Filmi ‘Krahët e Punëtorëve’ do të jepet premierë në Huesca të Spanjës

Pas një rrugëtimi të gjatë dhe të suksesshëm në festivale, filmi “Krahët e Punëtorëve”, i regjisorit Ilir Hasanaj, do të ketë premierën spanjolle në edicionin e 53-të të Huesca International Film Festival.

Ky festival i njohur ndërkombëtarisht, i cili zhvillohet çdo vit në qytetin Huesca të Spanjës, është një nga ngjarjet më prestigjioze për filma të shkurtër. I themeluar në vitin 1973, Huesca është një festival kualifikues për çmimet Goya dhe Academy Awards, dhe gjithashtu njeh punën e shumë regjisorëve nga e gjithë bota.

Filmi “Krahët e Punëtorëve”, i regjisorit Ilir Hasanaj, është përzgjedhur në garën zyrtare të dokumentarëve, duke u bërë pjesë e listës ekskluzive të 15 filmave dokumentarë të shkurtër që do të konkurojnë për çmimet e festivalit. Ky është një arritje e madhe për filmin dhe gjithë ekipin e tij, dhe një mundësi e shkëlqyer për ta paraqitur punën tonë para një audience ndërkombëtare.

Është një gëzim i madh dhe një nder i veçantë që “Krahët e Punëtorëve”, një film nga Kosova, do të shfaqet në një skenë të tillë të rëndësishme në Spanjë./ KultPlus.com

“Krahët e punëtorëve” triumfon në festivalin ndërkombëtar të filmit në Meksikë

Filmi “Krahët e Punëtorëve” i regjisorit Ilir Hasanaj ka rrëmbyer çmimin e filmit më të mirë ndërkombëtar të kategorisë së dokumentarit të metrazhit të shkurtër në edicionin e 27 të festivalit më të rëndësishëm të filmit në Amerikën Latine në Meksikë, Guanajuato International Film Festival.

Juria që ka përzgjedhur filmin fitues, e përbërë nga filmbërësit Laura Baumeister, Miko Revereza dhe Virgile Ratelle në deklaratën e saj është shprehur:

“Për narrativën e krijuar me zgjuarsi, të shoqëruar me kinematografi intuitive dhe goditëse, që u jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët anë e mbanë botës si dhe aksidenteve të punës në trupat e tyre”.

Regjisori Ilir Hasanaj ka falenderuar jurinë për këtë çmim duke theksuar rëndësinë e temës së filmit dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në suksesin e filmit.

“Falenderoj jurinë për ndarjen e këtij çmimi dhe për njohjen e punës tonë dhe të rëndësisë që ka trajtimi i kësaj teme. Një mirënjohje e thellë për ekipin, veçanërisht Enisit dhe Viganit të cilët kanë qenë të durueshëm dhe i kanë besuar idesë së projektit. Për mbështetjen e tyre e falenderoj edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës dhe mbi të gjitha Milazimin, Fatmirin dhe Liridonin për guximin, urtësinë dhe besimin e treguar. Filmi është dedikim për të gjithë punëtorët që vazhdojnë të përjetojnë shtypjen”.

Pas premierës botërore në festivalin e Roterdamit ku filmi kishte fituar Tigrin e Artë, Krahët e Punëtorëve ka vazhduar shfaqjet në festivale të ndryshme botërore dhe premierën kombëtare do ta ketë në festivlin Dokufest, i cili nis prej datës 2-10 gusht në Prizren./express/KultPlus.com

Filmi “Krahët e punëtorëve” nga Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam

Filmi “Krahët e punëtorëve” nga regjisori Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili është shprehur kjo arritje shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare dhe potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

“E nisëm mbarë vitin në kinematografi. Filmi “Krahët e punëtorëve” i regjisorit tonë Ilir Hasanaj doli fitues në Festivalin e Filmit në Roterdam, në konkurrencën “Tiger Short”, festival ky i kategorisë A. Edhe një arritje tjetër që shpërfaq talentin e filmbërësve tanë në skenën ndërkombëtare, potencialin e jashtëzakonshëm që ka vendi ynë.

Urime Ilirit dhe gjithë ekipit, po ashtu Qendrës Kinematografike të Kosovës që ka mbështetur realizimin e këtij filmi”, shkruan ministri Çeku.  

Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, të cilët janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit.

Xhiruar nga Vigan Nimani, me montazhë të Enis Saraçit, filmi është prodhuar nga shtëpia filmike Unseen Films dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

📸 IFFR