QKK përkujton regjisoren Arzana Kraja: Filmat e saj janë skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare

Në përvjetorin katërt të vdekjes, Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), ka përkujtuar regjisoren Arzana Kraja, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, QKK, ka thënë se filmat e regjisores Kraja, do të mbeten përherë të skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare.

“Ikja e hershme e Arzanës, përveçse një humbje e madhe për familjen dhe miqtë të cilët e kujtojnë çdo ditë si vajzë vetëm të buzëqeshur, zemergjerë dhe tejet puntore, në asnjë mënyrë tjetër, është humbje dhe do të jetë mungesë e madhe për artdashësit kosovarë dhe gjithë komuntitetin artistik.

Në bagazhin e saj artistik ajo numëron shumë suksese vendore dhe ndërkombëtare me filmat të cilët do të mbesin përherë të skalitur në historinë e kinematografisë shqiptare, kontributi i të cilës i ka dhënë një dimension tjetër artit në Kosovë” ka shkruar QKK.

Regjisorja kosovare njihet më së miri për filmin “Shkurta”, ndërsa debutoi me filmin “Fusha e mëllenjave”, i cili bëri hapjen zyrtare të edicionit të 11 të PriFestit 2019.

Arzana Kraja vdiq më 13 nëntor të vitit 2019, në moshën 38-vjeçare./KultPlus.com

Mehmet Krajës i dhurohet diploma e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Akademik Mehmet Krajës i jepet diploma e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.

Diploma ju dorëzua nga kryetari i ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, me motivacionin: personalitet me veprimtari e kontribute të shumanshme në kulturën shqiptare. Mehmet Kraja vlerësohet si tregimtar e romancier; si dramaturg e skenarist; si kritik letrar; publicist e eseist. Gjithashtu ai njihet si drejtues i disa prej tribunave më të rëndësishme të mendimit qytetar dhe letrar në historinë e Kosovës e veprimtar publik i vijës së parë në momente kyçe për vendin.

Mehmet Kraja është figurë qendrore akademike. Ai është autor i mbi 15 romaneve, 6 vëllimeve me tregime; 7 dramave dhe 11 shfaqjeve teatrore, si dhe i 5 vëllimeve me kritikë e studime. Fitues i më shumë se 10 çmimeve dhe mirënjohjeve letrare e artistike në Shqipëri e në Kosovë si dhe i njohur për pjesëmarrjen e tij referenciale në debatet më të rëndësishëm për identitetin e shqiptarëve, historinë politike të tyre, komplekset dhe psikozat kombëtare e raportet ndërshqiptare.

Mehmet Kraja është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj prej dy mandatesh; me një rol përcaktues për mbarësinë e nismave dhe projekteve më të rëndësishme shkencore me karakter mbarëkombëtar./atsh/KultPlus.com

Mehmet Kraja në ditën e librit: Shkruani bukur dhe bëjeni botën një vend më të mirë

Në Ditën Botërore të Librit, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja , ka uruar komunitetin e shkrimtarëve me mesazhin për të shkruar bukur dhe për ta bërë botën një vend më të mirë, shkruan KultPlus.com.

Akademik Kraja, ka thënë se gjuha dhe shkrimi janë mrekulli të universit, dhe se shkrimtarët janë të vetmit të cilët mund të depërtojnë brenda vetes dhe njeriut duke parë pjesën emocionale dhe duke gërmuar edhe më tej pjesë të pa zbuluara.

KultPlus ju sjellë postimin e plotë të akademik Mehmet Krajës në facebook:

Shkrimtarë, autorë!

Sot është dita juaj. Shkruani bukur dhe bëjeni botën më të mirë. Ju e dini se librat janë për ëndërrimtarët, por ju e dini po ashtu se libri është një oqean fjalësh, se gjuha dhe shkrimi janë mrekulli të universit. Ju e dini gjithashtu se afër jush rrinë shumë fjalë të gënjeshtërta dhe dinake!

Ju jeni të vetmit që e dini se fjalët kanë ngjyra; ju jeni të vetmit që mund të dëgjoni si klith heshtja; ju jeni të vetmit që e shihni dritën që vjen nga zemra e errësirës. Ju mund t’i shihni njerëzit në sy, derisa të pikasni dhembjen dhe trishtimin në thellësi të tyre. Sepse ju e dini se depërtimin e mendjes në gjëra të panjohura, e zbulon vetëm dhembja!

Vetëm ju mund ta shihni shiun që vrapon pas një reje!

Ju e dini se nganjëherë humbja është më dinjitoze se ngadhënjimi, sepse çdo fund i lumtur është një histori që nuk ka përfunduar ende!/ KultPlus.com

‘Turtulleshë, turtulleshë…ç’ma ke çu’ shpirtin peshë’, nga Marie Kraja

Marie Kraja është një ndër këngëtaret e para shqiptare, e cila ka perfomuar qysh me themelimin e Teatrit, Operas dhe Baletit në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Studimet e larta për kanto, ajo i kreu në Konservatorin e Graz-it në Austri, gjatë viteve 1930-1934.

Mbas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, ajo punoi në disa institucione si këngëtare, ku më pas me themelimin e TOB, Marie Kraja bëhet ndër solistet e para, së bashku me plejadën e parë të këngëtarëve shqiptarë, Tefta Tashko Koço, Kristaç Antoniu, Mihal Ciko, Jorgjie Truja, etj,

Ajo interpretoi disa nga rolet kryesore të veprave të para operistike shqiptare, si “Mrika”, “Lulja e Kujtimit” si dhe të një sërë veprash të huaja si “Rusalka”, “Ivan Susain”, “Nusja e shitur”, “La Traviata”, “Jollanda”, “Dasma e Figaros”, etj.

Përpos roleve operistike, Krajaka të regjistruara në repertuarin e saj ka mbi 300 këngë popullore.

Më poshtë gjeni tekstin dhe këngën Tortulleshë nga Marie Kraja:

Dridhet rrezja nëpër valë
Ushton kanga der’ n’kala-e.
Këndon djali ndezun flake-e
Shpejt del vasha n’derë me e pa-e.

Ref.:
Turtulleshë, turtulleshë
Ç’ma ke çu’ shpirtin peshë!

Pasha sytë e ballit-o
Aman fort m’u dogj zemra prej mallit!
Qitma synin gjeraqinë!
Ta shof synin tand si yll.
Folma fjalën gjeraqinë!
Ndëgjoj nji za bylbyl në pyll.

Ref.:
Turtulleshë,…
Ka shumë kohë që s’jena pa
Fjalë as letër s’më ke çue.
Sytë e mi janë mbushë me vaj
I randë malli m’ka kaplue.

Ref.:
Turtulleshë,…
Dridhet rrezja nëpër valë
Ushton kanga der’ n’kala.
Tretet zani dalngadalë
Hija e vashës s’shihet ma.

Ref.:
Turtulleshë,…/KultPlus.com

Dramaturgu Kraja, në karantinë i jep dorën e fundit komedisë së re “Keqkuptim dhe mirëkuptim”

Ka një jetë që nuk i është ndarë librit dhe skenës së teatrit “Migjeni” me të cilin bashkëpunimet i ka patur të panumërta.

Por nëse deri dje vitet mbi supe nuk e pengonin të ishte i kudogjendur në aktivitete, sot shkrimtari dhe dramaturgu Fadil Kraja po i kalon ditët në shtëpi.

I është përgjigjur thirrjes së qeverisë dhe ndërsa komenton situatën e krijuar, nuk kursen të perifrazojë thënien e librave të shenjtë, për kujdesin në këto ditë.

“Ka një verset të Biblës por më duket se e ka dhe Kurani që thotë ruju pak se të ruaj shumë”

Për shkrimtarin “ngujimi” në shtëpi nuk është diçka e re, pasi ja do puna.

Por për profesor Krajën këto ditë po i shërbejnë për ti dhënë dorën e fundit një komedie të re, e cila ka paralele me kohën që po jetojmë.

“E kam “keqkuptim dhe mirëkuptim” titullin e komedisë. Keqkuptimi është kjo që po jetojmë sot, mirëkuptimi do të jetë nesër”

Qytetarëve rebelë u bën thirrje të respektojnë vlerën e jetës, ndërsa është besimplotë se shpejt kjo gjendje do të kalojë.

“Breznia shqiptare do e kalojë dhe këtë ashtu sic do kalojë të gjithë vështirat që do të dalin përpara”

Përkrah shkrimtarit shkodran që ka mbushur plot 90 vite jetë, qëndron bashkëshortja mjeke Zylihaja, e cila beson gjithashtu se kjo situatë do të kapërcehet shpejt, por për këtë ndihmë duhet të japim të gjithë. /KultPlus.com