Pas shumë sukseseve në Kosovë, korit “Okarina” po i shtohet edhe “DanceTheater”, risi e veçantë për fëmijët  

Era Berisha

Kryeqytetit të Kosovës po i shtohet edhe një aktivitet tjetër i veçantë dhe krejtësisht ndryshe nga formatet e zakonshme. Bëhet fjalë për “DanceTheater Okarina”, që së bashku me Korin e fëmijëve “Okarina”, do të realizojnë shfaqje muzikore skenike “Musical”, shkruan KultPlus. 

“DanceTheater” është formë e vallëzimit bashkëkohor, ku gërshetohen elementet skenike nga baleti dhe teatri dhe aty ku gjuha trupore shpreh gjithë dramaturgjinë e një shfaqje muzikore skenike. 

Nën drejtimin e solo këngëtares Elikona Hysaj-Shala dhe balerinit Kreshnik Musolli, shfaqja do të gjejë jetësimin e saj shumë shpejt. Ndërkaq, në një prononcim për KultPlus, Elikona ka njoftuar se ideja e themelimit të një formati të tillë ka ardhur si pasojë e gjithë kërkesës që vjen nga vokali, nga mungesa e shfaqjeve muzikore për fëmijë si dhe nga gjithë dashuria e saj për teatrin. 

Kreshnik Musolli

Sipas saj, një muzikant duhet të jetë patjetër i formuar në shumë sfera që përfshijnë artin brenda. Në këtë rast, ajo ndodh duke përfshirë vallëzimin dhe teatrin. Pra, nuk mund të jesh një këngëtar duke pasur njohuri vetëm mbi vokalin, por duhet njohur ritmi, vallëzimi dhe të gjitha elementet që e përbëjnë skenën. 

“Bashkëpunimi me Kreshnik Musollin erdhi në një moment të duhur, pas një pune të madhe të tij në profesionin e regjisorit, i cili tashmë veç ka dëshmuar në skenë. Shfaqjet e tij e lidhin koreografinë me regjinë në një mënyrë shumë të mirë, si dy dimensione të cilat plotësojnë njëra-tjetrën. Sigurisht që ai e di se për të përcjell një emocion, duhet të njihet regjia, dhe duke iu qasur edhe një analize të thellë të veprave që paraqiten në skenë, dëshira ime ka qenë e kamotshme që të filloj të punoj një formë të tillë skenike, por me të vërtetë kam pritur gjatë derisa kam vendosur që të bëj një bashkëpunim të tillë, si dy pedagog të përkushtuar profesionalisht. Dashuria për këtë profesion shkon e rritet pasi që i sheh momentet për të cilat fëmijët kanë nevojë”, thotë Hysaj-Shala. 

Elikona Hysaj-Shala

Ky aktivitet duhet të merret si referencë për një punë të begatshme që i ofron fëmijëve diçka që se kanë përjetuar më parë. Dhe konsiderohet se, për të ndërtuar një version të tillë, duhet një kohë e gjatë për t’i plotësuar boshllëqet e shumta, në mënyrë që shfaqja të ketë jetëgjatësinë e duhur. Dhe sipas Hysaj-Shalës, gjithmonë duhet të pretendohet që ti epet jetë këtij aktiviteti i cili po mirëpritet si ide e bukur në kryeqytet. Sipas saj, kjo nuk duhet të mbetet vetëm një projekt, por duhet me ngulm që të kërkohet që këto projekte të kalojnë në shfaqje sezonale, të cilat duhet të reprizohen, të jepen para fëmijëve.  

“Baleti dhe drama e kërkojnë një kohë përgatitjesh teknike, dhe njohuri pak më të thellë të kësaj fryme. Kanë mbetur vetëm tri muaj deri tek realizmi i koncertit të fundvitit sezonal që gjithmonë përgatitet nga Kori i fëmijëve Okarina, dhe kësaj here do të shfrytëzohet që brenda koncertit, të paraqiten dy numra koreografish, që do të shpalosen brenda karakterit të koncertit, pra brenda veprave që përpilohen për këtë koncert. Ky do të jetë pikëtakimi ynë në skenë ku për herë të parë do të shfaqet puna e “DanceTheater Okarina” në një program artistik të përgatitur nga Kori dhe kjo ndërthurje e këtyre dy fushave, do të jetë një befasi për publikun sepse edhe vetë Kori do të ketë shtesë leksionesh, lëvizjesh trupore”, shpalos Hysaj-Shala. 

Kori Okarina

Fëmijët të cilët do të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”, do të jenë nga mosha 4 deri më 18 vjeç, natyrisht duke i ndarë në grup mosha. Ndërsa, një pjesë e fëmijëve nga Kori, ata që me të vërtetë kanë talent për lëvizje trupore, dhe që plotësojnë disiplinën e baletit, do të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”. 

Studioja është e hapur edhe për fëmijë të tjerë të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e këndimit të Korit por duan të jenë pjesë e “DanceTheater Okarina”, asisoj që të plotësojnë njëri-tjetrin në skenë. Andaj, në rast se fëmija juaj ka talent dhe dashuri për vallëzimin, baletin, teatrin dhe muzikën, atëherë qendra “Okarina” plotëson ëndrrën e fëmijës tuaj për të qenë pjesë e shfaqjeve muzikore skenike. 

“Padyshim që “DanceTheater” është një format ndryshe, një risi për kryeqytetin. Është diçka që se kemi parë më parë. Jemi mësuar të shohim Korin në skenë duke mos vallëzuar, por që koristët të vallëzojnë e të jenë pjesë e koreografisë, kjo veç tregon që fëmija duhet të plotësohet artistikisht me kalimin e kohës, në mënyrë që ata të jenë të gatshëm për skenat vendore dhe ndërkombëtare”, tregon Hysaj-Shala. 

Ajo thotë se kjo risi është për t’u mirëpritur dhe për t’u mbështetur institucionalisht, sepse një “Musical” nuk është diçka që ndodh tek ne. Por, është i nevojshëm për publikun kosovar, dhe është i nevojshëm për t’u parë e dëgjuar nga fëmijët.  

Kori Okarina

Po ashtu, ekziston edhe ideja që të krijohet një “Musical” televiz, përpos atij teatral, në mënyrë që të arrihet e të shfaqet ky aktivitet edhe më gjerë.  

“Sigurisht që në të ardhmen do ketë aktivitete nga më të ndryshmet, që i përkasin formatit të tillë. Me kalimin e kohës, do shtohen aktivitete shtesë, duke e plotësuar formën e “Musical” në skenë, pra me shtimin e aktrimit. Qëllimi është që fëmijët të mos duan ta ndalin vetën me një projekt por të vazhdojnë tutje e të tregojnë më shumë sesa që kanë treguar në një shfaqje që e kanë lënë pas. Për mua, çdo herë kjo dashuri shkon e shtohet, për të vazhduar e krijuar ide të reja, koncepte të reja, tema të ndryshme, të cilat neve na preokupojnë përgjatë ditës dhe të cilat dëshirojmë t’i fusim në skenë e t’i shtjellojmë. Prioritet është kultura dhe mbajtja gjallë e saj, në vend. Në këtë formë, fëmijët do të ndjehen më të pasur shpirtërisht e do të ndjehen të arrirë, me kujtime që nuk do të mund t’i shlyejnë për gjithë jetën”, përfundon Hysaj-Shala. 

Regjistrimi i femijeve ka nisur nga data 26 Shtator dhe do të përfundojë më 7 Tetor. Qendra “Okarina” gjendet në afërsi të shkollës fillore “Elena Gjika”. / KultPlus.com

BKK vjen me premierën e parë për vitin 2022, koreografi Uralsky: Do të sjellim diçka të re që do t’i përkasë vetëm këtij teatri

Era Berisha

Me një stil tejet të modernizuar dhe ndryshe nga e zakonshmja, shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” e cila vjen si premiera e parë për vitin 2022 nga Baleti Kombëtar i Kosovës, hapjen do ta ketë në një mënyrë krejtësisht unike, me ç’rast publiku do të përjetojë një risi të pa ndjerë më parë nga trupa e baletit që do të frymojë për dashurinë nën një peizazh që i ka munguar botës deri më tani, shkruan KultPlus.

Ajo se çfarë dëgjohet qysh nga kati i sipërm së hapësirës për prova të trupës së baletit, është një muzikë sa e lehtë aq edhe intensive. Trupa e baletit në gjithë gjendjen kaotike dhe të bukur, nëpërmjet hapave, lëvizjeve trupore e kërcimeve, shpalosi dramë, butësi, humor dhe dhimbjen e zemrës që përkon me historinë legjendare të shfaqjes së bazuar në dramën e William Shakespeare.

E mbushur me luftime dramatike me shpata, hapa precize, kërcime që të lënë pa frymë e deri tek emocioni që shprehej nëpërmjet fytyrave të mbuluara me djersë të trupës së baletit, nuk ka dyshim se shfaqja do të sjell lojën mjeshtërore të emocioneve të fuqishme duke sjell në jetë jo vetëm dashurinë e dy protagonistëve por edhe mallin e humbjen së kësaj tragjedie epike.

Teksa lëvizjet dhe hapat magjepsëse të tyre lundrojnë në atmosferë, vëmendja e tyre bie direkt tek zëri i koreografit Konstantin Uralsky, i cili së bashku me asistentin e tij udhëzojnë trupën nën komandën e tyre besnike. Si një dukuri e shenjtë, vallëzimi i tyre tashmë kalonte përtej lodhjes trupore, duke u shndërruar në një kryevepër që dukshëm do të lë gjurmë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës më 24 mars.

“Romeo dhe Zhulieta”, konsiderohet se do të luhet në një mënyrë tërësisht të re, në diçka që nuk është parë ende. Duke u dalluar nga stili tradicional i shfaqjes, koreografi Uralsky tenton që këndvështrimi i tij të jehojë jo vetëm mbi dashurinë e dy të rinjve, por të arrijë edhe deri tek filozofitë e tjera që ndërthuren në atë shfaqje. Andaj dhe kjo cilësohet të jetë diçka që do t’i përket vetëm Teatrit Kombëtar të Kosovës ngaqë elementet e reja po vinë për herë të parë nga vetë koreografi i cili këto elemente nuk i ka sjell asnjëherë më parë në jetën e tij.

Duke kujtuar bashkëpunimin mes Baletit Kombëtar të Kosovës dhe koreografit Uralsky në vitin 2009, ky bashkëpunim i radhës që po vjen së shpejti, duket se do të emocionojë publikun si asnjëherë më parë. Ndonëse, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë, me një periudhë të shkurtër kohore, Baleti Kombëtar i Kosovës, beson se do të arrijë që shfaqja të gjejë fundin me një perfeksion të jashtëzakonshëm.

Për të na folur për shfaqjen, atmosferën dhe provat para një premiere që është kaq afër, për KultPlus tregon koreografi Konstantin Uralsky.

“’Romeo dhe Zhulieta’ është një kryevepër e famshme dhe e përjetshme e William Shakespeare e cila ndoshta është në skenë që nga viti 1935. Ka opera, filma, ka gjithçka, kështu që njerëzit janë shumë të njohur me historinë. Është një histori për dashurinë, jetën, vdekjen dhe konkretisht në lidhje me këtë shfaqje, ajo që po bëjmë nuk është aq e lehtë sepse nuk po përpiqemi ta bëjmë në mënyrë tradicionale, por të sjellim diçka të re. Diçka që do t’i përkasë vetëm këtij grupi njerëzish, vetëm këtij teatri. Pra, këndvështrimi im për këtë është më shumë se vetëm për dashurinë e dy të rinjve që takohen me njëri-tjetrin në një situatë shumë të diskutueshme”, thotë Uralsky.

Sipas tij, nëse e shikojmë në aspektin filozofik, në mënyrën se si paraqitet, është një balet bashkëkohor, jo domosdoshmërisht në një teknikë kërcimi sepse i përket baletit klasik bashkëkohor. Pra, ai po sjell elemente të një teatri bashkëkohor në të dhe që do të ketë edhe shumë surpriza.

“Ne do të kemi disa elemente të papritura në duart tona që do të luhen dhe kjo është arsyeja pse publiku do të jetë absolutisht i emocionuar për t’i parë ato.”

Për të, ndonjëherë njerëzit nuk mendojnë se sa lehtë mund të humbasin jetën dhe ndonjëherë performanca është jeta e tyre dhe kjo është arsyeja pse ai po përpiqet të vendosë elemente që nuk i ka bërë kurrë më parë në jetën e tij.

“Provat janë shumë emocionuese. Unë kam qenë këtu në vitin 2009 dhe shumë nga kërcimtarët janë ende të njëjtët kërcimtarë. Është shumë e mrekullueshme të punosh me një kompani të re e cila është kaq e etur për të marrë nga ju, për të mësuar nga ju dhe për të ecur përpara. Ata janë shumë të interesuar për shfaqjen dhe kjo është arsyeja pse unë po e shijoj kaq shumë”, përfundon Uralsky.

Ndërsa se si erdhi bashkëpunimi i dytë me koreografin Uralsky, na tregon edhe balerini Kreshnik Musolli.

“Bashkëpunimin e parë e kemi pasur në vitin 2009 ku mbaj mend se ka qenë një shfaqje fantastike e cila është pëlqyer mjaft shumë nga publiku dhe që nga ajo kohë kemi mbajtur një kontakt shumë të afërt me koreografin, i cili për ne është njeri shumë i rëndësishëm. E kemi parasysh se ardhja e një shtetasi amerikano-rus në atë kohë nuk ka qenë diçka e lehtë dhe për të gjithë ne ka qenë një surprizë se si kemi arritur bashkëpunimin me të. Gjithashtu, prej anës së tij, ai nuk pati ditur se çfarë të pres nga ne por mund të them se është ndarë jashtëzakonisht i kënaqur. Për këtë arsye, kur e ftova vitin e kaluar për të nisur përgatitjet për këtë shfaqje, ka pranuar ftesën me një entuziazëm të madh”, thotë Musolli.

Sipas tij, provat kanë filluar qysh nga dita e hënë dhe deri më tani materiali koreografik konsiderohet të jetë mjaft shumë i mësuar.

“Është një kohë shumë e shkurtër mirëpo jemi duke punuar intensivisht që të sjellim një premierë të suksesshme si çdo herë dhe të sjellim një këndvështrim tjetër ndaj “Romeo dhe Zhulieta”. Kjo shfaqje kësaj here është modernizuar me shumë gjëra dhe të cilat vetë ne po i mësojmë ditë pas dite për arsye se nuk na është treguar që nga fillimi saktësisht se çka do të bëjë ai. Po e shohim si një proces mjaft interesant sepse po punojmë me një koreograf me renome botërore. Është një nder që atë ta kemi në mesin tonë dhe shpresojmë që ta kemi edhe në të ardhmen”, thotë ai.

Duke pasur parasysh se Baleti Kombëtar i Kosovës ka realizuar tri premiera në një situatë pandemike dhe tani po e sjell të katërtën me radhë, Musolli tutje tregon se kjo shfaqje dhe pse e realizuar në këto kushte me të cilat janë mësuar tashmë, sjell një hapje ku ngjarjet futen dalëngadalë dhe tejet interesante përbrenda shfaqjes.

“Mënyra se ai e nis shfaqjen është tejet e bukur dhe mendoj se do të jetë një risi për publikun por edhe për balerinët që shfaqja nuk do të filloj vetëm si shfaqje por e ka edhe një fillim pak më interesant që fut ngjarjet dalëngadalë.”

Se si po zhvillohen provat për një hapje interesante dhe për bartjen e një roli kryesor siç është ‘Romeo’, për KultPlus tregon edhe balerini Sead Vuniqi.

“Kjo është java e parë që kemi nisur me prova. Për momentin gjithçka po shkon mirë dhe normal që tash problemi është se koha është shumë e limituar dhe janë diku afër njëzet ditë për të krijuar një lloj vepre siç është “Romeo dhe Zhulieta”. Jemi duke e stërzgjatur edhe provat dhe orarin në mënyrë që të arrijmë të përfundojmë procesin e punës dhe të realizojmë shfaqjen në kohë”, thotë Vuniqi.

Sipas tij, roli i Romeo-s është një privilegj për t’u luajtur dhe është një ndjenjë e mirë për shkak se është një vepër e Shekspirit, vepër kjo e veçantë që atij po i dhuron shumë ndjenja të ndryshme, duke inkuadruar dhe muzikën e çdo gjë tjetër.

“Zakonisht ne kemi shumë shfaqje të ndryshme të baletit por këto klasiket e bëjnë më të veçantë për arsye se baleti klasik është një shkollë ndryshe e një balet krejt ndryshe prej arteve tjera për arsye të sfidës që posedon. Njëkohësisht, jemi tërë kohën në tension për të bërë më të mirën sepse lëvizjet e baletit klasik janë shumë të vështira dhe gjithmonë kjo e bënë pak më të veçantë, duke nisur edhe nga ndjeshmëria dhe gjithçka rreth saj. Pra, thjesht të sjell emocione ndryshe”, përfundon Vuniqi.

Ndërsa, për të na treguar më shumë rreth rolit të saj si ‘Zhulieta’, për KultPlus foli balerina Leonora Rexhepi.

“Për të bartur rolin kryesor natyrisht është një ndjenjë shumë e veçantë dhe po ndihem shumë mirë. Pa diskutim se është një privilegj i madh dhe do mundohem ta jap maksimumin tim. Të gjitha rolet që kanë të bëjnë me dashurinë e ndjenjat, janë më të ndjeshme dhe mendoj që aty e kam pikën më të dobët dhe se mund ta jap më të mirën time”, thotë ajo.

Sipas saj, është diçka krejt ndryshe dhe mendon se do t’ia dali shumë mirë në fund, dhe pse shfaqjen të tërën në tërësi nuk e kanë parë as trupa e baletit.

“Për gjithë këto vite, ne me të vërtetë jetojmë për duartrokitjet e publikut.”

Premiera e shfaqjes “Romeo dhe Zhulieta” vjen me datë 24 mars. Ndërkaq, repriza e parë vjen me datë 25 mars. / KultPlus.com

Një koreograf rus në premierën e Baletit Kombëtar të Kosovës

Përderisa shumë festivale botërore, organizata sportive, bienale dhe shumë aktivitete të ndryshme janë duke i penalizuar pjesëmarrësit rus, Baleti Kombëtar i Kosovës ka paralajmëruar për premierën e këtij muaji, por që ka rastisë të jetë koreografi rus.

Shfaqja “Romeo dhe Zhulieta” me koreografin rus Konstatin Urlasky, është paraparë të jepet premierë më 24 mars.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Kreshnik Musolli ka thënë për KultPlus se tashmë kanë filluar provat e kësaj shfaqje.

Se nëse do të anulohet kjo shfaqje, duke pas parasysh se shumë festivale prestigjioze kanë anuluar tashmë shfaqjet, koncertet dhe shumë aktivitete tjera sportive me pjesëmarrës rus, Kreshnik Musolli ka thënë se nuk do të këtë ndonjë ndryshim.

“Kjo shfaqje ka qenë e planifikuar tash e sa muaj, ne kemi filluar provat, dhe se nuk do të ketë ndonjë ndryshim në lidhje me këtë shfaqje. Konstatin Urlasky nuk është një njeri që mbështetë Putinin, andaj nuk kem arsye që të anulojmë shfaqjen”, ka thënë Musolli për KultPlus.

Ndërkohë, përpos asaj që në këtë shfaqje ka rastistë të jetë një koreograf rus, edhe menaxhmenti i Teatrit Kombëtar i Kosovës nuk është treguar i kujdesshëm me rezervimin e datës për këtë shfaqje. Duke kujtuar që 24 marsi është datë kur edhe kanë filluar bombardimet e NATO-s në Kosovë. Lista e sporteve ku nuk mund të garojë Rusia janë : Futboll, Basketboll, Volejboll, Atletikë, Xhudo, Taekwondo, Skitari, Hokej, Patinazh, Biatlon, Not, Formula 1. // KultPlus.com

E bazuar në ‘Makbeth’, së shpejti vjen shfaqja “Unë” nën regjinë e Kreshnik Musollit

Shfaqja “Unë” e bazuar në “Makbeth” të William Shakespeare, nën regjinë e Kreshnik Musollit, vjen të mërkurën në Teatrin Kombëtar, përcjell KultPlus.

Në këtë shfaqje do të performojnë: Fatmir Smani, Jeta Musolli, Muhamet Bikliqi dhe Fisnik Smani.

“Unë” nis nga ora 20:00.

Koncepti dhe Regjia: Kreshnik Musolli

Mentor: Elmaze Nura

Muzika: Antonio Vivaldi, George Frideric Handel, Jed Kurzel

Mjeshtër i ndriçimit: Sherif Sahiti

Shef skene: Aziz Maloku

Dekoraterë: Rrahman Mehmeti, Hasan Buzaku, Fatmir Avdiu

Rrobaqepës: Shemsi Avdiu

Rekuizita: Xhemail Gllavica

Dizajni: Ylli Selmani / KultPlus.com


Musolli: Pandemia na pezulloi shfaqjen, të cilën e pritëm me shumë entuziazëm

Më 14 prill do të duhej të shkëlqenin balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, me shfaqjen me koreografi të Blenard Azizaj, po për shkak të pandemisë, kjo shfaqje ka mbet vetëm projekt i këtij institucioni, që akoma nuk kanë arritë as ti vendosnin një titull, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje, njëherësh do të shënonte edhe bashkëpunimin e parë me balerinin dhe koreografin shqiptar, që është mjaftë i suksesshëm në Gjermani, por që ka prezantuar punën e tij edhe në shumë shtete të botës.
Kreshnik Musolli, ushtrues detyre i drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës ka treguar për KultPlus për sfidat e institucionit që të lidhë marrëveshje me koreografin Azizaj, për shkak të agjendës së tij shumë të ngjeshur, dhe krejt kjo përpjekje, sipas tij tashmë mbeti e pezulluar.

“Me këtë shfaqje, do të realizohej edhe bashkëpunimi i parë me koreografin Azizaj dhe kemi qenë shumë entuziastë për të punuar bashkë. Tash duhet të shohim se si do të veprojmë, sepse është edhe problem mbyllja e kufijve, por edhe si do të mund të koordinohemi me planet tona dhe planet e tij”, ka thënë Musolli.

Ai ka thënë se tash për tash, përpos punëve administrative, Baleti Kombëtar i Kosovës nuk ka punuar, dhe nuk dinë se si do të veprojnë në të ardhmen.

“Jemi duke pritur udhëzimet e Ministrisë së Kulturës, për hapat e mëtutjeshëm. Se nëse do të fillojmë me shfaqje në muajin qershor, apo do të fillojmë vetëm me ushtrime”, ka thënë Musolli për gjendjen momentale të këtij institucioni, që sipas tij, mezi presin që të nisin aktivitetet dhe të fillojnë dinamikën e punës me këtë institucion./KultPlus.com  

Nën koreografinë e Osipovas do të shfaqet premiera “Pushimi i kalorësve”

Bujar Meholli

Baleti Kombëtar i Kosovës do të jep javën e ardhshme premierën e shfaqjes “Pushimi i kalorësve” nën koreografinë e ruses Natalia Osipova, shkruan KultPlus.

Provat për këtë premierë kanë filluar me datën 12 shkurt, ndërsa premiera do të shfaqet javën e ardhshme me datën 5 mars.

Koreografja Osipova për KultPlusin ka shpalosur subjektin e kësaj shfaqje. Ajo shprehet e lumtur për ftesën që është bërë teksa thekson se bashkëpunimi me balerinët kosovarë është mjaft i frytshëm.

“Është shfaqja e tretë në Kosovë, dhe më pëlqen shumë të punoj me këtë ekip për ta shfaqur baletin klasik dhe neomodern, dhe për t’u kthyer te viti 1860 me një kombinim të baletit klasik dhe neoklasik”, thotë ajo.

“Historia është komedi, personazhet janë kalorës që rrinë në një pyll të një fshati austro-hungarez dhe në atë pushim që bëjnë ka plot pasazhe komike që ndodhin gjatë shfaqjes pasi që kalorësia ndalon aty për t’u pushtuar më pas nga dashuria e vashave të atij vendi”, tregon koregrafja.

“Historia zhvillohet në një fshat të Austro-Hungarisë së asaj kohe, meqë jam në Kosovë kam dëshirë të bëjë lëvizje folklorike dhe t’i përshtatem karakterit tuaj.”

E pyetur nëse do të vinte përsëri në Kosovë ajo shprehet se “nëse më ftojnë prapë do të vijë me shumë kënaqësi, sepse ky ekip ka potencial që të bëjë krijime të tilla”, thekson ajo.

“Në secilin vend nuk janë ekipet e njëjta dhe secili balerinë dallon nga tjetri, edhe këtu janë balerinët e talentuar dhe ka secili personalitetin e vet, andaj unë përpiqem që ta shfrytëzojë secilin personalitet të secilit artist”.

Andaj, “Buzëqeshni më shumë”, përfundoi koreografja Osipova.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të BKK-së për KultPlus, tregon detajet e kësaj shfaqjeje, e cila njëherit është para për vitin 2020.

“Provat kanë filluar me 12 shkurt dhe kemi pasur vetëm 3 javë kohë që është rekord sepse zakonisht ne e kemi një muaj si kohë standarde për t’u përgatitur. Premiera do të jetë të enjten si zakonisht, është një proces pune intensiv që po vazhdon”, thekson ai.

“Sot kemi dalë në provat e para për vendosjen në hapësirë, pastaj vjen dekori në mënyrë që mos të jetë diçka statike”.

Musolli tutje tregon interesimin për dy shfaqjet e kaluara derisa për shfaqjen e radhës pret interesim edhe më të madh nga publiku.

“Është premiera e tretë që e realizojmë, dy të parat që i kemi realizuar janë kërkuar shumë nga publiku. Kjo shfaqje zgjat 51 minuta dhe e sjell një frymë të re tek ne, sepse kemi pasur shfaqje më serioze, kurse kjo sjell humor dhe besoj që do të ketë sukses të madh”, shprehet Musolli.

“Premiera e radhës do të jetë më 14 maj me Blenard Azizajn që vepron në Berlin, ai do të sjellë një shfaqje moderne, kurse ne do të bashkëpunojmë për herë të parë me të, e po ashtu do të vazhdojmë në nëntor me premierën e fundit me koreografin turk Mehmet Balkan”, bën me dije ai.

Interesimi për shfaqjen “Pushimi i kalorësve” pritet të jetë mjaft i madh. /KultPlus.com

“Andërr” e Kreshnik Musollit vjen nën mjegullën e kohës


Gili Hoxhaj

Gjithçka fillon mes shiut. Tri dritare e tregojnë qiellin e vranët, zymtësia e të cilit plotësohet prej degëve të dendura. Brenda kësaj errësire trupat shfaqen veç si hije që shpërndahen shpejtë, e krejt ngjarja kapërcen në një ambient shumëngjyrësh.

Për herë të parë balerinët kosovarë vijnë ndryshe para publikut prishtinas.

Balerini Kreshnik Musolli kësisoj që në hapin e parë si koreograf dëshmoi aspektin e tij filozofik e veçantinë për t’i sjellë skenës së baletit një rrugëtim ndryshe, me ‘Andërr’.

Balerinët me veshje më të gjera e lëvizje krejt të zakonshme fillimisht tregojnë se shfaqja nis me një grup të rinjsh që pjesën më të madhe të ditës e kalojnë rrugëve të mahallës. Ndërtesa në lagje është e ndërtuar me tulla të kuqe, po që shihen pak pasi që gjithë hapësira është e mbuluar me grafite shumëngjyrëshe.

E tillë është edhe jeta e banorëve aty, plot harmoni e ngjyra. Pranë një blloku banesor, koreografi ka vendosur ta fokusojë orën, praninë e kohës e ka matur në çdo hap që balerinët e hodhën në skenë. Ndryshe nga çdo vallëzim tjetër që balerinët kanë sjellë ndër vite në skenë, në këtë shfaqje lëvizjet e tyre diktohen nga muzika hip-hop. Asnjëri se pengon tjetrin në vallëzim e ndërveprimi mes tyre flet se secili po e shijon ritmin në mënyrën e vet. Pati edhe momente kur ata vet krijuan ‘rap’, me tekst të shkruar nga Kreshnik Musolli.  Aulonë Nuhiu dhe Sead Vuniqi përfaqësojnë çiftin i cili duket që vallëzon në qiellin e dashurisë. Në lagjen ku ata jetojnë, duket se asnjë re nuk mund ta prishë mënyrën se si ata natyrshëm ecin nën ritmin e dashurisë. Gjithçka rrokulliset shpejt, kur skenës i shtohen tre burra që dëshmojnë për një mënyrë tjetër të jetesës.

Sinan Kajtazi mbanë një qëndrim të drejtë në çdo lëvizje, reflekton krenarinë e një burri që nuk i mungon asgjë. E veçonte sakoja e kuqe, pranë dy burrave në kostum të errët. Shumë shpejtë do të ndërhyjnë në jetën e të rinjve që jetojnë në lagjen e tyre. Kur ata nisin të ecin në skenë, të gjithë të mbështetur pas murit drejtojnë krejt vëmendjen tek ta.

Koreografi Musolli thotë për KultPlus se është përpjekur që në shfaqje ta inkorporojë një botëkuptim shumë të thellë.

“Çdo gjë çka i përket pallatit dhe atyre njerëzve në atë botë është krejt aspekt psikologjik që është në trurin e Sead Vuniqit. Në një moment, ai e kupton se jeta nuk shkon vetëm duke kcy, aty hyn në tunelin e trurit të tij. E gjithë shfaqja tregon se kohën nuk mundesh më e ndalë”, shprehet koreografi.

Kreshnik Musolli arrin që shumë shpejtë gjithë ngjarjen ta zhvendosë në ambientet e këtyre tre burrave që gjatë gjithë kohës synojnë joshjen e rolit kryesor (Sead Vuniqit), për t’iu bashkuar jetës që ata bëjnë, pa pasur nevojë që të brengosesh se si të fitosh diçka që ta mbyllësh ditën. Këto personazhe, koreografi Musolli i ka futur si zëra të nënvetëdijes, ndërsa bëjnë që shumë shpejtë ai (Sead Vuniqi) t’iu dorëzohet lakmive, për t’u futur në grupin e tyre. Gjithçka e lë pas vetes në emër të gjërave materiale. Pas kësaj, e dashura e tij (Aulonë Nuhiu) në më shumë se dhjetë herë përjeton nënçmimin, e përplasje pas tokës, ndërsa ai (Sead Vuniqi) veçse e kishte arritur majën e pushtetit që ëndërronte. Shumë shpejtë e kupton, orvatet në zbrazëtinë e kohës që e kërcënon në çdo hap. Jeta e Aulonës veçse ishte shterur, ajo po numëronte ditët e fundit të jetës, e Seadi këtë e kupton atëherë kur asgjë s’mund të ndryshonte. Koka pa flokë e Aulonës tregon se sëmundja gati se e kishte rrëzuar e veç atëherë Seadi shton përpjekjet për t’i qëndruar sa më pranë. Në trekëndësh të lojës teatrore futen Aulona, Sinani e Seadi, dhe të tjerët.

“Seadi është vet Sinani. Pasi që ka vdekur Aulona, ajo ia ka marrë tërë lumturinë dhe ai është shndërruar në atë personin e ftohtë që ka pasur gjithçka sa i përket anës materiale por nuk e ka pasur dashurinë”, shprehet Musolli.

Në një intervistë për KultPlus, Kreshnik Musolli tregon se gjithë shfaqjen e ka përcjellur me plot emocion. Musolli tha se edhe pse aspektet psikologjike të shfaqjes mund të jenë të rënda, kur bën art me to atëherë kalojnë në një dimension tjetër.

“Çdo provë e kam përcjellë me shumë lot, po ashtu edhe sot shfaqjen pasi që kjo shfaqje ka rrjedhur prej mendimeve të mia më të thella, për krejt çka mua më proukupon si njeri pasi që unë mendoj se një njeri edhe nëse e don më së shumti në botë, nuk ki me e pas gjithmonë”, theksoi Musolli.

Ahmet Brahimaj kishte qenë ai që fillimisht kishte parë potencialin e Musollit për koreografi, ndërsa dje pas shfaqjes për KultPlus tha se nuk ka gabuar aspak që ia ka besuar këtë detyrë Musollit.

“E ka bërë një temë të ndjeshme e cila jashtëzakonisht mirë u lexu. Niku ka punuar në mënyrë shumë të përpiktë dhe që nga fillimi deri në fund e ka ditur se çfarë ka bërë. Ai e ka krijuar një shfaqje shumë të pastër koreografikisht por edhe temën e ka zbërthyer në mënyrë shumë të mirë”, tha Brahimaj për KultPlus.

Aulona Nuhiu ishte balerina që transmetoi shumë mesazhe duke përfaqësuar rolin kryesor të shfaqjes. Ajo thotë se kërkesat e Musollit kanë qenë shumë të qarta ndaj secilit.

“E falenderoj Nikun i cili ka besuar shumë në mua dhe jam e lumtur që publiku e priti shumë mirë. Për mua nuk ka qenë edhe shumë i vështirë jetësimi i rolit pasi që prej momentit kur Niku ma ka shpjeguar rolin, jam dashuruar në atë rol dhe e kam bërë me shumë kënaqësi. Meqë Niku na njeh të gjithëve është munduar që secilit t’ia përshtatë rolin dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i lehtë që nga fillimi i provave e deri sot tek premiera”, tha balerina Nuhiu për KultPlus.

Kualifikimet dhe performanca e Kreshnik Musllit nisi me shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në degën e baletit, ndërsa studimet universitare i vazhdoi në Regji Teatri në Fakultetin e Arteve. Ai është pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës qysh prej vitit 2008 dhe është pjesë e çdo shfaqje të BKK-së. Ai ka qenë i angazhuar edhe në projekte teatrore si regjisor, si balerin por edhe si asistent koreografie në pjesë të caktuara brenda dhe jashtë vendit.

Të gjitha ata që duan ta shohin shfaqjen “Andërr”, repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Koha e humbur në mënyrë të gabuar, mesazhi i fuqishëm brenda shfaqjes “Andërr”

Jeta Zymberi

Koha, kjo monedhë e çmuar e jetës suaj, është e vetja që ju e keni në dorë dhe jeni ju ata të cilët mund të vendosni se si do ta shpenzoni. Pikërisht, kjo çështje e kohës që sot është problemi kryesor i secilit prej nesh, do të vijë e shtrirë në një dimension tjetër, shkruan KultPlus.

Është shfaqja “Andërr” që përmes Trupës së Baletit, do të shpalosë në mënyrë artistike rëndësinë e kohës duke dashur kështu të përcjellë një mesazh të fuqishëm, që koha e kaluar me njerëzit e dashur është më e çmuar se koha e humbur pas punës dhe materialit.

“Andërr” njëkohësisht është shfaqja e parë për këtë vit që do të ngjisë në skenë Trupën e Baletit Kombëtar të Kosovës, ndërsa do të sjellë balerinin Kreshnik Musolli në rolin e koreografit, rol ky me të cilin Kreshniku po e sfidon vetën për herë të parë.

Në një konferencë për media të mbajtur sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës, balerini Sinan Kajtazi i cili tashmë është edhe në rolin e ushtruesit të detyrës së drejtorit, bëri hapjen e konferencës ku u shpreh i lumtur për punën që është bërë për këtë shfaqje duke uruar koreografin për angazhimin e tij dhe gjithë trupën e baletit.

Por për të folur për këtë shfaqje e cila pritet të vijë premierë nesër, fjalën e mori koreografi Kreshnik Musolli, i cili tregoi se kjo shfaqje vjen me risi sa i përket muzikës dhe lojës sepse në këtë shfaqje përfshihet muzika hip hop që për këtë institucion është diçka e re.

“Kjo shfaqje si temë kryesore ka kohën, në kuptimin që asnjë njëri nuk mund ta ndal, ta kontrollojë ose ta kthejë, e më së shumti që sot nuk po vlerësohet sa duhet koha. Ky është një realitet i hidhur, ku njeriu po duhet t’i mbajë dy apo tri puna për me arrit mi realizu kërkesat elementare jetësore dhe kjo është arsyeja që ja merr e gjithë kohën dhe nuk arrin të shpenzojë kohë me familje dhe njerëz të tjerë përreth”, është shprehur koreografi.

Në shfaqje prezantohet një komunitet që jetojnë në një lagje më të varfër dhe pjesë e asaj lagje janë Seadi dhe Aulona një çift të cilët i simbolizon dashuria magjike për njëri tjetrin, e të cilën dashuri mund ta quajmë edhe Andërr, prandaj edhe shfaqja mban këtë titull dhe në të njëjtën kohë kjo lidhet edhe me anën tjetër të shfaqjes, me lakminë që Seadi ka ndaj Sinanit, një djalë i cili ka një bandë dhe jetojnë në një botë të kundërt me këtë që e përshkruam më herët, ata kanë pasuri, autoritet, pushtet e gjithçka tjetër dhe kjo e shtynë Seadin të lakmojë që të jetë si ta. Por pikërisht kjo lakmi bënë që të rrënohet dashuria e Seadit dhe Aulonës.

Kjo shfaqje shpalosë më shumë aspektin psikologjik që ndodhë në trurin e njërit prej protagonistëve të shfaqjes, Seadit, por krejt kjo është e shprehur në mënyrë figurative dhe mbetet prej publikut që ta kuptojë.

“Një prej skenave që do ta veçojë është skena e quajtur “Karatina” që është bazuar në sallën tonë të Baletit Kombëtar të Kosovës që veç sallë nuk mund t’i themi, është një bodrum që nuk i ka as kushtet elementare për me qëndru as 5 minuta në të e le më të ushtrohet aktivitet fizik. Përmes kësaj pjesë të shfaqje, njëkohësisht paraqitet edhe gjendja e mjerueshme e këtij shteti, si ndotja e ajrit, izolimi e shumë probleme të tjera.”, është shprehut tutje koreografi Musolli.

Kjo shfaqje që zgjatë 55 minuta, në mesin e balerinëve ka edhe Aulonë Nuhiun e cila sot ishte e pranishme në konferencë. Balerina u shpreh që ishte një kënaqësi e madhe të punojë me koreografin Kreshnik Musolli.

“Gjatë këtij një muaji prova, gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe koreografi është munduar që secilin rol ta përshtatë me balerinin. Ky rol është shumë i rëndësishëm për mua dhe kjo shfaqje ka një mesazh shumë të mirë për publikun, që secili të shfrytëzojë kohën me njerëzit që i ka afër dhe i do e jo të vrapojë pas gjërave të tjera dhe besoj që gjithë publiku në fund të shfaqjes do të kuptojë këtë mesazh”, u shpreh Nuhiu.

Ndërsa Sead Vuniqi pohoi që ngjarja e kësaj shfaqje i ka bërë të gjithë të reflektojnë.

“Kjo shfaqje po ta kujton që familjen dhe njerëzit e dashur shpesh i lëmë anash prej punëve e obligimeve të përditshme dhe shpresoj që kjo shfaqje të ndikojë te publiku që të kuptojë që nuk është gjithçka vetëm puna”, tha Vuniqi.

Gjithashtu edhe balerinët Muhamet Bikliqi dhe Jeta Musolli u shprehën të kënaqur me gjithë procesin e punës dhe të bindur që kjo shfaqje do të përcjellë tek publiku një mesazh shumë të rëndësishëm.

Premiera e shfaqjes “Andërr” vjen nesër, më 14 shkurt në ora 20:00. / KultPlus.com