash është çështje mendësie. Dhe kjo mendësi e cila e ka të normalizuar dhunën ndaj grupeve të ndjeshme shoqërore, sidomos grave, nuk duhet lejuar assesi nga asnjë televizion qoftë ai publik apo privat. Andaj, për ne është jashtëzakonisht shqetësues fakti që televizionet, në emër të lirisë së shprehjes, janë duke i kontribuar nxitjes së urrejtjes dhe normalizimit të dhunës përmes debateve televizive, duke dëmtuar kështu përpjekjet tona për barazi gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të grave në veçanti dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi”, thuhet në një letër të hapur të tyre.

Përmbajtjet e tilla, janë të papranueshme e të dëmshme si dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës, Konventën për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave, Konventën e Stambollit, Kodin Penal, Ligjin për Barazi Gjinore, Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe akte të tjera ligjore që garantojnë të drejtat e njeriut, thuhet tutje.

Gjuhën e urrejtjes, gjuhën vulgare dhe ofenduese e kanë cilësuar të patolerueshme dhe që dëmton drejtpërsëdrejti kauzat shoqërore, duke e ndikuar opinionin publik.

KPM, ABGJ dhe QKSGj kanë kërkuar reagim nga mediat, përndryshe kanë thënë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për denoncimin dhe luftimin e praktikave të tilla./ KultPlus.com