Nga Nezir Kraki
Çdo ditë po bindem se injoranca është e vetmja rrugë drejt lumturisë së plotë.
Injoranca jo në kuptimin e mosdijës por në kuptimin e injorimit apo mos interesimit për gjërat që s’na prekin drejtpërsëdrejti. Injoranca si qëndrim brenda «vetes » pavaresisht si dhe çka mund të jetë « bota e jashtme », bota e tjetrit.
Po, injoranca, sepse njohja e botës dhe e gjërave janë pengesa kryesore e qetësisë shpirtërore, e lumturisë. Lumturia pra gjendet në naivitet dhe mosnjohje. Gjendet ndoshta në një gjë, dy ose tri gjëra. Jo në një mijë gjëra.
Sapo individi del nga « vetja e tij » ai takohet me tjetrin, me jetën e tjetrit, me realitetin e tjetrit. I tjetri të bën të palumtur. Prandaj duhet guxim i madh me dalë nga vetja. Guxim i madh me heq dorë nga lumturia naive, individuale, në favor të gjërave që prekin më shumë se një person. Se është e pamundur të interesohesh për fate tjera dhe të mbetësh i lumtur. Pra, jolumturia është mision. Empatia të dhuron ndjeshmëri dhe knaqësi por të bën të palumtur.
Edhe unë shpesh mendohem me lakmi për ata që jetojnë « brenda vetes se tyre », në qetesinë shurdhuese të injorancës.
Shpesh e lakmoj fatin e një çobani diku në bjeshkët tona, në mes delesh dhe lisash. Jeta e tij them duhet të jetë aq e qetë, aq e thjeshtë, aq naive por në fund sigurisht aq e lumtur. E paramendoj veten ulur mbi një rrasë guri duke e shikuar, pa asnjë njohuri artistike, spektaklin e kullosjes në pejsazhe me horizonte që s’kanë kufij.
Çfarë qetësie duhet të jetë atje lart!
Natyra gati e virgjër, e stolisur me ndonjë gjurmë të rrallë të atyre që ndër shekuj jetuan n’harmoni me të. E unë, i pasulmuar nga « njohja e gjërave », i pa mashtruar nga lavdia fiktive dhe i paskuqur nga mediokriteti kolektiv, me siguri do isha i lumtur, atje lart.
Por…jo!
Tashmë jam bindur se është vonë për lumturi të plotë, për shpirt të qetë. S’mund të kthehem më « brenda vetes sime » dhe të heq dorë nga njohja e tjetrit, e halleve të tij, nga njohja e botës. S’mund të heq dorë nga brengosja për fate tjera.
Jam pajtu të jem i palumtur.
***
Paris, 11 shtator 2018/KultPlus.com